27 Gusht, 2019 - 11:28 am
Nga Vlora Konushevci
Rruga e shkurtë prej parkingut deri tek zyra ime është e shtruar me kalldrëm siç ka qenë prej se mbaj mend. Muzeu etnologjik ende e ka një tabelë informuese përpara pa ndonjë joshje nga jashtë. Eci rrugës teksa dëgjoj pazarxhinjtë t’i rrëfejnë njëri tjetrit për natën e kaluar siç bëjmë rëndom edhe ne me të njohurit tanë. Bie erë e rëndë vende- vende, nga pemët e perimet e kalbura. Rrugica tjetër e ngushtë e po ashtu me kalldrëm është po ajo e njëjta. Objekti i RTK-së është në anën e djathtë ndërkaq në të majtë janë “dyqanet e nuseve”. Para se të filloj vargu prej hiq më pak se katërmbëdhjetë dyqaneve të nuseve është një kafene e vogël ku kryesisht pinë kafen e mëngjesit shoferët e taksive bashkë me pazarxhinjtë.
Diskutimet e tyre që mi zë veshi janë nga më të ndryshmet por sot ishte ndryshe. Sot ata diskutonin mbi kandidimin e Vjosa Osmanit por me vetëpërmbajtje e një entuziazëm tjetër, çuditërisht, nga ai që e shpërfaqin kur flasin për gratë. Më kujtohet kur javën e kaluar kështu kalimthi i dëgjoja po të njëjtit duke diskutuar për çmendurinë e grave në një dasmë diku në Suharekë, apo para dy javësh për rastin tragjik në Gjermani kur një kosovar kishte vrarë ish gruan dhe të dashurin e saj. Ky i fundit përcillej me një entuziazëm shtazor e miratim se ende paska burra “trima” që ua tregojnë grave vendin. Por, sot ishte ndryshe!
Nominimi i Vjosa Osmani tregon demokratizim të LDK-së dhe plotësim të një ideali bashkëkohor për çka duhet të përgëzohet. Kosova ka disa Vjosa edhe në partitë tjera, por LDK është partia e parë në historinë e Kosovës që nominon një grua për kryeministre dhe ky është një hap i madh, në sytë e mi, për Kosovën ku nën-përfaqësimi i grave, nën-përfaqësimi i gjysmës së popullatës së saj është evident në të gjitha strukturat vendimmarrëse. Duke qenë se ne nuk kemi ndonjë histori të bujshme të grave në pozitat udhëheqëse na mungojnë edhe studimet për të bërë krahasime. Por, studimet dhe hulumtimet në Evropë dhe më tej kanë treguar se pjesëmarrja më e madhe e grave në politike sjell rezultate të dobishme dhe politika më të favorshme për vet gratë dhe shoqërinë. Veç kësaj studimet kanë treguar se fuqizimi i grave në arenën politike dhe vendimmarrëse çon në përfitime edhe më të gjera shoqërore siç është ulja e mortalitetit të foshnjave, arsimim më cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe shkallë të ulët të korrupsionit, kancerit që e ka kapluar këtë vend.
Ish presidentja, edhe pse e dalë nga zarfi ka shërbyer larg më mirë se të gjithë presidentët e pasluftës në Kosovë. Por, Vjosa nuk ka dalë nga zarfi dhe nuk i ka dajtë e fortë, pra është një tjetër model i gruas prej asaj që kryesisht (me disa përjashtime) i është servuar elektoratit nga partitë për të përmbushur kuotën gjinore. Vjosa e ka barrën dhe përgjegjësinë si gruaja më e votuar në zgjedhjet e kaluara të Kosovës edhe të besimit dhe shpresës së elektoratit që e ka votuar. Ka dëshmuar se i qëndron besnike parimeve të saj pavarësisht fiskulturave politike ditore.
Efekti “Vjosë” po arrin t’i ulë paragjykimet gjinore edhe në kafenetë e vogla të pazarit të madh të shtruar me kalldrëm. Nëse Vjosa arrin ta mobilizoj elektoratin dhe të qeverisë vendin ajo do ta ketë barrën jo vetëm të udhëheqë si model, por edhe përgjegjësinë ta modifikoj dhe rikrijoj rolin e gruas në politikë rrjedhimisht edhe të rrisë pritshmërinë e popullit dhe të vet grave për gratë që duan të jenë pjesë e qeverisjes së vendit. / KultPlus.com