25 Mars, 2023 - 5:00 pm
Nga Ballsor Hoxha
Mungesa e themelit/shtetit në tri shkallë
Pjesa II
Në anën tjetër, pikëpamja lokale, e që është kuptimi, pranimi dhe pajtimi me diskursin e Dialogut Kosovë – Serbi, do të duhej të ishin të dyanshme, si në Serbi po ashtu edhe në Kosovë. Por në të vërtetë diskursi kosovarë është identik, apo thënë më saktë në Kosovë është i ndërvarur nga reagimet e fluskës së politikës së Serbisë. Në rastin e të cilit ne jemi një diskurs i mbytur dhe përmbytur në fluskën e politikës sonë. Që do të thotë tërë politika jonë është një reagim ndaj Serbisë, pa asnjë pikëpamje dhe asnjë pjesëz diskursi i cili sheh tutje lokales.
Me një fjalë në dy pikëpamjet e këtij Dialogu, është interes global dhe lokal, dhe ne po përmbytemi në fluskën tonë, që është relike e një besimi që më nuk ekziston!!
Politika jonë, me këtë duke nënkuptuar, me qëllim, politikën ballkanase, dhe posaçërisht atë serbe e shqiptare, apo atë politikë që është në ankthin e kalimit të një hapërimi, është aq e fundosur në vetë fluskën e politikës veç e veç, sa që e konfirmon me të drejtë dhe saktësisht mungesën e një themeli, qoftë të armiqësisë, qoftë të shtetit (shteteve) dhe aq më shumë të një Qendre, siç e njohim në filozofinë bashkëkohore që prej dekadash.
Zhvleftësimi i një nga kushtetutave më të avancuara, aq më shumë monumente në historinë bashkëkohore globale, është saktësisht zhvleftësimi, vetë pafundësia e pamundshme, e kuptimit. Që do të thotë pafundësia e konotimit të Qendrës, dhe me këtë të themelit të narcizmit tonë kolektiv. Shtetit, tonë siç e sheh politika jonë, por jo edhe globalizimi në fund të fundit.
Deri më tani kemi së paku disa shenja (por të cilat në filozofinë bashkëkohore më nuk ekzistojnë si fizike, por vetëm si marrëveshje) të kuptimit të dialogut Kosovë – Serbi: asociacion; zajednicë; zajebnicë; vetë-menaxhim së voni, e etj.
Arkivi nga ku krijojmë diskursin tonë, si politikë, dhe aq më shumë si sociologji e psikologji e shoqërisë sonë, ka skaduar prej kohësh. Tanimë jemi të zhveshur në narcizmin tonë para tërë botës.
Si ndodhë kjo? Më, nuk ka shenjë, me këtë nuk ka fizike, dhe aq më shumë nuk ka Qendër! Nëse vetëm për një moment pyetemi si u krijua shteti ynë i Kosovës, e tëra bëhet e qartë, jo vetëm në “faktet”, por edhe në përvojën tonë, se themeli i shtetësisë sonë është vetëm një – marrëveshje, as nuk është natyror siç pretendonte një kohë e në një arkiv të diskursit Lahuta e Malcisë, dhe as diskriminim pozitiv, si pjesë e arkivit të filozofisë bashkëkohore, që i bie zhvleftësim, jo i shtetësisë, dhe as i etnisë apo çka do që e imagjinojmë, por e vetë gjuhës si Qendër. Si fizike, dhe si themel. Jo më vetëm i yni por i tërësisë globale.
Që do të thotë, se derisa në pjesën e parë të këtij shkrimi, marrë shembull këtu intervistën dhe aq më shumë përpjekjen e Konjufcës për kalim të diskursit bashkë me krijimet e reja, të marrëveshjeve, dhe të pajtimit, e tëra është – mungesë në prezencë – të saj, dhe anasjelltas – prezencë në mungesë – të saj, e që është vetë emrat me të cilët krijojmë diskursin tonë: Luftë; Dialog; Vetë-menaxhim; Zajebnicë etj; por që në të vërtetë janë vetëm Pajtim, dhe atë jo vetëm për gjakderdhjen dhe fajësinë, por edhe për një të ardhme të marrë – vesh.
Por, – prezenca në mungesë – që (sipas filozofisë bashkëkohore) është vetë emri i cili edhepse nuk është prezent, sugjeron, apo thënë saktë sajon fenomenin para nesh, në anën tjetër, – mungesa në prezencë – që është vetë sugjerimi dhe sajimi i një emri, i cili është prezent. Që do të thotë se ky shtet, i Kosovës, do të bëhet në të ardhmen, dhe me këtë, është të dyja, edhe prezencë edhe mungesë e tij, tash (por edhe në përhershmërinë e kohës, identike me vetë marrëveshjen të quajtur Bashkim Evropian!!)
Tërë kjo fiskulturë me filozofinë bashkëkohore në interpretim të fenomenit të një shoqërie narciste, qoftë edhe si narcizëm i viktimës, vetë kosovarët, apo tërë Ballkani, është për hir të theksimit se kjo është një ‘kronikë e një ecurie të paralajmëruar’. Dhe ky diskurs, ky shënjim (jo shenjë), huazuar nga titulli i romanit të shkrimtarit të mirënjohur Gabriel Garcia Marquez, e që është “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, nuk është as naiv as i rastësishëm, është vetë mundësia të zihemi në ngërç si tërë këtë kohë të vetë-menaxhimit tonë, dhe tërë këtë kohë të shtetësisë sonë!
Kjo, që po ndodhë, që ndodhi, është saktësisht ‘kronikë e një ecurie të paralajmëruar’ gjë që do të thotë është, paramendim (apprehension) e një gjakderdhjeje të mundshme, apo edhe të paralajmërueshme, nëse nuk e kuptojmë, se më nuk ka as Asociacion, dhe as Zajebnicë, por ka vetëm marrëveshje, e cila krijohet nga njeriu dhe me këtë prodhon kuptime të pafundme, të cilat në fund të fundit janë zgjedhje, e jona, dhe e të gjithëve! ./ KultPlus.com