Më 26 prill “Saz’iso” vjen me koncert live në Prishtinë

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ardhjen e Saz’isos në Prishtinë, ngjarje kjo ku qytetarët mund të përjetojnë shpirtin e thellë të Shqipërisë së Jugut me Saz’iso, grupin e muzikantëve virtuozë dhe këngëtarëve legjendarë.

Mbrapa këtij grupi muzikor qëndrojnë emra të njohur si Edit Pula dhe Andrea Goertler, të cilët së bashku me producentin legjendar Joe Boyd dhe inxhinierin fitues të çmimit Grammy, Jerry Boys, kanë formësuar tingullin e veçantë të Saz’isos.

Biletat mund t’i gjeni në: rave-travel.com

Ngjarja mbahet në AMC Hall, më 26 Prill, në ora: 20:00./ KultPlus.com

Marsi ka qenë i banueshëm, gjenden depozita të mëdha karbonatesh

 Më në fund vjen prova se Marsi ka qenë i banueshëm.

Këto nuk janë mbetje të formave të jetës, por depozita të mëdha karbonatesh ose mineralesh të prodhuara nga CO2 i pranishëm në atmosferën e planetit, kur ai ishte ende i ngrohtë dhe i pasur me oqeane.

Depozitat e karbonateve tregojnë se cikli i karbonit ka qenë aktiv në Mars në të kaluarën, domethënë ka ndodhur procesi i shkëmbimit të karbonit midis atmosferës, oqeaneve dhe tokës, i cili është thelbësor për jetën.

Zbulimi është publikuar në revistën ”Science”, e cila i kushton edhe kopertinën dhe është koordinuar nga grupi nga Universiteti Kanadez i Calgaryt, i drejtuar nga Benjamin Tutolo.

“Ky është një zbulim befasues dhe i rëndësishëm sepse na tregon se planeti ishte i banueshëm”, thekson Tutolo.

Depozitat u gjetën nga roveri ”Curiosity” i NASA-s, i cili që nga viti 2012 ka eksploruar një nga vendet më magjepsëse në planet, kraterin Gale, i cili besohet se dikur ka qenë ”i pushtuar” nga një liqen i madh.

Falë kërkimeve të kryera deri më tani në Mars nga roverët dhe satelitët, ne e dimë se planeti dikur kishte një atmosferë më të trashë se sa sot, dhe lumenj dhe dete në sipërfaqen e tij.

Megjithatë, deri më tani, vetëm sasi të vogla karbonatesh janë gjetur në sipërfaqen e Marsit.

Pas vitesh kampionimi, ”Curiosity” u ka dërguar studiuesve të dhënat që ata kanë ndjekur prej vitesh, të cilat tregojnë se Marsi përmban depozita sideriti (karbonat hekuri) në përqendrime të larta brenda shtresave të pasura me sulfat magnezi./atsh/ KultPlus.com

Rama: Kinemaja e re në Maliq, hapësirë arti dhe qendër komunitare moderne

Një nga ndërtesat më emblematike të qytetit të Maliqit, Kinemaja e ndërtuar në vitin 1952, po merr jetë të re falë një procesi tërësor rikonstruksioni që ruan identitetin historik dhe arkitekturën origjinale të godinës.

Objekti është kthyer në një qendër multifunksionale që do të shërbejë si kinema, teatër kukullash dhe hapësirë komunitare për banorët e të gjitha moshave.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë vizitës në objekt, sugjeroi adoptimin e një koncepti dizajni të ngjashëm me kinemanë e Shkodrës për hyrjen e godinës, duke i dhënë asaj një identitet të ri vizual në përputhje me funksionin kulturor që pritet të marrë.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq, u shpreh se investimi është ndarë në dy faza, ku faza e parë u realizua nga vetë bashkia, ndërsa aktualisht është në zbatim faza e dytë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Kemi ruajtur elementët arkitektonikë origjinalë që nga ndërtimi i saj në vitin ’52 nga rusët, por njëkohësisht kemi futur edhe elementë modernë që e bëjnë funksionale dhe bashkëkohore,” theksoi Topçiu.

Sipas projektit, godina përfshin një sallë shfaqjesh të modernizuar, një holl tradicional pir mbrëmjet artistike dhe një risi në katin e tretë, një teatër kukullash për fëmijë. Kinemaja e Maliqit pritet të kthehet në një pikë referimi kulturore për qytetin dhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com

Promovohen veprat studimore të Bashkim Kuçukut, autori mes poetëve Camaj e Podrimja

“Ali Podrimja” dhe “Shprehësi të e Strukturave” janë dy librat më të rinj të profesor Bashkim Kuçukut që u promovuan së fundmi në librarinë “Onufri”.

Veprat studimore hedhin dritë mbi krijimtarinë poetike të emrave të njohur të letërsisë Ali Podrimjës dhe Martin Camajt duke analizuar thellësisht strukturat, simbolikën dhe stilin e tyre të veçantë.

Akademikja Floresha Dado e prezantoi studimin e Bashkim Kuçukut për poezinë e Martin Camajt në një ligjeratë shkencore.

 “Qasja ndaj lirikës së Martin Camajt bëhet më përfshirëse sepse është e dukshme që analiza simiotike kombinohet me qasjen simboliste në mënyrë të posaçme. Kjo sjellë depërtim më të thellë në poezitë e Camajt. Analiza simiotike zhytet në kuptimësinë e brendshme të figurës. Qasja simiotke thellohet brenda një sistemi metaforik”,-tha Floresha Dado.

Ndërsa gjatë fjalës së tij, autori Bashkim Kuçuku u shpreh se qëllimi i tij është të përqendrohet te teksti.

 “Unë nuk jam nisur nga metoda strukturaliste. Unë përqendrohem te teksti, nuk përcaktoj unë metodën. Jam besnik i tekstit. Deri te 43”

Ndërkohë të pranishmit vlerësuan kontributin e Kuçukut si një ndër studiuesit më të përkushtuar të letërsisë shqipe.

 “ Profesor Bashkim Kuçuku është  nga ato zëra që ka ndërtuar për vite një urë të heshtur por të qëndrueshme   mes të kaluarës dhe të ardhmes së vendit mes mjedisve të botës shqiptare dhe brendësisë së njeriut dhe bashkësisë që ai I përket”,-tha Viola Isufaj.

Në promovim pati dhe diskutime mbi rolin e tij në zhvillimin e poezisë shqipe pas viteve ’70.

Media britanike ‘Express’: Riviera Shqiptare – parajsa e plazhit me 300 ditë diell në vit

Vetëm tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe ekziston një vend i bukur ballkanik me 300 ditë me diell në vit, shkruan Schannell Kanyora në të përditshmen britanike “Express”.

Spanja është destinacioni kryesor për turistët britanikë kur bëhet fjalë për pushimet me diell – Costa Del Sol ofron mot të ngrohtë në pjesën më të madhe të vitit.

Por pak më larg, ndodhet një destinacion që krenohet me mbi 300 ditë me diell në vit…dhe çmime shumë më të lira.

Riviera Shqiptare është një destinacion i domosdoshëm për adhuruesit e plazhit apo këdo që kërkon një klimë më të ngrohtë, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Ky rajon piktoresk bregdetar, i vendosur në Shqipërinë jugperëndimore përgjatë detit Jon, është i njohur për ujërat e tij të pastra kristal, plazhet e pacënuara dhe peizazhet mahnitëse që shtrihen nga qyteti i Vlorës deri në fshatin e Ksamilit.

Në Spanjë, kostoja mesatare e një hoteli me katër yje është 185-207 paund në natë.

“Drejtohuni në lindje drejt Rivierës Shqiptare dhe do të gjeni të njëjtën dhomë që kushton rreth 85 paund në natë”, sipas Booking.com.

Riviera Shqiptare është e mbushur me fshatra mahnitës si Palasë, Dhërmiu, Himara dhe Ksamili, ndër të tjera.

Muajt më të mirë për të vizituar Rivierën Shqiptare është maji, qershori ose shtatori.

Gjatë kësaj periudhe, moti është i ngrohtë dhe plazhet nuk janë shumë të populluara.

Ka shumë mundësi aktivitetesh që mund të bëni gjatë vizitës tuaj në këtë rajon idilik, me një gamë të gjerë plazhesh të bukura për t’u vizituar:

Plazhi i Ksamilit: I famshëm për ujërat e tij të kristalta dhe ishujt e afërt

Plazhi Filikuri: I aksesueshëm me varkë ose shtegut, ofron rërë të pacenuar dhe ujëra të pastra

Plazhi i Jalës: Një plazh në formë gjysmë hëne me ujëra të kaltra

Plazhi i Gjipesë: I njohur për mjedisin e tij unik dhe pamjet mahnitëse

Plazhi i Himarës: Një gji me guralecë në fshatin e peshkimit të Himarës

Plazhi i Dhërmiut: Ofron një sfond mahnitës malor

Këto plazhe ofrojnë një përvojë emocionuese krahasuar me pikat e tjera të nxehta të Mesdheut, duke ruajtur një bukuri autentike dhe të paprekur.

Ekspertja e udhëtimeve, Emma Hurren rekomandon Rivierën Shqiptare si një nga vendet e saj të preferuara për të zhvilluar një itinerar.

“Vizitoni Shqipërinë nga veriu në jug. Nisni turin tuaj në Vlorë, qyteti i tretë më i populluar në Shqipëri dhe një vend i njohur për ata që do të udhëtojnë në Rivierën Shqiptare”, tha ekspertja.

“Më pas, udhëtoni drejt jugut në Parkun Kombëtar të Llogorasë – një nga atraksionet kryesore të maleve shqiptare. Aty do të gjeni pyje të dendura ku dreri, derri i egër dhe ujqërit bredhin të lirë, së bashku me disa shtigje ecjeje që ofron parku”, shtoi ajo.

“Vazhdoni turin tuaj në Dhermi, në një nga vendet e mia të preferuara përgjatë Rivierës Shqiptare. Atmosfera e gjallë dhe jeta e natës e qytetit, kombinohen bukur me peizazhin e tij mahnitës përreth, duke përfshirë malet dhe ullishtat”, tha ajo.

Qyteti i Sarandës ofron një ndërthurje të historisë, plazheve të bukura dhe kulturës së gjallë, kështu që nuk është çudi që ekspertët e kanë përfshirë në listën e tyre. Këtu do të gjeni qasje të lehtë në ishullin grek të Korfuzit, duke lejuar udhëtime ditore ose ekskursione më të gjata.

Gjithashtu, mos humbisni një vizitë të fundit në “Maldivet e Shqipërisë” – Ksamil.

Nëse jeni duke kërkuar një vend ku mund të uleni buzë plazhit gjatë gjithë ditës, dhe më pas në mbrëmje të keni një darkë të qetë në një restorant – ky fshat i bukur nuk do të jetë asgjë më pak se një ëndërr. /atsh/ KultPlus.com

Tolstoj: 3 janar – 15 shkurt 1895

Ditari në dy vëllime i Tolstojt i përgatitur nga R. F. Christian përfshin vitet (vëllim i parë)1847-1894 dhe (vëllimi i dytë) 1895-1910. Këto qindra faqe pasqyrojnë preokupimet e autorit si shkrimtar dhe zhvillimin e tij si person dhe mendimtar. Në to po ashtu gjejmë edhe qëndrimin e tij ndaj problemeve shoqërore, jetës rurale, industrializimit, edukimit dhe më vonë çështjeve religjioze dhe shpirtërore

3 janar,  Nikolskoje  

Olsufjevët1. U nisëm siç e kishim bërë me plan me të parin. Punova në tregimin Padroni dhe argati deri në momentet e fundit. Artistikisht tash është për t’u pasur parasysh, por prapë i dobët në përmbajtje. Ajo puna me fotografitë është bukur e trishtueshme. Të gjithë janë të ofenduar. I shkrova një letër Çerkovit2. Edhe para kësaj nuk u ndjeva mirë dhe nuk isha mirë dhe isha i ligësht edhe kur i nisëm. Arritëm në formë të mirë. Të nesërmen dhe sot nuk bëra asgjë – lexova, shëtita dhe fjeta. Dje patëm një kuvendim të gjallë rreth ortodoksisë. I gjithë pështjellimi i të kuptuarit vjen si rezultat i faktit se njerëzit nuk e dinë se të jetosh është të jesh pjesë e procesit të përmirësimit të vetvetes dhe përmirësimit të jetës. Ji më i mirë dhe bëje jetën më të mirë. S’kam mbajtur shënime këtyre ditëve të fundit. Ora ka vajtur tetë e mëngjesit – po më flihet.

Sot është 6 janar, Nikolskoje.

Jam bukur mirë dhe kam nisur të punoj përsëri me katekizmin: dje dhe sot. Më intereson bukur fort dhe e ndiej goxha afër zemrës, porse ende s’po mund të gjej formën e duhur dhe jam i pakënaqur. E lexova tregimin tim pardje në mbrëmje. U hëngra me fjalë dy herë me Dmitri Adamoviçin4. E ka organizuar për veten e vet një formë të shërbimit praktik te njerëzit me një shpirt sllavofil, do të thotë një dyshek me pupla ku mund të shtrihet, jo të punojë. Çështja është se ata e konsiderojnë jetën si diçka statike dhe jo të rrjedhshme. Dje mendova për diçka shumë të rëndësishme, por e kam harruar. Mihail Adamoviçi5 përnjëmend është i frikësuar nga Tanja. Një turp i vërtetë. E ajo është aq e hajthme dhe e zbehtë.

Mora shumë letra të këndshme: nga Kenworthy, Sergejenko6 dhe dhe Stadling. Vrava mendjen pak…

Ora është tash 6 e mbrëmjes. Do të dal të eci pak dhe të shoh edhe pemën e Krishtlindjeve. Sot shkova në spital dhe isha i pranishëm në një operim.

29 janar, Moskë

S’kam shkruar në ditar ka tre javë. Kalova mirë te Olsufjevët. Isha kryesisht i zënë me tregimin. Ende s’e kam përfunduar, megjithëse është në bocë. Një ngjarje e rëndësishme që, kam frikë, s’do të jetë pa pasoja për mua është fjalimi kokëkrisur i Carit7. Shkuam në takimin e Shakovskit. S’duhej ta kishim bërë. Është e gjitha budallallëk dhe është e qartë se organizata e paralizon fuqinë e individëve8

Sot është 7 shkurt, ora është 11 në mëngjes, Moskë…

Ka kaluar më shumë se një javë. Gjatë kësaj kohe kam shkruar një parathënie të shkurtër për biografinë e Drozhzhinit dhe kam vazhduar ta rishikoj tregimin tim. Tregim i pafat. Shkak u bë një stuhi e tmerrshme nga ana e Sanjës që shpërtheu dje. Nuk ndihej mirë, ndihej ligësht dhe e rraskapitur pas sëmundjes së Vaneçkës së dashur dhe as unë s’kam qenë mirë këtyre ditëve të fundit. Filloi kur ajo filloi të kopjonte bocat. Kur e pyeta pse… [Një faqe e ditarit këtu është shqyer].

Ndihmomë të mos E braktis, të mos harroj kush jam unë, ose çka dhe pse jam. Ndihmomë. Sado që gjatë kësaj kohe: […]

Gjendja e pjesës më të madhe të njerëzve të edukuar në dashurinë e vërtetë vëllazërore dhe tash e shtypur nga mashtrimi dhe dinakëria e atyre që e ushtrojnë pushtetin dhe e detyrojnë këtë shumicë të shkatërrojë jetën e vet – kjo gjendje pra është e tmerrshme dhe duket se nuk ka shpëtim prej saj. Vetëm dy mënyra nxjerrin kokën dhe që të dyja janë të përjashtuara: njëra është të luftohet dhuna me dhuna, terror, dinamit dhe kama siç kanë bërë nihilistët dhe anarkistët tonë, për të mposhtur konspiracionin e qeverive ndaj popujve, pa pjesëmarrjen tonë: tjetra është të ketë ujdi me qeverinë, t’i bëhen lëshime, duke marrë pjesë në të, të shthuret shkallë-shkallë rrjeta që i mban njerëzit të mbërthyer fort dhe të largohet tutje. Që të dy mënyrat janë të përjashtuara.

Dinamiti dhe kamat, siç na tregon përvoja, vetëm sa provokojnë reaksione dhe e shkatërrojnë pushtetin më të vlefshëm, pushtetin e vetëm në kontrollin tonë – opinionin publik; mënyra tjetër përjashtohet nga fakti se qeveritë tashmë kanë arritur të marrin vesh se sa gjatë duhet ta tolerojnë pjesëmarrjen e njerëzve që duan t’i reformojnë. Ato e tolerojnë vetëm atë që nuk i shkatërron gjërat esenciale dhe janë shumë sensitive ndaj asaj që është e dëmshme për ta, sensitiv ngase ka të bëjë me vetë ekzistencën e tyre të vërtetë. Tolerojnë njerëz që nuk pajtohen me to dhe duan ta reformojnë qeverinë, jo vetëm me qëllim që të kënaqin kërkesat e këtyre njerëzve, por po ashtu për hatër të vetes së vet, për hatër të qeverisë. Ata njerëz do të mund të ishin të rrezikshëm për qeveritë nëse do të mbeteshin jashtë atyre qeverive dhe të ngrihen kundër tyre; do të mund të forconin atë mjet që është më i fortë se qeveritë – opinionin publik – kështu që kanë nevojë t’i mbajnë këta njerëz nën kujdes, t’i blejnë përmes lëshimeve që ua bën qeveria, duke i bërë më të padëmshëm si mikrobe të kulturave – pastaj t’i përdorin për t’iu shërbyer qëllimeve të qeverive, do të thotë shtypjes dhe shfrytëzimit të njerëzve.

Që të dy mënyrat e dhëna janë të përjashtuara vendosmërisht dhe papërshkueshmërisht. Çfarë mbetet atëherë? Nuk mund ta luftosh dhunën me dhunë – e shton reaksionin; as nuk mund t’iu bashkohesh rangjeve të qeverisë – bëhesh instrument i qeverisë. Mbetet vetëm një gjë: të luftohet qeveria me mjetet e mendimit, fjalën dhe mënyrën e të jetuarit, jo duke i bërë lëshime, jo duke iu bashkuar rangjeve të saj, jo duke e rritur pushtetin e saj. Kjo është një gjë e domosdoshme dhe me gjasë do të jetë e suksesshme. Dhe kjo është ajo çka do Zoti dhe kjo është ajo që na mëson Krishti.

Duke parë atë që ndodh në të gjitha tubimet dhe çka ndodh në një shoqëri me argëtimet dhe vetitë e saj konvencionale, më ra në kokë bukur fort mendimi që, besoj, nuk më kishte ardhur kurrë më parë, se vetëm e keqja bëhet në grup, ose turmë ose në tubim. E mira bëhet vetëm nga secili person ndaras. […]

15 shkurt

Zoti më ka ndihur; më ka ndihur në atë se Ai e ka manifestuar Veten e tij tek unë, megjithëse në mënyrë të vagullt, përmes dashurisë – dashurisë ndaj atyre që na bëjnë keq, do të thotë dashurisë së vetme të vërtetë. Posa kjo ndjesi e manifestoi veten, fillimisht më mbizotëroi dhe më ndezi mua pastaj po ashtu edhe ata afër meje dhe gjithçka u zhduk, do të thotë u zhduk vuajtja.

Ditëve në vijim gjërat u përkeqësuan. Ajo qe vendosmërisht afër marrëzisë dhe vetëvrasjes. Fëmijët e ndoqën në këmbë dhe me karrocë dhe e kthyen në shtëpi. Po vuante tmerrësisht. Qe djalli i xhelozisë, xhelozisë së pabazë dhe të pamend. Më duhej vetëm ta doja prapë, për mua, që t’i kuptoja arsyet e saj dhe të kuptuarit e arsyeve të saj nuk ishte çështje e faljes së saj, por të mos pasurit çka të falësh. Ia dërgova tregimin Northern Heraldit dhe do të botohet prej dhe po ashtu edhe në The Intermediary. I përfundova tri përralla dhe i dërgova.

Shënime:

1) Tolstoj dhe vajza e tij Tatjana ishin mysafirë tek Olsufjevët nga 1 deri më 18 janar.

2) Sonja i kishte bërë vërejtje Tolstojt se kishte rënë në nivelin e ‘tolstojanëve’, duke u fotografuar me ta.

3) Padroni dhe argati.

4) D.A. Olsufjev, njëri prej bijve të Olsufjevit.

5) M.A. Olsufjev, djali tjetër, pas të cilit ishte e dhënë Tatjana.

6) A.P. Sergejenko, shkrimtar dhe vizitues i shpeshtë i tolstojëve. Librat e tij përfshinin ‘Si jeton dhe punon konti Tolstoj’ dhe ‘Tolstoj dhe bashkëkohanikët e tij’. Ka botuar po ashtu tri vëllime me letra të Tolstojt.

7) Në fjalimin e 17 janarit 1895, Nikollai II iu referua diskutimeve rreth pjesëmarrjes së mundshme të Zemstva-s në punën e qeverisë si një ‘ëndërr e pakuptimtë’ dhe e bëri të qartë se e kishte ndërmend të mbështeste parimin e autokracisë jo më pak vendosmërisht se babai i tij. Me iniciativën e D.I. Shakovskoit ishte organizuar një takim i anëtarëve të inteligjencës liberale në të vilën kishte qenë i pranishëm Tolstoj, por kishte refuzuar të shkruante një deklaratë proteste ndaj fjalimit të Carit për ta botuar jashtë vendit.

8) Shkaku i stuhisë, e cila me gjasë kishte çuar deri te shqyeja e faqes, ishte kundërshtimi i Tolstojt ndaj gruas së tij që donte të botonte tregimin e ri Padroni dhe argati në botimin e saj të veprave të tij duke qenë se ishte duke e refuzuar kontratën e të drejtës së autorit dhe ia kishte ofruar falas revistës Northern Herald.

9) Tolstoj me gjasë kishte rënë në ujdi që ta linte gruan e tij ta botonte Mjeshtri dhe burri, por po ashtu t’i lejohej Northern Heraldit dhe The Intermediary ta botonin në të njëjtën kohë pa pagesë.

10) Këto Tri Përralla u botuan me ftesën e presidentit të Shoqatës së Adhuruesve të Letërsisë Ruse në antologjinë e botuar nga Shoqata, më 1895.

/Marrë nga ‘Tolstoy’s Diaries, Volume 2’, Charles Scribner’s Sons, 1985 /Gazeta Express/ KultPlus.com

James Lasdun: Po fillon të dhembë

James Lasdun (1958), poet dhe prozator anglez. Fitues i çmimin Dylan Thomas për tregim të shkurtër.

PO FILLON TË DHEMBË

Nga James Lasdun

‘E shijuat drekën, z.Bryar?’

‘E shkëlqyeshme’.

‘Te Sorley?’.

‘Jo, njëfarë… vendi kinez’.

‘Gruaja ju ka thirrur’.

Telefonoi në shtëpi: iu përgjigj gruaja.

‘Po ku dreqin je bre?’.

‘Më fal, loçkë. Një drekë hallakamë…’.

E çuditshme që po e rrente prapë. Dhe atë rreth një funerali!

‘Po vjen Tomi. Ndalu te Dalglieshi, a mundesh, dhe merr një salmon. Të egër, ë? Më mirë të shkosh menjëherë, në të vërtetë, se mos po iu harxhohen’.

Ishte korrik, verë që të piqte. Ai eci ngadalë, duke e kthyer në mendje ceremoninë në të cilën sapo kishte marrë pjesë. Në mesin e një gjysmë duzine të pjesëmarrësve në varrim, e kishte njohur vetëm avokatin që e kishte prezantuar me Marien dhjetë vjet më parë dhe po ai i kishte treguar për vdekjen e saj javën e kaluar.

Lajmi e kishte lënë pa fjalë: s’e kishte ditur se ajo kishte qenë e sëmurë, por edhe ashtu kishte pasur shtatë vjet që s’e kishte parë më. Po gjatë gjithë shërbimit s’kishte mundur t’i ndalte lotët.

Burri te Dalglieshi e nxori një peshk të gjatë sa krahu i tij nga poshtë një mbuloje leshterikësh dhe akulli.

‘Si thua?’.

‘Okay. A mundesh…’.

‘Ta qëroj dhe pastroj, zotëri?’.

‘Të lutem’.

Burri e çau për së gjati barkun e krijesës me një brisk të shkurtër dhe i hodhi të brendshmet e vesuara të verdheme në një kosh. Shpëlau rrjetën e blanuar nga paret e peshkut dhe mishit të kuq të brendshëm, mandej e mbështolli peshkun në letër dhe e futi në një qese plastike. Ishte gjashtë inç tepër i gjatë për frigoriferin e zyrës.

‘Kaqol’.

Shkoi poshtë në dhomën e stokut. Aty kishte çarqe tutkalli të vendosura përtokë plot me minj të ngordhur dhe brumbuj mbi ta, por ishte më freskët sesa sipër. Me vështirësi e vuri peshkun në sirtarin e një dollapi të vjetër të metaltë. Pjesën tjetër të pasdites me lajmërimet e reja të qirave. Duke djersitur dhe gulçuar mbërriti te Charing Cross me kohë që të merrte të gjashtë e dyzetëve.

Në tren, të mbushur dëng nga pushuesit e fundjavës, e gjeti veten duke menduar për Marien. Nganjëherë ajo e këndonte ndonjë këngë të pakuptimtë në veshin e tij, me gojën aq afër si të ishte duke i pëshpëritur ndonjë sekret. Ai mbante në mend vetminë e çuditshme të ekzistencës së saj në Londër; indiferencën e saj edhe më të çuditshme ndaj vetmisë së vet. Nuk mund t’ia lejonin vetes hotelet, kështu që e kishin zakon të shtireshin se ajo ishte një kliente, e interesuar për ndonjërën nga pronat të regjistruara te firma e tij. Në cilëndo shtëpi që hynin ishte një botë tjetër.

Të bënin dashuri në ‘një maisonetë viktoriane të orenduar në mënyrë të mrekullueshme’, ose ‘apartamentin e rehatshëm me kopsht’, ishte një aventurë në një seri jetësh të mundshme, secila me gëzimin e vet moskokëçarës: një pasdite ishin socialistë të kamur, të nesërmen një çift studentësh bohemianë… Për tri vjet ai ishte ndier njeriu më i lumtur i gjallë dhe më fatlumi. Marie kurrë s’i kishte kërkuar ta linte familjen e tij dhe ai e kishte konsideruar këtë, po ashtu, pjesë të fatit të tij.  

Po pastaj, krejt papritur, ajo i kishte dhënë fund. ‘Kam rënë në dashuri me ty’, ia kishte thënë ajo troç, ‘dhe po fillon të dhembë’.

Gruaja e tij ishte duke e pritur jashtë stacionit.

‘Ku është salmoni?’, pyeti ajo.

Një lemeri e papritur e përshkoi të tërin.

‘E… e kam lënë atje’.

Ajo u nis të largohej, pastaj ktheu kokën dhe ia nguli sytë për një moment.

‘Ti je budalla’, tha ajo. ‘Ti je një budalla i dreqit nga koka te këmbët’.

/Marrë nga James Lasdun, ‘It’s Beginning To Hurt’. Picador, 2010/Gazeta Express/ KultPlus.com

Piktorët e Alpeve shqiptare, në ekspozitën e GKA-së në Shkodër

Galeria Kombëtare e Arteve çeli në Shkodër ekspozitën e projektit “Psikologjia shqiptare në artet pamore”.

Kjo është ekspozita përmbyllëse e këtij projekti, i cili këtë herë udhëtoi drejt Shkodrës si një nga pikat më të rëndësishme historike e kulturore të Shqipërisë.

Ky projekt u drejtua nga Olsi Laska, me pjesëmarrjen e studiueses së artit Suzana Varvarica Kuka. Ekspozita do të mikpresë artdashësit në Galerinë e Artit të Shkodrës për një muaj, pasi do të qëndrojë e hapur deri më 17 maj.

Ekspozita “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve” prezanton 113 vepra arti nga 76 artistë të njohur nga trevat e Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Mirditës, Laçit, Kukësit, Pukës, Peshkopisë dhe Tropojës, dëshmi e ndikimeve perëndimore dhe e zhvillimit të artit modern në Shqipëri.

Kjo ekspozitë ndërton një hapësirë vizuale të veçantë duke nxjerrë në pah tiparet unike të qytetit të Shkodrës dhe duke paraqitur vepra të rëndësishme të artistëve të hershëm shqiptarë. Nën ndikimin e frymës perëndimore, këto vepra shënojnë lindjen e artit laik dhe modern shqiptar, duke u shkëputur nga arti tradicional i lidhur me tematika fetare./atsh/ KultPlus.com

Edhe robotë në maratonën e Pekinit

Maratona e parë robotiko-humanoide në botë u zhvillua sot në Pekin, me robotin Tiangong Ultra që kaloi vijën e finishit për pak më shumë se 2 orë e 40 minuta.

Pavarësisht kësaj, Tiangong Ultra u la shumë pas nga njeriu, i cili e kaloi vijën e finishit për një orë, 11 minuta e shtatë sekonda.

Rreth 20 robotë dykëmbësh iu bashkuan më shumë se 10 000 vrapuesve në garën 21 kilometërshe.

Barrierat ndanë pistën e vrapimit të robotëve nga konkurrentët e tyre njerëzorë.

Inxhinierët u lejuan të bënin rregullime për të mbrojturit e tyre të teknologjisë së lartë.

Në vend të ujit dhe ushqimeve, stacionet siguronin bateri dhe mjete teknike.

Gara u konsiderua më shumë si një demonstrim teknik dhe asnjë robot nuk kishte një shans real për të fituar.

Qeveria kineze po promovon zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe robotëve këtë vit, mes përpjekjeve për të nxitur ekonominë dhe një rivaliteti në rritje teknologjik me Shtetet e Bashkuara./ atsh/ KultPlus.com

Mirush Kabashi nderohet me aktivitete përkujtimore në ditëlindjen e tij

Në nderim të ditëlindjes së aktorit të njohur dhe një prej figurave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar, Mirush Kabashi, COD (Center for Openness and Dialogue), me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Arkivit Qendror të Filmit në Shqipëri, organizon një aktivitet të veçantë përkujtimor që sjell në vëmendje kontributin e jashtëzakonshëm të artistit në artin shqiptar.

Ky aktivitet i ndarë në tri pjesë të veçanta, synon të sjellë një panoramë të plotë të rrugëtimit artistik të Mirush Kabashit.

  • Ekspozitë fotografike – “Mirushi në skenë”
  • Promovimi i monografisë – “Mirush Kabashi – Sokrati i skenës shqiptare”

Libri sjell dëshmi, analiza dhe kujtime nga bashkëkohës të tij, duke ndriçuar personalitetin e tij kompleks dhe frymëzues.

  • Shfaqje dokumentari – Një homazh vizual

Aktiviteti kulmon me shfaqjen e një filmi dokumentar në sallën “Forum”, i cili i kushtohet plotësisht jetës dhe karrierës së Mirush Kabashit.

Kosova, nikoqire e Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2025

Autor: Labinot Kunushevci

Isha shumë i nderuar që të jem pjesë e kësaj olimpiade si Deputy Chief Guide. Kjo ishte ngjarja më e madhe globale shkencore e ndodhur në Kosovë, ku morën pjesë 219 vajzat më të talentuara të botës në matematikë, nga 55 shtete të botës, në periudhën 11-17 prill 2025.

“Njeriu është produkt i kulturës, jo i racës”, prandaj ishte kënaqësi të punoja dhe t’u shërbeja adoleshenteve të talentuara, pavarësisht identitetit apo prejardhjes. Ato janë kokat më gjeniale të matematikës në botë dhe Kosova për herë të parë u ofroi mundësi që t’i matin aftësitë e tyre në një garë të fuqishme, të drejtë dhe tejet cilësore.

Kosova tregoi se ka kapacitete për të organizuar dhe udhëhequr një olimpiadë ndërkombëtare me kaq peshë dhe prestigj. Kemi arritur t’i thyejmë të gjitha paragjykimet dhe skepticizmat që shumë vende kanë pasur për Kosovën. Mikëpritja, organizimi fantastik, glamuroz dhe korrekt, respektimi rigoroz i rregullave të olimpiadës, ndarja e roleve dhe punës, trajtimi i barabartë, niveli i lartë profesional, transporti nga aeroporti apo stacioni i autobusëve dhe akomodimi i rreth 500 pjesëmarrësve nëpër hotele të vogla (garuese, liderë, zëvendës-liderë, koordinatorë etj.) dhe ndërlidhja e tyre në një projekt të tillë, komunikimi i shpejtë dhe efikas, zgjidhja e problemeve, ekskursionet dhe atraksioni, njohja me kulturën shqiptare dhe me trashëgiminë e Kosovës, ishin karakteristika të olimpiadës dhe zotësi e një ekipi profesional që e organizoi dhe udhëhoqi këtë ngjarje e cila ndoshta nuk do të përsëritet më në Kosovë.

Nga vlerësimi që kemi marrë, shumica e garueseve dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve janë ndarë të befasuar dhe të kënaqur me gjithë atë që kanë përjetuar. Ata sot po na falenderojnë pa masë që ne u lamë përshtypje shumë pozitive, që ne u treguam se kemi zemër të madhe, që ne u treguam se kemi aftësi për t’i orientuar potencialet e tyre në një terren ku maten forcat matematikore. Dhe kjo ndodhi në Prishtinë, në një vend që pak njerëz e kanë imagjinuar apo besuar se mund të ndodhë. Ishte fantastike të shihje në një vend talente që përfaqësojnë mbi 50 kombe të botës, që flasin gjuhë të ndryshme dhe vijnë nga kultura të ndryshme, pa as më të voglin incident.

Këtë e dëshmoi Shoqata e Matematikanëve të Kosovës dhe Instituti për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), udhëheqësit e të cilëve i falenderoj, sidomos organizatorin kryesor Valmir Krasniqi, olimpiadë kjo e mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe nga kompani e sponzorë prestigjiozë vendorë e ndërkombëtarë. Gjithsesi edhe bashkëpunimi me partnerët e tyre ishte thelbësor. Secili ishte në krye të detyrës.

Ndonëse unë jam sociolog, dhe jo matematikan, megjithatë shpejt u përshtata me natyrën e një projekti gjigant nga fusha e matematikës, sigurisht për shkak të tipareve të mia modeste në udhëheqje dhe komunikim, m’u besua një përgjegjësi e madhe që të bashkëpunoj dhe t’u ndihmoj rreth 60 vullnetarëve, gjimnazistë e studentë kosovarë, në rolin e tyre “guide” që kishin. Kemi pasur ditë që kemi punuar 23 orë, me vetëm 1 orë gjumë dhe kjo orë “pushimi” u bë në vendin e punës. Por këtë 1 orë gjumë do ta mbaj mend gjatë. Ne “pushonim” duke e aktivizuar pasionin dhe adrenalinën në maksimum sepse ashtu balancohej lodhja. Sepse bota i kishte sytë në shpejtësinë dhe efikasitetin tonë. Qindra punë kryheshin brenda ditës. Këto projekte nuk kanë sukses nëse vetëm 1% improvizohet. Nuk kanë sukses nëse ekipi i projektit e plotëson “normën e gjumit”. Ne punuam me kritere ndërkombëtare. Shumë ekipe shtetesh që kishin traditë olimpiadash, na thanë se në Kosovë kemi kaluar më mirë se në shtetet tjera që kishin organizuar EGMO më herët. Kjo nuk arrihet lehtë. Kjo nuk blihet me para, as nuk vidhet, as nuk kopjohet. Është vetëm rezultat i punës serioze 24/7. Sepse Zoti e shpërblen diciplinën.

Ne treguam se vullnetarizmi nuk është vetëm retorikë. Angazhuam rreth 60 vullnetarë, të cilët me plot pasion, diciplinë e kreativitet, u shërbyen ekipeve e shteteve të tyre. Kemi pasur shumë stres, presion e dinamikë, si në kosheret e bletëve, me pak telashe të menaxhuara, por këta vullnetarë të cilët i falenderoj thellësisht, ndonëse shumicën e njihja sepse jam mësimdhënës i tyre, më lanë një përshtypje aq të mirë për të mos prituar kurrë të bashkëpunoj me ta në projekte të ardhshme. U kam besuar edhe pa filluar. Që në takimet e para përgatitore, kur mbaja një lloj trajnimi mbi mënyrën se si mund të sillemi, komunikojmë apo reagojmë me ekipet pjesëmarrëse, e lexova seriozitetin e tyre. Sepse nektari që u prodhua ishte meritë edhe e tyre. Guidat tona përkujdeseshin për çdo detaj, duke siguruar mirëqenien e secilës garuese, duke u ofruar asistencë të plotë. E gjithsesi mua më ndihmoi edhe ekipi me të cilin bashkëpunova në raport me guidat. Thjesht, mirënjohës të gjithëve.

Në EGMO 2025 u dhanë 27 medalje ari, 38 medalje argjendi, 53 medalje bronzi dhe 52 medalje nderi. Edhe Kosova ishte pjesë e kësaj gare dhe arriti të fitojë medalje nderi. Rezultatet e garës mund t’i shihni këtu, në kategorinë e fundit “Country Results”: European Girls’ Mathematical Olympiad: Scoreboard for EGMO 2025 in Kosovo

Sa keq që lajmi mbi këtë olimpiadë nuk e mori jehonën e duhur në media. Sepse mediat klienteliste nuk ua dinë vlerën një ngjarjeje kulturore globale. Por mos harroni, për një javë ne ishim nikoqir të 55 shteteve nga të gjitha kontinentet. Kemi shumçka për të treguar për këtë ngjarje. Dhe ata pjesëmarrës nuk ishin turistë, por ishin shkencëtarë, ishin talentet e botës. Dhe ende ka media që nuk e kanë të paktën një lajm për olimpiadën – EGMO 2025!/ KultPlus.com

Vdes Sylejman Shaqiri, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së

Ka ndërruar jetë ish-drejtorit i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e të ndjerit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

I lindur në Ferizaj, Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.

Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.

Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë.

Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.

Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.

Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur ferizajas, ish drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj orën 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, organizojnë mbledhje komemorative, në kujtim të jetës dhe veprës së tij./rtk/ KultPlus.com

143 vite nga vdekja e Charles Darwin-i, babait të Teorisë së Evolucionit

Charles Darwin (1809-1882) ishte një biolog, gjeolog dhe natyralist anglez, i njohur për dy nga teoritë më me ndikim në botën shkencore; evolucioni dhe procesi i seleksionimit natyror. Në përmbledhje, ai propozoi që të gjitha speciet e qenieve të gjalla të vijnë nga një paraardhës i përbashkët dhe që speciet që përshtaten më mirë me mjedisin janë ato që riprodhohen dhe mbijetojnë. Të dy teoritë u propozuan në Origjina e specieve, botuar në 1859.

I njohur si babai i evolucionit, teoria e Darvinit ndihmoi në heqjen e konventave dhe besimeve të vjetra që tregonin se formimi i specieve të ndryshme ishte produkt i një fenomeni të shkaktuar nga një qenie më e lartë (Wood, 2005).

Teoria evolucionare e Darvinit i shërbeu shkencës për të dhënë një shpjegim më racional të formimit dhe ekzistencës së specieve të reja. Kjo u shpjegua falë konceptit të përzgjedhjes natyrore, ku disa specie me një paraardhës të përbashkët mund të mbijetojnë vetëm kur përshtaten me mjedisin, edhe kur kushtet e tij ndryshojnë.

Ata, variacionet e të cilëve janë të papërfillshëm do të kenë më pak të ngjarë të përshtaten, ndërsa organizmat, variacionet e të cilave u japin atyre një avantazh adaptues dhe riprodhues do të jenë të mbijetuarit.

Biografia

Charles Robert Darwin lindi më 12 shkurt 1809 në qytetin Shrewsbury, në Angli. Shtëpia ku ai lindi quhej “El monte” dhe atje ai jetoi së bashku me pesë vëllezërit e tij.

Charles ishte fëmija i pestë i martesës së Susannah Wedgwood dhe Robert Darwin. Babai i tij ishte i pasur dhe punonte si biznesmen dhe si mjek.

Dy familjet nga erdhën Charles u identifikuan tradicionalisht me doktrinën e Unitarizmit, e cila është në kundërshtim me ekzistencën e Trinisë së Shenjtë.

Studimet e para

Që në moshë shumë të hershme, Charles Darwin tregoi një interes të veçantë për historinë natyrore, pasi që kur ishte 8 vjeç i pëlqente të rishikonte librat në lidhje me këtë temë dhe të mblidhte fashikuj të ngjashëm.

Në 1817 ai filloi të ndiqte shkollën ditore, e cila ishte një hapësirë ​​e drejtuar nga prifti i cili predikonte në kishën ku familja e tij ndiqte dhe merrte pjesë.

Gjithashtu në 1817 ai përjetoi vdekjen e nënës së tij. Disa kohë më vonë ai dhe vëllai i tij Erasmus hynë në shkollën anglikane që ndodhej në qytetin e tyre të lindjes.

Erasmusi ishte më i vjetër se Charles dhe e solli në këtë shkollë për të shërbyer si nxënës i tij. Tetë vjet më vonë, ndërsa vera e 1825 ishte duke u zhvilluar, Charles shoqëroi babanë e tij në qarkun e Shropshire për ta ndihmuar atë si mjek në konsultat e tij në atë rajon.

Më vonë ai shkoi përsëri me Erasmus, por këtë herë në Universitetin e Edinburgut, ku Darvini nuk ishte shumë i qetë, pasi nuk i pëlqente klasat, madje ai tha se ndihej i mërzitur.

Nga ana tjetër, ai tregoi mjaft interes për taksiderminë, falë ndërlidhjes që bëri me John Edmonstone, një skllav i zi që e kishte mësuar këtë zanat nga Charles Waterton.

Origjina e specieve

Në 1859 ai botoi Origjina e Specieve, një vepër në të cilën ai shpjegoi teorinë e tij të evolucionit dhe procesin e përzgjedhjes natyrore.

Vdekja

Vitet e fundit të Charles Darwin ishin plot me sëmundje të forta, të cilat u ndezën në periudha të stresit të shtuar. Sidoqoftë, ai vazhdoi të punojë deri në fund të jetës së tij.

Ai vdiq në qarkun në Kent, Angli, më 19 Prill 1882. Atij iu ofrua një funeral shtetëror brenda Abacisë së Westminsterit. Aty ai varroset pranë Isaac Newton.

Teoria e evolucionit

Në 1859 u botua vepra më e famshme e Darvinit, Origjina e specieve. Në këtë libër ai mbrojti dy teori;

  • Origjina e përbashkët, në favor të evolucionit.
  • Teoria e seleksionimit natyror.

Si fillim, ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis evolucionit dhe teorive të propozuara për të shpjeguar shkaqet dhe mekanizmat e tij.

Në një mënyrë të thjeshtë të shpjeguar, teoria e evolucionit është ajo që shpjegon se njerëzit vijnë nga majmunët. Përzgjedhja natyrore shpjegon pse Homo sapiens mbijetoi dhe Homo neanderthalenza u zhduk.

Provat

Evolucioni përcaktohet si lidhje gjenealogjike që ekziston midis të gjithë organizmave të gjallë, bazuar në prejardhjen e tyre nga një paraardhës i përbashkët. Ky pretendim bazohet në prova.

Së pari, ekziston produkti i drejtpërdrejtë i dëshmisë së manipulimit të specieve të kafshëve shtëpiake dhe bimëve për qindra vjet, me synimin për të zbutur specie të caktuara të egra dhe për të zhvilluar kultura më të mira, duke treguar ekzistencën e ndryshimeve të vogla graduale me kalimin e kohës. Kjo quhet përzgjedhje artificiale.

Nga ana tjetër, zgjedhja natyrore u vëzhgua nga Darvini në pendët e Ishujve Galapagos, i cili paraqiti ndryshime në formën e sqepit për shkak të kushteve të përgjithshme mjedisore, disponueshmërisë së ushqimit dhe pranisë së specieve të tjera shtazore dhe baktereve.

Gjetjet fosile

Ndryshimet biologjike që ndodhin në specie mund të regjistrohen dhe gjurmohen në gjetjet fosile. Në këtë mënyrë, paleontologët kanë gjetur prova të shumta dhe shembuj të ndryshimeve vijuese në speciet stërgjyshore të qenieve të gjalla.

Karakteristikat e përbashkëta

Më në fund, teoria e evolucionit mund të dëshmohet kur karakteristikat e përbashkëta gjenden midis specieve të ndryshme, të gjitha vijnë nga një paraardhës i përbashkët.

Në disa raste, këto ngjashmëri mund të shpjegohen vetëm si gjurmë që kanë mbetur në specie. Në këtë mënyrë, Darvini besoi se qeniet njerëzore kanë një sërë karakteristikash fizike që janë të mundshme vetëm falë faktit se vijnë nga një paraardhës i përbashkët: peshqit.

Paraardhësi i përbashkët

Pothuajse të gjithë organizmat kanë një paraardhës të përbashkët. Sipas Darvinit, të gjithë organizmat kishin një paraardhës të vetëm të përbashkët që me kalimin e kohës evoluan në mënyra të ndryshme, duke degëzuar speciet.

Në këtë mënyrë, teoria e evolucionit e Darvinit mbështet teori divergjente dhe konvergjente të evolucionit.

Ideja e “Speciet nuk evoluojnë, por speciet”

Darvini besonte se evolucioni është një proces i ngadaltë dhe gradual që zhvillohet për një periudhë të gjatë kohore. Ndryshimi biologjik nga një brez në tjetrin brenda së njëjtës specie mund të zgjasë miliona vjet, pasi është një proces i ngadaltë i adaptimit dhe stabilizimit.

Darvini e kuptoi që brenda secilës popullatë të kafshëve kishte ekzemplarë me ndryshime që i lejonin ata të përshtaten më mirë me mjedisin, të riprodhojnë dhe transmetojnë ato tipare. Në këtë mënyrë evoluon popullata; tiparet e individëve më të përshtatur transmetohen në brezat pasardhës.

Përzgjedhja natyrore

Përzgjedhja natyrore është fenomeni i evolucionit që shpjegon pse disa specie zhduken dhe të tjera mbijetojnë.

Për shembull, speciet e finch Geospiza fortis janë përshtatur në ishullin Santa Cruz në Galapagos, me një habitat natyror të pyjeve tropikale ose subtropikale. Këto përshtatje i dhanë asaj një avantazh riprodhues, duke e lejuar atë të mbijetojë dhe të mos zhduket.

Specie të tjera të finches, të tilla si Geospiza fuliginosa, Geospiza conirostris, Geospiza scandens ose Geospiza difficilis të adaptuara në ishuj të tjerë dhe gjithashtu mbijetuan.

Prandaj, është një përzgjedhje e natyrës, nuk ndërhyn asnjë forcë e mbinatyrshme që zgjedh se cilat specie mbijetojnë dhe cilat jo.

Darvini vëzhgonte specie nga të gjitha zonat që vizitoi, përfshirë Amerikën e Jugut, Ishujt Galapagos, Afrikën dhe ishujt e Oqeanit Paqësor, duke mbajtur gjithnjë një regjistër (Browne, 1996).

Ai ishte në gjendje të vëzhgonte shumë fenomene natyrore të tilla si tërmete, erozione, shpërthime vullkanike, ndër të tjera.

Përshtatja e specieve

Të gjitha speciet janë në një proces të vazhdueshëm të evolucionit me kalimin e kohës. Ndërsa ambienti ndryshon, nevojat e organizmave gjithashtu ndryshojnë dhe ato përshtaten me mjediset e tyre të reja në mënyrë që të mbijetojnë.

Ky fenomen i ndryshimeve brenda një kufiri të caktuar kohe për të mbijetuar njihet si adaptim.

Sipas teorisë së Darvinit, vetëm speciet që paraqitën ndryshime më të larta mund të mbijetonin, ndërsa të tjerët ishin të dënuar të zhdukeshin.

Këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një përmirësim të specieve, ato thjesht u japin atyre një avantazh për të qenë në gjendje të mbijetojnë në një mjedis të caktuar./warbletoncouncil/KultPlus.com

201 vjet nga vdekja e Lord Bajronit, njeriut që e deshi shumë Shqipërinë

Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.

Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

I dashur Atdhe

Poezi nga Asdreni

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhè,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhè,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke./ KultPlus.com

‘Kur ti telefonoje’

Poezi nga Ismail Kadare

Telefonin nga gjumi i rende e i zi ti e zgjove
Me zerin e dashur, qe dridhej ngrohtesisht
Ishte dimer.

Une isha i fundosur
Ne kolltukun e palevizshem prane vetmise.

U afrova tek xhamat
Jashte binte shi

Veshtrova me mirenjohje telat e gjate telefonike
Ata vinin nga larg, pa u ndalur gjekund drejt e nga ti,

Nga aroma e flokeve tu, nga vija besnike e buzeve,
Pa u ndalur e pa u pleksur me ylberet joshes rruges.

Ti qaje?

Jo. Pik shiu te ngrohte nga telat binin.. / KultPlus.com

Promovohet libri “Katundi i braktisur – rrëfime për Dunavin” i autorit Metush Karadaku

Në një atmosferë të ngrohtë kulturore, sot në Prishtinë u promovua libri “Katundi i braktisur – rrëfime për Dunavin” i autorit Metush Karadaku, botuar nga Botimet REA në KultPlus Caffe Gallery. Libri, që përbën një rrëfim të thellë për vendlindjen, historinë dhe shpirtin e një katundi tashmë të zbrazët, është redaktuar nga profesori dhe krijuesi i njohur Sali Bashota, i cili njëherësh ka qenë edhe profesori i dikurshëm i autorit.

Metush Karadaku, tashmë me vite në mërgim, ndau me të pranishmit emocionet që e kanë shoqëruar gjatë tërë procesit të shkrimit të librit, i cili kishte nisur që nga koha kur ishte student dhe kishte ëndërruar të shkruante një ditar jetësor për vendlindjen e tij, Dunavin. 

“Dunavi, vendlindja ime, për një kohë të gjatë më është ngulitur në kujtesë me plot ngjarje e kujtime të ndryshme. Kam dëgjuar qysh në fëmijëri rrëfime të shumta që ndërlidhen me vendlindjen time dhe me popullin shqiptar, të cilat i kam mbajtur shënim ndër vite”, u shpreh autori. 

Ai theksoi se ky libër është përpjekje për të ruajtur këto kujtime dhe për t’i paraqitur me vërtetësi para lexuesve.

“Kam dëgjuar qysh në fëmijëri ngjarje të llojllojshme që ndërlidhen me vendlindjen time, por edhe për popullin shqiptar. I kam mbajtur në mendje dhe kam mbajtur shënime. Këto kujtime i kanë datat, ngjarjet dhe personazhet e tyre. Shumë rrëfime të babait tim dhe të banorëve të katundit tim jam përpjekur t’i ruaj sa më të freskëta dhe që t’i paraqes me vërtetësinë e tyre para lexuesve”, u shpreh ai.

Përmes këtij botimi, Karadaku ndalet në një mori fushash të jetës tradicionale dhe shpirtërore të Dunavit, duke përfshirë prejardhjen e banorëve, organizimin e lagjeve, besimet fetare, rolin e gruas, fëmijërinë në vitet ’70 e ’80, mjekësinë popullore, botanikën, blegtorinë, bujqësinë, traditat, legjendat, gojëdhënat, dasmat, besimet popullore, kulturën dhe artin, poçarinë, transportin, tregtinë dhe emigrimin. “Pse Dunavi është katund i braktisur?” – është pyetja që e përshkon tërë rrëfimin dhe që shtyn autorin të rikthehet shpirtërisht në fshatin e tij të lindjes përmes faqeve të këtij libri.

Duke folur para të pranishmëve, Metush Karadaku ndau me shumë emocion rrugëtimin shpirtëror që e ka çuar drejt këtij botimi. 

“Rrëfimet e dëgjuara nga familjarët, për kohë dhe periudha të ndryshme, më kanë motivuar që ta shkruaj këtë libër. Ta them atë që e ndjejnë në shpirt dhe që më preukupon vazhdimisht edhe jashtë atdheut”, tha ai, duke shtuar se vendlindja e tij Dunavi, ka qenë gjithmonë  në qendër të kujtesës dhe ndjenjave të tij.

Ai përshkroi se si ngjarjet dhe rrëfimet që ka dëgjuar që në fëmijëri nga babai i tij dhe banorët e katundit, i kanë mbetur të gjalla në mendje dhe zemër. 

Ai u shpreh se secila histori ka datën, kohën, personazhet e saj – janë të vërteta dhe të gjalla. Kam bërë çmos që ato të mos humbin, por të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi. Ky libër është rezultat i përjetimeve të mia, por edhe i bashkëbisedimeve të shumta me njerëzit e Dunavit.

Autori nënvizoi se libri i tij nuk është vetëm një kujtesë personale, por një përpjekje për të ruajtur identitetin dhe historinë kolektive të një komuniteti të tërë që, për shkak të rrethanave të ndryshme, është shpërndarë brenda dhe jashtë Kosovës. 

“Dunavi është pjesë e shpirtit tim. Ëndrrat e fëmijërisë, zërat e njerëzve, rrugët, fushat, peizazhet – janë të gjitha të ngulitura në mua. Ky libër është edhe një formë rikthimi. Përmes fjalës, përpiqem ta rikthej jetën e atij vendi që sot është i zbrazët,” tha Karadaku.

Në mënyrë të detajuar, ai foli për strukturën e librit dhe temat që trajton, duke përfshirë prejardhjen e banorëve të Dunavit, lagjet, shtëpitë, organizimin e jetës, shkollimin, shërbimet shëndetësore, rolin e gruas, traditat familjare, dasmat, zakonet, gojëdhënat, legjendat dhe besimet popullore, si dhe fëmijërinë në vitet 1974–1982. Ai solli edhe elementë të veçantë që lidhen me biodiversitetin e Dunavit, si pasuria e rrallë botanike me mbi 2000 lloje bimësh, duke theksuar se këto janë dëshmi që flasin për thellësinë dhe kompleksitetin e jetës së dikurshme në atë vend.

“Ky libër është rezultat i kujtimeve dhe i përjetimeve të mira, por edhe rezultat i bashkëbisedimit me banorët e Dunavit. Secili libër për vendlindjen është përjetim i veçantë. Autorët që shkruajnë libra për vendlindjen e tyre kanë një privilegj. Janë një grup i madh i bashkëpunëtorëve që kanë kontribuar me rrëfimet e tyre që libri im për vendlindjen të jetë sa më i plotë. Rrëfime, ngjarje, kujtime, përjetime, aktivitetet e tyre janë paraqitur brenda kapitujve të këtij libri”, përfundoi ai, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij botimi, profesorin Sali Bashota, botuesen Rozafa Bashota, gruan dhe fëmijët si dhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Në këtë ngjarje, një vëmendje e veçantë iu kushtua fjalës së profesor Sali Bashotës, i cili, me qasjen e tij të thellë analitike e emocionale, dha një interpretim të ndjeshëm dhe të plotë për librin. Ai vlerësoi se vepra e Karadakut është një dokumentim i rrallë, që kalon përtej shkrimit autobiografik dhe merr përmasa kulturore, etnografike dhe shpirtërore.

“Procesi i të shkruarit të një libri me rrëfime dhe kujtime është para së gjithash një akt i frymëzimit, përkushtimit dhe vullnetit krijues. E kam thënë edhe më parë se librat për vendlindjen nuk janë vetëm akte nostalgjie, por janë forma të thella të lidhjes me rrënjët, me origjinën, me identitetin shpirtëror. Aty ku kujtesa individuale ndërthuret me kujtesën kolektive, krijohet një vepër që i flet jo vetëm lexuesit, por brezave të tërë”, tha Bashota.

Ai theksoi se tema e vendlindjes është e përhershme në letërsinë shqipe dhe në krijimtarinë artistike në përgjithësi. 

“Në poezi, prozë, ese apo publicistikë – vendlindja është gjithmonë aty. Ajo bëhet kryetemë, shndërrohet në metaforë, bëhet truall i përjetimeve dhe simbol i shpirtit që kërkon të mos humbasë”, shtoi ai.

Duke analizuar veprën konkretisht, Bashota tha se libri “Katundi i braktisur” është një formë e kthimit shpirtëror të autorit nga mërgimi drejt vendlindjes. 

“Nga pozicioni i mërgimtarit, si vrojtues i pasionuar, autori e shpalos kujtesën e tij për ambientin dhe njerëzit, duke e fuqizuar mallin në shumë dimensione. Malli për një katund që mbetet i zbrazët, bosh, pra që mbetet pa njerëz, por ai mall jeton bashkl me dhimbjen në shpirtin e tij dhe sikur bëhen dialog i vazhdueshëm me njerëzit e këtij katundi të shpërndarë brenda dhe jashtë atdheut”, u shpreh ai.

Sipas Bashotës, autori ka vepruar si një kronist i kujtesës kolektive, duke mbledhur rrëfimet dhe përjetimet e banorëve, duke i sistemuar në një rend të qartë kohor dhe hapësinor, dhe duke u dhënë atyre formën e një dëshmie të vlefshme për historinë dhe kulturën e një fshati që përfaqëson një pjesë të mirë të identitetit rural shqiptar.

“Ka shumë vlera në këtë libër – nga ato etnografike, te ato historike e kulturore. Metushi na flet për gjenealogjinë familjare, për legjendën e varrit të Ajshes, për Dunavin me mbi 2000 lloje bimësh – një pasuri botanike që rrallë e gjejmë të dokumentuar kësisoj. Ai sjell një botë të tërë që po rrezikon të harrohet, por që përmes këtij libri kthehet fuqishëm në kujtesën tonë kolektive”, tha ndër të tjera Bashota.

Ai përfundoi duke vlerësuar kontributin e Metush Karadakut si një akt dashurie ndaj atdheut dhe rrënjëve të tij, një përpjekje për të ndërtuar ura mes brezave dhe për të treguar se kujtesa është forma më e lartë e qëndresës shpirtërore.

Në fund, fjalën e morën edhe familjarë të autorit Karadaku, të cilët vlerësuan mundin e tij për mbledhjen e informatave për fshatin e tyre të braktisur./KultPlus.com

Zyra e Albert Einstein, e fotografuar menjëherë pas vdekjes së tij (FOTO)

Einstein vdiq në Prill të vitit 1995, në Princeton.

Fotografi i njohur Ralph Morse, i cili në atë kohë punonte për revistën e mirënjohur ‘Life’, sapo u informua për vdekjen e gjeniut, u nis për në Princeton, ku hasi në shumë gazetarë e foto-reporterë dhe duke mos mundur të deportojë përmes turmës, u nis drejt Institutit të Studimeve të avancuara, aty ku edhe ishte zyra e Einstein-it.

Më vonë fotografi ka treguar për mediat amerikane se të hynte në zyrën e Einstein-it nuk kishte qenë edhe aq e vështirë, ai kishte korruptuar sigurimin me një shishe pije alkoolike.

Fotografia e shkrepur u publikua në revistë një ditë pas vdekjes së Einstein-it, ku vërehen dokumentet dhe gjërat personale ashtu siç edhe i kishte lënë ky i fundit. / KultPlus.com

Mark Zuckerberg thotë se TikTok ka dëmtuar rritjen e aplikacioneve të Meta

Në gjyqin për cënim të konkurrencës nga Meta, CEO Mark Zuckerberg dëshmoi duke thënë se suksesi i TikTok ishte një kërcënim për biznesin e Meta duke theksuar se aplikacioni i videove me metrazh të shkurtër ishte prioritet kryesor dhe konkurrent kërcënues kur mbërriti në 2018-ën sipas Bloomberg.

Raporti vjen pas një jave plotë dëshmi në gjyqin që Komisioni Federal Tregtar ka sjellë kundrejt gjigantit të medias sociale. Nëse juristët e FTC kanë sukses, gjyqi mund të përfundojë me ndarjen e Instagram dhe WhatsApp në dy kompani më vete.

Zuckerberg pranoi të mërkurën se mbërritja e TikTok ka prekur drejtpërdrejtë Meta duke thënë se kompania e tij vëzhgoi se rritja e saj u ngadalësuar në mënyrë dramatike kur TikTok u bë popullor.

ByteDance bleu Musical.ly në 2017-ën dhe vendosi ta shkrijë me TikTok një vit më pas. Rreth së njëjtës periudhë, Meta ndaloi së raportuar numrat e përdoruesve të Facebook në raportet e saj tre mujore./KultPlus.com

Mark Zuckerberg annuncia il cambio di nome di Facebook, che da oggi è Meta, 28 ottobre 2021. ANSA

Filmi “The Accountant” së shpejti në kinema

‘The Accountant 2’, i cili paraqet Ben Affleck-un si një kontabilist autik që merr pjesë në organizata kriminale dhe terroriste, pati premierën e tij në Los Angeles. Vazhdimi vjen nëntë vjet pas origjinalit pasi u vonua nga problemet e studios, pandemia dhe grevat e shkrimtarëve dhe aktorëve të Hollivudit.

Gjatë nëntë viteve të fundit, ka pasur një rritje të njohurive të publikut për autizmin dhe neurodiversitetin, dhe kjo do të thoshte që Affleck ndjeu më shumë presion duke bërë vazhdimin.

“Ishte një përvojë ndryshe për mua, sepse për fat kisha shumë më tepër mirëkuptim, dhembshuri, kujdes, ndjeshmëri dhe dashuri për këtë personazh në njëfarë kuptimi dhe për atë që ai po përjetonte. Si aktor, duhet bërë me shumë kujdes dhe mendim, veçanërisht nëse një nga gjërat që do të komunikoni është e mirë, dhe kështu ka një përgjegjësi për ta bërë atë me inteligjencë dhe kujdes, mendoj unë”, tha Ben Aflleck.

Këtë herë, filmi paraqet personazhe të tjerë që kanë autizëm ose janë neurodivergjentë. Filmi është xhiruar në Los Angeles, gjë që është një gjë e rrallë në Hollyëood për momentin.”The Accountant 2″ do të shfaqet në kinematë amerikane më 25 Prill./KultPlus.com

Venecia dyfishon tarifën e hyrjes për turistët ditorë

Duke filluar nga sot, vizitorëve në qytetin italian të Venecias u kërkohet të paguajnë një tarifë hyrjeje deri në 10 euro (11,37 dollarë) për të vizituar qytetin për një ditë, dyfishi i shumës që u tarifua kur skema u paraqit vitin e kaluar.

Tarifa vlen për të gjitha ditët deri në fundjavën e parë të majit dhe më pas në të gjitha fundjavat nga e premtja në të dielë deri në fund të korrikut.

Në total, pagesa do të kërkohet në 54 ditë këtë vit, gati dyfishi i numrit të vitit të kaluar.

Vizitorët duhet të marrin një kod QR në internet përpara mbërritjes dhe ta shkarkojnë atë në një telefon celular.

Në vitin 2024, Venecia u bë qyteti i parë në botë që ngarkoi tarifat e hyrjes për vizitorët afatshkurtër, të ngjashëm me një muze.

Ata pa biletë rrezikojnë një gjobë deri në 300 euro.

Sistemi mbetet kryesisht i pandryshuar nga viti i kaluar, por pagesa tani kërkohet më shpesh dhe me një normë më të lartë.

Rezervuesit e hershëm mund të hyjnë në qytet për 5,0 euro, ndërsa vizitorët e minutës së fundit do të paguajnë 10 euro./KultPlus.com

“Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia” (VIDEO)

Rudolf Stambolla është një këngëtar i njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë. Njihet për zërin më melodioz dhe njëri prej pionierve të muzikës së lehtë Shqiptare të fund viteve ’60.

KultPlus ju sjell këngën ”Kur gjethet bien në vjeshtë”, këngë kjo e cila është më e njohura e tij dhe vazhdon të dëgjohet e të këndohet edhe sot e kësaj dite.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës

Kur gjethet bijnë në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyrë
Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyrë
E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur
Po del kjo kanga ime ankuse thellë n’krahnur.

Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’herë ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.

T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me pasion
Dhe fjalët e tua nga hera kjo zemër si harron
Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe
At’her kam me besue se sa e pabesë je.

Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.

Për mua lulet e verës nuk kanë ma bukuri,
Jan vyshk n’qoshe t’pinxheres, të mjerat në saksi
As lot nuk kanë t’i ngjallin, janë shterrur lot e rinisë
Veç kur më merr mu malli, i knoj un dashurisë.

Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë. /KultPlus.com

‘Ti je si manushaqet me erën sipër tyre’

Poezi nga Ezra Pound
Përktheu: Redi Sheqeri

Pema më ka depërtuar në duar,
Limfa e saj më ka mbushur krahët,
Pema është rritur në gjirin tim –
Teposhtë,
Degët rriten nga unë, si krahë.

Pemë je ti,
Myshk je ti,
Ti je si manushaqet me erën sipër tyre.
Një fëmijë – kaq i madh – je ti,
Dhe e gjithë kjo për botën është një çmenduri./ KultPlus.com

Të panjohurat e gjeniut, 50 fakte për Albert Einstein

Albert Ajnshtajn është shkencëtari më i zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik.

Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Siç ndodhi së fundmi edhe me valët gravitacionale që u pranuan sot zyrtarisht nga shkenca, dhe që u konsiderua si “zbulimi më i madh shkencor i shekullit”.

Albert Ajnshtajni foli për ekzistencën e valëve gravitacionale 100 vjet më parë. Ajnshtajni parashikoi se nëse graviteti apo forca e rëndesës në një zonë të universit ndryshon befas si pasojë e një evenimenti të dhunshëm kozmik, si shpërthimi i një ylli, apo në këtë rast përplasja e dy vrimave të zeza, krijohen valë gravitacionale që përhapen me shpejtësinë e dritës në të gjithë universin duke deformuar kohën dhe hapësirën gjatë lëvizjes së tyre.

Kontributi i tij ndryshoi radikalisht pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni.

Gjithashtu në atë kohë besohej se “koha” në vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special parashikonte se kjo s’ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet me orën bërthamore.

Emri Ajnshtajn sot është sinonim me fjalën gjeni. Albert Ajnshtajn është një prej mendjeve më të mëdha të shekullit të 20-të. Disa prej ideve të tij për shkencën, natyrën dhe besimi mund t’ju habisin. Jo më kot është zgjedhur “Personi i Shekullit” nga revista “Time”.

Por, a e dinit se Ajnshtajni ka lindur me një kokë kaq të madhe sa mamaja e tij mendonte se mos kishte lindur i deformuar? Apo se kishte një fëmijë sekret që para se të martohej? Apo që u përjashtua nga shkolla? Apo që fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare?

1- Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe

Kur nëna e Albertit, Pauline, e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa javët kalonin ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët. Thuhet se gjyshja e tij ka klithur “është i shëndoshë, është i shëndoshë”, kur e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.

2- Ajnshtajni kishte vështirësi në të folur

Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është quajtur sindroma e Ajnshtajnit.

3- Kur Ajnshtajni foli për herë të parë

Një historian ka krijuar një barsoletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli dhe tha “Supa është e nxehtë”, prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull.

4- Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull

Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin në shkencë: Një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim.

Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në shumë “fëmijëria të famshme”, është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.

5- Ajnshtajni ngeli në provimin e hyrjes për në kolegj

Në vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule). Ai kaloi provimin e matematikës dhe të shkencës tek provimi i hyrjes, por ngeli tek të tjerat.

Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja, gjeografia dhe të tjera. Ajnshtajni duhet të regjistrohej në një shkollë tregtare para se ta ribënte provimin dhe më në fund u pranua tek i njëjti universitet një vit më vonë.

6- Ajnshtajni kishte një fëmijë të paligjshëm

Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, të cilën më vonë u martua. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne, një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë.

Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator, 1903. Në korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në letrën e 19 shtatorit, 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të fundit.

7- Kur përjashtohej nga shkolla

Ajnshtajni ishte i ngadaltë në procesin e të folurit. Madje prindërit e tij janë konsultuar dhe me një doktor. Ai madje ka patur një rebelim “të paturp” ndaj autoriteteve, që bëri që drejtori i shkollës ku ai studionte ta përjashtonte nga shkolla dhe të shprehej rreth tij se ai nuk do të mund të arrinte shumë në jetë.

Por këto karakteristika bënë që ai të bëhej një gjeni. Mospërfillja dhe përbuzja e tij ndaj autoritetit bënë që ai të vinte në dyshim njohuritë tradicionale. Zhvillimi i tij i ngadaltë verbal, bëri që ai të bëhej kurioz për gjërat e zakonshme – si koha dhe hapësira – që pjesa më e madhe e të rriturve i marrin për të mirëqena.

I ati i dhuroi një busull në moshën pesë vjeçare, dhe hetoi mbi natyrën e fushës magnetike gjatë gjithë jetës së tij. Ai kishte prirjen të mendonte në bazë të imazheve dhe jo me fjalë.

8- Kishte Ajnshtajni probleme të në mësuar?

Disa shkencëtarë kanë pretenduar se kanë zbuluar se në fëmijëri Ajnshtajni ka shfaqur shenja të lehta të autizmit ose të sindromës së Aspergerit. Simon Baron Kohen, drejtor i qendrës kërkimore të autizmit në Universitetin e Kembrixhit, është një prej tyre. Ai shkruan se autizmi është i lidhur “me një përpjekje intensive për të kontrolluar dhe një përpjekje të vogël të pazakontë për të qenë empatik”.

Ai gjithashtu vë në dukje se kjo gjë “shpjegon ‘kufijtë e aftësisë’ që njerëzit me autizëm shfaqin në lëndë të tilla si matematika, muzika ose vizatimi – të gjitha aftësi që përfitohen nga kontrolli”’. Kjo nuk duket një diagnozë bindëse.

Edhe si adoleshent, Ajnshtajni kishte miq të ngushtë, kishte marrëdhënie intime, bëhej pjesë e debateve skolastike, komunikonte mjaft mirë verbalisht dhe ishte empatik ndaj miqve dhe njerëzimit në përgjithësi.

9- A ngeli Ajnshtajni në Matematikë?

Një besim mjaft i përhapur rreth Ajnshtajnit është se ai kishte ngelur në lëndën e matematikës. Një kërkim në Google rreth kësaj nxjerr më shumë se 500 mijë rezultate. Ky lajm madje është bërë pjesë e titujve të gazetave “besoje ose jo”.

Por historia e tij është shumë ironike: Në 1935, një lajm u botua rreth Ajnshtajnit “Matematikani më i madh i kohës, ngel në matematikë”. Duke qeshur ai është përgjigjur se nuk ka ngelur asnjëherë në matematikë, dhe se në moshën 15 vjeçare ai kishte zgjidhur ekuacione të vështira matematikore.

Në shkollë fillore ai ka qenë më i miri i klasës dhe shumë më lart rezultateve të pritshme në matematikë. Në moshën 12 vjeçare, motra e tij u shpreh se ai “gjithmonë kishte preferuar të zgjidhte probleme të vështira aritmetike”, dhe vendosi të zbulonte nëse mund të progresonte duke mësuar gjeometrinë dhe algjebrën vetë.

Prindërit i blenë libra të avancuar që ai të përgatitej gjatë verës. Ai jo vetëm që mësoi fakte në këto libra, por identifikoi disa teori në një përpjekje që t’i testonte personalisht. Ai madje pati idenë e tij personale se si mund të provonte teorinë e Pitagorës.

10- A mendonte Ajnshtajni më shumë bazuar në imazhe se sa në fjalë?

Të gjitha zbulimet e tij të mëdha ishin rezultat i eksperimenteve vizuale që ai i zhvillonte në mendjen e tij më tepër se sa në laborator. Për këtë arsye, ata u quajtën Gedankenexperiment – eksperimentet e mendimit. Në moshën 16 vjeçare, ai u mundua të përfytyronte se si mund të ishte të ecje përkrah një rreze drite. Nëse arrihej shpejtësia e dritës, a nuk do të dukeshin valët e saj të palëvizshme? Por ekuacionet e famshme të Maksuellit që përshkonin valët elektromagnetike nuk e lejonin një gjë të tillë. Ai e dinte se matematika ishte mënyra që natyra përdorte për të përshkruar mrekullitë e saj, kështu ai mund të përfytyronte në mënyrë vizuale se si ekuacionet reflektoheshin në realitet. Kështu për dhjetë vitet e ardhshme të jetës së tij, ai mendoi rreth këtij eksperimenti deri sa erdhi momenti që ai nxori teorinë e famshme të relativitetit.

11- Cilat ishin mendimet – imazhe që Ajnshtajni përdori për teorinë e relativitetit?

Ndër shumë gjëra të tjera, ai imagjinoi goditje rrezatuese në dy anët fundore të një treni në lëvizje. Një person që është në rrugë mund t’i shohë këto ndriçime në një moment të vetëm, por dikujt që është në një tren lëvizës ato do t’i shfaqen në momente të ndryshme. Për shkak se treni ecën përpara, drita rrezatuese në pjesën e përparme të trenit do të arrijë më përpara tek personi një moment përpara dritës që vjen nga fundi i trenit. Nga kjo gjë Ajnshtajni kuptoi se “njëkohshmëria” është relative me gjendjen fizike në hapësirë. Dhe prej kësaj ai hodhi idenë se nuk ekzistonte koncepti i kohës absolute. Ky ëshët relativiteti i Ajnshtajnit, dhe sigurisht teoria e relativitetit.

12- Cili ishte eksperimenti i menduar, që çoi Ajnshtajnin drejt teorisë së relativitetit?

Ai imagjinoi një njeri në rënie të lirë. Për të kuptuar atë që ai pa, mendoni një njeri të mbyllur në një ashensor që ulet në drejtim të tokës. Ai do të lëvizte në ashensor duke u ngritur lart, dhe çdo gjë që do të dilte dhe binte nga xhepat e tij do të lëviznin lirshëm rreth tij – njësoj si të ishte i mbyllur në një dhomë, në një zonë pa gravitet të hapësirës. Në anën tjetër, mendoni një grua të mbyllur në një ashensor që po ngjitet lart në hapësirë, larg çdo lloj graviteti. Ajo do të ndihej sikur po binte në tokë, njësoj sikur të ishte duke u tërhequr nga graviteti. Nga ekuivalenca e gravitetit dhe nxitimit, ai ndërtoi teorinë e përgjithshme të relativitetit.

13 – Çdo gjë është relative

Ai zbuloi se graviteti ishte një “deformim” i hapësirës dhe kohës. Ai mund të përshkruhet duke përdorur një tjetër eksperiment të menduar. Imagjinoni si do të mund të ishte hedhja e një topi bouling – u në një sipërfaqe dy dimensionale të një trampoline. Ai i jep formë strukturës ndërkohë që lëviz. Më pas rrotulloni disa topa bilardoje. Ata lëvizin drejt topit të bouling–ut jo sepse ai i tërheq ata në mënyrë të panjohur (Siç thotë teoria e Njutonit), por për shkak të formës që ai i ka dhënë strukturës së trampolinës. Tani imagjinoni gjithë këtë në një strukturë katër dimensione të hapësirës dhe kohës. Nuk është e lehtë, ndaj ne nuk jemi Ajnshtajni dhe ai ishte. Ai ishte i aftë të nxirrte ekuacionin e fushës së gravitetit që tregonte se si materia formëson hapësirën dhe si forma e hapësirës i tregon materies si të lëvizë.

14-Cila ishte mrekullia e vitit e Ajnshtajnit?

Në 1905, Ajnshtajni u diplomua, por nuk ju dha mundësia që tema e tij e doktoraturës të pranohej; as të merrte një post akademik. Kështu ai filloi të punonte me orar të zgjatur, gjashtë herë në javë, si një ekzaminues i nivelit të tretë në zyrat zviceriane të inovacionit shkencor. Gjatë kohës së lirë, ai shkruajti katër teza që lidheshin me fizikën. E para tregonte se drita mund të prodhohej si në formë valësh ashtu dhe si grimca të quajtura fotone. E dyta provonte ekzistencën e atomeve dhe molekulave. E treta, teoria e relativitetit, që thonte se nuk kishte hapësirë apo kohë absolute. Dhe e katërta tregonte një ekuivalencë ndërmjet energjisë dhe masës, që përshkruhet nga ekuacioni i famshëm i fizikës, E=mc2.

15-Si ishte jeta personale e Ajnshtajnit në atë kohë?

Ndihma që ju dha në matematikë, ishte ajo e serbes, Mileva Mari, që ishte e vetmja femër në klasën e tij të fizikës, në universitet. Ata kishin rënë marrëzisht në dashuri me njëri – tjetrin, dhe patën një vajzë të jashtëligjshme, të cilën lejoi ta jepnin për birësim para se ta shihte. Më pas ata u martuan dhe patën dy djem. Eventualisht marrëdhënia e tyre u komplikua dhe Ajnshtajni kërkoi divorcin. Ai i ofroi asaj një marrëveshje: Një nga tezat e tij të 1905, sipas tij, do të fitonin Çmimim Nobel, dhe nëse ajo i jepte divorcin, Ajnshtajni do t’i jepte paratë e fituara nga ky çmim. Pasi u mendua për një javë, ajo pranoi. Për shkak se teoritë e tij ishin mjaft radikale, ai e fitoi këtë çmim vetëm në 1922.

16- Teoria: Si u krijua relativiteti?

Shkencëtarët nuk ishin të sigurtë që herën e parë nëse teoria e relativitetit ishte e saktë. Por Ajnshtajni propozoi një eksperiment dramatik. Gjatë eklipsit të ardhshëm, në 1919, shkencëtarët mund të masnin se si drita e yjeve që kalonte në afërsi të diellit, drejtohej nga graviteti. Lajmet që pasuan ishin: “Dritat që lëvizin shtrembër në Parajsë / Njerëzit e shkencës Më shumë apo më pak të etur për rezultatet e Vëzhgimeve të Eklipsit / Teoria e Ajnshtajnit triumfon”. Dhe e gjithë kjo është shkruar në një kohë kur të paktë ishin ata që dinin të shkruanin mirë. Ajnshtajni u bë i famshëm për kontributin që dha në lindjen e një epoke të re. Ai u bë një shkencëtar i famshëm dhe një ikonë e humanizmit; një nga emrat më të njohur në planet.

17- Ajnshtajni propozon një “kontratë” të çuditshme

Pasi ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet. Ajnshtajni propozoi një “kontratë” të çuditshme për të jetuar me Milevën. Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t’i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Ajo pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër. Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” dhe paratë. Ai i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.

18- Ajnshtajni, i preferuari i grave

Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Loëenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.

19- Pacifisti që shpiku bombën atomike

Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin Manhattan” për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.

20- Ajnshtajni në Shqipëri

E kush mund ta mendonte se fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak orë, Ajshtajni në vitin 1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.

21- Truri shëtiti në kavanoz për 43 vjet

Pas vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpi dhe më vonë u pushua nga puna për shkak se refuzoi ta dorëzonte organin. Shumë vite më vonë, kur Harvey mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley, e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij, që ishte më i madh se normalja, komunikonin më mirë me njëri-tjetrin, për shkak se mungonte një “rrudhë” e quajtur prerja silviane. Studime të tjera sugjerojnë se truri i Ajnshtajnit ishte i dendur dhe se lobi inferior, që ka të bëjë me aftësitë për matematikë, ishte më i madh se truri normal.

22- Saga e trurit të Ajnshtajnit

Në fillim të viteve 1990, shkrimtari Michael Paterniti udhëtoi për në Kaliforni bashkë me doktorin Harvey për të takuar stërmbesën e Ajnshtajnit. Ata udhëtuan nga Neë Jersey me makinë të madhe familjare, ndërkohë që truri i Ajnshtajnit tundej brenda një kavanozi në bagazh. Paterniti disa vite më vonë shkroi për eksperiencën e tij në librin “Në makinë me zotin Albert: Një udhëtim nëpër Amerikë me trurin e Ajnshtajnit”. Në vitin 1998, 85-vjeçari Harvey ia dha trurin doktor Elliot Krauss, patologu i stafit në universitetin “Priceton”, pozicioni që Harvey kishte më parë. Ai thotë: “Pasi e ruajta trurin për dekada sikur të ishte një relike e shenjtë, dhe për shumë ashtu ishte, e lashë më në fund të lirë. Ia dhashë departamentit të patologjisë në qendrën mjekësore të “Princeton”, aty ku Ajnshtajni kaloi 2 dekadat e fundit. U lodha nga përgjegjësia që kisha. Tani jam më i qetë”.

23- S’donte ta lodhte mendjen më shumë nga sa nevojitej dhe pëlqente të rrinte zbathur

Përveç sportit të preferuar, lundrimit (sporti që kërkon më pak energji), Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte shkathtësi mendjeje. Siç tha ai për “Neë York Times”, “Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje”. “Kur isha i ri, zbulova se gishti i madh i këmbës gjithmonë bënte një vrimë në çorape”, tha ai dikur. “Prandaj nuk vesha më çorape”, vazhdon ai.

24- Nuk e ndiqte asnjëherë modën dhe s’ka mësuar kurrë të shkruajë anglisht

Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik. Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo. Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët, Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të “shqiptimit të pabesë”. Kurrë nuk e humbi theksin dallues gjerman “I vill a little t’ink” (I ëill a little think”)

25- Tymoste si oxhak

Një anëtar për jetë i “Klubit të duhanxhinjve me llullë”, në Montreale, Ajnshtajni citohet të ketë thënë: “Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve njerëzore”. Një herë ra në ujë gjatë një ekspedite me barkë, por arriti heroikisht të mos lëshojë nga dora llullën e tij.

26- E kishte zët letërsinë fantastiko-shkencore

Në mënyrë që mos ta ngatërronte me shkencën e pastër dhe t’u jepte njerëzve iluzione false në lidhje me arsyetimin shkencor, ai rekomandoi abstinencë të plotë nga çfarëdolloj letërsie fantastiko-shkencore. Ai gjithashtu sugjeroi se njerëzit që kanë parë disqe fluturuese duhet t’i mbajnë ato për veten e tyre. Ajnshtajni qetësohej në kuzhinën e tij me violinën besnike, duke u munduar me kokëfortësi të improvizonte diçka që të ngjasonte si vijë melodike. Kur nuk ia arrinte, ai rikthehej tek Mozarti.

27- Alkooli nuk ishte droga e preferuar

Në një konferencë për shtyp me mbërritjen e tij në Nju Jork në vitin 1930, ai tha duke bërë shaka për ndalimin me ligj të alkoolit: “Unë s’pi, prandaj për mua njësoj është”. Në të vërtetë, Ajnshtajni ka qenë kritik i hapur ndaj “ligjeve që nuk mund të imponohen”.

28- E barazonte monogaminë me monotoninë

“Të gjitha martesat janë të rrezikshme”, një herë i tha intervistuesit. “Martesa është përpjekja e pasuksesshme për ta bërë diçka të zgjasë nga një incident”. Njihej botërisht se ishte burrë jobesnik, që prirej të binte në dashuri me dikë tjetër pasi sapo kishte shkëmbyer premtimet.

29- Nuk mbante mend ditëlindjet

Me besimin se datëlindjet ishin për fëmijët, qëndrimi i tij përmblidhet në një letër që i shkroi të dashurës Mileva Maric: “E dashur zemra ime e vogël …, së pari urimet e mia të përzemërta për ditëlindjen tënde dje, të cilën e harrova përsëri”.

30- Nuk kishte shtetësi për 5 vite

Ai nuk ishte shtetas i asnjë vendi për gati 5 vite! Që nga viti 1896 (kur refuzoi shtetësinë gjermane në moshën 15-vjeçare) deri në vitin 1901 (kur u bë zviceran).

31- Pse nxori gjuhën në foton e famshme

Ishte ditëlindja e Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh. I lodhur prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t’ia prishte foton. (Sikur të ishte aktor në ditët e sotme do t’ia kishte tërhequr aparatin nga duart). Sigurisht që plani i tij doli huq. Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej fotove të tij më të bukura.

32- Sa ishte kapaciteti i inteligjencës?

Kapaciteti i inteligjencës së Ajnshtajnit ishte 160. Njerëzit e konsideronin të zgjuar. Bill Clinton e ka më të lartë këtë shifër. E vërteta është se kuizet në internet për të vlerësuar inteligjentët u shpikën më vonë, kështu që Ajnshtajni kurrë s’e bëri. Është mirë të themi se ishte shumë më i zgjuar se ne të gjithë bashkë.

33- A besonte Ajnshtajni në Zot?

Ajnshtajni ishte hebre; hebre nga populli i Perëndisë. Ai kundërshtoi natyrën e rastësishme të mekanikës kuantike dhe tha “Perëndia nuk luan me zare”. Ndër frazat më të njohura të tij janë: “Para Zotit jemi të barabartë në zgjuarsi dhe të barabartë në budadallëk”, “Perëndia gjithmonë zgjedh mënyrën më të thjeshtë”, “Dua të di gjithë mendimet e Perëndisë; të gjitha të tjerat janë detaje”. Rregulli i universit ishte provë për të që Perëndia ekzistonte.

34- Pse nuk ishte prezent në çmimin “Nobel”?

Nuk ishte i pranishëm në dhjetor të vitit 1922 për të marrë çmimin “Nobel” në fizikë, sepse ishte në një udhëtim në Japoni. Gjatë kësaj kohe bëri shumë vizita ndërkombëtare. Kishte vizituar Parisin para dhjetorit dhe një vit më vonë vizitoi Palestinën. Pas zbulimit të fundit shkencor, në lidhje me valët dhe materien, në vitin 1924 ai bëri vizita të tjera, por këtë herë në Amerikën e Jugut.

35- Prejardhja e përulur

Ajnshtajni ka lindur në Ulm, Gjermani, më 14 mars të vitit 1879, në adresën “135 Bahnhofstrasse”, e cila më vonë u bombardua nga forcat aleate në vitin 1944. Prindërit e tij ishin hebrenj të shtresës së mesme. Ata quheshin Hermann dhe Pauline.

36- Gjeometria dhe filozofia

Lëndët e preferuara në shkollë ishin gjeometria dhe filozofia. Ai e pëlqente kaq shumë gjeometrinë sa filloi ta studionte në moshën 12-vjeçare. Edhe filozofia ishte e rëndësishme për të, pasi ishte studimi i universit dhe kuptimit të jetës. Kjo e inkurajoi të kërkonte përgjigje. Ai studionte filozofi çdo të enjte me një student mjekësie me emrin Max Talemy, i cili bashkohej me familje e tij për darkë.

37- Puna e parë që bëri

Albertit kurrë nuk i është dashur të punojë derisa familja e tij u zhvendos në Milano, Itali. Atje gjeti punën e parë në një zyrë patentash zvicerane në Bern dhe qëndroi për shtatë vite, duke e përdorur kohën e lirë për të studiuar fizikë dhe për të shkruar artikuj për universitetet lokale.

38-Aspekte të jetës që pëlqente

Natyra dhe muzika zinin vendin e parë. Ajnshtajni pëlqente të shëtiste në natyrë. Shëtitjet e tij ishin koha kur mendohej dhe harronte gjithë botën. Dashurinë për muzikën e mori nga e ëma. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga violina. Kur u bë shumë plak për të luajtur me të, ai ulej dhe dëgjonte muzikën e tij të regjistruar.

39- Ajnshtajni refuzon paratë dhe çfarë urrente

Universiteti “Princeton” i caktoi një shumë për rrogë. Atij i kërkuan ta vendoste vetë këtë shumë. Universiteti kishte vendosur për 10 mijë dollarë në muaj, por Ajnshtajni kërkoi vetëm 3 mijë dollarë. Ai gjithashtu refuzoi pensionin prej 7500 dollarësh në vit, duke e cilësuar si “shumë bujar”. Pensioni u reduktua në 6 mijë dollarë. Me to bleu një shtëpi modeste, ecte për në punë dhe kurrë nuk pati ndonjë makinë. Çfarë urrente? Të vetmet gjëra që nuk donte dot ishin berberi dhe çorapet. Ajnshtajni kurrë nuk e vizitonte berberin se nuk kishte nevojë për model të ri flokësh, i vjetri i pëlqente më shumë. Ai shkruan në vitin 1934: “Jam plotësisht i bindur se asnjë pasuri në botë nuk e ndihmon njerëzimin të përparojë, madje dhe në duart e punëtorit më të devotshëm për këtë punë” dhe “Paratë joshin vetëm egoizmin dhe ftojnë abuzimin”.

40- Shënimet e Teorisë së Relativitetit shiten 6 milionë dollarë

Në vitin 1944, letra e tij ku kishte shkruar Teorinë e Relativitetit, herët në vitin 1905, u nxor në ankand. Ajo mblodhi 6 milionë dollarë dhe sot manuskripti ndodhet në Librarinë e Kongresit. Në ditët e sotme me siguri do ishte shitur për më shumë, por në atë kohë kjo ishte një shifër rekord.

41- Njeriu më miqësor i kohës

Ai lindi në Ulm të Gjermanisë edhe pse familja u zhvendos në disa shtete të ndryshme për të jetuar, ai pëlqente më shumë qytetin e lindjes. Gjatë shëtitjeve të tij në qytet përshëndeste dhe u jepte dorën kujtdo që shihte.

42- Jetëgjatësia

Albert ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Ai u largua më 18 prill të vitit 1955. 22 vitet e fundit të jetës i kaloi në Institutin e Studimeve të Avancuara në Princeton, Neë Jersey. Në atë qytezë të vogël të kolegjit, Alberti ishte një fytyrë e njohur. Çdo ditë, zotëria i sjellshëm me flokët gri dilte nga zyra për në shtëpi dhe gjithmonë ndalej t’u fliste kalimtarëve.

43- Pamja karakteristike

Ai njihej për mjekrën e bardhë si dëborë dhe flokët e çmendura. Por si ishin flokët natyralë? Ato ishin të zeza, ashtu siç dalin në fotografitë e moshës më të re. Duke qenë se në ato kohë të gjitha fotot ishin bardhë e zi, shumë kureshtarë e kanë vënë në dyshim këtë fakt, por ishin të zeza, tipike për hebrenjtë.

44- Pas Gjermanisë në “Oksford”

Në vitin 1921 mori çmimin “Nobel”, por me rritjen e nazizmit ai shkoi në Angli. Atje mësoi në universitetet “Oxford” dhe “Cambridge”, para se të zhvendosej për në SHBA. Me mbërritjen në SHBA Ajnshtajni lëvizi për në Kaliforni, vendi i plazheve dhe dimrave me diell. Atje u bë profesor në Institutin e Teknologjisë në Pasadena, Kaliforni. Gjithashtu dha mësim edhe në universitetin “Princeton”.

45- Kërkoi të largojë bombën atomike

Ajnshtajnit nuk ia priste mendja se ç’do të ndodhte në të ardhmen me bombat bërthamore. Në numrin e nëntorit të vitit 1945, ia adresoi këtë çështje revistës “Atlantic Monthly”; kërkesën e përsëriti në nëntor të vitit 1947. Në lidhje me bombën atomike sugjeroi që t’i dorëzohej një qeverie botërore të themeluar nga Rusia, SHBA-ja dhe Britania. Në kohën kur e shkroi, armët bërthamore nuk ishin kaq të fuqishme sa edhe sot.

46- Sa fëmijë pati dhe ku ndërroi jetë

Gjithsej Ajnshtajni pati tre fëmijë. Një vajzë, Lieserl, dhe dy djem, Eduard dhe Albert. Alberti i ri më vonë u bë profesor inxhinierie në universitetin “Berkley”. Djali i tij Eduart ishte skizofrenik. Gruaja e dytë kishte dy fëmijë, Ilse dhe Margot. Ajnshtajni vdiq në vitin 1955 në spitalin e “Princeton”. Truri iu hoq për studim dhe iu ruajt në Wichita, Kansas. Atje u vendos në laboratorin e doktor Thomas Harvey, ish-shefi patolog i universitetit “Princeton”.

47- Ç’do të thotë E=mc2 dhe çfarë tregon ekuacioni

Ajnshtajni e përmblodhi teorinë speciale të relativitetit në një revistë disa vite më vonë me ekuacionin legjendar E=mc2. Ky ekuacion përkthehet, Energjia=masa e shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror. Masa përmban sasi të mëdha energjie. Çfarë tregon ekuacioni? Marie Curie zbuloi se një ons (28,35 gramë) radiumi nxirrte 4 mijë kalori/në orë në mënyrë të papërcaktuar. E=mc2 është baza e zbulimit se si dielli dhe yjet kanë rrezatuar dritë dhe nxehtësi gjatë mijëvjeçarëve, dhe për tmerrin e Ajnshtajnit, ky ekuacion sjell edhe prodhimin e bombës atomike.

48- Çmimet e tjera “Nobel”

17 vite pas botimit të Relativitetit, në vitin 1922 Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” për Shërbimin ndaj Fizikës Teorike. Kishte disa arsye pse çmimin “Nobel” nuk iu dha aq shpesh. Relativiteti në atë kohë ishte mjaft kontroversal dhe teorik. Nuk mund të provohej. Fakti që gjykatësit nuk mund ta kuptonin ishte problem më vete.

49- I ndjekur nga “FBI”-ja

Edgar Hoover dyshonte se Ajnshtajni ishte komunist. Ai shpenzoi mijëra orë për ta bindur “FBI”-në ta dënonte Ajnshtajnin, por pa sukses. Edhe pse Hoover dyshonte se ai ishte komunist, ai kurrë s’do të miratonte përgjimin e telefonave apo të postës. Pas shumë orëve kërkimi, Hoover e braktisi çështjen kundër tij dhe sekretares së Ajnshtajnit, Helen Dukas. Ata kishin mbledhur aq shumë dosje sa preknin tavanin, por asnjëra nuk provonte gjë. Më vonë, miqtë thonë se Ajnshtajni qeshte me këtë histori.

50- “Njeriu i Shekullit”, nga “Time”

Revista amerikane “Time”, në vitin 1999 e emëroi si “Personi i Shekullit”. Në kulturën e gjerë emri Ajnshtajn është bërë sinonimi i gjeniut. Përveç trurit të tij nuk ka mbetur asgjë e prekshme, pasi hiri u hodh në një lumë në SHBA./Tirana Observer / KultPlus.com