Shqipëria nuk është në krizë politike apo ekonomike, ajo është në krizë kulturore

28 Shkurt, 2019 - 9:16 pm

A e dini se 60% e amerikanëve mendojnë se të varfërit janë përtacë e ndaj janë të varfër ndërkohë që në Evropë vetëm 26% mendojnë kështu. Nga ana tjetër 74% e Evropianëve mendojnë se njerëzit janë të varfër sepse sistemi politik e ekonomik nuk është i drejtë.  Po ashtu në Evropën Lindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria, 80% e njerëzve mendojnë se sistemi i keq ekonomik lë njerëzit e varfër.

Sipas studimeve të shumta këto perceptime mbi realitetin ndikojnë më pas në sjelljen e firmave e individëve në ekonomi. Mënyra e të kuptuarit të botës ndikon direkt në ligjet që implementohen në parlament e në politikat rishpëndarëse që adaptohen. Kështu mund të themi se fakti që ne jemi ndër vendet me perceptimin më të lartë të prezencës së korrupsionit në vend bën që të mendosh se kushdo që është i pasur e ka arritur këtë për shkak të korrupsionit. Nga ana tjetër nëse ky besim është i vërtetë të bën të mendosh se në masë do të mbështetej politika e taksës progresive apo dhe e politikës së rishtetëzimit të shumë industrive prodhuese në miniera apo naftë.  Këto besime popullore krijohen ngadalë e ndikojnë më pas në gjithë sistemin ekonomik që ne ndërtojmë.  

Besimi se Shqipëria është një vend që nuk ofron të ardhme bën që 70% e të rinjve të duan të largohen nga vendi duke ndikuar direkt në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë. Ndaj nëse ekonomistët e shekujve të shkuar mendonin se vendet ishin të varfra vetëm sepse kishin diferenca në kapital të akumuluar sot gjithnjë e më shumë po thuhet se një ndër arsyet përse shtetet mbeten të varfra është për shkak të institucioneve dhe kulturës që këto vende kanë.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe kulturë do të thotë:  tërësia e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzit, në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor. 

Në këtë artikull termi kulturë përshkruan: “elementë të përbashkët si zakonet, simbolet, sistemet e botëkuptimit, si dhe objektet materiale që kanë individë që përbëjnë një grup të caktuar shoqëror. Studimi i kulturës është i rëndësishëm në analizat shoqërore, në veçanti për shkak se elementët kulturorë përcaktojnë logjikën përmes së cilës ngjarjet dhe veprimet formojnë shoqërinë dhe çojnë në ndryshime shoqërore.

Kultura ndikon në aktivitetin ekonomik të një shoqërie. Botëkuptimi apo besimi në disa vlera ndryshon dhe zgjedhjen e njerëzve sesi të përdorin burimet e tyre të shtershme. Kultura pra ndikon direkt në sjelljen e individëve dhe në utilitetin që ata marrin nga veprimet e tyre. Kështu kultura ndikon direkt në sjelljen tonë ndaj pronës publike, ndaj kërkimit e zhvillimit, ndaj bashkëpunimit apo ndaj faljes apo tejkalimit të konfliktit.

Kështu ne kemi shifrat më të ulta për sa i përket kërkim zhvillimit në vend dhe po ashtu kemi nivelin më të ulët të besimit mes njëri-tjetrit që ndikon direkt më pas në shkëmbim tregtar e në pasurim të njerëzve. Në grafikun më poshtë jepen të dhënat për marrëdhënien mes besimit dhe zhvillimit ekonomik. Ajo që vihet re është se ndër vende të ndryshme të botës vihet re një lidhje e fortë mes respektit e besimit te njeri-tjetri dhe në rritjen ekonomike. Kështu në Shqipëri vetëm 25% e popullsisë do të ishte dakord me shprehjen se mund t’i besosh shumicës së njerëzve ndërkohë në Norvegji kjo vlerë është 72%.

Besimi mes qytetarëve ndihmon në marrëdhëniet e normat sociale si dhe në institucionet qeverisëse. Në një studim të fundit të ISP në Shqipëri më shumë se 44% e deputetëve të parlamentit të Republikës së Shqipërisë mendojnë se ata nuk kanë mundësi ose hapësirat e duhura për të ndryshuar realitetin. Në shumë studime të tjera nga ana tjetër thuhet se “kapitali social” apo besimi social është një faktor kyç për të ndërmarrë reforma ekonomike, për të ndërtuar demokraci apo për të zhvilluar ekonominë.

Paradoksi/ 44% e deputetëve: Nuk kemi hapësirë për të ndryshuar Shqipërinë

Përveç ruajtjes së kulturës dhe traditave industria kulturore ka kontribut të madh në PBB. Në BE ky sektor siguron më shumë të ardhura se sa tregu i pasurive të paluajtshme apo industria tekstile.  Kjo industri ka rreth 8.3 milion njerëz të punësuar me kohë të plotë që përbën 3.8% të forcës punëtore të BE. Në BE, bizneset kulturore në vitin 2013 ishin rreth 675 000 dhe përbënin rreth 6.4% të bizneseve totale të shërbimit në vitin 2013. Franca dhe Italia janë vendet e vetme që kanë më shumë se 100 000 biznese kulturore dhe përbëjnë secila 15% të bizneseve totale kulturore të BE.

UNESCO/ Kultura një industri që krijon 2 250 miliardë dollarë

Po në Shqipëri?

Buxheti për kulturën vazhdon të mbetet në nivele qesharake, pasi vuan pasojat e mungesës së vëmendjes së qeverisë për financime. Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 1 për qind të PBB për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4% të PBB-së për në lidhje me këtë sektor. Ndryshe nga vendi ynë, i cili në mendësi e quan sektorin e arteve dhe kulturës si shpërdorues të fondeve publike, në Perëndim ku sektor thirret si “industri krijuese”, të cilës i kushtohet një vëmendje e veçantë. Një shembull për këtë janë qeveritë laburiste britanike të Tony Blair dhe Gordon Brown, të cilat e rritën financimin e arteve me 35% çdo vit, për 13 vjet me radhë.

Po ashtu ne jemi pas dhe Maqedonisë. Ndonëse me një PBB relativisht më të lartë se Maqedonia dhe Kosova, si dhe me një numër më të lartë popullsie, Shqipëria ka një buxhet shumë më të vogël për Kulturën se sa dy vendet e sipërpërmendura. Për vitin 2019 Shqipëria ka parashikuar një buxhet prej 2.1 miliardë lekë, ndërsa buxheti i Maqedonisë për ministrinë e Kulturës për vitin 2019 arrin 3.140.216.000 denarë (50 mln euro), ose rreth 6.3 miliardë lekë, apo 3 herë më i madh se ai i Shqipërisë për Kulturën.

Buxheti për kulturën i Maqedonisë 3 herë më lartë se ai i Shqipërisë


Burimi:
http://atlasi.al/%EF%BB%BFshqiperia-nuk-eshte-ne-krize-politike-apo-ekonomike-ajo-eshte-ne-krize-kulturore/?fbclid=IwAR3wpWAjObK-wLrpJoxBMUgly9YmrEOwRR8ebyCEWyAhFozAYgmpZUUMIMQ

Të ngjajshme