Njerëz të besuar të Hollivudit kanë paralajmëruar se Los Anxhelesi është në rrezik të bëhet Detroiti i ardhshëm, mes frikës se statusi i qytetit, prej dekadash si kryeqyteti i televizionit dhe filmit, mund të ketë fund të shpejtë nëse prodhimet argëtuese nuk marrin stimuj të menjëhershëm për lehtësimin e taksave, sipas realtor.com.
Mes një rritje të madhe të numrit të të famshmëve që largohen nga LA në vende si Teksasi dhe Florida, punonjësit e industrisë tani kanë ngritur alarmin për rënien e madhe të numrit të projekteve argëtuese që po kryhen në Hollivud dhe në të gjithë Kaliforninë.
Këto frikëra ishin fokusi i një takimi më 14 prill, ku ligjvënësit dhe producentët e filmave kërkuan ndryshime në stimujt tatimorë të prodhimit argëtues të shtetit për të mbuluar deri në 35% të shpenzimeve të kualifikuara dhe duke zgjeruar gjithashtu gamën e produksioneve që do të merrnin këto subvencione.
“Nuk është hiperbolë të thuash se nëse nuk veprojmë, industria e filmit dhe televizionit në Kaliforni do të bëhet makina e ardhshme e Detroitit”, tha producentja Noelle Stehman, një anëtare e fushatës “Stay in LA” e cila foli në ngjarje, sipas ”The Hollywood Reporter”.
Detroit dikur shihej si qendra e prodhimit të automjeteve të Amerikës, me tre prodhues të mëdhenj makinash me seli atje si ”General Motors”, ”Ford” dhe ”Chrysler” (tani i njohur si ”Stellantis”).
Megjithatë, në vitet 1960, ato kompani filluan të zhvendosnin fabrikat e tyre në periferi, duke marrë me vete një numër të madh punëtorësh dhe ish-banorë të Detroitit.
Tani, Stehman beson se industria e argëtimit të Los Anxhelesit mund të ecë në të njëjtën mënyrë, pasi tashmë ka humbur terren të madh ndaj konkurrentëve të saj vitet e fundit.
Ndërsa shumë drejtues të argëtimit jetojnë në Los Anxheles, senatori i shtetit, Ben Allen tha se kjo do të bëjë pak për të ndihmuar qytetin të mbajë pjesën e luanit të prodhimeve nëse kostot e strehimit në qytet janë shumë të larta për punëtorët e klasës së mesme.
“Studiove nuk u intereson se ku e bëjnë punën. Ato do ta bëjnë atë kudo”, tha ai në këtë ngjarje.
“Ato janë ende duke prodhuar shfaqje. Ajo që shumë kolegë tanë thjesht nuk e kuptojnë është se ky është një problem i klasës së mesme”, shtoi ai.
Problemi i klasës së mesme të cilit i referohet Allen është kostoja e lartë e jetesës në Los Anxheles.
Të ardhurat mesatare në qytet janë aktualisht 95 625 dollarë, por çmimi mesatar i shitjes së shtëpisë në 2025 është pothuajse 10 herë më i lartë (965 300 dollarë).
Ky numër është rritur me gati 50% nga 10 vjet më parë, kur të ardhurat mesatare ishin 63 000 dollarë dhe çmimi mesatar i shitjes së shtëpisë ishte 525 000 dollarë.
Punonjësit e argëtimit kanë kërkuar prej kohësh që Kalifornia të ofrojë stimuj taksash më të mëdha dhe më të disponueshme, me mbështetjen e guvernatorit Gavin Newsom, i cili u zotua në tetor 2024 të rrisë stimujt e filmit nga kufiri aktual prej 330 milionë dollarë në 750 milionë dollarë.
Ligjvënësit shpresojnë se mund ta mbajnë industrinë e filmit dhe televizionit të lulëzuar duke ofruar lehtësim taksash.
Fatura e propozuar e ”Newsom-it SB630” do të rrisë gjithashtu kredinë në 35% duke zgjeruar kategorinë e prodhimeve që kualifikohen për të përfshirë tituj të animuar, shfaqje më të shkurtra televizive dhe disa projekte të tjera.
Një raport i fundit nga organizata jofitimprurëse FilmLA tregoi se prodhimi në Los Anxheles u ul me 22 4% në tremujorin e parë të 2025 kundrejt të njëjtës periudhë në 2024.
Këto prodhime përfshinin reklama, filma artistikë dhe shfaqje televizive – me raportin që tregon se rënia e numrit kishte pak të bënte me zjarret e fundit në Kaliforni, të cilat prekën kryesisht zonat që përdoren rrallë si lokacione xhirimesh.
“Humbja e mundësisë së xhirimit në asnjë mënyrë nuk krahasohet me koston e zjarreve për sa i përket humbjeve të jetëve, zhvendosjes së banorëve dhe dëmtimit të pronës”, tha në një deklaratë zëvendëspresidenti i FilmLA për Komunikim të Integruar, Philip Sokoloski.
“Zjarret detyruan shumë produksione të përpiqeshin të riplanifikonin xhirimet dhe zhvendosën qindra punëtorë të industrisë nga shtëpitë e tyre. Por ndikimi i tyre në nivelet lokale të xhirimeve duket se ka qenë i përkohshëm”, theksoi ai./ KultPlus.com
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër,- Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërceva jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen, I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them.
Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem, Se më mungon dhe të mendoj. Po s’të kërkoj. Madje s’të shkruaj as njatjeta. Nuk di si je. Dhe më mungon ta di.
Ke projekte? Buzëqeshe sot? Ç’ëndërrove? Do dalësh? Ku do t’shkosh? Ke ëndrra? A hëngre?.
Do t’më pëlqente të mund të kërkoja. Po s’kam forcë. Dhe as ti nuk e ke. Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.
“Dhe mendojmë. Dhe kujtomë. Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.
Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Shtëpia e Bardhë ka postuar një faqe të re mbi origjinën e koronavirusit në faqen e saj zyrtare, në të cilën mbështet teorinë se Covid-19 e ka origjinën në një laborator.
Faqja, e cila i ngjan një posteri filmi të Hollivudit, shfaq titullin “Lab Leak” me shkronja të mëdha.
Midis këtyre dy fjalëve qëndron një president amerikan me pamje të vendosur, Donald Trump.
Nën titullin e saj shkruhet ”Origjina e vërtetë e Covid-19”, ku togfjalëshi Covid-19 është shkruar me shkrim dore.
Faqja akuzon median, politikanët, autoritetet shëndetësore dhe imunologun amerikan Anthony Fauci për përhapjen e teorisë se virusi ka origjinën natyrale.
Ai gjithashtu pretendon se ka shumë prova që virusi e ka origjinën në një laborator në metropolin kinez të Wuhanit.
Më shumë se pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, është ende e paqartë nëse virusi u hodh nga kafshët te njerëzit apo e kishte origjinën në një laborator në Kinë.
Faqja e internetit kritikon gjithashtu rregullat më të rëndësishme nga periudha e koronavirusit – si distancimi social, mbajtja e maskave dhe bllokimet – si të gabuara.
Në janar, një nga veprimet e para të drejtorit të ri të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA), John Ratcliffe, ishte ndryshimi i vlerësimit të agjencisë së tij për origjinën e koronavirusit, duke pohuar se ka të ngjarë të ishte një aksident laboratorik.
CIA vlerëson se një origjinë e lidhur me kërkimin e pandemisë Covid-19 ka më shumë gjasa se një origjinë natyrore.
Në fillim të dhjetorit, një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së paraqiti një raport që mbështeste teorinë e laboratorit.
Lothar Wieler, ish-presidenti i institutit ”Robert Koch” të Gjermanisë (RKI) gjithashtu e konsideron teorinë laboratorike si më të mundshme, në një prononcim për edicionin e së dielës të gazetës gjermane ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”./ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e festës së Pashkës, duke përcjellë një mesazh të mbushur me shpresë, paqe dhe solidaritet.
“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë! Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat,” shkruan Presidenti në urimin e publikuar në rrjetet sociale.
Kreu i shtetit ka përfshirë në urimin e tij të gjithë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, duke u dëshiruar atyre një festë të ndriçuar nga drita dhe e mbushur me bekime familjare.
“Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemër dhe që kanë nevojë!”, përfundon Presidenti Begaj, i cili ka ndarë gjithashtu edhe një fotografi të një shporte festive të përgatitur nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës./ KultPlus.com
Futbollisti nga Guinea, Serhou Guirassy, i ekipit gjerman Borussia Dortmund, gjendet në krye të listës së golashënuesve më të mirë në UEFA Ligën e Kampionëve me 13 gola, pavarësisht se ekipi i tij u eliminua nga turneu para gjysmëfinales.
Skuadra gjermane humbi 4-0 nga Barcelona e Spanjës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe u eliminua pavarësisht se fitoi ndaj ekipit kundërshtar 3-1 në ndeshjen kthyese me golat e Guirassy.
Edhe pse gjendet në krye të tabelës me hat-trick të shënuar kundër Barcelonës, futbollisti 28-vjeçar guinean, shpejt mund të humb vendin e tij, pasi dy futbollistë të klubit spanjoll po e ndjekin atë prej afër.
Në garën për golashënuesin më të mirë përpara gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve paraqitjet e anësorit të majtë brazilian 28-vjeçar të Barcelonës, Raphinha dhe sulmuesit polak 36-vjeçar nga e njëjta skuadër, Robert Lewandowski, po tërheqin vëmendjen.
Në Barcelona, ekipi me më së shumti gola të shënuara këtë sezon, Raphinha gjendet në vend të dytë me 12 gola, kurse Lewandowski me 11 në rend të tretë.
Barcelona është skuadra që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon në Ligën e Kampionëve, me 37 gola të shënuar deri në gjysmëfinale. Klubet gjermane Borussia Dortmund dhe Bayern Munich ndjekin skuadrën spanjolle me nga 31 gola secili.
Përfaqësuesi anglez Arsenal dhe ai francez PSG që do të përballen në gjysmëfinale kanë shënuar nga 30 gola. Klubi italian Inter, me 19 gola arriti të ngjitet deri në gjysmëfinale.
Në gjysmë finale do të përballet Barcelona me Interin, si ekipet me më së shumti dhe më së paku gola të shënuar deri në fazën e çerekfinales.
Futbollistët që gjenden në tre vendet e para ndeshjeve të gjysmëfinales janë Serhou Guirassy me 13 gola, Raphinha me 12 dhe Lewandowski me 11 gola./ KultPlus.com
Artur Lekbello, një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar është nderuar me titullin “Legjendë e Futbollit”. Për shkak të problemeve shëndetësore, ish-mbrojtësi nuk ka pasur mundësi të tërhiqte titullin në Shqipëri.
Për të nderuar dhe respektuar kontributin e tij, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe zyrtarë të tjerë të FSHF-së udhëtuan drejt Selanikut, ku u takuan me Lekbellon për t’i dorëzuar atij zyrtarisht titullin “Legjendë e futbollit”.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast dhe në një atmosferë shumë miqësore, ku morën pjesë edhe familjarë e miq të ish-futbollistit, Presidenti Duka i shprehu mirënjohjen e tij Artur Lekbellos për karrierën e jashtëzakonshme dhe gjurmën që ka lënë në futbollin shqiptar.
Artur Lekbello ka qenë një nga mbrojtësit më të spikatur të futbollit shqiptar në vitet 80’-90’. Ai ka luajtur 30 ndeshje me Kombëtaren. Në rang klubesh, Artur Lekbello ka luajtur për ekipin e 17 Nëntorit dhe Arisit të Selanikut./ KultPlus.com
“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison
“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen
“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës”– Charles Darwin
“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt
“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson
“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden
“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou
“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn
“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn
“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany
“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / KultPlus.com
Nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, vjen sërish një prej ngjarjeve më të mëdha skenike në rajon dhe më gjerë, Festivali Ndërkombëtar i Monodramës – MONOAKT.
Edicioni i shtatëmbëdhjetë do të mbahet më 08 deri më 13 Qershor në Prishtinë.
“Një javë e mbushur me art, emocione të fuqishme dhe performanca të jashtëzakonshme nga artistë të mrekullueshëm nga e gjithë bota”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Johann Christian Friedrich Hölderlin (1770 – 1843), poet gjerman, i konsideruar pothuajse njëzëri njëri prej poetëve më të mëdhenj të letërsisë botërore
HARDT, DETAJ
Hölderlin
Pylli bie teposhtë,
gjethe të luhatura të mbështjella
të ngjashme me burbuqthet,
tej më poshtë fusha në lule
ka bukur shumë për të treguar
ngaqë nëpër të ka ecur
Ulrichi. Bën vaki shpeshherë
që një fat i madh
ta pjekë mendimin
ndërkohë që është në udhëtim
në një vend koti.
Shënim:
Kjo poezi bën pjesë në ciklin poetik të ‘këngëve të natës’. Hardt është lokalitet pak kilometra larg Nurtingenit, në drejtim të Denkendorffit, bukur i shetrenjtë për fëmijërinë e Hölderlinit, i cili madje ia përmend në një letër të kohëve të lume: «Duke qëndruar në atë vend, (pylli i Teutoburgut), vrisja mendjen për atë pasditën e bukur të majit kur në malin e Hardtit, në shoqërinë e një shtambe me sidër, lexonim bashkërisht mbi karmë betejën e Arminit» (13 tetor 1796). Sipas traditës këtu u strehuar, i ndjekur dhe pa tokë më (‘ikja’, nga librat e Samuelit e tutje, duket të jetë një temë e vazhdueshme e eposit), aventurieri Ulrico, duka i Württembergut (1487-1550), mbase një lloj i Goetzit që caruit vate sacro, në betejë të përhershme me fshatarët, gratë e dëshiruara dhe Karli V. Detaj epik, i tëri heimatlich, nga i cili është i çmueshëm mbi të gjitha plotësia e vetëdijshme.
/Marrë nga Holderlin, Tutte le liriche (a cura di Enzo Mandruzzato), Adelphi, 2025 /Gazeta Express/ KultPlus.com
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ardhjen e Saz’isos në Prishtinë, ngjarje kjo ku qytetarët mund të përjetojnë shpirtin e thellë të Shqipërisë së Jugut me Saz’iso, grupin e muzikantëve virtuozë dhe këngëtarëve legjendarë.
Mbrapa këtij grupi muzikor qëndrojnë emra të njohur si Edit Pula dhe Andrea Goertler, të cilët së bashku me producentin legjendar Joe Boyd dhe inxhinierin fitues të çmimit Grammy, Jerry Boys, kanë formësuar tingullin e veçantë të Saz’isos.
Më në fund vjen prova se Marsi ka qenë i banueshëm.
Këto nuk janë mbetje të formave të jetës, por depozita të mëdha karbonatesh ose mineralesh të prodhuara nga CO2 i pranishëm në atmosferën e planetit, kur ai ishte ende i ngrohtë dhe i pasur me oqeane.
Depozitat e karbonateve tregojnë se cikli i karbonit ka qenë aktiv në Mars në të kaluarën, domethënë ka ndodhur procesi i shkëmbimit të karbonit midis atmosferës, oqeaneve dhe tokës, i cili është thelbësor për jetën.
Zbulimi është publikuar në revistën ”Science”, e cila i kushton edhe kopertinën dhe është koordinuar nga grupi nga Universiteti Kanadez i Calgaryt, i drejtuar nga Benjamin Tutolo.
“Ky është një zbulim befasues dhe i rëndësishëm sepse na tregon se planeti ishte i banueshëm”, thekson Tutolo.
Depozitat u gjetën nga roveri ”Curiosity” i NASA-s, i cili që nga viti 2012 ka eksploruar një nga vendet më magjepsëse në planet, kraterin Gale, i cili besohet se dikur ka qenë ”i pushtuar” nga një liqen i madh.
Falë kërkimeve të kryera deri më tani në Mars nga roverët dhe satelitët, ne e dimë se planeti dikur kishte një atmosferë më të trashë se sa sot, dhe lumenj dhe dete në sipërfaqen e tij.
Megjithatë, deri më tani, vetëm sasi të vogla karbonatesh janë gjetur në sipërfaqen e Marsit.
Pas vitesh kampionimi, ”Curiosity” u ka dërguar studiuesve të dhënat që ata kanë ndjekur prej vitesh, të cilat tregojnë se Marsi përmban depozita sideriti (karbonat hekuri) në përqendrime të larta brenda shtresave të pasura me sulfat magnezi./atsh/ KultPlus.com
Një nga ndërtesat më emblematike të qytetit të Maliqit, Kinemaja e ndërtuar në vitin 1952, po merr jetë të re falë një procesi tërësor rikonstruksioni që ruan identitetin historik dhe arkitekturën origjinale të godinës.
Objekti është kthyer në një qendër multifunksionale që do të shërbejë si kinema, teatër kukullash dhe hapësirë komunitare për banorët e të gjitha moshave.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë vizitës në objekt, sugjeroi adoptimin e një koncepti dizajni të ngjashëm me kinemanë e Shkodrës për hyrjen e godinës, duke i dhënë asaj një identitet të ri vizual në përputhje me funksionin kulturor që pritet të marrë.
Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq, u shpreh se investimi është ndarë në dy faza, ku faza e parë u realizua nga vetë bashkia, ndërsa aktualisht është në zbatim faza e dytë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
“Kemi ruajtur elementët arkitektonikë origjinalë që nga ndërtimi i saj në vitin ’52 nga rusët, por njëkohësisht kemi futur edhe elementë modernë që e bëjnë funksionale dhe bashkëkohore,” theksoi Topçiu.
Sipas projektit, godina përfshin një sallë shfaqjesh të modernizuar, një holl tradicional pir mbrëmjet artistike dhe një risi në katin e tretë, një teatër kukullash për fëmijë. Kinemaja e Maliqit pritet të kthehet në një pikë referimi kulturore për qytetin dhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com
“Ali Podrimja” dhe “Shprehësi të e Strukturave” janë dy librat më të rinj të profesor Bashkim Kuçukut që u promovuan së fundmi në librarinë “Onufri”.
Veprat studimore hedhin dritë mbi krijimtarinë poetike të emrave të njohur të letërsisë Ali Podrimjës dhe Martin Camajt duke analizuar thellësisht strukturat, simbolikën dhe stilin e tyre të veçantë.
Akademikja Floresha Dado e prezantoi studimin e Bashkim Kuçukut për poezinë e Martin Camajt në një ligjeratë shkencore.
“Qasja ndaj lirikës së Martin Camajt bëhet më përfshirëse sepse është e dukshme që analiza simiotike kombinohet me qasjen simboliste në mënyrë të posaçme. Kjo sjellë depërtim më të thellë në poezitë e Camajt. Analiza simiotike zhytet në kuptimësinë e brendshme të figurës. Qasja simiotke thellohet brenda një sistemi metaforik”,-tha Floresha Dado.
Ndërsa gjatë fjalës së tij, autori Bashkim Kuçuku u shpreh se qëllimi i tij është të përqendrohet te teksti.
“Unë nuk jam nisur nga metoda strukturaliste. Unë përqendrohem te teksti, nuk përcaktoj unë metodën. Jam besnik i tekstit. Deri te 43”
Ndërkohë të pranishmit vlerësuan kontributin e Kuçukut si një ndër studiuesit më të përkushtuar të letërsisë shqipe.
“ Profesor Bashkim Kuçuku është nga ato zëra që ka ndërtuar për vite një urë të heshtur por të qëndrueshme mes të kaluarës dhe të ardhmes së vendit mes mjedisve të botës shqiptare dhe brendësisë së njeriut dhe bashkësisë që ai I përket”,-tha Viola Isufaj.
Në promovim pati dhe diskutime mbi rolin e tij në zhvillimin e poezisë shqipe pas viteve ’70.
Vetëm tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe ekziston një vend i bukur ballkanik me 300 ditë me diell në vit, shkruan Schannell Kanyora në të përditshmen britanike “Express”.
Spanja është destinacioni kryesor për turistët britanikë kur bëhet fjalë për pushimet me diell – Costa Del Sol ofron mot të ngrohtë në pjesën më të madhe të vitit.
Por pak më larg, ndodhet një destinacion që krenohet me mbi 300 ditë me diell në vit…dhe çmime shumë më të lira.
Riviera Shqiptare është një destinacion i domosdoshëm për adhuruesit e plazhit apo këdo që kërkon një klimë më të ngrohtë, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Ky rajon piktoresk bregdetar, i vendosur në Shqipërinë jugperëndimore përgjatë detit Jon, është i njohur për ujërat e tij të pastra kristal, plazhet e pacënuara dhe peizazhet mahnitëse që shtrihen nga qyteti i Vlorës deri në fshatin e Ksamilit.
Në Spanjë, kostoja mesatare e një hoteli me katër yje është 185-207 paund në natë.
“Drejtohuni në lindje drejt Rivierës Shqiptare dhe do të gjeni të njëjtën dhomë që kushton rreth 85 paund në natë”, sipas Booking.com.
Riviera Shqiptare është e mbushur me fshatra mahnitës si Palasë, Dhërmiu, Himara dhe Ksamili, ndër të tjera.
Muajt më të mirë për të vizituar Rivierën Shqiptare është maji, qershori ose shtatori.
Gjatë kësaj periudhe, moti është i ngrohtë dhe plazhet nuk janë shumë të populluara.
Ka shumë mundësi aktivitetesh që mund të bëni gjatë vizitës tuaj në këtë rajon idilik, me një gamë të gjerë plazhesh të bukura për t’u vizituar:
Plazhi i Ksamilit: I famshëm për ujërat e tij të kristalta dhe ishujt e afërt
Plazhi Filikuri: I aksesueshëm me varkë ose shtegut, ofron rërë të pacenuar dhe ujëra të pastra
Plazhi i Jalës: Një plazh në formë gjysmë hëne me ujëra të kaltra
Plazhi i Gjipesë: I njohur për mjedisin e tij unik dhe pamjet mahnitëse
Plazhi i Himarës: Një gji me guralecë në fshatin e peshkimit të Himarës
Plazhi i Dhërmiut: Ofron një sfond mahnitës malor
Këto plazhe ofrojnë një përvojë emocionuese krahasuar me pikat e tjera të nxehta të Mesdheut, duke ruajtur një bukuri autentike dhe të paprekur.
Ekspertja e udhëtimeve, Emma Hurren rekomandon Rivierën Shqiptare si një nga vendet e saj të preferuara për të zhvilluar një itinerar.
“Vizitoni Shqipërinë nga veriu në jug. Nisni turin tuaj në Vlorë, qyteti i tretë më i populluar në Shqipëri dhe një vend i njohur për ata që do të udhëtojnë në Rivierën Shqiptare”, tha ekspertja.
“Më pas, udhëtoni drejt jugut në Parkun Kombëtar të Llogorasë – një nga atraksionet kryesore të maleve shqiptare. Aty do të gjeni pyje të dendura ku dreri, derri i egër dhe ujqërit bredhin të lirë, së bashku me disa shtigje ecjeje që ofron parku”, shtoi ajo.
“Vazhdoni turin tuaj në Dhermi, në një nga vendet e mia të preferuara përgjatë Rivierës Shqiptare. Atmosfera e gjallë dhe jeta e natës e qytetit, kombinohen bukur me peizazhin e tij mahnitës përreth, duke përfshirë malet dhe ullishtat”, tha ajo.
Qyteti i Sarandës ofron një ndërthurje të historisë, plazheve të bukura dhe kulturës së gjallë, kështu që nuk është çudi që ekspertët e kanë përfshirë në listën e tyre. Këtu do të gjeni qasje të lehtë në ishullin grek të Korfuzit, duke lejuar udhëtime ditore ose ekskursione më të gjata.
Gjithashtu, mos humbisni një vizitë të fundit në “Maldivet e Shqipërisë” – Ksamil.
Nëse jeni duke kërkuar një vend ku mund të uleni buzë plazhit gjatë gjithë ditës, dhe më pas në mbrëmje të keni një darkë të qetë në një restorant – ky fshat i bukur nuk do të jetë asgjë më pak se një ëndërr. /atsh/ KultPlus.com
Ditari në dy vëllime i Tolstojt i përgatitur nga R. F. Christian përfshin vitet (vëllim i parë)1847-1894 dhe (vëllimi i dytë) 1895-1910. Këto qindra faqe pasqyrojnë preokupimet e autorit si shkrimtar dhe zhvillimin e tij si person dhe mendimtar. Në to po ashtu gjejmë edhe qëndrimin e tij ndaj problemeve shoqërore, jetës rurale, industrializimit, edukimit dhe më vonë çështjeve religjioze dhe shpirtërore
3 janar, Nikolskoje
Olsufjevët1. U nisëm siç e kishim bërë me plan me të parin. Punova në tregimin Padroni dhe argati deri në momentet e fundit. Artistikisht tash është për t’u pasur parasysh, por prapë i dobët në përmbajtje. Ajo puna me fotografitë është bukur e trishtueshme. Të gjithë janë të ofenduar. I shkrova një letër Çerkovit2. Edhe para kësaj nuk u ndjeva mirë dhe nuk isha mirë dhe isha i ligësht edhe kur i nisëm. Arritëm në formë të mirë. Të nesërmen dhe sot nuk bëra asgjë – lexova, shëtita dhe fjeta. Dje patëm një kuvendim të gjallë rreth ortodoksisë. I gjithë pështjellimi i të kuptuarit vjen si rezultat i faktit se njerëzit nuk e dinë se të jetosh është të jesh pjesë e procesit të përmirësimit të vetvetes dhe përmirësimit të jetës. Ji më i mirë dhe bëje jetën më të mirë. S’kam mbajtur shënime këtyre ditëve të fundit. Ora ka vajtur tetë e mëngjesit – po më flihet.
Sot është 6 janar, Nikolskoje.
Jam bukur mirë dhe kam nisur të punoj përsëri me katekizmin: dje dhe sot. Më intereson bukur fort dhe e ndiej goxha afër zemrës, porse ende s’po mund të gjej formën e duhur dhe jam i pakënaqur. E lexova tregimin tim pardje në mbrëmje. U hëngra me fjalë dy herë me Dmitri Adamoviçin4. E ka organizuar për veten e vet një formë të shërbimit praktik te njerëzit me një shpirt sllavofil, do të thotë një dyshek me pupla ku mund të shtrihet, jo të punojë. Çështja është se ata e konsiderojnë jetën si diçka statike dhe jo të rrjedhshme. Dje mendova për diçka shumë të rëndësishme, por e kam harruar. Mihail Adamoviçi5 përnjëmend është i frikësuar nga Tanja. Një turp i vërtetë. E ajo është aq e hajthme dhe e zbehtë.
Mora shumë letra të këndshme: nga Kenworthy, Sergejenko6 dhe dhe Stadling. Vrava mendjen pak…
Ora është tash 6 e mbrëmjes. Do të dal të eci pak dhe të shoh edhe pemën e Krishtlindjeve. Sot shkova në spital dhe isha i pranishëm në një operim.
29 janar, Moskë
S’kam shkruar në ditar ka tre javë. Kalova mirë te Olsufjevët. Isha kryesisht i zënë me tregimin. Ende s’e kam përfunduar, megjithëse është në bocë. Një ngjarje e rëndësishme që, kam frikë, s’do të jetë pa pasoja për mua është fjalimi kokëkrisur i Carit7. Shkuam në takimin e Shakovskit. S’duhej ta kishim bërë. Është e gjitha budallallëk dhe është e qartë se organizata e paralizon fuqinë e individëve8…
Sot është 7 shkurt, ora është 11 në mëngjes, Moskë…
Ka kaluar më shumë se një javë. Gjatë kësaj kohe kam shkruar një parathënie të shkurtër për biografinë e Drozhzhinit dhe kam vazhduar ta rishikoj tregimin tim. Tregim i pafat. Shkak u bë një stuhi e tmerrshme nga ana e Sanjës që shpërtheu dje. Nuk ndihej mirë, ndihej ligësht dhe e rraskapitur pas sëmundjes së Vaneçkës së dashur dhe as unë s’kam qenë mirë këtyre ditëve të fundit. Filloi kur ajo filloi të kopjonte bocat. Kur e pyeta pse… [Një faqe e ditarit këtu është shqyer].
Ndihmomë të mos E braktis, të mos harroj kush jam unë, ose çka dhe pse jam. Ndihmomë. Sado që gjatë kësaj kohe: […]
Gjendja e pjesës më të madhe të njerëzve të edukuar në dashurinë e vërtetë vëllazërore dhe tash e shtypur nga mashtrimi dhe dinakëria e atyre që e ushtrojnë pushtetin dhe e detyrojnë këtë shumicë të shkatërrojë jetën e vet – kjo gjendje pra është e tmerrshme dhe duket se nuk ka shpëtim prej saj. Vetëm dy mënyra nxjerrin kokën dhe që të dyja janë të përjashtuara: njëra është të luftohet dhuna me dhuna, terror, dinamit dhe kama siç kanë bërë nihilistët dhe anarkistët tonë, për të mposhtur konspiracionin e qeverive ndaj popujve, pa pjesëmarrjen tonë: tjetra është të ketë ujdi me qeverinë, t’i bëhen lëshime, duke marrë pjesë në të, të shthuret shkallë-shkallë rrjeta që i mban njerëzit të mbërthyer fort dhe të largohet tutje. Që të dy mënyrat janë të përjashtuara.
Dinamiti dhe kamat, siç na tregon përvoja, vetëm sa provokojnë reaksione dhe e shkatërrojnë pushtetin më të vlefshëm, pushtetin e vetëm në kontrollin tonë – opinionin publik; mënyra tjetër përjashtohet nga fakti se qeveritë tashmë kanë arritur të marrin vesh se sa gjatë duhet ta tolerojnë pjesëmarrjen e njerëzve që duan t’i reformojnë. Ato e tolerojnë vetëm atë që nuk i shkatërron gjërat esenciale dhe janë shumë sensitive ndaj asaj që është e dëmshme për ta, sensitiv ngase ka të bëjë me vetë ekzistencën e tyre të vërtetë. Tolerojnë njerëz që nuk pajtohen me to dhe duan ta reformojnë qeverinë, jo vetëm me qëllim që të kënaqin kërkesat e këtyre njerëzve, por po ashtu për hatër të vetes së vet, për hatër të qeverisë. Ata njerëz do të mund të ishin të rrezikshëm për qeveritë nëse do të mbeteshin jashtë atyre qeverive dhe të ngrihen kundër tyre; do të mund të forconin atë mjet që është më i fortë se qeveritë – opinionin publik – kështu që kanë nevojë t’i mbajnë këta njerëz nën kujdes, t’i blejnë përmes lëshimeve që ua bën qeveria, duke i bërë më të padëmshëm si mikrobe të kulturave – pastaj t’i përdorin për t’iu shërbyer qëllimeve të qeverive, do të thotë shtypjes dhe shfrytëzimit të njerëzve.
Që të dy mënyrat e dhëna janë të përjashtuara vendosmërisht dhe papërshkueshmërisht. Çfarë mbetet atëherë? Nuk mund ta luftosh dhunën me dhunë – e shton reaksionin; as nuk mund t’iu bashkohesh rangjeve të qeverisë – bëhesh instrument i qeverisë. Mbetet vetëm një gjë: të luftohet qeveria me mjetet e mendimit, fjalën dhe mënyrën e të jetuarit, jo duke i bërë lëshime, jo duke iu bashkuar rangjeve të saj, jo duke e rritur pushtetin e saj. Kjo është një gjë e domosdoshme dhe me gjasë do të jetë e suksesshme. Dhe kjo është ajo çka do Zoti dhe kjo është ajo që na mëson Krishti.
Duke parë atë që ndodh në të gjitha tubimet dhe çka ndodh në një shoqëri me argëtimet dhe vetitë e saj konvencionale, më ra në kokë bukur fort mendimi që, besoj, nuk më kishte ardhur kurrë më parë, se vetëm e keqja bëhet në grup, ose turmë ose në tubim. E mira bëhet vetëm nga secili person ndaras. […]
15 shkurt
Zoti më ka ndihur; më ka ndihur në atë se Ai e ka manifestuar Veten e tij tek unë, megjithëse në mënyrë të vagullt, përmes dashurisë – dashurisë ndaj atyre që na bëjnë keq, do të thotë dashurisë së vetme të vërtetë. Posa kjo ndjesi e manifestoi veten, fillimisht më mbizotëroi dhe më ndezi mua pastaj po ashtu edhe ata afër meje dhe gjithçka u zhduk, do të thotë u zhduk vuajtja.
Ditëve në vijim gjërat u përkeqësuan. Ajo qe vendosmërisht afër marrëzisë dhe vetëvrasjes. Fëmijët e ndoqën në këmbë dhe me karrocë dhe e kthyen në shtëpi. Po vuante tmerrësisht. Qe djalli i xhelozisë, xhelozisë së pabazë dhe të pamend. Më duhej vetëm ta doja prapë, për mua, që t’i kuptoja arsyet e saj dhe të kuptuarit e arsyeve të saj nuk ishte çështje e faljes së saj, por të mos pasurit çka të falësh. Ia dërgova tregimin Northern Heraldit dhe do të botohet prej dhe po ashtu edhe në The Intermediary. I përfundova tri përralla dhe i dërgova.
Shënime:
1) Tolstoj dhe vajza e tij Tatjana ishin mysafirë tek Olsufjevët nga 1 deri më 18 janar.
2) Sonja i kishte bërë vërejtje Tolstojt se kishte rënë në nivelin e ‘tolstojanëve’, duke u fotografuar me ta.
3) Padroni dhe argati.
4) D.A. Olsufjev, njëri prej bijve të Olsufjevit.
5) M.A. Olsufjev, djali tjetër, pas të cilit ishte e dhënë Tatjana.
6) A.P. Sergejenko, shkrimtar dhe vizitues i shpeshtë i tolstojëve. Librat e tij përfshinin ‘Si jeton dhe punon konti Tolstoj’ dhe ‘Tolstoj dhe bashkëkohanikët e tij’. Ka botuar po ashtu tri vëllime me letra të Tolstojt.
7) Në fjalimin e 17 janarit 1895, Nikollai II iu referua diskutimeve rreth pjesëmarrjes së mundshme të Zemstva-s në punën e qeverisë si një ‘ëndërr e pakuptimtë’ dhe e bëri të qartë se e kishte ndërmend të mbështeste parimin e autokracisë jo më pak vendosmërisht se babai i tij. Me iniciativën e D.I. Shakovskoit ishte organizuar një takim i anëtarëve të inteligjencës liberale në të vilën kishte qenë i pranishëm Tolstoj, por kishte refuzuar të shkruante një deklaratë proteste ndaj fjalimit të Carit për ta botuar jashtë vendit.
8) Shkaku i stuhisë, e cila me gjasë kishte çuar deri te shqyeja e faqes, ishte kundërshtimi i Tolstojt ndaj gruas së tij që donte të botonte tregimin e ri Padroni dhe argati në botimin e saj të veprave të tij duke qenë se ishte duke e refuzuar kontratën e të drejtës së autorit dhe ia kishte ofruar falas revistës Northern Herald.
9) Tolstoj me gjasë kishte rënë në ujdi që ta linte gruan e tij ta botonte Mjeshtri dhe burri, por po ashtu t’i lejohej Northern Heraldit dhe The Intermediary ta botonin në të njëjtën kohë pa pagesë.
10) Këto Tri Përralla u botuan me ftesën e presidentit të Shoqatës së Adhuruesve të Letërsisë Ruse në antologjinë e botuar nga Shoqata, më 1895.
/Marrë nga ‘Tolstoy’s Diaries, Volume 2’, Charles Scribner’s Sons, 1985 /Gazeta Express/ KultPlus.com
James Lasdun (1958), poet dhe prozator anglez. Fitues i çmimin Dylan Thomas për tregim të shkurtër.
PO FILLON TË DHEMBË
Nga James Lasdun
‘E shijuat drekën, z.Bryar?’
‘E shkëlqyeshme’.
‘Te Sorley?’.
‘Jo, njëfarë… vendi kinez’.
‘Gruaja ju ka thirrur’.
Telefonoi në shtëpi: iu përgjigj gruaja.
‘Po ku dreqin je bre?’.
‘Më fal, loçkë. Një drekë hallakamë…’.
E çuditshme që po e rrente prapë. Dhe atë rreth një funerali!
‘Po vjen Tomi. Ndalu te Dalglieshi, a mundesh, dhe merr një salmon. Të egër, ë? Më mirë të shkosh menjëherë, në të vërtetë, se mos po iu harxhohen’.
Ishte korrik, verë që të piqte. Ai eci ngadalë, duke e kthyer në mendje ceremoninë në të cilën sapo kishte marrë pjesë. Në mesin e një gjysmë duzine të pjesëmarrësve në varrim, e kishte njohur vetëm avokatin që e kishte prezantuar me Marien dhjetë vjet më parë dhe po ai i kishte treguar për vdekjen e saj javën e kaluar.
Lajmi e kishte lënë pa fjalë: s’e kishte ditur se ajo kishte qenë e sëmurë, por edhe ashtu kishte pasur shtatë vjet që s’e kishte parë më. Po gjatë gjithë shërbimit s’kishte mundur t’i ndalte lotët.
Burri te Dalglieshi e nxori një peshk të gjatë sa krahu i tij nga poshtë një mbuloje leshterikësh dhe akulli.
‘Si thua?’.
‘Okay. A mundesh…’.
‘Ta qëroj dhe pastroj, zotëri?’.
‘Të lutem’.
Burri e çau për së gjati barkun e krijesës me një brisk të shkurtër dhe i hodhi të brendshmet e vesuara të verdheme në një kosh. Shpëlau rrjetën e blanuar nga paret e peshkut dhe mishit të kuq të brendshëm, mandej e mbështolli peshkun në letër dhe e futi në një qese plastike. Ishte gjashtë inç tepër i gjatë për frigoriferin e zyrës.
‘Kaqol’.
Shkoi poshtë në dhomën e stokut. Aty kishte çarqe tutkalli të vendosura përtokë plot me minj të ngordhur dhe brumbuj mbi ta, por ishte më freskët sesa sipër. Me vështirësi e vuri peshkun në sirtarin e një dollapi të vjetër të metaltë. Pjesën tjetër të pasdites me lajmërimet e reja të qirave. Duke djersitur dhe gulçuar mbërriti te Charing Cross me kohë që të merrte të gjashtë e dyzetëve.
Në tren, të mbushur dëng nga pushuesit e fundjavës, e gjeti veten duke menduar për Marien. Nganjëherë ajo e këndonte ndonjë këngë të pakuptimtë në veshin e tij, me gojën aq afër si të ishte duke i pëshpëritur ndonjë sekret. Ai mbante në mend vetminë e çuditshme të ekzistencës së saj në Londër; indiferencën e saj edhe më të çuditshme ndaj vetmisë së vet. Nuk mund t’ia lejonin vetes hotelet, kështu që e kishin zakon të shtireshin se ajo ishte një kliente, e interesuar për ndonjërën nga pronat të regjistruara te firma e tij. Në cilëndo shtëpi që hynin ishte një botë tjetër.
Të bënin dashuri në ‘një maisonetë viktoriane të orenduar në mënyrë të mrekullueshme’, ose ‘apartamentin e rehatshëm me kopsht’, ishte një aventurë në një seri jetësh të mundshme, secila me gëzimin e vet moskokëçarës: një pasdite ishin socialistë të kamur, të nesërmen një çift studentësh bohemianë… Për tri vjet ai ishte ndier njeriu më i lumtur i gjallë dhe më fatlumi. Marie kurrë s’i kishte kërkuar ta linte familjen e tij dhe ai e kishte konsideruar këtë, po ashtu, pjesë të fatit të tij.
Po pastaj, krejt papritur, ajo i kishte dhënë fund. ‘Kam rënë në dashuri me ty’, ia kishte thënë ajo troç, ‘dhe po fillon të dhembë’.
Gruaja e tij ishte duke e pritur jashtë stacionit.
‘Ku është salmoni?’, pyeti ajo.
Një lemeri e papritur e përshkoi të tërin.
‘E… e kam lënë atje’.
Ajo u nis të largohej, pastaj ktheu kokën dhe ia nguli sytë për një moment.
‘Ti je budalla’, tha ajo. ‘Ti je një budalla i dreqit nga koka te këmbët’.
/Marrë nga James Lasdun, ‘It’s Beginning To Hurt’. Picador, 2010/Gazeta Express/ KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Arteve çeli në Shkodër ekspozitën e projektit “Psikologjia shqiptare në artet pamore”.
Kjo është ekspozita përmbyllëse e këtij projekti, i cili këtë herë udhëtoi drejt Shkodrës si një nga pikat më të rëndësishme historike e kulturore të Shqipërisë.
Ky projekt u drejtua nga Olsi Laska, me pjesëmarrjen e studiueses së artit Suzana Varvarica Kuka. Ekspozita do të mikpresë artdashësit në Galerinë e Artit të Shkodrës për një muaj, pasi do të qëndrojë e hapur deri më 17 maj.
Ekspozita “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve” prezanton 113 vepra arti nga 76 artistë të njohur nga trevat e Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Mirditës, Laçit, Kukësit, Pukës, Peshkopisë dhe Tropojës, dëshmi e ndikimeve perëndimore dhe e zhvillimit të artit modern në Shqipëri.
Kjo ekspozitë ndërton një hapësirë vizuale të veçantë duke nxjerrë në pah tiparet unike të qytetit të Shkodrës dhe duke paraqitur vepra të rëndësishme të artistëve të hershëm shqiptarë. Nën ndikimin e frymës perëndimore, këto vepra shënojnë lindjen e artit laik dhe modern shqiptar, duke u shkëputur nga arti tradicional i lidhur me tematika fetare./atsh/ KultPlus.com
Maratona e parë robotiko-humanoide në botë u zhvillua sot në Pekin, me robotin Tiangong Ultra që kaloi vijën e finishit për pak më shumë se 2 orë e 40 minuta.
Pavarësisht kësaj, Tiangong Ultra u la shumë pas nga njeriu, i cili e kaloi vijën e finishit për një orë, 11 minuta e shtatë sekonda.
Rreth 20 robotë dykëmbësh iu bashkuan më shumë se 10 000 vrapuesve në garën 21 kilometërshe.
Barrierat ndanë pistën e vrapimit të robotëve nga konkurrentët e tyre njerëzorë.
Inxhinierët u lejuan të bënin rregullime për të mbrojturit e tyre të teknologjisë së lartë.
Në vend të ujit dhe ushqimeve, stacionet siguronin bateri dhe mjete teknike.
Gara u konsiderua më shumë si një demonstrim teknik dhe asnjë robot nuk kishte një shans real për të fituar.
Qeveria kineze po promovon zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe robotëve këtë vit, mes përpjekjeve për të nxitur ekonominë dhe një rivaliteti në rritje teknologjik me Shtetet e Bashkuara./ atsh/ KultPlus.com
Në nderim të ditëlindjes së aktorit të njohur dhe një prej figurave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar, Mirush Kabashi, COD (Center for Openness and Dialogue), me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Arkivit Qendror të Filmit në Shqipëri, organizon një aktivitet të veçantë përkujtimor që sjell në vëmendje kontributin e jashtëzakonshëm të artistit në artin shqiptar.
Ky aktivitet i ndarë në tri pjesë të veçanta, synon të sjellë një panoramë të plotë të rrugëtimit artistik të Mirush Kabashit.
Ekspozitë fotografike – “Mirushi në skenë”
Promovimi i monografisë – “Mirush Kabashi – Sokrati i skenës shqiptare”
Libri sjell dëshmi, analiza dhe kujtime nga bashkëkohës të tij, duke ndriçuar personalitetin e tij kompleks dhe frymëzues.
Shfaqje dokumentari – Një homazh vizual
Aktiviteti kulmon me shfaqjen e një filmi dokumentar në sallën “Forum”, i cili i kushtohet plotësisht jetës dhe karrierës së Mirush Kabashit.
Isha shumë i nderuar që të jem pjesë e kësaj olimpiade si Deputy Chief Guide. Kjo ishte ngjarja më e madhe globale shkencore e ndodhur në Kosovë, ku morën pjesë 219 vajzat më të talentuara të botës në matematikë, nga 55 shtete të botës, në periudhën 11-17 prill 2025.
“Njeriu është produkt i kulturës, jo i racës”, prandaj ishte kënaqësi të punoja dhe t’u shërbeja adoleshenteve të talentuara, pavarësisht identitetit apo prejardhjes. Ato janë kokat më gjeniale të matematikës në botë dhe Kosova për herë të parë u ofroi mundësi që t’i matin aftësitë e tyre në një garë të fuqishme, të drejtë dhe tejet cilësore.
Kosova tregoi se ka kapacitete për të organizuar dhe udhëhequr një olimpiadë ndërkombëtare me kaq peshë dhe prestigj. Kemi arritur t’i thyejmë të gjitha paragjykimet dhe skepticizmat që shumë vende kanë pasur për Kosovën. Mikëpritja, organizimi fantastik, glamuroz dhe korrekt, respektimi rigoroz i rregullave të olimpiadës, ndarja e roleve dhe punës, trajtimi i barabartë, niveli i lartë profesional, transporti nga aeroporti apo stacioni i autobusëve dhe akomodimi i rreth 500 pjesëmarrësve nëpër hotele të vogla (garuese, liderë, zëvendës-liderë, koordinatorë etj.) dhe ndërlidhja e tyre në një projekt të tillë, komunikimi i shpejtë dhe efikas, zgjidhja e problemeve, ekskursionet dhe atraksioni, njohja me kulturën shqiptare dhe me trashëgiminë e Kosovës, ishin karakteristika të olimpiadës dhe zotësi e një ekipi profesional që e organizoi dhe udhëhoqi këtë ngjarje e cila ndoshta nuk do të përsëritet më në Kosovë.
Nga vlerësimi që kemi marrë, shumica e garueseve dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve janë ndarë të befasuar dhe të kënaqur me gjithë atë që kanë përjetuar. Ata sot po na falenderojnë pa masë që ne u lamë përshtypje shumë pozitive, që ne u treguam se kemi zemër të madhe, që ne u treguam se kemi aftësi për t’i orientuar potencialet e tyre në një terren ku maten forcat matematikore. Dhe kjo ndodhi në Prishtinë, në një vend që pak njerëz e kanë imagjinuar apo besuar se mund të ndodhë. Ishte fantastike të shihje në një vend talente që përfaqësojnë mbi 50 kombe të botës, që flasin gjuhë të ndryshme dhe vijnë nga kultura të ndryshme, pa as më të voglin incident.
Këtë e dëshmoi Shoqata e Matematikanëve të Kosovës dhe Instituti për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), udhëheqësit e të cilëve i falenderoj, sidomos organizatorin kryesor Valmir Krasniqi, olimpiadë kjo e mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe nga kompani e sponzorë prestigjiozë vendorë e ndërkombëtarë. Gjithsesi edhe bashkëpunimi me partnerët e tyre ishte thelbësor. Secili ishte në krye të detyrës.
Ndonëse unë jam sociolog, dhe jo matematikan, megjithatë shpejt u përshtata me natyrën e një projekti gjigant nga fusha e matematikës, sigurisht për shkak të tipareve të mia modeste në udhëheqje dhe komunikim, m’u besua një përgjegjësi e madhe që të bashkëpunoj dhe t’u ndihmoj rreth 60 vullnetarëve, gjimnazistë e studentë kosovarë, në rolin e tyre “guide” që kishin. Kemi pasur ditë që kemi punuar 23 orë, me vetëm 1 orë gjumë dhe kjo orë “pushimi” u bë në vendin e punës. Por këtë 1 orë gjumë do ta mbaj mend gjatë. Ne “pushonim” duke e aktivizuar pasionin dhe adrenalinën në maksimum sepse ashtu balancohej lodhja. Sepse bota i kishte sytë në shpejtësinë dhe efikasitetin tonë. Qindra punë kryheshin brenda ditës. Këto projekte nuk kanë sukses nëse vetëm 1% improvizohet. Nuk kanë sukses nëse ekipi i projektit e plotëson “normën e gjumit”. Ne punuam me kritere ndërkombëtare. Shumë ekipe shtetesh që kishin traditë olimpiadash, na thanë se në Kosovë kemi kaluar më mirë se në shtetet tjera që kishin organizuar EGMO më herët. Kjo nuk arrihet lehtë. Kjo nuk blihet me para, as nuk vidhet, as nuk kopjohet. Është vetëm rezultat i punës serioze 24/7. Sepse Zoti e shpërblen diciplinën.
Ne treguam se vullnetarizmi nuk është vetëm retorikë. Angazhuam rreth 60 vullnetarë, të cilët me plot pasion, diciplinë e kreativitet, u shërbyen ekipeve e shteteve të tyre. Kemi pasur shumë stres, presion e dinamikë, si në kosheret e bletëve, me pak telashe të menaxhuara, por këta vullnetarë të cilët i falenderoj thellësisht, ndonëse shumicën e njihja sepse jam mësimdhënës i tyre, më lanë një përshtypje aq të mirë për të mos prituar kurrë të bashkëpunoj me ta në projekte të ardhshme. U kam besuar edhe pa filluar. Që në takimet e para përgatitore, kur mbaja një lloj trajnimi mbi mënyrën se si mund të sillemi, komunikojmë apo reagojmë me ekipet pjesëmarrëse, e lexova seriozitetin e tyre. Sepse nektari që u prodhua ishte meritë edhe e tyre. Guidat tona përkujdeseshin për çdo detaj, duke siguruar mirëqenien e secilës garuese, duke u ofruar asistencë të plotë. E gjithsesi mua më ndihmoi edhe ekipi me të cilin bashkëpunova në raport me guidat. Thjesht, mirënjohës të gjithëve.
Në EGMO 2025 u dhanë 27 medalje ari, 38 medalje argjendi, 53 medalje bronzi dhe 52 medalje nderi. Edhe Kosova ishte pjesë e kësaj gare dhe arriti të fitojë medalje nderi. Rezultatet e garës mund t’i shihni këtu, në kategorinë e fundit “Country Results”: European Girls’ Mathematical Olympiad: Scoreboard for EGMO 2025 in Kosovo
Sa keq që lajmi mbi këtë olimpiadë nuk e mori jehonën e duhur në media. Sepse mediat klienteliste nuk ua dinë vlerën një ngjarjeje kulturore globale. Por mos harroni, për një javë ne ishim nikoqir të 55 shteteve nga të gjitha kontinentet. Kemi shumçka për të treguar për këtë ngjarje. Dhe ata pjesëmarrës nuk ishin turistë, por ishin shkencëtarë, ishin talentet e botës. Dhe ende ka media që nuk e kanë të paktën një lajm për olimpiadën – EGMO 2025!/ KultPlus.com
Ka ndërruar jetë ish-drejtorit i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e të ndjerit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
I lindur në Ferizaj, Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.
Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.
Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë.
Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.
Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.
Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.
Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur ferizajas, ish drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj orën 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, organizojnë mbledhje komemorative, në kujtim të jetës dhe veprës së tij./rtk/ KultPlus.com