Bajram Kosumi sapo është paraqitë me botimin e tij më të ri “Revolucioni 1981”, dhe promovimi i këtij libri do të mbahet në Gjilan, shkruan KultPlus.
Promovimi do të bëhet më 17 prill në ora 15:00 në Amfiteatrin B01 të Universitetit “Kadri Zeka” dhe do të moderohet nga Merxhan Avdyli.
Të pranishmit do të kenë mundësinë të diskutojnë me autorin për librin, sikurse edhe për krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij.
Ky libër përfshinë organizimin e demonstratave të vitit 1981, ku nëpërmjet autorit është analizuar ndikimi i demonstratave në proceset politike e kulturore në Kosovë, në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në rrënimin e komunizmit sovjetik./ KultPlus.com
Me “Pas Luftës” Robert Nuha përshkon historinë e vendit të tij në një sërë tablosh të matura, të banuara dhe të fuqishme. Ai luan me një kujtesë të plagosur që nuk është aq e largët sa të mos përshkojë çdo gjest, çdo notë, çdo cep të hapësirës skenike.
Shkruan: Patrick Mons, regjisor dhe aktor
Kolektivi i kërcimtarëve/muzikantëve/rrëfimtarëve të krijuar kështu shpalos përrallën epike të një vendi që është i tyre. Një vend që, si ata që e jetojnë, që e vibrojnë para dhe për ne, tundet, përzë demonët sa më mirë, angazhon trupin dhe ngre kokën.
Ne ndiejmë në fijet e secilit se secili ka kujtesën e tij, secili poezinë e tij të veçantë, por edhe se dëshira e përbashkët për të rindërtuar atje një dhe të njëjtin vend është e pandarë! Kjo është forca e skenografisë së Robertit, një forcë e pazakontë që shfaqet gjatë gjithë shfaqjes.
Muzika (si tradicionale ashtu edhe moderne) dhe fjalët bashkohen bukur me kërcimtarët “në fluturim të plotë”. Ashtu si Pina Bausch, Robert Nuha i lartëson njerëzit duke i dashur thellësisht. Dhe le të kërcejë shpresa!/KultPlus.com
Në 14 prill, Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas dy të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Tahiri-Sylejmani është shprehur se do të ngrejnë zërin kundër dhunës dhe kundër përjetimeve më të llahtarshme që regjimi serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës.
“Në këtë 14 prill si dhe në çdo ditë të vitit ne ngrejmë zërin tonë bashkë me Vasfijen dhe Shyhreten por edhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Ngrejmë zërin tonë kundër dhunës, kundër një përjetimeve më të llahtarshme që regjimi serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës, dhunimin seksual gjatë luftës por mbi të gjitha ngrejmë zërin tonë për drejtësi”, është shprehur Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se drejtësia ka munguar për këto 26 vite për të gjithë të mbijetuarit e dhunës në Kosovë.
“Zëri ynë do të vazhdojë të dëgjohet edhe tash e tutje, zëri i të mbijetuarve dhe të vërtetës së Kosovës është dëgjuar nga OKB, nga Amerika Latine në Afrikë e në çdo kontinent tjetër sepse është zëri i të vërtetës. Është qëndrueshmëria e grave dhe burrave që nga sot kanë dal të flasin publikisht që e bën Kosovën një shembull të asaj se si duhet të luftohet për të vërtetën dhe drejtësinë”, ka shtuar tutje presidentja.
Ndërsa, Vasfije Krasniqi – Goodman është shprehur se kjo ditë për të ka qenë një ditë shumë e vështirë por nga sot do të shndërrohet në forcë.
“Unë jam krenare që zëri im i ka thyer heshtjet dhe tabutë në shoqërinë tonë dhe i lus të gjitha viktimat të flasin për atë që ju ka ndodhur”, u shpreh ajo.
Kurse, Shyhrete Tahiri-Sylejmani ka falënderuar presidentën që ka ngritur zërin dhe ka shtuar se kjo ditë është shumë e rëndësishme.
“Lus të gjithë të mbijetuarit të kenë guximin të dalin dhe të flasin sikur na”, shtoi ajo./KultPlus.com
Më falni diçkà që më kënaq si puthja e nanës në ballë; më gëzoni nji herë si gëzohet gjethi i njomë në puhí, më shikoni si hana nëpër rremba e kam me u falë gjithçka: mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime dhe në zgavrrat e synit të sáj do të derdhi lòt. Avitu, njerí! Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë si bima prej fare në pranverë. / KultPlus.com
Libri “Shtëpia pa pasqyrë” nga autorja Majlinda Bregasi do të promovohet më 16 prill, ditën e mërkurë, në orën 19:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nëna Terezë”). Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë: Majlinda Bregasi, autore e librit; Albulena Blakaj, redaktore letrare e librit dhe Latif Mustafa, studiues i filozofisë.
“Shtëpia pa pasqyrë” sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre. Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe?
Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca. Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare./ KultPlus.com
Do të jetë mëngjes dhe unë do të vij patjetër, Pas avullit të xhamave ti më prit. Do më ketë rënë pluhur mimozash në flokë, Dhe pluhur dashurie në shpirt.
Do dalë dielli dhe do të jetë ngrohtë, Avujt e ëndrrave do shkrijnë ngadalë. Ne do të presim pranë tyre pa folur, Gjersa të behen të qarta, të qarta si kristal.
Pastaj s’do ketë më as mëngjes, as botë, Do jemi vetëm unë dhe ti. Ti do më prekësh me gishta në flokë, Në pluhur mimozash dhe dashurish. / KultPlus.com
Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar 19 shekuj më parë, ndërsa për ekzistencën e tij kishte prova edhe para zbulimit të tij. Njëra prej tyre ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.
Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.
Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.
Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit. / KultPlus.com
Java e Dizajnit në Milano u mbyll me një sërë aktivitetesh që lidheshin edhe me kulturën shqiptare.
Krahas aktiviteteve të panairit ishin dhe ato të “Fuorisalone 2025”, në qendrën kulturore Slow Mill në Milano. Shqipëria u prezantua me ekspozita pikture, stand-up comedy, muzikë, filma dhe aktivitete kulinarie.
Shef Sokol Prenga prezantoi platformën ‘Albchef2025’, një mjet që synon të vlerësojë, promovojë dhe lidhë shefat dhe profesionistët e sektorit HORECA me origjinë shqiptare në mbarë botën. Shqiptarë e të huaj kanë shijuar bimë, vajra, verëra dhe produkte gastronomike shqiptare të jashtëzakonshme.
Projektet e sjella nga qendra kulturore Slow Mill, patën mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si pjesë të programit “CulturaAlb – Ditët shqiptare në botë”, për të zbuluar më të mirën e kulturës shqiptare./atsh/KultPlus.com
Ramadan Nishori është viktimë e dhunës seksuale nga forcat serbe, i cili sapo ka folë publikisht për këtë akt që e ka mbajtë në vete për 26 vjet me radhë.
Vasfije Krasniqi është gruaja e parë që ka folë publikisht për dhunimet nga forcat serbe, dhe edhe me këtë rast i është drejtuar me një letër mbështetëse Ramadan Nishorit. KultPlus ju sjell të plotë letrën e saj.
I dashur Ramadan,
E kujtoj qartë ditën kur më thirre për herë të parë, në vitin 2018, për të ndarë dhimbjen tënde me mua. Atëherë e ndjeva peshën e fjalëve tua dhe ashtu si atëherë, edhe sot, më kujtohen lotët e tu, lotë që flisnin më shumë se çdo fjalë. Në çdo bisedë tonën, në çdo takim, unë e ndjeja thirrjen tënde për drejtësi, për mirëkuptim, për shërim. Dhe atëherë, ashtu si sot, ta thashë me gjithë zemër: do të jem pranë teje, çdo ditë të jetës sime.
Do të jem përkrahja jote më e madhe, jo sepse më ke zgjedhur, por sepse e meriton. Dhimbja dhe vuajtja jote nuk janë vetëm e kaluara jote, por një barrë që ti e ke kthyer në forcë dhe në zë për të gjithë ata që nuk mund të flasin ende.
Të jetosh në një shoqëri kaq patriarkale, ku burrat mësohen të heshtin, ku dhimbja maskohet me forcë dhe ku plagët nuk pranohen – dhe të marrësh guximin të dalësh para botës dhe të flasësh për dhunën seksuale që ke përjetuar – është një akt që frymëzon. Është një dritë në një rrugë të errët. Ti je shembull për gjithë ne, në këtë vend, në këtë kohë.
Përkulem me respekt para forcës tënde, para vullnetit tënd për të mos u dorëzuar, për të luftuar për të vërtetën tënde. Faleminderit edhe familjes tënde, që u bë krah dhe mbështetje, që të qëndroi afër kur rruga ishte më e vështirë.
Ky rrugëtim, Ramadan, nuk është i lehtë. Është i mbushur me pengesa, me mosbesim, me stigma. Por është i domosdoshëm. Jo vetëm për ty, por për të gjithë ne. Shpresoj me gjithë zemër që shoqëria jonë të të trajtojë me respektin dhe dinjitetin që e meriton, dhe që shteti të njohë dhe të vlerësojë aktin tënd të guximshëm – sepse ajo që ke bërë ti sot është më shumë se rrëfim, është histori që do të ndryshojë jetë.
Pirro Mani (Korçë, 14 prill 1903 – Berat, 1 qershor 1993) ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.
Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.
Pirro Mani u nda nga jeta ne moshën 89 vjeçare me 1 Qershor 1993 në Berat, kupër shumë vite jetoi me familjen, fëmijët dhe gruan, aktoren Pavlina Mani./KultPlus.com
Ramadan Nishori ka rrëfyer publikisht përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 22-vjeçar.
“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai, në shënimin e Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës.
“Jam këtu që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka potencuar Nishori, raporton RTK.
Ai ka shpalosur rrëfimin e tij në organizimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke u bërë burri i parë që del në mënyrë publike me ngjarjen që ia kanë shkaktuar forcat serbe.
“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.
Rushiti ka thënë se pas 26 vjetëve mund të përpjekjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale, tashmë pas 22 vjetëve është një rast i konfirmuar nga Gjykata Supreme, mbi 10 aktakuza të ngritura, ndërkaq fëmijët e të mbijetuarve marrin shërbime ndihmuese./ KultPlus.com
Pandi Raidhi ishte aktor shqiptar i teatrit dhe kinemasë i shekullit të XX.
Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 në shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjeherë simpatinë e publikut korçar.
Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.
Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysëm shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.
Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtesinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.
Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.
Disa nga projektet kinematografike në të cilat mori pjesë janë: Njerëz në rrymë, Familja ime, Përsëri pranverë, Rrethimi i vogël, Duaje emrin tënd, Kush vdes në këmbë, Nëntori i dytë, Shoqja nga fshati, Partizani i vogël, Agimet e stinës së madhe, Liri a vdekje, Ne vinim nga lufta, Flamur në dallgë, Përballimi, Monumenti, Tokë e përgjakur, Zonja nga qyteti, Beni ecën vetë, Rrugicat që kërkonin diell, Shpërthimi, Shtigje të luftës, Krevati i perandorit, Yjet e netëve të gjata, Kur zbardhi një ditë, Mëngjeze lufte, I teti në bronz, Horizonte të hapura, Vitet e para, Tana etj.
Vdiq në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999./KultPlus.com
Fundjavën që lamë pas, në kinema “Millennium” nisi cikli i filmave të rinj të kinematografisë italiane, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
Cikli “Italian Screens” nisi me filmin “Gloria” të regjisores Margherita Vicario, një film që ngre lart forcën, vendosmërinë dhe kërkimin e vetvetes. Filmi i shfaqur në “Millennium” ka marrë tri kandidatura dhe ka fituar një çmim Nastro d’Argento.
Të pranishëm në çeljen e këtij cikli ishin kineastë dhe adhurues të kinematografisë italiane. Programi përfshinte edhe projeksionin e filmit të animuar për fëmijë, “La bicicletta di Bartali”, i regjisorit Enrico Paolantonio, i pranishëm gjatë shfaqjes së filmit.
Një film i bën jehonë heroizmit dhe vendosmërisë së Gino Bartalit, një nga çiklistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Bartali vjen në film si një njeri që bëri shumë më tepër sesa të pedalonte, ai shkroi historinë e çiklizmit.
Një tjetër film që u shfaq në “Millennium” ishte filmi autobiografik “Il tempo che ci vuole” nga regjisorja Francesca Comencini.
Instituti Italian i Kulturës shkroi online se ky cikël është një mundësi për të mos u humbur për adhuruesit e kinemasë, sporteve dhe historisë italiane./atsh/KultPlus.com
Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?
Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua.
Mario Vargas Llosa, i cili ka magjepsur lexuesit me ashpërsinë e tij intelektuale dhe prozën lirike për pesë dekada, ka vdekur të dielën në moshën 89-vjeçare.
Vargas Llosa fitoi çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2010 për vepra si “Aunt Julia and the Scriptwriter”, “Death in the Andes” dhe “The War of the End of the World”.
Por, që herët ai braktisi idetë socialiste që u përqafuan nga shumë bashkëmoshatarë të tij, dhe përfshirja e tij në politikë dhe pikëpamjet konservatore bezdisën pjesën më të madhe të klasës intelektuale të majtë të Amerikës Latine. Në vitin 1990, ai kandidoi për president të Perusë, duke thënë se donte të shpëtonte vendin e tij nga kaosi ekonomik dhe një kryengritje marksiste.
Ai humbi në balotazh nga Alberto Fujimori, një agronom dhe profesor universiteti i panjohur në atë kohë, i cili mundi kryengritësit, por më vonë u burgos për krime të të drejtave të njeriut dhe korrupsion. I frustruar nga humbja e tij, shkrimtari u transferua në Spanjë, por mbeti me ndikim në Amerikën Latine, duke kritikuar ashpër një valë të re të liderëve të ashpër të majtë të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm venezuelas Hugo Chavez, shkruan Reuters.
Në dhjetëra romanet, dramat dhe esetë e tij, Vargas Llosa tregoi histori nga këndvështrime të ndryshme dhe eksperimentoi duke lëvizur përpara dhe me radhë në kohë dhe duke ndërruar narratorë. Vepra e tij kapërceu zhanret dhe e vendosi atë si një figurë themelore në një brez shkrimtarësh që çoi në një ringjallje në letërsinë e Amerikës Latine në vitet 1960.
Librat e tij shpesh shqyrtonin marrëdhëniet shqetësuese midis udhëheqësve dhe subjekteve të tyre. “Festa e dhisë” (2000) detajon regjimin brutal të diktatorit të Republikës Domenikane Rafael Trujillo, ndërsa “Lufta e Fundit të Botës” (1981) tregon historinë e vërtetë të një predikuesi fanatik kopeja e të cilit vdes në një luftë vdekjeprurëse me ushtrinë braziliane në vitet 1890.
“Gjeniu i tij intelektual dhe vepra e madhe e tij do të mbeten një trashëgimi e përjetshme për brezat e ardhshëm,” tha presidentja e Perusë Dina Boluarte në një postim në X, duke e quajtur atë “peruanin më të shquar të të gjitha kohërave”.
Romane të fshehura nga eksperienca
I lindur nga prindër të klasës së mesme në Arequipa, Peru, më 28 mars 1936, Vargas Llosa shpesh tërhiqej nga përvoja personale dhe familja e tij, ndonjëherë duke futur personazhe të bazuar në jetën e tij në përrallat e tij.
Romani i tij debutues i mirënjohur, “The Time of the Hero” (1963), u bazua lirshëm në jetën e tij adoleshente si kadet në një akademi ushtarake në Lima, ndërsa kujtimet e tij të vitit 1993, “A Fish in the Water”, u fokusuan në kandidimin e tij presidencial të vitit 1990.
Vepra të tjera shprehnin shqetësim të thellë për vendin e tij. “Tregimtari” (1987) trajton përplasjen e kulturave indigjene dhe evropiane në Peru, ndërsa “Vdekja në Ande” (1993) rrëfen vitet e tmerrshme të lëvizjes guerile të Rrugës së Shkëlqyer.
“Vepra e një autori ushqehet nga përvoja e tij dhe, me kalimin e viteve, bëhet më e pasur”, tha Vargas Llosa për Reuters në një intervistë në Madrid në 2001./KultPlus.com
Simone de Beauvoir ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore.
Megjithëse ajo nuk e konsideronte veten një filozofe, ajo kishte një ndikim të rëndësishëm në ekzistencializmin feminist dhe teorinë feministe.
Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.
Prindërit e saj ishin njëri sekretar ligjor dhe e ëma vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, madje dikur ajo synonte të bëhej murgeshë. Nga viti 1929 deri më 1943, De Beauvoir jepte mësim në lice. Ajo dha mësim në Marsejë, Rouen dhe Paris.
De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo ishte e njohur për traktatin e saj të vitit 1949, “Seksi i Dytë”,gjithashtu për romanet e saj, duke përfshirë “Ajo erdhi për të qëndruar” dhe “Mandarins”.
Libri i saj “Seksi i dytë” pati tepër jehonë. Pati reagime dhe qëndrime ndaj tij , duke përfshitë edhe ndalimin e tij nga Vatikani, dhe ato ishin rrjedhojë e diskutimit të hapur nga autorja mbi seksualitetin femëror, përfshirë homoseksualitetin. Por në fakt, libri “Seksi i dytë” është shumë më tepër se kaq. Libri ngre pyetjen më thelbësore të feminizmit: Çfarë do të thotë të jesh grua? De Beauvoir e refuzon ekzistencën thjesht biologjike dhe përqendrohet në cilësinë e feminitetit, duke arritur kështu në thënien e saj më të famshme: “Një njeri nuk lind, por bëhet grua”.
De Beauvoir e krahason shtypjen e grave me atë të hebrenjve, njerëzve me ngjyrë dhe popullsive të kolonizuara. Por ajo konkludon se seksizmi është një forcë unike, sepse gratë jetojnë, madje edhe i dashurojnë, shtypësit e tyre. Në këtë libër, autorja bën një panoramë të jetës së grave: puna, mëmësia, pavarësia ekonomike, krijimtaria, seksualiteti, plakja dhe mërzia si rezultat i punëve shtëpiake.
Proza e De Beauvoir është depërtuese. Përgjigjet e saj janë të thjeshta: gratë duhet të arsimohen njëlloj si burrat, të paguhen njëlloj me burrat dhe t’u krijohet qasje e lirë mbi planifikimin familjar dhe divorcin. Në kohën kur u publikua, “Seksi i dytë” ishte një sukses. Shiti 22 mijë kopje në javën e parë në Paris në vitin 1949, ndërsa përkthimi në anglisht u bë menjëherë bestseller në Amerikë. Libri ka influencuar shkrimtare dhe feministe të brezave të mëvonshëm.
Ajo gjithashtu ishte e njohur për marrëdhënien e saj të hapur gjatë gjithë jetës me filozofin francez Jean-Paul Sartre. Gjatë tetorit 1929, Jean-Paul Sartre dhe De Beauvoir u bënë çift dhe, pasi u ballafaquan nga babai i saj, Sartri i kërkoi asaj të martohej me të. Por afër fundit të jetës së saj, de Beauvoir tha, “Martesa ishte e pamundur, nuk kisha asnjë dhunti”. De Beauvoir zgjodhi të mos martohej kurrë dhe të mos krijonte një familje të përbashkët me Sartrin. Ajo nuk bëri as fëmijë.
Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir. Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra të famshëm.
Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar. Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë./KultPlus.com
Pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm përmes tre edicionesh që sollën art, energji dhe emocion në mbarë Shqipërinë, Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen në sezonin e katërt, që premton një tjetër kapitull të veçantë në historinë e dialogut ndërkulturor.
Këtë vit, ky rrugëtim i veçantë nis me Poloninë, e cila për herë të parë bëhet pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Nga data 14 deri më 19 Prill, Tirana dhe jo vetëm do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra. Qytetarët do të kenë mundësinë të përjetojnë ditë të mbushura me aktivitete që i flasin ndjeshmërisë, traditës dhe kuriozitetit kulturor, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje dhe shkëmbimi.
Java Kulturore Polake 2025 fillon sot (14 prill) në orën 19:00 me një aktivitet hapjeje te instalacioni “Reja”. Ansambli Polak i Këngëve dhe Valleve “Silezia” do të interpretojë valle tradicionale polake dhe do të përfshijë publikun në një kërcim spontan “Polonez”, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit të UNESCO-s. Në skenë, atyre do t’ju bashkohet edhe Ansambli i Këngëve të Valleve Popullore (AKVP). Të nesërmen, do të ofrohet një seancë mësimore e vallëzimeve tradicionale polake për studentët e Fakultetit të Kërcimit në Akademinë e Arteve.
Monika Filipina, një autore dhe ilustruese polake e librave për fëmijë, e vlerësuar me çmime, do të zhvillojë Workshope Arti për fëmijët në Teatrin e Kukullave. Monika Filipina ka shkruar dhe ilustruar mbi 50 libra të botuar në mbarë botën, në më shumë se 20 gjuhë. Ajo do të takojë gjithashtu fëmijë, prindër dhe edukatorë, në Shtëpinë e Evropës, për të shpjeguar se si lindin tregimet dhe për të paraqitur një përzgjedhje të veprave të saj.
Shfaqja e dy filmave polakë, në Akademinë e Arteve, do t’i ofrojë publikut një mundësi për t’u përfshirë në bashkëbisedim me regjisoren e filmit fitues të çmimeve ndërkombëtare, Joanna Kos-Krauze, mbi tema sa individuale, aq edhe universale. “Papusza” (Papusha – në gjuhën rome) tregon një histori unike të një poeteje rome (cigane), poezia e së cilës, e zbuluar rastësisht, tregon diversitetin e kulturave në Poloni. “Birds Are Singing in Kigali” (alb. “Zogjtë po këndojnë në Kigali”) trajton përvojën e krijimit dhe transmetimit të traumës. Pas shfaqjeve, znj. Kos-Krazue do të zhvillojë një seancë mësimore me studentët e Fakultetit të Teatrit dhe Filmit, në Universitetin e Arteve.
Dy trajnerë profesionistë të Federatës Polake të Volejbollit do të zhvillojnë seanca stërvitore me një grup të rinjsh shqiptarë të shkollës “Ismail Qemali”. Gjatë stërvitjeve do të përzgjidhen ekipe lojtarësh, për të luajtur një ndeshje finale me ekipet e trajnuara nga Federata Shqiptare e Volejbollit, në shkollën fillore “Vasil Shanto”.
Javën kulturore polake do ta mbyllin koncertet e grupit polak të xhazit JAH Trio, si pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në Shqipëri. Grupi do të performojë në Tiranë dhe Shkodër, në formacionin e tij të plotë: Jan Jarecki – piano, Michał Aftyka – kontrabas, Marcin Sojka – bateri. Michał Aftyka është fitues i çmimit “Fryderyki”, që është vlerësimi më i rëndësishëm në industrinë muzikore polake.
Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 do të sjellin një atmosferë të veçantë në çdo cep të Shqipërisë. Të gjitha këto do të shpalosen përmes performancave, ekspozitave, punëtorive, shfaqjeve dhe ngjarjeve.
Këtë vit, Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Megjithatë, jo vetëm Tirana, e gjithë Shqipëria është gati të përjetoj nëntë muaj magjik. Ftesa është e hapur për të gjithë: ejani dhe bëhuni pjesë e një aventure kulturore që pas Polonisë vijon me Maqedoninë e Veriut, Eu, Itali, Izrael, Suedi, Francë, Brazil. Arabi Saudite, Mal i Zi, UK, Kinë, Hungari, Gjermani, Hollandë, Japoni, Austri, Spanjë, Meksikë dhe Kosovë. Javët Kulturore Ndërkombëtare sapo ka nisur dhe ky është vetëm fillimi i festës./atsh/KultPlus.com
SpaceX lëshoi një grup tjetër satelitësh Starlink në orbitë nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida.
Raketa Falcon 9 barti 21 satelitë Starlink drejt orbitës së ulët të Tokës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Trembëdhjetë prej tyre ishin të pajisura me teknologjinë Direct to Cell, me qëllim eliminimin e zonave të vdekura celulare për pajisjet celulare në të gjithë botën.
Satelitët u lëshuan rreth një orë në lëshimin e raketës në mënyrë që ata të mund të fillonin të lëviznin në orbita specifike si pjesë e flotës në rritje të SpaceX.
Starlink tani ka mijëra satelitë në orbitë, duke ofruar internet në mbi 100 vende.
Ndërsa SpaceX thotë se po ndihmon në lidhjen e zonave të largëta, disa shqetësohen për numrin në rritje të satelitëve në hapësirë dhe ndikimin e tyre në mjedis.
Kritikët ngrenë shqetësime në lidhje me mbeturinat e hapësirës, ndotjen atmosferike dhe rrezikun e përplasjes në orbitën e ulët të Tokës, ndërsa numri i satelitëve rritet./alsatm/ KultPlus.com
Isaac Bashevis Singer (1903-1991), shkrimtar dhe përkthyes polak me nënshtetësi amerikane, autor në gjuhën jidish. Fitues i çmimit Nobel për Letërsi më 1978.
GAZETARIA DHE LETËRSIA
Nga Isaac Bashevis Singer
Njoh shkrimtarë që e konsiderojnë zezonë faktin se u duhet të punojnë për ta fituar bukën e gojës përmes gazetarisë. Pohojnë se kjo shkon në dëm të kohës së tyre të lirë dhe se gazetaria në përgjithësi e dëmton kreativitetin letrar. Pohojnë se gazetari mësohet të shkruajë me nxitim pa i peshuar dhe matur fjalët e veçanta dhe se mjetet dhe metodat e gazetarisë janë saktësisht e kundërta e kreativitetit. Përvoja ime sugjeron një qasje ndryshe ndaj kësaj çështjeje.
Veprat e mia më të mira i kam shkruar në mesin e kaosit të gazetës, shpesh tamam në zyrat e redaksisë, mes një artikulli e një tjetri. Romanet e mia Familja Moskat dhe Qëndresa janë botuar me vazhdime në «Forverts» dhe çdo javë përgatisja një kapitull të ri për të shtunën e ardhshme.
Është e vërtetë se pastaj i kam ripërpunuar, duke e përmirësuar gjuhën dhe duke bërë shkurtime, por pjesa më e madhe e veprës ishte kryer me nxitim derisa redaktori dhe tipografi më rrinin mbi kokë për ta çuar në shtyp.
Gati se të gjithë shkrimtarët e mëdhenj rusë kanë publikuar veprat e veta në gazeta e revista. Dostojevski ishte gazetar i shkëlqyeshëm dhe, nëse është e vërtetë se shkrimet e tij letrare përmbajnë elemente gazetarie, me sa duket nuk kanë pësuar kurrfarë dëmi. Tolstoi me siguri do të kishte me qenë mjeshtër i gazetarisë veç sikur të kishte marrë mundin të bëhej gazetar. Tregimet e Çehovit pothuajse që të gjitha qenë shkruar për gazeta. Shkrimtari i vetëm i famshëm rus që e shmangu shtypin periodik dhe ndau mendjen të tërhiqej në ishuj dhe pallate ishte Andrejevi, shkrimtari më pak i rëndësishëm në mesin e mjeshtrëve rusë. Në letërsinë franceze, Maupassant dhe Zola mbajtën lidhje të ngushta me shtypin; e në atë amerikane ishin gazetarë si Edgar Allan Poe si Walt Whitman.
Po nuk është çështje e emrave dhe rasteve të veçanta. Mendoj se gazetaria ushtron një ndikim mirëbërës mbi kreativitetin letrar, ngase për të dyja vlejnë të njëjtat ligje. Ripërtypja e fakteve të vjetra nuk është gazetari. Gazeta është organ që duhet të japë lajme. Mund të duket paradoksale, por kjo është e vërtetë edhe për letërsinë, qoftë pra edhe në një kuptim më të gjerë. Të gjitha veprat letrare me vlerë duhet të përmbajnë një element informacioni. Lexuesit duhet të kapin te shkrimtari qasjen origjinale, një gjendje shpirtërore të pazakontë, një formë të re. Edhe në letërsi kërkojmë të rejat, sado që të një natyre tjetër. Një vepër që nuk u ofron lexuesve një shikim të ri, fakte të reja, personazhe të reja – ja, një vepër e tillë është e pavlerë. Letërsia na fut shpesh në një tip të ri të shoqërisë. Një tekst i mirë letrar mund të krahasohet me një udhëtim në një tokë të huaj. Romani historik – nëse është roman i mirë – shpesh na pajis me lajme që nuk i kishim dhe me një rilexim të historisë. Salamboja e Flaubertit përmban bukur ca informacione. Lufta dhe paqja e Tolstojit mbase nuk zbulon asgjë të re mbi Napolonin, por propozon një pikëpamje origjinale mbi aristokracinë dhe militarizmin rus.
Letërsia, si gazetaria, është në kërkim të së resë, por të dyja e bashkëndajnë edhe elementin më domethënës. Letërsia e mirë, si edhe gazetaria e mirë, mundohet të paraqesë faktet e zhveshura nga interpretimet sipërfaqësore. Nëse kjo nuk është e vërtetë sot, megjithatë ka qenë e vërtetë deri më sot dhe besoj se do të jetë përsëri në të ardhmen. Nuk është detyrë e autorëve, aq më pak e gazetarëve, të interpretojnë çdo fenomen që e përshkruajnë, ta ngërthejnë në mënyrë të përsosur në zinxhirin e shkakut dhe pasojës. Autorët nuk janë aspak të obliguar t’i referohen psikologjisë, të deklarojnë me saktësi se si ky a ai fakt kanë ndikuar te personazhet e tyre. Sot, kur letërsia angazhohet aq fuqishëm për t’u bërë degë e psikologjisë dhe për t’ia avokuar vetes, në një pjesë të mirë, rolet e psikologut dhe të sociologut, kjo pikëpamje imja mund të duket e vjetruar, por unë besoj se aty ku letërsia bëhet tepër psikologjike, i humb që të dy cilësitë e saj: atë letrare dhe atë psikologjike. I ashtuquajturi shkrimtar psikologjik është psikolog në letërsi dhe letrar në psikologji. Mjeshtrit e mëdhenj të letërsisë mësoheshin me pengesat e atij që shkruan në gazeta. I paraqitnin faktet pa u merakosur se sa të çuditshme mund të dukeshin për lexuesit. Është fakt, për shembull, se Dostojevski në Krim dhe ndëshkim nuk sqaron kurrë pse Roskolnikovi ka vendosur të bëjë një vrasje, as nuk i zbulon motivet e vrasjeve te Vëllezërit Karamazov. Ua lejon personazheve të tij shpjegojnë veprimet e tyre, por nuk e bën kurrë ai vetë në veten e parë dhe Roskolnikovi mbetet enigmë – ashtu siç në të vërtetë ndodh shpesh, me vrasësit. Në një vend tjetër kam pohuar se faktet nuk tejkalohen kurrë, ndërsa komentet lindin tashmë të ndenjura.
Megjithatë ekziston një lidhje e fundit e rëndësishme mes gazetarisë dhe letërsisë. Kur shkencëtarët kanë diçka për të thënë nuk pritet prej tyre të bëjnë hesap durimin e lexuesve të tyre. Askush nuk pretendon tekste interesante dhe argëtuese nga një mjek që shkruan për një sëmundje të lëkurës. Shkencëtarët shkruajnë derisa ta kenë zhveshur argumentin.
Gjendja është krejtësisht ndryshe kur bëhet fjalë për shkrimin e një lajmi. Duke u nisur nga ajo se sa lajmi mund të jetë i rëndësishëm, gazetarët duhet ta kenë parasysh durimin e lexuesve. Në çfarëdo gazete, drejtori hedh një grumbull artikujsh që me mendjen e tij do t’i mërzisnin lexuesit. Lajmi i mërzitshëm nuk është lajm nga pikëpamja gazetareske, edhe pse do të mund të ishte në bazë të çfarëdo kriteri tjetër.
E njëjta vlen për letërsinë. Një vepër letrare mund të jetë shumë e thellë, por nëse e mërzit lexuesin është krejt e kotë. Në këtë kuptim, letërsia madje shkon përtej gazetarisë. Gazetat moderne kanë rubrika të ndryshme që u përgjigjen interesimeve të ndryshme të lexuesve. Atij që lexon faqet sportive do të mund të mos i interesonin ato financiare dhe anasjelltas. Në letërsi nuk ka rubrika. I gjithë libri duhet të jetë interesant.
Shumë shkrimtarë që kanë frikë nga gazetaria kërkojnë – me a pa vetëdije – t’i këpusin lidhjet e natyrshme mes gazetarisë dhe letërsisë. Sa për të filluar, janë të bindur se roli i letërsisë është mbi të gjitha ai i analizimit ose hetimit. Nuk e konsiderojnë të domosdoshme t’u japin lexuesve informacione shteruese rreth kontekstit, ambientit fizik apo rreth zakoneve të personazheve të tyre. Nuk e pranojnë pohimin se letërsia duhet të jetë interesante. Përkundrazi i idolatrojnë veprat që mërzitin, duke i prezantuar si produkte të një martese mes letërsisë dhe shkencës, ndërkohë që nuk janë as njëra as tjetra. Në këtë mënyrë puna e shumë shkrimtarëve modernë është gjithnjë e më tepër e kthyer kah interpretimi i fakteve – thua se faktet mund të interpretohen përnjëmend.
Është e habitshme se si shkrimtarët që janë munduar me aq zjarr të çlirohen nga gazetaria janë tërhequr dhe kushtëzuar prej saj në mënyrë të fshehtë. Autorët modernë që mundohen të aplikojnë analizën dhe psikologjinë, të shpjegojnë motivet e protagonistëve të tyre, heqin dorë nga stili, përfundojnë duke lënë anash formën dhe duke u shndërruar në gazetarë mediokër. Analiza kërkon përsëritjen, ndërsa letërsia duhet të jetë pa përsëritje. Analiza është fjalëshumë, ndërsa letërsia e vërtetë duhet të jetë sintetike dhe përzgjedhëse. Vëllimet e mëdha të mjeshtërve ishin të tilla sepse ishin të pasura me informacione dhe ngjyrë. Libri modern me aq faqe shpesh është i fryrë nga përsëritjet. Ja pse redaktorët sot kanë rol kaq thelbësor. Ja pse nga veprat letrare hiqen blloqe të tëra. Botuesit dhe redaktorët janë bërë gjykatës të mbramë të gjatësisë së librave. Në shumë raste libri modern bëhet i kalueshëm vetëm pasi të dalë në version të tkurrur.
Letërsia s’ka pse të ketë frikë fare nga gazetaria e mirë, duke qenë se të dy aktivitetet kanë shumë gjëra të përbashkëta. Shkrimtari i mirë është gjithmonë po ashtu edhe gazetar i mirë.
Marrë nga Isaac Bashevis Singer, ‘A che cosa serve la letteratura?’, Adelphi, 2025 /Gazeta Express/ KultPlus.com
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në 26-vjetorin e rënies së tyre.
“Jemi këtu në Rreze të Krushës së Madhe, që të përkujtojmë rënien heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, që u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit tonë, të popullit tonë, të shoqërisë e të kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve”, tha Kurti duke përkujtuar jetën, veprën dhe idealet e tyre të cilat duhet të jenë udhërrëfyes për të gjithë neve pavarësisht prej pozitave që mbajmë dhe situatave ku ndodhemi, njofton Kryeministria.
Ai shtoi se gjatë luftës çlirimtare nuk është ndalur asnjëherë kënga e lirisë e këngën e lirisë nuk e ndalim as në paqe e kjo tregon që teksa kemi dhembje e pikëllim, teksa na mungojnë bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, gjaku i të cilëve është në themelet e shtetit tonë, në të njëjtën kohë ne jemi shumë krenar që i patëm dhe që kemi kë ndjekim për rrugën tonë përpara.
“Dalip Behra dhe Bekim Gashi janë frymëzuar nga kënga shqipe, janë frymëzuar nga heronjtë, dëshmorët dhe martirët, e betejave më të hershme të etapave të të kaluarës të kombit tonë, por edhe nga shkrimet, mësimet, e intelektualëve të mëdhenj të popullit tonë, e në krye të herës padyshim që duhet vendosur profesor Ukshin Hoti, bacën Ukë, të cilit i ka qëndruar gjithmonë pranë pikërisht Ismet Gashi, babai i dëshmorit Bekim Gashi. Brezat kur lidhen ata e formojnë historinë, por në të njëjtën kohë edhe trasojnë rrugën për të ardhmen. Ne e përkujtojmë sa i madh ishte çmimi i lirisë, sa e lartë ishte sakrifica e tyre, por edhe sa fisnike është përgjegjësia e jonë teksa e vazhdojmë rrugën e tyre”, tha Kurti.
Në vijim të fjalës së tij, theksoi se luftëtarët e UÇK-së kishin dy detyra: njëra ishte të përballeshin në beteja me forcat armike të okupatorit serb e tjetra ishte ta mbronin popullsinë civile. Dhe që të dyja këto shprehen edhe tek jeta, vepra dhe rënia heroike e Dalip Behrës dhe Bekim Gashit. Pasiqë i kishin varrosur kufomat e masakrës në Krushë të Madhe, ata punën e tyre për popullin tonë, e vazhdojnë edhe me betejë ballë përballë me armikun, ku edhe bien heroikisht.
“Prandaj teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët, që e mësojmë nga gjyshërit ose nga librat e historisë, pra ajo ndodhet thellë në lëkurën, zemrat, mendjen dhe ashtin e secilit prej neve, me qenë se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”, përmbylli fjalën e tij Kurti./rtk/ KultPlus.com
Mbrëmë, në Prishtinë është mbajtur ngjarja më e rëndësishme e modës në vend “Prishtina Fashion Night 2025”, ku 16 brende të ndryshme kanë prezantuar kreacionet e tyre, në mesin e të cilëve edhe Studentët e Dizajnit të Modës në Uni Universum International College, shkruan KultPlus.
Nën ndriçimin e reflektorëve të fortë, modele të shumta plot elegancë e glamur prezantuan krijimet artistike të modës, që shpërfaqnin kreativitetin, profesionalizmin dhe pasionin e kreatorëve vendorë duke filluar nga veshjet më të thjeshta ditore e deri te veshjet tradicionale dhe fustanet e nusërisë.
Studentët e Dizajnit të Modës të Kolegjit Universum janë prezantuar me 12 kreacione. Përmes pëlhurave dhe siluetave të ndryshme, koleksioni ka paraqitur një gërshetim të bukur duke sjellë magjinë e galaktikës dhe thellësinë e oqeanit përmes ngjyrës blu dhe rruazave më të ndritshme. Ngjyra e verdhë shpërfaqë ngjyrën e rërës dhe të guacave që në brendësi mbajnë perla plot shkëlqim.
Hijeshinë dhe ëmbëlsinë e vërtetë të ngjarjes e solli defilimi i veçantë i vogëlushëve plot stil dhe vetbesim, i cili tregonte për një talent të jashtëzakonshëm ndaj skenës dhe modës në përgjithësi. Duartrokitjet e publikut u jepnin kurajo për të kryer sa më mirë detyrën, për të cilën ishin thirrur në ngjarjen më të rëndësishme të modës në vend.
Në mesin e brendeve që u prezantuan ishin: Alba Traditional, Matrons Dresses, JR Kids, Diellza Design, Eri Ajeti, Flora Avdija Zymeri, Klea Dresses, Walone Fashion Group, Arlinda Beqiri, Edona, Luanda, Rilindja Gjelbër, Drenusha Berisha, Instituto Di Moda Burgo Kosova, Kolegji Universum dhe Akademia Evolucion.
Për argëtimin e të pranishmëve u kujdesën artistët Engjëll Blaku dhe Uran Bajrami, duke sjellë performanca të jashtëzakonshme, kryesisht përmes këngëve nga muzika e huaj.
Krejt në fund, organizatori Blondin Karaxha në një prononcim për KultPlus ka thënë se ndihet shumë krenar që edicioni i XXIV i “Prishtina Fashion Night” është realizuar me sukses.
“Kemi pasur një laramani të brendeve dhe të dizajnerave, duke filluar nga veshjet e përditshme e deri te vellot. Secili prej pjesëmarrësve që ka qenë këtu ka mundur ta gjejë veten dhe të gjejë kombinime për stilet e tyre. Kemi pasur studentë e dizajnerë shumë të famshëm, të cilët tash pas ngjarjes po më falënderojnë për këtë organizim të mirëfilltë për të cilin po ndihem shumë krenar”, ka thënë Karaxha.
Organizatori Karaxha ka thënë se “Prishtina Fashion Night” është një ngjarje me rëndësi shumë të madhe për katin se dizajnerët më të famshëm në vend kanë dalë nga ky organizim.
“Pjesëmarrës kanë qenë edhe dizajnerë që janë studentë. Është mjaft interesante sepse studentët i shohin krijimet e dizajnerëve të famshëm dhe dizajnerët e famshëm ato të studentëve, të cilët na të ardhmen mund t’i kenë edhe punëtorë, apo një ndonjë mënyrë t’i ndihmojnë në të ardhmen, ose t’i shohin edhe si konkurrencë”, ka thënë organizatori Karaxha, duke shprehur mirënjohje edhe për pjesën tetër të stafit organizues për këtë mbrëmje plot shkëlqim dhe elegancë./ KultPlus.com
Franca do të ashpërsojë masat për përdorimin e telefonave celularë në shkollat e mesme, duke i rekomanduar nxënësit e moshës 11 deri në 15 vjeç të mbyllin pajisjet e tyre në një dollap ose çantë në fillim të ditës dhe t’i përdorin ato sërish vetëm kur të largohen, sipas “The Guardian”.
Ministrja e Arsimit Elisabeth Borne, ka kërkuar Senatit që fëmijët të shmangen plotësisht nga telefonat e tyre gjatë oratit mësimor në të gjitha shkollat e mesme franceze që nga shtatori.
“Në një kohë kur përdorimi i ekraneve po vihet gjerësisht në pikëpyetje për shkak të efekteve të dëmshme, kjo masë është thelbësore për mirëqenien dhe suksesin e fëmijëve tanë në shkollë”, tha Borne.
Në vitin 2018, Franca i ndaloi fëmijët të përdorin telefonat celularë në të gjitha shkollat e mesme – të njohura si kolegje.
Telefonat duhet të qëndrojnë të fikur në çantat e shkollës dhe nuk mund të përdoren askund në mjediset e shkollës, duke përfshirë edhe kohën e pushimit.
Shkollat kanë raportuar një efekt pozitiv, me më shumë ndërveprim social, më shumë ushtrime fizike, më pak ngacmime dhe përqendrim më të mirë.
Por disa raporte thanë se disa fëmijë hynin fshehurazi në tualete për të parë video në telefon në orën e pushimit.
Tani qeveria sugjeron se është e nevojshme të veprohet më tej, duke i larguar plotësisht fëmijët nga pajisjet e tyre telefonike gjatë gjithë orarit të shkollës.
Kjo “pauzë digjitale” e detyrueshme – siç e quan qeveria franceze – është testuar në një skemë pilot në rreth 100 shkolla të mesme për gjashtë muajt e fundit, me fëmijët që heqin dorë nga telefonat e tyre pas mbërritjes në ambientet mësimore – duke i vendosur në një dollap me kyç ose kuti, ose në një qese të veçantë të kyçur që mund të zhbllokohet vetëm nga një sistem elektronik – në portat e shkollës ndërsa ata largohen në shtëpi.
Telefonat celularë janë të ndaluara në shkollat fillore./atsh/ KultPlus.com