Dita e Përkujtimit të Titanikut: 113 vjet më vonë, anija dhe historia e saj ende magjepsin

15 prilli festohet nga shumë njerëz si Dita e Përkujtimit të Titanikut. Anija goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut në orën 23:40. Mbrëmjen e 14 prillit me një shpejtësi prej 20 nyjesh dhe rrëshqiti nën sipërfaqe në orën 2:20 të mëngjesit të nesërm, sipas Muzeut Kombëtar të Historisë Amerikane.

Titaniku u nis më 10 prill, nga Southampton, Anglia jugore, në udhëtimin e tij të parë dhe të fundit. Por pesë ditë më vonë – natën e 14-15 prillit, anija e madhe u përplas me një ajsberg dhe u zhduk nën sipërfaqen e Oqeanit Atlantik në më pak se tre orë.

Më shumë se 1500 njerëz vdiqën. Ishte udhëtimi i parë i anijes. Që atëherë, një magjepsje e pangopur me rrënojat e Titanikut i ka shtyrë studiuesit të zhyten në fund të detit për të fotografuar dhe eksploruar mbetjet e anijes. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Leonardo Da Vinci: Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja

Thënie nga Leonardo Da Vinci:

“Asgjë më shumë se heshtja nuk e forcon autoritetin”.

“Asgjë nuk mund të urrehet ose të dashurohet nëse fillimisht ajo nuk kuptohet.”

“I dua ata që mund të qeshin në vështirësi, ata që mund të fitojnë forcë nga vuajtja dhe të rriten trimërisht nga reflektimi.”

“Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja.”

“Do të vijë koha kur njerëzit njësoj sikur unë tani, kafshën e vdekur do ta shohin ashtu siç e shohin tani njeriun e vdekur.”

“E gjithë dija jonë origjinën e saj në përceptimet tona.”

“Të padobishme dhe përplot gabime janë të gjitha ato shkenca që nuk janë të lindura nga përvoja – nëna e gjithë dijes.”

“Unë u zgjova vetëm për ta parë se pjesa më e madhe e botës ishte ende në gjumë.”

“Ai që dëshiron të bëhet i pasur brenda një dite, do të jetë i varur brenda një viti.”

“Mençuria është bija e përvojës.”/KultPlus.com

Më 15 prill 1931 lindi poeti suedez, fitues i çmimit nobel, Thomas Transtromer

Tomas Tranströmer ose Tomas Gösta Tranströmer (shqipërimi: Tomas Transtromer) ka lindur më 15 prill 1931 në Stockholm të Suedisë dhe ka vdekur më 26 mars 2015 poashtu në Stockholm.

U rrit nga e ëma mësuese, e divorcuar nga i shoqi gazetar. Në Stockholm studioi psikologji dhe poezi. Nisi të shkruajë në kohën e studimeve në Sodra Latin School. Librin e parë “17 Dikter” (“17 poema”) e botoi më 1954 dhe shumë shpejt bëhet një nga poetët më të njohur dhe më të përkthyer në botë, në rreth 30 gjuhë. Përveç të shkruarit, pasioni i tij i madh është psikologjia, profesion të cilin e ushtroi në vitet 1960-1966 në Roxtuna, në një burg të rinjsh. Dy vëllime të rëndësishme janë Klanger och spår (1966, Dritare dhe gurë) libër i lindur nga udhëtimet e tij të shumta, dhe Baltics 1974. Përmbledhja Den stora gåtan (2004, Enigma e madhe) është një kurorëzim i krijimtarisë së tij në vite, sado që pas 1993 Tranströmer nuk arrin të shkruajë dot më. Boton pas kësaj kohe Për të gjallin dhe të vdekurin, Gjysmëparajsa. Fitues i shumë çmimeve Neustadt International Prize, Oevralids Prize, Petrarca-Preis në Gjermani, Swedish Award nga International Poetry Forum, madje edhe i Kurorës së Artë në Mbrëmjet Poetike të Strugës.

“Perandoria e barit” është i vetmi libër i përkthyer në shqip, nga poetja Natasha Lako, botuar nga “Aleph” më 2002. Lako e shikon poezinë e Tranströmer-it të shkëputur nga ideologjizmat. “Unë trashëgoja një pyll të zi, ku shkoja rrallë. Por nga kjo/erdhi një ditë kur këmbyen vendet të gjallët me të vdekurit/Atëherë solla pyllin ndërmend. Nuk ishim pa shpresë/… unë kisha trashëguar një pyll të zi, por ecja në një pyll të shndritshëm…” shkruan në poezinë “Madrigal”.

Në vitet ’60, kur ishte e modës edhe për poezinë e poetët të kishte një kahje politike në rrymat e kohës, Tomas Tranströmer-i zgjodhi gjuhën e poezisë dhe kritika e quan poeti që ka ditur të ruajë ekuilibrat në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Në botën anglishtfolëse njohja e veprës së tij i dedikohet miqësisë me poetin amerikan Robert Bly​, i cili prej viteve pesëdhjetë i ka përkthyer shumicën e veprës në gjuhën angleze. Më 2001, Bonniers, shtëpia botuese suedeze e Tranströmer-it botoi korrespondencën e dy shkrimtarëve në librin “Air Mail”.

Fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 2011. Poeti do të marrë 1.08 milion euro shpërblim. Ceremonia e pranimit të Çmimit bëhet në Stokholm më 10 dhjetor, data e përvjetorit të vdekjes (1896) së industrialistit suedez Alfred Nobel​, themelues i çmimit. Tranströmer është i nënti shkrimtar suedez që merr Nobelin për Letërsinë. Para tij janë: Selma Lagerlöf 1909, Verner von Heidenstam 1916, Erik Axel Karlfeldt 1931, Pär Lagerkvist 1951, Nelly Sachs 1966 (i ndarë), Eyvind Johnson dhe Harry Martinson më 1974.

Vdiq në Stockholm, në moshën 83 vjeçare. /KultPlus.com

Qendra e Studimit të Arteve, aktivitet kushtuar historianit të kinemasë, Abaz Hoxha

Qendra e Studimit të Arteve zhvilloi një veprimtari kushtuar inxhinierit dhe historianit të kinemasë Abaz Hoxha, me rastin e 95-vjetorit të lindjes.

Veprimtaria “Një jetë me kinemanë” vlerësoi Abaz Hoxhën për ngritjen teknike të prodhimit të filmit shqiptar, punën e gjerë kërkimore në shkrimin e historisë së kinematografisë shqiptare dhe për themelimin e arkivës së filmit.

Abaz Hoxha e nisi karrierën e tij fillimisht si teknik i mesëm ndërtimi, më pas inxhinier elektronik dhe pas disa specializimeve për zërin në kinematografi në Pragë, ai punoi si inxhinier në Kinostudion “Shqipëria e re”. Pas shkatërrimit të saj në vitet ‘90, ai iu përkushtua punës si studiues dhe historian i kinematografisë. Abaz Hoxha është autor i 30 librave për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre. Ai punon ende si pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të Filmit dhe Multimedias, ku jep lëndën e Historisë së Kinematografisë Botërore dhe Shqiptare. Është anëtar i redaksisë së arteve dhe arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar”.

Dr. Anxhela Çikopano e QSA, e falënderoi Abaz Hoxhën për punën skrupuloze si historian i kinematografisë, shkrimet e shumta në shtyp që nga viti 1972, që flasin për një punë kërkimore shumë të gjerë, dhe veçanërisht për punën e tij me rreth 400 dosje në Arkivin Qendror Shtetëror të filmit./atsh/KultPlus.com

Prezantohet “Florante dhe Laura”, poema filipinase me heronj shqiptarë

Biblioteka Kombëtare promovoi sot librin “Florante dhe Laura” të Francisco Balagtas, në Qendrën “Sotir Kolea”.

“Florante dhe Laura” është poema më e njohur në Filipine, autori i së cilës, mbahet e vlerësohet si poeti më i madh i këtij vendi, por kjo poemë ka lidhje edhe me Shqipërinë. “Florante dhe Laura” vjen në shqip i botuar nga Ombra GVG. Titulli origjinal i kësaj poeme është “Pinagdaanang Buhay ni Florante at ni Laura sa kahariang Albania” (Historia e Florantes dhe Laurës në Mbretërinë e Shqipërisë). Ky tekst i letërsisë filipinase, që mësohet edhe nga nxënësit e shkollave në këtë vend, rrëfen mbi dashurinë e dy të rinjve në Shqipëri, gjatë luftës midis shqiptarëve të krishterë dhe otomanëve.

Kjo poemë e shkruar në 1838-n, është ndër të paktat në historinë e letërsisë filipinase, që nuk resht së botuari edhe në shumë gjuhë të botës.

“Florante dhe Laura” është një histori dashurie por edhe një simbol patriotizmi për Filipinet, që, ashtu si Shqipëria kërkonte çlirim nga pushtuesit otomanë, edhe ata në atë kohë kërkonin lirinë nga sundimi i kolonizatorëve spanjollë./atsh/KultPlus.com

Jup Kastrati, personaliteti i shkencave albanologjike

101 vite më parë lindi prof. Jup Kastrati, një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencave albanologjike.

Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 15 prill të vitit 1924 dhe u nda nga jeta më 22 shtator të vitit 2003. Në 60 vjet punë, la pas rreth 40 vepra shkencore; 1000 artikuj e studime, që zënë rreth 20 mijë faqe të botuara në periodikët publicistikë dhe shkencorë; 5 mijë faqe epistolar, me shkrimtarë e dijetarë vendas e të huaj dhe gjashtë vepra të tjera që pritet të botohen së shpejti.

Kontributi i tij është i shumëfishtë, në disa prej fushave më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë, gjuhësia, analiza kritike letrare dhe përkthimi.

Prof. Jup Kastratit i takon merita edhe për studimin shterues të jetës e veprës së Jeronim De Radës, por edhe për studimin e përthelluar të letërsisë arbëreshe në përgjithësi.

Prof. Jup Kastrati është është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (2 shtator 1957), dhe ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës. Është nderuar me medalje, urdhra e tituj të ndryshëm, ndër të cilët: “Mësues i Popullit” (1987), “Mjeshtër i Madh i Punës” (15 prill 1999), si dhe “Qytetar Nderi i Shkodrës” (2002).

Emri i tij është përfshirë në “Mendjet e ndritura të shekullit XXI” nga Instituti Amerikan i Biografisë./atsh/KultPlus.com

87-vjetori i “Mjeshtrit të Madh”, Robert Radoja

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit uroi sot përmes rrjeteve sociale profesor Robert Radojën me rastin e ditëlindjes.

“Sot ka datëlindjen nji prej figurave ma të mëdhaja të artit shqiptar, nji emër që nuk i përket vetëm Shkodrës, por tanë Shqipnisë. Profesor Radoja asht një pasuni kombëtare, nji artist që ka lanë gjurmë të pashlyeshme në muzikë, kulturë dhe në zemrat e të tanve që kanë pas fatin me e ndigju artin e tij, me marr mësim prej tij, ato që e njohin e që punojnë me profesorin. Profesor, lum Shqypnia që të ka!”, ky është urimi online i MEKI-t shkruar në gegërisht, me rastin e 87-vjetorit të profesor Robertit.

Robert Radoja lindi në Bolonjë, më 1938-n. Në vitin 1951 filloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në Sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të Radio Televizionit Shqiptar, ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.

Në vitin 1981 emërohet redaktor i muzikës në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në këtë detyrë ai punoi deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 ishte edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit. Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2002, puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”, gjithashtu është nderuar edhe me urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mjeshtër i Madh”./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Japonisë, Kiminori Iwama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, z. Kiminori Iwama.

Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon dhe sfidat e sigurisë, ku Presidentja Osmani falënderoi Japoninë për mbështetjen e saj në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë përmes agjencisë JICA, në shumë sfera.

Në këtë kontekst, presidentja e informoi ambasadorin Iwama për vizitën bilaterale në Japoni, të planifikuar gjatë muajit qershor, si dhe pjesëmarrjen në EXPO 2025 në Osaka, në kuadër të kësaj vizite. 

Ajo theksoi se kjo vizitë do të përkojë me Ditën e Çlirimit të Kosovës më 12 qershor, duke ofruar një mundësi të veçantë për ta promovuar Kosovën dhe për t`i forcuar lidhjet në mes dy shteteve.

Më tej, Osmani nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shkëmbimeve kulturore, duke përmendur ndikimin pozitiv të bursave dhe programeve japoneze për të rinjtë e Kosovës./KultPlus.com

Hekurudha “Kuq e Zi”, Balluku: Një tjetër ëndërr e shqiptarëve do të bëhet realitet

Të hënën është prezantuar studimi i fizibilitetit dhe projekt-idesë për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në një ceremoni të mbajtur në Shkodër.

Përmes rrjeteve sociale, ministrja e Infrastrukturës në Shqipëri, Belinda Balluku, ka publikuar një video të projektit se si do të jetë hekurudha.

“Një tjetër ëndërr e shqiptarëve do të bëhet realitet. Hekurudha Kuq e Zi tashmë merr udhë”, ka shkruar ajo.

Ditën e djeshme ajo ka njoftuar se kjo hekurudhë do të jetë 105.8 kilometra e gjatë, do t’i ketë 43 ura, 14 tunele dhe shtatë stacione të reja. Përgjatë rrugës, ajo do të kalojë nga Shkodra në Gjakovë.

Sipas projektit të prezantuar, do të jenë nëntë udhëtime të trenit për pasagjerë që do të qarkullojnë në ditë. Nëse treni ndalet në çdo stacion, udhëtimi i plotë do të jetë nga Durrësi në Prishtinë për 5 orë e 54 minuta. Ndërsa nëse bëhet fjalë për trena rajonalë që ndalen vetëm në stacionet kryesore rruga do të jetë më e shkurtër – tri orë e 40 minuta.

Vlerësimi aktual është se i gjithë projekti do të kushtojë 1.8 miliardë euro.

Sa i përket afatit, ai më optimisti është që për 10 vjet të mbërrihet te treni i parë që do ta shfrytëzojë këtë hekurudhë./KultPlus.com

Thënie brilante nga gjeniu Leonardo da Vinçi

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com

Inspektohet banesa Mak Haxhistasa për hartimin e një projekti restaurimi

Specialistë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) realizuan një inspektim në terren në qytetin e Beratit për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të banesës Mak Haxhistasa, Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Ky inspektim synoi vlerësimin e nevojave të ruajtjes së monumentit dhe grumbullimin e të dhënave të domosdoshme për hartimin e një projekti të plotë restaurimi.

Banesa Haxhistasa në kalanë e Beratit, është një shtëpi tipike me çardak në qendër, një nga shembujt më përfaqësues të kësaj tipologjie në qytetin e Beratit.

Çardaku është një galeri prej druri në pjesën e sipërme, që përbën një element me rol të rëndësishëm në fuksionimin e banesës. Banesa e familjes Haxhistasa përfaqëson një prej ndërtesave më të zhvilluara të tipit me çardak, e ndërtuar në gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 18-të. Ajo përbën një godinë tipike të arkitekturës vernakulare, e ndërtuar në kalanë e Beratit në një terren të pjerrët nga një familje e pasur feudale e kohës.

Në një kohë të mëvonë ajo është përdorur si residencë nga Ahmet Kurt Pasha një nga sundimtarët e qytetit gjatë periudhës së vonë të sundimit otoman. Banesa dëshmon njëkohësisht ndikimin e mënyrës së re të jetesës në arkitekturën tradicionale, të diktuar nga kushtet e reja ekonomiko-sociale të gjysmës së dytë të shek. XVIII në Shqipëri. Banesa Haxhistasa është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1961. E ndodhur brenda kalasë së Beratit (Qendër e trashëgimisë botërore në mbrojtjen e UNESCO-s) ajo mund të pasurojë ofertën turistike të sitit, duke u kthyer në një destinacion shumë tërheqës./atsh/KultPlus.com

Grupi polak “Silesianie” performon vallet tradicionale tek Reja

Grupi “Silesianie”, i cili ka performuar në rreth 800 koncerte në mbarë botën dhe ka marrë pjesë në më shumë se 80 festivale ndërkombëtare të folklorit, performoi mbrëmjen e djeshme edhe në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Polake.

Shfaqja, me hyrje të lirë për çdo artdashës, u realizua tek Reja, ku grupi polak me veshjet tradicionale shumëngjyrëshe performoi valle polake, duke përfshirë “Polonez-in”, që është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, grupi “Silesianie” u mësoi të pranishmëve të performonin vallen “Trojak” si dhe njëkohësisht zbuluan magjinë e valleve tradicionale shqiptare.

Në Javë Kulturore Polake (14 – 19 prill) Tirana dhe jo vetëm do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra.

Kjo është hera e parë që Polonia bëhet pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Artistët polakë do të qëndrojnë në vendin tonë deri më 19 prill. Qytetarët do të kenë mundësinë të përjetojnë ditë të mbushura me aktivitete që i flasin ndjeshmërisë, traditës dhe kuriozitetit kulturor, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje dhe shkëmbimi.

Ky është edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

573 vite nga lindja e gjeniut të Rilindjes, Leonardo da Vincit

Djali i paligjshëm i një noteri dhe një fshatareje, mbase homoseksual, pak i vlerësuar nga të pushtetshmit që nuk e kuptonin obsesionin e tij me kufomat, vegjetarian dhe heretik. Sekretet e një njeriu të madh.

Është 15 Prill 1452 kur Caterina, një fshatare në Campo Zeppi, në fshatin Vinci, lind një fëmijë të paligjshëm: Leonardo. Babai i tij është Ser Piero, një noter nga Firence që nuk dëshiron të prishë reputacionin e tij. Këtu ndërhyn Ser Antonio, babai i tij, dhe shkelja mbahet e fshehur.

Është po ai, pesë vjet më vonë, kur Albiera, gruaja e Pieros, zbulon se është sterile, që ia merr Leonardon nënës natyrore për të mos lejuar që linja e gjakut të shuhet. Sidoqoftë, fëmija nuk e merr për mirë dhe shpik një lojë fjalësh: në një shënim ai shkruan “di s.p.ero”, i cili mund të lexohet si mbiemri që ai nuk e ka (nga Ser Piero), por edhe si “dëshpërim”. “Një shaka që zbulon një marrëdhënie të pashpresë”, thotë Costantino D’Orazio në librin Leonardo i Fshehtë, ku përmblidhen sekretet që rrethojnë misterin e gjeniut të Firences.

Një injorant i vërtetë

Kështu e përkufizon Lorenzo i Madhërishëm. Në fakt, e vetmja pikë referimi e Leonardos është Verrocchio, një artist tek i cili shkon për të mësuar zanatin. Në ato vite “piktorët qëndronin brenda Arte dei Medic dhe Specialëve, ku ata ndajnë interesat me berberë, shitës të erëzave dhe poçarë”, shkruan D’Orazio.

Por Leonardo tregon menjëherë talentin e tij. Rasti vjen kur babai i kërkon të dekorojë një copë druri të sjellë nga një fermer, i cili synonte ta bënte një vepër arti. Leonardo vendos ta përdorë për të përfaqësuar një skenë të pasur me kafshë dhe mbledh insekte, hardhuca dhe gjarpërinj. Ai i mban të gjitha në dhomën e tij: “Eshtë aq i përqendruar sa që nuk vë re as kutërbimin e gjithë atyre kafshëve të ngordhura në dhomën e tij”, thotë D’Orazio. Rezultati është befasues: Ser Piero e mban dhe më pas e shet për njëqind dukate.

Fshatarit i jep një tjetër vepër, të blerë për pak para. Por, si është Leonardo aq i saktë në riprodhimin e fytyrave, trupave apo kafshëve? Ai kalon orë të tëra për t’i ekzaminuar. Quhet teknika lentikulare, ajo që bën të mendosh se përdoret një gotë zmadhuese për të parë më mirë detajet. Kështu që ai krijon një inventar botanik: qindra vizatime që do t’i përdorë më vonë në pikturat e tij. Për shembull tek Annunciazione, ku zambakët që mban engjëlli në duar janë të gjitha të ndryshme: “Secili prej tyre shfaqet në një fazë të ndryshme të pjekurisë, nga petalet e tyre nuk del asnjë pistil i  barabartë me tjetrin, siç ndodh në realitet”, shpjegon D’Orazio. Jo vetëm kaq.

Pasioni për detaje hyn gjithashtu në lojë në studime mbi trupin e njeriut, të cilat e bëjnë atë një lloj mjeku ligjor që provon dorën në autopsitë e kufomave. Eshtë një praktikë e shpeshtë në atë kohë: disa artistë vjedhin trupa në varreza, të tjerë i blejnë nga familjet në nevojë. Leonardo hyn dhe largohet nga spitalet dhe është pikërisht duke studiuar trupin e një njeriu që zbulon një pengesë në sistemin e qarkullimit të gjakut, duke regjistruar kështu arterosklerozën e parë në histori. Ai është gjithashtu i interesuar për shtatzëninë. Deri atëherë gruaja konsiderohej një lloj inkubatori dhe burri krijuesi i vërtetë i jetës.

Leonardo e revolucionarizon këtë koncept dhe shpall se është nëna ajo që transmeton shpirtin tek fëmija, përveç ushqimit për nëntë muaj përmes “venës së kërthizës”. Duke studiuar fëmijët që kanë vdekur në bark, ai vazhdon të argumentojë se “frika e një nëne mund të vrasë fetusin dhe kjo do të thotë që emocionet e trupit të nënës transmetohen te fëmija”. Sidoqoftë, ai është i kujdesshëm që të mos përhapë teoritë e tij të reja, në një kontekst ku Kisha do e quante heretik, i cili kundërshton faktin që shpirti injektohet drejtpërdrejt nga Zoti. Sipas tij, qendra e shpirtit është e vendosur në majë të shtyllës kurrizore, në lidhjen me kafkën: prova vjen nga hardhucat, të cilat, të goditura në atë pikë, ngordhin menjëherë.

Shpirt revolucionar

Revolucioni i vërtetë i Leonardos, megjithatë, qëndron në qasjen e tij ndaj artit, ku ai guxon si askush më parë. Për shembull, humanizon shenjtorët. Në fakt, skenat e tij të shenjta duken si situata në familje ose në mesin e miqve: ai dëshiron që njerëzit e zakonshëm ta njohin veten në to dhe për këtë arsye eleminon distancën midis atyre që vëzhgojnë pikturën dhe atyre të portretizuar në të, tipike këto të shekujve të mëparshëm. Kështu që ai pikturon skena me Jezusin, Virgjëreshën dhe Shenjtorët duke eleminuar përdorimin e arit: duke humbur aureolën,  të gjithë përfaqësohen si njerëz të zakonshëm. Dikush nuk e pëlqen këtë mënyrë të re të pikturës dhe në të vërtetë padronët e Shën Jeronimit të penduar hedhin poshtë pikturën, sepse e konsiderojnë shenjtorin shumë “të humanizuar”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse koka e tij përfundon duke u bërë vend jashtëqitje që Kardinal Joseph Fesch, xhaxhai i Napoleonit, do të gjejë në një qoshe rruge. Leonardo megjithatë nuk ndalet dhe ndryshon konceptimin e portretit.

Mund të shihet tek “Dama con l’ermellino (1490), ku figura nuk është më frontale dhe statike, por krijon lëvizje dhe duket e vërtetë. Në shënimet e tij ai shpjegon se për të bërë një portret të përsosur, fytyra nuk duhet të jetë kurrë në të njëjtën anë të bustit. Vetëm duke e kthyer imazhin disa gradë, ai bën një revolucion të vërtetë.

Mëkati i ambicies

Leonardo është një eksperimentues dhe natyra e tij ambicioze e çon gjithnjë të shkojë më tej. Ndonjëherë me rezultate katastrofike. Eksperimenti i parë i dështuar është statuja e kalit me dy këmbët e përparme të ngritura, të cilat ai i projekton për Sforzan: një kolos 7 metra i lartë me 70 ton peshë. Pas shumë vitesh punë, ai është i detyruar të heqë dorë: i zhgënjyer, Ludovico il Moro e konsideron një humbës kohe të paaftë që mashtron, dhe ia heq veprën. Nuk i shkon më mirë në fillim të shekullit të XVI, kur u thirr në Firence për të pikturuar Betejën e Anghiarit. Edhe një herë projekti është ambicioz: jo vetëm që piktura është tre herë më e madhe se Darka e Fundit, por Leonardo ia ndërlikon edhe më tej jetën vetes, dhe dëshiron ta krijojë atë me teknikën shumë të vjetër të encaustikës, e cila konsiston në rregullimin e ngjyrës në mur me nxehtësinë e mangallëve. Ai bën një gabim në vlerësim sepse nxehtësia e shpërndarë keq përfundon në shkrirjen e plotë të pikturës. Rreth pesëdhjetë vjet më vonë, Giorgio Vasari thirret për ta mbuluar atë me një vepër tjetër, e cila mbivendos pluhurat dhe ngjyrat e Leonardos, të identifikuara kohët e fundit falë sondave shumë të holla.

Po ç’mund të thuhet për Darkën e fundit?

Dëshmitarët tregojnë për një Leonardo shumë pak të përqendruar që shkon në rafinerinë e Santa Maria delle Grazie në Milano, ku ndodhet vepra, jep dy penelata dhe largohet menjëherë. Edhe këtu ai mëkaton prej një ambicie të tepërt: nuk është i kënaqur me një afresk normal, i cili siç thotë fjala, duhet të pikturohet “në afresk”, domethënë duke përdorur bazën e freskët të muraturës për ta bërë më të mirë ngjyrat.

Ai është shumë reflektues për një teknikë kaq të shpejtë dhe shpik një përzierje e bojës së lagësht dhe të thatë, të pasur me vajra. Nuk është një ide e mirë: ngjyra fillon të zhvishet edhe para se të përfundojë vepra. Historia dihet. Siç e shohim tani, në të vërtetë, Darka e Fundit e Leonardos është rezultat i një restaurimi imponues që zgjati rreth njëzet vjet.

Sekretet e Darkës së Fundit

Me Darkën e Fundit Leonardo sjell Darkën e Fundit në një mënyrë të re, në të cilën do të tërhiqen artistët e shekujve në vijim. Deri atëherë, episodi i Ungjillit u përfaqësua për të bërë besimtarët, shpesh analfabetë, të njohin menjëherë protagonistët e skenës: Juda ishte i izoluar dhe e rrethuar nga errësira, ndërsa Krishti ishte në qendër me qëllimin për të thyer bukën me Gjonin, apostullin e preferuar, duke u përkulur drejt tij. Leonardo kthen gjithçka përmbys duke filluar nga Krishti i cili nuk shfaqet kur merr bukën, por kur zbulon se dikush do ta tradhëtojë.

Juda është pjesë e grupit, apostujt shikojnë njëri-tjetrin dhe Gjoni nuk mbështetet në shpatullën e Jezusit. Për të gjetur frymëzime për fytyrat e personazheve, Leonardo endet nëpër Milano me një fletore në të cilën ai shënon ide të dobishme. Për tre vjet ai kërkon fytyra të përsosura: ajo e Jezusit duket se i përket Giovanni Contes, një kardinal nga Vogevano. Për të gjetur Judën, eksploron lagjet më të varfra të qytetit. Sa i përket djalit të portretizuar pranë Jezuit, sipas disa hipotezave, ai është një grua, më saktë Maddalena, gruaja e tij sipas ungjijve apokrifë. Në realitet është gjithmonë Gjoni, i përfaqësuar me tipare të buta dhe femërore, sepse ai është më i riu nga apostujt dhe i vetmi pa mjekër. Nuk përjashtohet mundësia që për të ai të ketë përdorur një modele, Giovannina, e përmendur nga Leonardo në shënimet e tij. / KultPlus.com

Dita Botërore e Artit

15 prilli njihet ndryshe si Dita Botërore e Artit, një festë për të promovuar zhvillimin, përhapjen dhe kënaqësinë e artit. Kjo ditë u shpall nga UNESCO, në vitin 2019, në nder të Leonardo da Vinçit, një prej artistëve më të famshëm në histori, i cili ka lindur më 15 prill 1452.

Tema e Ditës Botërore të Artit 2025 është: “Kopshti i shprehjes: Kultivimi i komunitetit përmes artit”. Tema e Ditës Botërore të Artit ndryshon nga viti në vit, duke u fokusuar në aspekte të ndryshme se si arti ndikon në shoqëri dhe në jetën tonë personale.

UNESCO thotë se, arti ushqen kreativitetin, inovacionin dhe diversitetin kulturor për të gjithë popujt anembanë globit dhe luan një rol të rëndësishëm në ndarjen e njohurive dhe inkurajimin e kuriozitetit dhe dialogut. Zhvillimi i mëtejshëm i artit çon më tej mjetet tona për të arritur një botë të lirë dhe paqësore.

Çdo vit, më 15 prill, festimet e Ditës Botërore të Artit ndihmojnë në përforcimin e lidhjeve midis krijimeve artistike dhe shoqërisë, inkurajojnë ndërgjegjësimin më të madh për diversitetin e shprehjeve artistike dhe nxjerrin në pah kontributin e artistëve për zhvillimin e qëndrueshëm.

Kjo ditë është gjithashtu një rast për të theksuar edukimin artistik në shkolla, pasi kultura mund të hapë rrugën për arsim gjithëpërfshirës dhe të barabartë.

Në Ditën Botërore të Artit, UNESCO inkurajon të gjithë të bashkohen përmes aktiviteteve të ndryshme si debate, konferenca, seminare, ngjarje kulturore dhe prezantime ose ekspozita./atsh/KultPlus.com

Porti i ri i Durrësit, Balluku: Dy porte të thata të ndërlidhura me linjë hekurudhore

Në Shkodër u prezantua sot studimi i fizibilitetit të hekurudhës Durrës- Prishtinë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, njëherësh zëvendëskryeministre, gjatë fjalës së saj bëri të ditur se projekti për portin e ri të Durrësit ka hyrë në një fazë vendimtare.

Sipas Ballukut tashmë është përmbyllur faza e parë e projektit, faza e aplikimit të ofertave dhe vlerësimit teknik të tyre. “Jemi gati për të nisur fazën e dytë dhe më përfundimin e kësaj faze do të fillojë ndërtimi i portit të ri të Durrësit”, tha ajo..

Balluku theksoi se porti i ri do të ndërlidhet me dy porte të thata, në Prishtinë dhe Shkup, përmes linjave hekurudhore. Balluku tha njëra linjë nis nga Vora dhe kalon përmes Shkodrës drejt Kosovës, ndërsa linja tjetër, e lidhur me aksin Rrogozhinë-Pogradec, për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

“Porti i Durrësit nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por porti i Durrësit është dizenjuar për t’i shërbyer të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë se porti i Durrësit ndërlidhet me dy porte të thata, atë të Prishtinës dhe atë të Shkupit, që të dyja këto porte të thata të ndërlidhura me linjën hekurudhore, njëra me linjën hekurudhore që nis nga Vora dhe vjen deri në pikëlidhje, pra në Shkodër, për të vazhduar më pas në Prishtinë dhe tjetra që fillon nga Durrësi, e kemi lidhur kontratën dhe marrëveshjen për financimin e aksit të parë i cili shkon deri në Rrogozhinë dhe do të vijojmë me aksin Rrogozhinë-Pogradec, për të bërë daljen në urën e Bushtricës dhe për të kaluar në Maqedoninë e Veriut”, tha Balluku.

Balluku tha se ky zhvillim është pjesë e një vizioni më të gjerë për përgatitjen e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Të gjitha këto janë zhvillime shumë të rëndësishme. Janë zhvillime të rëndësishme infrastrukturore dhe politike për trevat shqiptare. Janë zhvillime të cilat përgatisin vendin tonë, Shqipërinë, por pa dyshim edhe Kosovën për një kapitull të ri. Për një faqe të re të historisë tonë, e cila tashmë përmbyll të gjithë pjesën e tranzicionit dhe jemi gati për të kapërcyer atë prag shumë të pritur, pragun e Bashkimit Evropian. Kur tashmë ndodhemi të ulur në tryezën e negociatave, kur të gjitha sinjalet të ardhura nga komisionerët europianë, veçanërisht nga komisionerja Marta Kos tregojnë se ndoshta vetëm në dy vitet e ardhshme ne do të arrijmë që të përmbyllim gjithë fazën e negociatave, sigurisht Shqipëria, por dhe Kosova duhet të jenë gati për këtë fazë me të gjithë komponentët dhe një nga komponentët më të rëndësishëm, siç është energjia, është infrastruktura.

“Ne mund të përmbushim të gjitha detyrat e shtëpisë përsa i përket reformave ligjore, apo reformave administrative, por në rast se ne nuk do të kemi të njëjtat parametra në infrastrukturë apo në energji, nuk do të ishim gati për Europën. Kështu që me të vërtetë unë e shikoj gjithmonë atë tabelën e fundit të projekteve, ku ekspertët me shumë të drejtë vendosin afatet dhe afatet i kanë të mirëstudjuara dhe zakonisht i lënë dhe njëçik më të gjera nga ç’duhet, por i dashur përfaqësues i konsorciumit, ne këtu në Shqipëri kemi filluar ti mbarojmë punët para afatit”, tha Balluku.

Balluku shtoi se nuk kemi kohë për të humbur duke shtuar se nuk do të duhen 10 vite për të ndërtuar hekurudhën Durrës-Prishtinë.

“Pasi kemi humbur shumë kohë 50 vite të gjata dhe më pas 33 vite tranzicion dhe nuk kemi më kohë për të humbur. Ne kemi gjithçka. Ne kemi diellin, kemi detin, kemi malet, kemi fushat, kemi bujqësinë, turizmin. E vetmja gjë që mungon në këtë vend është koha. Nuk kemi më kohë për të humbur, ndaj unë jam e sigurtë që nuk do të na duhen 10 vite për ta ndërtuar atë hekurudhë, sepse edhe për tunelin e Llogarasë ishte parashikuar që duhet të ishte 48 muaj, por u mbarua vetëm në 22 muaj. Edhe për aeroportin e Vlorës janë parashikuar 48 muaj, por përfundon këtë verë. Kështu që ne duhet të rendim, sigurisht përmes projekteve të sigurta, sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat dhe masat e ndërtimit të këtyre kryeveprave të infrastrukturës, por ama duke rendur”, tha ministrja.

Ministrja tha se Shqipëria ka të gjithë vëmendjen e tregut financiar, për sa i përket financimeve të ndryshme apo për sa i përket dhe investitorëve të huaj.

“Kështu që unë jam e sigurtë që në fund të mandatit të katërt qeveria Rama padyshim do jetë në gjendje që të flasë për disa përqind ecuri të projektit dhe jo për nisjen e tij”, u shpreh Balluku. /atsh/ KultPlus.com

Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim arkeologjik

Ambasada Gjermane në Kosovë ka njoftuar se Institutiti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë.

“Sot, Instituti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkruan një marrëveshje kornizë që ngritë në një nivel të ri bashkëpunimin tonë në fushën e arkeologjisë,” thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.

Marrëveshja u nënshkrua nga Dr. Lukas Werther dhe Bislim Bislimi, në prani të ambasadorit gjerman Jorn Rohde dhe ministrit Hajrulla Çeku. Kjo marrëveshje synon të vendosë themelet për projekte të reja të përbashkëta dhe shkëmbim të ekspertizës profesionale në mes të të dyja vendeve./ KultPlus.com

Restaurohet Muzeu i Muzikës në Gjakovë dhe ish-Gjimnazi ‘Ismail Qemajli’ në Ferizaj

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se kanë përfunduar punimet restauruese në Muzeun e Gjakovës dhe në ish-Gjimnazin Ismail Qemaili në Ferizaj.

Ministri Çeku po ashtu ka njoftuar se drejt përfundimit është edhe shtëpia e familjes Koroglu, e cila është një ndër më të vjetrat në Mitrovicë.

“Muzeu i Muzikës në Gjakovë dhe ish-Gjimnazi Ismail Qemaili në Ferizaj tashmë të restauruara, dhe shtëpia e familjes Koroglu, ndër më të vjetrat në Mitrovicë drejt përfundimit.

Pasurinë tonë kulturore po e ruajmë për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Tomas Man, kolosi i letërsisë gjermane

“Mërzia është në vet aktin e të ekzistuarit. Njeriu tërë jetën e përshkon duke kërkuar kuptim, projekton qëllime dhe jeton në të ardhmen. Krejt kjo që t’i ikë përballjes me të tashmen. Por kjo arratisje e njeriut nga e tashmja, nga çasti, nuk është asgjë tjetër veçse “shpërdorim i kohës”. Këtë mesazh përpiqet të na jap shkrimtari gjerman Thomas Mann në romanin e tij “Mali Magjik”, që njihet si kryevepra e letërsisë gjermane…

Tomas Mani, ky “poeta doctus” klasik, është ndër shkrimtarët, pa të cilët panorama letrare e shek.XX do të qe e mangët. Ai është një ndër figurat më madhore të gjithë letërsisë dhe kulturës evropiane të shekullit të njëzet. Por ai njihej ndryshe dhe si shkrimtari gjerman poliedrik një kolos i letërsisë së të gjitha kohërave. Dhe jo vetëm për stilin e thekshëm dhe të patejkalueshëm, as për shumëllojshmërinë e krijimtarisë, duke filluar nga tregime në romanin-lum deri tek eseja politike, por edhe për thellësitë e mëdha intelektuale si dëshmitari civil i atyre kohë që ai e dinte si t’i mishëronte. Shkrimtarëve gjermanë ju pëlqen t`i përshkruajnë me shumë hollësi figurat e tyre, t`i përshkruajnë me saktësinë e një filmi, çfarë pamje kanë ata, si jetojnë, çfarë mendojnë dhe çfarë ju ndodh. Tregimtar i tillë është kryesisht, Tomas Man me romanin e tij të jashtëzakonshëm “Budenbrokët”, që flet për shkatërrimin e një familjeje tregtarësh nga Lybeku.

I lindur më 6 qershor 1875 në Lübeck, ai ndoqi gjimnazin në të njëjtin qytet, por me rezultate jo të shkëlqyera. Në 1894 ai u shpërngul në Munih ku u regjistrua në Universitet. Në 1905 martohet, goditur nga bukuri dhe inteligjenca vajzërore e Katia Pringsheim, e bija e një prej njerëzve më të pasur në kryeqytetin e mbretërisë së Bavarisë.

Tomas dhe Katia bënë udhëtimin e tyre të dasmës në Cyrih, ku, edhe pse të këshilluar nga gjinekologu (i cili sugjeroi znj Man të mos ketë fëmijë në vitet e para të martesës, nisur nga gjendja e saj delikate), ngjizën bijën Erika, fëmija e parë e çiftit. Megjithatë, çifti fuqimisht dëshironte një mashkull dhe më pas, një vit më vonë, erdhi edhe Klaus, shkrimtar i ardhshëm në gjurmët e të atit. Më vonë çifti Man solli në jetë Golon dhe pastaj Monikan. Në vitin 1918 lind Elisabeth dhe më në fund Michael.

Në këtë moment të kohës, puna letrare e Tomasit është gjithnjë e më furishme: romani i tij i parë i madh “Buddenbrooks” botuar në vitin 1901, pasuar nga “Tristan” (gjashtë tregime të shkurtra, duke përfshirë edhe të famshmin “Tonio Kroger”) dhe, më 1909, një tjetër kryevepër e madhe, “Royal Highness”, u përqendrua në figurën e princit Klaus Heinrich, i cili mbretëronte në një shtet të vogël imagjinar, dhe në jetën e tij të ngurtë brenda rregullave të rrepta. Në fund të tregimit princi do të martohet me vajzën e një miliarderi amerikan. Në vitin 1912 ai botoi ”Vdekja e Venedikut”, një roman i shkurtër që synonte të provokonte një reaksion të madh për shkak të pedofilisë së dukshme të protagonistit. Një histori dashurie dhe vdekjeje, e cila është gjithashtu një metaforë e ashpër e dekadencës estetike të Europës së vjetër. Më 1914 me esenë “Mendimet e luftës”, Man mbështet çështjen gjermane në konflikt të hapur me vëllain e tij Heinrich, një pacifist i bindur. Në fund të luftës dalin “konsideratat e një apolitiku”. Në vitin 1919 u botua novela “Qeni dhe i zoti”, ndërsa në vitin 1924 doli kryevepra “Mali i magjepsur”.

Në vitin 1926 ai fillon tetralogjinë biblike “Jozefi dhe vëllezërit e tij”, në të cilën ai do të punojë për 15 vjet, dhe që përfshin: “Historitë e Jakobit”, “Djaloshi Jozef”, “Jozefi në Egjipt” dhe “Josefi ushqyes”. Historia biblike bëhet një tregim sugjerues që bashkon mitin dhe psikologjinë, kërkimin dhe epikën. Në vitin 1929 mori çmimin Nobel për romanin “Buddenbrook”.

Në vitin 1933 ai filloi mërgimin e tij: së pari në Zvicër, pastaj në Shtetet e Bashkuara, ku pranoi postin e profesorit në Universitetin e Princeton. Në vitin 1936 ai zyrtarisht mori një qëndrim kundër diktaturës naziste; në Gjermani, ndërkohë i hiqet shtetësia gjermane dhe pasuritë i konfiskohen. Në vitin 1939 është botuar romanin “Luftë në Weimar” dhe historia indiane “Kokat e shkëmbyera”, pastaj në vitin 1947 del manifesti i madh estetik në formën e romanit, që është “Doktor Faustus”. Në vitet në vijim shkrimtari është i mërzitur nga një seri fatkeqësish: në vitin 1949 djali i tij Klaus bën vetëvrasje; Vitin e ardhshëm vdes vëllai i tij më i ri, Viktor; në vitin 1950, vëllai tjetër Heinrich gjithashtu vdes.

Në vitin 1951 lëshoi romanin “Të zgjedhurit” dhe Man u vendos përgjithmonë në Kilchberg, në Liqenin e Cyrihut, ku vazhdon të punojë deri në vdekjen e tij. Në vitin 1953 shfaqet tregimi “Mashtrimi”; në vitin 1954 “Rrëfimet e kalorësit të industrisë Felix Krull”, suksesi i tij i fundit i madh. Tomas Man vdes më 12 gusht 1955. /Hejza/ KultPlus.com

Lufta me Uma Turman dhe dashuria për Shqipërinë, Llosa që njohu vendin e shqiponjave prej romaneve të Kadaresë

Për Shqipërinë, vend ku nuk kam shkelur ndonjëherë por që e njoh nga romanet e mira të Ismail Kadaresë, kam pasur një nga diskutimet më të nxehta që mbaj mend. Kundërshtari im ishte një djallushkë femër, në dukje, që quhej Uma Thurman, suedeze me origjinë dhe artiste me profesion, me një siluetë si shufër dhe me flokë të rimtë, me të cilën, për kënaqësi të syve të mi dhe tmerr të shijeve e bindjeve të mia, para dy vjetësh u bëmë bashkë në jurinë e Festivalit të Kinemasë të Venecias.

Duke përdorur mjetet e pafundme bindëse (inteligjencën, lotët, joshjen, shantazhin, frikën, lutjen) dhe një aftësi për intrigë të denjë, si ajo e Makiavelit dhe Rastinjakut bashkë, ajo ia arriti që t’i jepte çmimin special të konkursit filmit të tmerrshëm Natural born Killers (Vrasës të lindur) të demagogut Oliver Stone, dhe të futë në listën e fitimtarëve filmin L’America, të italianit Amelio, film që e tregon Shqipërinë si një vend makthesh, i populluar nga turma njerëzish të pazhvilluar, që lypin ose vjedhin, grumbuj njerëzish- larva të shushatur nga uria dhe kotësia. Jam i sigurt se ata që nuk e njohin Shqipërinë, si dhe unë, dhe që shohin këtë film, kanë për të besuar se është një film profetik, sepse në një vend të ngjashëm dhe me njerëz të tillë, tmerret që po ndodhin këto ditë, në një farë mënyre duhet të ndodhnin, shpejt apo vonë. Si ato që ndodhën në Ruandë, Burundi apo Haiti.

Megjithatë, e vërteta është se shpërbërja e përgjithësuar dhe kaosi shoqëror e politik që ka pushtuar Shqipërinë, për të merituar ato keqardhje të këndshme ose befasi të frikshme që dëgjojmë dhe lexojmë përditë në mediat e vendeve të civilizuara, në vend të flitet për tragjedinë shqiptare sikur të flasësh nga hëna, do të ishte mirë ta na e ilustronin për shkak të mosnjohjes tonë, dhe të na hapnin sytë në lidhje me filmin tepër të dobët, mbi të cilin mbështetet moderniteti, progresi, kultura demokratike në shoqëritë e zhvilluara. Ashtu si edhe në ish-Jugosllavi, kriza e Shqipërisë tregon se, ndërkohë që hyrja në civilizim është e gjatë dhe e vështirë, rënia në barbari është mjaft e lehtë, një rrezik kundër të cilit nuk ka ilaç përfundimtar.

Gjysmë shekulli despotizëm stalinist që vuajti shoqëria shqiptare, e sterilizoi në atë mënyrë jetën shoqërore dhe ekonomike – aty funksionoi vetëm jeta e dhunshme dhe policore – sa asnjë institucion nuk mund të hidhte dot rrënjët paskëtaj, kur diktatura u shemb. Ajo u shemb por, atje lart, nuk u zhduk: si unazat e gjarprit që i pret kokën, vazhdoi të godasë me metodat e zakonet e saj dhe një numër i mirë korifenjsh e përfituesish, me një makijazh të lehtë reformisti, ruajtën pushtetin e tyre edhe në demokracinë e brishtë që erdhi për ta zëvendësuar atë diktaturë.

Në të vërtetë, bëhej fjalë për një farsë të pastër. Njësoj si në Rusi dhe për të njëjtat arsye, dobësia apo pazotësia absolute e institucioneve civile – veçanërisht ajo e drejtësisë dhe e gjykatave – u la fushë të lirë veprimi perandorisë së mafiozëve, bandave të kriminelëve të kryesuar nga ish-sigurimsat dhe burokratët e regjimit komunist, të cilët morën në dorë administrimin e ndërmarrjeve (ose më mirë për t’i asgjësuar ato), për t’i shitur apo privatizuar, madje ata u pajisën me pasaporta dhe viza për të qarkulluar mall lirshëm. Po bën, pak a shumë, një vit që pati një dokumentar të mrekullueshëm mbi këtë temë nga BBC, i cili me dëshmitarë interesantë tregonte se si industria e narkotrafikut kishte krijuar filialet e veta në Shqipëri me siguri të plotë mosdënimi. Dhuna e ashpër u bë e vetmja formë e ligjshme, dhe korrupsioni u shtri në të gjitha nivelet e shoqërisë, si skena kryesore e mbijetesës.

Në këto kushte, në Amerikën Latine, Ushtria nxjerr tanket në rrugë dhe merr pushtetin. Por, në vende si Shqipëria (ose Rusia, për rastin), anoreksia ekonomike që rezulton për disa dekada centralizmi, estatizmi dhe planifikimi, është aq e thellë sa edhe institucionet e privilegjuara, si Forcat e Armatosura, nuk ngrihen dot në këmbë nga rraskapitja dhe rrënimi i plotë ku janë katandisur, madje nuk kanë më as shpirtin dhe as reflekset e domosdoshme për të bërë një Grusht Shteti. Lehtësia me të cilën turma e dalldisur sulmoi kazermat dhe komisariatet në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër e vende të tjera dhe rrëmbeu të paktën 300.000 pushkë, është tepër kuptimplote për moralin që sundonte në shtresën ushtarake. Prandaj, është e mundur të pohohet se, në disa qendra, vetë oficerët e nxitën bastisjen, për të fshehur trafikun me armë dhe municione, i cili kishte kohë që ishte bërë burim kryesor jetese për ushtarakët.

Në këtë kontekst varfërie ekonomike, pavendosmërie politike, zbrazëtie institucionale dhe pasigurie kolektive, rezulton shumë e lehtë që njeriu të besojë në mrekullinë, siç ishin “firmat piramidale”. Është interesante se ky lloj mashtrimi përsëritet herë pas here në vendet e varfra ose në kohë krizash dhe, megjithatë, jo vetëm që askush nuk vë mend, por mijëra apo miliona të pafajshëm bien përsëri në kurth. Kjo është vërtet absurde, deri qesharake. Një bankë ose një financier ofron interesa tepër të larta dhe me një afat të shkurtër për kursimet e klientëve të vet, dhe investitorët e parë, në fakt, vazhdojnë të përfitojnë, sajim që qëndron në këmbë vetëm po të vazhdojnë depozitimet e klientëve të rinj. Në momentin që numri i tyre bie apo rritet alarmi dhe fillon tërheqja e klientëve, atëherë skema shembet: mashtruesit zhduken dhe viktimat ngelen me gisht në gojë. Ky lloj mashtrimi është shumë i hershëm, por, me sa duket, e reja në këtë rast është se një vend i tërë pati aq shpresa sa e la veten të mashtrohet me një mendjelehtësi të padëgjuar më, duke bërë që të pasurohen mashtruesit me kursimet e tyre të varfra pa kurrfarë mundimi. Por nuk duhet kështu, dhe as nuk është mirë të jetë kështu. Në qoftë se pasuria bie nga qielli dhe nuk vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, krijon zakone të liga dhe nuk të përgatit për të përballuar vështirësitë dhe fatkeqësitë. Kështu për shembull, ari i zi që ka mbytur nëntokën e Venezuelës, i ka sjellë asaj më shumë fatkeqësi se sa mirëqenie. Mirëqenia që vjen nga aftësia dhe përpjekja është një mijë herë më e mirë nga mirëqenia që vjen aksidentalisht – nga lotaria apo mrekullia -, sepse vetëm e para ka mundësi të zgjasë dhe të shtohet, siç e kërkojnë rrethanat.

Ndoshta duhet thënë e njëjta gjë edhe për demokracinë, këtë sistem që, me gjithë defektet e veta, është sistemi që na mbron më mirë kundër brutalitetit dhe që u reziston më shumë kohë tentativave të herëpashershme të kthimit të barbarisë prej të cilave ankohen të gjithë kombet. Ajo që ndodhi në Rusi në ditët tona dhe në një pjesë të madhe të ish-perandorisë sovjetike, katastrofa mizore ku është zhytur Shqipëria, peripecitë e tmerrshme që kanë pllakosur vendet e Amerikës Latine në përpjekjet për të arritur progresin dhe modernizimin e vërtetë, po ashtu gjakrrjedhja dhe zia e madhe që vuajnë sa e sa kombe afrikane nuk tregojnë se ka popuj të aftë dhe popuj jo të aftë për të qenë të lirë dhe të begatë. Por, tregon se liria dhe prosperiteti nuk vijnë nga mbrëmja në mëngjes. Ato fitohen dhe meritohen, pak nga pak, përmes disa praktikave, gjatë adaptimit të disa ideve dhe praktikave, me anën e të cilave bën të funksionojnë institucionet (dhe jo e kundërta). Diktaturat gjithmonë dobësojnë dhe dëmtojnë këtë proces: të gjitha diktaturat, por, më shumë se askush tjetër, diktaturat si ajo që vuajti Shqipëria – ose që po vuan tani Koreja e Veriut apo Kuba dhe Kina -. Diktatura që kanë marrë përsipër gjithë përgjegjësinë e jetës së qytetarëve të tyre, duke i kthyer këta në automatë të thjeshtë, veprimet e të cilëve, të rëndësishme apo të parëndësishme, të vendosen nga vetë pushteti gjithëpërfshirës, i cili i edukon, i ushqen, i ndihmon, i informon dhe u jep punë. A do të jenë në gjendje të veprojnë me përgjegjësinë e tyre këta qytetarë të cilët gjatë brezash kanë qenë të kushtëzuar e të komanduar për të qenë të bindur, për të qenë thjesht instrumente? A do t’i respektojnë institucionet këta njerëz, të cilët lindën dhe vdiqën midis institucioneve që kurrë nuk e merituan respektin e tyre si qytetarë? Si mundet që këta, nga mbrëmja në mëngjes, do të bëhen qytetarë që duhet t’u besojnë ligjeve dhe të jenë të përgjegjshëm për lirinë e tyre, liri që ishin mësuar ta shikonin si një perde të thjeshtë tymi pas së cilës fshihej arbitrariteti, liri që ishte vetëm një fjalë boshe dhe që shërbente vetëm për të ndritur fjalimet e diktatorëve?

Tragjedia e Shqipërisë, këtij “vendi të lashtë të shqiponjave”, nuk filloi me mashtrimin e firmave piramidale. Ajo që shohim tani nuk është veçse plasja e qelbit të një lunge të krijuar gjatë dekadave të despotizmit dhe shtypjes së egër.

El Pais, 1997

Përktheu: Bajram Karabolli/ KultPlus.com

Agroturizmet zgjerojnë ofertën turistike të Tiranës

Oferta e Tiranës në fushën e agroturizmit është e larmishme dhe sa vjen diversifikohet edhe më shumë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau historinë e Rizvanit, të riut 25 -vjeçar që me guxim, ide dhe dashuri për natyrën, ndërtoi kabinat e drurit, “Funky Cabin”, mes kodrave të liqenit të Çerkezit, pak minuta larg Tiranës.

“Pika agroturistike “Funky Cabin”, është kthyer në një tjetër histori suksesi”, tha Denaj.

“Sot, është e vështirë të gjesh një prej tyre të lirë, sepse turistë nga e gjithë bota shkojnë çdo ditë për të kaluar natën nën yjet e këtij oazi magjik, të ndërthurur me përvojën autentike të kulinarisë shqiptare me prodhime “Made in Albania””, theksoi Denaj.

Ajo tha se, përmes mekanizmave të reja të financimit qeveria synon të nxisë më tej investimet në agroturizëm.

“Me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, u shpreh Denaj.

Ndërsa Rizvani, tregoi se, ideja për ngritjen e kësaj sipërmarrjeje lindi gjatë kohës së pandemisë COVID në 2020-ën.

“Fillimisht unë ndërtova kabinën e parë prej druri në oborrin e shtëpisë time dhe me të ardhurat që sigurova nga kjo dhomë ndërtova edhe dy kabina të tjera dhe sot në zonën piktoreske të Çerkezit janë të ndërtuara 14 dhoma”, tha ai.

Sipas tij, ky investim i kthyer në një pikë agroturistike ofron akomodim, shërbim me mëngjes dhe darkë, shëtitje me varka në liqen, ecje dhe shëtitje me kuaj.

“Aktualisht kemi një kapacitet prej 30 personash, ndërsa kërkesa është dyfish më e lartë, ndaj po punojmë për të zgjeruar më tej këtë investim”, u shpreh Rizvani, ndërsa vuri në dukje se po punon për ngritjen e restorantit dhe zgjerimin e bashkëpunimit me fermerët e zonës për prodhimet bujqësore./atsh/ KultPlus.com

Kumbaro: Glamping Albania Adventure, model që bashkon përvojën e kampingut me komoditetin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar Glamping Albania Adventure, një kamping buzë Vjosës që bashkon përvojën e kampingut me komoditetin.

“Glamping Albania Adventure është një lule e re që ka mbirë buzë Vjosës, model që bashkon përvojën e kampingut me komoditetin, një përvojë krejtësisht ekologjike, me energji 100% të pastër e në respekt të plotë me natyrën duke nxitur akoma më shumë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Përmetit përmes eksperiencave të sporteve ujore, ekoturizmit dhe agroturizmit si një xhevahir për promovimin e ekonomive lokale”, shkruan Kumbaro në rrjetet sociale.

“Është fantastike sesi mundet nga një aventurë sportive personale e viteve të shkuara për të bërë rafting, mbërrijmë sot në një strukturë si kjo, me një hapësirë si kjo, në buzë të Vjosës, në një hapësirë në të cilën kemi kapacitete akomoduese rreth 80 shtretër për të gjitha grupmoshat, për familjarë, për fëmijë, e cila do të shkojë paralel, me mbrojtjen e natyrës, me respektimin e peizazhin, me zhvillimin  enjë ekonomie ndihmëse siç është kopshtaria”, thekson Kumbaro.

Kumbaro shton se, kur flasim për zhvillim të qëndrueshëm nuk është e pamundur edhe në një zonë të mbrojtur.

“Ky është një koncept sesi ti mund të zhvillosh turizëm miqësor me mjedisin, me biodiversitetin dhe madje ta duash edhe më shumë natyrën”, thotë ministrja Kumbaro. /atsh/ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Prizren

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbajë me Orkestrën Frymore të Filharmonisë, në Autostrada Hangar- Prizren.

Nën dirigjimin e Dario Salvit dhe me pjesëmarrjen e violoçelistit virtuoz Konstantin Manaev, orkestra do të sjellë Koncertin për violonçel dhe orkestër frymore nga kompozitori Friedrich Gulda.

Po ashtu, orkestra do të interpretojë edhe vepra nga: Peter Josef von Lindpaintner (Uvertura “Joko”), Adolphe Adam (Uvertura “Mbreti i Yvetot-it”) dhe Ralph Vaughan Williams (Suitë me këngë popullore angleze).

Koncerti mbahet më 15 prill, nga ora 19:30, në Autostrada Hangar në Prizren./ KultPlus.com

Spiropali mesazh viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Ju nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar sot në Ditën Përkujtimore të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

“Sot, në 14 prill, në Ditën Përkujtimore të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, mendimet tona shkojnë te 20 mijë gratë a vajzat, viktima të këtyre akteve çnjerëzore.

Por edhe te fëmijët, djemtë e burrat që e kanë vuajtur këtë dhunë po me kaq dhimbje, por në heshtje shurdhuese nga stigma e turpërimit dhe mospranimit shoqëror”, shprehet Spiropali në reagim.

“Pasojat e luftërave dhe konflikteve nuk janë vetëm politike, ushtarake, shtetërore apo etnike. Mizoritë e tyre lenë pasoja e trauma për popullsinë civile, fëmijë, gra dhe qytetarë të pafajshëm, sepse zgjojnë instinkte dhe inkurajojnë veprime barbare, mes tyre edhe dhunën seksuale”, thekson Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit jep edhe një mesazh për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se ato nuk janë vetëm.

“Kam sot një mesazh për viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë dhe zërat e guximshëm që janë bërë edhe zë i atyre që nuk munden: Ju nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm, sepse drita do ta mundë errësirën, e mira do ta mposhtë të keqen, e vërteta do të triumfojë mbi heshtjen, drejtësia do të sundojë mbi padrejtësitë, paqja do të largojë tmerret e luftës dhe liria do të fitojë mbi tiraninë”, shprehet Spiropali. /atsh/ KultPlus.com

Llosa gjiganti i fundit i letërsisë latino-amerikane

Vdekja e nobelistit peruan, Mario Vargas Llosa shënoi fundin e një epoke, atë të brezit të artë të letërsisë latino-amerikane, përfaqësuesi i fundit i madh i së cilës ai ishte.

I lindur në një familje peruane të shtresës së mesme, Mario Vargas Llosa ishte një nga protagonistët e mëdhenj të bumit letrar të Amerikës Latine të viteve 1960 dhe 1970, së bashku me kolumbianin Gabriel Garcia Marquez dhe argjentinasin Julio Cortazar.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se babai ynë Mario Vargas Llosa ndërroi jetë sot në Lima, i rrethuar nga familja dhe në paqe”, njoftoi djali i tij Alvaro në një mesazh në X, të firmosur edhe nga vëllai i tij Gonzalo dhe motra e tij Morgana.

Qeveria peruane ka shpallur 14 prillin ditë zie kombëtare dhe ka njoftuar se flamujt në ndërtesat publike do të jenë në gjysmështizë.

Familja nuk specifikoi shkakun e vdekjes së tij, por shëndeti i shkrimtarit ishte i brishtë që nga kthimi i tij në Lima në vitin 2024, pas largimit nga Madridi.

Prej disa muajsh ai jetonte i izoluar nga jeta publike.

“Vdekja e tij do të trishtojë familjen, miqtë dhe lexuesit e tij anembanë botës, por shpresojmë se ata do të gjejnë ngushëllim, si ne, në faktin se ai pati një jetë të gjatë, të larmishme dhe të frytshme”, shtuan fëmijët e tij.

Jashtë shtëpisë së shkrimtarit me pamje nga oqeani Paqësor në lagjen boheme të Barrancos, një grup i vogël njerëzish u mblodhën në heshtje në lajmin e vdekjes së tij, duke mbajtur kopje të veprave të tij.

“Ai ishte një referencë shumë e rëndësishme për mua, ai tha se letërsia i kishte shpëtuar jetën”, tha një Gustavo Ruiz dukshëm i prekur, një filozof që erdhi për t’i bërë nderimet e fundit shkrimtarit para shtëpisë së tij.

“Asnjë ceremoni publike nuk do të bëhet”, njoftoi familja e shkrimtarit, e cila bëri me dije se eshtrat e tij do të digjen.

Mjeshtër i mjeshtrave

Në një mesazh të publikuar në X, presidentja peruane Dina Boluarte shpreh keqardhje për vdekjen e shkrimtarit.

“Gjenia e tij intelektuale dhe vepra e madhe e tij do të mbeten një trashëgimi e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, tha ajo.

Presidenti i Guatemalës Bernardo Arévalo e quajti shkrimtarin “një kronist i madh i Amerikës hispanike dhe një interpretues perceptues i rrugëve dhe fateve të saj”.

Ish-presidenti kolumbian Alvaro Uribe e quajti atë “mjeshtri i mjeshtrave”, ndërsa zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së Christopher Landau tha se “temat dhe interesat e tij ishin të përjetshme dhe universale”.

“Letërsia në gjuhën spanjolle i jep lamtumirën Mario Vargas Llosa-s, mjeshtër universal i fjalës”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në X.

Shkrimtari peruan Alfredo Bryce Echenique, autor i “Një botë për Julius” dhe mik i Mario Vargas Llosa, tha në radion RPP se vdekja e tij ishte “një zi për Perunë, sepse askush nuk na ka përfaqësuar aq shumë në botë sa ai, me punën e tij në përgjithësi, këmbënguljen, pastërtinë dhe pafundësinë e tij”.

I lindur në Arequipa më 28 mars 1936, Mario Vargas Llosa i kaloi muajt e tij të fundit i rrethuar nga familja e tij, larg ngjarjeve publike.

Që prej muajit tetor, ai ishte shfaqur në disa foto të publikuara nga djali i tij Alvaro në rrjetet sociale, duke e shfaqur atë në vende emblematike të kryeqytetit që e kishin frymëzuar të shkruante disa nga veprat e tij më domethënëse.

Shëndeti i Vargas Llosa u përkeqësua ndjeshëm nga viti 2023 e në vazhdim, pasi ai u shtrua në spital për Covid-19 ndërsa jetonte në Spanjë, shteti nga i cili kishte marrë shtetësinë në vitin 1993.

I admiruar për përshkrimin e realiteteve shoqërore, autori i kryeveprave si “Qyteti dhe qentë” dhe “Biseda në katedrale” u kritikua gjithashtu nga qarqet intelektuale të Amerikës së Jugut për pozicionet e tij konservatore.

I përkthyer në rreth 30 gjuhë, ky autor frankofil, i cili jetoi për disa vite në Paris, ishte shkrimtari i parë i huaj që hyri në koleksionin prestigjioz ”Pléiade” gjatë jetës së tij në vitin 2016.

Ai u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze në vitin 2021./ atsh/ KultPlus.com