Vatikani publikon detajet e konklavës për zgjedhjen e Papës së ri

Vatikani njoftoi sot detajet e orarit për fillimin e konklavës më 7 maj, zgjedhja e shumëpriture një Pape të ri pas vdekjes së Françeskut.

“Kardinalët do të mblidhen fillimisht në orën 10:00 për Meshën e njohur në latinisht si “Pro Eligendo Romano Pontefice” në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan”, thuhet në njoftim.

Në orën 16:15, kardinalët me të drejtë vote do të mblidhen në Kapelën Pauline në Pallatin Apostolik, nga ku do të shkojnë në Kapelën Sistine në orën 16:30.

Vatikani fillimisht nuk dha detaje të mëtejshme.

Megjithatë, tradicionalisht, kardinalët duhet, pas procesionit solemn, të betohen për të respektuar rregullat e konklavës dhe për të ruajtur fshehtësinë absolute në lidhje me zgjedhjen.

Kryetari i kremtimeve liturgjike papale më pas thërret “Extra omnes” (Të gjithë jashtë), duke i udhëzuar të gjithë ata që nuk janë zgjedhës të largohen nga kapela.

Procesi për votimin e parë në ditën e parë është tashmë i qartë. Ritmi pasues përbëhet nga dy votime në mëngjes dhe dy në pasdite.

Që një papë i ri të zgjidhet, kërkohet një shumicë prej dy të tretash e kardinalëve votues.

Nuk ka afat kohor për konklavin.

Dy kardinalë mungojnë për arsye shëndetësore

“Dy kardinalë do të mungojnë në konklavë për arsye shëndetësore”, u tha gazetarëve sot zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni.

Një total prej 135 kardinalësh kanë të drejtë të votojnë në konklavë. Pas anulimeve, tani janë vetëm 133 kardinalë që do të votojnë nga e mërkura e javës së ardhshme.

Bruni nuk përmendi asnjë emër, por kryepeshkopi emeritus i Valencias, Antonio Caizares, 79 vjeç, deklaroi një javë më parë se nuk do të ishte në gjendje të udhëtonte në Romë për arsye shëndetësore.

Kryepeshkopi emeritus i Sarajevës, Vinko Puljic, 79 vjeç, kishte kërkuar falje për të njëjtën arsye. Disa ditë pas anulimit të tij, Puljic i tha transmetuesit “Radio Medjugorje” se mjeku i tij e kishte lejuar të udhëtonte. / atsh/ KultPlus.com

Zemrën askujt mos ia fal krejt

Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu: Orjela Stafasani

Zemrën askujt mos ia fal krejt
se grave pasionante dashnia u duket e lehtë,
e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë
dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’
se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi;
çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi
andrruese, e kandshme, që kalon përherë.
Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë
se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr,
zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë.
Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja
që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba?
Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi
sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com

Martin Luther King Jr: Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi

“Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e përcaktuar, por kurrë të mos e humbim shpresën e pafund.”, transmeton KultPlus.

Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Falja nuk është një akt i rastit. Është një qëndrim i përhershëm.”

“Kam vendosur të qëndroj pas dashurisë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për ta mbajtur.”

Besim është të hedhësh hapin e parë edhe kur nuk e sheh të gjithë shkallën.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”

“Kurrë mos iu nënshtroni tundimit të hidhërimit”.

“Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi.”

“Ne të gjithë mund të kemi ardhur me anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën barkë.”

“Matja përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”

 “Ndryshimi nuk rrokulliset mbi rrotat e pashmangshmërisë, por vjen përmes luftës së vazhdueshme”.

“Dashuria është e vetmja forcë që mund ta shndërrojë një armik në mik.”

“Vjen një moment kur njeriu duhet të marrë një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik, as i famshem, por ai duhet ta marrë atë sepse ndërgjegjja i thotë se është e drejtë.”

 “Askush të mos ju ulë aq poshtë sa ta urreni atë.”

“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh të ecësh përpara.”

“Inteligjencë plus karakter—ky është qëllimi i edukimit të vërtetë”.

“Nga mali i dëshpërimit, një gur shprese”.

“Gjithmonë është koha e duhur për të bërë atë që është e drejtë.”

“Bëhu shkurre nëse nuk mund të jesh pemë. Nëse nuk mund të jesh autostradë, bëhu vetëm një shteg. Nëse nuk mund të jesh diell, bëhu yll. Sepse nuk është për nga madhësia që ju fitoni apo dështoni. Bëhu më i miri nga çdo gjë që je.”’

“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.”

“Mirëkuptimi i cekët nga njerëzit me vullnet të mirë është më zhgënjyes sesa keqkuptimi absolut nga njerëzit me vullnet të keq.”

“Një gënjeshtër nuk mund të jetojë.”

“Nuk mund të ketë zhgënjim të thellë aty ku nuk ka dashuri të thellë.”

“Ne duhet të zhvillojmë dhe ruajmë aftësinë për të falur. Ai që nuk ka fuqinë për të falur, është i privuar nga fuqia për të dashuruar. Ka disa të mira në më të keqen tone dhe disa të këqija në më të mirën tone. Kur e zbulojmë këtë, ne jemi më pak të prirur të urrejmë armiqtë tanë.”

“Mos shtrimi i dhunës është përkushtim absolut ndaj rrugës së dashurisë. Dashuria nuk është goditje emocionale; nuk është sentimentalizëm bosh. Është derdhja aktive e gjithë qenies së dikujt në qenien e tjetrit.”

“Ne nuk jemi krijues të historisë. Ne jemi bërë nga historia.”

“Rrallëherë gjejmë njerez që angazhohen me dëshirë në mendime të vështira dhe të qëndrueshme. Ekziston një kërkim pothuajse universal për përgjigje të lehta dhe zgjidhje gjysmë të pjekura. Asgjë nuk i mundon disa njerëz më shumë sesa të menduarit.”

“Duhet të ndërtojmë diga guximi për të frenuar vërshimin e frikës.”.

“Të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e hidhërimit dhe e urrejtjes”.

“Njeriu duhet të evoluojë për çdo konflikt njerëzor një metodë që refuzon hakmarrjen, agresionin dhe hakmarrjen. Themeli i një metode të tillë është dashuria.”./ KultPlus.com

Të udhëtosh

Poezi nga Gabriel García Márquez
Përktheu: Albert Bikaj

Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia,
të lësh pas shokët
të tentosh të fluturosh;
të fluturosh duke mësuar drejtime të tjera
duke kaluar nëpër shtigje
Do të thotë tentim për të ndryshuar.
Të udhëtosh do të thotë të vishesh si i çmendur
të thuash “nuk më intereson”,
do të thotë deshirë për tu rikthyer.
Rikthim duke vlerësuar imsirat
Teksa shijon një gotë,
do të thotë deshirë për të filluar.

Të udhëtosh do të thotë të ndihesh si poet,
Të shkruash një letër,
të dëshirosh një përqafim.
Të përqafojnë kur të mbërrish pran portës
Duke mallëngjyer qetësinë
do të thotë të lëjosh që të puthesh.

Të udhëtosh do të thotë të bëhesh tokësor
të njohësh njerëz të tjerë
t’ia fillosh nga e para.
Të shtrishë dorën,
të mësosh nga i forti,
[do të thotë] të ndihesh i vetmuar.

Të udhëtosh do të thotë të largohesh nga shtëpia,
të vishesh si i çmendur
Duke thënë çdogjë e asgjë në një kartolinë.
Do të thotë të flesh në një shtrat tjetër,
të ndjesh se koha është e shkurtër,
të udhëtosh do të thotë të kthehesh pas. /KultPlus.com

Handan Hoxha, tenistja e parë shqiptare

Handani kujton se ka qënë shumë e vogël për të fiksuar moshën se kur ka luajtur për herë të parë tenis. Me një raketë të sajuar vetë dhe me një top, ajo mban mend se luante papushim vetëm në oborrin e shtëpisë së vjetër, një vilë tipike borgjeze e viteve ‘30, në zonën pas televizionit shqiptar, në kryeqytet.

Handan Hoxha ka qenë vetëm 15 vjeçe kur i ati, një burrë i shkolluar, me 4 gjuhë të huaja, nëpunës në bankën tregtare, njeri shumë modern për kohën, e regjistron pa të keq në fushën e parë të tenisit që u hap në vitin 1942. Megjithëse kohë lufte kujton Handani, Sali Nallbani, një i ri tiranas i martuar me një italiane, kthehet nga Italia dhe ndërton vetë një fushë tenisi në zonën e Shallvareve. Të gjithë ata që shkonin për të luajtur tenis ishin një grup djemsh të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Midis tyre ishte edhe Handani, tenistja e parë shqiptare. Ajo pranon të ndajë me ne historinë e jetës së saj.

Rrëfimi
Handani e ka të vështirë të sjellë në mendje sesi ishte fiksuar pas tenisit dhe sesi kishte dëgjuar për herë të parë rreth këtij sporti. Por tregon se ajo ishte e magjepsur pas sporteve në tërësi, sepse luante edhe volejboll edhe sporte të tjera. Ndoshta, kujton ajo më vështirësi, ka dëgjuar rreth tenisit në radio, në stacionet italiane. “Unë luaja gjithë ditën në oborrin e shtëpisë dhe në rrugicën e lagjes. E dëgjonim shumë radion, e mbanim gjithë kohës te stacionet italiane dhe unë s’e di sesi më është fiksuar tenisi. Por mbaj mend që luaja gjatë gjithë ditës dhe i thoja babait, që kam shumë qejf të mësoj të luaj tenis.
Në vitin 1942, kthehet në Tiranë Sali Nallbani. Me iniciativën e tij dhe me forcat e veta ai hap një fushë tenisi. Mbaj mend që babai na erdhi një ditë nga puna dhe më thotë: Handan do të çoj të luash tenis. Unë gati sa s’fluturova nga gëzimi. Babai ishte njeri shumë modern dhe s’pyeti njeri po më dërgoi. Sali Nallbani u gëzua aq shumë që ekipit të tij iu shtua një vajzë, femër saqë nuk më mori asnjëherë para dhe unë luaja të paktën dy orë në ditë pa paguar asgjë!! “Të gjithë ata që merreshin me tenis në atë kohë ishin djem dhe burra, që kishin ardhur nga jashtë shtetit. Ishin të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Ishin, si të thuash, pjesë e elitës së shoqërisë shqiptare!”, – tregon Handan Hoxha, emri i së cilës në arabisht do të thotë njeri i qeshur dhe optimist. Dhe me të vërtetë, Handani e reflekton më së miri këtë natyrë në karakterin e saj; rrezaton e gjitha me at buzëqeshjen e saj, veçanërisht ky rrëfim që e ka kthyer shumë vite pas, e ka mbushur të terën plot nostalgji.

E motra e saj, Suzi, na tregon se emrat ua ka vendosur gjyshi i tyre, Asaf Hoxha, një jurist i diplomuar në Turqi, një prej themeluesve të shkollës së parë shqipe në qytetin e Gjirokastrës, qytet i origjinës së tre motrave Hoxha. Suzan Hoxha është edhe hartuesja e librit të parë të solfezhit në Shqipëri. Ajo tregon se e motra e saj, Handan theu një tabu në Tiranën e viteve ‘40. Ishte e para femër që mori mësime tenisi dhe arriti madje të dalë edhe kampione në kampionatin e parë të zhvilluar në ato vite. “Pas Handanit u regjistruan edhe vajza të tjera, si Safete Beshiri, Lule Bishqemi e Vjollca Greblleshi. Kjo bëri që ndeshjet e tenisit të ndiqeshin jo vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat, pasi kështu u thyen shumë akuj…”, – tregon motra më e vogël, Suzi. Nerimani, motra tjetër e familjes Hoxha e diplomuar për rusisht, plotëson duke treguar se kampion për meshkujt në tenis në at kohë doli Isuf Vrioni. Ajo tregon se pas vitit 1944, kohë në të cilën Shqipëria u çlirua dhe u vendos regjimi komunist, tenis luante edhe Ministri i Arsimit i kohës, Sejfulla Malëshova. “Mbaj mend që Sali Nallbani, kur luante me Malëshovën i hidhte topa të lehtë dhe e linte që ky të fitonte. Por kur Malëshova luante me motrën tonë, kjo e fundit e rrihte gjithmonë dhe tregon se sa pak dinte ai nga tenisi”, – tregon Nerimani.

Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish-diktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.

Ne mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin. Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.

Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” (nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej.

Tre motrat e pandara, një jetë në shoqëri të njëra-tjetrës. 30 vite e 6 muaj i përjetuan në internim. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje. Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar.

Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.

Burimi: “Koha Jonë” nga Eljona Ballhysa & “Panorama” viti 2013 / ALVA – V. D./ KultPlus.com

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, versioni në anglisht i pasuruar me fakte të reja historike

Studiuesi Evarist Beqiri solli në anglisht, librin e tij “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”.

Ky version, për lexuesin ndërkombëtar, vjen pas 4 ribotimeve të përditësuara në shqip. Ismail Qemal Vlora vjen në një dimension të ri në librin “The Founder-Ismail Qemal Vlora on Leadership”. Ky botim nuk është thjesht një përkthim, por një rishkrim i plotë, i pasuruar me fakte të reja historike. Përveç titujve të krerëve kryesorë, e gjithë përmbajtja e librit është rishkruar.

Vepra ka një dimension aktual. Ajo e lidh trashëgiminë e Ismail Qemalit me debatet e sotme për lidershipin dhe identitetin kombëtar.

Për lexuesit ndërkombëtarë, ky botim në anglisht është një dritare drejt historisë shqiptare, duke nxjerrë në pah rolin e Ismail Qemal Vlorës, si një figurë jo vetëm rajonale, por edhe me ndikim në skenën evropiane të fillim shekullit XX. Për shqiptarët, libri është një mundësi për t’u rikthyer tek rrënjët e tyre dhe për të nxjerrë mësime nga vizioni i tij për bashkim e përparim.

Autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider vizionar, i cili kishte aftësinë që ta parashikonte ndryshimin dhe ta përballonte me sukses atë.

“Qysh kur shërbeu si guvernator i provincave të Perandorisë Osmane, ai u përpoq gjithmonë të pajtonte interesat dhe sjelljet e grupeve të ndryshme etnike. Zotësia e tij si negociator dhe diplomat i zoti do të shfaqej në zbutjen e kundërshtive fetare që turbullonin Jerusalemin, si dhe në paqtimin e druzëve dhe etnive të tjera të keqtrajtuara në Siri dhe Liban, ku ai shërbeu si guvernator i përgjithshëm. Ismail Qemali i mbështeti hebrenjtë dhe armenët, atëherë kur Evropa iu kishte kthyer shpinën”, shkruan Evarist Beqiri.

Autori shkon përtej narrativave tradicionale historike dhe ofron një portret autentik dhe bashkëkohor të Ismail Qemal Vlorës si lider: një njeri me kurajë morale, qartësi strategjike, dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar konsensus, në kohë të turbullta për kombin shqiptar./atsh/KultPlus.com

Dy libra të Alesia Balliut në Prishtinë, takimi me autoren në KultPlus Caffe Gallery

Autorja Alesia Balliu do të vjen edhe në Prishtinë, pas promovimit të librave të saj në Tiranë, shkruan KultPlus.

Takimi me autoren do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery, takim që do të mbahet më 5 maj prej orës 17:00. Libri i parë që është botuar nga Alesia Balliu është “Tabula Rasa:Paqëndrueshmëria e Institucioneve Shqiptare”, libër që konfirmon përvojën jetësore të qytetarëve shqiptarë, por edhe intuitën e intelektualëve në tranzicionin e tejzgjatur të vendit tonë.

Kurse libri “White Leviathan”, botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shtëpinë botuese NOVA hulumton ndërthurjen komplekse të kokainës, politikës shqiptare dhe rrjetave ndërkombëtare të trafikut të drogave, ndikimin e rrezikshëm të Mafias së Kokainës në politikën shqiptare dhe hedh dritë mbi raste të rëndësishme të ndërveprimit mes figurave të njohura politike dhe rrjeteve të trafikut të drogave.

Takimi është i hapur dhe ju ftojmë që të jeni pjesë e këtij takimi ku do të keni rast edhe të bashkëbisedimit me autoren./ KultPlus.com

RAVE feston 15-vjetorin

Edhe pak ditë na ndajnë nga një prej netëve më të shumëpritura të vitit. Me datë 10 maj 2025, RAVE shënon 15 vjet krijimtari, muzikë dhe komunitet.

Në këtë natë do të performojnë disa nga emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare dhe rajonale të muzikës techno dhe house:

  • Sama’ Abdulhadi
  • Fadi Mohem
  • George Adi
  • Uran B.
  • Yazan

Eventi do të mbahet në AMC Hall, Prishtinë, duke filluar nga ora 21:00.

Gjithashtu vlen të ceket oferta speciale grupore 3+1 – për çdo blerje prej tre biletash, merrni një falas. Kjo ofertë është e vlefshme vetëm deri më 5 maj.

Biletat janë në shitje në: rave-travel.com./KultPlus.com

Martesa 40-orëshe e Adolf Hitlerit dhe Eva Braun

Një martesë që zgjati vetëm 40 orë, mbase do të ishte subjekti ideal për një novelë, si për shembull, ato të Cvajgut. Por, çudia ka ndodhur me diktatorin më të paprecedent. Hitleri dhe Eva Braun, ritkthehen në vëmendjen e historianëve, të cilët, zbulojnë fakte të reja mbi gruan e diktatorit dhe rolin e saj.

Kërkimet mbi detajet e marrëdhënies së Hitlerit me Eva Braunin, nisën sa kohë që ai ishte ende gjallë. Fyhreri, përgjithësisht binte vonë për të fjetur. Mëngjesin e vonë, pasi largohej nga dhoma e gjumit që nga dera lidhëse me vendbanimin e Braunit e teksa stafi ndërronte çarçafët, punonjësit kuriozë i shihnin me shumë vëmendje çarçafët e këllëfët e jastëkëve, në kërkim të shenjave të një nate më parë…

“Zhbironim gjithçka përreth krevatëve”, ka thënë disa dekada më vonë, në një intervistë televizive, Herbert Dëring, menaxher i Berghofit, shtëpia e Hitlerit në alpet bavareze. Por nuk gjenin asgjë, çfarë e bënte Derhingun të mendonte se marrëdhënia mes diktatorit dhe Braunit, vajzës 23 vjet më të re, duhet të ketë qenë platonike.

Në Rajhun e Tretë, Dehringu ishte njëri prej një grupi shumë të vogël njerëzish, të cilët kishin dijeni për marrëdhënien e ngushtë të Braunit me Hitlerin. Ndërsa publiku, vetëm pas lufte e mësoi faktin se diktatori kishte kaluar shumë muaj nën shoqërinë e një bjondeje tërheqëse nga Mynihu, me të cilën, u martua vetëm pak orë para se të kryenin vetëvrasje, më 30 prill 1945, në bunkerin e Fyhrerit, në Berlin.

Fshehtësia e çiftit bazohej në përllogaritje politike. “Shumë grave u dukem më tërheqës sepse jam i pamartuar”, besonte Hitleri. “Është e njëjta gjë, me një aktor kinemaje: kur martohet, ai e humbet vlerën në sytë e adhuruesve femra dhe këto, nuk e duan si më parë”.

Për shkak të natyrës relativisht të fshehtë të marrëdhënies së tyre, pas luftës publiku ishte edhe më i intriguar nga historia e bijës së një mësuesi nga Mynihu, që kish kaluar një dekadë e gjysmë krah tij – kryesisht në Berghof, në Alpet gjermane dhe pas here, edhe në Berlin. Por, përgjigjet e para nuk e kënaqën kuriozitetin. Historiani britanik, njëkohësisht oficer zbulimi, Hugh Trevor-Roper, i cili mori në pyetje shoqëruesit e Hitlerit menjëherë pas fundit të luftës, nxori konkluzionin se Eva Brauni ishte “jointeresante”. Çdo biograf i njohur i Hitlerit, më vonë do të nxirrte të njëjtin konkluzion.

A është e vërtetë?

Historiania nga Berlini, Heike Gërtemaker ka marrë tashmë përsipër, detyrën e korrigjimit të këtij imazhi për Eva Braunin, duke shkruar biografinë e parë të saj. Vepra është paraprirë nga disa të tjera, më të lehta.

Me një qasje strikte akademike, Gërtemaker arrin të përjashtojë shumë prej anektodave që kanë argëtuar lexuesit. Sipas njërës prej këtyre historive, supozohet që Brauni të jetë ankuar në bunkerin e Fyhrerit, për zënkat e vazhdueshme me Hitlerin, në lidhje me vaktet e ngrënies. Hitleri, një vegjetarian i paepur, thuhet se kërkonte që ajo të hante vetëm qull dhe lëng kërpudhash, që asaj ia shpifnin (“Nuk mund t’i ha këto gjëra”).

Sipas një tjetër historie, rrëfyer nga një prej sekretareve të diktatorit, Brauni godiste në fshehtësi me shkelma qenin gjerman të Hitlerit, Blondie, sipas tyre, sepse ishte xheloze për të. Thuhet se, ajo rrinte e vështronte e kënaqur teksa qeni ulërinte nga dhimbjet (“Adolfi është i habitur me sjelljen e çuditshme të kafshës. Kjo është hakmarrja ime”).

“Historia e atij divani”

Gërtemaker i kushton shumë pak vëmendje, historive të tilla për tabloidë. Historiania shkruan, se çifti ka pasur një jetë normale, të ngushtë, siç do të tregonin më vonë, miqtë dhe të afërmit e Braunit. Sipas rrëfimeve, kur Brauni kishte parë fotografinë ku kish dalë Kryeministri britanik, Neville Chamberlain i ulur në divan, në apartamentin e Hitlerit në Mynih, më 1993, kishte qeshur dhe kishte thënë: “Sikur ta dinte ai, historinë e atij divani”.

Historiania e merr seriozisht personazhin kryesor të librit të saj dhe në materialin që ka analizuar, ka prova të besueshme se për Hitlerin, Brauni ishte më shumë sesa një “e re tërheqëse”, tek e cila, diktatori “kishte gjetur, pavarësisht, apo ndoshta për shkak të dukjes së saj të pashije, llojin e çlodhjes e qetësisë që kërkonte”, siç do të thoshte më vonë, fotografi personal i Hitlerit, Heinrich Hoffmann.

Në testamentin që Hitleri e shkroi në vitin 1938, emri i Braunit shfaqej menjëherë pas atij të Partisë Naziste. Sipas kushteve të testamentit, partia do të duhej t’i paguante asaj një goxha pension të përjetshëm, që do të përftohej prej aseteve të tij. Ministri i Propagandës dhe i besuari i Hitlerit, Joseph Goebbels vërente disa herë, se, sa shumë e vlerësonte Fyhreri, të dashurën e tij (“Një vajzë e mençur, e cila ka shumë rëndësi për Fyhrerin”).

Ajo u angazhua në planet për shndërrimin e qytetit austriak të Linzit në kryeqytetin kulturor të Fyhrerit, ku Hitleri, i cili kishte lindur në Austri, kishte në plan të tërhiqej pas fitores përfundimtare të nazistëve. Dhe po t’i kish ecur siç kishte menduar, Brauni do t’i kishte mbijetuar edhe rënies së Rajhut gjerman. Ai i kërkoi vazhdimisht që të largohej nga Berlini, në ditët e fundit të luftës, për të shkuar në Bavari. Por, Brauni refuzoi. Deri në fund, Hitleri fliste për të “me shumë respekt e nderim”, ka thënë Albert Speer, princi i kurorës i Hitlerit, në deklaratat e tij të para për aleatët, në vitin 1945.

Pa miq?

Ideja që Brauni kish rëndësi për diktatorin nuk është aq banale sa mund të duket në pamje të parë. Perceptimi për të si një vegël e parëndësishme kontribuoi shumë për imazhin e Hitlerit, si një qenie e pastër politike. Ky është një këndvështrim që është përcjellë nga biografë me libra bestseller mbi Hitlerin, si Joachim C. Fest, Sebastian Haffner dhe Ian Kershaw.

Sipas versioneve të tyre, Hitleri bëri një jetë pa miq, pa dashuri dhe pasion – një jetë që ishte e lehtë ta hidhje poshtë dhe kështu, shoqërohej gjithmonë nga një gatishmëri konstante për të kryer vetëvrasje. Të paktën për Haffnerin, vetëvrasja e Hitlerit në vitin 1945, në bunkerin e tij në Berlin “duhej pritur”. Në një kuptim më të gjerë, politikat “gjithçka ose asgjë” që ndoqi Hitleri, deri në humbjen totale, mund të interpetohen gjithashtu edhe si pasojë e boshllëkut emocional të diktatorit.

Gërtemaker shmang kritikën e drejtpërdrejtë ndaj këtij interpretimi, por është e qartë se rrëfimi i saj e ngre si çështje, edhe një herë, psikikën e Hitlerit. Sigurisht, libri i saj tregon edhe sesa e vështirë do të jetë të gjenden përgjigje, për shkak të urdhrit që Hitleri nxori në vitin 1945, për të shkatërruar të gjitha të dhënat private. Me shumë gjasa, urdhri u shtri edhe në korrespondencën e tij me Braunin, i vërtetuar se ka ekzistuar dikur.

Për këtë arsye, historiania mundet të shfrytëzojë vetëm disa letra që Brauni, ua niste shoqeve të saj dhe të afërmve, si dhe disa fragmente të një ditari të vitit 1935, ndonëse autenticiteti i tij është vënë në diskutim. Ajo përdor gjithashtu deklaratat nga shërbëtorë të Hitlerit, truproja, si dhe disa zyrarë të lartë nazistë në dekadat e para pas luftës, megjithëse këtë informacion e trajton me doza skepticizmi dhe me të drejtë. Një linjë konstante gjatë të gjithë librit, është pranimi prej Gërtemakerit, se ka shumë pyetje, të cilave ajo nuk u jep dot përgjigje.

Edhe fillimi i lidhjes është relativisht i turbullt. Hitleri u takua me Braunin në vitin 1929, kur ajo ishte 17 vjeç në “NSDAP PHOTOHAUS HOFFMANN”, një dyqan fotografish në Amalienstrass, në Mynih. Vajza e re, që në fotografi duket çapkëne dhe e hedhur, kish vazhduar më parë një shkollë vajzash për ekonomi dhe menaxhim zyre, ndërsa tani punonte në dyqanin e fotografive. Shefi i saj, Heinrich Hoffmann, që më vonë u përzgjodh si fotografi zyrtar i Hitlerit, ishte një nga anëtarët e hershëm të partisë naziste në Gjermani. Një antisemit, që pinte shumë alkool, Hoffmanni fitoi shumë para me fotografi propagande dhe libra me foto, duke përfshirë edhe një libër me titull: “Hitleri që askush nuk e njeh”.

Sa politike?

Për Hitlerin, në atë kohë një politikan opozitar 40-vjeçar, kishte shumë shanse për të bërë vizita në dyqanin e Hoffmannit. Zyra kombëtare e Partisë naziste ishte pas qoshes, po kështu edhe zyrat e gazetës së partisë, “Völkischer Beobachter” ashtu sikurse dhe restoranti i preferuar i Hitlerit, “Osteria Bavaria”.

Ashtu sikurse ka konfirmuar edhe më vonë, vajza e Hoffmannit, lideri i partisë e joshi adoleshenten me një sharm fals prej vjenezi. “A mund t’ju ftoj në opera, miss Eva? E dini, unë jam gjithmonë i rrethuar nga burra dhe kështu që mund ta çmoj shumë fatin e mirë, kur e gjej veten në shoqërinë e një gruaje”.

Kur ishte me gra, manierat e vrasësit masiv rafinoheshin, dhe ai asnjëherë nuk tregonte as prirjen më të vogël për t’u dhënë pas femrave. Eva Brauni, një vajzë naive, e cila fantazonte për botën e filmave dhe që pëlqente shumë revistat e modës, u përthith prej fuqive të forta sugjestionuese, që edhe vëzhguesit më neutralë ia kanë atribuar Hitlerit. Menjëherë pasi takoi Braunin, lideri nazist urdhëroi menjëherë që të shihej, se mos familja Braun kishte ndonjë paraardhës hebre.

Askush nuk e di se kur ngacmimi u kthye në një marrëdhënie. Në vitin 1932, Brauni u përpoq të kryejë vetëvrasje me armën e babait të saj, që disa bashkëkohës dyshonin se kish qenë një përpjekje për t’i bërë presion Hitlerit, që t’i kushtonte më shumë vëmendje asaj. Lideri nazist e kishte syrin nga kanceleria, dhe kjo do të ishte vetëvrasja e dytë e një vajze të re që kishte lidhje me Hitlerin. Mbesa e tij, Geli Rauball qëlloi veten për vdekje, thuhet për t’i shpëtuar xhaxhait të saj xheloz.

Prapa grupit

E reja Eva Braun, nga ana tjetër, dukej se kish vuajtur nga një mungesë vëmendjeje nga Hitleri. Veterani i Luftës së Parë Botërore, që në jetën civile kish qenë një dështim, vazhdoi të bëjë një jetë boheme pasi erdhi në pushtet në 1933. Ai shpesh herë mungonte me ditë nga puna e drejtimit të qeverisë në Berlin. Kohën e kalonte duke bredhur nëpër Mynih, duke shkuar në opera dhe teatër me shoqëruesit e tij misteriozë dhe duke vizituar sheshe ndërtimi që, Hitleri, një i dashuruar pas arkitekturës, i konsideronte të rëndësishëm. Në kohë të mirë, grupi do të shkonte në fshat, dhe shpesh herë në këto dalje shkonte edhe Braun.

Sigurisht, asaj i kërkonte të udhëtonte veçmas, bashkë me sekretaret dhe gjatë shëtitjeve në fshatra, vendi i saj ishte prapa grupit. Herë pas here, Hitleri i jepte asaj një zarf të mbushur me para, gjë që Speeret i kujtonte “filmat amerikanë me gangsterë”.

Në vitin 1935, Brauni u përpoq sërish të kryejë vetëvrasje, këtë herë me hape gjumi dhe ka disa të dhëna që pas kësaj, marrëdhënia u bë edhe më e ngushtë. Hitleri pagoi për apartamentin e saj dhe më vonë e mori në shtëpi, me qëllim që ajo, më në fund, të largohej nga shtëpia e prindërve. Eva u bë zonjë shtëpie në Berghof, ku Hitleri shpesh herë kalonte edhe javë të tëra, edhe gjatë luftës. Titulloi i saj zyrtar, ishte “Sekretare private”. Por erdhi një moment që Hitleri dhe Brauni, u bënë më të afërt me njëri-tjetrin edhe në sytë e të tjerëve.

Sigurisht, diktatori vazhdoi ta mbajë marrëdhënien larg vëmendjes së publikut. Vetëm një fotografi e çiftit, u shpëtoi censorëve dhe doli në shtyp. Në të, Hitleri shfaqet në Lojrat Olimpike të vitit 1936, në Mynih, në “Garmisch-Partenkirchen”, me Braunin të ulur një radhë pas tij.

Dëmtim i imazhit

Pavarësisht përpjekjeve të tij për të fshehur këtë marrëdhënie, shtypi i aleatëve mësoi herët a vonë se Hitleri kishte një të dashur që quhej Braun, dhe “Time” e nxori këtë lajm në vitin 1939. Por në Gjermani mbeti një sekret, dhe Hitleri ndoshta kishte të drejtë në supozimin se nëse do ta bënte publike marrëdhënien e tij dashurore, atëherë do t’i bënte dëm imazhit të tij si Fyhrer.

Reinhard Spitzy, një nazist i vendosur dhe i punësuar i ish-ambasadorit gjerman në Londër, Joachim Ribbentrop, u befasua kur pa që një vajzë e re të cilën nuk e njihte, ndërpreu krejt papritur bisedën ndërmjet Ribbentropit dhe Hitlerit në Berghof dhe tha se dy burrat duhej që më në fund të vinin të hanin darkë. Një koleg i shpjegoi Spitzyt pozicionin e Braunit. Ai u befasua, sepse Hitlerin e kish menduar “si një asket, mbi seksin dhe pasionin”. Por, tani, këtu mësoi se heroi i tij nuk ishte i ndryshëm nga gjithë të tjerët.

Brauni kishte një interes të madh për fotografinë dhe filmat e gjithashtu i pëlqente të fotografohej. Albumet fotografike dhe filmat që kanë mbijetuar e tregojnë një grua të shkujdesur, tip atlete dhe ekstroverse, e cila pëlqente të pozonte me kostum banjoje dhe madje, edhe filmonte të motrën tek shkonte të bënte not lakuriq. Pas luftës, një ish pjesëtar i SS-ve do të deklaronte se, “ajo nuk ishte në përputhje me idealin e një vajze gjermane”.

Sipas oficerit SS, Brauni fillonte të bënte “përgatitjet fillestare për gjithfarëlloj dëfrimesh – festa në vendin e fshehtë në mal – menjëherë pasi limuzina e Hitlerit ish larguar nga Berghofi”.

Deklarata të tilla janë në përputhje me një enturazh apolitik që të gjithë ata që ishin të përfshirë – nga shërbëtore deri tek njerëz të njohur si Labert Speer – e kanë përshkruar pas luftës, dhe në të cilin Brauni u integrua me lehtësi. Thuhet se në Berghof kishte një rregull: nuk duhej që të diskutohej për politikë në prani të grave. Në vend të kësaj, temat e diskutimit ishin moda, qentë dhe operetat.

Politikë e pastër

Biografia Gërtemakerit nuk e ka problem të hedhë argumenta kundër ekskluzivitetit të këtij versioni. Një vështrim i albumit fotografik të Braunit, që përfshin fotografi që ajo ka nxjerrë në 23 gusht 1939, mjaftojnë për të vërtetuar këtë ide. Në atë ditë Ribbentropi, që ishte promovuar në postin e ministrit të jashtëm tashmë, ishte në negociata me Stalinin në Moskë në lidhje me ndarjen e Evropës Lindore mes Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik. Hitlerit i duhej aleanca, me qëllim që të pushtonte Poloninë. Fotografitë tregojnë se sa i tensionuar dhe i paduruar ishte ai, teksa priste rezultatin e bisedimeve të Ribbentropit me Stalinin. Ishte politikë e pastër, dhe Brauni ishte aty.

Gërtemakeri beson gjithashtu se gruaja në krah të tij “ndante pa asnjë kritikë këndvështrimin për botën dhe bindjet politike të Hitlerit”. Vetë rrethanat tregojnë se kjo është e vërtetë. Brauni e kaloi gjysmën e jetës 33 vjeçare nën shoqërinë e nazistëve fanatikë.

Dihet mirë se në vitin 1939, Hitleri foli hapur në Reichtag për shkatërrimin e hebrenjve europianë – dhe në testamentin e tij të dytë, të cilin e shkroi pak para se të kryente vetëvrasje, ai nënvizonte edhe një herë urrejtjen për hebrenjtë. Eshtë e vështirë të besosh që Brauni do të kish duruar ato 2280 ditë mes dy testamenteve, nëse nuk do të kish qenë edhe vetë një antisemite. Megjithatë, ndoshta nuk do ta mësojmë asnjëherë nëse ajo u përpoq ta influenconte.

Legjendat

Brauni ishte besnike deri në vdekje dhe ishte kjo besnikëri pa kushte, që Hitleri vlerësonte më shumë se çdo gjë tek ajo. “Vetëm Miss Braun dhe Pastori im gjerman, janë besnikë ndaj meje dhe më përkasin”, thuhet se ka thënë ai, aty nga fundi i luftës, kur Evropa ishte nën rrënoja dhe vrasja e hebrenjve europianë ishte kryesisht, një fakt i kryer.

Në atë pikë, Brauni kish vendosur tashmë të qëndronte me Fyhrerin. Madje, ajo i kërkoi dikujt t’i mësonte si të përdorte pistoletën, kur Ushtria e Kuqe të hynte në Berlin. “Këtu po luftojmë deri në fund”, i shkruante ajo nga bunkeri i Fyhrerit, në 22 prill, një mikeshës së saj. “Do të vdes ashtu si kam jetuar. Nuk do të jetë e vështirë për mua”.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Distriktit të Berschtesgadenit, Eva Brauni vdiq në 30 prill 1945, në orën 3:28, pasi kapërdiu një kapsulë cianid kaliumi. Hitleri e ndoqi pas, dy minuta më vonë.

Tanimë, njerëzit mund t’ia fillonin me legjendat…/ KultPlus.com

‘Provinca’, shfaqja mysafire në TKK që satirizon me politikën dhe shpërfaq sfidat e infrastrukturës teatrale

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premierë shfaqja mysafire “Provinca”, me regji të Ard Islamit, shkruan KultPlus. Shfaqja komedi satirizon me politikën dhe shpërfaq sfidat infrastrukturore teatrale duke filluar me kryepersonazhin që paraqitet me disa role: si drejtor i teatrit, regjisor, punëtor teknik etj.

Drejtori i Teatrit (Butrint Lumi) i cili edhe pse në krye të institucionit për rreth 20 vjet, nuk ka as përvojën më të vogël në teatër, kërkon nga një artist krijmin e një shfaqjeje, që në fakt nuk ka të bëj me të bërit art, por sa për të arsyetuar projektin që i është dhënë nga Ministrja e Kulturës- familjare e drejtorit.

“Provinca” jep modelin e një teatri jo funksional nga qendra të tjera të Kosovës, në krye të të cilëve shpesh gjenden persona jo kompetent, që uzurpojnë institucionin për vite me radhë, duke kontrolluar çdo gjë. Aktorët që janë amatorë, tentojnë të ndjekin trendet e kryeqendrës. Igballja (Blerina Veseli) dhe Eminja (Venera Bojaj) paraqiten si vajza rebele të cilat kanë dëshirë të ndjekin ëndërrën e tyre për tu bërë aktore, përkundër paragjykimeve dhe keqkuptimeve që ekzistojnë për artistët.

Ndërkaq, Dini- i biri i drejtorit, i cili nuk ka luajtur shfaqje që nga viti 2003, e ka të vështirë përshtatjen në prova. Punëtori teknik (Fatmir Haliti) vendoset si aktor kryesor në shfaqje, si shkak i mungesës së aktorëve. Gabimet e tij në aktrim si dhe shndërrimi i tekstit në formë të pyetjeve nga ana e Dinit i japin tension regjisorit të shfaqjes (Agan Asllani), duke e detyruar të heq dorë nga projekti. Ai e detyron veten t’i kthej drejtorit 12 mijë euro, nga 10 mijë sa ka kushtuar teksti.



Shfaqja “Provinca” është një pasqyrë e guximshme e jetës politike dhe sociale, e mbushur me personazhe që shpërfaqin gjendjen reale sa i përket politikës si akteri kryesor në jetën e shoqërisë, sfidave të teatrit, nepotizmit, banalitetit, injorancës dhe antivlerës.

Në fund të shfaqjes, në një prononcim për KultPlus, aktori Butrint Lumi ka thënë se regjisori në një mënyrë mjeshtërore ka trajtuar sfidat e teatrove dhe institucioneve kryesore të kulturës në vend.

“Teksti tregon në njëfarë forme realitetin e teatrit, infrastrukturën teatrore dhe gjithçka që ndodh në Kosovën tonë të dashur, dhe ndoshta edhe problematikat që rishfaqen çdo herë për artistët e rinj dhe për regjisorët. Trajtohet edhe gjendja e një regjisori i cili e posedon një tekst për vite me radhë, e që dëshiron ta vë në skenë, që fatkeqësisht rastis të punojë në ndonjë teatër ku nuk i ofrohen kushtet. Trajtohen edhe problemet e udhëheqjes së atij institucioni. Është një shfaqje në një lloj proteste. Mund ta quaj që është edhe protestë për gjendjen aktuale të disa teatrove në Kosovë. Ardi shumë mirë ka ditur ta plasoj atë problem që është duke ndodhur në Kosovë dhe në teatrot e qyteteve të tjera”, ka thënë aktori Lumi.

Me këtë rast, Aktori Lumi iu ka bërë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore të kthejnë fokusin edhe në qytetete të tjera, pasi perspektiva e artit skenik qëndron vetëm në Prishtinë.

“E tërë vëmendja e artit dhe e artistëve është në Prishtinë, sikur institucionet tona të bënin diçka më shumë që të aktivizohen të gjithë teatrot e qyteteve nëpër gjithë Kosovën, të investohet nëpër teatrot e qyteteve, të hapen vende pune për aktorët. Akademia prodhon çdo vit aktorë të rinj, mirëpo sa prej tyre po punësohen. Ndodh që në një teatër me vite të tëra nuk hapet ndonjë audicion, shtrohet pyetja ku mbesin këta aktorë. Ky është problemi se definitivisht në teatrot e qyteteve, madje në shumicën e qyteteve nuk ka teatër fare. Andaj kjo shfaqje trajton sfidat e artit skenik. Në shfaqje u pa që teatrin e udhëheq dikush që as se ka idenë për punën në teatër, thjeshtë duhet të arsyetojë projektin. Prandaj i ftoj të gjithë të vijnë ta shohin shfaqjen. Gjithashtu i ftoj edhe institucionet tona qoftë lokale, qoftë qendrore që të kthejnë fokusin edhe në qytete të tjera, sepse tërë fokusi qëndron në Prishtinë. Këtu është problematika dhe dhembja më e madhe, sepse shumica e aktorëve janë pa punë”, ka thënë aktori Lumi, duke e potencuar edhe përvojën e jashtëzakonshme me kolegët e skenës.

“Për mua ka qenë kënaqësi të jem pjesë e kësaj shfaqje dhe këtij produksioni për shkak se kam qenë mysafir. Ka qenë kënaqësi shumë e madhe për të punuar me një ekipe të jashtëzakonshme. Kemi punuar rreth një muaj e gjysmë me prova intensive për këtë shfaqje. Premiera ka qenë në Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, kjo sonte në Teatrin Kombëtar është reprizë. Ne jemi ndier jashtëzakonisht mirë që publiku na ka pritur shumë mirë. Është kënaqësi e madhe edhe për ne aktorët ka publik dhe shfaqja mirë mirëpritet”, ka përfunduar aktori./ KultPlus.com

Këngëtarja dhe kompozitorja Elina Duni merr Çmimin Zviceran të Xhazit 2025

Elina Duni, duket se është e përkëdhelura e kritikës, ndaj edhe përherë e më tepër, me zërin e saj po pushton skenat dhe sallat e mëdha evropiane të Jazz-it.

Këngëtarja dhe kompozitorja zvicerano-shqiptare Elina Duni do të nderohet me Çmimin Zviceran të Xhazit të këtij viti.

Një çmim i dedikuar figurave kryesore të xhazit zviceran, do t’i jepet këtë vit këngëtares dhe kompozitores Elina Duni.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 28 qershor, përpara koncertit në Festivalin e Xhazit Ascona të këtij viti.

Një artiste me një zë intensiv dhe të rafinuar, sot nën kontratë me shtëpinë diskografike prestigjioze ECM Records , Elina Duni është vlerësuar “për talentin dhe aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale, duke kombinuar me ndjeshmëri xhazin dhe muzikën tradicionale të atdheut të saj“.

Mediat zvicerane shkruajnë se, si Elina Duni ka “arritur të ripërtërijë gjuhën e xhazit, duke frymëzuar një brez të tërë muzikantësh të rinj me të cilët ajo ka bashkëpunuar shpesh”.

E lindur në Tiranë në vitin 1981 në një familje artistësh, Elina Duni filloi të performonte vetëm pesë vjeç për Radio Televizionin Shqiptar.

Pas rënies së regjimit komunist, u zhvendos me nënën e saj në Gjenevë, ku studioi piano klasike përpara se t’i përkushtohej xhazit.

Në Hochschule der Künste në Bernë ajo përsosi arsimimin e saj, duke u fokusuar në kompozimin dhe improvizimin.

Ishte në ato vite që ajo themeloi Kuartetin Elina Duni me Colin Vallon (piano), Patrice Moret (bas kontra) dhe Norbert Pfammatter (bateri), duke i dhënë jetë një projekti të aftë për të bashkuar xhazin me tingujt sugjestivë të folkut ballkanik.

Viti 2012 shënoi kalimin në ECM Records, me të cilin ajo publikoi dy albume që morën vlerësime kritike nga Evropa: Matanë Malit (2012) dhe Dallëndyshe (2015). Në vitin 2017 filloi një bashkëpunim të ri me kitaristin Rob Luft, me të cilin regjistroi albumin “Partir” (2018), një album në të cilin ajo performon edhe si multi-instrumentalist.

Çmimi Zviceran i Xhazit është dhënë që nga viti 2007.

Fituesit e mëparshëm përfshijnë Orkestrën Zvicerane të Xhazit, Christoph Grab dhe Othella Dallas.

Festivali i Xhazit Ascona zhvillohet këtë vit nga 25 deri më 5 korrik. rtsh.al/ KultPlus.com

Nuk ndjej më xhelozi, por ty të dashuroj

Poezi nga Osip Mandelshtam

Përktheu Agron Tufa

Me dinjitarë të tjerë
Të shërbej përulët,
Nga xhelozia vrer
Mezi lëvrij buzët.
Fjala dot s’e shuan
Gojën time eshkë,
Pa ty e humb toruan –
I zbrazët ajri krejt.

Nuk ndjej më xhelozi,
Por ty të dashuroj,
Vetveten time fli
Xhelatit po ia çoj.
Të quaj, nuk ma mban,
As gaz, as dashuri,
Një tjetër, egërshan,
Në gjak më kanë shti.

Një grimë koh’ më shumë
Dhe do ta them në sy,
Jo gaz, por torturë
Unë vij të gjej tek ti.
Dhe krejt sikur një krim
Më ndjell tek ti aq brishtë
Gjithë joshje, rebelim,
E njoma gojë vishnjë.

Pra, kthehu shpejt tek unë,
Pa ty jam i tmerruar,
Më fort se kaq kurrë
S’të kam adhuruar;
Dhe krejt çfarë po kërkoj,
E shoh e përmallohem,
Xheloz më s’do të jem –
Por ty të përgjërohem.

1920/KultPlus.com

“Travel Off Path”: Pse Shqipëria po bëhet destinacioni kryesor turistik në Evropë?

Evropa të sjell në mendje imazhe të bulevardeve madhështore pariziene, rrënojave të lashta romake dhe plazheve spanjolle të mbushura me diell, sipas “Travel Off Path”.

Për dekada të tëra, këta gjigantë të Evropës Perëndimore kanë dominuar listat e dëshirave të udhëtimit, duke tërhequr miliona turistë në monumentet e tyre ikonike dhe qytetet e tyre plot jetë.

Le të jemi realistë: Këto vende janë të mahnitshme, por të gjithë jemi ne dijeni se vera në Evropën Perëndimore sjell turma masive me vizitorë dhe çmime shumë të larta.

Por trendet e udhëtimeve po ndryshojnë. Ndërsa destinacionet klasike mbeten të njohura, turistët e zgjuar që kërkojnë përvoja autentike, peizazhe mahnitëse po e kthejnë vëmendjen e tyre drejt lindjes.

Harrojini vizitat ​​në Kolose këtë vit. Ekziston një vend që krenohet me bukurinë mesdhetare, pa turma vizitorësh dhe çmime të larta krahasuar me fqinjët e tij.

Ekipi i “Travel Off Path” e ka vizituar personalisht këtë vend në zhvillim dhe është plotësisht dakord – se është një destinacion i jashtëzakonshëm pushimsh dhe një vend unik evropian!

Përgatituni të eksplorini këtë verë Shqipërinë!

Shqipëria? Shifrat nuk gënjejnë!

Mund të habiteni. Shqipëria? Ndonëse ndoshta nuk është emri i parë që ju vjen ndërmend për pushime në Evropë, statistikat dëshmojnë një destinacion që po rritet me shpejtësi në popullaritet.

Sipas agjencisë së Turizmit të OKB-së, Shqipëria përjetoi një rritje të jashtëzakonshme prej 80% të mbërritjeve turistike në vitin 2024 – krahasuar me nivelet para pandemisë – duke e vendosur atë midis liderëve botërorë për rritjen e turizmit.

Shifrat e hershme për vitin 2025 tregojnë se ky trend nuk po ngadalësohet, me numrin e vizitorëve të huaj në janar që është rritur tashmë me 14,5% krahasuar me vitin e kaluar.

Sharmi i Rivierës Shqiptare pa shtrënguar buxhetin 

Një nga atraksionet më të mëdha të Shqipërisë është Riviera Shqiptare.

Mendoni për bregdete të mrekullueshme që ju kujtojnë Greqinë ose Kroacinë, por me çmime shumë më të përballueshme.

Ndërsa çmimet po rriten në mënyrë të pashmangshme – siç u vu re në fillim të vitit 2025 – Shqipëria ende ofron një përvojë mesdhetare relativisht të përballueshme.

Ju mund të rezervoni dhoma cilësore në bujtina ose edhe hotele buzë detit me çmime që do t’i bënin turistët në Itali “të qanin”.

Po bregdeti? Është spektakolar.

Riviera Shqiptare, që shtrihet përgjatë Detit Jon, ofron ujëra të kristalta ngjyrë bruz, shkëmbinj dramatikë dhe plazhe të bukura që variojnë nga brigjet e gjalla të Sarandës deri te plazhet gjithnjë e më të famshme dhe mahnitëse rreth Ksamilit, të quajtura shpesh “Maldivet e Evropës”.

Gjiret e fshehura si, Plazhi i Gjipesë ose brigjet pranë Dhërmiut ofrojnë relaks perfekt si në kartolina.

Ju mund të shijoni darka me ushqime të freskëta deti pranë bregdetit me kosto të përballueshme.

Përveç Plazheve: Histori, Male dhe Kulturë

Ndërsa Riviera Shqiptare mund të tërheqë vëmendjen, atraksionet e Shqipërisë shkojnë shumë më thellë se vija e saj bregdetare.

Ky është një vend me një histori të pasur dhe peizazhe mahnitëse të larmishme.

Adhuruesit e historisë mund të eksplorojnë tre vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shëtisni në rrugët e pjerrëta, të shtruara me gurë të Gjirokastrës, “Qytetit të Gurtë”, duke u mahnitur nga arkitektura e saj unike e epokës osmane dhe kalaja madhështore.

Vizitoni Beratin, “Qytetin e një mbi një Dritareve”, ku shtëpitë e bardha duket sikur rrëzohen nga shpati i kodrës drejt lumit.

Eksploroni rrënojat e lashta të Parkut Kombëtar të Butrintit, një vend i banuar që nga kohërat parahistorike, ku shfaqet historia greke, romake, bizantine dhe veneciane.

Zbuloni kryeqytetin e gjallë dhe plot ngjyra, Tiranën, një qytet që po heq dorë nga e kaluara e tij komuniste – me kafene të shumta, tregje si Pazari i Ri, muze magjepsës – duke përfshirë bunkerët e Luftës së Ftohtë – të shndërruar në hapësira arti si Bunk’Art dhe Sheshin madhështor Skënderbej.

Për adhuruesit e natyrës, Malet e Nemuna (Alpet Shqiptare), në veri ofrojnë shtigje për ecje dhe peizazhe dramatike, ndërsa Qafa e Llogorasë ofron një udhëtim mahnitës bregdetar .

Koha për të vizituar Shqipërinë është pikërisht tani

Koha për të vizituar Shqipërinë është pikërisht tani. Lidhjet e përmirësuara të fluturimeve dhe popullariteti në rritje ndërkombëtarisht do të thotë se është më e lehtë për ta vizituar se kurrë më parë.

Megjithatë, kjo rritje e shpejtë do të thotë se ditët kur ajo ishte një sekret krejtësisht i pazbuluar janë të numëruara.

Ndërsa Shqipëria ende ofron një përvojë autentike dhe më pak të mbushur me turistë sesa shumë fqinjë, fjala po përhapet me shpejtësi.

Nëse jeni duke kërkuar një destinacion evropian në vitin 2025 që ndërthur bukurinë mahnitëse natyrore, historinë interesante dhe vendasit mikpritës – Shqipëria duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve.

Ajo ofron një ndërthurje gjithnjë e më të rrallë: një vend që të jep ndjesinë e një risie emocionuese dhe thellësisht historike.

Vizitoni Shqipërinë përpara se të gjithë të tjerët ta bëjnë – nuk do të pendoheni pasi të keni zbuluar yllin në ngritje të Evropës!/atsh/KultPlus.com

Panairi i madh i artizanatit ZAN’ART, nesër në Tiranë

Një panair i madh i artizanatit do të zhvillohet në Tiranë, me qëllim promovimin e traditës dhe artizanëve shqiptarë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se, pjesëmarrja e ekspozitorëve në ZAN’ART paraqet një mundësi të shkëlqyer për zgjerimin e tregjeve artizanale.

Panairi ZAN’ART – “Artizanati Shqiptar nga Tradita në modernitet”, do të sjellë nesër në Hotel Rogner, 35 ekspozitorë të artizanatit shqiptar të cilët do të demonstrojnë produkte autentike si: qeleshja shqiptare; çiftelia në miniaturë; kostumet kombëtare; suvenire dhe veshje me motive shqiptare; qëndisjet tradicionale; punimet në dru dhe qelq; poçeria e filigrani; maska veneciane dhe shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare.

Workshop-i është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe traditave shqiptare. Për këtë arsye, do të zhvillohen 11 workshop-e nga mjeshtrat e artizanatit ku do të prezantojnë teknikat tradicionale të punimeve artizanale për të nxitur kreativitetin dhe vlerësimin e artizanatit./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit.

Përshkrimi i mëposhtëm është pjesë e mesazhit që përcillet këtë ditë:

Vallëzimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Me të kursejmë fjalë të cilat ndoshta disa njerëz nuk do t’i kuptonin, ndërsa si kthim krijojmë gjuhë universale, të kuptueshme për të gjithë.

Vallëzimi na jep kënaqësi dhe mbështetje, na bën të jemi të lirë për pamundësinë të fluturojmë si zogjtë dhe të afrohemi nga qielli, bota, pafundësia./KultPlus.com

65-vjetori i Televizionit Shqiptar, nderim për punën e qindra punonjësve që rritën vlerat e medies publike

Televizioni Shqiptar kremton sot 65-vjetorin e fillimit të transmetimeve të tij, duke shënuar një gur kilometrik për historinë kombëtare, në shërbim të informimit të publikut, duke ruajtur kulturën dhe duke pasuruar artin.

Në vitin 1960, Televizioni nisi transmetimet vetëm për një territor të kufizuar e më pas u shtri në të gjithë vendin, duke mbuluar sot hapësirën më të madhe gjeografike nga të gjitha mediet audiovizive të vendit.

“Do i kujtoj me nostaligji gjithë këto vite, sidomos 40 vitet e mia të punës në RTSH, ashtu siç dua të kujtoj ata që me punën dhe përkushtimin e tyre i dhanë Radio Televizionit Shqiptar një dritare që u bë shumë e dashur për teleshikuesin në tërë trojet shqiptare,” thotë Dhimitër Gjoka, folës për shumë vite në RTSH.

“RTSH ishte i vetmi kanal televiziv që shikohej në mbarë Shqipërinë dhe kudo që shkoje më pëlqente, se në njëfarë mënyre sikur më përkëdhelej sedra që njerëzit më njihnin dhe më flisnin me shumë emocion,” kujton Ketrin Gjoça, prezantuesja e emisionit për fëmijë “Me Ketin”, e cila iu bashkua që e re për të mos iu ndarë stafit të Radiotelevizionit.

“Dashuria e parë dhe e fundit e imja është Radio Televizioni Shqiptar. Të gjitha energjitë tona i kemi hedhur në këtë institucion. Këtu u rritëm. Këtu formuam emër. I uroj me zemër ditëlindjen!” tregon Osman Mula, muzikant, regjisor dhe drejtues i festivaleve muzikore të Radio Televizionit Shqiptar, përveçse anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH.

Televizioni Shqiptar prodhoi në më shumë se gjashtë dekada programe që synuan të jenë gjithëpërfshirës, duke pasur në vëmendje informimin, edukimin dhe argëtimin.

Televizioni Shqiptar sot në 65-vjetorin e themelimit numëron me qindra programe tematike, dokumentarë, seriale dhe filma televizivë, koncerte, recitale, festivale muzikore kombëtare, pa lënë mënjanë gjininë e skenës së teatrit.

Sot RTSH feston dhe nderon me krenari dhjetëra gazetarë, muzikantë, artistë, skenaristë, teknikë, kameramanë, punonjës të prodhimit televiziv, që kanë dhënë kontribut të çmuar në pasurimin e programacionit të RTSH.

RTSH është transmetuesi i vetëm publik në Republikën e Shqipërisë dhe synon të përparojë në kohën e teknologjisë dhe sfidave që sjell zhvillimi në fushën e medies audiovizive. RTSH sot është televizioni i historisë së Shqipërisë./rtsh/KultPlus.com

Më 29 prill 1980 vdiq Alfred Hitchcock, regjisor dhe producent filmi

Alfred Joseph Hitchcock – Alfred Jozef Hiçkok (13 gusht 1899 Londër – 29 prill 1980 Los Angeles), regjisor dhe producent filmi amerikano-anglezë dhe shkrimtar i librave me temë kriminalistike dhe horror.

Biografia

Jeta e hershme

Alfred Joseph Hitchcock u lind më 13 gusht 1899 në Londër në paralaxhen Leytonstone si djali i dytë dhe fëmiu mëi ri i tregtarit William Hitchcock dhe i gruas së tij Emme Jane Hitchcock (para Whelan). Familja e tyre ishte e besimit katolik. Alfred vijoi në shkollën katolike. Fëmijërinë e kaloi i vetmuar dhe i mbyllur.

Në atë kohë, në fëmijërinë e hershme, tregon se babai i tij e dërgon me një letër në stacionin policor. Pasi që komisarit ia dorëzon porosinë ata e burgosin për një kohë të shkurtër. Kjo ishte një ankdodotë shumë e njohur dhe ai tregon se ky ishte shkaku për mosbesimin në polici të cilën e ka paraqitë më vonë në shumë filma të tij.

Në moshën 14 vjeçare Hitchcok e humb babanë dhe e braktisë kolegjin shën Ignacisë në Stamford Hill, shkollë e tij e deriatëherëshme dhe pastaj vijon në Shkollën e inxhinierisë dhe navigacionit. Pas diplomimit bëhet vizatues dhe dizajner i reklamave në një fabrikë të telefonave.

Në atë kohë Hitchcock interesohet për fotografinë ku fillon të punojë në Idustrinë e filmit në Londër në vitin 1920, dhe e fiton një punë të përhershme në Islington Studio, si dizajner i titujve për filmi pa zë.

Filma

No. 13 (Unfinished, also known as Mrs. Peabody) (1922)
Always Tell Your Wife (Uncredited) (1923)
The Pleasure Garden (1925)
The Mountain Eagle (1926)
The Lodger: A Story of the London Fog (1927)
Downhill (1927)
Easy Virtue (1928), bazur në një luajtur nga Noel Coward
The Ring (1927), një tregim origjinal nga Hitchcock.
The Farmer’s Wife (1928)
Champagne (1928)
The Manxman (1929)
Blackmail (1929)

Film me fjalë

Blackmail (1929)
Juno and the Paycock (1930)
Murder! (1930)
Elstree Calling (1930)
The Skin Game (1931)
Mary (1931)
Number Seventeen (1932)
Rich and Strange (1932)
Waltzes from Vienna (1933)
The Man Who Knew Too Much (1934)
The 39 Steps (1935), me Robert Donat
Secret Agent (1936),
Sabotage (1936)
Young and Innocent (1937)
The Lady Vanishes (1938), me Michael Redgrave
Jamaica Inn (1939), me Charles Laughton
Rebecca (1940), i vetmi film i tij që ka fituar Academy Award për filmi më miri.
Foreign Correspondent (1940)
Mr. & Mrs. Smith (1941), written by Norman Krasna
Suspicion (1941)
Saboteur (1942),
Shadow of a Doubt (1943)
Lifeboat (1944), Tallulah Bankhead’s roli më i njohur
Aventure Malgache (1944),
Bon Voyage (1944),
Spellbound (1945),
Notorious (1946)
The Paradine Case (1947)
Rope (1948)
Under Capricorn (1949)
Stage Fright (1950)
Strangers on a Train (1951)
I Confess (1953)
Dial M for Murder (1954)
Rear Window (1954)
To Catch a Thief (1955)
The Trouble with Harry (1955)
The Man Who Knew Too Much (1956), remake të filmit e tij të 1934.
The Wrong Man (1956)
Vertigo (1958)
North by Northwest (1959)
Psycho (1960)
The Birds (1963)
Marnie (1964)
Torn Curtain (1966)
Topaz (1969)
Frenzy (1972)
Family Plot (1976)

Episode televizive

Alfred Hitchcock Presents: “Revenge” (1955)
Alfred Hitchcock Presents: “Breakdown” (1955)
Alfred Hitchcock Presents: “The Case of Mr. Pelham” (1955)
Alfred Hitchcock Presents: “Back for Christmas” (1956)
Alfred Hitchcock Presents: “Wet Saturday” (1956)
Alfred Hitchcock Presents: “Mr. Blanchard’s Secret” (1956)
Alfred Hitchcock Presents: “One More Mile to Go” (1957)
Suspicion: “Four O’Clock” (1957)
Alfred Hitchcock Presents: “The Perfect Crime” (1957)
Alfred Hitchcock Presents: “Lamb to the Slaughter” (1958)
Alfred Hitchcock Presents: “Dip in the Pool” (1958)
Alfred Hitchcock Presents: “Poison” (1958)
Alfred Hitchcock Presents: “Banquo’s Chair” (1959)
Alfred Hitchcock Presents: “Arthur” (1959)
Alfred Hitchcock Presents: “The Crystal Trench” (1959)
Ford Startime: “Incident at a Corner” (1960)
Alfred Hitchcock Presents: “Mrs. Bixby and the Colonel’s Coat” (1960)
Alfred Hitchcock Presents: “The Horseplayer” (1961)
Alfred Hitchcock Presents: “Bang! You’re Dead” (1961)
The Alfred Hitchcock Hour: “I Saw the Whole Thing” (1962)

Literatura

Truffaut, François: Hitchcock
Leitch, Thomas: The Encyclopedia of Alfred Hitchcock
DeRosa, Steven: Writing with Hitchcock
Deutelbaum, Marshall; Poague, Leland (ed.): A Hitchcock Reader
Spoto, Donald: The Art of Alfred Hitchcock
Spoto, Donald: The Dark Side of Genius
Gottlieb, Sidney: Alfred Hitchcock: Interviews
Conrad, Peter: The Hitchcock Murders
Rebello, Stephen: Alfred Hitchcock and the Making of Psiho
McGilligan, Patrick: Alfred Hitchcock: A Life in Darkness and Light
Modleski, Tania: The Women Who Knew Too Much: Hitchcock And Feminist Theory
Wood, Robin: Hitchcock’s Films Revisited

Stampa:Str rightmost/ Alfred Hitchcock në IMDb
Hitchcock’s article ‘Why I Make Melodramas’ from 1936
Alfred Hitchcock — The Master of Suspense
Senses of Cinema’s “Great Directors” Alfred Hitchcock profile
Hitchcock’s Style—online exhibit from screenonline, a website of the British Film Institute
Multi-Language Website
Official Universal Website
Hitchcock at the SoundtrackINFO project
Warner Video: Alfred Hitchcock
The Alfred Hitchcock Scholars/”MacGuffin” Web Page – the online extension of the Alfred Hitchcock journal The MacGuffin
Writing With Hitchcock – Companion site to Steven DeRosa’s book of the same name, includes original interviews, essays, script excerpts, and extensive material on Hitchcock’s unproduced works.
The Hitchcock DVD Information Site – details of Hitchcock DVD releases from around the world
The Man Who Knew Too Much – Watch the movie online for free
Basic Hitchcock Film Techniques A checklist of his top 13 film techniques.
In-depth interview with Hitchcock from 1963} /KultPlus.com

Fëmija dëmton pikturën e Rothkos me vlerë 50 milionë euro në muzeun holandez

Një fëmijë ka dëmtuar një pikturë me vlerë miliona paund të artistit amerikan Mark Rothko në një muze në Roterdam. Një zëdhënës i Muzeut Boijmans Van Beuningen tha se po shqyrtonte “hapat e ardhshëm” për trajtimin e Rothko’s Grey, Orange on Maroon, nr. 8.

Dëmi ndodhi gjatë një “momenti të pambrojtur”, tha një zëdhënës i muzeut për median holandeze Algemeen Dagblad javën e kaluar.

Një zëdhënës i muzeut i tha BBC-së se dëmi ishte “sipërfaqësor”, duke shtuar: “Gërvishtjet e vogla janë të dukshme në shtresën e bojës pa llak në pjesën e poshtme të pikturës”.

Sipas gazetës AD, piktura abstrakte vlerësohet të jetë me vlerë deri në 50 milionë euro (42.5 milionë funte).

“Është kërkuar ekspertizë konservimi në Holandë dhe jashtë saj. Aktualisht jemi duke hulumtuar hapat e ardhshëm për trajtimin e pikturës”, tha zëdhënësi i muzeut për BBC.

“Presim që vepra të mund të shfaqet sërish në të ardhmen”, shtuan ata.

Sophie McAloone, menaxherja e konservimit në Kompaninë e Restaurimit të Arteve të Bukura, tha se pikturat “moderne të pallakuara” si Rothko’s Grey, Orange on Maroon, Nr. 8 janë “veçanërisht të ndjeshme ndaj dëmtimit”.

Kjo është “për shkak të një kombinimi të materialeve të tyre komplekse moderne, mungesës së një shtrese tradicionale të veshjes dhe intensitetit të fushave të sheshta të ngjyrave, të cilat i bëjnë edhe zonat më të vogla të dëmtimit menjëherë të perceptueshme,” tha ajo.

“Në këtë rast, gërvishtja e shtresave të sipërme të bojës mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në përvojën e shikimit të pjesës,” tha zonja McAloone.

Piktura e Rothko ishte e varur në Depon e muzeut një hapësirë ​​ruajtjeje e aksesueshme nga publiku pranë muzeut kryesor si pjesë e një ekspozite që shfaq një përzgjedhje të “të preferuarave publike” nga koleksioni i galerisë.

Jonny Helm, një menaxher marketingu në shërbimin e restaurimit të artit Plowden & Smith, tha se incidenti kishte implikime për institucionet e Mbretërisë së Bashkuar si V&A East dhe Muzeu Britanik, të cilët po konsiderojnë “hapjen e shfaqjes së gjërave që përndryshe do të errësoheshin në arkiva”.

“Si do të ndikojë kjo ngjarje në institucionet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar që po hapin arkivat e tyre në të njëjtën mënyrë?” tha zoti Helm.

Rivendosja e një pikture të Rothkos është një detyrë e vështirë sepse “përzierja e pigmenteve, rrëshirave dhe ngjitësve të Rothkos ishin mjaft komplekse”, tha Helm.

Ai tha se fakti që piktura nuk është e lyer – që do të thotë se është “e hapur ndaj mjedisit” – do të përbëjë një sfidë shtesë për konservatorët.

Konservatorët që punojnë për të restauruar pikturën tani ka të ngjarë të jenë në proces të dokumentimit të shkallës së dëmtimit dhe kërkimit të “trajimeve të suksesshme historike” të pikturave të Rothko.

“Punimet e Rothko duket se kanë fat të tmerrshëm – ky nuk është Rothko i parë i dëmtuar për të cilin kemi dëgjuar,” tha zoti Helm.

Vepra e Rothkos e vitit 1958, Black on Maroon, u vandalizua qëllimisht nga Wlodzimierz Umaniec në galerinë Tate Modern të Londrës në tetor 2012.

Umaniec u dërgua në burg për dy vjet dhe më pas kërkoi falje për veprimet e tij.

Gjatë gjyqit të tij, avokati prokuror Gregor McKinley tha se kostoja e riparimit të veprës do të ishte rreth 200,000 £. Konservatorëve iu deshën 18 muaj për ta riparuar pikturën./ euronews/ KultPlus.com

Fosili ‘i jashtëzakonshëm’ zbulon specien më të vjetër të milingonës

Një fosil, pothuajse i anashkaluar, i zbuluar në një koleksion muzeu brazilian ka zbuluar ekzemplarin më të vjetër të milingonave të njohur nga shkenca, bëhet e ditur nga një studim i ri.

Milingona prehistorike jetoi midis dinosaurëve 113 milionë vjet më parë – disa milionë vjet para se të gjendeshin më parë milingonat e fosilizuara – dhe kishte një mënyrë të pazakontë për të vrarë prenë e saj, raporton CNN.

Anderson Lepeco, një studiues në Muzeun e Zoologjisë të Universitetit të São Paulo, tha se hasi ekzemplarin “e jashtëzakonshëm” në shtator 2024, ndërsa shqyrtonte një koleksion fosilesh të vendosur në Muzeun e Zoologjisë të Universitetit të São Paulos.

Muzeu ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të insekteve të fosilizuara dhe përmban ekzemplarë nga Formacioni Crato, në Brazilin verilindor, një depozitë gjeologjike e njohur për ruajtjen e jashtëzakonshme të fosileve.

I ruajtur në gur gëlqeror, insekti i zhdukur, i përshkruar rishtazi, është ai që njihet si milingona e ferrit, një anëtar i një nënfamiljeje të quajtur Haidomyrmecinae që jetoi gjatë periudhës Kretake, midis 66 milionë-145 milionë vjet më parë, dhe nuk ka lidhje me asnjë milingonë të gjallë sot, sipas një studimi të botuar të enjten në revistën Current Biology. Speciet fosile, të cilat janë quajtur Vulcanidris cratensis, kishin nofulla të ngjashme me kosë që, me shumë gjasa, i përdornin për të ngulur ose shpuar prenë.

“U shokova kur pashë atë projeksion të çuditshëm përpara kokës së këtij (insekti),” tha Lepeco, autori kryesor i studimit.

“Milingona të tjera të ferrit janë përshkruar me nofulla të çuditshme, por gjithmonë si ekzemplarë qelibar.”

Është e rrallë të gjesh insekte të ruajtura në shkëmb. Milingona të tjera të ferrit nga Kretake janë gjetur të varrosura në qelibar nga Franca dhe Myanmari, por ato datojnë rreth 99 milionë vjet më parë. Autorët e studimit vunë në dukje se fakti që një milingonë ferri ka jetuar para kësaj kohe në Brazil do të thotë që milingonat ishin tashmë të shpërndara gjerësisht në të gjithë planetin në një pikë të hershme të evolucionit të tyre.

Zbulimi hedh dritë mbi mënyrën se si milingonat evoluan gjatë Kretakut të hershëm, një kohë ndryshimesh të rëndësishme. Ai gjithashtu ofron një pasqyrë të karakteristikave të pazakonta në speciet e milingonave të kësaj periudhe që nuk i mbijetuan zhdukjes masive që i dha fund epokës së dinosaurëve, thanë studiuesit.

Tipare anatomike të humbura në kohë

Sot, milingonat janë një nga grupet më të spikatura dhe të bollshme të insekteve në planet, të gjetura në të gjitha kontinentet përveç Antarktidës, vuri në dukje studimi.

Megjithatë, milingonat nuk kanë qenë gjithmonë dominuese. Ato evoluan gjatë Jurasikut të vonë dhe Kretakut të hershëm, afërsisht 145 milionë vjet më parë, kur paraardhësit e milingonave u ndanë nga i njëjti grup, që do të jepte jetë grerëzave dhe bletëve.

Vetëm pasi një goditje asteroidi dënoi dinosaurët dhe speciet e tjera me zhdukje 66 milionë vjet më parë, milingonat u bënë insekti më i zakonshëm i gjetur në të dhënat fosile, sipas studimit.

Fosili është një “gjë mjaft e madhe”, tha Phil Barden, një profesor i asociuar në Institutin e Teknologjisë të New Jersey-t i cili studion historinë evolucionare të insekteve.

“Ky zbulim i ri tani përfaqëson milingonën më të vjetër të njohur, ajo thellon të dhënat të fosileve të njohura për milingonat me rreth dhjetë milionë vjet”, tha Barden.

“Edhe pse milingonat fosile janë përshkruar që nga shekulli i 19-të… Deri më tani, nuk ishte e qartë nëse mungesa e milingonave më të vjetra se 100 milion vjet ishte për shkak se ato nuk kishin jetuar përreth apo thjesht, ato nuk ishin ruajtur në depozita”, shtoi ai.

Speciet e identifikuara rishtazi kishin gjithashtu disa karakteristika të ngjashme me grerëzat që tregonin prejardhjen e përbashkët midis dy krijesave. Për shembull, krahët e milingonës kishin shumë më tepër vena, sesa ato të milingonave të gjalla, tha Lepeco.

Imazhet e tomografisë mikro-kompjuterike – një teknikë imazhi 3D që përdor rreze X për të parë brenda milingonës – zbuluan se insekti ishte i lidhur ngushtë me milingonat e ferrit të njohura më parë vetëm nga fosilet e qelibarit birmanez.

Ajo që ishte më mbresëlënëse në lidhje me milingonën ishin tiparet e saj të pazakonta anatomike. Milingonat moderne kanë nofulla që kapin prenë anash – nga njëra anë në tjetrën. Megjithatë, kjo milingonë zotëronte nofulla të ngjashme me kosë që shkonin paralelisht me kokën e saj dhe projektoheshin përpara nga afër syve, vunë në dukje studiuesit në studim.

“Mund të ketë funksionuar si një lloj piruni ngritës” ndërsa milingona gjuante insekte të tjera të zhdukura, shpjegoi Lepeco.

“Morfologjia e ndërlikuar sugjeron që edhe këto milingona më të hershme kishin zhvilluar tashmë strategji të sofistikuara grabitqare, dukshëm të ndryshme nga homologët e tyre modernë”, shtoi Lepeco.

Payne në krye të jurisë së Festivalit të Filmit në Venecia

 Organizatorët e Festivalit të Filmit në Venecia njoftuan se regjisori dhe skenaristi amerikan, Alexander Payne do të kryesojë jurinë e këtij viti.

”Fituesi i dyfishtë i çmimit Oscar, 64-vjeçari, do të japë çmimin ‘Luani i Artë’ për Filmin më të Mirë në edicionin e 82-të të festivalit në shtator”, thanë organizatorët.

Festivali në qytetin verior të Italisë do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 6 shtator.

Në një deklaratë, Payne, fitues i çmimit Oscar për filmat ”Sideways” dhe ”The Descendants”, e konsideroi një nder dhe gëzim të jashtëzakonshëm”.

Ndërsa tha se ndan ambivalencën tipike të regjisorëve në krahasimin e filmave me njëri-tjetrin, ai vlerësoi historinë gati njëshekullore të festivalit.

“Nuk mund të isha më i emocionuar”, shtoi Payne./ atsh/ KultPlus.com

Shfaqja “Shpirti” vjen premierë në Qendrën Barabar

Shfaqja “Shpirti” me regji të Agim Selimit vjen premierë më 30 prill, nga ora 20:00 në Qendrën Barabar në bashkëprodhim me ‘Artpolis’.

Shfaqja “Shpirti”, me regji të Agim Selimit, e bazuar në veprën e njohur të Dr. Brian Weiss, sjell në skenë një rrëfim prekës mbi jetët e mëparshme, rimishërimin dhe fuqinë e dashurisë në përballjen me dhimbjen emocionale dhe çrregullimet mendore. Një udhëtim përmes ndërgjegjes dhe kujtimeve që tejkalojnë kohën!

Në qendër të dramës janë Katerina – një grua e rraskapitur nga ankthi dhe depresioni dhe Dr. Briani – një psikiatër që guxon të eksplorojë kufijtë e shkencës dhe shpirtit. Shfaqja jetësohet nga aktorët Albionë Sahiti dhe Drin Berisha.

Një histori që trajton thellësisht shëndetin mendor, rimishërimin dhe fuqinë e shërimit përmes dashurisë dhe ndërgjegjësimit shpirtëror.

Ekipi krijues:
Regjisor: Agim Selimi
Asistente regjie: Hafize Ramadani
Luajnë: Albionë Sahiti dhe Drin Berisha
Kostumografia dhe skenografia: Leonita Krasniqi
Muzika: Arlind Islami
Dramatizimi: Agron Shala
Dritat: Mursel Bekteshi

Hollivudi i përulet Coppolas, AFI i jep çmimin e Karrierës

 Yjet e kinemasë, Steven Spielberg, George Lucas, Martin Scorsese, Robert De Niro, Al Pacino, Dustin Hoffman, Harrison Ford u mblodhën në Hollivud për t’i dhënë Çmimin e Karrierës dekanit të kinemasë ndërkombëtare një tjetër ylli, i cili quhet Francis Ford Coppola, sipas rtl1025.

Regjisori 86-vjeçar i klasikëve si “The Godfather” dhe “Apocalypse Now” është përshëndetur me homazhe nga legjenda të tjera të filmit, të cilët e kanë lavdëruar atë për sfidën ndaj sistemit dhe ripërcaktimin e mënyrës se si rrëfehen historitë.

”Francisi është heroi im”, tha troç Lucas, i cili e shoqëroi në shesh xhirimin e filmit ”Finian’s Rainbow” në vitin 1968.

“Kur isha 22 vjeç, ai më mësoi të mos kisha frikë të hidhesha nga një shkëmb. Jetova sipas këtij mësimi për pjesën tjetër të jetës sime, edhe nëse nuk arrita kurrë në nivelin e tij”, tha krijuesi i “Star Wars”, i cili me Coppolan më vonë themeloi kompaninë e prodhimit ”American Zoetrope” në San Francisko, e cila nga viti 1980 deri në vitin 1990 fitoi 15 çmime Oscar dhe 68 nominime.

Spielberg, i cili e takoi për herë të parë në vitin 1967, e quajti filmin “The Godfather“ filmin më të madh amerikan ndonjëherë.

Çmimi iu dha nga Instituti Amerikan i Filmit (AFI), shkolla prestigjioze e filmit, e vendosur në shpatet e kodrave të Hollivudit, i cili çdo vit harton një listë të filmave më të mirë të bërë ndonjëherë dhe organizon festivalin më të rëndësishëm në Los Anxheles.

Të shtunën në mbrëmje, ceremonia u mbajt në teatrin ”Dolby”, kinemaja ku jepen çmimet Oscar, dhe për këtë rast, Hollywood Boulevard u vesh përsëri sipas dëshirës, ​​me një qilim të gjatë të kuq dhe radhë kamerash e fotografësh.

Përpara audiencës së veteranëve dhe të sapoardhurve në kinema, Coppola u prek shumë.

“Tani e kuptoj se ky vend që më krijoi, shtëpia ime, nuk është aspak një vend, por ju, miqtë, kolegët, mësuesit, shokët e lojës, familja, fqinjët, të gjitha këto fytyra të mrekullueshme që më mirëprisni”, tha regjisori, njëherësh patriarku i një dinastie të frytshme kineastësh./atsh/ KultPlus.com

Në Ditën e Punëtorëve shfaqet filmi ‘Krahët e Punëtorëve’

‘Krahët e Punëtorëve’ i Ilir Hasanajt do të shfaqet nesër në Ditën e Punëtorëve në Sheshin “Zahir Pajaziti” nga ora 20:00.

Për nder të Ditës së Punëtorëve, Fondacioni Friedrich Ebert, zyrja në Kosovë ju fton në shfaqjen e filmit “Workers’ Wings” nga regjisori Ilir Hasanaj. Filmi është një rrëfim poetik dhe reflektues që vë në qendër jetën e punëtorëve të lënduar në vendin e punës, dhe heshtjen që i rrethon ata.


Filmi ka marrë vlerësime të shumta nga festivale ndërkombëtare si IFFR, Dokufest dhe Guanajuato, për mënyrën se si trajton me kujdes dhe thellësi realitetin e punëtorëve në Kosovë, duke vënë në pah sfidat e tyre në një sistem që shpesh i lë në hije.


Filmi do te pasohet nga një panel diskutimi me hulumtuesen e filmit Dafina Halilaj, Gersi Gashin nga Qendra për Politika dhe Avokim, si dhe Fatmir Sopa, pjesëmarrës në film, që do të sjellin një perspektivë të drejtpërdrejtë mbi realitetin e punëtorëve në vend.