Kurti fton ndërkombëtarët të rrisin presionin ndaj Serbisë: Nuk mund të ndërtohet paqe me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive

Sot shënohet përvjetori i 26-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Memorialin e të rënëve, pranë të cilit gjendet edhe Guri i Nënës Pashkë.

Kryeministri Kurt u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit për gjenocidin e kryer në Kosovë, pasi sipas tij nuk mund të ndërtohet paqe me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive.

Kryeministri Kurti ka thënë se drejtësia është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm.

“Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre.

Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia.

Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:

7 prill 1999 në Mejë dhe Korenicë, është më e madhja në historinë e luftës së fundit në Kosovë.

Atë ditë, 26 vite më parë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në ditët në vijim, vazhdoi fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive në vendin e krimit.

Të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione. Një pjesë e madhe e tyre u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer, në Serbi janë zbuluar edhe katër varreza tjera masive, me mbi 200 shqiptarë, në Peruqac, Petrovo Selo, Kizhevak e Rudnicë.

Mes civilëve të vrarë ishin edhe Gjovalin e Milan Markaj nga Korenica e Gjakovës. Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë. Tri ditë pas rivarrimit të tyre në Mejë, më 27 maj 2003, nëna e tyre Pashke Krasniqi Markaj, dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë.

Në hyrje të memorialit në Mejë, nderuam kujtimin e Nënës Pashke. Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre.

Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia.

Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë.

Në dhjetor të vitit 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës. Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe efikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë.

Sot e gjithnjë u bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e këtyre krimeve duke hapur arkivat, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për gjenocidin e kryer në Kosovë. Ky është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm. Nuk mund të ndërtohet paqja me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive teksa i mohojnë ato.

Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe përherë, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës!/ KultPlus.com

Doli numri i ri i Revistës Letrare “Jeta e Re”

Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një In memoriam për shkrimtarin dhe përkthyesin e mirënjohur Muhamed Kërveshi, i cili vdiq në shkurt të këtij viti. Kërveshi vjen në këtë numër të revistës me një cikël poezish përzgjedhur nga vepra e tij poetike, me esenë e tij “Imazhi poetik”, si dhe me tekstin kritik për poezinë e tij me titullin  “Poezia dhe koha” të Bajram Krasniqit.

Në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Shtegu i verbërve” të Ndue Ukajt, “Zjarri i komitëve” dhe “Dashuria e parë” të Bedri Tahirit,”Afterparty” të Dhurata Hotit, “Të shikosh nga dritarja” të Orhan Pamuk-ut, “Kapela” të Thomas Bernhard-it dhe “Heronjtë e fundit” të Guido Morsell-it:”

Ndërkaq, me nga një cikël poezish prezantohen Sali Bashota, Nexhat Hallimi, Shefqet Dibrani, Maria Rainer Rilke,Tomazh Shalamun dhe Patrizia Valduga.

Në rubrikën qendrore Dossier, në një hapësirë prej 50 faqesh, prezantohet poetesha e njohur peruane Blanka Varela, e cila përfaqësohet me një cikël të gjerë poezish, me një intervistë dhe me tekstin për jetën dhe veprën e saj me titullin “Asgjë s’tingëllon më bukur se heshtja” të Rosio Silva Stantisteban.

Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Fotografia si organizim stilistik” të Nysret Krasniqit, për të vazhduar me “Teki Dervishi: nga autotreferenca në art” të Arbenitë Xhemajlit , “Pakti i “sikurit” (për romanin “Sikur t’isha djall” të Ag Apollonit) të Granit Sadikut dhe “Alegoritë e progresit: Goethe dhe Hegel përball shkrimit të historisë“ të Daniel Rudy.

Në rubrikën Recensione Fatbadha Statovci shkruan për librin e fundit të akademik Nysret Krasniqit “Kanunet e Gjeçovit” e  Riza Shaqiri për librin me tregime “Pengu i dollisë” të Sedail Zejnullahut, kurse në rubrikën e fundit Classicus vjen në vzhdime “ Këga e Sidit”.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë:  Alket Çani, Qerim Raqi, Erion Karabolli, Arben Idrizi, Azem Qazimi, Valon Veliqi, Ismail Ismaili dhe Kosovar Berisha.

Nxënësit e shkollës ‘Prenk Jakova’ prezantohen me koncert koral në Shkodër

Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës ”Prenk Jakova” nga Gjakova të enjten është prezantuar në Shkodër me koncert koral, nën drejtimin e dirigjentit Kastriot Sada, dhe me korepetitim Gent Kumnova.

Koncerti është mbajtur në sallën e Shkollës Artistike ”Prenke Jakova”. Me pika muzikore interpretuan edhe Diell Ballata-Flaut dhe Liani Juniku-Piano.

Ky bashkëpunim ndërmjet të dyja shkollave me të njejtin emër, shihet si një mundësi e mirë për shkëmbime kulturore mes artistëve të rinj./ KultPlus.com

Andin Hoti: Plaga e të zhdukurve është plagë kolektive, drejtësia ende e paarritur

Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shtunën janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, pranë Kuvendit të Kosovës, homazhe këto që janë organizuar nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Pas homazheve, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se të zhdukurit dhe plaga e tyre nuk janë plagë individuale, por një plagë kolektive që prek tërë shoqërinë kosovare.

Ai theksoi se nuk mund të ketë normalitet pa zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Sipas Hotit, të zhdukurit nuk mund të harrohen as të shërohen vetëm me kalimin e kohës, por vetëm atëherë kur e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në vend për secilën familje.

“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet, pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme bërë varreza masive në Serbi nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpesh herë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne Kosova, qytetarët e Kosovës nuk di të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.

Presidentja Osmani kujton masakrën e Mejës: Çdo person i vrarë dhe i zhdukur, është betim i yni për drejtësi

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Mejës, ku 376 shqiptarë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Presidentja Osani ka thënë se çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i tyre për drejtësi.

“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”

Saz`Iso sjell muzikë tradicionale shqiptare të jugut në Prishtinë

Sot në mbrëmje, grupi i njohur Saz`Iso ka mbajtur një koncert unik në AMC Hall në Prishtinë, ku ka interpretuar muzikë tradicionale shqiptare. Koncerti, i mbështetur nga RTK si sponsor medial, solli tingujt autentikë të Shqipërisë së Jugut për publikun prishtinas.

Gjatë shfaqjes, Saz’Iso ka performuar një repertor të pasur muzikor, duke sjellë një atmosferë të veçantë të traditës shqiptare. Pas koncertit, grupi ka falenderuar publikun për mbështetje duke thënë: “Na keni mbushur zemrat me dashuri të pashterrshme”.

Grupi është drejtuar nga Edit Pula dhe Andrea Goertler, të cilët janë përpjekur që Saz’Iso të arrijë audiencën ndërkombëtare, me mbështetje nga producenti legjendar Joe Boyd dhe inxhinieri fitues i çmimit Grammy, Jerry Boys, që kanë kontribuar në formësimin e tingullit të grupit.

Saz’Iso mbushi sallën plot dhe krijoi një atmosferë fantastike. Koncerti ishte një mundësi për të përjetuar meloditë e pavdekshme në skenë dhe për të mbështetur muzikën tradicionale shqiptare./rtk/ KultPlus.com

Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur, Kurti vendos lule pranë monumentit

Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, janë bërë homazhe tek monumenti i personave të zhdukur, përballë Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë, ka vendosur lule pranë monumentit të personave të zhdukur.

Ndërkohë sot, në orën 12:30, homazhe do të mbahen në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës. Më pas, në orën 14:30, do të zhvillohen homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” pranë Bibliotekës Kombëtare. Në orën 19:00, do të mbahen homazhe dhe do të ndezën flakadanët në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe, për të nderuar ata që u zhdukën gjatë periudhës së luftës.

Në Kosovë  27 Prilli është Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli.

Ismet Peja, doajeni i muzikës së vjetër qytetare

Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më  27 Prill 1937.

Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën, Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.

Ai vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare./KultPlus.com

Edicioni III i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, fituese shkolla 9-vjeçare ‘Selim Alliu’ nga Dibra

Shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra u shpall sot fituese e edicionit të tretë të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në finalen e këtij konkursi ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore etj.

Ministrja Manastirliu në fjalën e saj tha se “jemi në përmbyllje të këtij rrugëtimi dymujor ku në 700 shkolla rreth 11 mijë nxënës kanë garuar përmes dijeve të tyre në gjuhën shqipe në këtë konkurs kombëtar”.

Në një finale plot emocione dhe konkurrencë të fortë u përballën shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra dhe shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan.

Të dyja shkollat finaliste gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë.

Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund, duke e mbajtur publikun në ankth.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza./atsh/ KultPlus.com

Shënohet 27 Prilli, Dita e të Pagjeturve

Sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur.

Kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.

Aktivitete të ndryshme do të organizohen gjatë ditës për të nderuar kujtimin e të pagjeturve dhe për të bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të tyre. Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka planifikuar homazhe në disa vende simbolike të Kosovës, ndërsa programi i aktiviteteve është si më poshtë:

11:00 – Homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur
(Përballë Kuvendit të Kosovës)

12:30 – Homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës
(Mejë)

14:30 – Homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia”
(Biblioteka Kombëtare)

19:00 – Homazhe dhe ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe
(Krushë e Madhe).

Posta e Kosovës me pullë postare nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur gjatë luftës

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka emetuar sot një edicion të pullës postare, kushtuar Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Ky emetim nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe përçon mesazhin e kujtesës kolektive, dhimbjes së përbashkët dhe përkushtimit të pandërprerë për zbardhjen e fatit të tyre.

Përmes këtij edicioni, Posta e Kosovës shpreh solidaritet me familjet që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë, duke mbështetur të drejtën e tyre themelore për të ditur fatin e më të dashurve.

Emetimi përfshin një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë, të cilat do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.

Si bartëse e historisë dhe e kujtesës sonë kolektive, pulla postare këtë herë ngre zërin për drejtësi – një zë që mbetet i gjallë dhe i patjetërsueshëm në ndërgjegjen tonë shoqërore./ KultPlus.com

Tiranë, 27 prill 1938, në ditën e kurorëzimit të Mbretit Zog I me Konteshën, Géraldine Apponyi

Nga Albert Vataj

Në një mëngjes të artë pranvere, kur qyteti i Tiranës sapo kishte nisur të merrte frymë me një ritëm që përzihej midis traditës dhe ëndrrave moderne, ndodhi një ngjarje që do të mbetej e ngulitur përgjithmonë në kujtesën kombëtare shqiptare: Martesa e Mbretit Zog I me Konteshën Géraldine Apponyi.

Ishte 27 prilli i vitit 1938 – një datë që pulsonte në zemrën e një Shqipërie të etur për stabilitet, përkohësisht të vetmin Mbreti kishte zgjedhur të kurorëzonte jo vetëm një bashkëshorte, por edhe një shpresë të re për vendin që e kishte ndjekur me besnikëri mes furtunash dhe sfidash. Në ceremoninë madhështore që mbërtheu kryeqytetin, Tirana u stolis me flamuj kombëtarë, me shallvara të ngjyrosura të vajzave të reja, me aromë dafinash dhe lule portokalli që i dhanë ditës një shije amfore të rrallë.

Géraldine, aristokratja e hijshme, me gjak hungarez dhe amerikan, mbërriti në krah të Mbretit me një sharm që prekte njëkohësisht kontinentalen dhe ëndrrën e re për Shqipërinë. E quajtur ndonjëherë me përkëdheli “Mbretëresha e Borës së Bardhë” për bukurinë e saj të brishtë dhe fisnikërinë natyrale, ajo u bë simbol i një elegance të pastër dhe të paqtë që rrallëherë e kishte parë ky vend.

Kostumi i saj i nusërisë ishte një himn delikatesë: një fustan i bardhë mëndafshi, me një vel të gjatë dhe të tejdukshëm që valëvitej lehtë mbi supet e saj të holla, duke e bërë atë të dukej si një figurë e dalë nga legjendat e vjetra të Evrope. Në kokë mbante një diademë me diamante – një dhuratë e Mbretit Zog – që shndriste nën rrezet e diellit shqiptar sikur vetë yjet të ishin thirrur për të bekuar këtë martesë.

Ceremonia u mbajt në Pallatin Mbretëror në Tiranë, e ndjekur nga elita politike shqiptare, përfaqësues të huaj diplomatikë dhe fisnikë nga mbarë Evropa. Orkestra mbretërore tingëllonte një himn solemn, ndërsa fjala “PO” u shqiptua me një solemnitet që përziente një dramë të brendshme kombëtare me një ëndërr personale. Në çdo gjest të Mbretit Zog lexohej një përpjekje për ta lidhur historinë e Shqipërisë me një botë që përtej kufijve të saj ndiente ende frymën e aristokracisë dhe trashëgimisë së lashtë.

Në oborrin e pallatit, fotografët kapën disa nga pamjet më prekëse të historisë shqiptare: buzëqeshjet e reja të Géraldine-s, përkuljen plot respekt të Mbretit para saj, shikimet që përshkruanin një lidhje të thellë midis detyrës dhe ndjenjës, midis dëshirës për të dashur dhe përgjegjësisë për të mbretëruar. Disa foto tregojnë Mbreteshën duke shtrënguar dorën e vogël të një fëmije shqiptar — një simbol i dashurisë që ajo do të ushqente për popullin e saj të ri.

Pas aktit solemn, Tiranë shndërrohej në një festë të zjarrtë popullore. Tupanët dhe çiftelitë kumbonin në rrugët e qytetit, gratë shtriheshin në valle të zjarrta ndërsa burrat këndonin këngë labe, përzier me emocionin që s’mund ta mbante dot brenda muret e zakoneve të lashta.

Por kjo nuk ishte thjesht një martesë mbretërore. Kjo ishte një përcjellje e heshtur e një shprese kombëtare – një shpresë për një jetë më të begatë, për një Shqipëri që do të hynte në shekullin XX me një fytyrë të re, të buzëqeshur, të dëlirë.

Në retrospektivë, martesa e Zogut dhe Géraldine-s është një nga ato çaste të rralla kur historia dhe ndjenja njerëzore shkrijnë kufijtë mes tyre. Ajo mbetet një testament i një përpjekjeje të sinqertë për të ndërtuar një jetë të re, për të përtërirë një komb dhe për të besuar, ndonëse për një moment të shkurtër, se dashuria mund të jetë mbretëresha më e fuqishme mbi të gjitha mbretëritë./ KultPlus.com

Natasha Kandiq sot nderohet me Çelësin e Qytetit nga Komuna e Prishtinës

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, sot do t’ia dhurojë Çelësin e Qytetit aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.

Ceremonia do të mbahet në ora 16:00, në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.

Natasha Kandiq është një nga figurat më të njohura në fushën e aktivizmit për drejtësi dhe të drejtat e njeriut në Ballkan.

Ajo është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC), një organizatë joqeveritare me seli në Beograd, e cila që nga viti 1992 ka mbledhur dëshmi dhe fakte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

​26 vjet nga masakra në Mejë

Para 26 vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.

Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

Shko Dallëndyshe…

Poezi nga Filip Shiroka

Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n’Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’qytetin tim.
Shëndet prej meje të m’i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t’përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t’përfalesh
n’ato fusha që m’ka Shkodra
të lulzueme, aty t’ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T’mujsha dhe un’ me fluturue
dojsha dhe un’ me u nisë me ty,
dojsha n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at’vend me sy!
Por… ti shko atje… fluturim
e ti qajma fatin tim./ KultPlus.com

“Më tutje, më larg përtej vetes time të kërkoj”

Pedro Salinas. Sjellë në shqip nga Elona Caslli.

Po, përtej njerëzve
të kërkoj.
Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin,
as në imazhin tënd, po ta pikturojnë.
Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.

Përtej vetes tënde të kërkoj.
Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde,
as në shkrimin tënd
dhe madje as në shpirtin tënd.
Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.

Më tutje, më larg
përtej vetes time të kërkoj.
Ti nuk je veçse
ajo çka ndiej.
Nuk je veçse
ajo çka rreh bashkë me gjakun
në venat e mia.
Nuk je brenda meje.

Dhe për të të gjetur
duhet të mos jetoj më
brenda teje,
brenda vetes time
dhe brenda njerëzve.
Duhet të jetoj përtej gjithçkaje,
në bregun tjetër të gjithçkasë,
për të të gjetur ty
njëlloj sikur të vdisja./ KultPlus.com

‘Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes’

André Gide ishte një autor francez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (në 1947).

Ai është autor i më shumë se pesëdhjetë librave. Gazeta “The New York Times” e kishte përshkruar atë si “njeriu më i madh bashkëkohor i Francës në letra”.

Për lexuesit tanë sjellim këtë koleksion me thëniet më të bukura të tij:

Të dish të lirosh veten nuk është asgjë; gjëja e mundimshme është të dish çfarë të bësh me lirinë e dikujt.

Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin të harrojë bregun.|

Besojuni atyre që kërkojnë të vërtetën. Dyshoni tek ata që e gjejnë.

Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes.

Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri.

Ngjyra e së vërtetës është gri.

Vetëm ato gjëra janë të bukura të cilat janë të frymëzuara nga çmenduria dhe të shkruara nga arsyeja.

Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet.

Ju lutem mos më kuptoni shumë shpejt.

Të kesh zili për lumturinë e një njeriu tjetër është çmenduri; nuk do të dinit çfarë të bënit me të nëse do ta kishit.

Ai që dëshiron një trëndafil duhet ta respektojë gjembin e tij.

Vetëm budallenjtë nuk e kundërshtojnë vetveten.

Ka shumë gjëra që duken të pamundura për aq kohë që dikush nuk i provon ato.

Frika nga tallja lind frikacakun më të keq.

Guxo të jesh vetvetja.

Atëherë ju mendoni se dikush mund të mbajë një dashuri të pashpresë në zemrën e tij për aq kohë sa? … Dhe se jeta mund të marrë frymë mbi të çdo ditë, pa e shuar atë?

Ji besnik ndaj asaj që ekziston askund tjetër veç te vetja jote – dhe kështu bëhu i domosdoshëm.

Urtësia nuk vjen nga arsyeja por nga dashuria.

Eshtë më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të të duan për atë që nuk je.

Si do të ishte një rrëfim i lumturisë? E tëra që mund të përshkruhet është se çfarë e përgatit atë, dhe pastaj çfarë e shkatërron atë.

Veprimet më vendimtare të jetës sonë – dua të them ato që ka më shumë të ngjarë të vendosin gjithë rrjedhën e së ardhmes sonë – janë, më shpesh , të pamenduara.

Ne duhet ta shijojmë këtë verë, lule më lule, sikur të ishte e fundit që do të shohim.

Të lexosh një shkrimtar është për mua jo thjesht të marr një ide se çfarë thotë ai, por të shkoj me të dhe të udhëtoj në shoqërinë e tij.

Çdo çast i jetës sonë është në thelb i pazëvendësueshëm: duhet ta dini këtë në mënyrë që të përqendroheni në jetë.

Unë nuk dëshiroja asgjë përtej buzëqeshjes së saj dhe të ecja me të kështu, dorë për dore, përgjatë një dielli të ngrohur, në shtegun e luleve.

Trishtimi nuk është pothuajse kurrë asgjë, por një formë e lodhjes.

Kapaciteti për të fituar falas nuk është asgjë; aftësia për të qenë i lirë është detyra.

Gjërat më të rëndësishme për të thënë janë ato që shpesh nuk i mendoja të nevojshme t’i thosha – sepse ishin shumë të dukshme.

Mirëpriteni gjithçka që ju vjen, por mos dëshironi për asgjë tjetër.

Arti fillon me rezistencën – në pikën ku rezistenca kapërcehet. Asnjë kryevepër njerëzore nuk është krijuar kurrë pa punë të madhe.

Arti është një bashkëpunim midis Zotit dhe artistit, dhe sa më pak që bën artisti, aq më mirë.

Në mënyrë që të jem plotësisht i lumtur, e vetmja gjë e nevojshme është të përmbahem nga krahasimi i këtij momenti me momentet e tjera në të kaluarën, të cilat shpesh nuk i shijoja plotësisht, sepse i krahasoja me momentet e tjera të së ardhmes.

Më shpesh njerëzit kërkojnë situata të jetës për të këmbëngulur në mendimet e tyre sesa për të arsimuar veten e tyre.

Rrugët më të rrahura janë sigurisht më të sigurtat, por mos shpresoni të fitoni shumë me to.

Kam ndërmend t’ju sjell forcë, gëzim, guxim, zgjuarsi, sfidë.

Novelisti nuk ka shumë dëshirë ta shohë luanin duke ngrënë bar. Ai e kupton që i njëjti Zot krijoi ujkun dhe qengjin, pastaj buzëqeshi, “duke parë që puna e tij ishte e mirë”.

Ata krijojnë dallime dhe rezerva të cilat unë nuk mund t’i zbatoj për vete, sepse ekzistoj vetëm si një i tërë; I vetmi pretendim im është të jem i natyrshëm dhe kënaqësinë që ndiej gjatë një veprimi, e marr si shenjë se duhet ta bëj.

Vetë gjërat që më ndanin dhe më dallonin nga njerëzit e tjerë ishin ato që kishin rëndësi; gjërat që askush tjetër nuk do të donte dhe nuk mund të thoshte, këto ishin gjërat që unë kisha për të thënë.

Krijimet më të bukura të burrave janë vazhdimisht të dhimbshme. Cili do të ishte përshkrimi i lumturisë?./KultPlus.com

Kultura e Kosovës në Portugali, ansambli “Shota” në hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” po përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali. 

Kosova është pjesë e festivalit bashkë me shtetet e tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia. 

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku. Më poshtë gjeni postimin e plotë:

E nderuar që bashkë me Kryetarin e Komunës së Almeirim Pedro Miguel Ribeiro dhe Kryetarin e Festivalit Ricardo Casebre të bëjmë hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali. 

Në edicionin e sivjetmë, krenari të pafund na dhanë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, që me performancat e tyre po përfaqësojnë denjësisht kulturën e Kosovës krahas shteteve të tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia. Ndërmjet datave 24 prill – 1 maj ansamblet gjegjëse, artdashësit e spektatorët e 7 komunave në Portugali do të kenë mundësi të njihen me vlerat e kulturave të ndryshme dhe të shijojnë diversitetin që secila nga to sjellë në mozaikun botëror të trashëgimive kulturore e folklorike. 

Falenderim i veçantë shkon për gjithë ekipën e Ansamblit “Shota” që na bënë zemrën mal me performancat e tyre, sidomos për përfaqësuesit e Ansamblit, z. Agron Syla – Drejtues, z. Besnik H. Grajcevci – Solist i Parë, znj. Artiola Shala – Valltare, të cilët morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes në komunën Almeirim dhe me të cilët bashkë bëmë nderimin e flamurit të Kosovës në sheshin kryesor./ KultPlus.com

Hap pas hapi, si zgjidhet Papa i ardhshëm

Kardinalët qëndrojnë në rreshta në funeralin e Papës. Ata janë të veshur me pelerinë të kuqe dhe një kapele në kokë.

Sipas mediave të huaja, në 15 deri në 20 ditë pas varrimit të Papa Françeskut, Kolegji i Kardinalëve do të thërrasë kardinalët në Romë për të zgjedhur Papën e ardhshëm.

Ata do të mblidhen në Kapelën Sistine të Vatikanit. Pasi të kenë hyrë kardinalët, ata nuk mund të komunikojnë me botën e jashtme derisa të zgjidhet një Papë i ri.

Kardinalët duhet të jenë nën 80 vjeç për të votuar, që do të thotë se vetëm 135 nga 252 kardinalët do të kenë të drejtë vote.

Një Papë i ri kërkon dy të tretat e shumicës, por kjo mund të marrë kohë, shkruan A2 CNN.

Një raund votimi bëhet në pasditen e parë të konklavës (mbledhja) dhe më pas votimi do të bëhet deri në katër herë çdo ditë më pas.

Nëse konklava (mbledhja) përfundon ditën e tretë pa marrë një vendim, kardinalët mund të ndalojnë për një ditë lutjeje përpara se të rifillojnë votimin.

Nëse nuk merret vendim pas 33 raundeve, do të ketë një balotazh midis dy kandidatëve më të votuar, por njëri prej tyre do të duhet të marrë dy të tretat e votave për t’u zgjedhur Papë./ KultPlus.com

Një “Bashkëbisedim me nënlokën” në Shkodër: Fetah Shehu sjell në Galeri ODA peshën e luftës dhe të kujtesës

Në qytetin e Shkodrës, në galerinë ODA, u hap ekspozita personale e artistit të ri nga Kaçaniku, Fetah Shehu. Për herë të parë në Shkodër, Shehu prezanton punën e tij të ndjeshme dhe të fuqishme përmes ekspozitës me titull “Bashkëbisedim me nënloken”.

Punimet e tij, të përqendruara në portrete dhe shikime të mbushura me emocione të thella, sjellin para publikut kujtesën e dhimbshme të luftës në Kosovë. Çdo vështrim i kapur nga dora e artistit është një rrëfim pa fjalë, një dëshmi e fuqishme e dhimbjes, forcës dhe qëndresës.

Artëdashës të shumtë, turistë dhe miq të artistit u mblodhën në hapjen e ekspozitës, duke përjetuar emocionet që përcjellin mjeshtërisht punimet e tij. Fetah Shehu, i lindur pas përfundimit të luftës, shprehet se përmes artit të tij dëshiron t’i tregojë botës këtë faqe të rëndë të historisë së Kosovës, të rrëfyer nga vetë nënlokja e tij, si një kujtesë e gjallë dhe e përjetshme.

Galeria ODA, me magjinë e saj për të sjellë në Shkodër artistë nga mbarë bota, edhe këtë herë dëshmon rolin e saj si një hapësirë e gjallë e kulturës. Në historikun e saj, dhjetëra artistë kanë sjellë artin e tyre këtu, por njëkohësisht kanë marrë me vete një copë Shkodër — histori, traditë dhe shpirt.

Ekspozita “Bashkëbisedim me nënlokën” do të qëndrojë e hapur për 10 ditë, duke ftuar publikun të njohë përmes artit një nga faqet më të ndjeshme të historisë shqiptare./ KultPlus.com

Dhe më në fund e gjeta

Poezi nga Marina Cvetaeva

Dhe më në fund e gjeta
Atë që më është i nevojshëm:
dikë që ka nevojë për mua
– si ajri.

Sa më e zezë dhe vdekjeprurëse –
më e domosdoshme është nevoja
e tjetrit – për ty. I cili
nuk mund të bëjë më pak

për mua – buka dhe frymëmarrja e tij.
I lipsem – dikujt:
lipset, përgjigjem
me thirrjen e parë.

Më i lartë, më i sigurt dhe dhe siguri
e maleve: kujtdo
i duhet një dorë: imja!
në plagë!

Dhe gjithë krahun – në zjarr!
Më shumë se drita e syve
më shërben nevoja njerëzore
mua- si fryma./ KultPlus.com

Ushtarët e KFOR-it stërviten për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave

KFOR ka njoftuar se një stërvitje për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave është kryer nga batalioni Taktik Rezervë i KFOR-it dhe Njësia Shumëkombëshe Speciale.

Në njoftim është shtuar edhe se, trajnimi është bërë për të ruajtur gatishmërinë e tyre të lartë operacionale.

Njoftimi:

Batalioni Taktik Rezervë i KFOR-it (KTRBN) dhe Njësia Shumëkombëshe e Specializuar (MSU) e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO zhvilluan trajnim për Kontrollin e Turmave dhe Trazirave në Kampin Novo Selo për të ruajtur gatishmërinë e tyre të lartë operacionale. Një fazë aktiviteti u zhvillua në koordinim të ngushtë me Detashmentin e Mbështetjes së Lëvizshmërisë (MSD) dhe me Ekipin Taktik të Psikopëve (TPT). Gjatë ushtrimit, u vendos edhe një top uji si pjesë e trajnimit.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./ KultPlus.com

Trump kërcënon Rusinë me sanksione pas takimit me Zelenskyn

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas takimit të së shtunës me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nuk ka asnjë arsye pse presidenti rus Vladimir Putin “ka lëshuar raketa në zona civile, qytete dhe qyteza ditët e fundit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk do ta ndalojë luftën, thjesht po tallet me mua dhe se duhet të trajtohet ndryshe, nëpërmjet ‘sanksioneve dytësore?. Shumë njerëz po vdesin!!!” vazhdoi ai.

Komentet e tij vijnë ndërsa Uashingtoni ushtron presion mbi Ukrainën që të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që do të përfshinte lëshime të mëdha, si financiare ashtu edhe territoriale, dhe ndërsa Moska vazhdon të bombardojë fqinjin e saj pavarësisht kërkesave të saj të deklaruara për paqe./ KultPlus.com