Xhubleta mbi katër mijë vjeçare – në mbrojtje të UNESCOs

22 Shkurt, 2018 - 1:44 pm

Veshja me Xhubletë. E merr këtë emër nga një lloj fundi në formë këmbane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtana të hollë prej leshi.

Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës të cilat quhen grykës, mangë, dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana i cili në të folmen vendore quhet kërrdhokëll.

Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllçi shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure.

Logu i “Kahershëm” për të zgjedhur më të bukurën e maleve bëhej në Ditën e Shën Kollit, dhjetor, në oborrin e kishës me gjithë nuset e reja në vitin e parë të martesës.

Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saja me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura; si ngjyra e zezë, çiklamin, vjollcë ose blu.

Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë përfshirë edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi. Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare.

“Ne duhet së pari të investohemi seriozisht, gati si një gjest mbijetese, në kulturën e respektit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe të studimit serioz dhe jo në mënyrë naive e internetiste. Sepse pastaj kushdo ka diçka për të thënë dhe zbulimi i vërtetë përzihet me të tjerat.

Një nga mënyrat për të fshehur një të vërtetë është ta hedhësh atë në mes të sheshit bashkë me 1000 gënjeshtra të tjera. Ne kemi nevojë të bëhemi seriozë”.

Xhubleta, e cila peshon rreth 15 kilogramë, është një element i rëndësishëm i kulturës materiale që trashëghohet nga shekujt. Përdoret si veshje për vajza e gra shqiptare të besimit fetar katolik.

Studiuesit kanë arritur në përfundim se tipi i kostumit me xhubletë është përdorur heret në Ballkan e në brigjet e mesdheut, dhe se ka jetuar për shekuj në qytetërimin ilir. Arkeologë e etnografë të njohur janë të mendimit se xhubleta shqiptare ruan shumë tipare të ngjashme me një veshje të vjetër mesdhetare.

Në ikonografinë etruske, Z. Majani (Z. Mayani) veçon figurën e një valltareje të shkathët etruske të cilën e krahason, sa i takon veshjes, me xhubletën si veshje komnbëtare shqiptare të ruajtur sot në Malësinë e Madhe.

Xhubleta është tip i veçantë dhe shumë interesant për gra, i cili nuk ngjan me ndonjë veshje tjetër të kohës së re në vendet e Evropës Juglindore.

Ajo ka strukturë të pasur artistike. Forma e papërsëritshme, ngjyrat, ornamentet dhe stili i zbukuruar i japin asaj karakteristika dalluese nga veshjet tjera tradicionale për gra. Tek kostumi me xhubletë bën përshttypje harmonizimi i veçant i strukturës tipologjike.

Xhubleta ashtu si edhe veshjet tjera shqiptare për gra, paraqet larmi zbukuruese edhe
në varësi të moshës së bartësve, pra, të vajzave, të nuseve dhe të moshuarave.
“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Linda Spahiu kërkon “Së pari, xhubleta të shpallet urgjentisht monument kulture i rëndësisë së veçantë dhe të merret në mbrojtje nga shteti shqiptar. Së dyti, në mënyrë urgjente duhet të merret në mbrojtje nga Unesco si pasuri e njerëzimit. Dhe unë këtu nuk po them pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!”

Fahri Xharra,04.01.18
Gjakovë

Të ngjajshme