Ndërsa liderët botërorë u mblodhën në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’i dhënë lamtumirën Papa Françeskut të shtunën, zgjedhja e veshjes së Donald Trump ra në sy.
Liderët e tjerë botërorë ishin të veshur me të zeza, ndërsa presidenti amerikan ka thyer kodin e rreptë të veshjes së Vatikanit për funeralet e papës me kostumin e tij blu dhe një kravatë blu të hapur.
Në të vërtetë, protokollet e funeralit për Vatikanin u bëjnë thirrje burrave të veshin një kostum të errët me një kravatë të zezë, transmeton Klankosova.tv
Kurse, strategu politik Joey Mannarino e mbrojti Trump duke thënë: “Trump në funeralin e Papës është thjesht një klas i plotë. Absolutisht imazhi që Amerika duhet të projektojë në botë”, duke shtuar në një postim pasues:
“Ai dukej i hollë, në formë dhe rreth njëzet vjet më i ri se mosha e tij reale”.
Avokati amerikan i mbrojtjes penale dhe ish-prokurori shtetëror, Ron Filipkowski, komentoi në X: “Një djalë shfaqet me kostum blu në funeralin e Papës. Nuk do ta merrni me mend kurrë se kush” – një goditje e qartë ndaj Trump.
Sa i përket Melania Trump, zonja e parë i përmbahej shumë protokollit tradicional të funeralit me fustanin e zi dhe mantilën e zezë, transmeton Klankosova.tv
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, Trump gjithashtu thuhet se u largua menjëherë pas ceremonisë, duke anashkaluar varrimin që pasoi.
Tetë shërbime të reja janë lansuar në platformën “e-Kosova”.
Në njoftim është thënë se në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC), në platformën “eKosova” janë lansuar tetë shërbime të reja në kuadër të kategorisë “Gjendja Civile”:
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sonte nga ora 20:00, jepet shfaqja “Provinca” me regjisor Ard Islami.
“Provinca” nuk është thjesht një komedi, është një pasqyrë e guximshme e jetës politike dhe sociale, e mbushur me personazhe e situata që, megjithëse shpesh absurde, janë të njohura për secilin prej nesh.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Butrint Z. Lumi, Fisnik Ademi, Agan Asllani, Fatmir Haliti, Blerina Veseli, Venera Bojaj.
E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.
E kam thënë edhe shumë më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, dhe portrete me politikanët e subjekteve politike.
Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”. Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës.
Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.
Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.
Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.
Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.
Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.
Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.
Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.
Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.
Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.
Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.
Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.
Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.
Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni dhe karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë.
Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi. Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT./ KultPlus.com
Fanitet tok me eklipsin Sa herë përballet me Diellin Thurrimë hijesh të heshtura Që e shprish Penelopë e re Jam unë në pritje të gjatë Të Odiseut tim të ëndrrave Maskat sot duhet të bien O njeri ti kalorës hijesh Mos u vërtit kot e kuturu Itineraret zgjasin ditët Pushojmë netëve me hënë Ti duhet të vish me ngut Zbulo shtegun mes hijeve Do më gjesh të përlotur Sepse besuar i kam fjalës Që shkrin terrin shkrin hijet Sepse ti një ditë do të vish./KultPlus.com
Tinguj të ndjerë u rrëfyen në Hollin Koncertor të TKOBAP-së, duke prekur të gjithë artdashësit e pranishëm në sallë.
Pianisti i jashtëzakonshëm Nicola Pio Nasca solli një rrëfim muzikor që shkoi përtej notave, përtej shikimit, drejt thellësive të shpirtit njerëzor. Koncerti i titulluar “Rrëfimi i tingujve” solli një artist me ndjeshmëri të lartë që sheh përmes shpirtit.
Nicola Pio Nasca solli një udhëtim muzikor përmes veprave të Bach, Liszt, Chopin dhe Albeniz.
“Nuk është më çudi që sallat e TKOBAP-së mbushen plot e përplot në çdo shfaqje apo koncert”, shkruhet në faqen online të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
Pianisti Nicola Pio Nasca është vetëm 22 vjeç, nga Bari i Italisë. Ai është pianisti i parë italian me mungesë shikimi që në lindje, i cili ka përfunduar studimet në piano, duke dëshmuar një shembull frymëzues të forcës dhe dashurisë për artin./atsh/KultPlus.com
Universum International College, në partneritet me Federatën Esports Kosova (FESK), do të organizojë turneun prestigjioz EAFC25, i cili do të zhvillohet në kampusin në Prishtinë. Eventi do të nisë të enjten, më 30 prill, nga ora 12:00 PM.
Ky turne synon të sjellë bashkë lojtarët më të mirë të futbollit virtual, duke promovuar frymën konkurruese dhe zhvillimin e mëtejshëm të komunitetit të esports në Kosovë. EAFC25 përfaqëson një platformë të rëndësishme për të rinjtë që aspirojnë të afirmohen në skenën ndërkombëtare të lojërave elektronike.
Ngjarja mbështetet nga sponsorë të njohur si Red Bull, Rugove, Burger King, HyperActive dhe Xportal Esports, të cilët do të kontribuojnë për të garantuar një organizim profesional dhe një eksperiencë të paharrueshme për pjesëmarrësit.
Universum International College, i njohur për bashkëpunimin me Arizona State University, vazhdon të jetë një promotor i fuqishëm i aktiviteteve akademike dhe jashtë-akademike, duke nxitur inovacionin dhe lidershipin në mesin e studentëve dhe të rinjve të Kosovës.
Për të gjithë të interesuarit në botën e esports dhe adhuruesit e lojës EAFC25, ky turne paraqet një mundësi të shkëlqyer për të shfaqur aftësitë e tyre dhe për të qenë pjesë e një ngjarjeje të veçantë.
Bashkimi Evropian në Kosovë, ka shpallur kandidatët për çmimin “Europiani i Vitit 2025”, për të nderuar ata që kanë kontribuar në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë. Ky çmim nderon individët dhe institucionet që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të proceseve integruese dhe përmirësimit të jetës në vend gjatë vitit të kaluar.
Për të votuar për kandidatin tuaj të preferuar, duhet të pëlqeni foton e kandidatit që dëshironi të mbështesni në faqen zyrtare të Facebook dhe Instagram të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Kandidatët për “Europianin e Vitit 2025” janë:
Feride Rushiti, nga Qendra e Rehabilitimit për Viktimat e Torturës në Kosovës
Isak Skenderi, nga Oda e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve
Srđan Sentić, Zëvendës-ombudsmani i Kosovës
Visare Berisha, nga Assist Kosovo
Ekipa e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës
Çmimi “Europiani i Vitit” nderon individët dhe institucionet që kanë kontribuar në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë, si dhe kanë ndihmuar në forcimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Afati për votim është deri më 4 maj 2025, në orën 23:59./KultPlus.com
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla. Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka, urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don. Pak dritë! O burrë! O hero’ ngado që të jesh. …. Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish! Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë. Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun! Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate. Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët… Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë… Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot… Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt. Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita – Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala ejote? Kur ti këndon thonë se asht afer drita… Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote. Hiqmuni qafe, mendimet Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin, më fal atë që due: gjumin dhe andm’min e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./ KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) i dhuroi botimet e saj Institutit të Albanologjisë në Prishtinë.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, prof. Diana Kastrati zhvilloi një takim me drejtorin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, prof. Naim Berisha, në ambientet e institutit, ku edhe dhuroi botimet e QSPA-së.
Në këtë takim u fol për projekte dhe bashkëpunime të mundshme në të ardhmen mes dy institucioneve.
Në bibliotekën e Institutit të Albanologjisë sapo është krijuar këndi i librave arbëreshë, ku botimet e qendrës janë të parët libra që e përurojnë dhe njëkohësisht pasurojnë këtë hapësirë mbi studimet arbëreshe.
Drejtoresha e QSPA gjendej në Prishtinë edhe për Panairin e Librit Akademik dhe Shkencor i cili u zhvillua si një bashkëpunim mes akademive të shkencave të dy vendeve, si edhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit./atsh/KultPlus.com
Së fundi kanë vazhduar xhirimet për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Unë dhe Milloshqeviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, shkruan KultPlus.
Ky film që ka sjell artistë të famshëm hollivudian dhe tashmë janë pjesë e këtij filmi, ne setin e fundit të xhirimeve ka pas në fokus aktorin e njohur Louis Mandylor, dhe ndërmarrësen e njohur Erjola Braha, e njohur ndryshe edhe si zonja e verave.
Xhirimet janë realizuar në Tiranë, dhe si duket po shkojnë drejt fundit.
“Mendoj se personazhi im është një reflektim dhe metaforë mbi jetën, politikën dhe njerëzimin. Dhe ndoshta pyetja që shtrohet është; ‘A është ai njeri i mirë apo i keq?’ Skenari i Arbenit është shumë i thellë, personazhet janë shumë të pasura. Në këtë film ndodhin shumë histori që ndërthuren mes tyre. Sot vendi juaj është një vend i mrekullueshëm. Ende nuk kam shkuar në plazh, por kam dëgjuar që plazhet në jug janë fantastike. Kjo zonja këtu është më e mira. Një kontribut i jashtëzakonshëm për filmin dhe kamera e adhuron, siç mund ta shihni. Ishte shumë kënaqësi të takoja Lolën dhe shumë të tjerë” ka thënë për mediet Mandylor.
Kurse vet Braha këtë paraqitje në film e ka vlerësuar tejet emocionuese.
“Besoj shumë se në rrugëtimin tonë të jetës kryqëzohemi shumë me ngjarje, njerëz, histori që na përkasin prej kohësh. Sot është dita. Jemi ku duhet të jemi. Të gjithë së bashku.
Eksperienca e mrekullueshme. Bashkëpunimi me regjisorin Arben Kastrati dhe me të gjithë kastin më bëri që të ndjehem komode. Personazhi im është Valeria. Bashkëshortja e kryeredaktorit amerikan, i cili raporton në kohë reale të gjithë ngjarjet që ndodhin në Kosovë. U përshtata tepër me Valerian pasi ishte një personazh që e gjeta veten menjëherë. Unë vij nga bota e biznesit. Dhe me vjen shumë mirë që me filmin. Me këtë iniciativë po promovojmë qytetet tona të mrekullueshme si në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Braha.
William Baldwin, Louis Mandylor, Erjola Braha, Gérard Depardieu, Maria Grazia Cucinota janë vetëm disa prej aktorëve që janë përfshirë në këtë film, që sipas skenaristit dhe regjisorit, pas përfundimit pret ta dërgojë nëpër festivale të mëdha botërore.
Filmi ka pas disa lokacione të xhirimeve, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe vende të jashtme./ KultPlus.com
Anna Oxa e lindur (me emrin Iliriana Hoxha) më 28 prill 1961 në Bari, është këngëtare italiane me origjinë shqiptare, e njohur me shfaqjet e saja në festivalin Sanremo, prej vitit 1987. Këngët e saj janë “Ti lascerò”, “Storie” dhe “Senza pietà”, kjo e fundit ka fituar në vitin 1999.
Ajo është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare jashtë kufijve, e cila kishte shënuar sukses edhe në skenën e madhe të Sanremos, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell interpretimin e këngës Imagine nga Anna Oxa, këngë që e ka interpretuar në një ndër televizionet prestigjioze italiane./ KultPlus.com
Kur të më zgjedhësh mua – zgjidh dashurinë – Unë dola zbuluar nga anonimiteti i madh ndaj kujtdo, nga asgjëja. Deri atëherë Une nuk kisha qenë kurrë më i gjatë sesa vargmalet e thepisura të botës. Nuk u zhyta kurrë më thellë sesa shënjimet maksimale të tabelave të marinës. Dhe gëzimi im, ishte i trishtuar, ashtu siç janë orët e vogla pa nje rrip që t’i shtrëngojë rreth rrethit të dorës, pa akrepa, në vend. Por kur ti the ti: ti, për mua, ishte shenja që unë qëndroja përmbi yjet, më thellë sesa koralet.
Botimet REA sjell para lexuesve librin “Diplomate e palëkundur-Micheline Calmy-Rey”, të autores Yvonne-Denise Kochli, përkthyer nga gjuha gjermane nga Naim Kryeziu. I shoqëruar me parathënie dhe pasthënie, libri është konceptuar në gjashtë kaptina: “Fjalimi”, “Intervista”, “Shënime biografike”, “Kronologjia”, “Legjislacioni” dhe “Bibliografia tjetër”. Në të trajtohen pikëpamjen për barazinë e mirëfilltë gjinore.
Në fokus janë temat e ndërlidhura, si: e drejta e gruas për t’u zgjedhur dhe për të votuar, të drejtat kushtetuese për burrin e për gruan, e drejta e grevës së grave, ligji për barazi gjinore në shpërblimin e punës, politika e pushtetit femëror, “diskriminimi pozitiv”, paragjykimet ndaj grave, cilat kërkesa të grave trajtohen me përparësi, ballafaqimi me historinë e tyre etj. Është pikërisht protagonistja, diplomatja e njohur zvicerane, Micheline Calmy-Rey, e cila mban qëndrim të vendosur dhe u jep zemër grave për t’i shkuar deri në fund rrugës që kanë nisur.
Ajo, ndër të tjera, thotë: “Ç’është e vërteta, në jetën tonë të përditshme ka vetëm çaste pushteti, fusha e hapësira ku mund të ushtrohet pushtet. Nuk ka në njërën anë pushtet dhe në anën tjetër vetëm nënshtrim dhe kundërvënie. Pushtet ka në të gjitha marrëdhëniet njerëzore, ai vepron në mënyrë të shumëllojshme dhe në të gjitha fushat. Në marrëdhëniet dashurore, në marrëdhëniet profesionale, ndër organizata të ndryshme, si edhe midis grave. Marrëdhëniet pushtetore, ashtu të ndryshueshme e të paqëndrueshme, janë të rrënjosura thellë në jetën shoqërore. Tekefundit, ato duhen kuptuar si formë lojërash të panumërta ndërmjet partnerësh, të cilët, me sjelljen e tyre, drejtojnë sjelljen e atij që kanë përballë, dhe kësisoj ndikojnë tek ai”.
Libri “Diplomate e palëkundur-Micheline Calmy-Rey”, i Yvonne-Denise Kochli është përkrahur për botim nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë.
Libri, po ashtu, është prezantuar ne Panairin e librit në Flori Gallery, Prishtina Mall, nga data 23 deri 27 prill 2025./KultPlus.com
Për të 17-in vit radhazi, nxënësit e gjimnazeve të qytetit të Korçës, sollën spektaklin më të madh rinor, ku talentet e të rinjve shpalosën në Rin Show, në një festival ku arti, pasioni dhe ëndrrat bashkohen në skenë.
Mbrëmjen e djeshme ishte nata finale e Rin Show 2025, pas 5 netësh emocionuese të një edicioni të jashtëzakonshëm që mbushi qytetin me dritë, art e pasion.
“Korça rrezaton jetë dhe rini! Fituesit e këtij edicioni janë nxënësit plot energji të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, të cilët me performancat e tyre treguan se e ardhmja është në duar të sigurta”, shkroi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
Aktivitetet e këtij spektakli rinor u zhvilluan në Teatrin “Andon Z. Çajupi”.
Spektakli përfshinte të gjitha disiplinat artistike me performancë plot argëtim, nga nxënësit e talentuar të gjimnazeve të Korçës: “Preka”, “Ymer Dishnica”, “Faik Konica”, “Platon”, “Raqi Qirinxhi” dhe Gjimnazi “Themistokli Gërmenji”.
Përveç fituesve të “Raqi Qirinxhi” edhe talentet e “Faik Konicës” u vlerësuan me tre çmime në natën finale të Rin Show 2025: Çmim për video mesazhin më të mirë, Aktorët më të mirë dhe këngëtarja më e mirë./atsh/KultPlus.com
Më 28 prill të vitit 1912, u themelua Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra.
Vatra militoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve rreth e qark botës. Në këtë Federatë do të bënin pjesë figurat më të ndritura të kombit. Një prej veprimtarëve më të zëshëm në radhët e saj ishte Fan Noli, cili shkroi edhe himnin e kësaj federate: “Vëllezër u dërmua, Errësirë e skllavërisë, Lindi me dirsë nderi. Një djell plot gëzim, VATRA kështjell’ e dashur, E mëmë Shqipërisë”.
Në takim historik, u themelua një bord i përkohshëm dhe pjesëtarët e tij ishin: sekretari: Fan Noli, arkëtari: Llambi Çikozi, menaxheri i “Diellit”: Kristo Kirka, drejtuesit e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi, si dhe supervizorë të “Diellit”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili.
Vatra u njoh zyrtarisht dhe prej shtetit të Masaçusetsit duke marrë certifikatën e njohjes në 13 qershor 1912./atsh/KultPlus.com
Kantautori i njohur Armend Rexhepagiqi ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjete sociale se tashmë të gjitha tetë albumet e tij janë të disponueshme në platformat më të njohura muzikore si Spotify, Apple Music, YouTube, Deezer dhe TikTok.
Rexhepagiqi, i njohur për vokalin e tij të veçantë dhe tekstet që prekin zemrat e dëgjuesve, ka shprehur mirënjohje të thellë për skuadrën e tij që ka punuar në arkivimin dhe përpunimin e materialeve muzikore. Ai gjithashtu ka njoftuar se shumë shpejt do të publikohet albumi i tij më i ri, me titull “Dashni e vjetër”, që pritet të sjellë këngë të reja dhe të forcojë lidhjen shpirtërore që ai ka ndërtuar me publikun ndër vite.
“Shumë shpejt atyre do t’ju bashkangjitet edhe albumi im i ri “Dashni e vjetër” me këngët më të reja që, shpresoj, do t’arrijnë ta forcojnë dashurinë e vjetër mes juve dhe meje”, ka shkruar ai.
Artisti është aktiv edhe në platformat sociale si Instagram dhe Facebook, ku ndan momente nga krijimtaria e tij artistike dhe jetesa muzikore./KultPlus.com
Anna Oxa e lindur me emrin Ana Hoxha, më 28 prill 1961 në Bari, është këngëtare italiane me origjinë shqiptare, e bërë e njohur me shfaqjet e saja në festivalin Sanremo, prej vitit 1987. Këngët e saj janë “Ti lascerò”, “Storie” dhe “Senza pietà”, kjo e fundit ka fituar në vitin 1999.
Me Fausto Leali-n në vitin 1989 mori pjesë në Eurovision, ku ata përfaqësuan Italinë me këngën “Avrei voluto” dhe morën vendin e nëntë.
Ajo ishte prezantuese e festivalit të San Remos së bashku me Pippo Baudo në vitin 1994. Ishte po ashtu ndër të tjera edhe moderatore e shfaqjes së njohur italiane “Fantastico” në vitet 1988 dhe 1989.
Ajo ka qenë një ikonë e muzikës italiane për shumë vite dhe ka shfaqur një talent të jashtëzakonshëm në fushën e këngës.
Gjatë karrierës së saj, Anna Oxa ka performuar në shumë koncerte dhe ka lëshuar shumë albume të suksesshëm, duke bërë bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur si Fausto Leali, Umberto Tozzi dhe Riccardo Cocciante. Ajo ka arritur të shfaqet edhe në teatër dhe në film, duke treguar një aftësi të rrallë për të shprehur emocione nëpërmjet artit.
Anna Oxa ka shfaqur gjithashtu një angazhim të lartë për të drejtat e njeriut dhe për mbrojtjen e mjedisit, duke u bërë një zë i fuqishëm në Itali për këto çështje.
Sot, ajo feston 64-vjetorin e lindjes, duke vazhduar të mbetet një nga këngëtaret më të dashura dhe më të respektuara në Itali, e cila ka ndikuar thellësisht në muzikën italiane dhe në kulturën e vendit. / KultPlus.com
Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949 ndërsa vdiq në Prishtinë, më 28 prill 2007, shkruan KultPlus.
Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe në shkollën e mesme në Mitrovicë ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.
Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues.
Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj. Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës.
Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe, duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern. Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore. Botoi poezi, tregime, reportazhe, recensione dhe ese për letërsinë.
Për veprën e tij si në poezi dhe në prozë kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit. /KultPlus.com
Më 30 prill, në Festivalin e Teatrit MITEM në Hungari-Budapest, do të shfaqet “Të verbrit” me regji të Qëndrim Rijanit.
Regjisori Rijani do të jetë në mesin e regjisorëve më të mëdhenj botërorë si: Rimas Tuminas, Silviu Purcărete, Theodoros Terzopoulos, Jan Fabre (i cili shkroi mesazhin për Ditën Botërore të Teatrit 2025), Avtandil Varimashvili, Attila Vidnyánszky, Guy Cassiers, etj.
“Të verbrit”, prodhim i Teatrit Nacional Turk, do të shfaqet krah shfaqjeve të teatrove prestigjioze si Comédie-Française (Francë), Tokyo Metropolitan Theater (Japoni), Teatri Kombëtar i Athinës (Greqi), Teatri Kombëtar i Bullgarisë, Xian Yisu Theatre (Kinë), Kompania Jan Fabre (Belgjikë), Gesher Theatre Company (Izrael), Teatri Kombëtar i Meksikës, Teatri Metropolitan i Stambollit (Turqi), etj.
Alexandra Fröhlich, 58 vjeç, romanet e së cilës kanë zënë vend të rëndësishëm në listat e librave më të shitur në Gjermani, të martën në mëngjes u gjet e vdekur në një shtëpi lundruese në Hamburg, pasi ishte sulmuar dhunshëm.
Çështja iu kalua shpejt skuadrës së vrasjeve mes provave se ajo ishte sulmuar. Autoritetet kanë refuzuar të japin më shumë detaje përveçse thanë se ishin mbledhur prova mjeko-ligjore dhe se ishte dorëzuar një raport i mjekut ligjor, shkruan The Guardian.
Sipas transmetuesit lokal NDR, duke cituar burime policore, Fröhlich u qëllua me armë. Hetuesit kanë lëshuar një apel për dëshmitarë të mundshëm që mund të kenë vërejtur aktivitet të dyshimtë në ose rreth shtëpisë lundruese të gjatë ngjyrë qershie në të cilën banonte Fröhlich, në bregun Holzhafen të lumit Elba në lagjen lindore Moorfleet.
Djali i saj zbuloi trupin e saj të martën në mëngjes, sipas policisë, e cila beson se ajo vdiq midis mesnatës dhe orës 5:30 të mëngjesit.
“Sipas informacionit aktual, të afërmit e gjetën gruan 58-vjeçare të pajetë në shtëpinë e saj lundruese dhe njoftuan zjarrfikësit, të cilët vetëm mundën të konfirmonin vdekjen e gruas,” tha një zëdhënës i policisë për mediat lokale.
“Pas vlerësimit të gjurmëve dhe provave, autoritetet hetuese tani besojnë se gruaja vdiq si pasojë e dhunës.”
Zëdhënësi tha se hetuesit po shqyrtonin të dyshuarit e mundshëm dhe nëse vrasësi mund të ketë qenë i njohur për Fröhlich. “Duke pasur parasysh hetimin në vazhdim, nuk mund të jepen informacione të mëtejshme në këtë kohë,” tha ai.
Media raportoi se zhytësit ishin në vendin e ngjarjes, mes spekulimeve se arma mund të ishte hedhur në lumin Elba.
Fröhlich filloi karrierën si gazetare, fillimisht në Ukrainë ku themeloi një revistë për gra në Kiev. Më vonë ajo punoi si gazetare e pavarur në Gjermani për revista për gra dhe të tjera si Stern, përpara se të fillonte të shkruante romane.
Në vitin 2012 ajo botoi romanin e saj të parë, Vjehrra ime ruse dhe katastrofa të tjera, të cilin ajo tha se e bazonte në përvojën e saj personale të martesës me një rus.
Libri hyri në listën e bestseller-ave të revistës Der Spiegel, një nga treguesit më të afërt të vëzhguar të shitjeve të letërsisë artistike dhe jo-trilluese në Gjermani, ku qëndroi për disa muaj. Më pas u përkthye në frëngjisht. Një kritik në atë kohë e përshkroi atë si “një satirë qesharake perëndim-lindje”.
Në vitin 2016 ajo botoi romanin kriminal Vdekja është e Sigurt, i cili pati po aq sukses, dhe në vitin 2019 ajo e pasoi këtë me Skelete në Dollap. Të dy u botuan nga Penguin. Romanet e saj karakterizoheshin nga një përzierje humori, rrëfenjash familjare dhe temash sociale./ KultPlus.com