4 Mars, 2020 - 10:00 am
Nga Kim Mehmeti
Edhe sikur një maceje Perëndimore – e jo më një familjeje të tërë – t’i kishte ndodhur ky tmerr rrëqethës që shihni në fotografinë që e shoqëron këtë postim, do ulërinin mediat e botës, ku nuk do mungonte as kuja e mediave tona, si dhe ajo e shqiptarëve të famshëm, me orientim të padiskutueshëm properëndimor!
Por, kur ‘mikpritja’ Perëndimore dhe e BE-së është si kjo në kufirin grek, shumica e ‘zëdhënësve’ të botës së ‘civilizuar’ shtiren se nuk kanë dëgjuar gjë.
Ja pra, kështu e dëgjon dhembjen e tjetrit veshi i atyre që edhe humanizmin e kanë ngrit në rrafshin e ‘biznesit’ fitimprurës, duke e përdorur atë vetëm sa për të qenë i pëlqyer nga më i forti, më i pasuri dhe më i pushtetshmi. Dhe që ndihmuan që kjo botë të bëhet pyllnajë ku nuk dihet se cilat ‘bisha’ janë më gjakpirëse se tjerat.
Dhe ‘Pranverë arabe’, e paralajmëruar si ‘puhizë’ që popujve të atjeshëm do u sillte demokraci dhe vlera perëndimore, përfundoi si varrezë masive e pafajësisë fëmijërore dhe e fatkeqësive të pambrojtur që naivisht besuan se kjo botë nuk do lejojë që ata të përfundonin nën rrënojat e shtëpive të tyre. Dhe kështu pra, gërmadhat e qyteteve që ishin begati kulturore e njerëzimit, sot pasqyrojnë fytyrën e shëmtuar të botës së sotme, të cilën e sundojnë mjeshtrit e luftës.
E në ndërkohë, vrasja e pashpirt e pafajësisë fëmijërore vazhdon, gjë që dëshmon se kjo botë është kopsht dhe parajsë e të ‘fortëve’, e ujitur me gjakun dhe me fatkeqësinë e popujve të ‘prapambetur’.
Dhe po kjo botë e shurdhër dhe e pandjeshme ndaj tragjedisë dhe dhembjes së popujve të ‘pacivilizuar’, gjithmonë është shtirur se i mungojnë pamje të reja rrëqethëse të fëmijëve të vrarë e të helmuar, që ta kuptojë se ky planet është ndarë në dy pjesë: në pjesën ku jetojnë popujt ‘human’ e të ‘civilizuar’ që e festojnë jetën dhe, në pjesën tjetër, që është bërë varrezë masive e fatit të popujve të pafat.” / KultPlus.com