‘Kur të më jesh e zemëruar’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti m`u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un` ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m`u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj!shkretëtirë-e-zemrës`s`ime! Dhe haj! e zeza jetë,haj!

Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n`ërgjënd e në flori,
O,vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt` e mi.-

Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije,ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t`ënd të llaftaruar m`a lerë mëndjen t`a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir` e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t`im;
Se gazi-i-kthjellt` i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, më shpirt të vrarë-e varfnjak,
N`e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t`ënd s`do heq aspak;
S`do psherëti n`e lënc të vdesë,a në `m`a thënc,në mos m`a
thënc:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s`ate,që të më bësh të prishem
menc./KultPlus.com

‘Për një çast më ndali zemra’

Pirro Çako dhe Rovena Dilo

Për një çast, më ndali zemra, s’ishe ti,
Shpirtin sonte, ma trazove përsëri
Më kujtohet,sa shumë prisja,
Që të ndjeja erën tënde
Kthehu, dhe një herë unë të të shihja.

Ëndrra gjumin,ma këputi e më zgjoi,
Mbi nënkres të ndjeva frymën, ku je ti,
Puthjet ende janë të nxehta,
S’na i ftoh dot largësia.
Eja,mos u fshih vetëm në ëndrra.

Unë dhe ti,
Lusnim natën që edhe pak të zgjaste,
Të mos kish agim,
Edhe dielli fare të mos lindte,
Vetëm unë dhe ti,
Lusnim natën që pafund të zgjaste
Të mos kish mbarim,
Edhe dielli atë ditë të shuhej,
Ndarje të mos kish
Nëse mijëra kilometra sot na ndajnë.

Ref.
Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer netët ti përcjellim si dikur

Dashuria nis me ty,me ty mbaron
Je kuptimi që merr dita sa fillon
Puthjet ende janë të nxehta
S’na i ftoh dot largësia
Eja, mos u fshih vetëm në ëndrra

Unë dhe ti
Lusnim natën që edhe pak të zgjaste
Të mos kish agim
Edhe dielli fare të mos lindte
Vetëm unë dhe ti
Lusnim natën që pafund të zgjaste
Të mos kish mbarim
Edhe dielli atë ditë të shuhej
Ndarje të mos kish..Ndarje te mos kish..ooo…oo

Unë dhe ti
Lusnim natën që pa fund të zgjaste
Të mos kish mbarim

Edhe dielli atë ditë të shuhej
Ndarje të mos kish
nese mijra kilometra sot na ndajn

Ref.
Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer netët ti përcjellim si dikur

Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer netët ti përcjellim si dikur

Mos më thuaj humbi dashuria
Më të madhe e bën largësia
Eja zemer..ejaaa si dikur…/KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Çeçenia, turpi i Rusisë’, i gazetares ruse Anna Politkovskaya

Ana Politkovskaya, e lindur në vitin 1958 dhe e vrarë në Moskë më 7 tetor 2006, është një ndër gazetaret e rralla që ka informuar publikun në mënyrë të pavarur, për krimet gë ka bërë ushtria ruse gjatë luftës në Çeçeni. Gazetare e ” Gazeta o Re”, ajo është arrestuar e kërcënuar se do ta dënonin me vdekje, për qëndrimin e saj opozitar ndaj makinës represive shtetërore, pasi ka denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni, përcjell KultPlus.

Në shtator të vitit 2004, ndërsa tentonte të shkonte në Osetinë e Veriut për të ndjekur rrëmbimin tragjik të fëmijëve në shkollën e Beslanit, ishte pre e një helmimi, për të cilin ajo e akuzoi shërbimet sekrete ruse.

Për veprimtarinë e saj fisnike ajo është vlerësuar nga shumë institucione prestigjioze, ndër të cilat: Çmimi Penda e Artë, për vitin 2004 nga Bashkimi i Gazetarëve të Rusise, Çmimi i Madh për Gazetarinë, i akorduar në vitin 2001 nga Global Aëard for Human Rights, seksioni anglez i Amnesty International për Çmimin për Gazetarinë e Demokracisë, i akorduar në vitin 2003 nga OSBE, e të tjera.

(Fragment i shkëputur nga libri ‘Çeçenia, turpi i Rusisë’, i gazetares ruse, Ana Politkovskaia)

“Pse e vrave?”
“Nuk e di”.
“Pse i preve veshët?
“Nuk e di”.
“Pse i more skalpin?”
“Është çeçen!”
” E Kuptova”.

(marrë nga pyetja e një ushtari 19 vjeçar i brigatës 22 te Ministrisë së Brendshme ruse, e dislokuar në çeçeni gjatë verës së vitit 2001, nga një hetues i gjykatës së Groznit. Emrat e tyre? Humbshin ne harrim)

Kundër gjithë asaj që pohojnë mjekët, neurologët dhe psikiatrët mbi mundesite tona të pafundme, çdo njeri zotëron një rezistencë morale të kufizuar, pertej së ciles hapet honi personal i çdokujt. Vdekja nuk është domosdoshmëri. Mund të jenë situata më të këqija, për shembull humbja e plotë e gjithçkaje njerëzore, si përgjigje e vetme e të këqijave të panumërta të jetës. Askush nuk do të dinte se çfarë do të ishte i aftë të bënte në luftë.

Ana Politkovskaya, e lindur në vitin 1958 dhe e vrarë në Moskë më 7 tetor 2006, është një ndër gazetaret e rralla gë ka informuar publikun në mënyrë të pavarur, për krimet gë ka bërë ushtria ruse gjatë luftës në Çeçeni. Gazetare e ” Gazeta o Re”, ajo është arrestuar e kërcënuar se do ta dënonin me vdekje, për qëndrimin e saj opozitar ndaj makinës represive shtetërore, pasi ka denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.

Grozni i sotëm i jep njeriut të gjitha arsyet për të rënë në këtë greminë. Këtu është krijuar një botë qe ka në themel papërgjegjshmërinë e plotë ushtarake dhe edhe nëse lufta mbaron nesër, ajo do to vazhdonte edhe më gjatë, prej  inercisë. Jam mëse e sigurtë.

Në çfarë konsiston papërgjegjshmëria çeçene?

Një njeri me mend, i mësuar që prej fëmijërisë me shqetësimet e jetes normale, nuk mundet te kuptojs origjinsn e ngjarjeve qe torturojns Çeçeninë. Nuk ka rëndësi, nëse ky njeri është çeçen apo rus. Qoftë ushtar, militant i rezistencës apo një qytetar i thjeshtë, që përpiqet rë mbetet jashtë makinacioneve që shërbejnë për të shpëtuar lëkurën. Pas njëfarë kohe, në mungesë të përgjigjeve të arsyeshme, ndergjegjja e tij fillon të shpërbëhet si një kërpudhë e prishur dhe mendja e tij përfundon në një qorrsokak.

Megjithatë nuk është çmenduri, është një fenomen tjetër.

Duket sikur të gjitha shtyllat, që kanë mbajtur jetën tënde deri në atë çast, janë shembur. Fillon të ndjesh se edhe ti mund t’i lejosh vetes diçka më shumë se më parë, se morali nuk është gjë tjetër, veçse një budallallëk i sajuar për të të injoruar ndërsa ti, tashmë, je bartës i një ndërgjegjeje të veçantë…

Në fillim, mendon ende për “diçka më shumë”. Pastaj, pak e nga pak, mekanizmi që të mban zvogëlohet dhe zhytesh gjithmonë e më thellë… sa nuk mund rezistojë ndokush.

Nuk janë fjalë. Edhe unë jam ndjerë kështu. Edhe pse e njoh realitetin, mësohem me iracionalitetin që më rrethon, megjithëse, ndryshe nga çeçenët, kam mundësinë për të marrë herë pas herë ajrin e Moskës pas atij Groznit, megjithatë….

Ndonjëherë shëtis ndërmjet gërmadhave të kryeqytefit çeçen. Flas me banorët e tij, i shoh në sy, mendoj për historitë e tyre dhe e kuptoj se mendja ime refuzon t’i besojë, kurndërshton, largon tutje rrëfimet e tyre që mund të shërbejnë për t’u mbrojtur. Besoj a nuk besoj, nuk dëshiroj të infektohem. Gjendem vërtet atje, por njëherësh më duket sikur të jem e pranishme në xhirimet e ndonjë filmi…

Nuk ka mundësi, ulëret ndërgjegjja ime, që autoritetet tona të këmbëngulin në një mënyrë kaq të marrë për të shtypur ata që jetojnë këtu! Pse duhet vazhduar të persekutohen këta banorë, që kanë duruar deri tani ngarkesa çnjerëzore, për faktin e vetëm, se kanë mbetur në atë qytet të tmerrshëm? Pse u duhet të ndjejnë për çdo ditë —jo, madje çdo minutë — që nuk janë gjë tjetër, veçse jashtëqitje, jo!, as jashtëqitje njerëzore, por jashtëqitje kafshësh? Po ushtarët? Dërgojnë këtu djelmosha tetëmbëdhjetë ose nëntëmbëdhjetëvjeçarë tërësisht injorantë, falë përmbysjes totale të sistemit shkollor te viteve nëntëdhjetë. Për çfarë u shërbejnë këto mësime, që nisin në pranverën e jetës së tyre? Po zyrtarët? Si do të munden më pas të kthehen në familje dhe të rrisin fëmijët e tyre?

Nuk ka përgjigje. Si mund ta gjej? Cila është origjina “racionale” e kaosit në skenën e Çeçenisë, që është duke shkatërruar rnbarë vendin?./ KultPlus.com

‘Ti dhe Hëna’

Poezi nga Ismail Kadare

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu
Retë shtuhen me vrap pa reshtur
Hëna duket aty-këtu

Porsi retë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të kurse ti
në ëndërrimet e mia përjetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

“Ose shkruaj diçka që ia vlen të lexohet, ose bëj diçka që ia vlen të shkruhet”

Benjamin Franklini ka lindur më datën 17 janar të vitit 1906 në Filadelfia dhe ka vdekur më 17 prill 1790 shkruan KultPlus.

Ka qenë burrë shteti, shkrimtar, botues dhe filozof politik. Konsiderohet si njëri etërit e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë karrierës së tij, ai është marrë edhe me cështjet me interes publik, duke dhënë kontribut me shkrimet e tij. Franklin botoi edhe shumë traktate dhe ese nga të gjitha llojet e temave, me theks të vecantë politike, si dhe me cështjet ligjore arsimore.

Sot, po i risjellim disa nga thëniet e tij më të famshme:

“Ose shkruaj diçka që ia vlen të lexohet, ose bëj diçka që ia vlen të shkruhet.”

“Sigurisht, duhet të thuash gjënë e duhur në vendin e duhur, por njëkohësisht duhet edhe të mos e thuash gjënë e gabuar në çastin kur ndjehesh i tunduar”.

“Ji në luftë me veset e tua, ji në paqe me fqinjët e tu, dhe bëj të mundur që çdo vit që vjen të të gjejë njeri pak më të mirë nga ç’ishe.”

“Njeriun që vështron tokën dhe është ateist, e kuptoj, por njeriun që vështron qiellin natën dhe prapë s’beson në Zotin, nuk kuptoj.”

“Në këtë botë nuk ka asgjë të sigurtë përveç vdekjes dhe taksave.”

“Ji i edukuar me të gjithë; i shoqërueshëm me shumë; i afërt me pak, mik me vetëm një; armik me askënd.”

“Nëse dëshiron të zbulosh defektet e një femre, fillo të lavdërosh shoqet e saj.”

“Kush dashurohet me veten, asnjëherë nuk ka rivalë.”

“Siguria pa lirinë quhet burg”.

“Mos kini frikë nga vdekja. Sa më shpejt të vdesim, aq më gjatë do të jemi të pavdekshëm.” /KultPlus.com

Letra e lamtumirës e Gabriel Garcia Marquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur./KultPlus.com

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Aktorja Ema Andrea fiton çmimin “Adelaide Ristori” në Mittelfest 2024

Aktorja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea, është nderuar me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace”, një bashkëprodhim teatror ndërkombëtar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.

Për çdo vit, që nga viti 1998 Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten/in më të mirë të edicionit paraprak të Festivalit Mittelfest. Për vitin 2024, ky çmim i është ndarë aktores Ema Andrea, për rolin e saj në dramën e Jeton Nezirajt ‘Negotiating Peace’, në regji të Blerta Nezirajt. 

Çmimi Adelaide Ristori ndahet në nderim të aktores që u lind më 29 Janar, 1822 dhe u bë një nga gratë më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin XIX. 

“Për mua, nje vlerësim profesional që vjen nga vendi ku kam ‘shkruajtur’ libertà 30 vjet më parë, e ku kam ndërtuar fije ëndrrash, është një kufi prej uji e toke më i sigurt në rrugën ku paskam ecur e nuk paskam ditur që jam shumë me fat”, u shpreh aktorja Andrea për çmimin. 

E frymëzuar nga libri I Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, NEGOTIATING PEACE tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen?/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Masakra e Poklekut, kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, ka përkujtuar Masakrën e Poklekut, duke u shprehur se është kujtesë që nuk shuhet dhe plagë që nuk mbyllet pa drejtësi.

“Në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç. Ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja. Në mesin e viktimave, ishte edhe Liria, një foshnjë vetëm 6 muajshe, që mbante emrin e një ideali që ende nuk e kishte jetuar. Ajo nuk e gëzoi kurrë lirinë. Por emri i saj mbetet amanet për secilin prej nesh. Të tillë mbeten edhe emrat e 23 të vrarëve në Çikatovë të Vjetër”, është shprehur ajo.

Tutje, presidentja ka shtuar se nuk mjafton që viktimat vetëm të kujtohen, por e kemi obligim të kërkojmë drejtësi për çdo fëmijë të vrarë dhe për çdo familje të shuar.

“Drejtësia nuk është hakmarrje. Është premtimi më minimal që ia kemi borxh viktimave. Është përgjegjësia jonë që ky krim të mos mbulohet nga pluhuri i harresës apo nga heshtja. Të mos ndalemi derisa drejtësia të triumfojë. Sepse pa të, pa të vërtetën e thënë dhe të njohur, pa përgjegjësi për krimet, nuk ka paqe të qëndrueshme”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

235 vite nga vdekja e nënshkruesit të Pavarësisë së ShBA-ve, Benjamin Franklin

Benjamin Franklin lindi më 17 janar 1706 në Boston dhe ishte një botues amerikan, burrë shteti, shkrimtar, shkencëtar, sajues dhe filozof politik, shkruan KultPlus.

Konsiderohet gjithashtu si një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte biri i dhjetë dhe fëmija i pesëmbëdhjetë i një përpunuesi sapuni dhe qiriri. Qysh në vitet e hershme të jetës së tij ai ka marrë një zhvillim të gjerë të njohurive përmes leximit intensiv të letërsisë së përgjithshme dhe shpirtërore në mënyrë autodidakte.

Ai për një kohë ka punuar në një dyqan arti te James-gjysmë vëllai i tij. Ndërsa përgjatë viteve 1729-1766, ai ishte redaktor i Gazetës së Pensilvanisë. Në vitin 1750 Franklin u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Pennsylvania.

Ndër studimet e shumta që pati përgjatë viteve ai studioi ujin e kuq, Rryma e Gjirit, përmbajtjen e kripës. Në kohën e krizës së Aktit Stamp , u bë një avokat i njohur i të drejtave amerikane në Londër. Në maj 1775 ai shkoi përsëri në Pensilvani dhe u bë anëtar në Kongres. Ai përndryshe kishte projektuar, komitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. 

Në 1769 themeloi Shoqërinë filozofike Amerikane. Ndërsa në vitin 1776 Benjamin Franklin ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 korrik.

Ai gjatë karrierës së tij u përfshi në disa qështje me interes publik përmes disa shkrimeve të tij, ku disa nga temat kishin të bëjnë me pastrimin e rrugëve, ndriçimin, futja e zjarrfikësit vullnetar ,

Gjatë gjithë jetës së tij, ai ka botuar traktate dhe ese për të gjitha llojet e temave, të tilla si për politikën, dhe çështjet ligjore të arsimit dhe të kontrollit të popullsisë.

Dalja e tij e fundit publike para vdekjes së tij ishte në mbështetjen e një programi të Kongresit, për heqjen e skllavërisë në nivelin federal duke dhënë këshilla ndaj masave. Më 17 prill 1790 Benjamin Franklin vdiq në moshën 84 në Filadelfia./KultPlus.com

11 vite nga vdekja e Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes(përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerësKronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tijErendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc. / KultPlus.com

Specialistët e trashëgimisë kulturore stërviten për mbrojtjen e monumenteve në raste fatkeqësish natyrore

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ishte pjesë e projektit Flood North Alb, që synon përmirësimin e përgatitjes dhe të kapaciteteve të reagimit të mbrojtjes civile ndaj fatkeqësive natyrore.

Në kuadër të projektit Flood North Alb, u zhvilluan ushtrime praktike në terren, ku u përfshinë edhe tri pasuri kulturore me status Monument Kulture, Kategoria I.

Monumentet e përfshira në projekt ishin Ura e Mesit në lumin Kir, rrënojat e Kishës së Shirgjit si edhe Xhamia e Plumbit.

Këto ushtrime ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në raste fatkeqësish.

Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian, mblodhi partnerë vendas dhe ndërkombëtarë për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes civile dhe për të garantuar një koordinim më të mirë në përballjen me emergjenca të ndërlikuara, si përmbytjet e rënda. Me mbështetjen e BE-së, Shqipëria po ndërton sisteme më të forta të mbrojtjes civile dhe po luan një rol aktiv në përgatitjen rajonale, sepse gatishmëria është thelbësore për të shpëtuar jetë dhe për të minimizuar dëmet./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Shtëpia e Zekatëve në Gjirokastër perlë e arkitekturës, pret vizitorë nga gjithë bota

Shtëpia e Zekatëve në Gjirokastër, e ndërtuar në vitin 1812 është kthyer në një destinacion për vizitorët nga e gjithë bota.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizitoi nga afër këtë shtëpi, ku bisedoi me një nga trashëgimtarët e kësaj shtëpie.

“Shtëpia e Zekatëve është një prej atyre dyerve të mëdha të Gjirokastrës që është jo vetëm perlë e arkitekturës, por dëshmi e gjallë e historisë dhe mënyrës së jetesës së shekullit XIX të qytetit e rrëfyer në sofatet, gurët, minderet, kortinkat e në të gjitha tertipet e një shtëpie gjirokastrite”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh e lumtur që Xhorxhi, njëri prej trashëgimtarëve, është rikthyer të mbajë derën e shtëpisë hapur dhe të presë vizitorë nga gjithë bota.

“Këta vizitorë janë kureshtarë për të njohur shtëpitë e mëdha të Gjirokastrës që janë muze të vërtetë etnografikë dhe thesare artizanale, por edhe për të kontribuar në zinxhirin e ekonomisë së prodhuar nga praktikat e turizmit”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi se “nuk është biznes i lehtë që të bësh ekonomi me një shtëpi të vjetër, është emër i madh, është atraksion origjinal siç janë disa shtëpi të tjera këtu në Gjirokastër. Sa më e  madhe shtëpia aq më e madhe edhe vështirësia apo kostoja për ta mirëmbajtur. Kur fillon e prodhon ekonomi ndoshta nuk të bën të pasur për një ditë por të bashkon pasionin me interesin ekonomik”.

Xhorxhi tha se “turistët vijnë nga Italia, Gjermania, Spanja, Franca dhe vende të tjera të botës”. /atsh/ KultPlus.com

Poradeci

Poezi nga Lasgush Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/ KultPlus.com

Një nga diamantet blu më të rrallë në botë del në ankand

Shtëpia e ankandeve Christie’s njoftoi sot se do të ofrojë një nga diamantet më të rrallë dhe më të vlefshëm në botë – “Golconda Blue”, një diamant blu në formë loti me peshë 23.24 karat, vlera e të cilit, sipas vlerësimeve, është midis 35 dhe 50 milionë dollarë në ankandin Magnificent Jewels në Gjenevë.

Guri i çmuar është i ngulitur në një unazë me dizajn modern të firmosur nga argjendaria e famshme “JAR”, shkruan Forbes. “Golconda Blue” ka një histori të pasur të lidhur me fisnikërinë indiane.

Në vitet 1920, ajo u vendos nga Yeshwant Rao Holkar, Maharaja i Indore, i cili bashkëpunoi me shtëpitë më të famshme evropiane të bizhuterive të kohës. Diamanti ishte pjesë e një byzylyku ​​të porositur nga shtëpia e “Chaumet”, dhe më vonë u inkorporua në një gjerdan luksoz nga shtëpia e “Mauboussin”.

Më vonë u ble nga argjendari amerikan Harry Winston. Do të jetë hera e parë që diamanti “Golconda Blue” shfaqet në një ankand publik.

Pavarësisht madhësisë së tij, çmimi i pritshëm i një diamanti blu nuk e kalon shifrën rekord të arritur nga “Oppenheimer Blue”, një diamant blu 14,62 karatësh, i cili u shit për 57,5 ​​milionë dollarë në 2016-ën.

Diamanti blu më i madh i njohur është 45,52 karat “Hope Diamond” , i cili tani është pjesë e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Historisë Natyrore në Uashington./ euronews/ KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë një dhomë të fshehur në shpellën meksikane, gjenden objekte të rralla nga një qytetërim i zhdukur

Në një zbulim novator arkeologjik, një dhomë e fshehur është zbuluar thellë brenda shpellës Tlayócoc në Sierra de Guerrero, Meksikë. Dhoma, e cila ka mbetur e paprekur për shekuj, mban objekte nga një qytetërim i lashtë që besohet të jetë Tlacotepehuas, një grup etnik i zhdukur nga rajoni. Gjetjet, duke përfshirë byzylykët e bërë nga guskat e kërmillit dhe disqe guri të zi, besohet se datojnë më shumë se 500 vjet më parë. Sipas një raporti nga Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë (INAH) , këto artefakte ofrojnë njohuri të vlefshme në praktikat shpirtërore dhe rituale të Tlacotepehuas.

Zbulimi është përshkruar si një zbulim i rëndësishëm për të kuptuar periudhën postklasike në Mesoamerikë, veçanërisht në lidhje me kozmologjinë dhe sistemet e besimit të grupeve indigjene në këtë zonë. Reliket u gjetën në një kalim të zhytur që të çonte në dhomën e fshehur dhe sendet u vendosën me kujdes në majë të stalagmiteve, duke sugjeruar se ato mund të përdoreshin për oferta rituale.

Tlacotepehuas , një qytetërim i vendosur dikur në Sierra de Guerrero, kanë qenë prej kohësh një mister, me shumë pak informacion për kulturën dhe praktikat e tyre. Zbulimi i artefakteve të tyre në këtë shpellë mund të hedhë dritë mbi ritualet, besimet shpirtërore dhe strukturën shoqërore të tyre. Byzylykët e guaskës së kërmillit, të gdhendura me fytyra antropomorfe dhe simbole kozmologjike, janë veçanërisht domethënëse, duke sugjeruar se Tlacotepehuas i kushtonin rëndësi të madhe botës natyrore dhe ndoshta i përdornin këto objekte në ceremonitë fetare.

Këto objekte jo vetëm që ofrojnë një lidhje të prekshme me të kaluarën, por gjithashtu zbulojnë mjeshtërinë artistike të Tlacotepehuas. Modelet e tyre të ndërlikuara tregojnë për një kulturë të pasur me simbolikë dhe shprehje artistike, duke përdorur materiale nga mjedisi i tyre i afërt për të krijuar objekte me rëndësi të madhe kulturore dhe shpirtërore.

Shpellat kanë pasur gjithmonë një rëndësi shpirtërore në kulturat mezoamerikane, të cilat shpesh shihen si porta për në botën e krimit ose si vende për komunikim hyjnor. Shpella Tlayócoc ka të ngjarë të përdorej si një hapësirë ​​rituale dhe vendosja e ofertave brenda shpellës nënvizon rëndësinë e saj në sistemet e besimit të Tlacotepehuas. Artefakte të tilla gjenden shpesh në shpella ose hapësira të shenjta, duke konfirmuar më tej rolin ritualist që këto objekte luanin në jetën e njerëzve të lashtë.

Vendndodhja e largët dhe e fshehtë e shpellës mund të ketë kontribuar në ruajtjen e këtyre thesareve të lashta, të paprekura për shekuj. Kjo dhomë e fshehur ofron një mundësi të rrallë për të rindërtuar peizazhin shpirtëror të Mesoamerikës së lashtë dhe Tlacotepehuas mund të mos ketë qenë i vetmi grup që ka përdorur shpellat në këtë mënyrë./oranews/ KultPlus.com

Los Angeles, grabiten stoli me vlerë mbi 10 milionë dollarë

Një vjedhje e përmasave të mëdha ka ndodhur më 13 prill në një dyqan stolish në qytetin e Los Angelesit, Kaliforni, ku stoli me vlerë mbi 10 milionë dollarë janë grabitur nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit (LAPD), autorët kanë depërtuar në dyqan duke shpërthyer murin prej betoni nga një ambient ngjitur. Pamjet e sigurisë tregojnë qartë momentin kur grabitësit thyejnë murin dhe hyjnë në brendësi të dyqanit.

Të dyshuarit kanë marrë orë luksoze, gjerdanë ari dhe stoli të tjera të çmuara, duke u arratisur po nëpërmjet vrimës së hapur në mur. Pavarësisht grabitjes, alarmi i sigurisë nuk është aktivizuar, duke bërë që pronarët ta zbulojnë ngjarjen vetëm ditën pasuese.

Ndërkohë që policia flet për një vlerë të vjedhur prej mbi 10 milionë dollarësh, pronarët e dyqanit deklarojnë se dëmi real kap shifrën e 20 milionë dollarëve.

Hetimet janë në vijim dhe po përqendrohen në gjurmët e gishtërinjve dhe mbetjet e mundshme të ADN-së të gjetura në vendngjarje. Policia nuk ka dhënë ende informacion mbi identitetin apo vendndodhjen e të dyshuarve./ euronews/ KultPlus.com

Shkencëtarët zbulojnë izotopin e parë ‘të pasur me neutron’ të uraniumit që nga viti 1979

Shkencëtarët kanë zbuluar dhe sintetizuar një izotop krejtësisht të ri të elementit shumë radioaktiv të uraniumit. Por mund të zgjasë vetëm 40 minuta para se të shpërbëhet në elementë të tjerë.

Izotopi i ri, uranium-241, ka 92 protone (siç kanë të gjithë izotopet e uraniumit) dhe 149 neutrone, duke e bërë atë izotopin e parë të ri të uraniumit të pasur me neutron të zbuluar që nga viti 1979. Ndërsa atomet e një elementi të caktuar kanë gjithmonë të njëjtin numër protonesh, izotopet ose versionet e ndryshme të këtyre elementeve, mund të mbajnë numër të ndryshëm neutronesh në bërthamat e tyre. Për t’u konsideruar i pasur me neutron, një izotop duhet të përmbajë më shumë neutrone sesa është e zakonshme për atë element.

Uraniumi është në klasën e elementeve në tabelën periodike të njohura si “aktinide”, të cilat kanë numërimin e protoneve midis 89 dhe 103. Të gjitha aktinidet janë radioaktive, por uraniumi është një nga katër elementët më radioaktivë, krahas radiumit, poloniumit dhe toriumit.

“Ne matëm masat e 19 izotopeve të ndryshme të aktinideve me një saktësi të lartë të nivelit një pjesë për milion, duke përfshirë zbulimin dhe identifikimin e izotopit të ri të uraniumit,” u shpreh përmes një emaili në Live Science, Toshitaka Niwase një studiues në Organizatën e Kërkimit të Përshpejtuesit të Energjisë së Lartë (KEK) Wako Nuclear Science Center (WNSC) në Japoni, i shtoi gjithashtu se “Ky është zbulimi i parë i ri i një izotopi uraniumi në anën e pasur me neutron në më shumë se 40 vjet.”

Izotopët mund të jenë të qëndrueshëm, që do të thotë se ata mbajnë konfigurimin e tyre atomik, ose të paqëndrueshëm, që do të thotë se ato shpërbëhen në elementë të tjerë, duke fituar ose derdhur protone. Shkalla e zbërthimit matet nga gjysma e jetës së një izotopi, ose koha që i duhet gjysmës së materialit për t’u zbërthyer në elementë të tjerë. Pas dy gjysmëjetësh, mbetet një e katërta e materialit; pas tre, një të teti, e kështu me radhë.

Ekipi nuk e ka matur ende gjysmën e jetës së uraniumit-241, por vlerësimet teorike e vendosin atë në rreth 40 minuta, tha Niwase. Kjo është disi e shkurtër për një gjysmëjetë. (Për referencë, gjysma e jetës së karbonit-14 është 5,730 vjet, gjysma e jetës së izotopit shumë të paqëndrueshëm teknetium-99m është gjashtë orë dhe gjysma e jetës së francium-223 është 22 minuta. Izotopi që prishet më shpejt, hidrogjeni-7, është zhdukur përgjysmë në vetëm 10^-23 sekonda.)

Niwase dhe kolegët krijuan uranium-241 duke gjuajtur një mostër të uraniumit-238 në bërthamat e platinit-198 në përshpejtuesin RIKEN të Japonisë. Dy izotopet më pas këmbyen neutronet dhe protonet – një fenomen i quajtur “transferimi i shumënukleoneve”.

Ekipi më pas mati masën e izotopeve të krijuara duke vëzhguar kohën që iu desh bërthamave rezultuese për të udhëtuar një distancë të caktuar përmes një mediumi. Eksperimenti gjeneroi gjithashtu 18 izotope të rinj, të gjithë të cilët përmbanin midis 143 dhe 150 neutrone.

Niwase pranoi se uraniumi-241 ndoshta nuk ka shumë zbatime të dobishme praktike ose shkencore, pasi izotopi krijohet në një numër jashtëzakonisht të vogël.

Në foto: Një nitrat uraniumi i quajtur uranil në një tas; duket si një tas me guralecë të verdhë akuariumi. Një pjesë e fortë e mineralit të verdhë të ndezur të uraniumit qëndron në të djathtë të tasit në një sfond të bardhë.

Për Live Science/ Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

Një Johnny Depp i vështirë për t’u njohur në filmin e ri hollivudian me Penelope Cruz

Plotësisht i vështirë për t’u njohur, me flokë dhe mjekër të argjendtë, Johnny Depp po kthehet në Hollywood.

Lionsgate ka publikuar imazhin e parë nga filmi i ri ”Day Drinker” që aktori do të xhirojë në Spanjë, i pari i tij që nga beteja ligjore me ish-bashkëshorten, Amber Heard.

Fotoja tregon Johnny të mbështetur në një banak bari me një koktej në dorë, i veshur me një kostum elegant blu dhe një pamje të vrenjtur.

Filmi drejtohet nga Marc Webb i ”500 Days of Summer”.

Penelope Cruz do të rikthehet përkrah Depp-it, për herë të katërt përkrah yllit, pasi luajti në filmat ”Blow”, ”Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides” dhe ”Murder on the Orient Express”.

”Day Drinker” tregon historinë e një kamariereje në një jaht privat (Madelyn Cline) e cila takon një mysafir misterioz në bord (Depp) dhe të dy ngatërrohen me një kriminele (Cruz) me lidhje dhe pasoja të papritura./atsh/ KultPlus.com

‘Dying of laughter’, instalacioni me qypa që përfaqësoi Shqipërinë në Milano

Në galerinë Slow Mill, gjatë Fuori Salone në Milano, artistët Marin Nikolla dhe Denis Muça prezantuan një instalacion që jeton në kontrastin mes absurdit dhe reflektimit të thellë.

Vepra e tyre titullohet “Dying of laughter” (Të vdesësh së qeshuri) dhe eksploron e trajton me ironi paradokset që jetojnë tek njeriu. Artistët rrëfejnë historinë e tyre nëpërmjet qypave të baltës dhe një filmimi, xhiruar nga brenda një qypi. Ata sjellin një film të metrazhit të shkurtër ku çdo tingull vjen nga vetë ena.

“Në rrjetet sociale u shfaq si një fenomen “hahaha”, e qeshura e shprehur si fjalë, por që në të vërtetë nuk është fjalë. Është më shumë një arratisje nga gjuha, një e qeshur e shkruar. Një pjesë jo e menduar mirë e teknologjisë”, thotë për mediet, Marin Nikolla.

I pyetur se ç’do të thotë për të fakti që përfaqësoi Shqipërinë në Fuorisalone në Milano, artisti tha se, për të ekzistojnë dy Shqipëri: ajo gjeografike, që ka mbetur në vend dhe një tjetër më e madhe, e shpërndarë nëpër botë, në kërkim të diçkaje. “Nuk e di, mbase ka edhe të tjera…”, shprehet Nikolla, duke lënë hapësirë për reflektim./atsh/ KultPlus.com

Baleti amerikan rikthehet me performancë të veçantë në tri qytete të Kosovës

Trupa e njohur “Ballet Magnificat” nga Amerika, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Kosovë, rikthehet për herë të dytë në vendin tonë, por tani me një turne të veçantë në tri qytete, në Prishtinë, Gjakovë dhe Gjilan.

Ballet Magnificat është një nga trupat më të njohura dhe të respektuara të baletit në botë, e cila ka arritur të frymëzojë publikun e të gjitha kulturave dhe moshave, kudo që ka shfaqur artin e saj.

Ky nuk është një balet si të tjerët, por një kombinim mahnitës i baletit dhe dramës, ku lëvizjet flasin më shumë se fjalët. Me lëvizje të punuara me mjeshtri të lartë dhe emocione që ndihen në çdo hap, Ballet Magnificat sjell këtë vit një histori të re, që prek zemrën e çdo njeriu: “Rrugëtimi i Djalit të Humbur”, një rrëfim i thellë për gabimet, humbjen, kërkimin dhe shpresën për një fillim të ri.

Shfaqjet do të mbahen më:

20 prill, Prishtinë, ora 20:00

22 prill, Gjakovë, ora 19:00

23 prill, Gjilan, ora 19:00

Lokacionet: Teatri i Qytetit në çdo qytet përkatës.

Danielle Steel: Gjërat ndodhin në mënyrën se si janë shkruar të ndodhin

Shprehje fantastike nga Danielle Steel:

“Ndoshta disa njerëz nuk do të jenë përgjithmonë në jetën tonë. Disa mund të jenë duke kaluar në të. Është njësoj si disa njerëz që kalojnë në jetën tonë për të na sjellë diçka: një dhuratë, një bekim, një mësim që duhet ta mësojmë. Për këtë arsye, ata shfaqen në jetën tonë”.

“Gjëja që më prek më shumë në shpirt, është kur dikush më thotë “Ti vërtet ke bërë ndryshimin””.

“Mos u shqetëso shumë. Gjëja e duhur do të vijë në kohën e duhur. Gjërat ndodhin në mënyrën se si janë shkruar të ndodhin”.

“Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Asgjë nuk ndalon të qëndrojë ashtu siç është, por vazhdon të ecë. Si një lumë”.

“Fati është i përkohshëm, romanca mund të jetë e bukur, por dashuria është gjëja më e rëndësishme. Pa dashurinë, fati dhe romanca do të kishin një jetë shumë të shkurtër”.

“Unë besoj tek dashuria me shikim të parë për një shtëpi, por jo për njerëzit”.

“Është e vështirë të bësh ndryshime. Mësohesh me gjërat dhe nuk dëshiron të largohesh prej tyre. Ndoshta do të bëjë mirë të ndihesh pak jo në rehat me gjërat që ke, për ca kohë, dhe të bësh diçka ndryshe”.

“Unë nuk kam nevojë për një mashkull që të jem e lumtur. E kisha dikë, ishte mjaftueshëm i mirë. Nuk pres të gjej dikë tjetër si ai, ndaj pse të kënaqem me diçka më pak? Jam shumë herë më mirë e vetme”.

“Më mban mend mua? I jam kthyer vetes sime të shkuar. Pa përgjegjësi, pa detyrime, pa ankesa. Nuk dua të zotëroj gjë, të dua dikë apo të lidhem shumë me njerëzit, vendet apo gjërat. Ky është një rregull që funksionon shumë mirë për këdo”.

“Mos e lër jetën të të fluturojë nga duart. Ajo nuk do të kthehet më mbrapsht. Nuk ke për të pasur më një mundësi të dytë”.

“Mos merr vendime me frikë, pasi ato asnjëherë nuk do të të çojnë atje ku dëshiron”.

“Për disa gjëra në jetë, ia vlen pritja”.

“Dashuria është e ngatërruar. Nëse vërtet e do dikë, nuk mund ta shmangësh dot dhimbjen. Njerëzit vdesin, largohen, gjërat ndryshojnë. Por ka raste kur gjithçka funksionon dhe nga ato duhen marrë shembuj”. /KultPlus.com

Çantë Birkin për 1400 dollarë? Çfarë po ndodh me prodhimet në Kinë pas taksave amerikane

A keni ëndërruar gjithmonë të keni një çantë Birkin, por kushtonte 38,000 dollarë dhe duhet të prisnit gati një vit?

Nuk ka problem, lufta tregtare që ka shpërthyer mes SHBA-së dhe Kinës mund ta bëjë ëndrrën tuaj realitet. Sepse luftërat tregtare mund të kenë humbje, por krijojnë edhe mundësi.

Një nga kartat më të forta që kinezët kanë aktualisht në duart e tyre është fakti se ata zotërojnë 80% të prodhimit botëror të mallrave luksoze. Gucci, Hermes, Dior, Louis Vuitton, Chanel, Ferragamo, Ralph Lauren, Tom Ford, Jimmy Choo dhe kompani të tjera të panumërta prodhojnë gjithçka, nga rrobat tek çanta dhe aksesorët tërësisht në Kinë dhe më pas i dërgojnë në Francë ose Itali, vetëm për të shtuar logot.
Për shkak se të gjitha këto marka rrezikojnë të humbasin tregun amerikan me taksat 145% dhe CEO-t kanw vendosur tw të zhvendosin një pjesë ose të gjithë prodhimin e tyre jashtë Kinës, Pekini po i paralajmëron ata se kushdo që e zhvendos prodhimin e tyre jashtë do t’i shohë produktet e tyre të shiten drejtpërdrejt nga të njëjtët prodhues kinezë që i bëjnë ato, me kostot e tyre të prodhimit.

Çantë Birkin për 1400 dollarë? Çfarë po ndodh

Sipas raporteve franceze, Kina po shqyrton mundësinë e lejimit të lirë të kopjuesve, veçanërisht atyre që synojnë markat luksoze amerikane, në përgjigje të tarifave të reja të ashpra të Donald Trump.

Kështu, prodhuesit kinezë janë futur në TikTok dhe po postojnë video që zbulojnë, nga njëra anë, super fitimet e kompanive që shesin produkte luksoze, por nga ana tjetër, sa të varur janë nga prodhimi kinez dhe krahu i lirë i punës për të prodhuar produktet e tyre. Ata inkurajojnë njerëzit që të blejnë produktet direkt prej tyre.

Kinezët në videot e tyre tregojnë se të gjitha produktet luksoze prodhohen me 1/10 dhe 1/20 të çmimit që shiten në butikët europianë dhe amerikanë. Çantat Hermes Birkin kushtojnë 1,400 dollarë për t’u bërë dhe shitur nga 38,000 deri në 2 milionw dollarë në Paris. Nike, Adidas dhe Puma prodhojnë atlete për 10 dollarë një palë në Kinë dhe i shesin për 150 dollarë në Amerikë. Michael Kors, Calvin Klein, Ralph Lauren, Tom Ford, Jimmy Choo janë gjithashtu në listën 1 deri në 20.

Ministri Çeku: Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vend prioritet

Qeveria në dorëheqje në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndërtimin e memorialit për të rënët e 17 korrikut 1998 në Junik.

Ministri në dorëheqje  i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se ky memorial bëhet në përkujtim të të rënëve të betejës së 17 korrikut 1998, e që do të shërbejë si simbol i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm.

“Për këtë vendim kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Bujqësisë dhe me Agjencinë e pyjeve në mënyrë që zonat ku u zhvillua kjo betejë ti jepet ministrisë së kulturës, ndërsa agjencia e memorialëve në ditët në vijim do ta vazhdojë procedurën sipas ligjit për ndërtimin e këtij memoriali shumë të rëndësishëm”, tha ai.

Çeku njoftoi edhe për nënshkrimin e marrëveshjes të cilën e kanë nënshkruar dje mes Federatës Evropiane dhe Federatës Kosovare të I-sports, ai theksoi se organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vend vazhdon të mbetet prioritet i qeverisë në detyrë e sipas tij kjo bëhet si zhvillim i kapaciteteve për përgatitjen e lojërave mesdhetare ‘Prishtina 2030’.

Çeku, përmendi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”. 

“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet përkatëse”, tha ai. 

Sipas Çekut kjo është një nga shkeljet dhe shtoi se shkelja e dytë është se “ka përsëritje të metodave të veprimeve nga Komuna”. 

Ai ka thënë se Ministria dyshon dhe është e bindur që ka parregullsi të theksuar në lidhjen e kontratave. 

“Deri tash janë shkaktuar disa milionë euro dëm nga buxheti i Komunës si rezultat i këtyre kontratave të kundërligjshme dhe ne pretendojmë se komuna e bën këtë veprim qëllimshëm, me paramendim dhe për këtë arsye i jemi drejtuar prokurorisë dhe policisë”, ka thënë ai./rtk/ KultPlus.com