Alpinistët e rinj, eksplorim dhe promovim atraksioneve turistike të Krrabës

Natyra e qyteteve shqiptare shpalos diversitetin në mënyra të mrekullueshme.

Fshati i Krrabës që ndodhet në pjesën juglindore të Tiranës dhe është një nga zonat me bukuri të veçanta natyrore që ofron destinacione të shumta e mjaft të lakmuar për t’u vizituar nga turistët.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte në Krrabë ku takoi me Eglin, Klismanin, Kudretin dhe Sokolin, 4 djem të rinj të apasionuar pas alpinizmit që promovojnë përmes rrjeteve sociale bukuritë natyrore të zonës së tyre.

Denaj shprehet se “me pasion dhe përkushtim ata nuk rreshtin së promovuar thesaret natyrore të Krrabës, Syrin e Ciklopit, Shpellën e Mbytjes dhe Lumin Katarak”.

“Zëri i tyre dhe dashuria për vendlindjen, janë ftesa më e bukur për ta kthyer Krrabën në një destinacion turistik gjithnjë e më të njohur”, thekson ministrja.

Njëri prej të rinjve tregoj se, ndër atraksionet më të bukura të zonës është Syri i Ciklopit, që përveç pamjes mahnitëse ai krijon mundësinë të notohet gjatë ditëve të nxehta të verës.

Më pas është Shpellën e Mbytjes që është një atraksion i ri për tu eksploruar nga vizitorët dhe Lumin Katarak që është shumë i aksesueshëm nga turistët.

Denaj theksoi se, kjo është një zonë që ka potencial të madh për të zhvilluar bujtinat me zonjat që gatuajnë prodhime tradicionale të zonës duke e kthyer fshatin e Krrabës në destinacion të turizmit gjithëvjetor. /atsh/ KultPlus.com

Gëte: Karakteri formohet nëpër shtrëngatat e botës

Thënie nga Johan Volfgang von Gëte (Johann Wolfgang von Goethe):

Çfarëdo mendon të bësh, apo e ke ëndërr, filloje. Guximi ka gjenialitet, pushtet dhe magji brenda!

Besoji vetvetes dhe do të dish të jetosh!

Pasuria është diçka që mund të ndihmojë në jetë, por jeta nuk është diçka që kalohet për të grumbulluar para!

Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet!

Sjelljet e një njeriu janë një pasqyrë ku ai e sheh portretin e vet!

Njeriu fisnik i bën për vete njerëzit fisnikë, dhe di si të mbështetet tek ata!

Një jetë e padobishme është një vdekje e hershme!

Mosha na tregon sa fëmijë kemi mbetur!

Të gjitha mendimet inteligjente janë menduar tashmë; e vetmja gjë e nevojshme është të përpiqemi t’i mendojmë prapë!

Dijet që kam unë mund t’i ketë çdo njeri, por zemra ime është vetëm e imja!

Sundoje atë! Bëje botën t’i shërbejë qëllimit tënd, por mos i shërbe asaj!

Tregohu i njerëzishëm dhe përdor fjalë të mira, sidomos për ata që nuk janë të pranishëm!

Të jesh brilant nuk ka asnjë vlerë nëse t’i nuk respekton asgjë!

Disa defekte janë të domosdoshme për hir të individualitetit!

Karakteri formohet nëpër shtrëngatat e botës!

Karakter, në gjërat e vogla apo të mëdha, do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndihesh i zoti t’i bësh!

Mirëkuptimi është gjenia e njerëzimit!

Korrektësia luan shumë rol, por guximi më tepër!

Një përgjigje korrekte është si një puthje e ëmbël!

Fati na i plotëson dëshirat, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej dëshirave tona!

Përça dhe sundo, bërtasin politikanët; bashko dhe prijë është kryefjala e mençurisë!

Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë të lëkundur!

Dyshimi rritet sa më shumë që të dimë!

Mos ëndërro ëndrra të vogla, sepse ato nuk kanë fuqi t’i vënë në lëvizje zemrat e njerëzve!

Gabimi është i pranueshëm për ne sa kohë që jemi të rinj; por ai nuk duhet gërmuar në pleqëri!

Çdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë të vogël, të lexojmë në poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë, dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë!

Të gjithë duan të jenë dikush; askush nuk do që të rritet!

Vajzat dashurohen për ato që janë; djemtë për çfarë premtojnë të jenë!

Shkoni në vendet e huaja dhe do të arrini të njihni gjërat e mira që i ke në atdhe!

Urrejtja është aktive, zilia është pasive; por ka vetëm një hap midis zilisë dhe urrejtjes!

Është i vdekur në këtë botë, ai që nuk beson në një botë tjetër!

Është më i lumturi, mbret apo bujk qoftë, ai që gjen paqe në shtëpinë e vet!

Unë mund të të them ty, mik i ndershëm, se kujt t’i besosh: besoji jetës; ajo të mëson më mirë se libri ose oratori!

Njihe veten? Nëse do ta njihja veten, do t’ia mbathja me të katra. Mos o Zot që ta njoh!

Dëgjoji bindjet e të gjithëve, por dyshimet e tua mbaji për vete!

Nëse fillon të mendosh për gjendjen tënde fizike apo morale, zakonisht e gjen se je i sëmurë!

Në fushën e ideve çdo gjë varet nga entuziazmi… në botën reale gjithçka qëndron mbi këmbënguljen!

Më mirë të mashtrohesh nga miqtë, se t’i mashtrosh ata!

Secili ta pastrojë derën e vet dhe e gjithë bota do të jetë e pastër!

Disa njerëz nuk kujdesen për paratë e tyre derisa iu mbarohen, të tjerët bëjnë të njëjtën gjë me kohën e tyre!

Asgjë nuk është më e vlefshme se dita e sotme!

Pasionet janë vese ose virtyte në kulmet më të mëdha të fuqisë së tyre!

Burracakët kërcënojnë vetëm kur janë të sigurt!

Gjëja më e vështirë për t’u parë është ajo që ke para syve!

Njeriut të zgjuar i duket çdo gjë qesharake, njeriut të ndjeshëm i duket çdo gjë e rëndë!

Ai që zë vendin e parë, rrallë e luan rolin kryesor!

Njerëzit përçmojnë atë që s’e kuptojnë!

Ugo Borsatti, fotografi që pasqyroi historinë e Triestes, vdes në moshën 98-vjeçare

Fotografi i famshëm, Ugo Borsatti, fotografitë e të cilit pasqyruan historinë prej disa dekadash të qytetit të Triestes në Itali, ka vdekur në moshën 98-vjeçare, sipas “InTrieste”.

Arkivi i tij me më shumë se 350,000 negativë, i vendosur në koleksionin e tij Foto Omnia, shërben si një rekord vizual i pashembullt i transformimeve politike dhe kulturore të qytetit.

Puna e Borsatti dha dëshmi për disa nga momentet më përcaktuese të Triestes, duke përfshirë trazirat e vitit 1953 dhe kthimin e shumëpritur të qytetit në Itali në 1954.

Fotografitë e tij kapën jo vetëm trazirat e historisë, por edhe jetën e përditshme të qytetarëve në Trieste, duke ruajtur një kujtesë kolektive për brezat që do të vijnë.

Ndër imazhet e tij më të famshme është Bacio (Puthja), një fotografi ikonë që mishëron historitë njerëzore të ndërthurura me të kaluarën e qytetit.

Ndër imazhet e tij më të famshme është Bacio (Puthja), një fotografi ikonë që mishëron historitë njerëzore të ndërthurura me të kaluarën e qytetit.

I lindur në Trieste në vitin 1926, Borsatti zhvilloi një pasion për fotografinë në rininë e tij, duke themeluar përfundimisht Foto Omnia, një studio që do të bëhej sinonim i fotografisë dokumentare në rajon.

Gjatë dekadave, puna e tij u shtri përtej fotoreporterizmit duke prekur fotografinë e rrugës dhe portretet, gjithmonë me një ndjeshmëri të thellë ndaj njerëzve dhe vendeve që fotografonte.

I njohur si dekani i fotografëve të Triestes, Borsatti mori vlerësime të shumta gjatë karrierës së tij dhe imazhet e tij janë ekspozuar gjerësisht, duke ofruar një dritare në zemrën e një qyteti të formuar nga ndryshimi i kufijve dhe identiteteve.

Vdekja e tij shënon humbjen e një tregimtari mjeshtëror pamor, fotografitë e të cilit mbeten një dëshmi e paçmuar e qëndrueshmërisë dhe karakterit të Triestes. /atsh/ KultPlus.com

’50 mijë vakte falas gjatë pandemisë’, shqiptari Joe Haliti shpallet ‘Qytetar i Vitit’ në Houston

Shqiptari  Joe Haliti është shpall “Qytetar i Vitit” për vitin 2025 në Houston.

Çmimi Halitit iu dorëzua të shtunën e kaluar, duke u nderuar për bujarinë e tij, pasi ai servon vakte për festa si Krishtlindjet dhe Falënderimet dhe gjatë fatkeqësive natyrore.

Në tetor 2020, ai arriti qëllimin e tij për të shërbyer 50,000 vakte falas gjatë pandemisë COVID-19, dhe qëllimi i tij i radhës është 100,000 vakte të dhuruara, transmeton Klankosova.tv.

Pasi mori çmimin, ai tha se është tejet falënderues për dashurinë dhe mezi pret të shërbejë për qytetin edhe viteve në vijim.

“Faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë që na keni treguar. Ne mezi presim t’i shërbejmë këtij qyteti për shumë vite që vijnë”, u tha ai të mbledhurve.

Shqiptari Joe mbërriti në New Jersey në fund të viteve 1980 si emigrant nga Shqipëria. Ai filloi të punojë në restorantet e familjes Haliti me të mbërritur në ShBA.

’15 ditë prilli’, dramatizimi i romanit të Anisa Markarian, eksperiencë unike në ArTurbina

Teatri Kombëtar ka vënë në skenë për herë të parë dramën “15 ditë prilli”, e bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian, një emër i njohur i kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm.

Me regji të Driada Dervishit, ky dramatizim i gërshëtuar me situata groteske dhe humori është mirëpritur nga artëdashësit në Sallën Central në ArTurbina.

“15 Ditë Prilli” është një vepër që ngërthen dramën, emocionin dhe reflektimin mbi jetën dhe historinë. Kalimi i saj nga faqet e romanit në skenën e teatrit sjell një dimension të ri, duke i dhënë publikut mundësinë të përjetojë nga afër historinë e saj të fuqishme.

Vepra po interpetohet nga një kast i njohur aktorësh, mes të cilëve Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Sanie Hoti, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj dhe Jaho Guma.

Me një ekip të talentuar krijues, përfshirë kompozitoren Rona Castrioti, kostumografen Desantila Lika, skenografin Beqo Nanaj dhe koreografen Valentina Myteveli, shfaqja premton një qasje artistike të thellë dhe të ndjerë e cila do vijojë të shfaqet edhe gjatë kësaj fundjave duke ofruar një eksperiencë unike për artdashësit.

Romani “15 Ditë Prilli” i Anisa Markarian, rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.

Merita Mehmeti: Labirint Portretizues i Vrullit Poetik

Nga Merita Mehmeti
(Recension i librit “Ama dorën” të autores Dije Demiri-Frangu)

Hyrje

Bota fëmijërore ka qenë dhe do mbetet një ndër themelet kryesore të formimit të njeriut në të gjitha trajtat, ku prek ato copëza të krijuara nga imagjinata dhe poashtu ngritet në nivelin jetësor të ballafaqimit të realitetit, që domosdo do realizojnë ëndrrat në të ardhmen. Kjo padyshim që prek hapat kryesor të formimit të personalitetit ku çdo fëmijë kalon nëpër një lojë. Lojë të njohjes, lojë të të mësuarit, të analizuarit dhe padyshim të përjetuarit emocional, ku reflekton mbi botën imagjinare të një mendjeje të lirë dhe të pafajshme që në thelb na ofrojnë momente argëtuese.

Dije Demiri-Frangu, përmes poezive të saj në librin “Ama dorën”, përveç paraqitjes së botës fëmijërore, nuk i mungon të shprehurit e botës së saj për natyrën, përjetimet e lagjes, reflektime shpirtërore dhe paraqitje të përvojave të ndryshme jetësore ku shfaq episode të ndryshme dhe ndonëse edhe qesharake që përcillen herë-herë me një ton kritik, ku na përfytyron një ambient real në versionin e saj.

Motivet në këto poezi, përplasen me njëra-tjetrën jo për të paraqitur ndonjë qëllim dinamik apo diçka që është e paarritshme, por për të paraqitur situata të cilat janë të njëtrajtshme me qëllim që të krijojë vetëbesimin tek fëmijët, rëndësinë e ndikimit të tyre në jetën tonë, dhe në thelb paraqitjen e formës edukative në mënyrë që faji mos të ndikojë negativisht tek ta, me përqendrim që raporti kryesor në formimin e tyre është me të rriturit dhe këtë e hasim qysh në hyrje të librit, ku Dija shpreh gëzimin e saj si gjyshe për nipin.

Ballafaqimet e para të fëmijës me botën dhe reflektime emocionale

Poezitë fillojnë me lumturi, vazhdojnë me argëtim dhe përmbyllen me dhimbje dhe mallëngjim për humbjen e një personi shumë të dashur, duke reflektuar ndjenja të fuqishme njëkohësisht që na krijon një univers mendimesh dhe duke konkretizuar faktin që dinamikat e jetës janë të pashmangshme.

Pjesa e parë e veprës quhet “Kur isha mbret”, ku përfshin poezitë për fëmijë, ku autorja paraqet një art mendimesh e veprimesh inspiruese e atraktive, ashtu siç duhet të jetë një botë e fëmijëve, që nga të qarit e tij të parë e deri në momentet kur ata kapin frerët e jetës. Ata kalojnë në një botë të pasuruar me personazhe kafshë e insekte si dhe aktivitete me lodra, ku lë të nënkuptojmë se nuk kemi të bëjmë me tema që imponohen veprimet por me situata të cilat edhe ne jemi mësuar në jetën e përditshme.

 Kjo pjesë e parë shfaq haptazi kuptimin e ndjesisë fëmijërore nga Dija, sepse të jesh fëmijë, është sikur të jesh mbret sepse nuk adresohen gabimet e tyre, papjekuria, relacionet me botën e jashtme dhe shumë tjera ku ky fakt ngritet në diskurs real duke e larguar artin nga bota e tyre.

Poezitë e saj janë një shprehje direkte, konkrete të diçkaje që ajo sheh dhe jep mendimin e përvojave interesante me qëllim që të jenë të kapshme për lexuesit por që të fshihet edhe mesazhi në to. Poezitë janë përzierje emocionale të mendimeve, parimeve jetësore ku merr si subjekt natyrën, dashurinë familjare dhe i trajton ato me elemente të buta artistike, por që patjetër kemi edhe pjesë kritikuese të reflektimeve emocionale të saj.

Bota fëmijërore është gjithmonë e dashur dhe këtë e hasim në poezinë “Dëshira e një vogëlushi”, ku shprehet;

“Një djalosh ka një dëshirë fantastike,

 Të hynte si zog/Në një anije kozmike,

 Të udhëtojë natën/Të udhëtojë ditën,

 Dhe në hënë/Ta dërgojë frikën”.

Këtu hasim përjetimin e ëndrrave imagjinare të një fëmije ku mund të inspirohet nga një vizatim, fotografi, që ngritë dëshirën e tij për të sfiduar veten që të mposhtë uraganin e tij të brendshëm, qoftë ndjenjë zemërimi, frike apo gëzim duke përvetësuar karakter të posaçëm që të jetë në gjendje të realizoj idetë e tij dhe ambiciet.

Mes dhimbjesh, Dija shpreh edhe periudhën e luftës në Kosovë tek poezia “Fëmijëve të vrarë në Kosovë”, me vargjet;

“Ju kaherë në qiell e bëni lojën,

  Fshiheni pas diellit,

  Yjet i ndiqni në vend të fluturave”. 

Kemi të bëjmë me ëndrra të lëna në gjysmë, një shpërthim emocional kujtimesh për Kosovën tani të lirë që për ta u ndalë jeta sepse çdo fëmijë meriton të bëj lojën e tij, të manifestojnë lirinë shpirtërore, një jetë aktive për zhvillimin e tyre me qëllim që të krijoj një improvizim optimist.

Bota e fëmijëve njihet të jetë analizuese dhe interesante në letërsi, kështu që Dija, diti të trajtoj me mjeshtëri portretizimin e insekteve e kafshëve, ku hasim në poezinë “Merimanga është mjeshtre”, dhe shprehet;

“Kur merimanga gjyshe punon/Ta pengojë askush nuk guxon,

 Di fort të pickojë/Se punën me rrjetë nuk e zë lojë”.

Portretizimi i merimangës, ndonëse si gjyshe, nënkupton mundin e bërë me vite, në kuptim figurativ, që të ndihet krenare për punën e saj të palodhur të ndërtimit të pëlhurës, specifikisht shtëpisë ku çdokush do ruante mundin e vet dhe madje edhe të sulmoj nese dikush e pengon në universin e saj, por duke e theksuar gjithmonë si punëtore e cila nuk rri kot.

Për këtë arsye, autorja shpesh del dhe kritikuese në momente të veçanta ku nuk heziton të shpalosë mendimet e saj qoftë edhe për familjen apo persona të njohur që ka kaluar në jetën e saj.

Nëse merimanga është një punëtore edhe pse insekt, atëherë Dija na paraqet faktin që çdo kund ka një Don Kishot, dembel ku portretizimi është shumë real në aspektin krahasues, ku këtë detaj e hasim në poezinë “Don Kishoti i lagjes time”, ku shprehet;

“Provojnë të bëjnë atë që s’bëhet dot,

  Mendojnë se një punë e vështirë,

  Kryhet lehtë e mirë”.

Kjo liri shprehëse paraqet jo një filozofi të ndërlikuar, sepse kritikat e Dijes, prekin realitete të sotme por që gjithmonë kanë qëllime edukative. Këtë e shohim më së miri tek poezia “Asnjeri nuk mbet fëmijë”, ku fatkeqësisht kjo kohë e re ka ndikuar në mënyrë të padobishme tek gjeneratat e reja, ku edukativ konsiderohet telefoni sesa një libër të cilin mund ta kapësh kurdo, prandaj shprehet me një pasthirrmë;

“O në këto rrjete sociale,

  Më shumë po hamë nervozë/Sesa po pimë bozë,

  Si po rriteni kështu pa diell, o medet,

  Më asnjë fëmijë nuk mbet, o medet”.

Motivi i dashurisë dhe mund të themi edhe i lojës, shprehet me ide dhe fjalë ku krijojnë herë afri dhe herë kritikë ku autorja individualizon me qasje origjinale, meqë rast përmbushen të tëra si poezi urbane, sepse loja që trajton konsiderohet psikologjike që ndikon tek audienca e sidomos tek fëmijët që psikologjia e tyre konsiderohet sipërfaqësore pa pasur qëllim emocionet negative.

Motivet gërshetohen duke prekur natyrën dhe botën e brendshme që i zgjeron në kontekste të ndryshme, sepse shpirti për Dijen, është vendi ku takohen ndjenjat e pashmangshme të xhelozisë, urrejtjes dhe inatit, dhe ajo që ka kufij të pa përcaktuar si zemra, ku shprehet në mënyrë ironike;

“Vetëm njerzit e këqinj,

  E kanë zemren minus 1000,

  Kurr s’kam pasur ethe,

  Unë kurr nuk kam ngri”.

Motivi i dashurisë më tej, vazhdon edhe tek pjesa e dytë e veprës “Dashuria është kontinent”, ku në këto poezi ajo e tregon forcën e dashurisë përmes së cilës i shpreh me ndjenja të kontrolluara, ku ajo e universalizon më tej edhe tek qeniet tjera duke ngritur pikëpyetjen se pse nuk shkruhet edhe per dashurinë e tyre, këtë e vërejmë tek poezia “Kur dashuron foka dridhet toka”.

Në këtë pjesë poezitë shprehen si pëshpëritje intime, dhe jo siç jemi mësuar të dëgjojmë shpesh dashurinë mes njerzve, prap e universalizon aktin intim të natyrës, pra puthjen, si puthja e valës me bregun, flutura lulen, zogu zogun, bilbili  kanarinën dhe të tjera.

Poezia “Fjala të dua”, bart emocionet e pa lëkundshme për dashuritë e përhershme për babain, për nënën, shokun e miken, për fat të mirë e mbushur në të gjitha format dhe që për të shpërndarë pozitivitet, ndihet nevoja që ta shpreh tërë kohën;

“Ngado që ecë fjalën TË DUA, e them

  Shumë herë në ditë e atëroj,

  Ka të tjerë që fare se thonë/Disi me sy provojnë ta tregojnë”.

Kapërcimi i trajtës së motivit në aspektin e nostalgjisë

Pjesa e tretë “Lagjja që s’flet”, ka në thelb të trajtuar motivin e vdekjes, kryesisht vdekjen e gjyshes ku këtu hasim dhimbjen e madhe dhe raportin e afërt me të, ku vazhdimisht kujton veprimet e saj me dashuri.

Lagjja që s’flet nënkupton varrezat, ndjenjën e vetmisë dhe mendimeve që nuk kanë zhurmë, ndarje të gjata nga jeta duke i konsideruar me kohën si dhimbje të vjetra, ku qaset me një shpërthim emocional;

“Varret janë përrallë vetë,

  O gjithë ai gaz i gjyshes/Ku mbet ku u tret,

  Ajo shkoi/Në lagjen që s’flet”.

Nostalgjia për të, nuk është kujtimi i përkohshëm i cili zbehet me kalimin e viteve, por harresa edhe pse si fjalë ka kuptimin e fuqisë së zhdukjes, shfarosjes së imazheve jetësore, është po aq e fuqishme sa të rikthejë nga një detaj i vogël çdo gjë që lidhet me kujtimet edhe pas ca vitesh, prandaj;

“Harresa ngjan të jetë si era”.

Poezia e Dijës manifeston liri shpirtërore të jetës aktive të njeriut duke dhënë mundësinë të bashkëndjejmë çiltërsinë e lojës së fëmijës, duke improvizuar imazhe reale, ndonëse kritikuese por që në thelb ka qellim edukativ.

Paraqitja figurative ka qenë një përzierje e kjartë ku të lë përshtypjen se Dija ka depërtuar nëpër ato mendje, ku merr element natyrën, kafshët, insektet, problemet e falshme të fëmijës, përvojat e veta të jetës duke i trajtuar në mënyrë kronologjike proceset e jetës, ashtu siç e fillon me poezitë për fëmijë, duke kaluar në reflektimet e mendjes së saj dhe duke mbaruar veprën me kujtimin e vdekjes së gjyshes, duke lënë të kuptojmë nga vetë titulli se “Ama dorën”, i asocion procesit të jetës, të njohjes, të përjetimit dhe kërkimit në labirintet e errësirës dhe të lumturisë.

Shënim; Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, tek prof. dr. Sali Bashota, në nivelin e studimeve; Master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com

‘GOBankingRates’: Shqipëria mes destinacioneve ndërkombëtare më të mira për të udhëtuar këtë pranverë

Dëshironi të keni pushime të paharrueshme pranverore në 2025 pa hyrë në borxhe?

Ekzistojnë të paktën pesë destinacione ndërkombëtare që turistët amerikanë mund të vizitojnë me çmime buxhetore, shkruan Heather Taylor në një artikull të botuar në “GOBankingRates”.

Këto vende ofrojnë ushqime të shijshme, mundësi të shumta aktivitetesh kulturore për të marrë pjesë dhe pamje mahnitëse që mund t’i përjetoni vetëm gjatë stinës së pranverës.

“GOBankingRates” iu drejtua dy ekspertëve të udhëtimeve, të cilët renditën destinacionet kryesore – ku turistët rekomandohen të shkojnë këtë pranverë.

Mos e humbisni mundësinë për të planifikuar udhëtime në këto pesë destinacione ndërkombëtare, Shqipëri, Portugali, Japoni, Austri, Republikën Dominikane.

Shqipëria

Shqipëria është renditur ndër pesë vendet më të përballueshme për të pushuar në vitin 2025.

Turistët që nuk mund të përballojnë pushime pranverore në Greqi këtë vit, duhet të mendojnë të vizitojnë Shqipërinë fqinje.

Ata do të jenë në gjendje të përjetojnë më të mirën e të dy botëve: pamje të bukura natyrore në një peizazh magjepsës që nuk kushton aq shumë sa mund të imagjinoni.

“Shqipëria krenohet me peizazhin e saj të larmishëm, nga plazhet e bukura përgjatë deteve Jon dhe Adriatik deri te malet e thepisura të Alpeve Shqiptare,” tha Kendra Guild, nënkryetare e “Solos Holidays”.

“Përballueshmëria e bën atë një destinacion të arritshëm për të shijuar më të mirat e detit Adriatik me çmime dukshëm më të ulëta”, shtoi ajo.

Sipas “Kayak” – motori i kërkimit për shërbimet e udhëtimeve – Tirana renditet e shtata ndër destinacionet kryesore në trend për pushime pranverore në 2025.

Udhëtimi me linjë ajrore për në kryeqytetin shqiptar, Tiranë kushton rreth 764 dollarë. /atsh/ KultPlus.com

‘Porosia’ e fundit e Naum Priftit dhe dorëshkrimet e pabotuara, ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

Biblioteka Kombëtare ka çelur një ekspozitë në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” me dorëshkrimet personale të shkrimtarit Naum Prifti.

Takimi u moderua nga zv. Drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi ku e pranishme ishte edhe vajza e shkrimtarit, Julika Prifti e cila përshëndeti gjithashtu çeljen e ekspozitës, duke falënderuar të pranishmit dhe organizimin e takimit.

“Një ekspozitë e re, e paparë më parë. Babai kishte 100 dosje të ruajtura në shtëpi dhe në çdo gjë kishte të detajuar çfarë përmbante dosja. Babai ka gati po aq shumë gjëra të pabotuara sa ka të botuara. Janë një mori filmash…”, u shpreh Julka Prifti.

Për të pranishmit u shfaq edhe dokumentari “Porosia e përjetësisë ” nga producenti Mumin Jashari, Media Film Production, Prishtinë mbi amanetin e shkrimtarit Naum Prifti për t’ia sjellë hirin në Shqipëri.

Artistet e nderuara Justina Aliaj dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të krijimtarisë së Naum Priftit; “Lisi plak”dhe “Pse Shqipëria ka male shumë”.

Në përfundim të takimit, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Naum Priftit ndanë kujtimet dhe mbresat e tyre nga e kaluara me shkrimtarin, mes të cilëve Paskal Milo, Sadik Bejko, Dhimitër Haxhimihali, Çerçiz Loloçi dhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve në Nju-Jork, Adnan Mehmeti.

Dorëshkrimet e ekspozuara kanë një vlerë të veçantë, sepse përmbledhin historikun e krijimtarisë letrare dhe kinematografike të Naum Priftit, si dhe ndajnë detaje interesante nga jeta e tij personale dhe natyra kurioze që shkrimtari ka pasur.

Naum Prifti ka lindur në Rehovë të Kolonjës, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaroi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë dhe punoi një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”.

Prifti punoi më pas si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjës.  Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76.

Në këto vite shërbeu edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdoi të jepte ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar dhe për letërsinë shqipe. Në vitin 1995 u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.

Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005./atsh/ KultPlus.com

Çfarë i ndodhi Aleksandër Moisiut në Gare du Nord, në Paris ?

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Mars 2025

Revista rumune “Oglinda Lumii” ka botuar, me 9 janar 1932, në faqen n°192, një ndodhi të veçantë për Aleksandër Moisiun në Gare du Nord, në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Si e humbi adresën Moisiu

Burimi : Oglinda Lumii, 9 janar 1932, f.192
Burimi : Oglinda Lumii, 9 janar 1932, f.192

Pak muaj më parë, Moisiu erdhi në Paris për të kaluar dy-tre ditë dhe qëndroi në një hotel shumë modest pranë Gare de Nord. Pasi la valixhet në dhomën e tij, aktori i madh doli në qytet për të blerë dy-tri gjëra.

Në mesnatë, duke u kthyer në shtëpi dhe duke mbërritur në Gare de Nord, Moisiu vuri re se kishte harruar të shkruante emrin dhe adresën e hotelit.

Kulmi i fatkeqësisë : hotelet, shumë të shumtë në këtë lagje, i ngjajnë të gjithë njëri-tjetrit. Më në fund, pas një shëtitjeje të gjatë, Moisiu vuri re një, hyrja e të cilit dukej e njohur.

— Zotëri, nuk e di, a banoj këtu ? — pyeti ai derëtarin (rojen) me sinqeritet.

— Jam i lodhur nga shakatë në këtë orë ? — u përgjigj ai me inat dhe përplasi derën.

Moisiu provoi fatin më pas në hotelin fqinj.

— A jeton këtu zoti Moisi ? — pyeti ai me ndrojtje.

Si përgjigje, portieri e mori me forcë në krahë, e futi në ashensor dhe në katin e dytë ia besoi shërbëtorit :

— Vendoseni në shtrat menjëherë; Është krejtësisht i dehur./ KultPlus.com

Vdes në moshën 91-vjeçare aktori hollivudian, Jack Lilley

Jack Lilley, i njohur për rolet e tij në “Little House on the Preirie”, ka vdekur. Ai ishte 91 vjeç.

Djali i tij, Clint Lilley, konfirmoi për Fox News Digital se babai i tij kishte vdekur “i qetë në gjumë”, në shtëpinë e të moshuarve të Fondit të Filmit dhe Televizionit në Calabasas, të mërkurën më 19 mars.

“Ai ishte i veçantë në llojin e tij”, tha Clint ndërsa tregoi se sa krenar ishte që ishte pjesë e tre brezave në Hollywood.

193 vite nga vdekja e shkrimtarit gjenial gjerman, Johann Wolfgang Goethe

Johann Wolfgang Goethe (shqiptohet: Johan Volfgang Gëte) lindi më 28 gusht 1749 në Frankfurt am Main dhe vdiq më 22 mars 1832 në Weimar të Gjermanisë. Në vitin 1782 atij ju dha titulli noblesk “Johann Wolfgang von Goethe”. Gëte ishte jo vetëm një penë e zjarrtë e poezisë gjermane, por dhe një dramaturg e publicist i disa veprave letrare me tematikë shkencore. Pas vitit 1776 Gëte mori përsiper edhe detyra politike dhe organizative në oborrin e Weimarit.

Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, tregime e novela. Perveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore. Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Ne krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit.

Vlerat e tij si shkrimtar i talentuar u thelluan tek romani i shumëlexuar “Stuhi e vrull”, për shkrimin e të cilit Gëte dha kontributin kryesor. Kurse si talent i romantizmit ai u bë gjerësisht i njohur në mbarë Evropën në vitin 1774 me romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Më vonë Gëte ndryshoi stilin e shkrimeve të tij duke ju referuar idealeve të antikes. Pas viteve 1790 së bashku me Friedrich Schiller ata u bënë përfaqsuesit më të denjë të epokës klasike të Weimarit. Gëte njihet edhe sot si një nga figurat më të shquara të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.

Krijimtaria letrare
Poezi, këngë dhe balada
Geistesgruß (Poezi”Përshëndetje Shpirtit”), 1774 Burg Lahneck
In allen guten Stunden (Në të gjitha orët e mira), 1775
Der Erlkönig (Baladë “Mbreti ERL”), 1782
Xenien (Poezi , së bashku me Friedrich Schiller), 1796
Die erste Walpurgisnacht (Baladë, nga Felix Mendelssohn Bartholdy në formë të kantateve për soli, kor dhe orkestër), 1799
Vom Sänger hat man viel erzählt (Poezi kushtuar një këngëtarit”Për këngëtar tregojn shumë”), 1815
Wenn die Liebste zum Erwidern (Poezi kushtuar heshtjes), 1816
West-östlicher Divan (Poezi”Divani lindor-perëndimor), 1819

Drama
Die Laune des Verliebten, shkruar më 1768, u shtyp më 1806
Die Mitschuldigen , u shkrua më 1769, u shtyp më 1787
Götz von Berlichingen mit der eisernen Hand , 1773
Prometheus (Poezi), 1774
Neueröffnetes moralisch-politisches puppenspiel, 1774
Ein Fastnachtsspiel von Pater Brey, 1774
Jahrmarktsfest zu Plundersweilern, 1774
Götter, Helden und Wieland, 1774
Clavigo , 1774
Egmont, u shkrua më 1775, në shtyp 1788
Erwin und Elmire, 1775
Stella, 177
Der Triumph der Empfindsamkeit , 1777
Iphigenie auf Tauris, formë proze më 1779, u shtyp më 1787
Torquato Tasso, prej 1780, u shtyp më 1790
Faust. Një fragment, 1790
Der Groß-Cophta , 1792
Der Bürgergeneral , 1793
Faust. Një tragjedi ( përputhet me pjesën e parë të Faustit), prej 1797, u shtyp nën këtë titull më vitin 1808
Mahomet, përkthimi dhe përpunimi i tragjedisë nga Volteri më vitin 1802.
Die natürliche Tochter, 1804
Pandora (Festspiel), u shkroi më 1807/08, u shtyp më 1817
Faust II. (Pjesa e dytë e Faustit), 1833

Romane dhe Novela
Die Leiden des jungen Werthers (Roman-letre), 1774, Botimi i dytë 1787
Wilhelm Meisters theatralische Sendung (Roman), prej 1776, u shtyp më 1911
Unterhaltungen deutscher Ausgewanderten (Kuadër rrëfimi), 1795
Wilhelm Meisters Lehrjahre, 1795/96 (Tekst)
Novelle, prej 1797
Wilhelm Meisters Wanderjahre (Roman), prej 1807, u shtyp më 1821, ribotim më 1829 (Tekst)
Die Wahlverwandtschaften, 1809 (Tekst)

Përkthime
Das Leben des Benvenuto Cellini (Përkthim), 1797
Mahomet, Përkthim dhe përpunim të tragjedisë nga Volteri, 1802

Përkthime në shqip
Vuajtjet e djaloshit Verter, (Die Leiden des jungen Werthers) Onufri, 2004
Fausti, INFOBOTUES
Kënga e udhëtarit në shtërngatë, (The Song of Walker on the Storm), Johan V. Gëte, TOENA

Shënime dhe aforizma
Maximen und Reflexionen, 1833

Shkrime estetike
Über Kunst und Altertum (6 Vëllime, së bashku me Johann Heinrich Meyer), 1816–32

Shkrime shkencore
Über den Zwischenkiefer der Menschen und der Tiere, 1786
Beiträge zur Optik (2 Vëllime), 1791/92
Zur Farbenlehre , 1810

Fjalime
Einleitung zu den Trauerreden (freimaurerische Trauerrede zum Ableben des Meisters vom Stuhl Ridel), 1821
Rede zum brüderlichen Andenken Wielands (freimaurerische Trauerrede), von Goethe vorgetragen am 18.
Februar 1830
Dem würdigen Bruderfeste: „Fünfzig Jahre sind vorüber“ (poetischer Dank für eine Ehrenurkunde seinesfünfzigjährigen Maurerjubiläums), 1830

Proza autobiografike
Aus meinem Leben. Dichtung und Wahrheit (4 Vëllime), 1811–33
Italienische Reise, 1816/17
Kampagne in Frankreich (Raport), 1822

Të tjera
Römische Elegien, 1788–90
Venezianische Epigramme, 1790
Die guten Weiber, 1817/ KultPlus.com

Dita Botërore e Ujit shënohet sot

Më 22 mars shënohet Dita Botërore e Ujit, e cila është përcaktuar me rezolutën e OKB-së në dhjetor të vitit 1992.

Me shënimin e kësaj dite, OKB-ja ka për qëllim të rrisë rëndësinë e mbrojtjes së ujërave dhe mungesën e ujit të pijshëm në shumë vise të botës. Gjithashtu, nga viti 2005 deri 2015 është shënuar decenia e ujërave. Kështu shënimi i kësaj dite ka rëndësi më të madhe gjatë këtyre viteve.

Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar më 22 mars 1993, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit të pijshëm dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit të pijshëm.

Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit të pijshëm siç janë: uji për qytete, kualiteti i ujit, ujerat ndërkufitare, uji dhe kultura etj.

Sipas vlerësimeve deri në vitin 2025, dy të tretat e popullsisë botërore do të jenë të goditura me kërkesë të madhe për ujë të pijshëm, shkruan Kosova Press, transmeton Klan Kosova.

Ekspertët kanë vlerësuar që rreth 1.1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 2.5 miliardë njerëz nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieno-sanitare.

Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.

Botërori 2026, Shqipëria humb ndeshjen e parë ndaj Anglisë në “Wembley”

Kombëtarja shqiptare luajti ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Anglisë, e vlefshme për Kupën e Botës 2026.

Në stadiumin “Wembley” triumfuan të zotët e shtëpisë me rezultatin 2-0. Pavarësisht disfatës, Shqipëria zhvilloi një ndeshje dinjitoze përballë një prej skuadrave më të mira në botë.

Trajneri Silvinjo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Thomas Strakosha (GK), Naser Aliji, Berat Gjimshiti (C), Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Jasir Asani dhe Myrto Uzuni.

Minutat e para nisën me Anglinë në sulm, megjithatë Shqipëria ishte vendosur mirë në prapavijë, duke shmangur rrezikun.

Anglia mori avantazhin në minutën e 20-të me Lewis-Skelly.

Rasti më i mirë i Shqipërisë ishte në minutën e 27-të, kur topi i devijuar nga Burn goditi traversën. Pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fraksioni i dytë nisi pa ndryshime për kuqezinjtë, megjithatë në minutën e 63-të trajneri Silvinjo aktivizoi Brojën.

Sulmuesi kuqezi ishte menjëherë protagonist, duke u shfaqur rrezikshëm në portën kundërshtare.

Momenti më i mirë ishte në të 69-ën, kur Broja pasoi mirë për Asanin, i cili nga brenda zonës nuk e goditi topin.

Anglia shënoi golin e dytë në minutën e 77-të me Harry Kane.

Trajneri Silvinjo kreu dy ndryshime të tjera, duke aktivizuar Adrion Pajazitin dhe Arbër Hoxhën. Ndërsa në minutën e 82-të doli nga loja për arsye dëmtimi Thomas Strakosha dhe në portë u fut Elhan Kastrati.

Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe sfida u mbyll 2-0 për Anglinë.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë kualifikuese më 24 mars ndaj Andorrës, në stadiumin “Arena Kombëtare”, në orën 20:45.

Formacionet zyrtare të ndeshjes:

Anglia: Pikford, Uokër, Konsa, Burn, Ljuis-Skelli, Xhons, Bellingam, Rajs, Foden, Kejn, Rashford. Trajner: Tomas Tuhel

Shqipëria: Strakosha, Aliji, Ajeti, Gjimshiti, Balliu, Ramadani, Asllani, N.Bajrami, Laçi, Asani, Uzuni. Trajner: Silvinjo/ KultPlus.com

Chopin Piano Fest Prishtina prezanton programin e edicionit të 15-të

Festivali i pianos “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, ka publikuar probramin e edicionit të 15-të, përcjell KultPlus.

Festivali fillon nga 8 maji deri më 9 qershor 2025, ku pritet të festohen 15 vite muzikë me gjithsej 15 koncerte ku perfomojnë artistë të njohur, ansamble kamertale, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me soliste dhe koncertet e dedikuara per talentët e rinj premtues.

Ky edicion jubilar do mbahet në Amfiteatrin e Ri, Biblioteka Qendrore Universitare Prishtinë./ KultPlus.com

Kaçaniku organizon aktivitet në mbështetje të personave me sindromën Down

Sot, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, në sheshin e Kaçanikut u organizua një aktivitet sensibilizues në mbështetje të personave me sindromën Down, në mbështetje të aftësive, forcës dhe qëndrueshmërisë së tyre unike. 

Në këtë aktivitet u përçua mesazhi se së bashku mund të ndërtohet një shoqëri ku të gjithë vlerësohen dhe pranohen për atë që janë.

“Ne mund t’i dëshmojmë vlerat tona humane vetëm kur tregojmë solidaritet dhe mbështetje ndaj personave me nevoja të veçanta. Ata janë pasuri e madhe shoqërore e kulturore. Ata asnjëherë nuk janë barrë”, kanë thënë organizatorët.

Në këtë aktivitet të organizuar me mbështetjen e doktorit dhe stomatologut nga Kaçaniku, Dr. Astrit Sokoli nga “Mici Dent”, dhe bashkëpunëtorëve “Shigjeta”, morën pjesë edhe shumë përfaqësues dhe personalitete të njohura.

Në koordinim me Policinë e Kosovës, u realizua një parakalim i fëmijëve me sindromën Down të cilët kishin veshur uniformën e policisë. Ata shpërndanë kartolina, vallëzuan së bashku dhe ndanë shumë momente të mira mes vete, ku komuniteti i Kaçanikut tregoi një solidaritet në rritje, pasi për herë të parë u organizua diçka e tillë në këtë komunë./ KultPlus.com

Zëre se s’kemi qenë kurrë këtu

Poezi nga Pablo Neruda

Një ditë, të dy do të shuhemi,
larg njëri-tjetrit,
e askush s’do të kujtohet për ne.
Askush.
Askush s’do ta mbajë mend
kohën që kaluam bashkë,
kaq të shkurtër, kaq përjetësisht të shkurtër,
sa të ngjante një jetë e tërë.
Një ditë, nuk do të jemi më,
e kush do të kujtohet për ne?
Për ditët tona të para,
për ty, e bardhë dhe brishtë,
dhe për mua, që më mirë të mos e zëmë ngoje?
Asnjë.
Një ditë, kjo është e sigurt,
nuk do të jemi më këtu,
e kujt do t’i bjerë në hatër
për të voglën botën tonë?
Kaq e ngrohtë, e prapë kaq e ftohtë,
kaq e lehtë, e prapë kaq e vështirë,
për t’u hequr qafe?
Asnjë.
Vetëm unë dhe ti, tani, mund të kujtohemi,
pas nesh, askush. Dhe
zëre se s’kemi qenë kurrë këtu.

Përktheu: Aida Baro/ KultPlus.com

BKK shpalos premierën “Deadline”, në hap me ritmin e ethshëm të shtypit, pushtetit dhe përndjekjes

Era Berisha
Fotografitë: Qëndrim Morina

“Deadline”, titullohet baleti bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, që mbrëmë audiencën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e dërgoi brenda vorbullës së perfeksionit. Ka qenë një botë magjepsëse që rrallëherë vjen e trajtuar në këtë formë. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë shpalosur historitë e një redaksie gazete e cila ka qenë në kulmin e epokës së artë të shtypit rreth viteve 1920 në një metropol evropian, shkruan KultPlus.

Pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit pritnin jashtë sallës në të cilën pas murit sipër ishte e kapur një fletëz e gjatë që vazhdonte gjerë në hyrje të sallës brenda, porsi një gazetë e letrës që shpaloset lehtë. Me mbishkrime si “Rilindja 1945”, tregoheshin fakte të asaj kohe që ishin të mbledhura në fletën e bardhë. Kjo atmosferë i mirëpriti të pranishmit që u ulën në vendet përkatëse dhe mbushën sallën plot.

Një mjegull drite në ngjyrë ari qe piktura që priste për ringjallje në prapaskenë. Reflektorët u gjallëruan fiks në orën 20:16, duke paraqitur kështu në skenë gjithsej tetë tavolina pas të cilave ishin të ngjitura tetë makina shkrimi. Tavolinat ishin lëvizëse dhe lëvizja sipër tyre apo rreth tyre është kufizuese por kjo nuk vlente aspak në rastin e mbrëmshëm. Figurat e balerinëve nisën lojën me akte aktrimi dhe eleganca e tyre ishte mbresëlënëse. Ata lëviznin si boja ngjyrë zezë sipër letrës së bardhë. Ajri në atmosferë të jepte ndjesinë e një urgjence, një tensioni që të shtynte të lëvizje këmbën vetë. Pëshpëritjet e lajmeve të fundit, shushurima e faqeve në tokë që binin nga makina e shkrimit dhe shikimet e shkëmbyera portretizonin garën me kohën dhe shpalosnin pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet.

Pos tetë tavolinave, ishte një tavolinë e drurit ajo kryesorja në të cilën portretizoheshin mbledhjet kryesore. Trupat e balerinëve lëkundeshin si pikëpyetje, si pikëçuditëse, si presjet e mendimit të ndërprerë. Secili balerin ishte një gazetar, i pasionuar pas arritjes, secila balerinë – poete e kohës. Kostumet e tyre në anën tjetër, i jepnin një hijeshi të paparë lojës. Tregonin seriozitet, ashpërsi, autoritet, por në fund të fundit, ishin pikërisht trupat e tyre që tradhëtonin. Gjymtyrët e gjatë, të hollë e të trashë, shkrepnin fotografi lëvizjesh nga çasti në çast. Balerinët e BKK-së rikthyen pulsin tashmë të pangopshëm për audiencën e Prishtinës. Fuqia e tyre jepte ndjesi lakmitare.

Koreografi i këtij baleti, Sead Vuniqi, i cili njashtu është balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka shpalosur një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive duke pasqyruar energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.

Baleti “Deadline” trajtoi vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. “Deadline” është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Harqet e balerinëve patjetër që kanë shpuar audiencën me precizitetin dhe ndjenjën e ankthit.

Nga secili qosh, hijet e tyre qëndronin si vëzhgues të heshtur, redaktorë skeptikë, fantazma të historive të kaluara, të mbetura, të patreguara. Dritat e vëmendjes herë binin në tërësi, herë fokusoheshin në dy apo katër balerinë, varësisht kombinimeve dhe akteve performuese. Baleti Kombëtar i Kosovës kësaj here ka frymuar më ndryshe. Me “Deadline”, ata vulosën aftësinë e vallëzimit kontemporan, një frymë që sa vjen e shtohet akoma më shumë. Ndriçimi i ulët që i ngjasonte dritës së llambës ishte pika kryesore nëpërmjet së cilës dalloheshin lëvizjet e kyçeve të dorës dhe këmbëve. Dalloheshin edhe kthesat më të imëta. Balerinët e BKK-së shpërfaqën britmat e heshtura të atyre që luftojnë për t’u dëgjuar. Në atë redaksi të artë, historia nuk shkruhej – kërcehej.

Koreografi Sead Vuniqi në një prononcim për KultPlus ka treguar se është ndarë i kënaqur me suksesin e baletit “Deadline”.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për suksesin e mbrëmshëm të baletit Deadline. Ishte një natë magjike, ku BKK arriti të sjellë një performancë në nivelin më të lartë të mundshëm. Publiku u përfshi dhe u magjeps nga dinamika, intensiteti dhe estetika e kësaj shfaqjeje, duke përjetuar çdo moment me emocion dhe kuriozitet. Për mua, ka qenë një privilegj i madh të kem mundësinë të krijoj këtë shfaqje, dhe për këtë falënderoj drejtorin e BKK-së, Sinan Kajtazi, i cili më dha hapësirën dhe besimin për ta realizuar këtë projekt. Gjithashtu, mirënjohja ime më e thellë shkon për të gjithë balerinët, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm e sollën këtë vepër në jetë”, thotë Vuniqi.

Ai tutje ka falënderuar ekipin krijues: asistentja Diletta Antoni, për mbështetjen dhe kontributin e saj të çmuar, kompozitorin Phil Von, i cili me muzikën e tij i dha shfaqjes një dimension të thellë emocional, dramaturgen Eva Wagner, për qasjen e saj artistike dhe ndihmën në ndërtimin e strukturës dramaturgjike, kostumografen Elva Bela, për krijimin e një identiteti vizual të fuqishëm përmes kostumeve, skenografin Berat Hansi, për ndërtimin e një hapësire skenike që i dha jetë atmosferës së shfaqjes.

Po ashtu, balerini Fatmir Smani për KultPlus ka thënë se shfaqja është realizuar për një kohë rreth 4 javë.

“Shfaqja Deadline është projekti i fundit i përgatitur nga kolegu Sead Vuniqi. Kjo shfaqje është realizuar për një kohë rreth 4 javë. Bashkëpunimi me Seadin ka qenë tejet i mirë, duke e pasur parasysh që edhe në muajt e kaluar kemi pas mundësinë të bashkëpunojmë në projektet Terminal dhe Hope. Seadi si koreograf është mjaft kërkues dhe kjo e ka bërë që shfaqja të përthekohet në maksimum ku dhe rezultati u pa në premierë pasi që publiku e priti mjaft mirë. Poashtu asistentja Dileta e ka bërë një punë të mrekullueshme. Mesazhi i shfaqjes ka qenë i fokusuar tek krahasimi i gazetarisë në kohërat e vjetra dhe në të tashmen ku lajmi dhe oraret për të depërtuar ka qenë mjaft i vështirë dhe ka marr shumë kohë ndërsa sot gjithçka bëhet virale shumë shpejt”, thotë Smani.

Po ashtu, Isa Gjocaj, balerini i ri i cili tashmë është pjesë e përhershme e institucionit të BKK, dhe i cili pati një paraqitje dukshëm të bukur, për KultPlus ka thënë se periudha gjashtë javore e provave ka qenë mjaft intensive dhe po aq sfiduese.

“Si zakonisht, kemi pas problemet me te cilat ballafaqohemi për një kohë të gjatë tani siç janë mungesa e sallës së ushtrimeve dhe një vendi adekuat si teatri për shfaqjen e projekteve tona, si rrjedhim i të cilave hasim në probleme tjera si orari dhe koha e shkurtër për përgatitjen e shfaqjeve. Por e gjithë trupa bashkë me koreografin, asistenten e tij dhe pjesën tjetër të ekipit teknik kemi punuar me pasion dhe përkushtim maksimal për një rezultat sa më të mirë. Puna me Seadin është gjithmonë shumë e veçantë dhe produktive. Seadi është një krijues dhe koreograf shumë i talentuar, dhe besoj se kjo ka dal në pah përmes kësaj shfaqjeje”, thotë Gjocaj.

Sipas tij, “Deadline” ka sjellë një koncept unik në dallim me shfaqjet e tjera, duke e vendosur historinë në atmosferën e një redaksie të gazetës së viteve 1920-30.

“Thelbi ka qenë tek pasqyrimi i përkushtimit dhe pasionit të atyre që punojnë në industrinë e shtypit, duke sjellë në skenë sfidat, rivalitetet, intrigat dhe bashkëpunimin mes gazetareve, fotoreportereve, dhe stafit mbështetës, duke na rikujtuar rëndësinë e gazetarisë në shoqëri. Përmes lëvizjeve tona ritmike dhe lidhjes së personazheve, shpresojmë ta përçojmë idenë dhe konceptin tek publiku”, ka thënë ai.

Sonte, po ashtu është luajtur repriza e parë e “Deadline” në Sallën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com


Gjermania miraton pakon e ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh

Komiteti për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi Friedrich Merz – kancelari në ardhje –po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje.

Të dy dhomat e Parlamentit gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Merzit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane.

Planet e Merzit për shpenzime të miratuara nga Dhoma e Lartë e Parlamentit më 21 mars mundësojnë krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për shpenzime në infrastrukturë dhe lehtësim të rregullave të huas, duke mundësuar shpenzime më të larta në mbrojtje.

Ndërkaq, vendimi i Komitetit për buxhet u konfirmua nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.

Në paketën prej 3 miliardë eurosh përfshihen 2.547 miliardë nga Ministria e Financave që do t’i jepen Ukrainës këtë vit, të plotësuara edhe nga kontribute tjera, përfshirë një rimbursim nga Mekanizmi Evropian i Paqes.

Ministria gjermane e Financave po ashtu planifikon të autorizojë 8.252 miliardë euro për ndihmë ushtarake për Ukrainën për periudhën nga viti 2026 deri më 2029, duke bërë që totali i ndihmës të arrijë në 11 miliardë euro.

“Ishte koha” që Komiteti parlamentar të hapte rrugën për përdorimin e fondeve dhe Gjermania tani po vendos ritmin për mbështetjen e Evropës për Ukrainën, tha Baerbock përmes një deklarate.

“Situata ushtarake e Ukrainës është bërë më e vështirë në muajt e fundit”, shtoi ajo.

Anëtarët e Bashkimit Evropian, udhëheqësit e të cilëve u mblodhën këtë javë për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, janë nën presion që të shfaqin angazhimin e tyre për Ukrainën e cila po përballet me pushtimin rus, pasi pasiguria po rritet lidhur me të ardhmen e garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trumpit. /REL/ KultPlus.com

Rudina Xhunga prezantoi në Londër dokumentarin “Në besë të shqiptarëve”

Rudina Xhunga prezantoi në Londër dokumentarin “Në besë të shqiptarëve” një prodhim historik i Dritare TV.

Një histori e jashtëzakonshme e fjalës së dhënë, premtimit të mbajtur, e virtytit të shqiptarit autokton, Besës.

Një realizim i mbështetur jo vetëm në materiale arkivore të huaja, por dhe dëshmitë e njerëzve të fundit mbetur gjallë nga vitet e një ngjarjeje unike në tokën tonë.

Dokumentari pas prezantimit në Tiranë, ka rrugë për të bërë, për t’u shfaqur në qendrat kryesore të Diasporës./ KultPlus.com

Astronomja Pranvera Hyseni kalon me sukses provimin e kualifikimit për doktoratë në Kaliforni

Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, ka përfaqësuar vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit.

Së fundmi, Hyseni ka treguar se tashmë ajo është zyrtarisht kandidate për doktoratë. Ajo ka kaluar me sukses provimin e kualifikimit për doktoratë dhe zyrtarisht ka avancuar në fazën e kandidaturës.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Zyrtarisht Kandidate për Doktoratë!!!!

Pas tri orëve intensive, nën trysninë e pyetjeve të njëpasnjëshme e tejet sfiduese nga komisioni im, sot e kalova me sukses provimin e kualifikimit për doktoratë dhe zyrtarisht avancova në fazën e kandidaturës! E veçanta është se pikërisht në këtë ditë, tre vite më parë, diplomova me Master nga Universiteti i Kalifornisë në Astronomi Planetare. Sot, jam një hap më afër për t’u bërë Dr. Hyseni.

Rruga përpara mbetet e gjatë, por sot ishte një ditë për t’reflektu dhe për tu ndje shumë mirënjohëse për këtë rrugëtim. Faleminderit nga zemra për mentorët dhe komisionin tim për mbështetjen dhe besimin që kanë pasë në mua./ KultPlus.com

’Nëse poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë, atëhere ti s’ke kuptuar asgjë’

Poezi e shkruar nga Jacques Brel

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …/ KultPlus.com

Kuptimi dhe bukuria e dorëshkrimeve

Nga: Stefan Cvajg

Përktheu: Bujar Hudhri

Fjala e mbajtur në ekspozitën e librave në Sunday Times, Londër, 1935

Kam vendosur të flas sot për bukurinë dhe kuptimin e dorëshkrimeve, sepse në ditët tona ende nuk ka një përfytyrim të qartë as për kuptimin, as për bukurinë e këtyre thesareve të fshehura. Te krijimet e arteve të tjera, kuptimi i tyre sikur del jashtë; bukuria e tyre nuk mbështillet me ndonjë tis misteri. Për shembull, një tablo e pikturuar nga një mjeshtër: na duhet veçse të afrohemi tek ajo dhe syri ynë të kënaqet me format, me ngjyrat e saj; vazoja e derdhur mjeshtërisht në bronz, qilimi që shndrit nga qëndismat larmingjyrëshe, duke na u shfaqur me gjithë bukurinë e lakuriqtë, sikur ata vetë, shterueshëm, e nxjerrin thelbin e tyre të mistershëm; kristali, monedhat, gurët e çmuar – që të mahnitemi prej tyre, mjafton vetëm t’u ngulim vështrimin. Këto thesare i kupton dhe i dëshiron pothuaj pa u menduar, kaq lehtësisht na magjepsin dhe sundojnë ndjenjat tona.

Në krahasim me to, një koleksion dorëshkrimesh nuk i thotë asgjë shikimit tonë. Po çfarë mund t’i duket tjetër syrit tonë një pirg fletësh të pluhurosura, gjysmë të kalbura, të ndotura, një tog letrash, aktesh dhe dokumentesh, në pamje të parë kaq të padobishme, saqë, po të mbeten po aty ku u gjendën rastësisht, një dorë e ngutur do t’i flakte si të ishin ca vjetërsira. Dhe, në të vërtetë, pamja modeste, së jashtmi, e dorëshkrimeve, ka qenë gjatë shekujve shkaku i zhdukjes së pakuptimtë të vlerave kolosale. Dorëshkrimet e Shekspirit, letrat e tij, shënimet, veprat e shquara e të panjohura muzikore, nëntë të dhjetat e gjithë letërsisë antike, shumë drama të Sofokliut dhe Euripidit, strofa të Safos – të gjitha u zhdukën vetëm sepse kuptimi dhe bukuria e këtyre faqeve të shenjta nuk ishin të qarta. Pikërisht, që të kuptohet rëndësia e thellë, e fshehur, e këtyre thesareve, është i domosdoshëm interesi i brendshëm për to. Vetëm zemrës, jo ndjenjave të jashtme sipërfaqësore, mund t’i shfaqet bukuria dhe vlera shpirtërore e dorëshkrimeve.

Por, jo çdokush mund të futet në mbretërinë e tyre të mistershme. Këtë mund ta bëjë vetëm ai që zotëron çelësin për arritjen e tyre, që e shtyn ajo forcë morale, që është më e mrekullueshmja, më e fuqishmja në botë – përulja. Që t’i kuptosh dorëshkrimet dhe pasi t’i kuptosh, t’i duash, që të mrekullohesh prej tyre, të emocionohesh dhe të entuziazmohesh, për këtë duhet, së pari, të mësohesh t’i duash njerëzit, tiparet jetësore të të cilëve janë ngulitur në to përjetësisht. Dorëshkrimi i Kits mbetet për ne një fletë e zakonshme letre e mbushur me shkrime, derisa vetëm përmendja e emrit të poetit të na zgjojë kujtimin e përulur për ato vargje hyjnore, që i lexonim dikur dhe që janë po kaq reale dhe të prekshme për shpirtin tonë, ashtu sikundër çdo shtëpi e këtij qyteti, si qielli mbi to, si reja mbi det. Që të ndiejmë dridhmën e përulur para njërës prej fletëve që ndodhet këtu, – para skicës së “Sonatës së hënës” – duhet që kjo melodi të kishte jehuar një herë brenda nesh. Vetëm atëherë, kur të sillemi me poetët, kompozitorët dhe heronjtë e tjerë të shpirtit dhe veprimit me ndjenjën e përuljes, na shfaqet kuptimi dhe bukuria e dorëshkrimeve të tyre.

Por, habitshmërisht i dyfishtë është qëndrimi ynë për gjenitë e njerëzimit. Nga njëra anë, ne nuk kemi dyshimin që ata ishin më madhështorë, më hyjnorë se ne, njerëzit e zakonshëm, të vegjël; ne e ndiejmë që ata janë mbi ne dhe kjo na ngjall një ndjenjë respekti më të thellë për ta. Por, nga ana tjetër, ne provojmë edhe ndjenjën e një kënaqësie të fshehtë kur e dimë që këta krijues hyjnorë, gjenialë, kanë qenë po ashtu si dhe ne, që ata të cilët shpirtërisht ishin mbi ne, kanë jetuar mes nesh, vdekatarëve të zakonshëm, kanë banuar në shtëpi, kanë fjetur në krevate, kanë veshur rroba, kanë shkruar letra; dhe kjo zakonshmëri na jep një gëzim modest, kur përulësisht ruajmë gjithçka që na kujton jetesën e tyre tokësore. Vetëdija krenare për afrinë tokësore të tyre me ne na lejon që të duam gjithçka, që ndjeshmërisht na kujton jetën e tyre, na nxit të studiojmë librat e shkruar për to, të koleksionojmë portretet e tyre dhe kujtimet e bashkëkohësve të tyre; por asgjë nuk shpalos kaq bindshëm dhe mrekullueshëm portretin e tyre artistik sesa dorëshkrimet e tyre. Sepse pikërisht në to pasqyrohet fytyra e vërtetë e artistit dhe ne sikur depërtojmë në faltoren e shenjtë të qenies së tyre – në studion e tyre.

Gëte, një nga këta të pavdekshëm, e pranonte “vlerën e pavdekshme”, siç thoshte ai, të dorëshkrimeve. Në njërën nga letrat e tij ai thoshte: “Duke soditur dorëshkrimet e njerëzve të shquar të së kaluarës, unë, si me magji, bëhem bashkëkohës i tyre. Dokumente të tilla nga jetët e tyre janë të shtrenjta për mua, në mos si portret, atëherë, në çdo rast, si një plotësim i dëshirueshëm apo zëvendësim i tij.”

E kam nxjerrë nga mbretëria e shpirtrave dëshmitarin e shquar i cili e ka vërtetuar dashurinë e tij për dorëshkrimet duke i koleksionuar ata; por Gëte nuk ka qenë i vetmi para të cilit u hap kjo botë magjike. Johann Sebastian Bach ruante dorëshkrimin e notave të Handelit, Beethoveni të Mozartit, Schumann të Beethovenit, kurse Brahmsi të të gjithëve bashkë. Ky varg i mahnitshëm zgjatet nëpër të gjitha kohërat, sepse pikërisht ai që krijon vetë, provon një përulje të vërtetë para krijimtarisë së të tjerëve, vetëm artisti është i aftë të kuptojë dhe ta shfaqë dashurinë, madje edhe për ato dukuritë më të veçanta dhe befasuese të artit.

Por, këta mjeshtra i kanë ruajtur letrat e mësuesve dhe sivëllezërve të tyre shpirtërorë jo vetëm si relikte; nga përvoja vetjake ata e dinin që pikërisht në dorëshkrime dhe jo vetëm në to, është fshehur një nga misteret më të thella të natyrës, mbase më i thelli. Sepse nga shumica e mistereve të pazbuluara të botës, më i thelli dhe më i shenjti mbetet misteri i krijimit. Këtu natyra nuk e duron përgjimin. Ajo nuk të lejon kurrë të kundrosh fshehurazi aktin e fundit të krijimit: si u krijua bota, si çel një gonxhe, si lind një varg, si lind një njeri. Pamëshirshëm, pa as më të voglën ndjesë, e ul perden. Madje, poeti apo kompozitori, dhe ata vetë që e përjetojnë procesin poetik apo krijimtarinë muzikore, nuk munden paskëtaj të shpjegojnë misterin e frymëzimit të tyre. Sapo krijimi u krye, artisti nuk mund të thotë asgjë se si lindi, si u rrit dhe u kristalizua; kurrë, apo thuajse kurrë, ai nuk mund të shpjegojë se si nga ndjenjat e tij sipërane lindi ky apo ai varg i magjishëm, apo nga tinguj të veçantë – një melodi që do të jehojë në shekuj.

Këtu, sikundër u thashë, natyra nuk e duron përgjimin, këtu ajo prerazi e ul perden e saj. Dhe e vetmja gjë që ajo mund të na rrëfejë qoftë një grimë, apo që të na afrojë fare pakëz në zgjidhjen e procesit të pakapshëm të krijimit, janë fletët e dorëshkrimeve. Ashtu si gjahtari pas gjurmëve më të lehta gjen bishën, ashtu edhe ne pas dorëshkrimeve – sepse ato janë gjurmët e jetës, gjurmët e krijimtarisë, – mund të ndjekim pas procesin e krijimit të figurës; duke na ngjallur ndjenjën më të thellë të respektit, ata ndërkohë së bashku me të na pasurojnë dijet. Ja, për shembull, një fletëz e bllokut të shënimeve të Beethovenit, ku është ngulitur një nga këto lëvizje prometeane.

Frymëzimi pothuaj kurrë nuk i erdhi Beethovenit kur ishte në tavolinën e shkrimit, por kurdoherë në ecje, në lëvizje. Fshatarët e rrethinave të Vjenës shpesh vërenin me habi një njeri jo shtatlartë, që vuante nga astma, i cili kokëjashtë endej fushave; ata e merrnin për të lojtur; “Murmuritësi”, – i thoshin sepse ai, si i çmendur, kurdoherë shihej duke murmuritur nën hundë, fishkëllente, këndonte, hapte duart sipas ritmit.

Befas, pasi ndalonte, nxirrte nga xhepi një bllok të vogël të bërë me njolla, duke e gërvishtur me laps plumbi ngutshëm, shënonte notat. Në këta rreshta të ngutur sikur kristalizohej prototipi, sido që të lindte: rrufeshëm, nxehtë; dhe ja, në sytë tanë ndodh çudia: fuqia magjike e dorëshkrimit befas na zbulon çastin e frymëzimit që nuk duket zakonisht, ashtu sikundër rrezet rëntgen bëjnë të dukshme për syrin tonë skeletin e njeriut. Më tej ju shihni fletë të tjera, në të cilat kompozitori zhdrivillon në kopje melodinë e skicuar fillimisht, e ndreq, pastaj i vë vizën dhe e nis sërish nga e para.

Dhe nga fleta në fletë ju ndiqni me emocion se si ndryshon gjatë punës gjendja shpirtërore e artistit. Këtu rreshtat shkrihen nxehtësisht dhe ngutshëm, duke e ndjekur me zor vrullin e frymëzimit; atje, duke u ndeshur, ata befas ndalojnë, ndërpriten, lindin sërish dhe përsëri këputen dhe ju e ndieni: poeti, kompozitori, nuk gjejnë këtu fjalën e duhur, kalimin melodik. Dhe si në një pasqyrë magjike ju del në pah: këtu – lodhje, atje – sfilitje, kurse në një zhgrapje tjetër nervoze – madje zemërim, dhe pastaj sërish vrull – tashmë te fitorja e radhës, përfundimtarja.

Dhe ja, më në fund, zë e ndriçon dielli i ditës së shtatë, bota u krijua, vepra u krye, formula e radhës, e fundmja, u gjend – kjo është forma e parë e shfaqjes në botë të një krijimi të pavdekshëm: skerco nga simfonia e nëntë ose “Manushaqja” e Mozartit në shënimin e fundit me dorën e vetë kompozitorit. Në dorëshkrim, më tepër se në çdo rrëfim, në çdo tablo, pasqyrohet fitorja e përjetshme e shpirtit mbi materien. I përjetshëm është edhe mendimi i Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe): që të kuptosh veprën artistike, është pak ta njohësh në përsosmëri, duhet të gjurmosh se si ajo u krijua: prandaj shumë vepra letrare, shumë vepra muzikore ne mundemi, mbase, t’i pushtojmë në gjithë thellësinë e tyre vetëm atëherë kur me ndihmën e këtyre dorëshkrimeve e përfytyrojmë veten në atë botë, ku ata janë krijuar.

Dokumentet dorëshkrimore i lejojnë fantazisë sonë të përfytyrojë figurshëm jo vetëm gjendjen krijuese, por edhe episode historikisht të rëndësishme nga jeta e artistit. Nëse mendja njerëzore, tashmë e ngacmuar nga fantazia, do të vështrojë çdo episod të tillë si diçka të gjallë, atëherë asnjë fletë letre nuk do të na duket e vdekur, fëshfëritja e të cilave i ngjan fëshfërimës së gjetheve kur bien. Nganjëherë dorëshkrimi historik zotëron një fuqi të tillë tronditëse, saqë disa rreshta të tij janë në gjendje të rindërtojnë ndonjë skenë ku e ku më plastike sesa mund ta bëjë këtë një poet apo biograf.

Shikoni, për shembull, një letër të Beethovenit, të shkruar pak përpara se ai të vdiste. Tre muaj radhazi, kompozitori i sëmurë nuk çohet nga krevati, trupi i tij i fortë dhe i bëshëm, tashmë i pafuqishëm dhe i lehtë si i një fëmije, dora e tij e tretur, pa gjak, tanimë nuk është në gjendje të shkruajë një rresht. Ai nuk dyshon që vdekja është aty afër, ndërkohë e kanë pushtuar telashet sfilitëse. Si do të jetojë tani, kur nuk mund të krijojë, me çfarë do ta paguajë apartamentin? Por ai e di se atje, larg, matanë La Manshit, është një vend ku e duan dhe e nderojnë.

Ai ka marrë një ftesë nga shoqata filarmonike e Londrës: atë e presin koncertet dhe paratë. Dëshpërimisht, thërret për ndihmë, me shpresë se britmën e tij do ta dëgjojnë përtej detit, por dora e tij tashmë nuk ka fuqi të mbajë as penën; letrën e shkruan Schindleri besnik, deri në fjalët e fundit tronditëse: “Jam tepër i lodhur, nuk mund t’ju them asgjë më shumë.” Pastaj ia zgjat letrën në krevat. Me një tendosje të pabesueshme, me gishtërinjtë që dridheshin, pa pikë fuqie, kompozitori nënshkruan poshtë “Beethoven”; kjo i kushton më shumë përpjekje se krijimi i sonatave apo simfonive. Dhe ky nënshkrim që dridhet, që është kaq torturues, nuk mund të mos tronditë çdo njeri që ka ndjenja, sepse këto germa Beethoven nuk i shkroi i vetëm: penën e mbante vdekja.

Në këto germa sikur ka ngrirë klithma e shpirtit, e sunduar nga tmerri më i thellë, një çast i paharruar, i ruajtur përjetësisht nga kjo fletë letre. Dhe – çfarë kontrasti befasues! – pranë shtrihet një fletë tjetër, dëshmia martesore e Mozartit. Gjithçka tek ajo frymon jetë dhe hare, rini dhe lumturi, germat sikur hedhin valle dasme; por ne e dimë që pikërisht në atë ditë, sapo u kthye në shtëpi nga dasma, Mozarti, si një fëmijë, u lëshua në vallëzim përqark tavolinës së bashku me nusen e re, sepse më në fund kishte arritur ta merrte “nusen e tij të vogël”, pavarësisht gjithfarë pengesash dhe kundër babait të rreptë.

Kështu, në njërën fletë disa rreshta përfshijnë në vetvete lumturinë më të madhe njerëzore, në tjetrën – hidhërimin më të thellë, dhe për atë që di t’i lexojë, jo vetëm me sy, por edhe me zemër, këto shenja të padukshme tregojnë jo më pak sesa bukuria e dukshme e librave apo tablove. Dorëshkrimet zotërojnë një forcë magjike, një aftësi që të ngjallë në të tashmen figura të njerëzve të ikur prej kohësh; pranë këtyre fletëve kalon si në një galeri pikturash dhe secila prej tyre të prek dhe të pushton. Duke vëzhguar koleksionet e dorëshkrimeve të artistëve, të ndarë nga njëri-tjetri prej hapësirës, kohës apo armiqësisë së ndërsjelltë në gjallje të tyre, padashur ndien përmes hapësirës dhe kohës dallimin e natyrave të tyre krijuese dhe së bashku me të larmia e shenjtë, me të cilën arti di të sundojë zemrat tona. Ja shkrimi i madh, i gjerë, serioz, i Handelit.

Aty ndihet një njeri i fuqishëm, i pushtetshëm dhe sikur dëgjohet kori i fuqishëm i oratorios së tij, në të cilin vullneti njerëzor pështillet në ritmin e rrymës së pafre të tingujve. Dhe sa këndshëm dallohet prej tij shkrimi i hijshëm, i lehtë, lojcak, i Mozartit, që të kujton stilin rokoko ma ato lulkat e lehta, të spërdredhura, shkrimi në të cilin ndihet vetë gëzimi i jetës dhe muzika!

Dhe ja hapi i rëndë, prej luani, i rreshtave të Beethovenit: duke këqyrur me vëmendje, ju sikur shikoni në to një qiell të mbuluar me re shtrëngate dhe ndieni padurimin vigan, zemërimin titanik që ka pushtuar zotin e shurdhër. Kurse pranë tij – çfarë kontrasti! – rreshtat elegantë, feminilë, sentimentalë, të Shopenit apo ata me hapje të plotë dhe njëkohësisht me përpikëri alla gjermane të Wagnerit.

Thelbi shpirtëror i secilit prej këtyre artistëve të shfaqet në këta rreshta të ngutshëm më dallueshëm sesa në diskutimet e gjata të muzikologëve dhe misteri, misteri i shenjtë i “unit” krijues të tyre shpaloset më i plotë sesa në shumicën e portreteve të tyre. Sepse dorëshkrimet, ndonëse nuk krahasohen nga bukuria e jashtme dhe tërheqja me tablotë dhe librat, gjithsesi, kanë ndaj tyre një përparësi të pakrahasueshme: ata janë të vërtetë.

Njeriu mund të gënjejë, të shtiret, të dorëzohet; portreti mund ta ndryshojë dhe ta bëjë më të bukur, libri mund të të gënjejë, letra po ashtu. Por në një gjë, gjithsesi, njeriu është i pandarë nga thelbi i tij i vërtetë – te shkrimi. Shkrimi e tradhton njeriun, do apo s’do ai. Shkrimi është i patjetërsueshëm, po ashtu si edhe vetë njeriu dhe, në ndonjë rast, rrëfen edhe më shumë, se për çfarë hesht njeriu.

Përgjithësisht, nuk jam i prirur të mbaj anën e atyre që mbivlerësojnë grafologët, të cilët pas çdo rreshti janë gati të sajojnë horoskopë të së ardhmes apo së shkuarës, – jo gjithçka mund të na japë shkrimi; por më thelbësorja te njeriu, si të thuash, kuintesenca e personalitetit të tij, gjithsesi jepet në të si në miniaturë. Nëse mësohemi ta çmojmë kështu shkrimin, ta lexojmë në këtë mënyrë, atëherë koleksioni i dorëshkrimeve bëhet për ne një shikim krejt i veçantë fizionimik i botës, një tipologji e shpirtit krijues.


Dorëshkrimet kanë, përveç të tjerash, edhe një rëndësi të jashtëzakonshme morale, sepse ata madhështisht na kujtojnë që veprat, të cilat na magjepsin në formën e tyre të përsosur, janë jo vetëm prej dhuntisë së gjeniut, por edhe fryt i një pune sfilitëse, vetëmohuese. Ato na tregojnë fushën e betejës, ku shpirti njerëzor lufton me materien, luftën e përjetshme të Jakovit me engjëllin; ato na shpien në thellësi të mbretërisë së Krijimit dhe na detyrojnë dyfish ta duam dhe nderojmë njeriun tek artisti, për hir të veprës së tij të shenjtë. Kjo është e gjitha ajo që e drejton bekueshëm shikimin tonë nga e jashtmja tek e brendshmja, nga e përkohshmja tek e përjetshmja, dhe prandaj ne duhet t’u qasemi këtyre fletëve të thjeshta me një bekim edhe më të madh për atë bukurinë e tyre të brendshme, sepse nuk ka dashuri më të pastër sesa dashuria për bukurinë e shpirtit. Gjithçka tjetër kalon, vetëm ajo rron përjetë, siç ka thënë poeti: “А thing of beanty is a joy for ever.” /KultPlus.com

Vesa Guhelli me interpretim të veçantë të poezisë ‘Atdheut’ (VIDEO)

Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat gojore të recitimit të poezisë, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, kërcimi, muzika e piktura, si dhe për të rritur dukshmërinë e poezisë në media.

Pikërisht në këtë ditë artistja Vesa Guhelli ka publikuar një interpretim të bukur të poezisë Atdheut nga Gjergj Fishta.

Videoklipi është i shoqëruar me fragmente muzikore nga kënga Mallëngjimi të Muharrem Qenës.

Më poshtë mund ta gjeni videon e plotë./ KultPlus.com


65 vite nga lindja e Ayrton Senna, ikona e garave

Ylli brazilian Ayrton Senna vdiq më 1 maj 1994, pasi u përplas në San Marino Grand Prix 1994 – garat e Formula 1 – piloti i dytë që humbi jetën gjatë asaj që Bernard Charles Ecclestone, një ish-manjat britanik i biznesit e quajti – një fundjavë katastrofike.

Një nga tre pilotët brazilianë të “Formula 1” që u bë Kampion Bote, Senna fitoi 41 “Grand Prix” dhe vendosi 65 “pole position”, me këtë të fundit duke thyer rekordin deri në vitin 2006.

Senna filloi karrierën e tij në garat me “karting” dhe me pas në garat “open-wheel racing” në 1981 dhe fitoi Kampionatin Britanik të Formula 3 në vitin 1983.

Ai bëri debutimin e tij në Formula 1 me Toleman-Hart në 1984, përpara se të transferohej te Lotus-Renault për sezonin e 1985 dhe të fitonte gjashtë Grand Prix gjatë tre sezoneve të ardhshme.

Në vitin 1988, ai iu bashkua francezit, Alain Prost në McLaren-Honda. Ata fituan të gjitha garat, përveç njërit nga 16 Grand Prix atë vit, dhe Senna pretendoi Kampionatin e tij të parë Botëror.

Prost fitoi kampionatin në 1989, dhe Senna kampionatin e tij të dytë dhe të tretë në sezonet e 1990 dhe 1991.

Në vitin 1992, kombinimi Williams-Renault filloi të dominojë në Formula 1.

Senna arriti të përfundojë sezonin e 1993 si nënkampion, duke fituar pesë gara dhe duke negociuar një zhvendosje në Williams në 1994.

Senna u be i njohur për shpejtësinë e tij kualifikuese mbi një xhiro.

Nga viti 1989 deri në vitin 2006, ai mbajti rekordin për shumicën e “pole positions”.

Ai u vlerësua gjithashtu për performancat e tij në mot të lagësht duke fituar garat të tilla si, “Monaco Grand Prix 1984”, “Portuguese Grand Prix 1985” dhe “European Grand Prix 1993”.

Ai arriti një rekord me gjashtë fitore në “Monaco Grand Prix”, dhe është piloti i gjashtë më i suksesshëm i të gjitha kohërave për sa i përket fitoreve në “Grand Prix”, dhe ka fituar më shumë gara për McLaren se çdo pilot tjetër./ KultPlus.com