15 Janar, 2019 - 1:53 pm
Nerxhivane Bilalli
Raçak
Ishte 15 janari i ftohtë i vitit 1999, koha kur Reçaku u ngroh me gjakun e shqiptarëve civil të pafajshëm e ndër ta edhe disa familjarë të mi, nga masakra e ushtarëve të Serbisë.
Kjo masakër do të trondiste vetë Wiliam Wolker-in dhe botën dhe duke dalë si dëshmi e gjallë e krimeve serbe në civilët e pafajshëm shqiptarë në Kosovë.
Unë isha atë kohë vec fëmijë që të bëhem një dëshmitare e dorës së parë të këtij gjenocidi, por akoma e ndjej në krahëror peshën e vuajtjeve të familjes sime. Vuajtje kjo që akoma vazhdoj ta kem nga ngjarjet dhe sfidat e që 20 vjet pas luftës.
Sot, vuajtjet Recakut po ia shton edhe zbrazja masive nga të rinjtë, nga papunësia, pa perspektiva dhe korrupsioni, ku drejt kësaj rruge po më shtynë edhe mua si një e diplomuar që 5 vite dhe e papunë. Jam një aplikuese e rregullt për punë, por assesi një e pranuar, pasi për një gjë të tillë duhet vetëm korrupsion.
Por kjo nuk është tema për të cilën dua të flasë. Thonë se pas luftës, jeta vazhdon me të mirat dhe të këqijat e saj. Jeta e përditshme nuk është luftë me armë, por është luftë për të mbetur gjallë, për të bërë punë të ndryshme, për t’u shkolluar, për të krijuar familje dhe për të rritur ata që vazhdojnë rrugën e brezave para nesh.
Do të thotë, unë jam brezi që na ka rënë hise ta vazhdojmë jetën duke luftuar për ekzistencë, duke u përpjekur të bëjmë shkollë, duke u kujdesur për ata që kishin nevojë në familje dhe më gjerë. Pra, unë i takoj atij brezi të rinisë së Raçakut, që jeta na ka vënë barrë të gjitha këto peripeci, pa marrë parasysh kemi pasur apo nuk kemi pasur mundësi.
Po bëhen pesë vjet që unë jam e diplomuar. Si gjithë brezi im, kam mbaruar studimet universitare, mirëpo që pesë vjet nuk është e mundur të gjejë punë. Të gjithë të diturit e botës kanë thënë se njeriu si qenie shoqërore nuk mund të realizohet plotësisht pa punë. Pra, pa pavarësinë ekonomike. Kurse unë dhe brezi im, edhe sot e gjithë ditën, njëzet vjet pas masakrës së Raçakut dhe pesë vjet pas përfundimit të studimeve, ende jemi barrë e jetës ekonomike të familjes.
Derisa zhvillohej Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që kishin marrë armët në Raçak ishin thuajse të gjithë të rinj dhe të reja.
Çka ka ndodhur me Raçakun dhe të rinjtë e tij pas njëzet vjetësh?
Është ngritur Kompleksi përkujtimor për viktimat dhe të rënët e Raçakut, por ai po rrënohet çdo ditë e më shumë. Sepse, nëse komuna apo kush duhet të kujdeset për vendet ku janë krijuar shenjat e lirisë sonë, nuk ka mundësi të punësojë një punëtorë që do të mirëmbante Kompleksin përkujtimor, është e kuptueshme se ai shkatërrohet ngadalë, siç në të vërtetë po shkatërrohet. Kjo ngjarje tragjike dhe krenare e Raçakut kujtohet vetëm një herë në vit, më 15 janar, ditën kur ka ndodhur masakra. Pas kësaj dite çdo gjë vazhdon me të vjetrën. Nëse pas kësaj dite e viziton Raçakun, e sheh se nuk ka më rini. Ata kanë marrë rrugët e botës në sy, sepse askush nuk kujdeset për punësimin e tyre. Kot mbaron fakultetin, kot kryen profesione të ndryshme, kot bën përpjekje të gjesh ndonjë vend pune sa për ekzistencë. Edhe kur ndonjëherë mund të hapet ndonjë konkurs për ndonjë vend pune, gjasat për të gjetur punë janë shumë, shumë të vogla. Kur interesohesh dhe pyet pse nuk jam pranuar, zyrtarë të ndryshëm të thonë, se vendi i punës është plotësuar me një minoritar. Prandaj, në këtë pamundësi për të siguruar ekzistencën me punën tënde, të rinjtë e Raçakut kanë marrë botën në sy, me letra e pa letra, me ryshfet, apo pa të, me para të dhëna në dorë, apo pa to. Me rëndësi është se ata më nuk janë në Raçak. Sot, pasi kryhet dita e përkujtimit të masakrës së Raçakut, pasi të shpërndahen ata që kanë ardhur për të na vizituar, e sheh se Raçaku ka mbetur i heshtur sepse mungon gjallëria e at gjallëri normal që e bëjn rinia. Ata kanë ikur nga vendlindja, sepse edhe pas diplomimit në ndonjë universitet, nuk gjen askund punë.
Do të thotë, nëse e shohim jetën e këtyre njëzet vjetëve realisht, në Raçak nuk ka investuar askush, përveç në ndërtimin e Kompleksit përkujtimor. Prandaj që të mos bëhemi barrë e familjeve tona, rinia kanë marrë udhët e europës për të siguruar ekzistencën e tyre jetësore.
Duke ju kërkuar ndjesë që solla këto shqetësime para jush, ju kujtoj edhe një herë se jeta e njeriut nuk e ka vetëm një ditë, siç është dita e 15 janarit kur përkujtohet masakra e Raçakut. Jeta e të rinjve të Raçakut, nuk ka kuptim vetëm me një ditë përkujtimore, ajo është jetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, vetëm kur krijohen mundësitë që secili të realizohet si pjesëtar i shoqërisë me punën dhe djersën e vet. /KultPlus.com
Raçak, më 15 janar 2019