Thëniet më të bukura nga Thomas Jefferson

Thomas Jefferson (13 prill, 1743 – 4 korrik, 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”

“Tregtarët nuk kanë atdhe.”

“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”

“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”

“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”

“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”

“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”

“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”


“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”

“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”

“Individi guximtar është shumicë.”

“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”

“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”

“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”

“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”

“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”

“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”

“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”

“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”

“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”

“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”

“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”

“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”

“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”

“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”

“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”

“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”

“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”

“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”

“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”

“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”

“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”

“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”

“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”

“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”

“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”

“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”

“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”

“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”

“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”

“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”

“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”

“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com

Diana Çuli në një rrëfim me shtatë shkronja

B

E bardha:

E bardha është dritë, është mëngjes, është fillim dite. Është punë, energji dhe optimizëm. Ajo vjen pas një nate të errët, kur mendimet e zymta marrin rrugë dhe kanë më pak pengesa. E bardha i shpërndan, ose të paktën i dobëson, i amortizon, i tulat.

E bardha është ngjyra e veshjeve të para të fëmijës, e ditës së dasmës…E shtratit të sapo shtruar e të paprekur.

Është freskia.

Është fleta e letrës së pashkruar. Mbi të mund të përshkruash, të ëndërrosh, të krijosh botë të tëra, personazhe, marrëdhënie njerëzore…Përmes saj mund të japësh dritë ose mund të dëshpërosh, mund të kalosh në fantazitë më të çuditshme e më të papara.

E bardha është ngjyra e parë e horizontit të largët ose të afërt.

Është Çlirimi.

K

E kaltra :

Është deti, udhëtimi, harrimi, lumturia, thellësia, mrekullimi.

Bashkë me të Bardhën, formon shkumën dhe dallgën, rrëmbimin dhe ethen, pështjellimin dhe dëshirën, gezimin e aventurës, ngjethjen dhe arritjen, kur prej kreshtës së saj mund të shohësh qiellin dhe pamatësinë e detit.

Është Qielli. Pafundësia, mahnitja, ngjashnjimi, misteri. Është ngrohtësia, pasqyrimi, vështrimi, çiltërsia.

Është kaltërsia që mbështjell botën me ujë dhe ajër. Është vështrimi i brendshëm i shpirtit kur është në paqe.

L

Libri

Është rrugëtim i pambarimtë, mundim, rënkim, dëshirë…Jetë të panumërta që jetohen brenda një jete, shekuj të përshkuar në pak muaj, botë e shkelur që nga malet e panjohur në oqeanet e frikshëm, në polet e ngrirë, në rrugët e pakthyeshme, në tropikun e nxehtë, në shpellat e errëta, në bulevardet marramendëse të qyteteve të pashkelur.

Libri që depërton në zemër, në shpirt, në mendje, në frymë, në fjalët që flasim, në shkëndijat që shohim, në sendet që prekim. Libri që e anulon botën dhe krijon të tijën, të vërtetën dhe, në këtë haluçinacion, bota e mund, e mposht, por pastaj ai rifillon të ngrihet e të përsërisë betejën, që është njëherazi e dhimbshme, e bukur, e dëshiruar, ngjethëse, ngazëllyese.

M

Mendja

Kjo gjendje njerëzore, e papërsëritshme, që rrekemi të gjemë në është ide, prodhim i shpirtit, i energjisë kozmike, i perëndisë, i energjisë së brendshme të trupit apo thjesht prodhim i evolucionit të qënies, të përkryerjes së fijeve nervore, qelizave, muskujve të trurit, veprimtarisë së tij të jashtëzakonshme, që natyra e ka krijuar të tillë, për të mos e zbuluar dot lehtë, por për ta kërkuar çelësin e të fshehtës së funksionimit të tij derisa të rrojë njerëzimi vetë.

Mendja është vetë bota dhe jeta, është fantazia dhe realiteti, E Keqja dhe e Mira, Urtësia dhe Zemërimi, Pamaturia dhe Pjekuria, Dashuria dhe Dhembshuria. Po edhe Hidhërimi. Prej saj varet lufta dhe paqja, varfëria dhe mirëqenia, vetë gëzimi dhe lumturia.

Mendja mund të jetë dhe Helmimi.

Po mund të jetë dhe Shpëtimi.

Gj

E gjelbra.

Gjelbërimi. Që është jetë, fllad, aromë, lëndina të shtruara me bar, male që gjelbërojnë në pranverë, lumenj të thellë që gjarpërojnë mes tyre, pyje plot të fshehta, me pikëla rrëzëllitëse të mbetura në gjethet, pas shiut.

Shpresë. E gjelbra është shpresë, pritje e këndshme, është përkujdesje. Ajo e kundërshton tymin e errët që nxin qiellin, rrugët, shtëpitë, dhomat, xhamat e dritareve. Ajo lodhet, pastron dhe mbron.

Ajo është prehja e gjallesave mbi dhé, e njerëzve, kafshëve e shpendëve, është zëri i Tokës, ndjenja e saj, frymëmarrja e saj. Ajo është Lashtësia, Qëndresa, E Ardhmja.

Rr

Rruga.

Që na rrëmben, na kërkon, që e kërkojmë, e duam, edhe kur e dimë se na shpie në zgrip të humnerës. Sepse gjithnjë pandehim që do të gjejmë Zbulimin, Përmbushjen, realizimin e Ëndërrës.

Asnjëherë nuk i vidhemi, nuk i fshihemi, asnjëherë nuk bëjmë sikur nuk e shohim. Aq më tepër kur ndalojmë para një udhëkryqi. E panjohura na tërheq si magnet, e paditura na nxit të mësojmë e të pikasim atë që nuk e ka parë askush apo që të tjerët e dinë dhe ne ende nuk e kemi prekur, kuptuar, shijuar. Rruga drejt një liqeni, për shembull, që struket i vogël me kodrash të buta. Drejt një tempulli, fenë e të cilit nuk e njohim, por duam të dimë përse është i tillë. Përse? Dhe gjithnjë – përse? Drejt një anijeje të nxjerrë nga fundi i detit, të mbuluar me alga, drejt një shtëpize

buzë rrugës, drejt një qiellgërvishtëseje që duket si mal i panatyrshëm e që shkëlqen natën nga dritat. Nuk i jemi ndarë rrugës, qoftë ajo me karroca e kuaj, qoftë me makina e avionë. Dikush mbetet në gjysmë të saj, dikush rrëzohet para se të mbërrijë në fund, po të tjerë ia dalin.

Ata janë fitimtarët.

D

Dyshimi

Nuk jetojmë dot pa dyshimin, edhe kur e zbojmë dhe nuk e duam. Dyshojmë në dimë të jetojmë, në kemi ditur të ecim apo kemi bërë vetëm gabime. Jo, nuk kemi bërë vetëm gabime, por ato janë më të shumta se veprimet e drejta. Por, përse duhen quajtur të drejta? Cilat janë kriteret? Ku e kam cënuar të drejtën e tjetrit, duke mbrojtur timen?

Shumë prej nesh qëndrojnë të heshtur para dritares, të grirë nga dyshimet: A kam gabuar në rritjen e fëmijëve? Jo, nuk kam gabuar, mendoj se kam bërë më të mirën. Por, jo, ndoshta nuk e kam kuptuar dot shekullin e ri, botën e re, epokën e re dhe kam prekur atje ku nuk duhet të prekja, kam anashkaluar atë që duhet të jepja.

A kam bërë atë që kam dashur? Po, shpesh herë. Po a ka qenë kjo më e mira? Jo, për fat të keq. Sa shpesh, më vonë, ka dalë që ka qenë më e keqja.

A kam nxjerrë nga duart, nga mendja, nga shpirti atë që duhej? Oh, kush e di. As unë vetë, as ju, as shumë të tjerë. Po si do të jetë gjykimi ? po përse të duhet ky gjykim? Dyshon se je dikushi ? Jo, askushi, pa dyshim. Po nuk ekziston shprehja « «pa dyshim », është kontradiktore e pasaktë, e pavërtetueshme.

Dyshimi. Si mund të jetojmë dhe të përsosemi vazhdimisht pa dyshimin? /Shqip/ KultPlus.com

21 vjet nga vdekja e ‘babait’ të letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja

Bedri Dedja është një emër i nderuar i letrave dhe arsimit shqiptar, personalitet i kulturës dhe shkencës së Kosovës, i cili njihet edhe si “babai” i letërsisë për fëmijë, siç e kanë cilësuar me të drejtë për së gjalli; ai është i pranishëm në ballë të bibliotekave të mbarë shqiptarëve; romanet, librat me poezi e rrëfenjat, përkthimet nga letërsia botërore, janë të shumta e cilësore; ato kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e mijëra lexues, anembanë vëndit.

Akademik Bedri Dedja vdiq më 13 prill 2004.

Po ju sjellim disa mendime të personaliteteve për Akademik Bedri Dedjan.

Alfred Moisiu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë

…Bedri Dedja ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare, Akademisë së shkencave, studiuesve në fushën e psikologjisë e pedagogjisë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, themeluesi i letërsisë shqiptare për fëmijë, Miku i Madh i fëmijëve, Humanisti shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk reshti pa dhënë kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre.Vepra e tij poliedrike, shkencore dhe letrare do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.

Dritëro Agolli,

Bedri Dedjen e kam njohur edhe para se të shkoja në Tiranë, në vitin 1970: e kam njohur permes prozave të tij për fëmijë që në Kosovë ishin sjellë prej profesorëve, të cilëve u ishte bërë e mundur të shkojnë në Shqipërinë shtetërore pas vendosjes së mardhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Mbas këtij viti, në Tiranë do të shkojë edhe shumë herë të tjera dhe gjithnjë, kur kthehesha në Prishtinë, kisha me vete vepra të reja të Bedri Dedjes. Si të mos kisha? Bedri Dedja ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Ai ishte krijues i tregimeve, i përrallave dhe i romaneve për fëmijë, por ai ishte edhe kritik e studiues i gjithë letërsisë shqipe për fëmijë. Bedri Dedja ishte, kështu, krijues me prirje të gjithanshme. Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare dhe shkencore e dëshmojnë një të vërtetë tashmë të pranuar nga studiuesit e psikologjisë së krijimtarisë: e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike e asaj shkencore, apo artistike dhe shkencore njëkohësisht është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.E Bedri Dedja ishte krijues me dhunti të madhe krijuese.


/Në veprën e tij shumëvëllimshme letrare dhe studimore janë bashkuar vlera e lartë artistike e shkencore dhe vlera e madhe humaniste. Janë këto dy cilësi që veprën e një krijuesi e bëjnë të përhershme, kurse krijuesin e saj të pavdekshëm.Akademik Rexhep Qosja…Psikolog, pedagog, historian i arsimit dhe i pedagogjisë, kulturolog, mendimtar erudit, shkrimtar i shquar për fëmijë, një shëmbull i rendimenti të lartë në punë: me të drejtë Bedri Dedja konsiderohet si dekani i letërsisë së sotme shqiptare për fëmijë. Në këtë fushë ai na shfaqet tejet i gjithanshëm – krijues, teoricien cilësor, kritik, historian. Hartues i mbi 60 veprave letrare, midis të cilave shquhen “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1100 çudirave”, etj. Në Shqipëri Bedriu është një figurë popullore, por atë e njohin mirë edhe jashtë truallit amë, kudo që ka shqiptarë e në vënde të tjera.Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.Akademik Hamit Beqja…Bedri Dedja (1930-2004) është kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë, të cilin do ta nderojmë për një kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia shkruhet edhe ndryshe…Agim Deva, shkrimtar Kosovë…Bedri Dedja u bë prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare. Krijues si ai janë njëkohësisht edhe dëshmitarë të asaj pikëpamjeje, sipas së cilës, të menduarit krijues në shkencë dhe në art kanë pikëtakim dhe, në kushte të veçanta, shfaqen si në njërin, ashtu edhe në lëmin tjetër krijues.Akademik Pajazit Nushi, Kosovë…Akademiku Bedri Dedja ka qënë një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë të pasçlirimit. Ishte një personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar, dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, mbajtës i “Çmimit të Republikës” dhe titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më të shquar të shekullit XX.Astrit BishqemiBedri Dedja ka fatin e njerëzve, të cilët jetën e këputur e zgjatin me emrin që lënë. E kisha pedagog Fakulteti e ai ishte vetëm katër vjeç më i rritur se studenti (më pas, e takoi studentin – punëtor Metalurgjie, mbuluar çizmet me baltë e sytë, gati në përlotje i morën një ndriçim qielli në fytyrë njeriu).Qe koha kur njeriut për të mbijetuar i duhej të tkurrej sadopak. Por ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. I përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e Fjalës së vet, prej nga buronte humanizëm e çiltërsi. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve. Në letërsi, ai jo rastësisht na foli nga bota e fëmijëve, sepse vetë, edhe i rritur kish’ diçka prej fëmijë në qënien e tij. Duke përshkruar jetën e brishtë të të vegjëlve, tërthoraz i thoshte dhe shoqërisë së rritur që ta ruante çiltërsinë fillestare të njeriut nga shtrëmbërimi i mundshëm i shpirtit në diktaturë. Në tërë krijimet e tilla që la, nëpër rreshtat e librave ecte fëminija e tij, e cila Bedriun e mbante përdore, si një fëmijë të rritur me të qeshurën e të vegjëlve në buzë.Të tillë, brezat do ta kujtojnë gjithmonë përpara tyre.Agim Shehu, poet Gjenevë…Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shëmbulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Në çdo çast ai punonte, edhe kur pinte kafe, edhe kur shëtiste ; mëndja e tij për shkollën, për arsimin, për edukimin e fëmijëve e të brezit të ri, do të mendonte. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur tashmë, në laboratorin e punës së tij krijuese numërojmë mbi 70 vepra pedagogjike, të dala nga dora e tij e që kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e arsimit tonë kombëtar ; mbi 60 vepra për letërsinë për fëmijë dhe po aq përkthime nga klasikët botërorë. Nga duart e tij kanë dalë me qindra artikuj publicistikë, të shpërndara në shtypin e kohës e që mbushin bibliografinë e tij me një numër prej 2000 zërash. E kjo është vetëm pjesa e dukshme e krijimtarisë, ndërsa ajo e padukshmja, si korrespondencat, reçensat, studimet, raportet, etj. mund të kapin edhe aq vëllime sa janë botuar…Prof.Dr. Ilinden Spasse…Kultura e gjërë poliedrike e Prof. Bedri Dedes ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte njëri nga njerëzit, tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje te Profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët dhe ku fillonte kultura që buronte prej personaliteti të tij. E gjithë qënia e tij rrezatonte kulturë. . . Prof. Bedri Dedja nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe akademik : ai njëherësh ka qënë qytetar me vlera dhe i spikatur. . Ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek ai ishin bashkuar bukur dimensioni i shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qënë mbase edhe vlera më e madhe e tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit…Gëzim Tushi…Bedri Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara edukimit ideologjik të tyre. Bënin sikur nuk e vinin re, ose nuk dinin ta lexonin siç duhej, kjo është një çështje e personalitetit të tij : ndonëse akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike…Në fillim e deri në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i rrëzoheshin një e nga një panciret e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur për vite me rradhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte në harmoni me mendimin e ri të bijve të tij dhe të miqve të tyre, se këtij sistemi i kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se moralist…veprat e tij mund ta vërtetojnë lehtësisht se sa ishte dhe mbetet novator ky anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…Hysen Sinani…Tani, ne kemi në dorë veprën pesëdhjetë-vjeçare të Prof. Beri Dedes, krenarinë që Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, luftëtarit të paepur për progres, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë dhe e atdheut tonë të dashur.Ferhat Cakaj.…Një shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar… e sidomos e madhe është puna e Bedri Dedes në fushën e letërsisë për fëmijë dhe problemeve të ndryshme të rinisë…Llambro Mallamas, kritik letrar grek…Membre de l’Académie des Sciences à Tirana, Prof. Bedri Dedja a su représenter brillamment et avec distinction le génie albanais au travers de sa féconde activité littéraire qui réserve une place spéciale aux besoins de l’enfance. Fin connaisseur et ami de la Suisse, il a apporté sa contribution au renforcement des liens d’amitié entre nos deux pays par le biais de ses écrits.Francis Cousin Ambasador, Ministria e Jashtme, Zvicër.…Bedri Dedjen nuk e kemi më midis nesh, por e ndjejmë përherë pranë nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre. Bedri Dedja mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njërëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë krijuese.Viron Kona…Sivjet xhaxhi Bedriu do të mbushte 74 vjet. Por u nda nga jeta kaq papritur. Ai mbetet i gjallë mes librave të tij. Po, lexues të vegjël, është aty, mes fletëve, si një personazh i gjallë dhe me zërin e tij atëror u thotë ngadalë: “Na ishte njëherë”. . . Po, ja se kush…Një njeri i mirë, i dashur, një mësues dhe mik besnik i fëmijëve: Bedri Dedja.Shpresa Vreto…Shuhet Bedri Dedja, “babai” i Fatbardh Pikaloshit, i cili nuk mundi ta përdorë në kohë shkopin e tij magjik, për t’i ridhënë jetë krijuesit të tij. . .Moikom Zeqo…Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndjerë nga pak jetimë…Babai i letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…Alma Mile /KultPlus.com

Mitrovica International Jazz Days: Pranverë Xhazi në Mitrovicë & Prishtinë

Këtë vit, Mitrovica International Jazz Days (MIJD) është bërë pjesë e Green Touring Network – një nismë evropiane për qarkullimin e qëndrueshëm të artistëve, e iniciuar nga panairi më i madh i jazz-it në botë, JAZZAHEAD.

Mitrovica International Jazz Days tani është pjesë e Green Touring Network, një nismë e re që synon të mbështesëqarkullimin e qëndrueshëm të artistëve ndërkombëtarë, duke reduktuar gjurmën ekologjike të turneve muzikore! 

Kjo nismë është inicuar nga JAZZAHEAD!, panairi më i madh në botë i jazz-it që mbahet çdo vit në Bremen të Gjermanisë, dhe mbledh bashkë profesionistë nga e gjithë bota për të promovuar bashkëpunime, turne dhe zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e muzikës live.

Në këtë kuadër, festivali sjell Nils Kugelmann Trio – Bend zyrtar i përzgjedhur nga juria e JAZZAHEAD, i promovuar nga Stenda Gjermane e Jazz-it. 

Pas dy viteve me koncerte falas me artistë të profilit të lartë si Richard Bona, Michael League & Bill Laurance (Snarky Puppy) dhe Gunhild Carling, MIJD këtë vit prezanton për herë të parë koncerte me biletë – një hap i rëndësishëm për të ruajtur cilësinë dhe qëndrueshmërinë e festivalit. Përveç kësaj, festivali ka mbështetur artistët e rinj, ka promovuar gratë në jazz, ka zhvilluar aktivitet edukative për të rinj, fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara, dhe ka realizuar rezidencë 3-ditore për muzikantët nga Ballkani Perëndimor.

PROGRAMI:

Qendra Kulturore “Rexhep Mitrovica” – Mitrovicë

29 Prill | 20:00 – Elina Duni & Rob Luft(CH/AL & UK)

1 Maj | 20:00 – Nils Kugelmann Trio(Gjermani)

KONCERT FALAS – pjesë e programit zyrtar të Jazzahead!

Amfiteatri i ri pranë Bibliotekës Universitare – Prishtinë

30 Prill | 20:30 – Aziza Mustafa Zadeh(Azerbajxhan)

Ky aktivitet kulturor mundësohet me mbështetjen e: Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC), Komuna e Mitrovicës, Komuna e Prishtinës, Goethe Zentrum Pristina

Dita Ndërkombëtare e Xhazit (30 prill) është kulmi i Muajit të Vlerësimit të Xhazit (Jazz Appreciation Month), i cili gjatë gjithë prillit sjell vëmendjen publike mbi xhazin dhe trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme. Në dhjetor të vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mirëpriti vendimin e Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s për të shpallur 30 Prillin si Ditën Ndërkombëtare të Xhazit. Tani, të dyja organizatat e përfshijnë këtë ditë në kalendarët e tyre zyrtarë./ KultPlus.com

Bosh dhe vetëm

Poezi nga Günter Grass
Përktheu Fatmir Alimani

Dhoma ime është erëqetë,
e përshpirtshme, një cigare,
kaq mistike, saqë askush s’guxon
të ngrejë qeranë
ose të pyes për gruan time.
Dje kur miza vdiq,
unë kuptova pa kalendar,
tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet,
ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara.
Për vizitë unë pres para derës.
Posta ngjitet te xhami,
jashtë, shiu lexon bashkë me mua.
Brenda, dhoma ime është erëqetë,
asnjë grindje mbi tapet,
puthje të përpira nga orët,
kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin,
sepse gjithçka jepet,
e përshpirtshme, një cigare,
vertikalisht beson ajo,
vertikalisht merimanga, një balancë,
e ndjek pas çdo thellësi të madhe.
Ne nuk do të dështojmë kurrë./ KultPlus.com

Natë me hënë

Poezi nga Jozef fon Ajhendorf

Ishte sikur qielli
Qetësisht puthi tokën
Se ajo gonxhe tani lulëzon
Për të cilën ju ëndërroni.

Ajri kalonte nëpër fusha
Kallinjtë butësisht tundeshin
Pyjet heshtur shushurinin
E me aq plot yje qe nata.

Dhe shpirti im u shqetësua
Hapi krahët
E fluturoi mbi tokat e heshtura
Sikur fluturoi për në shtëpi.

Nga origjinali gjermanisht, përktheu: Naim Kryeziu. / KultPlus.com

Olimpiada Shqipëri-Kosovë, Rama: Festë e bukur mes dy vendeve për të lartësuar gjuhën tonë

Mbi 16 mijë nxënës të klasave të nënta nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë për herë të parë olimpiada e përbashkët e gjuhës shqipe.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale nga faza finale e kësaj olimpiade, ku nxënësit testuan njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe.

“Një festë e bukur e Gjuhës Shqipe Tiranë ku nxënësit më të mirë të klasave të nënta të shkollave të Shqipërisë dhe Kosovës në fazën finale të Olimpiadës së Parë të Përbashkët mes dy vendeve tona për të lartësuar gjuhën tonë të bukur shqipe”, shkruan Rama.

Janë 84 nxënës nga të dy vendet që kanë kaluar me sukses tri fazat e para të olimpiadës së përbashkët të dy vendeve, të cilët kanë marrë certifikatat për njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Bashkëpunimi në këtë olimpiadë të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës ka si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave tona dhe forcimin e identitetit kombëtar.

Zbulohet sërish teatri antik në Lefkada

Pas shekujsh gjumë, i vetmi teatër antik në Ishujt Jon të Greqisë është zbuluar. Teatri antik i Lefkadës u zbulua për herë të parë në vitin 1901, por u desh deri më tani që kompleksi të gërmohej përsëri.

Korintasit detarë themeluan Lefkadën rreth shekullit të VII para Krishtit. pas Krishtit dhe e bëri atë një port të begatë. Mbetjet e teatrit, i cili ka pamje nga bregu, ndodhen rreth 3 km në jug të qytetit modern të Lefkadës.

Supozohet se teatri është ndërtuar rreth shekullit të IV para Krishtit.

Historianët fillimisht u bënë të vetëdijshëm për ndërtesën në vitin 1901, kur arkeologët gjermanë Edmund Krüger dhe Wilhelm Dörpfeld kryen gërmime në ishull dhe më vonë botuan gjetjet e tyre në librin e Dörpfeld të vitit 1927 “Alt Ithaka” .

Megjithatë, pasi gjermanët e gjetën teatrin, “e varrosën” përsëri. Ndërkohë, ullinjtë dhe magazinat e improvizuara pushtuan vendin dhe teatri u konsiderua i humbur.

Ajo u rizbulua vetëm rastësisht në vitin 1997 kur u identifikua gjatë një studimi të antikiteteve prehistorike dhe klasike për shkak të veçorive të veçanta gjeografike.

Që nga viti 2015, një projekt i ri gërmimi ka ndihmuar në zbulimin e teatrit dikur të humbur. Me heqjen e ullinjve u zbuluan mbetjet e një godine teatri me 13 shkallë dhe 12 shtresa. Kishte 21 rreshta ulësesh dhe një korridor “diazoma” që ndante tre rreshtat e ardhshëm. Në total, ndërtesa mund të strehonte 3500 spektatorë. Besohet se ai kurrë nuk u përfundua plotësisht dhe ishte projektuar për të mbajtur 10,000 deri në 11,000 spektatorë, shkruan Euronews.com, transmeton Klankosova.tv

Pamje e detit Jon dhe mbetjet e ullinjve
Pamje e detit Jon dhe mbetjet e pemëve të ullirit Ministria e Kulturës e Greqisë

Njoftimi për shtyp e përshkruan zbulimin si “pa dyshim monumenti më i rëndësishëm dhe më imponues që ka dalë në dritë në Lefkadën e lashtë”.

Ndërsa teatri u përdor gjatë lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Lefkadës së lashtë, ai qëndroi i papunë gjatë periudhës romake. Kjo ishte kryesisht për shkak të faktit se pjesa tjetër e qytetit ra pasi Octavian Augustus pushtoi Romën në 31 para Krishtit. kishte themeluar Nicopolis në vitin 400 pes dhe popullsia u ndje e detyruar të shpërngulej atje.

Çfarë na këshillon zëshëm, gjigandi i filmit pa zë, Çarli Çaplin?!

Nga Albert Vataj

Asgjë nuk është e përjetshme në këtë botë, madje as problemet tona.

Më pëlqen të eci në shi, sepse askush nuk mund t’i shohë lotët e mi.

Dita më e humbur në jetë është dita kur nuk qeshim.

Gjashtë mjekët më të mirë në botë… rrezet e diellit, pushimi, ushtrimi, dieta, vetëvlerësimi dhe miqtë.

Mbani ato në të gjitha fazat e jetës tuaj dhe shijoni një jetë të shëndetshme…

Nëse shihni hënën, do të shihni bukurinë e Zotit.

Nëse shihni diellin do të shihni fuqinë e Zotit..

Nëse shiheni në pasqyrë, do të shihni krijimin më të mirë të Zotit.

Besojeni atëherë.

Ne jemi të gjithë turistë, Zoti është agjenti ynë i udhëtimit që tashmë ka bërë itineraret, rezervimet dhe përcaktuar destinacionet tona…

Besoni atij dhe shijoni jetën tuaj.

Jeta është vetëm një udhëtim!

Jetoni sot!!!!/ KultPlus.com

Muse-X çel siparin, Tirana kthehet në vendtakimin e industrisë muzikore, dialogut kulturor dhe bashkëpunimit rajonal

MUSE-X, ekspofestivali i parë i Muzikës dhe Arteve Kreative në Shqipëri dhe në Ballkan, çeli sot siparin në sheshin “Italia” në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin në vendtakimin e industrisë muzikore, dialogut kulturor dhe bashkëpunimit rajonal.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë Tiranë, Jonid Jorgji, përfaqësuesja e Muse-x në Mbretërinë e Bashkuar, Emina Curic, përfaqësues të industrisë muzikore, artistët këngëtarë dhe të ftuar të tjerë të linjës.

Muse-X ka bërë bashkë mbi 100 kompani prestigjoze dhe profesionistë të ndryshëm të industrisë së muzikës dhe arteve nga e gjithë Evropa, Mbretëria e Bashkuar, si dhe nga Rajoni, të cilët kanë ardhur në Tiranë dhe për tre ditë me radhë Sheshi “Italia” do të mbushet me argëtim, konferenca dhe tedtalks.

Muse-X synon krijimin e një platforme ambicioze ku ekonomia kreative është protagoniste kryesore. Ndërkohë që netët përgjatë 11-13 prill, do të zgjasin deri në mesnatë, ku skena gjigande e muzikës do të ndizet nga tre koncerte të muzikës elektronike, hip – hop dhe rock&roll, për të gjithë publikun.

Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi e konsideroi këtë aktivitet si një hapësirë ku bashkohet, arti, muzika, teknologjia dhe rinia për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.

“Në këtë botë që ndryshon gjithnjë e me ritme më të shpejta, ku krijimtaria është kthyer në një kapital dhe talenti në një aset zhvillimi është jetike që të rinjtë tanë të kenë hapësira reale për të shprehur veten dhe për të ndërtuar rrugët e tyre drejt suksesit. Muse-x është pikërisht kjo hapësirë, një mundësi konkrete që të rinjtë shqiptarë dhe nga e gjithë bota që merren me fushën e muzikës, të mund të takohen me profesionistë të fushës për të shkëmbyer ide e për të ndërtuar partneritete. Si qeveri ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë frymë mbështetëse një realitet të përditshëm”, tha Muzhaqi.

Zv.ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa theksoi se, “kjo ngjarje i jep një vëmendje të veçantë komunitetit artistik shqiptar dhe ky event premton një tri ditësh të mbushur plot aktivitete, me panele, me beteja repi, dhe spikera nga e gjithë bota”.

“Ky është një organizim unik jo vetëm për Tiranën por ndoshta edhe për Ballkanin, duke tërhequr një interes të gjerë nga kompani dhe organizatorë të ndryshëm. Kjo nismë na pëlqen se, lidhet edhe me vizionin që ministria ka pasur, për programet për grantet për kulturë dhe krijimtari”, tha ajo.

Në vitin kur Tirana është shpallur si kryeqyteti i mesdhetar i kulturës dhe dialogut, nuk mungonte në këtë event edhe përfaqësuesi i Bashkisë së Tiranës, Jonid Jorgji i cili tha se, “jo shumë vite më parë nuk mendohej që ky event do të bëhej në Tiranë. Sot në Tiranë vijnë artistë të huaj dhe më vjen mirë që Tirana është sot një epiqendër e artit dhe kulturës”.

“Muse-X nuk është thjesht një panair por një ekspofestival i bazuar në tri shtylla, Ekspozita, konferenca dhe festival”, u shpreh ideatori dhe themeluesi i Muse-X, Luel Muhametaj.

“Ne duam të vendosim unitetin në Ballkan, pasi duhet t’a pranojmë jemi vende të vogla, me tregje dhe popullsi të vogla. Prandaj duam të bëhemi një “portë e artë” për kompanitë internacionale që duan të hyjnë në vendin tonë”, tha ai.

Muhametaj theksoi gjithashtu se për tri ditë radhazi sheshi “Italia” do të kthehet në vendin e dritave, ngjyrave si dhe ritmeve të eleltronikës, hip-hopit dhe muzikës rrok.

Në të njëjtin linjë ishte dhe Emina Curic, përfaqësuese e Muse-x në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo tha se, “ ne e ndërtuam Muse-x si platforme për të formalizuar, bashkuar, dhe për të aktivizuar industrinë e muzikës në Ballkan”.

Këtë event të rëndësishëm të përmasave botërore e përshëndeti dhe Alban Kastrati, drejtori i marrëdhënieve me mediat i “Sunny Hill Festival”, që njihet nga mediat botërore si krijim i Dukagjin Lipës, babait të Dua Lipës. Ai tha se, rajoni jonë mund të bëjë ngjarje të mëdha, të sjellë një frymë të re dhe pse jo në skenat tona të performojnë artistë ndërkombëtar.”

Eventi vijoi me një sërë aktivitetesh nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, Ansambli “Hyjnesha” i Graz-it në Austri dhe një tjetër detaj interesant që nuk mund të kalonte pa u vënë re ishte fakti që Drejtori artistik i Unum Festival dhe themeluesi i Secret Society, i dhuroi Albania Dj Academy 200 disqe Vinyl./oranews/ KultPlus.com

Kodrinat misterioze 2000-vjeçare të Amerikës

Të ndërtuara nga një qytetërim misterioz që nuk la pas asnjë të dhënë të shkruar, këto struktura gjigante janë tani të hapura për publikun për herë të parë pas më shumë se një shekulli. Gjethet e vjeshtës kërcisnin nën këmbët tona ndërsa unë dhe dhjetëra turistë të tjerë entuziastë ndiqnim një guidë përgjatë një kodrine me bar. U ndalëm kur arritëm te hyrja e një rrethi të mbuluar me bar, i cili formohej nga një tjetër mur prej dheu të grumbulluar. Ishim te Tetëkëndëshi, pjesë e Strukturave Ceremoniale Tokësore Hopewell, një rrjet i madh kodrinash të ndërtuara me dorë që shtrihen në pjesën qendrore dhe jugore të Ohajos dhe që u ndërtuan rreth 2000 vjet më parë. Popullsitë indigjene vinin në Tetëkëndësh nga qindra kilometra larg, duke u mbledhur rregullisht për rituale të përbashkëta dhe adhurim.

“Atje ka pasur një banjë me avull ose një vend pastrimi shpirtëror,” tha guida jonë, Brad Lepper, arkeolog i lartë i Programit të Trashëgimisë Botërore në “Ohio History Connection”, ndërsa tregonte nga rrethi. Shikova brenda dhe pashë një fushë të rregulluar në mënyrë perfekte, një fushë golfi. Një flamur i gjatë shënjonte një vrimë në qendër të tij.

ImageKjo sepse nga viti 1910 deri në vitin 2024, Tetëkëndëshi ishte përdorur si fushë golfi. Por me 1 janar 2025, ky vend i lashtë dhe enigmatik u rihap për vizitorët për herë të parë pas më shumë se njëqind vitesh.

Të gjitha këto struktura ceremoniale prehistorike në Ohajo u krijuan nga ajo që sot quhet Kultura Hopewell, një rrjet shoqërish indigjene amerikane që mblidheshin nga vende të largëta si Montana dhe Gjiri i Meksikës, ndërmjet rreth vitit 100 p.e.s. dhe 500 e.s., dhe që ishin të lidhura përmes një sistemi rrugësh tregtare. Strukturat tokësore në Ohajo përfshijnë forma, si rrethe, katrorë dhe tetëkëndësha, që shpesh ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Arkeologët sapo kanë filluar të kuptojnë sofistikimin e këtyre mrekullive inxhinierike.

ImageTë ndërtuara me një saktësi të jashtëzakonshme matematikore, si dhe me një përputhje të ndërlikuar astronomike, këto janë strukturat më të mëdha gjeometrike tokësore në botë që nuk janë ndërtuar për mbrojtje ose fortifikim. Dhe megjithëse shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar për këto vende apo ndërtuesit e tyre, kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Në vitin 2023, tetë nga strukturat tokësore të Hopewell-it u shpallën si pasuri e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO. Këto përfshijnë Rrethin e Madh dhe Tetëkëndëshin në Njuark të Ohajos, si edhe parkun e parë shtetëror të Ohajos, Fort Ancient (që në fakt nuk është një fortesë). Pesë të tjerat janë pjesë e Parkut Historik Kombëtar të Kulturës Hopewell: Qyteti i Kodrinave, Strukturat Tokësore Hopeton, Strukturat High Bank, Grupi i Kodrinave Hopewell dhe Strukturat Tokësore Seip.

ImageLepper më tha se Tetëkëndëshi dhe Rrethi i Madh dikur ishin pjesë e një kompleksi më të madh Hopewell që shtrihej në një sipërfaqe prej 11.6 kilometrash katrorë dhe që ishte i lidhur përmes një rrjeti rrugësh të rrethuara me mure dheu. Duke ecur nëpër këto vende sot, përjeton një tronditje të menjëhershme nga madhësia. Rrethi i Madh, ku ndodhet muzeu për Strukturat Ceremoniale Tokësore Hopewell, ka një diametër prej 366 metrash. Muret e tij arrijnë lartësinë deri në 4.3 metra dhe janë të rrethuar nga një hendek i thellë. Rrethi i Madh dikur ishte i lidhur me një katror dhe një elips varrimi, nga të cilat vetëm një pjesë e katrorit është ende e dukshme sot. Tetëkëndëshi shtrihet në një sipërfaqe të madhe prej 20 hektarësh dhe është i bashkangjitur me Rrethin Vëzhgues prej 8 hektarësh, një strukturë e madhe tokësore për mbledhje dhe rituale të lidhura me vëzhgimin e qiellit të natës.

“Brenda vetëm Tetëkëndëshit mund të fusësh katër Kolose të Romës,” më tha Lepper. “Stonehenge-i do të futej brenda atij rrethit të vogël që tani shërben si fushë golfi.” Ai shtoi se para 2000 vitesh, punëtorët indigjenë i ndërtuan këto struktura pa mjete moderne, duke gërmuar dheun me shkopinj të mprehtë dhe duke e transportuar në shporta thurjeje në kurriz. Sipas një përllogaritjeje, ata lëvizën rreth 200,000 metra kub dhe.

ImageArritja e Kulturës Hopewell nuk qëndron vetëm te krijimi i formave të mëdha dhe të sakta, të cilat i realizuan pa pasur ndonjë lartësi për të parë pamjen nga sipër. Ata gjithashtu e përfshinë një lloj gjeometrie të fshehur brenda këtyre strukturave. Derisa kodrat u matën dhe krahasuan, mendohej se ndërtuesit nuk kishin njohuri të avancuara matematikore apo gjeometrike, pasi nuk ekzistojnë të dhëna të shkruara për nivelin e tyre të dijes. Por më pas u zbulua se ata kishin bërë matje të sakta nëpër të gjitha strukturat tokësore dhe i kishin lidhur ato në mënyra të papritura.

Lepper shpjegoi se perimetri i Rrethit të Madh “është i barabartë me perimetrin e katrorit të përsosur me të cilin ishte i lidhur”, dhe se “sipërfaqja e atij katrori të përsosur është e barabartë me sipërfaqen e Rrethit Vëzhgues që lidhet me Tetëkëndëshin”.

ImageAi shtoi: “Nëse vizaton një katror brenda Tetëkëndëshit duke tërhequr një vijë nga cepat diagonale të Tetëkëndëshit, anët e atij katrori [321 metra] janë të barabarta me diametrin e rrethit me të cilin është i lidhur [321 metra].”

Shembuj të këtij raporti mes strukturave janë zbuluar vazhdimisht nga arkeologët. Sipas Lepper-it, kjo masë prej 321 metrash, qoftë e përgjysmuar apo e dyfishuar, gjendet edhe në struktura të tjera indigjene në mbarë vendin dhe ka shërbyer si njësi e zakonshme matëse.

Ndërkohë që njohuritë gjeometrike dhe matematikore të Kulturës Hopewell i mahnitën studiuesit, një tjetër nivel i sofistikimit zbulohet kur shtresat analizohen më thellë: rreshtimi astronomik.

Në vitet 1980, dy profesorë të Earlham College në Indiana, Ray Hively (fizikan dhe astronom) dhe Robert Horn (filozof), vendosën të vizitonin Tetëkëndëshin dhe Rrethin Vëzhgues të lidhur me të. Meqenëse monumente astronomike si Stonehenge kishin marrë vëmendje të madhe, ata u pyetën nëse edhe këto vepra ishin të lidhura me një kalendar diellor.

Hively dhe Horn nuk gjetën lidhje me diellin, por më pas shqyrtuan një qëllim tjetër: ciklin hënor.

“Ne menduam se lidhjet e qëllimshme me Hënën ishin të pamundshme në Newark,” shkruan ata, sepse ndryshe nga dielli që mund të ndiqet përmes një viti, një cikël i plotë i hënës zgjat 18.6 vjet. Megjithatë, rezultoi se ky cikël përputhej me pozicionin e Kodrinës së Vëzhgimit në Rrethin Vëzhgues. Prej andej, mund të shohësh Hënën të lindë pikërisht në qendër të Tetëkëndëshit në distancë, çdo 18.6 vjet.

“Përputhjet astronomike janë të rëndësishme vetëm nëse lidhen me sistemet e besimit dhe kuptimet për jetën,” tha Timothy Darvill, profesor arkeologjie në Universitetin Bournemouth, i cili ka studiuar si Stonehenge, ashtu edhe Veprat Ceremoniale të Hopewell-it. “Ceremonitë për vëzhgimin e qiellit mund të kenë pasur edhe një funksion dytësor për forcimin e komunitetit.”

Kjo kulturë e lashtë ishte një nga arsyet pse u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Një vend arkeologjik i UNESCO-s duhet të tregojë që ka “vlerë universale të jashtëzakonshme”, tha Jennifer Aultman, drejtore e vendeve historike dhe muzeve në Ohio History Connection, që udhëhoqi procesin e përfshirjes në UNESCO. Një nga kriteret, tha ajo, “është që këto janë kryevepra të gjeniut krijues njerëzor”, ku hyjnë veçoritë matematikore, gjeometrike dhe astronomike. Tjetra, “është që ato përbëjnë një dëshmi të jashtëzakonshme të traditës kulturore që i prodhoi”.

Aultman shpjegoi: “Ti mund të kuptosh diçka për jetën e këtyre njerëzve dhe çfarë ishte e rëndësishme për ta duke parë dhe mësuar për këto vepra.”

Merrni për shembull hënën, e cila ishte qartazi e rëndësishme për Kulturën Hopewell. Darvill tha se, për disa kultura, “Dielli, hëna… konsiderohen se kanë fuqi mbi gjithçka që ndodh çdo ditë. Për këtë arsye, trupat qiellorë shpesh hyjnizohen, si mënyrë për të justifikuar fuqinë e tyre.” Prandaj, është e mundur që Hëna të ishte një hyjni e përbashkët për ata që mblidheshin në këto kodra.

“Tokat që sot njihen si Ohajo janë vendi i disa veprave të jashtëzakonshme të ndërtuara nga banorët indigjenë mijëra vjet më parë,” tha Megan Wood, drejtoreshë ekzekutive e Ohio History Connection. Edhe pse jo të gjitha këto vepra janë ndërtuar nga Hopewell, si p.sh. Serpent Mound në Peebles, Ohajo, që është e lidhur me diellin, Wood i sheh të gjitha si “ikona” të “arritjeve kulturore indigjene”.

Meqë kultura Hopewell nuk la shkrime, vetëm veprat tokësore dhe pak objekte të zbuluara prej tyre shërbejnë si dëshmi e fundit e kulturës së tyre. Ndërsa gërmimet vazhdojnë në disa site, janë gjetur objekte si llulla rituale dhe një statujë e vogël guri që paraqet një shaman me lëkurë ariu në trup dhe një kafkë njerëzore në dorë, e quajtur “Shamani i Njuarkut”. Meqenëse këto vepra ishin vende mbledhjeje dhe jo fshatra, janë zbuluar edhe artefakte që përfaqësojnë vendet nga ku vinin njerëzit, si tuba me figura kafshësh, një pllakë bakri për kokën dhe një thikë prej xhami vullkanik.

Megjithatë, pasi kultura Hopewell filloi të zhdukej rreth vitit 500 të erës sonë, fise të tjera indigjene u bënë kujdestarë të tokës. Një prej tyre ishte fisi Shawnee, që e quante Ohajon shtëpi përpara se të dëbohej me forcë përtej lumit Misisipi në vitet 1830.

“Ndoshta nuk kemi qenë ne që i ndërtuam, por e di që të parët e mi jetuan atje, i ruajtën dhe i respektuan ato,” tha prijësja Glenna Wallace e fisit Eastern Shawnee të Oklahomës, e cila beson se fiset e tjera indigjene duhet të kenë një rol në mbrojtjen e Veprave Tokësore të Hopewell-it dhe në përcjelljen e rëndësisë së tyre kulturore.

Për vite me radhë, Tetëkëndëshi ishte nën kontrollin e klubit të golfit Moundbuilders Country Club. Pas më shumë se një dekade negociatash, në vitin 2024, OHC dhe klubi arritën më në fund një marrëveshje për transferimin e qirasë afatgjatë të sitit tek shoqata historike, duke hapur rrugën që këto vepra të hapen për vizitorët që nga janari.

Për mbështetësit e ruajtjes së sitit, përfshirja në UNESCO dhe hapja për publikun e këtyre kodrinave të mistershme shënon një kapitull të ri për të edukuar vizitorët mbi historinë e amerikanëve indigjenë në Ohajo. Kjo do të thotë gjithashtu më shumë përfshirje të vetë indigjenëve, si Shawnee-t, për ta treguar këtë histori nga perspektiva e tyre për brezat e ardhshëm.

“Unë thjesht dua që njerëzit ta dinë për të,” tha prijëse Wallace. “Dua që njerëzit të mund ta shohin. Dua që njerëzit të mund ta vizitojnë dhe ta kuptojnë se kjo është një dukuri kulturore. Që është e paçmueshme.”

Tregim nga Ambrose Bierce: Tre dhe një bëjnë një

Ambrose Gwinnett Bierce (1842-1914), tregimtar, poet, gazetar dhe veteran i Luftës Civile Amerikane. Mjaft i njohur për librin ‘The Devil’s Dictionary’, Bierce është po ashtu autor i një prej përmbledhjeve më të njohura dhe me më ndikim në letërsinë amerikane, ‘Tales of Soldiers and Civilians’, ndërsa tregimi ‘An Occurrence at Owl Creek Bridge’ është njëri prej tregimeve më të antoligjizuara

TRE DHE NJË BËJNË NJË

Nga Ambrose Bierce

Në vitin 1861 Bar Lassiter, një djalë njëzet e dy vjeç, jetonte me prindërit dhe me motrën e madhe afër Carthage, Tennessee. Familja gjendej në ca rrethana të mjera dhe e mbante veten me kultivimin e një plantacioni të vogël dhe jo aq pjellor.

Duke qenë se nuk posedonin skllevër, nuk rangoheshin në mesin e “njerëzve më të fisëm” të lagjes së tyre; por ishin njerëz të ndershëm me edukim të mirë, me një sjellje fort të mirë dhe të respektuar, siç duhet të jetë çdo familje nëse nuk është e çnderuar nga mbizotërimi personal mbi bijtë dhe bijat e Hamit. Lassiteri i moçëm kishte atë rreptësinë e sjelljes që aq shpesh e konfirmon devotshmërinë e pakompromis ndaj detyrës dhe e fsheh atë disponimin shpirtëror dashuror dhe të ngrohtë. Ai ishte prej hekurit me të cilin janë të gatuar martirët, por në zemrën e zanafillës ishte strukur një metal më fisnik, që shkrihet në një nxehtësi më të butë, po prapë pa e ngjyrosur as zbutur anën e fortë të jashtme. Shkaku i trashëgimisë dhe mjedisit diçka nga karakteri jofleksibil i njeriut i kishte prekur anëtarët e tjerë të familjes; shtëpia Lassiter, megjithëse jo aq e devotshme ndaj dashurisë shtëpiake, ishte një fortesë e vërtetë e detyrës – ah, detyra është mizore si vdekja!

Kur plasi lufta futi në familje, ashtu si edhe në shumë familje të tjera në këtë shtet, një ndjesi përçarëse; i riu ishte luajal ndaj Unionit, të tjerët egërsisht armiqësor. Kjo ndasi e palume u bë një hidhërim i padurueshëm shtëpiak dhe kur biri dhe vëllai i ofenduar u largua nga shtëpia me qëllimin e pranuar haptazi që t’i bashkohej armatës Federale askush s’ia zgjati dorën, asnjë fjalë lamtumire s’ia tha askush, asnjë urim nuk e përcolli atë nëpër botën e turpshme ku po shkonte të ballafaqohej me aq shpirt me çfarëdo fati që do t’i dilte përpara.

Në rrugën e tij për në Nashville, tashmë të pushtuar nga ushtria e gjeneralit Buell, u regjistrua në organizatën e parë që hasi, një regjiment i kalorësisë së Kentakit, dhe në kohën e duhur kaloi nëpër të gjitha stadet e evoluimit ushtarak nga rekrutimi i parë te përvojat kalorësiake. Ai ishte po ashtu kalorës i mirë, megjithëse në atë gojëdhënën nga i cila është përpunuar ky tregim nuk përmendej kjo gjë; fakti është marrë vesh nga shokët e tij të mbijetuar. Se Barr Lassiter i ishte përgjigjur “Këtu” një rreshteri emri i të cilit ishte Vdekja.

Dy vjet pasi që i ishte bashkuar regjimenti i tij kaloi përmes regjionit prej nga vinte. Vendi rreth e çark e kishte pësuar keq nga shkatërrimet e luftës duke qenë se ishte pushtuar në mënyrë të alternuar (dhe simultante) nga forcat ndërluftuese dhe një përleshje e përgjakshme ishte zhvilluar krejt në afërsi të fermës së Lassiterit. Por kalorësi i ri nuk ishte i vetëdijshëm për këtë.

Duke e gjetur veten afër shtëpisë së tij, ndjeu një mall të natyrshëm të shihte prindërit dhe motrën, duke shpresuar se te ta, si tek ai, armiqësia e panatyrshme e asaj periudhe ishte zbutur nga koha dhe ndarja. Pasi mori leje për t’u larguar, u nis këmbë një pasdite vere dhe shumë shpejt pas daljes së hënës së plotë ishte duke ecur përpjetë shtegut me zhavorr që çonte te shtëpia ku ishte lindur.

Ushtarët moshohen në luftë shumë shpejt dhe në rini dy vjet janë një kohë e gjatë. Barr Lassiter ndiente vetën si një burrë në moshë dhe përherë kishte pritur të gjente vendin në rrënoja dhe të shkretuar. Asgjë, në dukje, nuk kishte ndryshuar. Sa i pa sendet familjare dhe të shtrenjta menjëherë u prek thellësisht. Zemra e tij rrahu zhurmshëm, emocionet e tij sa nuk ia zunë frymën; ndiente një dhimbje në fyt. Pavetëdijshëm e përshpejtoi hapin sa gati se po vraponte dhe hija e tij e gjatë bënte përpjekje qesharake të mbante vendin e vet mbrapa tij.

Shtëpia ishte e pandriçuar, dera e hapur. Pasi u avit u ndal të merrte kontrollin mbi vetveten, ia behu babai i tij dhe qëndroi ashtu kokëzbuluar nën dritën e hënës.

“Baba!”, e thirri djali, duke kërcyer përpara me dorën e zgjatur – “Baba!”. Burri i moshuar ia nguli sytë drejt në surrat, qëndroi një moment pa lëvizur dhe pa e thënë një fjalë u tërhoq brenda në shtëpi. Fort i zhgënjyer, poshtëruar, i lënduar sa s’thuhet më dhe plotësisht i nervozuar, ushtari u lëshua mbi një karrige të thjeshtë në trishtim të thellë, duke e mbështetur kokën në duart që po i dridheshin. Po s’duhej ta lëshonte veten; ishte ushtar tepër i mirë që ta pranonte refuzimin si dështim. U ngrit dhe hyri në shtëpi dhe shkoi drejt në “dhomën e ndejës”.

Ndriçohej lehtë nga një dritare lindore pa perde. Në një stol të ulët te oxhaku, artikulli i vetëm mobiliar aty, ishte ulur nëna e tij, me shikimin në vatrën e mbushur me prush dhe hira të ftohtë. Ai i foli asaj – butësisht, në mënyrë pyetëse, dhe me ngurrim, por ajo as nuk iu përgjigj, as nuk lëvizi, as në asnjë mënyrë s’u duk e befasuar. E vërtetë, burri kishte pasur kohë ta njoftonte të shoqen për kthimin e birit fajtor. Ai iu avit më afër dhe po bëhej gati t’ia hidhte dorën mbi supe kur motra e tij hyri nga dhoma ngjitur, e shikoi drejt e në fytyrë, kaloi bri tij pa dhënë asnjë shenjë se po e njihte dhe u largua nga dhoma përmes një dere që ishte pjesërisht mbrapa tij. E kishte kthyer kokën ta shikonte atë, por pasi që u largua ajo sytë e tij prapë kërkuan nënën e tij. Edhe ajo ishte larguar soje.

Barr Lassiter e kapërceu derën nëpër të cilën kishte hyrë. Drita e hënës në oborrin me bar ishte e mahnitshme, thua se lëndina ishte një det dallgëzues. Pemët dhe hijet e tyre të zeza luhateshin si të frynte ndonjë puhizë. I rrethuar në anët e tij, shtegu i ecjes dukej i paqëndrueshëm dhe i pasigurt për të ecur në të. Ky ushtar i ri i njihte iluzionet optike të shkaktuara nga lotët. I ndjeu në faqe dhe i pa të stërpiknin në gjoksin e xhaketës së tij kalorësiake. E la shtëpinë dhe u kthye në kamp.

Të nesërmen, pa ndonjë qëllim të caktuar, pa ndonjë ndjesi mbizotëruese të cilës do të mund t’i gjente një emër të saktë, përsëri e kërkoi vendin. Brenda një gjysmë miljeje afër tij e takoi Bushrod Albron, një ish shok klase dhe loje, i cili e përshëndeti ngrohtësisht.

“Po shkoj të vizitoj shtëpinë time”, tha ushtari.

Tjetri e shikoi bukur i vrenjtur, por s’i tha gjë.

“E di”, vazhdoi Lassiteri, “se të mitë s’kanë ndryshuar, por…”.

“Ka pasur ca ndryshime”, e ndërpreu Albroja… “gjithçka ndryshon. Do të vij me ty po s’e pate dert. Mund të flasim teksa ecim”.

Por Albroja nuk foli.

Në vend të shtëpisë gjetën vetëm themelet e nxira nga zjarri të gurëve, që përfshinin një zonë hirash të ngjeshura të futura në dhe nga shirat.

Habia e Lassiterit qe e pashoqe.

“Nuk po gjej mënyrën e duhur si të ta them”, tha Albroja. “Gjatë përleshjes një vit më parë shtëpia juaj u dogj nga një bombardim federal”.

“Po familja ime – ku janë ata?”.

“Në parajsë, po shpresoj. Të gjithë janë vrarë nga bombardimi”.

/Marrë nga Ambrose Bierce, ‘Tales of Soldiers and Civilians and Other Stories’, Penguin 2000 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Ekspozitë me piktura e frymëzuar nga fotografitë

Dritëhijet e portreteve të fotografuara nga Dinastia “Marubi” frymëzuan piktorin shkodran, Shpëtim Garuci për ekspozitën më të re vetjake. Imazhet e njohura historike të rreth një shekulli më parë duket se “ringjallen” në epokën aktuale falë ngjyrave të ndezura dhe mjeshtërisë së realizimit të tyre.

Garuci i jep shpirtin krijues 44 portreteve duke i bërë ato origjinale dhe jo thjesht riprodhim.

“Unë desha që ta sjell, ta risjell atë vlerën të Marubit në një formë tjetër, nëpërmjet meje, nëpërmjet pikturës sime. Ku në çdo pikturë që unë kam bërë, kam ndërtuar një mekanizëm që ti jap shikuesit një diçka të veçantë”, shprehet autori i ekspozitës, Shpëtim Garuçi.     

Kuratori Oltsen Gripshi shprehet se ekspozita dallon për estetikën e saj.

“Një imazh i cili përvijon do të thoja traditën e pikturës shkodrane. Të një fryme krejt të veçantë. Kemi një pikturë e cila huazohet nga fotografia e Marubit dhe këtu jemi oaz midis ky kohëve të së kaluarës së Marubëve, dinastisë së Marubëve por jo vetëm”, thotë kuratori Oltsen Gripshi.

Punën e bërë nga autori e vlerëson edhe mjeshtri i pikturës, Skënder Strica.

“Një nga vlerat që ka ekspozita është gjetja e tij. Pra këtu ka rreth të një mrekullie që trashëgon qyteti ynë të cilën asnjë qytet tjetër nuk e ka”, përmbylli piktori Skënder Strica.

Kjo është ekspozita e tretë për piktorin Shpëtim Garuci dhe vjen pas 7 vitesh nga ajo e fundit./klan/ KultPlus.com

Japonia hap World Expo 2025

Japonia hapi sot ekspozitën botërore të këtij viti Expo 2025 në Osaka, në prani të perandorit japonez Naruhito dhe gruas së tij, perandoreshës Masako.

Dyert do të hapen nesër për publikun.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion, morën pjesë edhe princi dhe princesha e kurorës si dhe kryeministri, Shigeru Ishiba.

Vendi i Expo, i vendosur në ishullin artificial të Yumeshima, është i rrethuar nga Unaza e Madhe, një ndërtim prej druri dy kilometra i gjatë dhe deri në 20 metra i lartë, për të cilin organizatorët thonë se është më i madhi në botë.

Struktura imponuese synon të simbolizojë konceptin gjithëpërfshirës të Expo – diversitetit dhe unitetit.

Gjatë një periudhe gjashtëmujore, deri më 13 tetor, më shumë se 160 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare do të prezantojnë idetë e tyre në pavionet e tyre me temën qendrore “Dizajnimi i shoqërisë së të ardhmes për jetët tona”.

Organizatorët presin 28 milionë vizitorë, megjithëse sondazhet tregojnë se interesi në mesin e popullatës japoneze deri më tani ka qenë shumë më i ulët se sa pritej.

Osaka priti për herë të fundit Ekspozitën në vitin 1970, kur erdhën më shumë se 64 milionë vizitorë./ atsh/ KultPlus.com

Shkencëtarët sjellin në jetë ujkun e epokës së Pleistocenit, 12,500 vjet pas zhdukjes së tij

 Për herë të parë, shkencëtarët njoftuan se kanë sjellë sërish në jetë ujkun e madh të epokës së Pleistocenit – disa mijëra vjet pas zhdukjes së tij, sipas “CBS News”.

“Colossal Biosciences”, një kompani bioteknike me qendër në Dallas, tha se ka mundësuar lindjen me sukses të tre ujqërve – një specie që dikur endej në Amerikën e Veriut, por e zhdukur për më shumë se 12,500 vjet – duke përdorur shkencën revolucionare.

CEO i “Colossal”, Ben Lamm tha se ekipi i tij kishte përdorur ADN-në nga një dhëmb 13,000-vjeçar dhe një kafkë 72,000-vjeçare – për të analizuar gjenomin e plotë të specieve dhe për të krijuar tre këlyshë të shëndetshëm të ujkut.

“Colossal” tha se shumë fosile të ujqërve u ruajtën në gropat e katranit të La Brea, në zonën e Los Anxhelosit, por ADN-ja e specieve nuk u ruajt në katran.

Por, duke përdorur dy mostra të ujkut – nga një studim ndërkombëtar mbi speciet e zhdukura – “Colossal” ishte në gjendje të zbulonte ADN-në e tij.

Shkencëtarët e kompanisë arritën të analizonin gjenomin e specieve – ose të gjithë grupin e ADN-së së tij.

Më pas ata përdorën CRISPR, një teknologji e modifikimit të gjeneve, për të modifikuar gjenetikisht qelizat e një ujku të gjallë ngjyrë gri.

Zakonisht, klonimi mbështetet në mostrat e indeve, por “Colossal” ishte në gjendje t’i përdorte këto qeliza të modifikuara për të krijuar embrione, më pas i transferoi ato te një surrogat – një qen shtëpiak – për t’u rritur.

“Colossal Biosciences” solli në jetë dy ujqër meshkuj, të quajtur Romulus dhe Remus, dhe një femër, të quajtur Khaleesi si personazhi i “Game of Thrones”.

Kritikët thonë se ngjashmëria fizike dhe gjenetike me një specie të zhdukur nuk mund të ringjallet plotësisht.

“Çfarëdo funksioni ekologjik që kryente ujku përpara se të zhdukej, nuk mund t’i kryejë më ato funksione në mjedisin e sotëm”, tha Vincent Lynch, një biolog në Universitetin e Bufalo, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. /atsh/ KultPlus.com

Rig Veda: Aditi dhe lindja e perëndive

Rigveda është njëra prej katër nënndarjeve kanonike të Vedave. Mund të përkthehet si “Himnet e Vedave”, ose “Himnet e Njohjes” dhe iu referohet vargjeve të recituara gjatë ceremonive, për dallim nga sāman, vargjet e kënduara.

ADITI DHE LINDJA E PERËNDIVE

Rig Veda

Le të flasim tash me habi për lindjet e perëndive – ashtu që të mund t’i shohim kur jemi duke i kënduar himnet në këtë epokë të vonë1.

Zoti i fjalimit të shenjtë, si farkëtar, i lidhi ato2 tok. Në epokat më të hershme të perëndive, ekzistenca ishte lindur nga jo-ekzistenca.

Në epokën e parë të perëndive, ekzistenca ishte lindur nga jo-ekzistenca. Pas kësaj lagjet e qiellit ishin lindur prej asaj që kruspullosej me krahët e hapur.

Toka ishte lindur prej asaj që kruspullosej me krahët e hapur dhe nga toka të katër anët e qiellit ishin lindur. Nga Aditi, Daksa ishte lindur dhe nga Daksa ishte lindur Aditi.

Se Aditi ishte lindur si bija jote o Daksa dhe pas saj ishin lindur perënditë e bekuara, të afërmit e pavdekësisë.

Kur ju perëndi zutë vendet aty në ujë me duart tuaja të bashkuara, një re e dendur mjegulle u ngrit prej jush si pluhuri3 nga vallëzuesit.

Kur ju perëndi si magjistarë4 i bëtë botët të grafullojnë5, e nxorët jashtë diellin që ishte fshehur në oqean.

Tetë bij janë të Aditit, të cilët ishin lindur nga trupi i saj. Me shtatë sish ajo shkoi në mesin e perëndive, por e la Martandën6, diellin, anash.

Me shtatë bij Aditi u fut në epokën më të hershme. Por ajo lindi Martandën ashtu që ai në radhën e tij të lindte pinjollët e tij dhe të vdiste.

Koment:

Ky himn i krijimit sjell një mori përgjigjesh të ndryshme dhe paradoksale rreth enigmës së origjinave. Është e qartë nga toni i vargjeve të para se poeti e konsideron krijimin si një subjekt misterioz dhe një seri e dëshpëruar hipotezash eklektike (me gjasë të cituara nga burime të ndryshme) nxjerrin kokën menjëherë: imazhi i ‘zejtarit’ (prifti, Brahmanaspati, ose Brhaspati, zoti i fjalimit të frymëzuar); paradoksi filozofik i jo-ekzistencës, ose paradoksi i krijimit të ndërsjellë (Aditi dhe Daksa, parimi femëror i krjimit ose pafundësia dhe parimi mashkullor i efikasitetit burrëror, duke e krijuar njëri-tjetrin), ose kundërthënia (toka e lindur nga hyjnia e kruspullosur, e pastaj të thuhet se është lindur nga të katër anët e qiellit).

Në këtë pikë, spekulimet i hapin rrugë më shumë një miti të krijimi më antropomorfik që përqendrohet te imazhi i hyjneshës që kruspulloset me krahët e hapur (Uttanapad); ky term, shpesh i marrë si emër i përveçëm, përvijon një pozicion të asociuar njëkohësisht me jogën dhe me gruan që po lind, ashtu siç nëna hyjneshë është përshkruar shpesh në skulpturat e hershme: fjalë për fjalë, me këmbët e zgjatura përpara, më posaçërisht me gjunjët e mbledhur dhe këmbët e hapura krejtësisht. Meqë është e identifikuar me Aditin, himni shkon rrëmbyeshëm drejt mitit të Aditit dhe Daksës (ku paradoksit të anasjelltë të krijimit i jepet një mbiton incestuoz) dhe krijimit të zotave dhe njerëzve.

Krijimi i universit nga uji (v.6-7) dhe shpëtimi i diellit nga oqeani (v.7) janë imazhe të mirënjohura vedike që e kthejnë mitin mbrapa te niveli kozmik, prej nga pastaj kthehet tek antropomorfizmi dhe miti i Aditit, ku dielli rishfaqet si Martanda, lindja e së cilës nga Aditi është temë e vargjeve të fundit.

Shënime:

1) Ideja e ‘shikimit’ të lindjeve të perëndive mund t’i referohet në të vërtetë jo të qenit të pranishëm në atë kohë të hershme, po më parë dhuntisë së poetëve për të ‘parë’ ndodhitë mitike sipas kuptimit të vizionit të tij frymëzues.

2) ‘Ato’ mund t’i referohet dy botëve, qiellit dhe tokës, më parë se sa perëndive; zoti i fjalimit të shenjtë shikohet këtu si përgjegjës i krijimit manual më parë se sa spiritual.

3) ‘Mjegull’ dhe ‘pluhur’ iu referohen grimcave atomike të ujit, një mjegull që luan një rol të rëndësishëm në krijim në sajë të ambivalencës së tij, gjysmë ujë dhe gjysmë ajër, duke ndërmjetësuar mes materies dhe shpirtit.

4) Ata janë Yatisi, që mund të jetë një klasë urtakësh ose asketësh; sidoqoftë, më shumë ata janë magjistarë, në mesin e marifeteve tradicionale të të cilëve, në Indinë e lashtë, ishte zotësia t’i bënin bimët të rriteshin papritur. Ata mund të ndërlidhen me vallëzuesit, një aspekt tjetër i shamanizmit kreativ.

5) Folja (pinv) nënkupton grafullimin si qumështi nga gjiri.

6) Emri Martanda fillimisht nënkuptonte ‘lindur nga veza’, do të thotë zog dhe është epitet për zogun-diell ose zjarrin-zog të mitologjisë indo-evropiane. Folja që përshkruan çka i ka bërë e ëma mund të lërë të kuptohet se e ka flakur tutje, ose s’është kujdesur për të; një etimologji më e vonë e Martandës është ‘vdekur në vezë’, do të thotë dështim.

/Marrë nga The Rig Veda – An Anthology, One hundred and eight hymns (selected, translated and annotated by Wendy Doniger)’, Penguin, 1981 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Vetëm duke menduar për ty

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com

Jan. 1, 2011 – JIM MORRISON.© J.B.(Credit Image: © Globe Photos/ZUMAPRESS.com)

Pas tri vitesh OBSH bie dakord se si të mbrojë botën nga pandemitë

Delegatët e vendeve anëtare të OBSH-së arritën sot një marrëveshje në parim mbi një tekst që duhet të mbrojë më mirë botën nga pandemitë e ardhshme, pas më shumë se tri vitesh diskutime.

“Ne kemi një marrëveshje në parim dhe po lëmë mënjanë marrëveshjen përfundimtare të kryeqyteteve”, shpjegoi Anne-Claire Amprou, bashkëkryetare e trupit negociator dhe ambasadore e Francës për shëndetin global, duke specifikuar se delegatët do të takohen të martën, më 15 prill në Gjenevë për të rafinuar tekstin dhe për të dhënë miratimin përfundimtar.

Teksti do të duhet ende të miratohet në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë, e cila mbahet në maj në Gjenevë, nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pas një seance negociuese maratonë që zgjati pothuajse 24 orë, delegatët shpërthyen në duartrokitje dhe kaluan minuta të tëra duke uruar njëri-tjetrin.

“Ky është një sinjal shumë i mirë. Ju jeni pjesë e një historie të pabesueshme në përgatitje”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili qëndroi në dhomë me delegatët gjatë gjithë natës.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes të premten ishte paragrafi 11 i tekstit prej 30 faqesh, i cili përcakton transferimin e teknologjive për prodhimin e produkteve shëndetësore që lidhen me pandemitë, veçanërisht për të mirën e vendeve në zhvillim.

Vendet e Amerikës Latine po bëjnë presion që ky transferim të lehtësohet.

Çështja kishte qenë në qendër të ankesave midis vendeve më të varfra gjatë pandemisë Covid-19, kur panë vendet e pasura që grumbullonin doza vaksinash dhe teste të tjera.

Disa vende, ku industria farmaceutike është një lojtar kryesor ekonomik, janë kundër idesë së transfertave të detyrueshme dhe këmbëngulin në natyrën e saj vullnetare.

Sipas një delegati, kjo pikë është zgjidhur, por versioni i fundit i tekstit nuk ishte ende i disponueshëm./ KultPlus.com

Japonia hap World Expo 2025

Japonia hapi sot ekspozitën botërore të këtij viti Expo 2025 në Osaka, në prani të perandorit japonez Naruhito dhe gruas së tij, perandoreshës Masako.

Dyert do të hapen nesër për publikun.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion, morën pjesë edhe princi dhe princesha e kurorës si dhe kryeministri, Shigeru Ishiba.

Vendi i Expo, i vendosur në ishullin artificial të Yumeshima, është i rrethuar nga Unaza e Madhe, një ndërtim prej druri dy kilometra i gjatë dhe deri në 20 metra i lartë, për të cilin organizatorët thonë se është më i madhi në botë.

Struktura imponuese synon të simbolizojë konceptin gjithëpërfshirës të Expo – diversitetit dhe unitetit.

Gjatë një periudhe gjashtëmujore, deri më 13 tetor, më shumë se 160 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare do të prezantojnë idetë e tyre në pavionet e tyre me temën qendrore “Dizajnimi i shoqërisë së të ardhmes për jetët tona”.

Organizatorët presin 28 milionë vizitorë, megjithëse sondazhet tregojnë se interesi në mesin e popullatës japoneze deri më tani ka qenë shumë më i ulët se sa pritej.

Osaka priti për herë të fundit Ekspozitën në vitin 1970, kur erdhën më shumë se 64 milionë vizitorë./ KultPlus.com

Botërori 2026, UEFA zyrtarizon stadiumin për ndeshjen Shqipëri-Serbi

UEFA ka zyrtarizuar stadiumin “Arena Kombëtare” për duelin e shumëpritur Shqipëri-Serbi, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, që do të zhvillohet në tre shtete: SHBA, Meksikë, Kanada.

Në publikimin në faqen zyrtare të saj, stadiumi pritës është shënuar “Arena Kombëtare” në Tiranë.

Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor në orën 20:45, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K për kualifikueset e Botërorit 2026.

Pas dy ndeshjeve të para kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në grup me 3 pikë, ndërsa grupi kryesohet nga Anglia me 6 pikë./ KultPlus.com

Gonxhja: Shqipëria me nivelin më të ulët historik të papunësisë, 8,8%

Tregu i punës vijon të jetë një pikë e fortë e ekonomisë shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau statistikat zyrtare për këtë tregues, teksa theksoi se “Shqipëria shënon një tjetër arritje historike”.

“Papunësia për grupmoshën 15 vjeç e lart ka zbritur në 8.8%, niveli më i ulët ndonjëherë i regjistruar”, tha Gonxhja.

Sipas tij, kjo shifër është rezultat i reformave të qëndrueshme për punësim, mbështetjes për të rinjtë, grave dhe grupet në nevojë, si dhe nxitjes së arsimit dhe formimit profesional.

Gonxhja shprehu angazhimin e qeverisë për vijimin me më shumë mundësi dhe një treg pune gjithëpërfshirës./ KultPlus.com

‘Nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën, ajo është gjithçka që vdekatarët kanë’

Poezi nga Ilire Zajmi

Dhurata

Për fundvit mos më bli unazë diamanti, parfum me erë jasemini.
Biletë për një udhëtim ëndrrash
Dua të më dhurosh Kohën
Pak kohë të marr frymë. Një grimcë kohe të buzëqesh
Të mbyll sytë e të udhëtoj në një tjetër botë

Më nevojitet pak kohë.
Të arratisem të qaj ngeshëm të shoh qiellin e përflakur.
Mjegullnajën sipër qytetit pa shpirt
Se di si u katandis koha ime
Në rrugët e pista gotat e zbrazura kafeneve të mykura
Në pako cigaresh muhabete të panjohurish

Nëse do të më bësh një Dhuratë
Më fal pakëz kohë. Një orë një minutë pak sekonda vetëm një çast
Të bëhem njësh me gazin e një fëmije
të puth me buzët e etura të një të dashuruare.
Jam mbretëreshë e shfronësuar bjerrakohëse
Mos më sill as lule as libra.
Në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë
E nëse s’e gjen askund për ta blerë
Grabitja atyre që shesin gjakun me këste, trupin me fajde
Vidhjau atyre që iu tepron së shijuari bota nga mërzia
Atyre që vrasin miza e pështyjnë veten në pasqyrë.

Nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën
Ajo është gjithçka që vdekatarët kanë. / KultPlus.com

Kampionati i Rafting në brigjet piktoreske të lumit Vjosa, garë dhe promovim i turizmit në Përmet

Përmeti mikpriti për herë të 8-të Kampionatin Kombëtar të Rafting 2025 në lumin e fundit të egër të Europës – Vjosa duke e kthyer për dy ditë me radhë, në datat 11 dhe 12 prill, në shtëpinë e sportistëve amatorë e profesionistë të cilët lundruan dhe konkurruan për çmimin e madh.

Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Përmet, ky eveniment kombëtar u zhvillua nga Federata Shqiptare e Rafting dhe merrnin pjesë 8 ekipe nga lumenjtë , Vjosa, Osumi, Drini të Zi, Bënçë, Bistricë, Shkumbini dhe Drinos.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se “ky kampionat në Përmet dhe trajnimet e guidave të reja, janë një prej atyre ngjarjeve me nivel të lartë profesionalizmi dhe shumë domethënëse për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëvjetor”.

Kampionati Kombëtar për Rafting 2025 shënoi një nivel të ri konkurrence dhe bashkëpunimi në ujërat e Vjosës Edicioni i 8-të i Kampionatit Kombëtar Shqiptar të Rafting, i zhvilluar në Përmet, shënoi një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve ujore në Shqipëri.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara, u shpreh se profesionalizmi, gara dhe miqësia mes skuadrave e ngritën nivelin e këtij edicioni.

Krahasuar me vitet e mëparshme, ky edicion ishte dukshëm më konkurrues dhe me një pjesëmarrje më të gjerë ekipesh nga të gjitha trevat, falë edhe organizimit paralel me javën stërvitore për guidat e reja të rafting.

Vjosa – lumi i fundit i egër i Europës – ofroi një skenë perfekte për garat, veçanërisht në muajin prill, kur niveli i ujit është optimal për rafting.

Spektakli nisi me një start masiv dhe dinamik, ku ekipet u hodhën në ujë me gomone dhe garuan krah për krah në një kurs teknikisht sfidues, që kulmoi me një përballje emocionuese në segmentin poshtë urës së qytetit të Përmetit.

Kjo ngjarje përmbylli me sukses katër ditët intensive të stërvitjes dhe garës. Ambicia e radhës për Federatën Shqiptare të Rafting është ngritja e një kampi të përhershëm për rafting në qytetin e Përmetit, i pajisur me porta sllallomi, për të rritur kapacitetin organizativ dhe konkurrues të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Lumi Vjosa, me rrjedhën e tij të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ofron potencialin ideal për këtë vizion.

Fitues i parë i Kampionatit u shpall Vjosa me kapiten Aldo Sakollari, lumi Bënça në vend të dytë me kapiten Pajtim Vraniçin dhe Vjosa 2 në vend të tretë me kapiten Jonas Ibrahimin./ KultPlus.com

‘Nuk di si je dhe më mungon ta di’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot.

Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com