“Projekti Mozart”, artistët e rinj në koncert me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor ka hapur dyert e skenës për artistët e rinj, duke krijuar hapësira për eksperienca të mirëfillta për studentët.

“Projekti Mozart” sjell në skenë jo vetëm talentet e Universitetit të Arteve, por edhe ato të Liceut Artistik “Jordan Misja”, i cili mbrëmjen e kaluar u përfaqësua nga pianisti Erbli Zade.

Të rinjve u është dhënë mundësia të luajnë shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja. Ky projekt nuk është thjesht një koncert, por një mundësi reale për të rinjtë që duan të rriten profesionalisht, duke bashkëpunuar me artistë dhe struktura të nivelit më të lartë artistik.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërinstitucional, pianisti Erbli Zade interpretoi nga W.A. Mozart, Piano Concerto Nr. 12 in A major K. 414.

Koncerti i pianos nr. 12 në la maxhor k.414 është një ndër tre veprat që Mozarti shkroi në fund të vitit 1782 për sezonin e koncerteve në Vjenë. Ai do të shkruante 17 koncerte për piano për Vjenën, 15 prej tyre midis viteve 1782-1786.

Erbli Zade studion prej 10 vitesh në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë nën udhëheqjen e pedagoges Mirela Tushe Vongli. Ai është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare si: Pianisti i Ri, Konkursi EPTA, Konkursi Pianistik për të Rinj “Frederic Chopin”, Tirana Talent, PianoFest BITOLA, Vienna Gala Fest etj.

Më herët ishin Hera Marku dhe Odesa Meti, dy studentë të talentuara të pianos në Universitetin e Arteve, të cilat patën privilegjin të performonin së bashku me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së në kuadër të “Projektit Mozart”./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani u takua për herë të parë me Presidentin e Sirisë së lirë, Ahmed al Sharaa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Turqi me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ku po merr pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, është takuar me Presidentin e Sirisë së lirë, Ahmed al Sharaa.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Populli i Kosovës dhe populli i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë.

Sot, me Presidentin e Sirisë së lirë, Ahmed al Sharaa, kishim takimin tonë të parë për ta hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona.

Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike./ KultPlus.com

Gërvalla: Kosharja krenare e prillit 1999

Sot është mbajtur Akademia Përkujtimore e dëshmorëve në Betejën e Koshares dhe është kujtuar dita e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se “Kosharja mbetet plagë dhe krenari. Dhembje dhe burrëri. Është kujtesa jonë kolektive për atë që kemi kaluar dhe amaneti për atë që duhet t’i dalim Zot atdheut.”

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Kosharja krenare e prillit 1999

Ka data që nuk i përkasin kalendarit, por zemrës. Ka beteja që nuk përkufizohen me taktika ushtarake, por me shpirtin e atyre që dhanë gjithçka, edhe jetën, që ne sot të jetojmë të lirë. Kjo është Kosharja.

Mëngjesin e hershëm të 9 prillit 1999, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, nisi njëra ndër betejat më vendimtare të luftës sonë çlirimtare. Beteja e Koshares, si pjesë e Operacionit “Shigjeta”, shënoi jo vetëm përleshjen me një regjim të dhunshëm dhe të egër, por edhe shembjen simbolike të një kufiri të padrejtë që për dekada ndante kombin shqiptar.

Për më shumë se dy muaj, mbi 2000 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan në një vijë disa kilometërshe përballë forcave të armatosura serbe, të një ushtrie që kishte mbjellë dhunë, terror dhe krime në gjithë Kosovën. Pavarësisht numrit dhe armatimit, nuk arritën ta ndalin valën e vendosmërisë që vinte nga të gjitha trojet shqiptare.

Në ballë të betejës ishin emra që sot i kemi të gdhendur në kujtesën tonë kolektive: Agim Ramadani, arkitekti i betejës; Sali Çekaj, simbol i guximit dhe strateg i përkushtuar; dhe me ta, 112 luftëtarë të tjerë që ranë dëshmorë në këtë betejë. Mbi 400 u plagosën. Por liria që ata ndihmuan ta fitonim, nuk njeh çmim.

Brigada 138 “Agim Ramadani”, e përbërë nga luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare, udhëhoqi sulmin, duke i dhënë kësaj beteje dimensionin e një bashkimi kombëtar në ideal dhe në gjak. Forcat e UÇK-së, të ndihmuara nga mbështetja ajrore e NATO-s, përballuan me sukses një regjim që përpiqej ta mbante të ndarë dhe të shtypur një popull të tërë.

Beteja e Koshares e theu jo vetëm kufirin politik të vendosur më 1913 e konsoliduar më 1918, por edhe frikën, robërinë dhe iluzionin se Kosova nuk do ta arrinte kurrë lirinë. Ishte këtu që ndarja artificiale u shndërrua në lidhje të pandashme mes Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe bashkë me këtë lidhje, u forcua besimi i popullit te Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe te drejtësia e luftës sonë.

Sot në Akademinë Përkujtimore të dëshmorëve në Betejën e Koshares dhe në ditën e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, kujtuam me pietet jetën dhe vepren e tyre për më të shtrenjtën tonë, Kosovën. Andaj, sot e gjithnjë, Kosharja mbetet plagë dhe krenari. Dhembje dhe burrëri. Është kujtesa jonë kolektive për atë që kemi kaluar dhe amaneti për atë që duhet t’i dalim Zot atdheut.

Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares.
Ju jeni vetë liria jonë./ KultPlus.com

“Zëri im, forca ime – nuk ka më heshtje”, për herë të parë i mbijetuari flet publikisht

Me rastin e shënimit të 14 Prillit – Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së Fundit në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës-QKRMT, organizon ngjarjen “Zëri im, forca ime – nuk ka më heshtje”.

Më 14 prill nga ora 10:30 deri më 12:30 ngjarja mbahet në Kino Armatë.

Për herë të parë, një i mbijetuar burrë i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të ndajë  rrëfimin e tij me publikun. Ai do të flasë përvojën e tij mbi sfidat e heshtjes dhe stigmatizimit, duke rrëfyer rrugëtimin që çoi në fuqizimin dhe guximin për të folur publikisht.

Ky është një moment historik për të gjithë të mbijetuarit. Një hap i madh drejt thyerjes së heshtjes dhe fuqizimit të atyre që ende ndihen të pa zë! Një akt guximi dhe fuqizimi për të gjithë të mbijetuarit!

Kjo ngjarje organizohet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës-QKRMT, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit  gjithëshoqëror mbi dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, adresimin e stigmës dhe ndryshimin e perceptimit të opinionit publik për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës në Kosovë./ KultPlus.com

Screenshot

Ambasada turke shpreh kundërshtime ndaj shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Sarajevë, reagon Qendra Multimedia

Ambasada e Republikës së Turqisë ka lëshuar një notë zyrtare diplomatike për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, duke shprehur shqetësim të thellë për shfaqjen e planifikuar të shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” më 14 prill 2025. Produksioni është pjesë e festivalit “Teatri Rajonal”, i cili do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Sarajevës.

Duke e etiketuar notën si “më urgjente”, Ambasada Turke shprehu kundërshtim të fortë ndaj vënies në skenë të shfaqjes, duke pretenduar se ajo promovon propagandë në mbështetje të organizatës FETO, të cilën Turqia e cilëson si grup terrorist dhe synon si shtetin turk ashtu edhe presidentin e tij.

Sipas Ambasadës, imazhet promovuese në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Sarajevës përmbajnë maska ​​me ngjashmëri me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Fethullah Gylen, të cilat Ambasada i interpreton si një tregues të qartë të lidhjes së shfaqjes me FETO-n.

Shënimi thekson se, duke pasur parasysh marrëdhëniet tradicionalisht pozitive midis Turqisë dhe Bosnje-Hercegovinës, portretizime të tilla konsiderohen të papërshtatshme dhe fyese. Ambasada ka kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme t’ia përcjellë shqetësimet e saj institucioneve përkatëse boshnjake.

Ndërkaq ky është reagimi publik i Qendrës Multimedia në lidhje me notën diplomatike të Ambasadës së Turqisë në Bosnje e Hercegovinë, në lidhje me prezantimin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Teatrin Kombëtar të Sarajevës më 14 prill:

Jemi të befasuar kur mësuam për notën zyrtare diplomatike të lëshuar nga Ambasada e Turqisë në Bosnje dhe Hercegovinë për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, në përgjigje të shfaqjes së ardhshme të produksionit tonë Gjashtë kundër Turqisë në Teatrin Kombëtar të Sarajevës më 14 prill.

Megjithatë, ky reagim me të vërtetë vetëm sa i shton më shumë rëndësi dhe rezonancë performancës sonë, duke i dhënë asaj jetë përtej skenës. Kjo konfirmon se ne kemi prekur një nerv jetik politik dhe social.

Nëse dikur thuhej se teatri imitonte realitetin, sot jetojmë në një kohë ku realiteti imiton gjithnjë e më shumë teatrin. Mendësia e kontrollit dhe censurës, e imponuar nën maskën e diplomacisë, është krejtësisht e papranueshme.

Qendra Multimedia njihet për teatrin e saj të angazhuar politikisht dhe liria artistike në skenë është në qendër të praktikës së saj artistike.

Duhet të theksojmë gjithashtu se presion i ngjashëm – edhe pse më i matur – është ushtruar nga Ambasada Turke në Kosovë. Megjithatë, në Prishtinë, autoritetet qendrore qëndruan të patundur. Madje Ministria e Kulturës shprehu publikisht mbështetjen e saj për produksionin dhe ekipin e tij. Fatkeqësisht, Komuna e Prizrenit dy herë e ka penguar vënien në skenë të shfaqjes.

Gjashtë kundër Turqisë është një shëmbëlltyrë politike. Ndërsa flet për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Kosovës, ajo gjithashtu pasqyron modele më të gjera të autoritarizmit të rigjallëruar – modele që ne i dëshmojmë gjithnjë e më shumë në mbarë botën, nga Shtetet e Bashkuara në Hungari, Sllovaki, Serbi dhe më gjerë./ KultPlus.com

Të hash poezi

Poezi nga Mark Strand

Bojë më rrjedh cepave të buzëve
S’ka si lumturia ime.
Kam ngrënë poezi.

Biblioktekarja s’u beson syve.
Vështrimin e ka të trishtë
dhe ecën me duart mes palave të fustanit.

Poezitë kanë marrë arratinë.
Drita është e zbehtë.
Qentë ndodhen në shkallët e bodrumit dhe ngjiten.

Sytë u vërtiten,
putrat e verdha digjen si shkarpa.
Bibliotekarja e gjorë nis të përplasë këmbët dhe vajton.

Nuk kupton.
Kur gjunjëzohem dhe dorën ia lëpij, klith.

Jam një njeri fringo.
I skërmitem dhe leh.
Kremtoj me hare në errësirën librore. 

Përktheu Beti Njuma /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, presidentja Osmani ka thënë se presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfide e në çdo sukses.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfide e në çdo sukses.

Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët.

Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë.

Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen./ KultPlus.com

“Rikardi” nesër premierë në Teatrin e Shkupit, qasja e pakompromis e Kushtrim Bekteshit ndaj ngjarjes më të errët të dramaturgjisë botërore

Era Berisha

“Rikardi III”, titullohet shfaqja e cila po frymon guximshëm tash e disa kohë për t’u vënë në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup. Është një heshtje e dëlirë që përshkon dërrasat e teatrit që presin me padurim për tu gjallëruar nga loja e aktorëve dhe këndvështrimi i regjisorit. Kjo heshtje po lihet anash në mënyrë që prania e Rikardit të jetë feneri i dritës së errësirës në skenë. Regjisori Kushtrim Bekteshi vizionin e tij e ka të qartësuar dukshëm. Jehona e fjalëve të Shekspirit do të shungullojë në ajër dhe do rilind sërish shqip. Bekteshi është arkitekti i stuhisë që do krijohet nëpërmjet ambicies, tradhtisë dhe kurorës së brishtë të pushtetit. Me çdo fjalë, shfaqja do të tërheq të kaluarën në të tashmen, shkruan KultPlus.

“Rikard”, është një emër i mbushur me histori. Një monark i shtrembëruar nga qëllimi, i përhumbur nga profecia dhe i shtyrë nga një uri që ne e njohim ende sot. Nuk është rastësi që kjo shfaqje rikthehet tani. Në një epokë të besnikërisë së thyer dhe të tradhtive të pëshpëritura, tregimi i një njeriu që hap me kthetra rrugën e tij drejt fronit flet me urgjencë të përtërirë.

Regjisori Bekteshi nuk ofron përgjigje – vetëm një pasqyrë. Nën shkëlqimin e kurorës së Rikardit, ne mund të kapim një paraqitje të shkurtër të vetvetes. Dhe kështu, me frymë të qëllimshme dhe vendosmëri të qetë, ai sjell historinë, duke e ditur se e kaluara nuk fle me të vërtetë.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Bekteshi ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin deri në premierë që do epet nesër (12 prill).

“Aktualiteti i zhvillimeve dramatike në politikën globale, që ka ndikim indirekt, por edhe direkt në jetët tona. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më është ngjallur nevoja që ta interpretoj në skenë tragjedinë monumentale “Rikardi III”. Ajo luftë, ai agresion, e ka ndryshuar botën dhe po vazhdon ta ndryshojë, dhe pasojat po i ndjejmë dhe mendoj se do t’i ndjejmë edhe shumë gjatë. Pushtetet autoritare në rritje në rajon dhe botë janë duke kërcënuar stabilitetin, demokracinë dhe paqen e kontinentit tonë, por edhe të gjithë globit. Pasiguria e ankthi mbizotëron te të gjithë, pothuajse çdo ditë ‘bombardohemi’ me informata e dezinformata për shpërthim të një Lufte të Tretë Botërore, për tragjedi e shkatërrime të përmasave bërthamore, etj”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka ekzistuar nevoja që të shihet në skenë Rikardi III, me qëllimin që shoqëria të reflektojë dhe të bëhet e vetëdijshme për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e çdo individi të ngjashëm me këtë personazh që mund të ‘ngjallet’ në realitetin politik dhe me sundimin e tij të rrezikojë lirinë dhe demokracinë.

Regjisori Bekteshi, Shekspirin e konsideron një gjeni pasiqë ai ka trajtuar kompleksitetin e natyrës njerëzore dhe nuk i ka paraqitur personazhet bardhezi, nuk i ka tipizuar. Kështu është trajtuar edhe personazhi i Rikardit në shfaqje, bazuar në vetë veprën e Shekspirit, me të gjitha ngjyrimet emocionale si çdo njeri.

“Rrethanat dhe bullizimi që ka përjetuar Rikardi që në fëmijëri kanë ndikuar në deformimin e karakterit të tij dhe e gjithë kjo ka bërë që qenien e tij si forcë dominante ta udhëheq ligësia, urrejtja dhe hakmarrja ndaj të tjerëve. Sigurisht nuk është aspak hero, mendimet dhe veprimet e tij janë monstruoze, por nuk mund ta kategorizojmë e margjinalizojmë karakterin e tij duke e trajtuar vetëm nga aspekti i së keqes. Rikardi nuk ka lindur kriminel, është krijuar si i tillë me kohë, dhe aty ka përgjegjësi edhe familja, njerëzit që e rrethojnë, shoqëria në përgjithësi. Në rrethana normale, një psikolog apo psikiatër do ta ndihmonte. Problemi më i madh shfaqet kur një njeri i tillë me karakter të deformuar fiton fuqi të madhe politike dhe vjen në pushtet me ndihmën e atyre që shohin përfitim personal nga kjo gjë. Kur një karakter i tillë i udhëhequr nga qëllime shfarosëse fiton pushtet absolut”, shpalos Bekteshi.

Shfaqja Rikardi brenda vetvetes trajton disa tema, por ajo që dominon më së shumti është tema e ardhjes në pushtet përmes intrigës, dhunës dhe manipulimit dhe pasojat që sjell sundimi i një tirani.

Sa i përket estetikës vizuale të prodhimit dhe paraleles mes tradicionales e modernizmit, regjisori Bekteshi ka thënë se në shfaqje do të përdoret videoprojektori, pistoleta, celularë, por jo për hir të ‘modernizimit’ të shfaqjes.

“Unë nuk e di çfarë mund të konsiderohet tradicionale dhe moderne. Nëse vetëm zhvendosja kohore nga renesanca në kohën e sotme apriori quhet moderne, kjo për mua nuk mban. Apo e kundërta, nëse vendoset ngjarja në kohën kur e ka shkruar autori, kjo apriori nuk e bën tradicionale një shfaqje. Bashkëkohore, apo ta quajmë edhe moderne, e bën shfaqjen interpretimi bashkëkohor regjisorial, kur gjendet forma e përshtatshme që një tekst i caktuar të komunikojë natyrshëm me audiencën e sotme, pa marrë parasysh se në çfarë kohe është shkruar ai tekst, apo në çfarë konteksti kohor e hapësinor vendoset ngjarja në shfaqje. Ky është një keqkuptim i madh që po ndodh tani e sa kohë në realitetin tonë teatror: bëji ca adaptime e përshtatje të tekstit, vishi aktorët me kostumet e kohës së sotme, vendos laptop, videoproektor, mikrofona e celularë në skenë dhe hop si me magji na u bëka shfaqja moderne?! Ky për mua është botëkuptim diletant dhe steril në mënyrën e konceptimit të artit teatror. Sigurisht që gjitha elementet identifikuese të kohës së sotme që inkorporohen në artin teatror nuk i përjashtoj e as nuk i paragjykoj, sepse edhe vetë i kam përdorur në shfaqje të ndryshme, por ato elemente duhet të shkrihen natyrshëm me përmbajtjen e veprës dhe të mbështeten në zbërthimin dhe interpretimi regjisorial të asaj vepre, pa ja humbur esencën veprës dhe pa e cenuar rrjedhën e ngjarjes/rrëfimit. Kur shfaqjet realizohen me një recetë të njëjtë vetëm për t’u dukur apriori moderne, aty diçka nuk shkon, aty nuk ka krijimtari, por ka vetëm riciklim”, thotë ai.

Regjisori Bekteshi beson se secila vepër ka specifikat e veta dhe nuk mund të hapen të gjitha veprat dramatike me të njëjtin çelës, përpos nëse u ‘thyhet brava’ dhe dhunshëm e si mish i egër, iu imponohet i ashtuquajturi modernizim.

“Kam parë shfaqje që i kanë përdorur të gjitha pajisjet teknologjike të kohës së sotme dhe kanë qenë aq demode dhe amatore në konceptim e interpretim regjisorial sa të ngjallin neverinë, dhe kam parë shfaqje me interpretim regjisorial shumë bashkëkohorë edhe pse në aspektin vizual i kanë qëndruar besnik kohës së largët kur është shkruar vepra. Tani të kthehem te shfaqja ime “Rikardi III”  – koha dhe hapësira ku e kam vendosur ngjarjen është neutrale, tejet e ngjashme me kohën e sotme, por pa dhënë specifika gjeografike. Dhe po, në shfaqje përdoret videoprojektori, pistoleta, celularë, jo për hir të të ashtuquajturit modernizim, por sepse e kam parë të nevojshëm këtë zhvendosje kohore për shkak të asaj që kam nevojë t’ia them publikut përmes tekstit të Shekspirit, asociacioneve direkte që dua të përçojë shfaqja rreth zhvillimeve historike nga e kaluara e afërt dhe zhvillimeve aktuale në politikën e sotme globale – zhvillime që më shqetësojnë dhe shpesh më krijojnë ankth dhe ndjenjë të pasigurisë. Modelet e ngjashme si Rikardi III kanë ekzistuar në gjitha periudhat historike të njerëzimit, e fatkeqësisht rishfaqen në çdo hapësirë gjeografike kur korruptohet mendimi kritik dhe zëri intelektual, kur ambicia e individëve apo grupacioneve të ndryshme e varros drejtësinë dhe e përkrah të keqen, kur gënjeshtra e dezinformata me vetëdije të plotë servohen si të vërteta nga kanalet e komunikimit me audiencën – e që në ditët e sotme janë të shumta dhe shpesh shërbejnë si mjet për ngritjen në pushtet të autokratëve dhe diktatorëve”, ka thënë Bekteshi.

Regjisori Bekteshi tutje ka treguar se ngjarja në veprën “Rikardi III” është e errët, ndoshta më e errëta në dramaturgjinë botërore, ku pothuajse të gjithë personazhet i kanë duart e përlyera me gjak – shto edhe faktet historike të luftërave qindravjeçare mes dinastisë së Jorkëve dhe Lankastërve para se të lind vetë Shekspiri, ngjarje e personazhe që janë përfshirë në veprën e tij.

“Janë histori të përgjakshme, ku secili personazh ka kryer ose ka bashkëvepruar në ndonjë krim. Duke u bazuar në këtë interpretim të veprës dhe personazheve, rrjedhimisht edhe te toni e muzika kryesisht mbizotëron tingulli i vrazhdë, i ftohtë, gati apokaliptik, ndërsa i gjithë ndriçimi është konceptuar të jetë vetëm me dritë të bardhë projektori apo neoni, pra nuk kemi përdorur asnjë filtër me ngjyrë, me qëllim që t’i rijmë konsekuntë atij realiteti neutral kohor dhe hapësinor që manifestohet në konceptimin e skenografisë dhe kostumeve, si dhe të theksohet atmosfera gri që mbizotëron në shfaqje, ashtu siç zhvillohet edhe vet ngjarja”, shpalos ai.

Sa i përket punës së përzgjedhjes së aktorëve, regjisori Bekteshi ka thënë që varet nga interpretimi regjisorial i veprës dhe vizioni regjisorial për rolet dhe shfaqjen.

“Nuk është një gjë që mund të shpjegohet lehtësisht meqë është një çështje vizioni, fshihet diku në eterin e mendimeve, intuitës, ndjesisë dhe besimit. Jam shumë i kujdesshëm dhe i pakompromis në përzgjedhjen e aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të shfaqjes dhe deri më sot asnjëherë nuk jam zhgënjyer nga përzgjedhja që kam bërë. E njëjta vlen edhe për këtë shfaqje”, thotë ai.

Në shfaqje luan një kastë e madhe e aktorëve, gjithsej 18 aktorë, ku në rolin kryesor, atë të Rikardit të Tretë, është Adem Karaga, pastaj është aktori mysafir nga Kosova, Shkumbin Istrefi, si dhe aktorët e tjerë të ansamblit rezident të Teatrit Shqiptar të Shkupit: Teuta Ajdini Jegeni, Vjollca Bekteshi Hamiti,  Amernis Nokshiqi, Abedin Alimi, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Dritëro Ame, Fisnik Zeqiri, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Rrahim Ramadani, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Hetem Etemi, Sabina Memishi Asllanaj, dhe studentin e aktrimit Deniz Rrustemi. Skenograf në shfaqje është Betim Zeqiri, kostumografe Samka Ferri dhe kompozitor Trimor Dhomi.

Ajo se çfarë regjisori Bekteshi shpreson që audienca të ndjejë nga kjo histori e shfaqjes Rikardi, është reflektimi për ngjarjen që do e shohin, për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e personave të ngjashëm me Rikardin e Tretë që mund të vijnë në pushtet në çdo hapësirë gjeografike ku “vlerat bëhen mall i lirë për treg”. Por ai dëshiron që audienca gjithashtu ta shijojë në tërësi lojën e shkëlqyer të aktorëve dhe elementet e tjera përbërëse të shfaqjes.

Teksa i afrohemi fundit të kësaj interviste, regjisori Bekteshi ka bërë të ditur se shfaqja Rikardi nuk ngreh ndonjë paralele specifike me imazhin apo imitimin e ndonjë lideri politik.

Ngjallen asociacione të kohë paskohshme për ndonjë lider politik nga e kaluara dhe e tashmja, por në asnjë rast paralele të drejtpërdrejtë me imazh apo imitim të ndonjë lideri politik. Nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë ithtar i pamfleteve politike, e aq më shumë në këtë rast kur kam të bëj me një tragjedi monumentale të Shekspirit ku univerzaliteti i ngjarjes dhe karaktereve do të degradohej në nivel shumë të ulët nëse do të lokalizohej problemi apo interpretimi regjisorial do të banalizohej në formatin e një pamfleti politik”, ka thënë ai.

Para 10 viteve, regjisori Bekteshi as nuk do e kishte menduar ndonjëherë që do e inskenonte Rikardin, por ai beson thellësisht se Shekspiri është i gjithëkohshëm dhe ka vendosur ta interpretojë në këtë kohë sepse pikërisht në këtë kohë i flet më së shumti. Brenda shfaqjes Rikardi, besohet që gjithçka ka qenë sfidë, duke nisur nga vetë ballafaqimi me një vepër monumentale të Shekspirit, aspekti buxhetor i shfaqjes, përzgjedhja e ekipit, procesi i provave, aspektet teknike të shfaqjes, por që këto për regjisorin Bekteshi janë thjesht sfida që harxhojnë shumë energji duke ofruar shumë kënaqësi krijuese brenda ekipit.

Në fund të kësaj interviste, pyetur rreth shfaqjes Emira, e cila ishte paraparë të jepej premierë në Tetarin Kombëtar të Kosovës, por që u anulua për shkak të grevës së trupës rezidente, regjisori Bekteshi ka treguar se shfaqja është pezull dhe do të mbetet ashtu deri në momentin që do të krijohen kushtet për t’iu rikthyer provave.

“Pezull është tani dhe do të mbetet ashtu deri në momentin që krijohen kushtet për t’ju rikthyer provave, por këtë çështje duhet ta zgjidhin zyrtarët e TKK-së. Deri më tani nuk ka ndonjë plan konkret se si do të vazhdohet, kur do të konsolidohet gjithë ekipi i shfaqjes “Emira” dhe kur planifikohet rikthimi në prova dhe dhënia e premierës publike. Është krijuar një vakum i madh kohor nga ndërprerja e provave pesë ditë para premierës, siç e dini për shkak të grevës së Sindikatës së Aktorëve të TKK-së, dhe sigurisht nuk është e lehtë të rikuperohet gjithë ajo punë dhe energji fantastike ekipore që kishim gjatë procesit të punës. Unë jam në pritje, nuk dua të besoj se ajo shfaqje do të ngelet pezull edhe shumë muaj të tjerë. Për mua dhe gjithë ekipin e shfaqjes është një dramë që na ndjek tani e pesë muaj, të gjithë jemi dëmtuar nga ndërprerja e atij procesi, sidomos ne bashkëpunëtorët e jashtëm, që pos dëmit artistik e shpirtëror (që e kanë pësuar njerëzit e përfshirë në realizimin e shfaqjes), kemi pësuar edhe dëm financiar, meqë deri më tani asnjë pagesë nuk na është realizuar për punën që kemi kryer. Shpresoj dhe uroj që shfaqjen do ta japim premierë në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, ashtu siç ka qenë marrëveshja që në fillim të realizmit të kësaj shfaqjeje.”/ KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

*Intervistë e realizuar më 31 dhjetor, 2022. Ripostohet me rastin e 26 vjetorit të rënies së heroit Agim Ramadani.

“Me sy puthe kreshtat e majave e me plumba lirinë pikturove në trupa ujqësh”, Shukrije Ramadani me dedikim për Agim Ramadanin

Dy ditë më parë, në 26 vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani i ka dedikuar disa vargje të ndjera që të rrëqethin trupin.

KultPlus ju sjell dedikimin e Shukrije Ramadanit:

Gurëve e gurrave që nga ëndrrat i njihje u ngjite me dashuri! Në secilin lis nji ëndërr e vare, e shkurreve i fshehe kujtimet e buzëqeshjes që ta dridhnin zemrën!

Çdo mëngjes me copë dielli acarin shkrive e me hukamen e zemres mjegullnajën fshive nga ëndrrat që lindnin dritën!

Me sy puthe kreshtat e majave e me plumba lirinë pikturove në trupa ujqësh që coptonin veten mes presë së premtuar!

Duart më ngrinë bashkë me lulet e ruajtura për ty i miri im! Ti su ktheve shtigjeve ku të prisja, ike, fluturove në liri!/ KultPlus.com

40 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës

Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.

Shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe si ministër i Mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, kurse më 11 prill 1985 ai ndërron jetë.


Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, karakterizohet me akuza dhe mbështetje, derisa një palë e shohin si hero, pala tjetër e akuzojnë për eliminime të kundërshtarëve politikë, dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe sigurimi i shtetit.

Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton heroin Agim Ramadani në 26 vjetorin e rënies

Sot, në përvjetorin e vrasjes së heroit Agim Ramadani, presidentja Vjosa Osmani ka nderuar kujtimin e një krijuesi dhe luftëtari të palodhur, i cili dha gjithçka për lirinë e Kosovës.

“Agimi nuk ishte vetëm i penës, por një simbol i sakrificës, angazhimit dhe guximit të papërkulur. Si poet dhe luftëtar, ai na la një trashëgimi të paharruar, duke i dhënë zë luftës për liri dhe dinjitet.

Veprat e tij do të jetojnë gjithmonë, si një dëshmi e forcës që lindi nga bashkëdyzimi i shpirtit artistik me atë luftarak dhe lufta për një të ardhme më të mirë. Përherë i paharruar, Agim Ramadani, ti ishe dhe do të mbetesh hero i kombit tonë.”/ KultPlus.com

26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Agim Ramadani, i njohur ndryshe me nofkën KATANA, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjegjësisht i Koshares.

Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një luftimi fyt për fyt me forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij. Pas përfundimit të Luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Të parët e familjes së tij ishin me prejardhje nga Malësia e Karadakut, pikërisht nga fshati Depcë afër Preshevës. Shkollimin Fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Gjilan në vitin 1980, dhe më pas e vazhdoi Akademinë Ushtarake–Drejtimi i Komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak dhe në Zvicër ku jetoi si emigrant politik, dhe me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke lënë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët e tij.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas Luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. / KultPlus.com

Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Erdoğan merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.

Gjatë punimeve të Forumit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./ KultPlus.com

11 prilli, Dita Kombëtare e Kafshëve Shtëpiake

Dita kombëtare e kafshëve shtëpiake festohet çdo vit më 11 prill. Kjo ditë i kushtohet kafshëve shtëpiake që ne i quajmë miqtë tanë prej gëzofi. Ata janë anëtarë të veçantë të familjeve tona dhe na ofrojnë kaq shumë dashuri dhe mbështetje, sipas “The Quint”.

Kjo ditë, e njohur si Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake, ka një rëndësi të madhe për të njohur dashurinë dhe mbështetjen e pafundme që kafshët tona të dashura ofrojnë si anëtarë të familjeve tona.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve Kafshe ka fituar njohje globale, duke bashkuar adhuruesit e kafshëve në mbarë botën në përpjekjet e tyre për të promovuar adoptimin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin e përgjegjshëm të kafshëve shtëpiake.

Historia e Ditës Kombëtare të Kafshëve shtëpiake daton që nga viti 2006, kur Colleen Paige themeloi Ditën Kombëtare të Kafshëve.

Ajo ishte një avokate e mirëqenies së kafshëve që ia kishte kushtuar punën e saj përmirësimit të jetës së kafshëve shtëpiake përmes shpëtimit dhe birësimit.

Paige fillimisht u nis për të festuar gëzimin që mund të na sjellin kafshët shtëpiake, por ajo gjithashtu donte të rriste ndërgjegjësimin për çështjen e kafshëve shtëpiake që jetojnë në strehimore dhe nevojën për birësim.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake festohet nga adhuruesit e kafshëve në të gjithë botën. Kjo ditë shërben për të treguar vlerësimin për kafshët shtëpiake dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e birësimit dhe kujdesit të kafshëve./ KultPlus.com

‘O moj Shqypni, e mjera Shqypni…’

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

Franz Kafka: Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato!

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

KultPlus sot ju sjell disa nga theniet m ëtë mira të Kafkës:

Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

“Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com

Thënie të të huajve për Skënderbeun, “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sot, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

Papa Kalikst i III

“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

Papa Piu I II

“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559

“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

Sulltan Mehmeti II

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez

“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut

“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”

“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën

“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia

“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”

“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.” / KultPus.com

Ç’ke moj zemër që rënkon!

Poezi nga Ali Asllani

Ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtatë sqepe!

Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!

Na të urt’ e të mëndafshtë s’qemë të zot të bënim zë
Ku fillon më thash e theme hij’ e vetës të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon në gji të gjembit të këndoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?! / KultPlus.com

Fransis Bekon: Nga të gjitha cilësitë e larta të mendjes, më e madhja është mirësia

Francis Bacon, Vikonti i Parë St Alban, ishte një burrë shteti, avokat dhe filozof anglez, i konsideruar si një figurë me ndikim në revolucionin shkencor. Një shkrimtar elokuent, ai shkroi gjerësisht për tema që varionin nga ligji dhe feja deri te politika dhe etika bashkëkohore. Djali i Sir Nicholas Bacon dhe Anne, një studiues, ai u rrit në një mjedis që vlerësonte edukimin dhe diskutimet intelektuale. Ai u arsimua në Universitetin e Kembrixhit. Ai u kualifikua si avokat dhe ndoqi një karrierë juridike për disa kohë përpara se të futej në politikë. Me kalimin e viteve, ai u bë i njohur si një reformator me mendje liberale, i cili kundërshtoi privilegjet feudale dhe pushtetet diktatoriale. Ai ishte gjithashtu kundër persekutimit fetar. Ai kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore dhe vazhdoi të bëhej këshilltari i parë i Mbretëreshës. Ai përfundimisht u emërua prokuror i përgjithshëm gjatë mbretërimit të James I dhe vazhdoi të rritet në shtat në vitet e ardhshme. Pavarësisht se kishte një karrierë të suksesshme dhe një pozicion pushteti në shoqëri, ai ishte i rrënuar nga problemet financiare. Ai ra në borxhe të thella dhe u akuzua për disa raste korrupsioni, pas të cilave karriera e tij e profilit të lartë përfundoi në turp. Si filozof, ai la pas një trashëgimi të pasur në vepra shkencore, juridike, fetare e letrare.

*** Nga të gjitha cilësitë e larta të mendjes, më e madhja është mirësia, është cilësi e karakterit Hyjnor; dhe pa mirësinë, njeriu është i mërzitshëm, bajat, një send pa vlerë.

*** Lexo jo për kundërvënie dhe ngatërrime, as për të besuar dhe për t’i marrë kallëp gjërat…por për të shoshitur dhe për të vlerësuar.

*** Rruga e fatit është si Rruga e Qumështit në qiell; e cila përbëhet nga një numër yjesh të vegjël, të cilët nuk dallohen prej njëri tjetrit, por që japin dritë së bashku: ashtu është edhe numri i virtuteteve të vogla dhe të pavlera apo i aftësive dhe i shprehive që i bëjnë njerëzit me fat.

*** Mosha duket se është më e mira në katër gjëra: druri i vjetër është më i miri për t’u djegur, vera e vjetër është më e mira për t’u pirë, miqtë e vjetë janë më të mirët për t’iu besuar dhe autorët e vjetër janë më të mirët për t’i lexuar.

*** Jeta e një beqari është një mëngjes i shijshëm, një drekë bajate dhe një darkë e mjerë.

*** Njerëzit duhet ta dinë se në këtë teatër të jetës së njeriut, vetëm Zotit dhe engjejve iu është rezervuar vendi i spektatorëve.

*** Ai që jep këshilla të mira, ndërton me një dorë; ai që jep këshilla të mira dhe shembull të mirë, ndërton me të dyja; por ai që jep këshilla të mia dhe shembull të keq, ndëron me një dorë dhe prish me tjetrën.

*** Nëse njeriu fillon me qartësi, ai do të përfundojë me dyshime, por nëse është i kënaqur t’ia fillojë me dyshime, do të përfundojë me qartësi.

*** Fantazia i është dhënë njeriut për të plotësuar atë çfarë ai nuk është; sensi i humorit i është dhënë që ta ngushëllojë për çfarë ai është.

AlbertVataj/KultPlus.com

Kosovës

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

113 vite më parë ”Titanic”-u nisi udhëtimin e parë dhe të fundit

Më 10 prill 1912, ”Titanic”-u u nis nga Southampton, pak pas mesditës, duke nisur zyrtarisht udhëtimin e tij të parë, por tragjik.

Pas nisjes nga Southampton-i, rreth 1 846 njerëz ishin në bord që, përbënin shumicën e kapacitetit maksimal të anijes prej 3 547 personash.

Duke u nisur nga Southampton-i, ”Titanic”-u pati një vonesë të vogël, kur sasia masive e ujit që anija zhvendoste pothuajse shkaktoi një përplasje me anijen ”SS New York”.

Ajo u ankorua më vonë në Cherbourg, Francë, rreth orës 18:30 për të marrë më shumë pasagjerë.

Anijet ”SS Nomadic” dhe ”SS Traffic” transportuan grupin tjetër të pasagjerëve në anijen luksoze.

Dyqind e tetëdhjetë e një pasagjerë hipën në Francë, 151 ishin të klasit të parë, 28 ishin të klasit të dytë dhe 102 ishin të klasit të tretë.

Njëzet e katër pasagjerë zbritën nga ”Titanic”-u në Cherbourg pasi udhëtimi i tyre kishte përfunduar.

Shumë nga pasagjerët më të pasur dhe më të famshëm të anijes hipën në Cherbourg.

”Titanic Belfast” raportonte se ”vetëm 21 nga ata që hipën në Cherbourg ishin francezë, me pjesën tjetër nga SHBA, Anglia, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Libani, Polonia, Rusia, Siria dhe Uruguaji.

“Në anije ndodheshin produkte luksoze franceze si shampanjë, verë dhe djathra, përfshirë  34 000 kilogramë mish, 15 000 shishe birrë, 10 000 shishe verë dhe 12 000 shishe ujë mineral”, shkruan ”Titanic Belfast”.

Anija u ankorua në Cherbourg për vetëm disa orë përpara se të nisej, rreth orës 20:10,  për në Queenstown, në Irlandë, në ndalimin e saj të fundit përpara se të nisej për në SHBA dhe të mos kthehej më kurrë./ atsh / KultPlus.com

Anija Art Explora, Rama: Durrësi me statusin “port arti” për 10 ditë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar nga afër anijen “Art Explora” duke u njohur me gjithë gamën e aktiviteteve kulturore që do të ofrohen për dhjetë ditë në qytetin bregdetar të Durrësit, nga ekspozita, te shfaqjet artistike, festivalet dhe koncertet, duke synuar që ta sjellë artin më afër publikut shqiptar.

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirana Sako, kreu i fondacionit francez “Art Explora”, Frédéric Jousset, ministri francez për Evropën Benjamin Haddad dhe organizatorë të tjerë të aktivitetit, ndërsa e ka cilësuar “anijen “Art Explora” një eksperiencë unike, që i jep Durrësit për dhjetë ditë me radhë statusin e një porti arti”.

Qyteti i Durrësit mirëpret kështu një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, teksa katamarani më i madh në botë i llojit të vet, pjesë e iniciativës ndërkombëtare Art Explora, ndalet në portin e qytetit për të sjellë një eksperiencë unike për publikun.

Për dhjetë ditë me radhë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike të një niveli të lartë, të hapura për publikun.

Ky aktivitet i jashtëzakonshëm e kthen Durrësin në një pikë takimi midis artit klasik dhe bashkëkohor, duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare./atsh/KultPlus.com

“Këtu s’do jem do jem larguar, në tokë i tretur si të tjerët’

Poezia e famshme e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.

Këtu s’do jem do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do me kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryje erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do t’vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshësh
Si një blerim pas një rëkeje./KultPlus.com