“Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë.
Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”
Kalatë apo kështjellat jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën emërtimet e tyre i marrin ose nga vendet dhe qytetet ku janë ngritur si psh: kalaja e Beratit, Krujës, Prizrenit, Kaninës, Lëkursit, Porto Palermos, Elbasanit, Kardhiqit, Libohovës etj.
Po ka edhe kala që marrin emërin e personazheve të njohur që shpesh kthehen në mite si kalaja e “Rozafës”, në Shkodër dhe “Argjiros” në Gjirokastër dhe kala që emërtohen me emrin e prijsit e mbretërve të kohës si: Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë e Janinë etj.
Në tërë historinë e tyre kalatë janë ndërtuar si fortifikime të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetet dhe njëkohësisht në pika dominante shumë të vështira për t’u pushtuar. Me këtë mision mbrojtës vjen në historinë e kalave dhe fortifikimeve në vendin tonë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve edhe kalaja e Gjirokadtrës. Këtë kala madhështore herë e quajnë si një kryqëzor gjigand që ka hedhur spirancën aty majë shkëmbit për të qëndruar përjetësisht dhe herë e quajnë si një shqiponjë që ka hapur krahët dhe është gati për fluturim, por që nuk dihet çfarë e ndalon për t’u ngritur lart në qiell dhe ngeli e ngurtësuar me krahët hapur për të mbrojtur qytetin. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit të XX kjo kala do të quhej “Kalaja e Festivalit”.
Nuk e di nëse për kalanë e Gjirokastrës para vitit 1968 kur në sheshin e saj hapi siparin Festivali i parë Folklorik Kombëtar të jetë kënduar ndonjë këngë për të, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XX-të për këtë kala populli ka kënduar shumë këngë, duke e bërë atë ndoshta të vetmen jo vetëm në rajon por shumë më gjërë. Nga ky vit e në vazhdim kalaja e Gjirokastrës për faktin se aty në çdo pesë vjet organizohej Festivali Folklorik Kombëtar ajo mori emërtimin mbarë popullor si “Kalaja e Festivalit”.
Ja çfarë thotë një nga këngët e këtij festivali: “Na buron nga zemra,/Kënga më e mirë,/Në Kalanë e Festivalit,/ Plot me misafirë./ Moj kala ç’mur të ka rënë,/Andej armë e këndej këngë“.
Dhe kënga tjetër: “Ndezi këngën Shqipëria,/Në Kalanë e Festivalit,/ Te ky shesh s’harron kurrë,/ Këngën e Xhevat Avdallit./Na vjen këtu Demir Zykoja,/Gojë mblajti nga Skrapari,/Krah për krah Hafsa Zyberi,/ Madhështor Mentor Xhemali.”
Por në se nuk dimë se çfarë këngësh i janë kushtuar kalasë së Gjirokastrës shekuj më parë mendoj se këngët e para aty janë kënduar që në kohën kur janë grumbulluar gurët e parë dhe janë hapur themelet për të ndërtuar muret e kalasë. Ustallarët kur pushonin në kohën e drekës duke qënë banorë të travave ku kultivohej polifonia me siguri ja merrnin këngës për të shprehur dertet e shpirtit.
Natyrshëm lind pyetja: Pra çfarë ishin këngët e ustallarëve në mijëvjeçarin e parë të pas Krishtit kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës?
Mendoj se këngët e tyre do të ishin me melodi të karakterit epik të rënda monostrofike, të zvargura, të thella, të përshtatura me kohën dhe vendin ku këndoheshin. Këngët e ustallarëve që unë po i quaj “Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë, ndoshta dhe frikacakë e tradhëtarë çka i bën ato në një farë mënyre të jenë memorja e historisë.
Këngën gjithmonë e ka pasur bashkëudhëtare të jetës shqiptari. Këngë këndonte në dasma e gëzime familjare, këngë u këndonte trimave kur i përcillte në luftë dhe këngë u këndonte luftëtarëve kur binin në fushën e betejës. Të tilla i imagjinoj këngët e ustallarëve kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës.
Nisur nga ato që thotë historia se në fillim është ndërtuar kalaja dhe pastaj qyteti mendoj se këngët e ustallarëve kanë qënë këngët e para të trashëgimisë folklorike të qytetit të Gjirokastrës. Ato melodi dhe ajo strukturë tonalo-modale e këngëve të ustallarëve të kalasë në rrugëtimin e tyre, në vite e shekuj, në evolucionin që pësuan nga përpunimi që i bëri Artisti Popull janë burimi dhe origjina e këngës gjirokastrite.
Nga vitet e origjinës e deri më sot kënga gjirokastrite nuk mendoj se ka patur ndryshime rrënjësore si psh: të jetë kënduar këngë e shoqëruar me saze e sot të jetë polifoni apo e kundërta.
Nuk kemi dokumenta të shkruara të rrugëtimit të këngës gjirokastrite që të vërtetojnë origjinën e këngës së sotme të qytetit të gurtë por për veçoritë e saj, kontrastet me këngët e tjera të rajonit e më gjërë, autenticiteti i saj i paprekur nga lashtësia deri në ditët e sotme e bëjnë këngën gjirokastrite nivelin më të lartë të polifonisë shqiptare.
U ula të shkruar për Kalanë e Gjirokastrës “Kalanë e Festivalit” në këtë vit të 50 vjetorit të Festivalit Folklorik Kombëtar si manifestimi madhështor i trashëgimisë kombëtare. Panteoni ku Artisti i madh Popull shpalosi me tërë pasionin e shpirtit perla nga trashëgima folklorike si pjesë e indentiteti tonë kombëtar. /KultPlus.com
Për nder të Ditës Botërore të Teatrit, në Prizren vjen shfaqja “Masë për Masë” nga William Shakespeare me regji të Altin Bashës, më 27 mars nga ora 20:00.
Pas sukseseve në Gjakovë, Tiranë dhe Vlorë, kjo vepër e fuqishme e dramaturgjisë botërore do të magjepsë publikun prizrenas me një kast të jashtëzakonshëm aktorësh:
Xhevdet Doda, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edona Sopaj, Edonis Kastrati, Rifat Smani, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti, Altina Kusari, Edi Gjakova.
Bashkëprodhim mes Teatrit “Hadi Shehu” Gjakovë dhe Teatrit “Bekim Fehmiu” Prizren, me producentë Albulena Bokshi & Burim Mustafa dhe një ekip krijues të jashtëzakonshëm:
Saranda do të ketë shumë shpejt një parkim të ri, në hyrje të qytetit për autobusët dhe mbi 100 automjete.
Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me sipërmarrës në Sarandë, që janë kthyer nga emigrimi, Rama theksoi se po zbatohen projekte me Fondin Shqiptar të Zhvillimit në disa qytete të vendit.
“Problemi i parkimeve është kudo, për shkak të rritjes eksponenciale të turistëve. Po punohet për ndërtimin e parkimit në hyrje të qytetit, te “Rruga 5”. Parkimi po bëhet për 14 autobusë që të mos futen në qytet. Dhe për mbi 100 makina. Ideja për vijimin është që pak nga pak të ndërtojmë parkime. Dhe kemi një sërë projektesh që po zbatohen me FSHZH”, deklaroi kryeministri.
Rama tha se po punohet që në projektin e parkimit të përfshihen edhe disa shërbime, të tilla si dhënia me qira e motoçikletave, biçikletave, apo makinave elektrike./ KultPlus.com
“Borëbardha”, filmi i ri version i Disney ka kryesuar tabelën e shitjes së biletave të Amerikës së Veriut, pavarësisht nga një mori kritikash të pakta.
Sipas Box Office Mojo , filmi ka marrë rreth 87.3 milion dollarë globalisht gjatë fundjavës së hapjes. Pothuajse gjysma e kësaj shifre erdhi nga Amerika e Veriut. Por kjo është nën pritshmëritë për një film që thuhet se kushtoi më shumë se 270 milionë dollarë.
Ripërpunimi i animacionit me metrazh të gjatë të vitit 1937 ishte dukur si një sukses i sigurt përpara se të kishte një seri polemikash përpara publikimit të tij. Rindërtimi i Borëbardhës dhe Shtatë Xhuxhëve u bë një pikë debati për ndarjet sociale dhe politike, edhe para se të arrinte në kinematë në mbarë botën.
Kjo përfshinte disa kritika për kastin e Rachel Zegler, e cila është me origjinë kolumbiane, si heroinë, pasi lëkura e saj nuk është e bardhë si bora. Pati gjithashtu një reagim në lidhje me komentet pro-palestineze të Zegler dhe për komentet pro-izraelite nga aktorja izraelite Gal Gadot, e cila luan njerkën e Borëbardhës, Mbretëreshën e Ligë. Dhe ka një debat të vazhdueshëm nëse duhet të kishte xhuxha në film.
Në Kinën kontinentale, Borëbardha renditet jashtë pesë filmave më të mirë në kinema, sipas faqes së internetit të EntGroup në China Box Office . Në vendin me më shumë se 1.4 miliardë banorë, ai solli më pak se 1 milion dollarë në tre ditët e para në kinema.
“Unë dyshoj se polemikat e shumta kanë zbehur tërheqjen e filmit,” i tha BBC-së konsulenti i industrisë së argëtimit Patrick Frater. “Kjo dhe ndikimi në rënie i shumë prodhimeve të Hollivudit në Azi që ne kemi parë që nga fillimi i pandemisë.”
Në grumbulluesin e komenteve Rotten Tomatoes , Borëbardha ka një rezultat të kritikëve prej vetëm 44%, megjithëse reagimi i audiencës ‘Popcornometer’ qëndron në 73%. Wendy Ide i The Guardian e përshkroi atë si “të tmerrshëm deri në gishtat e këmbëve”, por David Rooney i Hollywood Reporter e quajti filmin “kryesisht magjepsës”.
Me xhuxhët e tij rrëqethës CGI dhe tonin e ngatërruar, xhirimi i fundit i Disney-t në aksion të drejtpërdrejtë “nuk është katastrofik”, por është “një përzierje magjepsëse”, tha Nicholas Barber i BBC-së./ EuroNews/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të zbatohet një skemë e re mbledhjeje TVSH-je për bizneset që operojnë në fushën e hotelerisë, pasi ballafaqimi i shifrave të turistëve me netqëndrimet nuk përputhen.
Gjatë një takimi në Sarandë, me sipërmarrës të rinj të kthyer nga emigrimi, Rama tha se pas një konsulte me ekspertë vendas dhe të huaj, qeveria i ka propozuar biznesit të parapaguajë 65% të kapacitetit akomoduese përgjatë pikut, që përfshin periudhën maj-shtator dhe vetëm 30% në periudhën e dimrit, për t’i krijuar hapësirë edhe biznesit të mbajë dhe paguajë punonjësit.
“Duam të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe me buzëqeshje të lehtë që tregon mirëkuptim, duhet të pranoni se bëni hile me deklarimin e shtretërve. Çështja është që kjo hile na pengon të bëjmë më shumë për qytetet, sepse nuk i jepet mundësia bashkisë të mbledhë të ardhurat që i takojnë nga okupimi i shtretërve”, theksoi kryeministri.
Rama shtoi se askush nuk mund të pretendojë se në Ksamil apo Sarandë ka shtretër bosh në korrik. Por, vijoi ai, po të shikoni deklarimet tuaja, duket se jeni në vështirësi.
Kryeministri informoi se qeveria ka ulur TVSH-në për këtë sektor, enkas për ta mbështetur atë.
“Është TVSH-ja më e ulët në Mesdhe dhe Rajon. Më e ulët se në Malin e Zi, Kroaci, apo Greqi dhe prap ju bëni sikur nuk kuptoni”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se për të hyrë në një proces normalizimi dhe evituar inspektimet në sezon, në një konsultim me ekspertizë ndërkombëtare, është vendosur t’i jepet një opsion strukturave hoteliere për të pranuar një paradeklarim me marrëveshje, që për periudhën e pikut, nëse nuk duan asnjë kontroll, të parapaguajnë 65%.
“Është besoj shumë e ulët në raport me të vërtetën, por ne duam ta fillojmë kështu, uniform. Kush paguan nuk ka asnjë kontroll për këtë periudhë, por ka pas edhe 30% të periudhës së dimrit që bën një lloj balance për të krijuar mundësinë e mbajtjes së stafeve”, u shpreh Rama.
Të gjitha ata që pranojnë këtë marrëveshje, siguroi ai, nuk do të kenë asnjë kontroll.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se për këtë marrëveshje është bërë konsultim me operatorët, janë parë disa praktika dhe për të mos hyrë me forcë dhe krijuar shqetësime te biznesi, por edhe për të filluar një formalizëm gradual, ky është një opsion që mund të zgjidhet.
“Nëse nuk do të zgjidhni këtë opsion, do të përballeni me kontrolle që do të jenë më të ashpra nga pikëpamja e sanksioneve”, tha ai.
Ai vuri në dukje se ky propozim përgjithësisht është pritur mirë.
“E di që do të donit të kishit TVSH zero, por nuk është e mundur. Me këtë vendosim një lloj rendi punësh dhe i gjithë kontributi juaj nga taksa e okupimit të shtretërve kthehet prapa te ju, sepse është direkt e ardhur e bashkisë që kthehet për ato gjëra që janë të nevojshme për ju”, shtoi Rama.
Rama foli edhe për shfrytëzimin e plazheve.
“Kemi nxjerrë një vendim të ri sa i përket shfrytëzimit të plazheve, pasi ka qenë problem dhe vitin e shkuar u bë problem me uzurpimin e plazheve nga subjektet private. Kemi vendosur një raport të ri në shfrytëzimin e tyre për tu dhënë mundësinë subjekteve, por edhe qytetarëve të kenë plazhin e tyre, në rast se duan të shkojnë në një plazh publik”, informoi Rama.
Producentja ekzekutive e dramës “Adolescence”, Hannah Walters ka thënë se ka marrë “shumë mesazhe mirënjohjeje” nga prindër të motivuar për të bërë biseda të hapura me fëmijët e tyre.
Hannah Walters punoi së bashku me bashkëshortin e saj, Stephen Graham për të krijuar serialin, i cili ndjek rastin e një djali 13-vjeçar të arrestuar për vrasjen e një shoqe klase, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
“Prindërit po më dërgojnë shumë mesazhe falënderimi, shumë mesazhe mirënjohjeje, sepse ata po i hapin dyert e dhomave të gjumit dhe po flasin me fëmijët e tyre në mënyra që nuk kishin folur me ta më parë”.
“Dhe unë mendoj se kjo ishte gjithçka që duhej të bënim – t’i lëmë të gjithëve pak dhe thuaj, hajde, është detyra jonë tani të sigurohemi që ky brez të mos humbasë, sepse është kaq e lehtë t’i humbësh ata”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv
Netflix Një fotografi e Stephen Graham dhe Owen Cooper në dramën e Netflix Adolescence
Drama jo vetëm që ka fituar lëvdata që nga publikimi i saj, por gjithashtu ka provokuar debat rreth çështjeve që ngre, duke përfshirë ndikimin që mund të kenë ndikuesit mizogjenë në internet tek të rinjtë.
Ëalters i tha BBC-së se priste që seriali të kishte një ndikim, por nuk parashikonte që të kishte një efekt kaq të thellë.
Në Panairin e Librit në Leipzig 2025, Biblioteka Kombëtare do të prezantohet me një program të pasur dhe tituj të shumtë të botimeve të reja në Kosovë.
Nën moton “Fjalët Lëvizin Botët” të Panairit të sivjetëm të Librit në Leipzig 2025, Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të prezantojë letërsinë e autorëve të shquar kosovarë, duke promovuar kulturën shqiptare dhe krijimtarinë letrare nga Kosova në një skenë ndërkombëtare.
Kjo letërsi, me historinë dhe diversitetin e saj të pasur, vazhdon të dëshmojë fuqinë e fjalës si një mjet identiteti, kulture dhe fryme krijuese. Përpos mbi 100 titujve të përzgjedhur të cilët do të ekspozohen në panair, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka përgatitur materiale të tjera promovuese për stendën e Kosovës, duke përfshirë:
Katalogun e autorëve shqiptarë nga Kosova
Ky katalog, në Panairin e Librit në Leipzig 2025, paraqet një përzgjedhje të autorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët përfaqësojnë breza dhe gjini të ndryshme letrare, nga poezia dhe proza te studimet letrare dhe dramaturgjia.
Autorët e përfshirë në këtë katalog vijnë nga Kosova dhe diaspora, duke pasuruar mozaikun e letërsisë shqipe me perspektiva të ndryshme artistike dhe tema universale. Veprat e tyre eksplorojnë historinë, kujtesën, identitetin, përvojën e migrimit, dashurinë, sfidat shoqërore dhe filozofinë e ekzistencës, duke ofruar një pasqyrim të gjerë të realitetit të Kosovës ndër vite.
Broshurën me titujt e ekspozuar
Në Panairin e Librit në Leipzig 2025, kjo broshurë paraqet një përzgjedhje të autorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët përfaqësojnë breza të ndryshëm shkrimtarësh dhe zhanre të larmishme letrare, nga poezia dhe proza deri te studimet letrare dhe drama.
Autorët e përfshirë në këtë broshurë vijnë si nga Kosova, ashtu edhe nga diaspora, duke pasuruar mozaikun e letërsisë shqipe me përspektiva të ndryshme artistike dhe tema universale. Veprat e tyre eksplorojnë historinë, kujtesën, identitetin, përvojën e migrimit, dashurinë, sfidat sociale dhe filozofinë e ekzistencës, duke ofruar një pasqyrim të gjerë të realitetit kosovar ndër vite. Katalogu përfshin gjithashtu botime të përkthyera në gjuhë të huaja, me synimin për ta shtrirë letërsinë shqipe të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Duke i sjellë këto vepra para një audience ndërkombëtare, Kosova jo vetëm që forcon praninë e saj letrare në Evropë, por edhe nxit dialogun, shkëmbimin dhe bashkëpunimin mes autorëve, botuesve dhe lexuesve.
Fletushka dhe materiale të tjera promovuese, të cilat ofrojnë një pasqyrë të pasurisë dhe diversitetit të letërsisë shqipe.
Pjesëmarrja e Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig realizohet në bashkëpunim me rrjetin letrar “Traduki”. Biblioteka Kombëtare e Kosovës në kuadër të programit Leipzig Liest organizon këto ngjarje:
1. Letërsia nga Kosova më 28 mars nga ora 13:30 me autorin Qerim Ondozi dhe botuesen Feride Berisha, me përkthim nga Zuzanna Finger.
2. Kujtesa Individuale dhe Kolektive më datë 29 mars nga ora 15:00 me autorin Ag Apolloni, promovim i librit Red Riding Hood: Fairytale for Grown Ups të përkthyer në gjuhë angleze. Ngjarja realizohet me përkthim nga Zuzana Finger.
Në bashkëpunim me rrjetin letrar TRADUKI, Biblioteka Kombëtare organizon ngjarjen:
3. Gjuha, Migrimi dhe Letërsia në Kosovë më 29 mars nga ora 11:00 me autoret Blerina Rogova Gaxha dhe Jehona Kicaj dhe me përkthim nga Zuzana Finger./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, në përvjetorin e ndërhyrjes së Aleancës më 24 mars 1999.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ka thënë se me nderim dhe mirënjohje, bëmë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, në përvjetorin e ndërhyrjes së Aleancës më 24 mars 1999. Ky akt historik i guximit dhe drejtësisë i dha fund regjimit gjenocidal të Serbisë dhe hapi rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Ushtarët e NATO-s janë heronj të lirisë sonë – ata qëndruan përkrah popullit tonë në ditët më të errëta, siç vazhdojnë edhe sot, ndaj mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. Lavdi sakrificës së tyre! Mirënjohje e përjetshme Aleancës për paqen dhe lirinë tonë!”, është shprehur Osmani./KultPlus.com
Bisedë me helenistin dhe latinistin Gjon Shllaku (1923-2003) Bisedoi: Shpëtim Kelmendi Realizuar më 2000, botuar te “Fjala” më 2003
Shpëtim Kelmendi: Dimë që jeni lindë në vitin 1923. Po data e saktë, cila asht? Gjon Shllaku: Jam lindë më 24 mars të vitit 1923, në kohën e Pashkëve. Ka qenë e enjtja e madhe, paçka se në letërnjoftim daton dhjetor, 1922.
Shpëtim Kelmendi: Cilat janë rrethanat që kanë mundësue lindjen e pasionit për përkthimin? Gjon Shllaku: Fillimisht më duhet t’ju them se kam pasë fatin e madh me studiue për prift. Unë kam qenë jetim, e rrjedhimisht e kam pasë të pamundun me ndjekë shkollën. Kulturën dhe edukatën që kam marrë, ia kushtoj Seminarit Papnor, që e drejtonin Jezuitët. Për herë të parë, aty kam pa dhe kam mbetë i mahnitun nga “Poetët e mëdhej t’Italisë”, përkthye nga Ernest Koliqi; jam njoftë me dy kangë të “Iliadës”, të përkthyeme nga Frano Alkaj, me përkthimet e Henrik Lacajt e të tjerë. Të tana këto tekste të prume në shqip, unë i vija përballë origjinalit. Pikërisht fakti se këto përkthime më rezultonin të denja, bani të mundun që, dora-dorës, të lindej në mua dëshira me përkthye.
Shpëtim Kelmendi: Cili asht teksti i parë mbi të cilin keni punue, pavarësisht nëse mund të jetë fjala për tekst të përfunduem ose jo? Gjon Shllaku: Teksti i parë mbi të cilin kam punue, ka qenë “Ben Hur” i Wallace, kur ende nuk i kisha mbushë të shtatëmbëdhjetë vjetët. Ishte një tekst prej 150 faqesh, i cili më pat dhanë kënaqësi të jashtëzakonshme. Por, nuk u mjaftova me aq. Atë tekst e përpunova tri herë, tue ngulmue me zbulue sekretet e përkthimit, natyrisht tue u bazue edhe në përkthimet që i ishin ba këtij libri në gjuhë të tjera.
Shpëtim Kelmendi: Çfarë ndodhi me këtë tekst? Gjon Shllaku: E randësishme asht se ai libër i dha formë pasionit tim mbi përkthimin. Në gjimnaz na jepnin si detyrë me zgjedhë e me përkthye vepra të autorëve latinë. Me këtë rast pata përkthye shtatëqind vargje nga “De rerum natura” të Lukrecit. Ky tekst, edhe pse ishte tekst i detyruem shkollor, më pëlqente së tepërmi. Pra, edhe kësaj radhe punova me kënaqësi. Lukreci asht një ndër poetët ma të fuqishëm të gjuhës latine, pararendës i Virgjilit dhe i Ovidit. Veç kësaj, Lukreci ka edhe profil shkencëtari, sepse ka shkrue mbi natyrën dhe kozmosin. Mund të thuhet se asht poet vizionar …
Mandej përktheva pjesë nga “Eneida” e Virgjilit, ndërsa ma vonë, kur mësova greqishten e vjetër, fillova të merresha me Homerin, Sofokliun, Euripidin, me pjesët korale. Këto punë i baja me shumë kënaqësi, kuptohet, gjithë tue u përpjekë me mësue sa ma shumë në lidhje me artin e përkthimit.
Shpëtim Kelmendi: Domethanë, ma së shumti keni përkthye për kënaqësinë tuej, e jo për t’u vu në radhën e përkthyesve të madhej? Gjon Shllaku: E thashë edhe ma sipër: kënaqësia ime ka qenë gjithmonë në plan të parë.
Shpëtim Kelmendi: A keni provue me u marrë me krijimtari? Gjon Shllaku: I frymëzuem prej autorëve të madhej grekë, unë jam përpjekë me shkrue edhe vepra të mia origjinale. Tue fillue që prej kohës së seminarit e deri kur jam arrestue, në moshën 22 vjeç, pata shkrue tri tragjedi. Njena ka në qendër princeshën Irenë, gruen që shkroi konfliktin mes Lek Zaharisë e Lek Dukagjinit, në dasmën e Mamicës. Një tjetër tragjedi asht me temë biblike dhe titullohet “Judita e Holofardi”. Holofardi ka qenë gjeneral i asirëve, kur këta pushtuen Palestinën. Judita ishte një vajzë çifute, e cila, e frymëzueme nga nji fuqi e mbinatyrshme, hyn në çadrën e Holofardit, të cilin arrin ta dehë e më pas ta therë me thikë, tue shpëtue kësisoj tanë Palestinën. Tragjedia tjetër titullohet “Skënderi dhe Zulejka”, dhe trajton kohën kur Skënderbeu ndodhej në Turqi. Skënderbeu dashunohet me Zulejkën, por kuptohet, asht fjala për nji dashuni të pamundun.
Shpëtim Kelmendi: Gjatë përvojës tuaj të gjatë si përkthyes, a ju ka qëllue të dështoni përballë ndonjë teksti, tue e lanë atë përgjysmë? Gjon Shllaku: Jo, sepse jam marrë gjithmonë me tekste që ngërtheheshin në aftësitë e mia. Nuk kam pranue asnjiherë punë të porosituna. Kam punue gjithmonë me pasion, me shpirt, dhe nuk jam tërheqë mbrapsht nga puna me ndonji tekst. Por më kanë humbë shumë tekste.
Shpëtim Kelmendi: Si jeni trajtue në kohën e diktaturës? A jeni vlerësue në masën e duhun për punën që keni ba? Gjon Shllaku: Me thanë të drejtën, deri dy vjet para se me dalë në pension, rrogën e kam pasë 4500 lekë të vjetra. Kam punue si kryenormist në “Xunktha”, ku për të njëjtën punë më kanë diferencue ndjeshëm prej kolegëve të mi. Nuk ndjehesha i sigurtë sa herë që në ndërmarrje vinin instruktorët e partisë. Merrnin vesh se kush isha, e fill mandej më pyesnin se si ishte e mundun që më kishin lejue të punoja aty. Kërkonin të më largonin nga ajo punë e të më çonin në ndërmarrjen e ndërtimit, për të ba beton, pavarësisht faktit se në vitin 1965, “Iliada” ime e parë, e botueme me nji tirazh prej 5000 kopjesh, të cilat ishin shitë menjiherë, nji tekst i përkryem, i cili duhej të më jepte autoritetin që meritoja. Më pas, “Iliada” u ribotue me nji tirazh prej 15 mijë kopjesh, të cilat u përpinë gjithashtu nga lexuesi.
Shpëtim Kelmendi: A keni përfitue gja prej këtyne botimeve në kuptimin financiar? Gjon Shllaku: Në botimin e parë, po, ndërsa në botimin e dytë, kur qeshë i detyruem me e kthye tekstin në normën letrare zyrtare, s’më dhanë kurrgja.
Shpëtim Kelmendi: Cilat nga veprat që keni përkthye i konsideroni ma të randësishmet? Gjon Shllaku: Veprat e Homerit, natyrisht. Por, nëse Homeri asht ai që asht, Homeri i tragjedisë quhet Sofokli. E kam plagë në zemër veprën e Sofokliut, të cilën e pata dorëzue në ambasadën greke, të përkthyeme në gegnisht. E pata dorëzue në bashkëpunim me fondacionin “Soros”, i cili kishte ba edhe sponsorizimin. Fatkeqësisht, nëpunësit e fondacionit “Soros” ma përçudnuen veprën. Si ma përçudnuen? Unë e kisha përkthye tekstin në dy versione: gegnisht e tosknisht. Vepra iu dha Vera Isakut, të shoqes së Agim Isakut. Ajo gjoja e redaktoi veprën, tue i ba dhjetë vargje gegnisht, dhjetë tosknisht, e dhjetë të tjera ku di unë se si. Fundja, le ta kishte lanë krejtësisht në tosknisht, sepse kësisoj vepra do të ruante një karakter të caktuam. Këtë fakt nuk e kam përfolë kurrë, dhe asht hera e parë që po e them në nji intervistë.
Shpëtim Kelmendi: A keni kopje të tjera nga ky tekst? Gjon Shllaku: Posi jo. I kam të dy versionet: në gegnisht e në tosknisht.
Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni diçka rreth fjalorit Latinisht-Shqip, që po përgatisni? Ku e keni fillue këtë punë? Gjon Shllaku: Tashma janë mbushë trembëdhjetë vjet qëkur e kam fillue këtë punë. Fjalori ka përmasa të mëdha, sepse përfshin jo vetëm periudhën klasike, periudhë e mirëfilltë letrare, por edhe periudhën paraklasike; përfshin dekadencën e kulturës latine, përfshin latinishten e mesjetës, latinishten kishtare, e cila asht përdorë nga etërit e kishës, si Shën Jeronimi, Shën Thoma Akuini etj. Kësisoj, kushdo që dëshiron me përkthye nga latinishtja ndonji tekst që gjendet mes latinishtes antike dhe asaj shkencore moderne, fjalët do të mundet me i gjetë në fjalorin tim. Mungojnë vetëm termat joautentikë dhe fjalët e latinizueme.
Shpëtim Kelmendi: Jeni në përfundim të kësaj pune? Gjon Shllaku: Si urdhnon!
Shpëtim Kelmendi: Me sa fjalë parashikohet të jetë ky fjalor? Gjon Shllaku: Me 65 mijë fjalë. Deri tashti kam 4500 faqe të daktilografueme. Çdo faqe ka 42 rreshta, e këtë e kam ba për të kursye letrën, e cila pothuajse gjithmonë më mungon.
Shpëtim Kelmendi: Shumica e lexuesve ju njohin si përkthyes i “Iliadës”. Për mendimin tim, por edhe të shumëkujt, kjo vepër do të mjaftonte për t’ju konsiderue përkthyes të madh. A do të ishit dakord me këtë vlerësim? Gjon Shllaku: Si t’ju them… Kur njeriu ka vetëm një fëmijë, e shndërron atë në nji idhull të vetin, po kur ka ma shumë, duhet t’i trajtojë të gjithë me të njëjtën masë dashnie. S’di ç’mund të them ma tepër.
Shpëtim Kelmendi: “Iliada” asht zanafilla e letërsisë botnore, e praktikisht ka mbetë si model i parë për artistin e fjalës. Prej këtu, mendoj se përkthyesi i një teksti të tillë fillimor meriton respekt të veçantë. Ju, a ndiheni i respektuem në masën e duhun? Gjon Shllaku: Unë njoh versionet origjinale të përkthimeve në gjermanisht e italisht. Në gjermanisht asht Johann Heinrich Voss ai që e ka përkthye “Iliadën” qysh para dyqind vjetësh, e pak a shumë në të njëjtën kohë, “Iliada” asht përkthye edhe në italisht nga Vincenzo Monti. “Iliada” asht përkthye edhe disa herë të tjera në këto gjuhë, por versionet e para të përkthimit mbeten të paarritshme. Natyrisht, këta përkthyes kanë qenë figura shumë të nderueme në vendet e tyne. Sa për mua, të vetmet vlerësime në kohën e diktaturës, i kam pas marrë nga një shkrim i Henrik Lacajt, ndërsa Engjëll Sedaj ka shkrue: “… Aq sa janë enigmatikë personazhet e ‘Iliadës’, po aq enigmatik asht edhe emri i përkthyesit të saj.”
Shpëtim Kelmendi: Me përkthimin e “Iliadës”, veç të tjerash, ju keni dhanë prova se gjuha shqipe asht gjuhë e fortë, e aftë me u përballë edhe me nji gjuhë tjetër të madhe, si greqishtja e vjetër. Ju jeni i pari që e pohoni këtë fakt nëpërmjet punës. Gjon Shllaku: Gjuha shqipe asht aq e fortë me përkthye letërsinë antike e moderne, sa mund të çuditeshit. Duhet ta dini dhe të jeni të bindun, se fjalët e para me të cilat fillon “Iliada”, janë shqip (reciton në greqishten e vjetër vargjet e para: “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…”). Në origjinal asht: “menos” = mëni, mëri. Gjithashtu, kemi fjalët “thymos” = thumbos, nguc, zemëroj. Tashti, le të marrim fillimin e veprës “Odiseu” (reciton sërish në greqishten e vjetër: “Më dëfto muzë, njeriun me jetë të rrahun…”). “Andra” asht kallëzorja e “anir” = anir, njeri.
Vetëm te “Iliada” kam gjetë 170 fjalë shqipe. Kemi, për shembull, fjalën “Kronos” = krua, kroi, kroni. Kemi fjalën “daju” = daj, ndaj, me nda.
Shpëtim Kelmendi: Ju përktheni nga të gjitha gjuhët që njihni, apo nga disa? Gjon Shllaku: Ma tepër kam përkthye nga frëngjishtja. Më pëlqen shumë kjo gjuhë. Qysh në moshën 19 vjeç kam përkthye nga vepra e Victor Hugo, ndërsa në moshën 21 vjeç kam përkthye “Martirët” e François-René de Chateaubriand, shtatëqind faqe roman. Ma vonë kam përkthye: “Berberi i Seviljes” dhe “Martesa e Figarosë” të Beaumarchais, poezi lirike të Victor Hugo, poezi të Alphonse de Lamartine, poezi të Alfred de Vigny etj. Me nji fjalë kam përkthye nji dynja libra nga letërsia franceze. Kam përkthye “Sidi” të Pierre Corneille, “Ester” dhe “Atali” të Jean Racine, që të dyja drama me temë biblike.
Shpëtim Kelmendi: Te mjaft artistë të sotëm ekziston mendimi se familja është pengesë serioze për ndërmarrje të mëdha si kjo juaja. Ju si mendoni? Çfarë ka qenë familja për ju? Gjon Shllaku: Për mua familja ka qenë përkrahje, gruaja veçanërisht. Ajo e çmon punën time dhe i don librat e mi si fëmijë: i prek, i ledhaton, u fshin pluhurin. Ka adhurim për ta.
Shpëtim Kelmendi: A keni miq? Çfarë vendi zënë ata në jetën tuaj? Gjon Shllaku: Kam dashamirë. Unë i due njerëzit dhe gjithmonë mendoj mirë për ta. Për me pasë miq duhet me qenë i përkushtuem, me pasë edhe kohë. Por, siç e dini, unë rri tanë ditën i mbyllun mbrendë. Mandej, për t’i ruejtë marrdhaniet me miqtë, duhet me marrë pjesë edhe në raste gëzimi, idhnimi, a ku di unë. Unë nuk kam kohë për gja tjetër, përveçse për punë.
Shpëtim Kelmendi: A keni besim te Zoti? Nëse po, si e shprehni këtë besim? Gjon Shllaku: Shumë. I respektoj nji për nji Dhjetë Urdhnesat, që Zoti ua ka zbritë njerëzve. Për gjithçka të mirë që kam, i falem nderës Zotit! Mbi të gjitha për faktin se, pavarësisht moshës që kam, nuk e ndij të nevojshme me mbajtë syze. Shikoj shumë mirë. Të pamët më ka ndihmue shumë. Arrij ta kap edhe shkrimin ma të imët në shqip, latinisht, greqishte e vjetër e çka të jetë.
Shpëtim Kelmendi: A jeni i kënaqun me punën tuej të derisotme? Gjon Shllaku: Jam shumë i kënaqun, sepse atë që kam andërrue pothuajse tanë jetën, e kam ba realitet. Qysh në vitin 1940, kur isha 17 vjeç, pata ble veprat e tre autorëve të famshëm të Greqisë së Lashtë: Sofokliut, Euripidit, Eskilit. Lexoja tragjeditë e tyne të përkthyeme në italisht, dhe andërroja që nji ditë t’i sillja këta autorë në gjuhën shqipe. Sofokliun e kam përkthye krejt; nga Euripidi kam përkthye veprat ma të mira, ndërsa nga Eskili kam përkthye “Prometeu i lidhun”.
Shpëtim Kelmendi: Me sa di, ju nuk jeni prej atyne njerëzve që ankohen herë mbas here e për çdo gja… Gjon Shllaku: As mos e mendo! Unë jam shumë optimist. Kënaqem gjithmonë me pak.
Shpëtim Kelmendi: A ndiheni ndonjiherë i lodhun, i dëshpëruem e në mungesë dëshire për punë? Gjon Shllaku: Kurrë! I lodhun fizikisht, po. Në kësi rastesh vetëm flej. Ju nuk e dini: unë kam pasë nji sëmundje të keqe. Më kanë operue disa herë dhe kam vuejtë përnjimend shumë. Por, edhe pse në gjendje të tillë, ashtu i mbështjellë me batanije dhe i rrethuem me borsa uji të nxehtë, nuk kam reshtë asnjiherë së punuemi. Ishin kushte të randa, por që prapëseprapë nuk arritën me m’shkëputë nga puna. Megjithatë, tash që mendohem, kujtoj se e kam pasë edhe unë nji gjendje të vështirë në jetën time. Ndodhi kur ma vonuan pesë vjet botimin e nji teksti, e që për ma tepër nuk e pashë kurrë ma me sy. Me atë rast i thashë vetes, por edhe grues sime: “Po e la krejt këtë punë! Nuk po e çmon kush përkthimin.”
Shpëtim Kelmendi: A i keni pasë bezdi kontaktet me drejtuesit e këtyne institucioneve? Gjon Shllaku: Ou! Mos pyet! Shumë! Vetëm te Ndërmarrja e Botimit që drejtonte Drago Siliqi kam shkue gjithmonë me kënaqësi, sepse ai më donte shumë. S’e harroj kurrë qëndrimin pozitiv që ka mbajtë ndaj punës sime. Dragoja ka qenë promotori i botimit të “Iliadës”. Simbas meje ka qenë njeri ideal, nji mecenat i palodhun.
Shpëtim Kelmendi: Ç’mendim keni në lidhje me përkthimin në shqip? A mendoni se po punohet me seriozitet në këto kohë? Gjon Shllaku: Nuk jam i njoftun me materialet që përkthehen sot. Më duhet të baj punën time, kështu që nuk kam kohë me lexue përkthimet e të tjerëve. As durim. Nuk jam në gjendje me lexue as librat që më sjellin të njoftunit e mi. Tashma kam nji defekt të madh: sa herë nisi me lexue më zen gjumi. Sidoqoftë, nivelin e përkthimit arrij ta dalloj edhe në hapsinën e dy faqeve tekst. Nëse përkthimi në shqip ka ecë përpara, nuk duhet të harrojmë se përtej këtyne arritjeve qëndron puna vetëmohuese e sa e sa përkthyesve dhe letrarëve të mirëfilltë, që ishin ma para. Në qoftë se për të qenë shkrimtar i mirë s’asht e nevojshme të jesh magazinë kulturore, me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë. Ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët. Engjëll Sedaj mendon se niveli i përkthimit në Shqipni asht ma i naltë se sa tekstet e mirëfillta letrare që botohen. Unë për vete, deri kohë ma parë, i studioja me kujdes poetët shqiptarë, për të marrë prej tyne fjalë e shprehje të bukura. “Qerbelanë” e Naimit, për shembull, e kam lexue me shumë pasion.
Shpëtim Kelmendi: Me tanë atë përvojë që keni grumbullue në fushën e përkthimit, besoj se ju do të kishit shumë porosi për përkthyesit që po vijnë. Cilat mund të ishin këto porosi? Gjon Shllaku: Kisha me u thanë se, pikë së pari, duhet ta studiojnë mirë gjuhën shqipe. Duhet me i njofte mirë autorët klasikë shqiptar, rapsoditë, kangët tona popullore, për me zbulue mendësinë, shpirtin, frymën e dashunisë që populli shqiptar ka arritë me e shndërrue në fjalë. Vetëm për me përkthye “Iliadën”, unë kam pas hartue nji fjalor prej 4000-5000 fjalësh. Gjendesha përballë nji ndërmarrjeje të madhe, ndaj më duhej të isha i sigurt.
Shpëtim Kelmendi: Nji fjalor i tanë në funksion të vetëm nji teksti? Gjon Shllaku: Oh, sigurisht.
Shpëtim Kelmendi: Cilat janë veprat, që ndjeni nevojën t’i përktheni sa më parë? Gjon Shllaku: “Iliada” më asht botue tri herë: dy herë në Shqipni e nji herë në Kosovë. Sofokliu nji herë. Do të doja të më botohej Euripidi me “Ifigjenia në Aulidë”, “Medea”, “Hipoliti” dhe “Alçesti”. Të tana këto vepra mund të përmblidhen në jo ma shumë se 250 faqe libër.
Shpëtim Kelmendi: Botimin e parë të “Iliadës” e keni ba në gegnisht. Për mendimin e një mase të konsiderueshme lexuesish, versioni gegnisht tingëllon ma bukur se ai në tosknisht, domethënë në standardin letrar. A bini dakord me këtë? Gjon Shllaku: Sa herë kam shkrue në gegnisht, kam pasë shumë probleme në lidhje me botimin. E botimi më ka interesue shumë. Vetëm se duhet të keni të qartë diçka: edhe kur përdor variantin e gjuhës letrare, unë pothuajse prapë shkruej në gegnisht. Kjo ndodh për arsye se sintaksa, e cila përban bazën e nji gjuhe, asht gege. Nji “ë” apo nji “r” s’më prish fort punë. Unë mendoj se në tanë Shqipninë shkruhet gegnisht.
Shpëtim Kelmendi: Cilat janë përparësitë e gegnishtes në përkthim, gjithnji nëse, simbas jush, mund të flitet për përparësi? Gjon Shllaku: Në gegnisht asht përkthye Dante Alighieri. Në gegnisht janë përkthye Homeri e Virgjili. Këta janë majat e letërsisë botore. E vërtetë se Shekspiri, nji tjetër gjigant, asht përkthye në tosknisht, nga Fan Noli, por në këtë rast bahet fjalë për nji shqipe artificiale. Fan Noli nuk ka jetue fare në Shqipni; kësisoj, ai nuk njeh shqipen e shqiptarëve që banojnë këtu, por shqipen e shqiptarëve që banojnë në Amerikë apo ndokund tjetër. Ai sjell nji tosknishte të vjetër, të papërpunueme, e jo tosknishten moderne.
Shpëtim Kelmendi: Pra, përparësitë e gegnishtes janë në poezi, në prozë, apo në të dyja njëherësh? Gjon Shllaku: Gegnishtja i ka kultivue të gjitha gjinitë letrare. Gegnishtja ka romanin e parë, ka epikën ma të hershme e të tjera. Si kohë, Naimi vjen para Fishtës, por tetërrokëshi i tij nuk ka të krahasuem me atë të Fishtës. “Luftëtarëtë lëftuan” – thotë Naimi. Pse, tetërrokësh asht ky? Kurse Fishta të batërdis me tetërrokësh. Thotë ma shumë e ma fort.
Marrim edhe lirikën. A ka ndonji lirik të tosknishtes që mund të krahasohet me Mjedën? Poezia don përgatitje klasike, sidomos latine. Edhe greke, kuptohet, por këta shquheshin ma tepër si mendimtarë, ndërkohë që latinët i dhanë hov stilit poetik.
Shpëtim Kelmendi: Cilët janë përkthyesit e shquem shqiptarë, që ju i respektoni? Gjon Shllaku: Ma së pari asht Ethem Haxhiademi. Çmoj Fan Nolin në përkthimin e “Don Kishotit”. Ka përdorë plot fjalë turke, por megjithatë ka punue mirë.
Shpëtim Kelmendi: Çfarë kishit me thanë në lidhje me ata që përkthejnë nga nji gjuhë e dytë, pra jo nga origjinali? Gjon Shllaku: Kisha me thanë se ata lajnë tesha në nji ujë, ku dikush tjetër ka la përpara tyne. Duhet me përkthye vetëm prej origjinalit. Madje duhet me gjetë autorë, të cilët ndërkohë janë përkthye edhe në shumë gjuhë të tjera. Pse sheh edhe ndonji model tjetër përkthimor nuk asht keq. Thjesht kjo të ndihmon me u ndi ma i sigurt në punën tande.
Gjuha jonë shqipe asht e vjetër dhe e fuqishme. Unë nuk kam lanë fjalë pa përkthye te Homeri; madje në shumë raste kam përdorë nga tre a katër sinonime, vetëm me i dhanë sa ma shumë larmi përkthimit. Për shembull, kam përdor emrat: shtizë, ushtë, patërshanë, mëzdrak etj.
Shpëtim Kelmendi: Çfarë mendoni për “Odiseun” e Spiro Çomorës? Gjon Shllaku: Mirë! Bukur! Spiro Çomorën e lexoj me qejf, sepse ai e njeh hekzametrin. Ata që nuk e njohin hekzametrin dhe nuk dinë me e skandue mirë, rrezikojnë me ra në kurthin e nji proze të pasistemueme. Hekzametri njihet pak, e kjo për arsye se nuk përfshihet në traditën e gjuhës shqipe. Mendoj se pa hekzametrin gjuha shqipe ka humbë shumë.
Shpëtim Kelmendi: Po ju, a e keni përkthye “Odiseun”? Gjon Shllaku: Posi jo. Prej vitesh. Por ende nuk kam mundë me e botue.
Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni pse? Gjon Shllaku: Në lidhje me këtë, besoj se kam diçka interesante me kallzue. Pothuajse në të njëjtën kohë kur unë çova “Iliadën” për shtyp, në Ndërmarrjen e Botimit, Spiro Çomora, dritë pastë, sepse s’asht ma mes nesh, e kishte përfundue së përkthyemi edhe ai “Iliadën”. Drago Siliqi, dritë pastë po ashtu, se as ai s’asht ma mes nesh, i tha Spiros që i kishte ra në dorë një përkthim shumë i mirë i “Iliadës”, prej Gjon Shllakut nga Shkodra. Në këtë rast, Spiroja tërhiqet tanë dinjitet, e kësisoj “Iliada” ime botohet.
Ma vonë na ndodhi e njëjta gja edhe me “Odiseun”. Prapë kishim punue njikohësisht e për të njëjtin libër. Kësaj radhe e ndjeva si detyrim moral që të tërhiqesha unë. E kështu, që prej shumë vitesh, “Odiseu” im vijon të mbetet në fletë të daktilografueme, në pritje të kohës së tij.
Shpëtim Kelmendi: E keni përkthye në gegnisht apo në tosknisht? Gjon Shllaku: Në gegnisht. / KultPlus.com
Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash e 26 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.
Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.
Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.
Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes. Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.
“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.
Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com
Sot u mbushën 26 vite nga vrasja e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.
Kujtojmë se atëkohë avokati Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë me dhunë nga forcat serbe me datën 24 mars, pikërisht në ditën që NATO-ja edhe filloi bombardimet e para në Kosovë ndaj caqeve serbe.
Bashkëshortja e avokatit Bajrami dhe nëna e dy djemve të saj, Kastriotit dhe Kushtrimit, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, lajmin për vendndodhjen e kufomave të familjarëve të saj e kishte marrë më 26 mars.
Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë.
Kujtojmë se Kelmendi si avokat kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Milosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.
Bajram Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, ka kujtuar sot humanistët Latif Berishën dhe Agim Hajrizin.
“Më 24 mars 1999, Kosova humbi dy humanistë të shquar: Latif Berishën dhe Agim Hajrizin. Njëri shkrimtar e intelektual, tjetri veprimtar sindikal, të dy atdhetarë të përkushtuar ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, nga presidenca janë shprehur se në të njëjtën ditë, Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, së bashku me nënën dhe djalin e Agimit, u vranë nga regjimi gjenocidal serb. Por, vepra dhe sakrifica e tyre mbeten të pavdekshme dhe referencë për brezat.
“Kosova kujton dhe nderon veprën dhe sakrificën e tyre, sot e gjithnjë! Qoftë i përhershëm kujtimi për Latif Berishën, Agim Hajrizin dhe të gjithë të rënët për liri!”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
“Ne kemi sot një klasë intelektuale që në pjesën më të madhe i ka humbur kordat e zërit. Heshtin shumë: nuk kanë dinjitet ndaj nuk indinjohen. Kjo është e tmerrshme dhe e pabesueshme: mungesa e revoltës.
Shumë mendojnë: ç’më duhet mua të ekspozohem? Ndoshta, një ditë do të kem nevojë për diçka, për një nder apo ndihmë nga ai që po kritikoj sot.
Çdo gjë luhet përmes shantazhit, për të siguruar ndonjë avantazh. Kushdo që punon në fushës e informimit dhe të opinionit ka kuptuar një gjë: duhet të mbetesh në lojë. Nëse fillon të kritikosh, nëse kundërshton, nëse ofron qoftë edhe refleksione të pa mirëpritura, të fshijnë menjëherë. Tashmë është bërë zakon bërja e listave me emrat e të gjithë atyre që ‘sillen keq’. Kush nuk futet në rrjesht, dëbohet. Dëbohet nga gjithçka.
Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahan lëpirësish.
Mjafton të shikosh parlamentarët që i justifikojnë “dredhjet” e tyre me shprehjen e vjetër “kam familje”, një bejte që recitohej kudo në kohën e fashizmit.
Shoh një rrethim të lirisë së shprehjes – individët që kanë kurajo margjinalizohen. Pushteti gjithmonë kërkon t’i shuajë zërat kundërshtues, por në një sistem të shëndetshëm, pushtetin e kufizojnë ata që e kundërshtojnë. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kanë qenë në Gllogjan për të kujtuar dhe nderuar Epopenë e Dukagjinit.
“Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shtuar se përulen para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë.
“Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë!”, ka shtuar Osmani në fund./KultPlus.com
Ai ishte bufoni më i madh i epokës bashkohore, me sytë e mëdhenj dhe zërin e tij, atë përzierje fjalësh dhe tingujsh, që jehon përgjithmonë në veshët e pasardhësve.
Nëse dikush mendon për Dario Fo (lindur më 24 mars 1926), mendja i vete pashmangshmërisht tek grammeloti i tij, ai grumbull tingujsh, të huazuar nga gjuhë të ndryshme, rezultat i marrëzive dhe palaçollëqeve (gjeste zhurmuese me buzë), ajo furi gjuhësore dhe satirike që trondiste gjithçka (së pari shastisi pushtetin, kundër të cilit shakaxhiu u godit i paepur dhe gojëndyrë). Një shpikje që i dha çmimin “Nobel” në vitin 1997, me motivacionin e mëposhtëm: “duke ndjekur traditën e shakave mesjetare, ai u tall me pushtetin duke i kthyer dinjitetin të nënshtruarve”.
Dario Fo ishte krenar për nderimin e Akademikëve të Suedisë, të cilët me atë motivim treguan se e kuptonin misionin e tij, më mirë akoma misionin e tyre, të tijin dhe të Franka Rames. Ai u shpreh menjëherë: ai çmim nuk ishte vetëm i tiji, por ishte edhe i Frankës, Frankës së tij, partneres së tij, këshilltares së tij, gruas së tij, bashkautores së shumë dramave, engjëllit të tij, gruas që pas vdekjes do t’i shfaqej në ëndërr çdo natë, si për të hedhur poshtë ateizmin e tij.
Dario Fo dhe Franka Rame e kryen së bashku misionin e tyre: të tallen me pushtetin, të lëkundnin moralin, të tregonin forcën shpërthyese të asaj që i shpëton të zakonshmes, të asaj që i shpëton sanksionimit. Ishin vitet gjashtëdhjetë kur ata filluan të vënë në skenë teatrin e tyre të absurdit, duke e epuar atë në një dimension komik, me konotacione të forta klounistike. Dimensioni i absurdit (të trashëguar nga Jarry) shprehej që në tituj (“Kryeengjëjt nuk kërcejnë pupthi”, “Kush vjedh një këmbë, ka fat në dashuri”, “Zonja duhet dëbuar”, “Fajin e ka gjithmonë djalli” ), ndërsa aktrimi dhe skenari ishin të orientuar drejt satirës dhe kritikës sociale. Suksesi i madh erdhi me “Zotëria qesharak” në ‘69, kur Fo, në vazhdën e shakave dhe tregimeve, luajti me materiale fetare, duke treguar, të shenjta dhe profane, histori të papëve pompozë dhe fshatarëve harbutë. Pikërisht atëherë satira u shfaq me gjithë fuqinë e saj subversive, duke ngjallur pakënaqësinë e Italisë Demokristiane dhe Papale, të cilat e dëbuan çiftin Fo-Rame nga qendra e vëmendjes televizive dhe nga i gjithë qarku i teatrove bardh e zi. Më pas, erdhën vitet e protestës, me masakrën e “Piazza Fontana” dhe strategjinë e tensionit.
Teatri i Fosë iu drejtua lajmeve dhe gazetës.
Satira drejtohej drejt një objektivi të ri: nga tallja e hipokrizisë fetare, kaloi në sulm kundër politikës, institucioneve, shërbimeve sekrete. Lindi pjesa “Vdekja aksidentale e një anarkisti” (për vdekjen e Pinelit); “Rrëmbimi i fanfanit”; “Nuk paguaj, nuk paguaj”, “Kush është?” etj. Grammelot dhe satirë: me këto armë, të rafinuara ndër vite, e ndërtoi Dario Fo teatrin e tij, duke e zgjedhur atë si vendin suprem për misionin etik, civil dhe politik. Një mision që nuk pësoi kurrë disfatë, edhe pas vdekjes së Franka Rame (e cila u nda nga jeta më 29 maj 2013).
Deri në fund Dario Fo punoi, shkroi libra, pikturoi (duke rizbuluar profesionin e tij të parë, pasi kishte ndjekur liceun artistik dhe Akademinë Brera). Në ditët e fundit, ai vuri në skenë tekstin e tij më të dashur, “Zotëria qesharak”. Dhe kjo, përkundër mendimit të mjekëve, pavarësisht insuficiencës respiratore dhe pavarësisht se i mungonte fryma në atë përmbytje përrallore që e bëri unik dhe të papërsëritshëm. / KultPlus.com
Sot janë bërë 102 vite nga lindja e mësuesit dhe publicistit Gjon Shllaku, shkruan KultPlus.
Ai lindi në Shkodër më 24 mars 1923. Ka qenë frat françeskan, mësues, publicist, drejtor i të përkohshmes françeskane Hylli i Dritës, dhe me marrjen e pushtetit nga regjimi komunist qe një periudhë të shkurtër anëtar i Frontit Nacional-Çlirimtar, ku më pas u dënua me pushkatim.
Hapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor, pjesë e Martirëve të Shqipërisë, u bë në meshën e mbajtur më 5 nëntor 2016 në katedralen së Shën Shtjefnit, Shkodër.
Kreu shkëlqyeshëm liceun “Illyricum” dhe kursin e filozofisë në atdhe, dhe për studimet e larta u dërgua në Hollandë për teologji; siç ishte praktikë e atëhershme të dërgoheshin jashtështeti. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. U dërgua nga Provinciali P. Prennushi që të vazhdonte studimet në Universitetin e Louvain-it, së pari në degën e shkencave dhe më tej në histori dhe filozofi. Doktoroi në Universitetin e Sorbonës në Paris (1936-1937) për filozofi, me temën “Aktualizmi i Giovanni Gentile”.
Mbas doktorimit kthehet në atdhe duke u përfshirë në trupën mësimore të shkollës që e gatiti për universitet. Pak mbrapa, posë filozofisë, mori përsipër të japë orë frëngjishteje.
I qe ngarkuar edhe drejtimi i “Djelmnisë Antoniane”, më të cilën merrshin pjesë, veç nxënësve të liceut, edhe shumë nga ish-nxënësat e gjimnazit Illyricum, të rinj, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë, zanatlinj në shenjë.
Me pushtimin italian për shkak të qendrimit antifashist u largua në Jugosllaví. Ktheu në atdhe me 13 qershor 1940, mbas shumë ndërhyrjesh. Qëndrimi i tij si antifashist vazhdoi, dhe me dukjen e ndikimit partizan dhe premisave që kishin për marrjen e pushtetit, P. Gjoni mbajti ligjërata në Kishën Françeskane në Gjuhadol.
Pas ardhjes në pushtet të Frontit Nacional-Çlirimtar, organet e pushtetit të regjimit e zgjodhën me Dom Ndre Zadejën ndër anëtarët e Komisionit të Letërsisë të Këshillit të Qarkut Shkodër Më 14 janar 1945 u krijua Shtëpia e Artit në Shkodër ku ishte konferencier dhe në vazhdim u zgjodh anëtar i kryesisë së Frontit Nacional-Çlirimtar për Prefekturën Shkodër.
Dhjetorin e 1945 pas arrestimit të disa studentëve të Gjimnazit të Shkodrës të lidhun me seminarista papalë që kishin krijuar organizatën e quajtur “Bashkimi Shqiptar”, që i bënin thirrje kundër politikës sllave, në janar arrestuan P. Shllakun sipas akuzës që “drejtonte një grup terrorist quajtur “Dora e Zezë” që do të kryente vrasje njerëzish, lidhur me të parët e fesë muslimanë e ortodoksë”.
Gjyqi i tij u zhvillua në kinemanë Rozafat së bashku me meshtarët jezuitë P. Giovanni Fausti e P. Daniel Dajani, të cilët do t’i mbronte av. Kolë Dhimitri, ndërsa P. Shllakun av. Myzafer Pipa.
Më 4 mars të vitit 1946, u pushkatuan në të zbardhur të ditës së bashku me seminaristin Mark Çuni, Gjelosh Lulashin dhe Qerim Sadikun./KultPlus.com
Katër gra të Kosovës do të sjellin rrëfimet e tyre personale nëpërmjet librit “Kohë kurorash”, të cilat lufta e fundit e Kosovës i kishte gjetur në moshë të re dhe në kulm të dashurisë, dhe pikërisht dashuria e tyre është pikënisja e rrëfimeve të tyre personale të cilat i kanë sjell edhe në këtë libër.
Mirlinda Ahmeti, Shqiponja Vokshi, Shukrie Morina dhe Lona Kadriu janë autoret e këtyre rrëfimeve që janë bashkuar në këtë libër, e që nëpërmjet rrëfimeve të tyre shpërfaqin vështirësitë e luftës, dashurisë dhe triumfit të lirisë.
Dhe ky promovim vjen pikërisht sot, në 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake serbe, bombardime për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë, spastrim që udhëhiqej nga Sllobodan Milloshevic, i njohur edhe me nofkën “Kasapi i Ballkanit”.
Prurja e këtij libri vlerësohet të jetë shumë i veçantë, për faktin se nëpërmjet këtij libri do të dëshmohet edhe njëherë për vuajtjet e popullit shqiptar, por në këtë rast prej një këndvështrimi tjetër, prej vuajtjeve të të rinjve për mbijetesë. Rrëfimet në këtë libër janë ngjarje të vërteta, ku katër autoret shpjegojnë për dashurinë, frikën, vuajtjet…
Promovimi i librit do të bëhet sot, më 24 mars, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery, ku panelistë do të jenë Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, Arbër Selmani, poet, gazetar dhe Sara Kelmendi, gazetare dhe publiciste. Ne promovim do të ndahen copëza të veçanta nga libri, sikurse që do të nënshkruhen edhe autografe nga autoret.
Të katër autoret janë ekonomiste të diplomuara, por paraqitja e jetës reale edhe nëpërmjet librit është forma me bukur e dëshmisë, dëshmi që do të mbetet për gjeneratat e ardhshme.
Botimi i librit është mbështetë nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
Përkujtohet sot Kryengritja e Malësisë së Madhe, e vitit 1911.
Masat e ashpra të forcave osmane kundër popullsisë së pambrojtur dhe kundër çdo shfaqeje të patriotizmit shqiptar e shtuan pakënaqësinë ndaj regjimit xhonturk dhe ngritën më lart ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar.
Gjatë ekspeditës së Shefqet Turgut Pashës në Malësinë e Madhe, malësorët qenë larguar nëpër male ose ishin strehuar në Malin e Zi.
Në këto rrethana, komitetet e fshehta filluan përgatitjen e një kryengritje të re, e cila do të fillonte në muajin maj të vitit 1911, mirëpo mbreti Nikolla i Malit të Zi synonte të realizonte planet e tij pushtuese ndaj Shqipërisë së Veriut.
Kryengritja shpërtheu para kohës së parashikuar, më 24 mars 1911. Malësorët nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, pas luftimesh të përgjakshme çliruan Tuzin dhe ngritën flamurin shqiptar. Shpërthimi i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Madhe i gjeti të papërgatitura krahinat e tjera të Shqipërisë dhe çrregulloi planin për një kryengritje të përgjithshme.
Krerët e kryengritjes u mblodhën në një kuvend në Pllajën e Gërçës, në Malësinë e Madhe, ku nënshkruan një Memorandum me 12 kërkesa, i cili iu paraqit Portës së Lartë. Kërkesat e Memorandumit të Gërçës qenë: njohja e kombit shqiptar, bashkimi i vilajeteve shqiptare, çelja e shkollave shqipe etj.
Realizimi i këtyre kërkesave do të çonte në krijimin e provincave autonome shqiptare./atsh/KultPlus.com
Xhevat Qena ka luajtur qindra role në teatër. Rolin e parë kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai të jetë një prej aktorëve më të kërkuar në komedi, megjithëqë, siç pohon ai në një intervistë të tij, më tepër e ka dashur dramën: “Unë e kam dashur dramën se e kam në vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për dramë… P.sh., roli që më ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një te çmenduri, në dramën “Oda e errët”. Gati jam çmendur edhe vetë, duke u thelluar në atë rol”. Kolegët dhe njerëzit që njohin potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak në drama.
Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role të dyta apo madje edhe të treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur në ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri të madhe. Xhevat Qena mund të përshkruhet si aktor që ka një aftësi të jashtëzakonshme të mbajë të përqendruar vëmendjen e publikut. Është shumë sugjestiv, aktor që, siç shprehet ai vetë, është përpjekur gjithmonë të jetë “përdhesë”, i “tokës”. Krijon improvizime, por gjithmonë në kontekst të batutës së partnerit, në kontekst të situatës në të cilën ndodhet personazhi që ai luan.. .”Edhe nëse Xhevati ka luajtur vetëm në një skenë të vetme, nuk ka qenë e mundur të kalojë ‘pa u hetuar’ prej publikut. Xhevati është aktor që di t’i krijojë hapësirë vetes…”, shprehet aktorja Igballe Qena.
Qena la pas vete një pasuri të madhe kulturore, duke qenë i dalluar me stilin e tij të aktrimit dhe me rolin e tij të dallueshëm në paraqitjet e tija, ndërsa së bashku me gruan e tij Leze Qena, i hasim në shumë produksione televizive dhe filma.
Duke qenë si një nga personazhet kryesore dhe më të mëdha të kulturës shqiptare, Xhevat Qena ka luajtur në teatër ndërmjet viteve 1956- 1957.
Një prej roleve më të suksesshme të Xhevat Qenës është padyshim ai në shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, të Sartrit, në të cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mirë Shvejk”, në regji të Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Mandej, në shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), në të cilën luan rolin kryesor, atë të Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem të asaj kohe. /KultPlus.com
Sot shënohet 18 vjetori i vdekjes së një ndër artistëve më të mëdhenj të skenës shqiptare, Sulejman Pitarka.
Sulejman Pitarka, i cili ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në fushën e kinematografisë, shkruan KultPlus.
Ai ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, ai i lindur në Dibër, kur ishte në moshën trevjeçare së bashku me familjen e tij u vendosën në Durrës, ku edhe e kaloi fëmijërinë e tij.
Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – 1947) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkëngjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s është shprehur se kjo ditë është dita kur liria mori krahë dhe që bota demokratike nuk ka heshtur.
“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë. 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.
“Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!”, është shprehur presidentja./KultPlus.com
Sot mbushen 26 vite nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.
Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike. / KultPlus.com
I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.
Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:
Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.
E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.
Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.
Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.
Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.
Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.
Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.
Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?
Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.
Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com