13 Shkurt, 2018 - 12:46 pm
Shkruan shkrimtari Zija Çela
Është e çuditshme se si mund të ikësh nga kjo jetë pa lexuar disa libra të kolegëve, që nuk dihet pse të kanë shpëtuar nga vëmendja deri atëherë. Për shembull, librin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”.
Sipas meje, është një roman i dimensionit epokal. Jo se sjell fakte që bëjnë histori, por se sjell personazhe që atë epokë historike e kthejnë në letërsi.
Sipas meje, skenat më të vështira për t’u përballur artistikisht janë takimet e Met Rrokes me Komandantin Suprem, gjyqi i Hagës dhe demonstratat e studentëve, të cilat nisin me Kushtet dhe kalojnë te Kushtetuta. Skena e fundit vjen si në një film me ekran të gjerë, ku çdo gjë shihet, por në vend të kolonës zanore me efektet e zallamahisë dhe të eksklamacioneve, ka tekst, ka rrëfim. Është një rrëfim i teknikës së lartë që vjen i alternuar nëpërmjet tri kontrasteve: syrit autorial, syrit të informatorit Faton Leqi, syrit të protagonistit Rroka. Nëse këto tri brinjë përbëjnë një trekëndësh, atëherë këtë imazh na duhet ta përfytyrojmë me majën poshtë. Sepse këto skena nuk tregojnë vetëm çfarë ka ndodhur në Prishtinë, por në ndjesitë e lexuesit paralajmërojnë edhe gjithë përmbysjen e ish-Jugosllavisë.
Veton Surroi shkruan me njohje çdo episod të romanit, qoftë skenë e madhe apo e vogël, vendase apo e huaj, hollësi apo emër personazhi. Fjala e autorit ka peshë, por nuk ka lagështirë. Kultura e shkrimit nuk rri jashtë, si gjalpi në rriskat e bukës. Ajo është e tretur në të gjitha temat e nëntemat, që nga ajo e pushtetit, përditshmërisë, personalitetit, dashurisë, vetmisë, biblikes, somelerisë e deri te Blanche Du Bois (Tennessee Williams).
Pas kapitullit të parë e deri në fund, mbasi “i ka ardhur dora”, shkrimtari hyn plotësisht në stilin e tij të pastër dhe njëkohësisht çekiç. Në stilin me një precizitet milimetrik, ku fjala përdoret shpesh si pika e shiut, e cila prej përsëritjes ngulmuese (rimarrjes në art) shpon edhe gurin.
Teksti i Veton Surroit përmban ndjeshmëri krejt të veçantë. Duket sikur, kur shkruan, autori ka një kompresë të ftohtë në ballë. Por kjo nuk do të thotë se zhiva e termometrit nuk punon ndërkaq nën sqetull.
Dy protagonistët, Met Rroka dhe Marie Gjoni, nuk ishin hasur në këto përmasa në letërsinë tonë. Ata sjellin shumë jetë dhe, po aq, mendim e turbullim. Prej kompleksitetit që kanë, pse jo dhe rigave të perversitetit, Rroka e Maria sikur të fusin në gjynah, prandaj ndaj tyre s’mund të jesh moralisht i njëanshëm.
Kam dëgjuar aty-këtu se, po të shkruash mirë për këtë autor, bën plot “kundërshtarë”. Po mendoj të kundërtën. Nëse do të shkruaja një ditë, do të shpresoja që edhe këta të më shihnin si mik, pasi letërsia e mirë të gjithëve na bashkon./ KultPlus.com