Pse po rritet shkalla e rasteve me autizëm?

Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bëri të ditura të dhëna e reja këtë javë për autizmin, të cilat tregojnë se shkalla e diagnostikimeve me autizëm te fëmijët amerikanë shënoi rritje rekorde në vitin 2022.

Autizmi është çrregullim neurologjik dhe zhvillimor, i karakterizuar nga ndërprerje në sinjalizimin e trurit, të cilat shkaktojnë sjellje, komunikim, ndërveprim dhe të mësuar të mënyra të pazakonshme.

Numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm në SHBA është rritur ndjeshëm që nga viti 2000. Kjo ka shtuar shqetësimin publik se çfarë po e shkakton përhapjen e tij.

Si diagnostikohet autizmi?

Nuk ka mjete objektive për diagnostikimin e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ASD), siç njihet autizmi me emër mjekësor, siç janë analizat gjaku apo skanimi i trurit në rëntgen. Në vend të tyre, diagnozat bëhen bazuar në vëzhgime dhe intervista.

Termi “spektër” pasqyron gamën e gjerë të manifestimeve të mundshme. Disa persona me ASD mund të kenë aftësi të mira për bisedë, ndërsa të tjerë mund të jenë jokomunikues. Disa mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj zërave, prekjes apo stimujve të tjerë. Të tjerë mund të kenë sjellje ose interesa të kufizuara apo të përsëritura. Disa mund të kenë nevojë për ndihmë në jetën e përditshme, ndërsa të tjerë shumë pak ose fare.

Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon që të gjithë fëmijët të kontrollohen për autizëm në muajt 18 dhe 24, kur shumica e tyre fillojnë të shfaqin simptoma. Megjithatë, mosha mesatare e diagnozës mbetet afër 4 vjeç në SHBA dhe 5 vjeç globalisht.

Sa i zakonshëm është autizmi?

Në vitin 2022, shkalla e diagnostikimit me autizëm te 8-vjeçarët në SHBA ishte 1 në 31, ose 3.2 për qind, nga 2.77 për qind në vitin 2020, 2.27 për qind në vitin 2018 dhe 0.66 për qind në vitin 2000, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Një studim në Angli në vitin 2021 gjeti se shkalla e autizmit te fëmijët atje u rrit në 1.76 për qind, nga 1.57 për qind në vitin 2009.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se përhapja globale te fëmijët është 1 për qind, nga 0.62 për qind në 2012, me vërejtjen se shumë vende nuk kanë burime për t’i identifikuar dhe raportuar rastet.

Çka e shkakton autizmin?

Shkaqet e autizmit nuk janë të qarta.

Shkencëtarët mendojnë se karakteristikat neurologjike mund të zhvillohen gjatë shtatzënisë, kur truri i fetusit është duke u formësuar. Studimet e lidhin autizmin me faktorë gjatë shtatzënisë, dhe disa kërkime sugjerojnë një lidhje me komplikimet gjatë lindjes dhe kohën e lindjes.

Faktorët gjenetikë përbëjnë rreth 80 për qind të rrezikut për zhvillimin e autizmit, sipas studimeve.

Një fushë kërkimi në rritje është epigjenetika – ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe atyre mjedisorë. Një teori sugjeron se ekspozimi i një gruaje ndaj ndotjes së ajrit ose substancave të dëmshme para ose gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë një mutacion gjenetik që çon në autizëm te fëmija.

Variacionet gjenetike te disa persona me autizëm forcojnë provat për një komponent gjenetik. Disa çrregullime gjenetike të lidhura me rrezik më të lartë për autizëm përfshijnë sindromën Fragile X, kompleksin sklerozë tuberoz, sindromën Phelan-McDermid dhe sindromën Prader-Willi.

Faktorë të tjerë të mundshëm përfshijnë peshën shumë të ulët në lindje, verdhëzën te të porsalindurit, komplikimet gjatë shtatzënisë ose lindjes, probleme me florën bakteriale të zorrëve, çrregullime të sistemit imunitar, të pasurit një vëlla ose motër me autizëm, dhe faktorë prindërorë si mosha, obeziteti dhe diabeti.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy, Jr. dhe figura të tjera publike kanë promovuar një teori – në kundërshtim me provat shkencore – se vaksinat e fëmijërisë shkaktojnë autizëm.

Ideja rrjedh nga një studim i rrëzuar më parë i studiuesit britanik, Andrew Wakefield, në fund të viteve ‘90 që e lidhi rritjen rasteve me autizëm me përdorimin e madh të vaksinës së fruthit.

Asnjë studim serioz nuk ka gjetur lidhje midis autizmit dhe vaksinave apo përbërësve të tyre si timerosali apo formaldehidi. Shkalla e vaksinimit ka rënë ndërkohë që rastet me autizëm janë rritur.

Pse po rriten rastet me autizëm?

Studiuesit ia atribuojnë kryesisht rritjen e rasteve me autizëm skanimit më të madh dhe përfshirjes së një game më të gjerë sjelljesh në përkufizimin e çrregullimit. Historikisht, përkufizimi i autizmit përfshinte vetëm aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara, deri në të rënda. Sot, mjekët njohin se format më të rënda përbëjnë vetëm rreth 25 për qind të rasteve.

Në vitin 2013, ekspertët e shëndetit mendor kombinuan tri diagnoza të ndara – çrregullimi autistik, çrregullimi i Aspergerit dhe çrregullimi zhvillimor gjithëpërfshirës – nën ombrellën e çrregullimit të spektrit të autizmit.

Një studim i tetorit 2024 mbi të dhënat e sigurimeve shëndetësore në SHBA gjeti rritjet më të mëdha të diagnozave në grupe që më parë kishin norma të ulëta zbulimi, përfshirë të rinjtë, gratë dhe fëmijët nga disa grupe racore ose etnike.

Studiuesit kanë vërejtur gjithashtu se disa faktorë rreziku janë bërë më të zakonshëm, si lindja e parakohshme apo lindja nga prindër të moshuar.

Diagnozat e formave më të rënda të çrregullimit, të njohura si autizëm i thellë, nuk janë rritur ndjeshëm sa format më të lehta të autizmit, raportoi CDC.

Kennedy ka deklaruar, pa prova shkencore, se faktorët mjedisorë janë përgjegjës për rritjen e madhe të rasteve të autizmit dhe se ai planifikon të financojë hulumtime për t’i identifikuar ato.

A ka tretman?

Nuk ka tretman apo shërbim për autizmin. Megjithatë, ekspertët pajtohen se diagnoza e hershme është thelbësore. Ndërhyrjet mbështetëse – idealisht para moshës trevjeçare – janë vendimtare për përmirësimin e aftësive kognitive, sociale dhe të komunikimit.

Këto masa mund të përfshijnë terapi për të folurit, terapi profesionale, trajnime për t’u shoqëruar, terapi për integrimin ndijor, ndihma vizuale, rutina të strukturuara, plane arsimore individuale, terapi familjare dhe ofrim të një mjedisi të qetë dhe të parashikueshëm. /REL/ KultPlus.com

Osmani uron Pashkët: Kjo festë na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Pashkët.

Ajo ka shkruar se kjo festë kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë.

“Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne”, ka uruar Osmani.

Urimi i Presidentes Osmani për Pashkët:

Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuara, paqe në zemër dhe gëzim në familje!

Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë.

Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne.

Gëzuar për shumë mot Pashkët!/ KultPlus.com

Dita e Pashkëve, mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”

Sot në Ditën e Pashkëve, në orën 11:00 mbahet mesha për besimtarët katolikë në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ndërsa në orën 19:00 ipeshkvi Dodë Gjergji organizon pritjen solemne në Qendrën “BogdaniPolis”.

Ditën e djeshme, Ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë-Prizren, Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën, në meshën qendrore të mbajtur sonte në Katedralen  “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.

Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit, raporton Kosovapress, transmeton Klankosova.tv

“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë, sepse ne që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës dhe sado e vështirë të jetë ajo”, tha Dodë Gjergji.

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka thënë se Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona./ KultPlus.com

Kur të jesh mërzitur shumë

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje./ KultPlus.com

Manifestim i krijimtarisë së Bach-ut, ‘St Mark Passion” interpretohet për herë të parë në Prishtinë

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e djeshme, Filharmonia e Kosovës shënoi një kapitull të ri kulturor teksa për herë të parë u interpretua vepra enigmatike e Johann Sebastian Bach, “St Mark Passion”, BWV 247.

Kjo vepër, e cila asnjëherë s’është gjetur e plotë, dhe që më vonë është rikonstruktuar nga dirigjenti gjerman Jörn Boysen, erdhi mbrëmë në Prishtinë pikërisht nën drejtimin e tij, duke përçuar një emocion të papërsëritshëm për audiencën, në përkujtim të 340-vjetorit të lindjes së Bach, një prej gjigantëve të muzikës klasike, shkruan KultPlus.

Të pozicionuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u shndërruan në bartës të një përjetimi të rrallë muzikor, duke sjellë për publikun këtë vepër, partitura origjinale e së cilës është humbur. Nën drejtimin e Boysen, “Pasioni i Markut” e cila i përket kohës së barokut, erdhi si një përpunim i rafinuar me mjeshtëri dhe dhuroi emocione për audiencën kosovare.

Në qendër të kësaj mbrëmje qëndronin katër solistë të jashtëzakonshëm. Me zërin e tij të kthjellët dhe të fuqishëm, tenori danez Mathias Monrad Møller i dha jetë rrëfimit, teksa u shfaq në rolin e Evangjelistit, ndërsa basi holandez Wessel van der Ham erdhi në rolin e Krishtit, duke sjellë thellësinë dramatike që kërkon kjo vepër.

Krahas tyre, dy solistet nga Kosova, sopranoja Elona Sadiku dhe mezosopranoja Diellza Sylejmani, shkëlqyen me interpretim të ndjerë, duke dëshmuar për talentin dhe potencialin e artistëve vendas.

Gjithashtu, Orkestrës së Filharmonisë iu bashkuan instrumentistë nga Holanda dhe Hungaria, duke krijuar një ansambël që solli në jetë ngjyrat dhe teksturat autentike të muzikës barok.

“St Mark Passion” BËV 247, është një oratorium i Johann Sebastian Bach që trajton vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezusit, bazuar në Ungjillin sipas Markut. Vepra u interpretua për herë të parë në vitin 1731 në Kishën e Shën Tomasit në Leipzig, por fatkeqësisht, muzika origjinale është humbur. Pavarësisht humbjes së partiturës, muzikologë të ndryshëm kanë bërë përpjekje për ta rindërtuar veprën, duke u bazuar në tekstin e ruajtur dhe në stile të ngjashme me pasionet tjera të Bachut, si “St Mattheë Passion” dhe “St John Passion”.

Dirigjenti Jörn Boysen foli për KultPlus për koncertin, i cili përveç se shpjegoi për rikonstruktimin e kësaj vepre, foli edhe për eksperiencën e tij në Prishtinë.

“Partiturat e kësaj vepre kanë humbur në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk ka pasur kopje të saj, por është teksti ai që ka mbijetuar. Ishte një teknikë për ta plotësuar atë  për ta plotësuar atë duke ia përshtatur portretit të veprs, tekstit dhe atmosferës së muzikës, duke njohur punën e Bach dhe teknikën e tij. Jam shumë i lumtur që kishte kaq shumë audiencë, jam shumë i lumtur që njoha shumë njerëz të mirë dhe muzikantë të shkëlqyer dhe jam gjithashtu i lumtur që bëmë një magji sot”, theksoi Boysen.

Pas përfundimit të koncertit, tenori danez, Mathias Monrad Møller, i cili pasqyroi rolin e Evangjelistit, e përshkruan eksperiencën e tij në Kosovë si një përvojë të jashtëzakonshme.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme që të performoja këtu në Prishtinë, secili ka qenë shumë mikpritës dhe kalova një kohë të mrekullueshme me pjesëtarët e Filharmonisë së kosovës. Sot ndjeva sikur krijova një komunikim me audiencën dhe kjo ishte diçka shumë speciale”, u shpreh ai për KultPlus.

Ndërkaq, mezospopranoja Diellza Sylemani e ka konsideruar këtë vepër tejet të veçantë poer edhe si një ndër veprat më të vështira të muzikës barok.

“Një vepër me të vërtetë e veçantë. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe ta këndoj. Është një ndër veprat më të vështira të muzikës së barokut, gjerësisht të kompozitorit Bach, këtë radhë e përpunuar, e rikonstruktuar prej dirigjentit që ishte sonte. Për mua ishte kënaqësi dhe privilegj të jem në skenë me gjithë këta artistë të mirë që ishin sonte”, tha Sylejmani për KultPlus.

E për sopranon Elona Sadiku, kjo mbrëmje ka qenë shumë e veçantë, duke shënuar edhe paraqitjen e sa të parë me Filharmoninë e Kosovës.

“Për mua kjo natë ishte shumë e veçantë. Njëra ndër to është që unë për herë të parë po interpretoj si soliste me Filharmoninë e Kosovës megjithëse kam kënduar me Korin, por kurrë me Orkestrën. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme me një publik të jashtëzakonshëm. Çfarë e bën akoma më të veçantë këtë natë është vetë dirigjenti dhe kompozitori që e ka përpunuar këtë vetëm të kompozitorit të madh, Bach. I cili përveç se na dirigjoi neve, luajti edhe në instrument”, theksoi Sadiku duke shtuar tutje se ishte kënaqësi për të që të këndojë ariet që janë kompozuar e shkruar aq bukur Ishte kënaqësi t’i këndoja ato arie që i ka shkruar dhe kompozuar në një mënyrë shumë të bukur”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, ju kujtojmë se me këtë mbrëmje të rrallë, Filharmonia e Kosovës shënoi 340-vjetorin e lindjes së Johann Sebastian Bach-ut/KultPlus.com

Osmani kujton Sali Çekajn: Nga komandantët më të shquar të UÇK’së për trimëri, besnikëri e bujari

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar heroin e kombit, Sali Çekajn, i cili ra dëshmor në Betejën e Koshares.

Osmani ka thënë se Sali Çekaj ishte një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për trimëri, besnikëri, bujari dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun. 

Postimi:

Presidentja Vjosa Osmani kujton përvjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

Sot kujtojmë me nderim heroin e kombit, Sali Çekaj, i cili ra dëshmor në betejën e lavdishme të Koshares.

Sali Çekaj ishte një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për trimëri, besnikëri, bujari dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun. 

Bashkë me Agim Ramadanin dhe bashkëluftëtarët tjerë, u shqua si strateg i vendosur dhe udhëheqës i guximshëm në frontin e luftës.

Heroi Sali Çekaj u përkujtua sot me një akademi përkujtimore të mbajtur nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani.

Me dëshmorët që ranë heroikisht dhe luftëtarët trima që shkruan historinë me gjak, do të jemi përjetësisht krenarë.

Lavdi përjetë veprës së Heroit Sali Çekaj!/ KultPlus.com

“Nëse do të dish të më rrish pranë”, nga Pablo Neruda

Poezi nga Pablo Neruda.

Nëse do të dish të më rrish pranë,

dhe të mund të jemi të ndryshëm,

nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,

pa u mbivendosur hijet tona,

nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë

dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi

dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,

nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit

pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,

nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri

dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë./ KultPlus.com

Los Anxhelesi rrezikon për t’u bërë Detroiti i ardhshëm, ndërsa prodhimet filmike dhe televizive po largohen

Njerëz të besuar të Hollivudit kanë paralajmëruar se Los Anxhelesi është në rrezik të bëhet Detroiti i ardhshëm, mes frikës se statusi i qytetit, prej dekadash si kryeqyteti i televizionit dhe filmit, mund të ketë fund të shpejtë nëse prodhimet argëtuese nuk marrin stimuj të menjëhershëm për lehtësimin e taksave, sipas realtor.com.

Mes një rritje të madhe të numrit të të famshmëve që largohen nga LA në vende si Teksasi dhe Florida, punonjësit e industrisë tani kanë ngritur alarmin për rënien e madhe të numrit të projekteve argëtuese që po kryhen në Hollivud dhe në të gjithë Kaliforninë.

Këto frikëra ishin fokusi i një takimi më 14 prill, ku ligjvënësit dhe producentët e filmave kërkuan ndryshime në stimujt tatimorë të prodhimit argëtues të shtetit për të mbuluar deri në 35% të shpenzimeve të kualifikuara dhe duke zgjeruar gjithashtu gamën e produksioneve që do të merrnin këto subvencione.

“Nuk është hiperbolë të thuash se nëse nuk veprojmë, industria e filmit dhe televizionit në Kaliforni do të bëhet makina e ardhshme e Detroitit”, tha producentja Noelle Stehman, një anëtare e fushatës “Stay in LA” e cila foli në ngjarje, sipas ”The Hollywood Reporter”.

Detroit dikur shihej si qendra e prodhimit të automjeteve të Amerikës, me tre prodhues të mëdhenj makinash me seli atje si ”General Motors”, ”Ford” dhe ”Chrysler” (tani i njohur si ”Stellantis”).

Megjithatë, në vitet 1960, ato kompani filluan të zhvendosnin fabrikat e tyre në periferi, duke marrë me vete një numër të madh punëtorësh dhe ish-banorë të Detroitit.

Tani, Stehman beson se industria e argëtimit të Los Anxhelesit mund të ecë në të njëjtën mënyrë, pasi tashmë ka humbur terren të madh ndaj konkurrentëve të saj vitet e fundit.

Ndërsa shumë drejtues të argëtimit jetojnë në Los Anxheles, senatori i shtetit, Ben Allen tha se kjo do të bëjë pak për të ndihmuar qytetin të mbajë pjesën e luanit të prodhimeve nëse kostot e strehimit në qytet janë shumë të larta për punëtorët e klasës së mesme.

“Studiove nuk u intereson se ku e bëjnë punën. Ato do ta bëjnë atë kudo”, tha ai në këtë ngjarje.

“Ato janë ende duke prodhuar shfaqje. Ajo që shumë kolegë tanë thjesht nuk e kuptojnë është se ky është një problem i klasës së mesme”, shtoi ai.

Problemi i klasës së mesme të cilit i referohet Allen është kostoja e lartë e jetesës në Los Anxheles.

Të ardhurat mesatare në qytet janë aktualisht 95 625 dollarë, por çmimi mesatar i shitjes së shtëpisë në 2025 është pothuajse 10 herë më i lartë (965 300 dollarë).

Ky numër është rritur me gati 50% nga 10 vjet më parë, kur të ardhurat mesatare ishin 63 000 dollarë dhe çmimi mesatar i shitjes së shtëpisë ishte 525 000 dollarë.

Punonjësit e argëtimit kanë kërkuar prej kohësh që Kalifornia të ofrojë stimuj taksash më të mëdha dhe më të disponueshme, me mbështetjen e guvernatorit Gavin Newsom, i cili u zotua në tetor 2024 të rrisë stimujt e filmit nga kufiri aktual prej 330 milionë dollarë në 750 milionë dollarë.

Ligjvënësit shpresojnë se mund ta mbajnë industrinë e filmit dhe televizionit të lulëzuar duke ofruar lehtësim taksash.

Fatura e propozuar e ”Newsom-it SB630” do të rrisë gjithashtu kredinë në 35% duke zgjeruar kategorinë e prodhimeve që kualifikohen për të përfshirë tituj të animuar, shfaqje më të shkurtra televizive dhe disa projekte të tjera.

Një raport i fundit nga organizata jofitimprurëse FilmLA tregoi se prodhimi në Los Anxheles u ul me 22 4% në tremujorin e parë të 2025 kundrejt të njëjtës periudhë në 2024.

Këto prodhime përfshinin reklama, filma artistikë dhe shfaqje televizive – me raportin që tregon se rënia e numrit kishte pak të bënte me zjarret e fundit në Kaliforni, të cilat prekën kryesisht zonat që përdoren rrallë si lokacione xhirimesh.

“Humbja e mundësisë së xhirimit në asnjë mënyrë nuk krahasohet me koston e zjarreve për sa i përket humbjeve të jetëve, zhvendosjes së banorëve dhe dëmtimit të pronës”, tha në një deklaratë zëvendëspresidenti i FilmLA për Komunikim të Integruar, Philip Sokoloski.

“Zjarret detyruan shumë produksione të përpiqeshin të riplanifikonin xhirimet dhe zhvendosën qindra punëtorë të industrisë nga shtëpitë e tyre. Por ndikimi i tyre në nivelet lokale të xhirimeve duket se ka qenë i përkohshëm”, theksoi ai./ KultPlus.com

‘Në mallin tënd ky karafil i egër, ti do të më dashurosh patjetër’

Poezi nga Fatos Arapi

Ti do të më dashurosh patjetër

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër! / KultPlus.com

‘Ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Shtëpia e Bardhë mbështet teorinë se Covid-19 erdhi nga një laborator

Shtëpia e Bardhë ka postuar një faqe të re mbi origjinën e koronavirusit në faqen e saj zyrtare, në të cilën mbështet teorinë se Covid-19 e ka origjinën në një laborator.

Faqja, e cila i ngjan një posteri filmi të Hollivudit, shfaq titullin “Lab Leak” me shkronja të mëdha.

Midis këtyre dy fjalëve qëndron një president amerikan me pamje të vendosur, Donald Trump.

Nën titullin e saj shkruhet ”Origjina e vërtetë e Covid-19”, ku togfjalëshi Covid-19 është shkruar me shkrim dore.

Faqja akuzon median, politikanët, autoritetet shëndetësore dhe imunologun amerikan Anthony Fauci për përhapjen e teorisë se virusi ka origjinën natyrale.

Ai gjithashtu pretendon se ka shumë prova që virusi e ka origjinën në një laborator në metropolin kinez të Wuhanit.

Më shumë se pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, është ende e paqartë nëse virusi u hodh nga kafshët te njerëzit apo e kishte origjinën në një laborator në Kinë.

Faqja e internetit kritikon gjithashtu rregullat më të rëndësishme nga periudha e koronavirusit – si distancimi social, mbajtja e maskave dhe bllokimet – si të gabuara.

Në janar, një nga veprimet e para të drejtorit të ri të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA), John Ratcliffe, ishte ndryshimi i vlerësimit të agjencisë së tij për origjinën e koronavirusit, duke pohuar se ka të ngjarë të ishte një aksident laboratorik.

CIA vlerëson se një origjinë e lidhur me kërkimin e pandemisë Covid-19 ka më shumë gjasa se një origjinë natyrore.

Në fillim të dhjetorit, një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së paraqiti një raport që mbështeste teorinë e laboratorit.

Lothar Wieler, ish-presidenti i institutit ”Robert Koch” të Gjermanisë (RKI) gjithashtu e konsideron teorinë laboratorike si më të mundshme, në një prononcim për edicionin e së dielës të gazetës gjermane ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”./ KultPlus.com

Begaj uron besimtarët për Pashkë: Drita dhe mirësia triumfojnë mbi errësirën

Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e festës së Pashkës, duke përcjellë një mesazh të mbushur me shpresë, paqe dhe solidaritet.

“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë! Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat,” shkruan Presidenti në urimin e publikuar në rrjetet sociale.

Kreu i shtetit ka përfshirë në urimin e tij të gjithë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, duke u dëshiruar atyre një festë të ndriçuar nga drita dhe e mbushur me bekime familjare.

“Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemër dhe që kanë nevojë!”, përfundon Presidenti Begaj, i cili ka ndarë gjithashtu edhe një fotografi të një shporte festive të përgatitur nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës./ KultPlus.com

Golashënuesit më të mirë të Ligës së Kampionëve

Futbollisti nga Guinea, Serhou Guirassy, i ekipit gjerman Borussia Dortmund, gjendet në krye të listës së golashënuesve më të mirë në UEFA Ligën e Kampionëve me 13 gola, pavarësisht se ekipi i tij u eliminua nga turneu para gjysmëfinales.

Skuadra gjermane humbi 4-0 nga Barcelona e Spanjës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe u eliminua pavarësisht se fitoi ndaj ekipit kundërshtar 3-1 në ndeshjen kthyese me golat e Guirassy.

Edhe pse gjendet në krye të tabelës me hat-trick të shënuar kundër Barcelonës, futbollisti 28-vjeçar guinean, shpejt mund të humb vendin e tij, pasi dy futbollistë të klubit spanjoll po e ndjekin atë prej afër.

Në garën për golashënuesin më të mirë përpara gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve paraqitjet e anësorit të majtë brazilian 28-vjeçar të Barcelonës, Raphinha dhe sulmuesit polak 36-vjeçar nga e njëjta skuadër, Robert Lewandowski, po tërheqin vëmendjen.

Në Barcelona, ekipi me më së shumti gola të shënuara këtë sezon, Raphinha gjendet në vend të dytë me 12 gola, kurse Lewandowski me 11 në rend të tretë.

Barcelona është skuadra që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon në Ligën e Kampionëve, me 37 gola të shënuar deri në gjysmëfinale. Klubet gjermane Borussia Dortmund dhe Bayern Munich ndjekin skuadrën spanjolle me nga 31 gola secili.

Përfaqësuesi anglez Arsenal dhe ai francez PSG që do të përballen në gjysmëfinale kanë shënuar nga 30 gola. Klubi italian Inter, me 19 gola arriti të ngjitet deri në gjysmëfinale.

Në gjysmë finale do të përballet Barcelona me Interin, si ekipet me më së shumti dhe më së paku gola të shënuar deri në fazën e çerekfinales.

Futbollistët që gjenden në tre vendet e para ndeshjeve të gjysmëfinales janë Serhou Guirassy me 13 gola, Raphinha me 12 dhe Lewandowski me 11 gola./ KultPlus.com

Ish-futbollisti Artur Lekbello nderohet me titullin “Legjendë e Futbollit”

Artur Lekbello, një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar është nderuar me titullin “Legjendë e Futbollit”. Për shkak të problemeve shëndetësore, ish-mbrojtësi nuk ka pasur mundësi të tërhiqte titullin në Shqipëri.

Për të nderuar dhe respektuar kontributin e tij, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe zyrtarë të tjerë të FSHF-së udhëtuan drejt Selanikut, ku u takuan me Lekbellon për t’i dorëzuar atij zyrtarisht titullin “Legjendë e futbollit”.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast dhe në një atmosferë shumë miqësore, ku morën pjesë edhe familjarë e miq të ish-futbollistit, Presidenti Duka i shprehu mirënjohjen e tij Artur Lekbellos për karrierën e jashtëzakonshme dhe gjurmën që ka lënë në futbollin shqiptar.

Artur Lekbello ka qenë një nga mbrojtësit më të spikatur të futbollit shqiptar në vitet 80’-90’. Ai ka luajtur 30 ndeshje me Kombëtaren. Në rang klubesh, Artur Lekbello ka luajtur për ekipin e 17 Nëntorit dhe Arisit të Selanikut./ KultPlus.com

Një këngë dashurie e madhërishme

Poezi nga Yehuda Amichai
Përktheu: Alfred Beka

Ti je e bukur, si profecitë,

Dhe e trishtuar, si ato që bëhen të vërteta,

E qetë, me qetësinë që vjen më pas.

E zezë në vetminë e bardhë të jaseminit,

Me dhëmbë të mprehtë: ujkonjë dhe mbretëreshë.

Me një fustan shumë të shkurtë, me stil,

Por me lot e të qeshura nga kohët e vjetra,

Ndoshta nga ndonjë libër i mbretërve tjerë.

Kurrë s’e kam parë shkumën në gojën e një kali lufte,

Por kur e shkumëzove trupin tënd me sapun

E pash.

Ti je e bukur, si profecitë

Që kurrë nuk bëhen të vërteta.

Dhe kjo është shenja mbretërore;

Kaloj mbi të me gjuhën time

Dhe me gishtat e dukshëm mbi atë

Vrazhdësi të ëmbël.

Me këpucë të rënda ti godet

Pengesat nga dhe rreth meje.

Unazat tua të egra

Janë gërbula e shenjtë e gishtave tu.

Nga toka del

Gjithçka që shpresoja të mos e shoh kurrë më:

Shtylla dhe dritarja në prag, korniza dhe ibriku, copëza të thyera

të venës.

Shumë fytyra po fshihen këtu.

(E kujt nga e kujt?)

Dhe në mbrëmje

Të llokoçisësh me atë

Skeptër të artë dhe qorr

Në qejfe.

Me peshën e mbretërisë dhe lodhjes./KultPlus.com

Charles Darwin: Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës

Disa thënie për jetën.

“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison

“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen

“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës”– Charles Darwin

“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt

“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson

“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden

“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou

“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn

“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn

“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany

“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / KultPlus.com

Së shpejti fillon Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT 2025”

Nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, vjen sërish një prej ngjarjeve më të mëdha skenike në rajon dhe më gjerë, Festivali Ndërkombëtar i Monodramës – MONOAKT.

Edicioni i shtatëmbëdhjetë do të mbahet më 08 deri më 13 Qershor në Prishtinë.

“Një javë e mbushur me art, emocione të fuqishme dhe performanca të jashtëzakonshme nga artistë të mrekullueshëm nga e gjithë bota”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com


Holderlin: Hardt

Johann Christian Friedrich Hölderlin (1770 – 1843), poet gjerman, i konsideruar pothuajse njëzëri njëri prej poetëve më të mëdhenj të letërsisë botërore

HARDT, DETAJ

Hölderlin

Pylli bie teposhtë,

gjethe të luhatura të mbështjella

të ngjashme me burbuqthet,

tej më poshtë fusha në lule

ka bukur shumë për të treguar

ngaqë nëpër të ka ecur

Ulrichi. Bën vaki shpeshherë

që një fat i madh

ta pjekë mendimin

ndërkohë që është në udhëtim

në një vend koti.

Shënim:

Kjo poezi bën pjesë në ciklin poetik të ‘këngëve të natës’. Hardt është lokalitet pak kilometra larg Nurtingenit, në drejtim të Denkendorffit, bukur i shetrenjtë për fëmijërinë e Hölderlinit, i cili madje ia përmend në një letër të kohëve të lume: «Duke qëndruar në atë vend, (pylli i Teutoburgut), vrisja mendjen për atë pasditën e bukur të majit kur në malin e Hardtit, në shoqërinë e një shtambe me sidër, lexonim bashkërisht mbi karmë betejën e Arminit» (13 tetor 1796). Sipas traditës këtu u strehuar, i ndjekur dhe pa tokë më (‘ikja’, nga librat e Samuelit e tutje, duket të jetë një temë e vazhdueshme e eposit), aventurieri Ulrico, duka i Württembergut (1487-1550), mbase një lloj i Goetzit që caruit vate sacro, në betejë të përhershme me fshatarët, gratë e dëshiruara dhe Karli V. Detaj epik, i tëri heimatlich, nga i cili është i çmueshëm mbi të gjitha plotësia e vetëdijshme.

/Marrë nga Holderlin, Tutte le liriche (a cura di Enzo Mandruzzato), Adelphi, 2025 /Gazeta Express/ KultPlus.com

Më 26 prill “Saz’iso” vjen me koncert live në Prishtinë

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ardhjen e Saz’isos në Prishtinë, ngjarje kjo ku qytetarët mund të përjetojnë shpirtin e thellë të Shqipërisë së Jugut me Saz’iso, grupin e muzikantëve virtuozë dhe këngëtarëve legjendarë.

Mbrapa këtij grupi muzikor qëndrojnë emra të njohur si Edit Pula dhe Andrea Goertler, të cilët së bashku me producentin legjendar Joe Boyd dhe inxhinierin fitues të çmimit Grammy, Jerry Boys, kanë formësuar tingullin e veçantë të Saz’isos.

Biletat mund t’i gjeni në: rave-travel.com

Ngjarja mbahet në AMC Hall, më 26 Prill, në ora: 20:00./ KultPlus.com

Marsi ka qenë i banueshëm, gjenden depozita të mëdha karbonatesh

 Më në fund vjen prova se Marsi ka qenë i banueshëm.

Këto nuk janë mbetje të formave të jetës, por depozita të mëdha karbonatesh ose mineralesh të prodhuara nga CO2 i pranishëm në atmosferën e planetit, kur ai ishte ende i ngrohtë dhe i pasur me oqeane.

Depozitat e karbonateve tregojnë se cikli i karbonit ka qenë aktiv në Mars në të kaluarën, domethënë ka ndodhur procesi i shkëmbimit të karbonit midis atmosferës, oqeaneve dhe tokës, i cili është thelbësor për jetën.

Zbulimi është publikuar në revistën ”Science”, e cila i kushton edhe kopertinën dhe është koordinuar nga grupi nga Universiteti Kanadez i Calgaryt, i drejtuar nga Benjamin Tutolo.

“Ky është një zbulim befasues dhe i rëndësishëm sepse na tregon se planeti ishte i banueshëm”, thekson Tutolo.

Depozitat u gjetën nga roveri ”Curiosity” i NASA-s, i cili që nga viti 2012 ka eksploruar një nga vendet më magjepsëse në planet, kraterin Gale, i cili besohet se dikur ka qenë ”i pushtuar” nga një liqen i madh.

Falë kërkimeve të kryera deri më tani në Mars nga roverët dhe satelitët, ne e dimë se planeti dikur kishte një atmosferë më të trashë se sa sot, dhe lumenj dhe dete në sipërfaqen e tij.

Megjithatë, deri më tani, vetëm sasi të vogla karbonatesh janë gjetur në sipërfaqen e Marsit.

Pas vitesh kampionimi, ”Curiosity” u ka dërguar studiuesve të dhënat që ata kanë ndjekur prej vitesh, të cilat tregojnë se Marsi përmban depozita sideriti (karbonat hekuri) në përqendrime të larta brenda shtresave të pasura me sulfat magnezi./atsh/ KultPlus.com

Rama: Kinemaja e re në Maliq, hapësirë arti dhe qendër komunitare moderne

Një nga ndërtesat më emblematike të qytetit të Maliqit, Kinemaja e ndërtuar në vitin 1952, po merr jetë të re falë një procesi tërësor rikonstruksioni që ruan identitetin historik dhe arkitekturën origjinale të godinës.

Objekti është kthyer në një qendër multifunksionale që do të shërbejë si kinema, teatër kukullash dhe hapësirë komunitare për banorët e të gjitha moshave.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë vizitës në objekt, sugjeroi adoptimin e një koncepti dizajni të ngjashëm me kinemanë e Shkodrës për hyrjen e godinës, duke i dhënë asaj një identitet të ri vizual në përputhje me funksionin kulturor që pritet të marrë.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq, u shpreh se investimi është ndarë në dy faza, ku faza e parë u realizua nga vetë bashkia, ndërsa aktualisht është në zbatim faza e dytë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Kemi ruajtur elementët arkitektonikë origjinalë që nga ndërtimi i saj në vitin ’52 nga rusët, por njëkohësisht kemi futur edhe elementë modernë që e bëjnë funksionale dhe bashkëkohore,” theksoi Topçiu.

Sipas projektit, godina përfshin një sallë shfaqjesh të modernizuar, një holl tradicional pir mbrëmjet artistike dhe një risi në katin e tretë, një teatër kukullash për fëmijë. Kinemaja e Maliqit pritet të kthehet në një pikë referimi kulturore për qytetin dhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com

Promovohen veprat studimore të Bashkim Kuçukut, autori mes poetëve Camaj e Podrimja

“Ali Podrimja” dhe “Shprehësi të e Strukturave” janë dy librat më të rinj të profesor Bashkim Kuçukut që u promovuan së fundmi në librarinë “Onufri”.

Veprat studimore hedhin dritë mbi krijimtarinë poetike të emrave të njohur të letërsisë Ali Podrimjës dhe Martin Camajt duke analizuar thellësisht strukturat, simbolikën dhe stilin e tyre të veçantë.

Akademikja Floresha Dado e prezantoi studimin e Bashkim Kuçukut për poezinë e Martin Camajt në një ligjeratë shkencore.

 “Qasja ndaj lirikës së Martin Camajt bëhet më përfshirëse sepse është e dukshme që analiza simiotike kombinohet me qasjen simboliste në mënyrë të posaçme. Kjo sjellë depërtim më të thellë në poezitë e Camajt. Analiza simiotike zhytet në kuptimësinë e brendshme të figurës. Qasja simiotke thellohet brenda një sistemi metaforik”,-tha Floresha Dado.

Ndërsa gjatë fjalës së tij, autori Bashkim Kuçuku u shpreh se qëllimi i tij është të përqendrohet te teksti.

 “Unë nuk jam nisur nga metoda strukturaliste. Unë përqendrohem te teksti, nuk përcaktoj unë metodën. Jam besnik i tekstit. Deri te 43”

Ndërkohë të pranishmit vlerësuan kontributin e Kuçukut si një ndër studiuesit më të përkushtuar të letërsisë shqipe.

 “ Profesor Bashkim Kuçuku është  nga ato zëra që ka ndërtuar për vite një urë të heshtur por të qëndrueshme   mes të kaluarës dhe të ardhmes së vendit mes mjedisve të botës shqiptare dhe brendësisë së njeriut dhe bashkësisë që ai I përket”,-tha Viola Isufaj.

Në promovim pati dhe diskutime mbi rolin e tij në zhvillimin e poezisë shqipe pas viteve ’70.

Media britanike ‘Express’: Riviera Shqiptare – parajsa e plazhit me 300 ditë diell në vit

Vetëm tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe ekziston një vend i bukur ballkanik me 300 ditë me diell në vit, shkruan Schannell Kanyora në të përditshmen britanike “Express”.

Spanja është destinacioni kryesor për turistët britanikë kur bëhet fjalë për pushimet me diell – Costa Del Sol ofron mot të ngrohtë në pjesën më të madhe të vitit.

Por pak më larg, ndodhet një destinacion që krenohet me mbi 300 ditë me diell në vit…dhe çmime shumë më të lira.

Riviera Shqiptare është një destinacion i domosdoshëm për adhuruesit e plazhit apo këdo që kërkon një klimë më të ngrohtë, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Ky rajon piktoresk bregdetar, i vendosur në Shqipërinë jugperëndimore përgjatë detit Jon, është i njohur për ujërat e tij të pastra kristal, plazhet e pacënuara dhe peizazhet mahnitëse që shtrihen nga qyteti i Vlorës deri në fshatin e Ksamilit.

Në Spanjë, kostoja mesatare e një hoteli me katër yje është 185-207 paund në natë.

“Drejtohuni në lindje drejt Rivierës Shqiptare dhe do të gjeni të njëjtën dhomë që kushton rreth 85 paund në natë”, sipas Booking.com.

Riviera Shqiptare është e mbushur me fshatra mahnitës si Palasë, Dhërmiu, Himara dhe Ksamili, ndër të tjera.

Muajt më të mirë për të vizituar Rivierën Shqiptare është maji, qershori ose shtatori.

Gjatë kësaj periudhe, moti është i ngrohtë dhe plazhet nuk janë shumë të populluara.

Ka shumë mundësi aktivitetesh që mund të bëni gjatë vizitës tuaj në këtë rajon idilik, me një gamë të gjerë plazhesh të bukura për t’u vizituar:

Plazhi i Ksamilit: I famshëm për ujërat e tij të kristalta dhe ishujt e afërt

Plazhi Filikuri: I aksesueshëm me varkë ose shtegut, ofron rërë të pacenuar dhe ujëra të pastra

Plazhi i Jalës: Një plazh në formë gjysmë hëne me ujëra të kaltra

Plazhi i Gjipesë: I njohur për mjedisin e tij unik dhe pamjet mahnitëse

Plazhi i Himarës: Një gji me guralecë në fshatin e peshkimit të Himarës

Plazhi i Dhërmiut: Ofron një sfond mahnitës malor

Këto plazhe ofrojnë një përvojë emocionuese krahasuar me pikat e tjera të nxehta të Mesdheut, duke ruajtur një bukuri autentike dhe të paprekur.

Ekspertja e udhëtimeve, Emma Hurren rekomandon Rivierën Shqiptare si një nga vendet e saj të preferuara për të zhvilluar një itinerar.

“Vizitoni Shqipërinë nga veriu në jug. Nisni turin tuaj në Vlorë, qyteti i tretë më i populluar në Shqipëri dhe një vend i njohur për ata që do të udhëtojnë në Rivierën Shqiptare”, tha ekspertja.

“Më pas, udhëtoni drejt jugut në Parkun Kombëtar të Llogorasë – një nga atraksionet kryesore të maleve shqiptare. Aty do të gjeni pyje të dendura ku dreri, derri i egër dhe ujqërit bredhin të lirë, së bashku me disa shtigje ecjeje që ofron parku”, shtoi ajo.

“Vazhdoni turin tuaj në Dhermi, në një nga vendet e mia të preferuara përgjatë Rivierës Shqiptare. Atmosfera e gjallë dhe jeta e natës e qytetit, kombinohen bukur me peizazhin e tij mahnitës përreth, duke përfshirë malet dhe ullishtat”, tha ajo.

Qyteti i Sarandës ofron një ndërthurje të historisë, plazheve të bukura dhe kulturës së gjallë, kështu që nuk është çudi që ekspertët e kanë përfshirë në listën e tyre. Këtu do të gjeni qasje të lehtë në ishullin grek të Korfuzit, duke lejuar udhëtime ditore ose ekskursione më të gjata.

Gjithashtu, mos humbisni një vizitë të fundit në “Maldivet e Shqipërisë” – Ksamil.

Nëse jeni duke kërkuar një vend ku mund të uleni buzë plazhit gjatë gjithë ditës, dhe më pas në mbrëmje të keni një darkë të qetë në një restorant – ky fshat i bukur nuk do të jetë asgjë më pak se një ëndërr. /atsh/ KultPlus.com

Tolstoj: 3 janar – 15 shkurt 1895

Ditari në dy vëllime i Tolstojt i përgatitur nga R. F. Christian përfshin vitet (vëllim i parë)1847-1894 dhe (vëllimi i dytë) 1895-1910. Këto qindra faqe pasqyrojnë preokupimet e autorit si shkrimtar dhe zhvillimin e tij si person dhe mendimtar. Në to po ashtu gjejmë edhe qëndrimin e tij ndaj problemeve shoqërore, jetës rurale, industrializimit, edukimit dhe më vonë çështjeve religjioze dhe shpirtërore

3 janar,  Nikolskoje  

Olsufjevët1. U nisëm siç e kishim bërë me plan me të parin. Punova në tregimin Padroni dhe argati deri në momentet e fundit. Artistikisht tash është për t’u pasur parasysh, por prapë i dobët në përmbajtje. Ajo puna me fotografitë është bukur e trishtueshme. Të gjithë janë të ofenduar. I shkrova një letër Çerkovit2. Edhe para kësaj nuk u ndjeva mirë dhe nuk isha mirë dhe isha i ligësht edhe kur i nisëm. Arritëm në formë të mirë. Të nesërmen dhe sot nuk bëra asgjë – lexova, shëtita dhe fjeta. Dje patëm një kuvendim të gjallë rreth ortodoksisë. I gjithë pështjellimi i të kuptuarit vjen si rezultat i faktit se njerëzit nuk e dinë se të jetosh është të jesh pjesë e procesit të përmirësimit të vetvetes dhe përmirësimit të jetës. Ji më i mirë dhe bëje jetën më të mirë. S’kam mbajtur shënime këtyre ditëve të fundit. Ora ka vajtur tetë e mëngjesit – po më flihet.

Sot është 6 janar, Nikolskoje.

Jam bukur mirë dhe kam nisur të punoj përsëri me katekizmin: dje dhe sot. Më intereson bukur fort dhe e ndiej goxha afër zemrës, porse ende s’po mund të gjej formën e duhur dhe jam i pakënaqur. E lexova tregimin tim pardje në mbrëmje. U hëngra me fjalë dy herë me Dmitri Adamoviçin4. E ka organizuar për veten e vet një formë të shërbimit praktik te njerëzit me një shpirt sllavofil, do të thotë një dyshek me pupla ku mund të shtrihet, jo të punojë. Çështja është se ata e konsiderojnë jetën si diçka statike dhe jo të rrjedhshme. Dje mendova për diçka shumë të rëndësishme, por e kam harruar. Mihail Adamoviçi5 përnjëmend është i frikësuar nga Tanja. Një turp i vërtetë. E ajo është aq e hajthme dhe e zbehtë.

Mora shumë letra të këndshme: nga Kenworthy, Sergejenko6 dhe dhe Stadling. Vrava mendjen pak…

Ora është tash 6 e mbrëmjes. Do të dal të eci pak dhe të shoh edhe pemën e Krishtlindjeve. Sot shkova në spital dhe isha i pranishëm në një operim.

29 janar, Moskë

S’kam shkruar në ditar ka tre javë. Kalova mirë te Olsufjevët. Isha kryesisht i zënë me tregimin. Ende s’e kam përfunduar, megjithëse është në bocë. Një ngjarje e rëndësishme që, kam frikë, s’do të jetë pa pasoja për mua është fjalimi kokëkrisur i Carit7. Shkuam në takimin e Shakovskit. S’duhej ta kishim bërë. Është e gjitha budallallëk dhe është e qartë se organizata e paralizon fuqinë e individëve8

Sot është 7 shkurt, ora është 11 në mëngjes, Moskë…

Ka kaluar më shumë se një javë. Gjatë kësaj kohe kam shkruar një parathënie të shkurtër për biografinë e Drozhzhinit dhe kam vazhduar ta rishikoj tregimin tim. Tregim i pafat. Shkak u bë një stuhi e tmerrshme nga ana e Sanjës që shpërtheu dje. Nuk ndihej mirë, ndihej ligësht dhe e rraskapitur pas sëmundjes së Vaneçkës së dashur dhe as unë s’kam qenë mirë këtyre ditëve të fundit. Filloi kur ajo filloi të kopjonte bocat. Kur e pyeta pse… [Një faqe e ditarit këtu është shqyer].

Ndihmomë të mos E braktis, të mos harroj kush jam unë, ose çka dhe pse jam. Ndihmomë. Sado që gjatë kësaj kohe: […]

Gjendja e pjesës më të madhe të njerëzve të edukuar në dashurinë e vërtetë vëllazërore dhe tash e shtypur nga mashtrimi dhe dinakëria e atyre që e ushtrojnë pushtetin dhe e detyrojnë këtë shumicë të shkatërrojë jetën e vet – kjo gjendje pra është e tmerrshme dhe duket se nuk ka shpëtim prej saj. Vetëm dy mënyra nxjerrin kokën dhe që të dyja janë të përjashtuara: njëra është të luftohet dhuna me dhuna, terror, dinamit dhe kama siç kanë bërë nihilistët dhe anarkistët tonë, për të mposhtur konspiracionin e qeverive ndaj popujve, pa pjesëmarrjen tonë: tjetra është të ketë ujdi me qeverinë, t’i bëhen lëshime, duke marrë pjesë në të, të shthuret shkallë-shkallë rrjeta që i mban njerëzit të mbërthyer fort dhe të largohet tutje. Që të dy mënyrat janë të përjashtuara.

Dinamiti dhe kamat, siç na tregon përvoja, vetëm sa provokojnë reaksione dhe e shkatërrojnë pushtetin më të vlefshëm, pushtetin e vetëm në kontrollin tonë – opinionin publik; mënyra tjetër përjashtohet nga fakti se qeveritë tashmë kanë arritur të marrin vesh se sa gjatë duhet ta tolerojnë pjesëmarrjen e njerëzve që duan t’i reformojnë. Ato e tolerojnë vetëm atë që nuk i shkatërron gjërat esenciale dhe janë shumë sensitive ndaj asaj që është e dëmshme për ta, sensitiv ngase ka të bëjë me vetë ekzistencën e tyre të vërtetë. Tolerojnë njerëz që nuk pajtohen me to dhe duan ta reformojnë qeverinë, jo vetëm me qëllim që të kënaqin kërkesat e këtyre njerëzve, por po ashtu për hatër të vetes së vet, për hatër të qeverisë. Ata njerëz do të mund të ishin të rrezikshëm për qeveritë nëse do të mbeteshin jashtë atyre qeverive dhe të ngrihen kundër tyre; do të mund të forconin atë mjet që është më i fortë se qeveritë – opinionin publik – kështu që kanë nevojë t’i mbajnë këta njerëz nën kujdes, t’i blejnë përmes lëshimeve që ua bën qeveria, duke i bërë më të padëmshëm si mikrobe të kulturave – pastaj t’i përdorin për t’iu shërbyer qëllimeve të qeverive, do të thotë shtypjes dhe shfrytëzimit të njerëzve.

Që të dy mënyrat e dhëna janë të përjashtuara vendosmërisht dhe papërshkueshmërisht. Çfarë mbetet atëherë? Nuk mund ta luftosh dhunën me dhunë – e shton reaksionin; as nuk mund t’iu bashkohesh rangjeve të qeverisë – bëhesh instrument i qeverisë. Mbetet vetëm një gjë: të luftohet qeveria me mjetet e mendimit, fjalën dhe mënyrën e të jetuarit, jo duke i bërë lëshime, jo duke iu bashkuar rangjeve të saj, jo duke e rritur pushtetin e saj. Kjo është një gjë e domosdoshme dhe me gjasë do të jetë e suksesshme. Dhe kjo është ajo çka do Zoti dhe kjo është ajo që na mëson Krishti.

Duke parë atë që ndodh në të gjitha tubimet dhe çka ndodh në një shoqëri me argëtimet dhe vetitë e saj konvencionale, më ra në kokë bukur fort mendimi që, besoj, nuk më kishte ardhur kurrë më parë, se vetëm e keqja bëhet në grup, ose turmë ose në tubim. E mira bëhet vetëm nga secili person ndaras. […]

15 shkurt

Zoti më ka ndihur; më ka ndihur në atë se Ai e ka manifestuar Veten e tij tek unë, megjithëse në mënyrë të vagullt, përmes dashurisë – dashurisë ndaj atyre që na bëjnë keq, do të thotë dashurisë së vetme të vërtetë. Posa kjo ndjesi e manifestoi veten, fillimisht më mbizotëroi dhe më ndezi mua pastaj po ashtu edhe ata afër meje dhe gjithçka u zhduk, do të thotë u zhduk vuajtja.

Ditëve në vijim gjërat u përkeqësuan. Ajo qe vendosmërisht afër marrëzisë dhe vetëvrasjes. Fëmijët e ndoqën në këmbë dhe me karrocë dhe e kthyen në shtëpi. Po vuante tmerrësisht. Qe djalli i xhelozisë, xhelozisë së pabazë dhe të pamend. Më duhej vetëm ta doja prapë, për mua, që t’i kuptoja arsyet e saj dhe të kuptuarit e arsyeve të saj nuk ishte çështje e faljes së saj, por të mos pasurit çka të falësh. Ia dërgova tregimin Northern Heraldit dhe do të botohet prej dhe po ashtu edhe në The Intermediary. I përfundova tri përralla dhe i dërgova.

Shënime:

1) Tolstoj dhe vajza e tij Tatjana ishin mysafirë tek Olsufjevët nga 1 deri më 18 janar.

2) Sonja i kishte bërë vërejtje Tolstojt se kishte rënë në nivelin e ‘tolstojanëve’, duke u fotografuar me ta.

3) Padroni dhe argati.

4) D.A. Olsufjev, njëri prej bijve të Olsufjevit.

5) M.A. Olsufjev, djali tjetër, pas të cilit ishte e dhënë Tatjana.

6) A.P. Sergejenko, shkrimtar dhe vizitues i shpeshtë i tolstojëve. Librat e tij përfshinin ‘Si jeton dhe punon konti Tolstoj’ dhe ‘Tolstoj dhe bashkëkohanikët e tij’. Ka botuar po ashtu tri vëllime me letra të Tolstojt.

7) Në fjalimin e 17 janarit 1895, Nikollai II iu referua diskutimeve rreth pjesëmarrjes së mundshme të Zemstva-s në punën e qeverisë si një ‘ëndërr e pakuptimtë’ dhe e bëri të qartë se e kishte ndërmend të mbështeste parimin e autokracisë jo më pak vendosmërisht se babai i tij. Me iniciativën e D.I. Shakovskoit ishte organizuar një takim i anëtarëve të inteligjencës liberale në të vilën kishte qenë i pranishëm Tolstoj, por kishte refuzuar të shkruante një deklaratë proteste ndaj fjalimit të Carit për ta botuar jashtë vendit.

8) Shkaku i stuhisë, e cila me gjasë kishte çuar deri te shqyeja e faqes, ishte kundërshtimi i Tolstojt ndaj gruas së tij që donte të botonte tregimin e ri Padroni dhe argati në botimin e saj të veprave të tij duke qenë se ishte duke e refuzuar kontratën e të drejtës së autorit dhe ia kishte ofruar falas revistës Northern Herald.

9) Tolstoj me gjasë kishte rënë në ujdi që ta linte gruan e tij ta botonte Mjeshtri dhe burri, por po ashtu t’i lejohej Northern Heraldit dhe The Intermediary ta botonin në të njëjtën kohë pa pagesë.

10) Këto Tri Përralla u botuan me ftesën e presidentit të Shoqatës së Adhuruesve të Letërsisë Ruse në antologjinë e botuar nga Shoqata, më 1895.

/Marrë nga ‘Tolstoy’s Diaries, Volume 2’, Charles Scribner’s Sons, 1985 /Gazeta Express/ KultPlus.com