‘Asgjë s’e ruan përherë shndritjen’

Poezi nga Robert Frost

Ngjyra e parë e natyrës ishte e arta,
nuanca e saj më e fortë, e flakta.
Gjethja e saj më e parë, një lule,
por vetëm për një orë, e dukshme.
Pastaj gjethja mbeti prapë gjethe,
kështu Edeni ra prapë në heshtje.
Dhe agimi venitet drejt ditës.
Asgjë s’e ruan përherë shndritjen.

Përkthyer nga Kujtim Morina/ KultPlus.com

Valdrin Thaqi hap programin e ri të Galerisë Kombëtare – Qafa, me ekspozitën “Shtëpia Mbi Kodër”

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se të mërkuren, me datë 30 prill, duke filluar nga ora 19:00 do të hapet ekspozita personale e artistit Valdrin Thaqi, e titulluar “Shtëpia Mbi Kodër”.

Në njoftim thuhet se “Shtëpia Mbi Kodër” është ekspozita e parë që nis programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Qafa.

“Si pjesë e përbërëse Galerisë Kombëtarë të Kosovë, kjo hapësirë do të shërbej si një platformë
eksperimentale dhe avangarde për artin bashkëkohor, me fokus në mbështetjen e artistëve të rinj,
komisionimin e veprave të reja dhe organizimin e ekspozitave të para personale ndër të tjera– duke
krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe prezantimin e praktikave te ndryshme artistike”, thuhet në njoftimin e galerisë.

Në ekspozitën e tij, Valdrin Thaqi nuk ndërton një narrativë, por zbërthen një dimension të
mbushur me reflektime të thella mbi ekzistencën, identitetin dhe nocionin e asaj që njohim si
shtëpi. Të krijuara gjatë dy viteve të fundit, veprat e paraqitura artikulojnë një gjuhë mes pikturës
dhe skulpturës. Ato përfshihen në një dialog të heshtur, duke ndërtuar terrene të ndërlikuara për
vizitorët që orientohen mes tyre./KultPlus.com

Robert Shvarc: Kur përktheja Remarkun

Romani i Erih Maria Remarkut “Tre shokë” u botua për herë të parë në shqip në vjeshtë të vitit 1961. Ishte koha kur shoku im i rinisë, Drago Siliqi, drejtor i N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”, me guximin e tij prej intelektuali, u hapi lexuesve shqiptarë një dritare të madhe për të njohur letërsinë botërore. Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”, isha 27 vjeç dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë. Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij. Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht më 1933. E kisha fjalën, pra, si e përktheva romanin “Tre shokë”.

E mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me një ditëlindje, me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë. Edhe kësaj radhe më mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer i këtij shkrimtari, që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin. I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri në fund, por do t’i futesha punës menjëherë dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht për rresht, ashtu siç e kishte përjetuar autori në procesin e tij të krijimit. Ishte një vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pa ditur as vetë, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndjesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjen e tij dhe them se arrita t’ia përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij. Të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qenkej tradhtar i autorit…

Me romanin “Tre shokë” më lidhin kujtimet më të bukura të punës sime si rikrijues; por më lidhin edhe disa nga ato rastësitë e çuditshme që ndodhin në jetën e njeriut. Autori e kish botuar këtë vepër në vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu. Dhe pikërisht, atë vit, më 1938, unë, ende fëmijë, erdha nga vendlindja ime, Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjithashtu gjeta mbrojtje dhe shpëtova kokën nga murtaja naziste. Isha pra, një çun i vogël, që në atë kohë nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe asnjë fjalë gjermanisht. Dhe kush mund ta parashikonte atëherë që plot 23 vjet më vonë, do t’i jepja lexuesit tonë një libër të tillë në gjuhën time amtare!…

Përkthimi dhe suksesi që pati “Tre shokët “pas botimit në shqip, më dhanë shtysën që të vazhdoja të merresha me përkthime letrare. Edhe sot e kësaj dite takoj shokë e miq të brezit tim, të cilët këtë libër të Remarkut e mbajnë dhe e ruajnë si Bibël, sepse jo vetëm që mbahet si himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e pa asnjë lloj interesi midis shokësh, por konsiderohet edhe një nga historitë më të bukura e më mallëngjyese të dashurisë. Romani i dytë që përktheva ishte “Shkëndija e jetës”. Edhe kjo vepër më ngjiti menjëherë, jo vetëm për faktin se lidhej edhe me diçka personale, por më tepër nga forca e penës së këtij shkrimtari, i cili, pa qenë kurrë në një kamp përqendrimi nazist, arriti, vetëm përmes shfrytëzimit të një dokumentacioni, sa të pasur aq edhe ngjethës, të na japë një dëshmi të tillë të një vërtetësie të mahnitshme historike, duke ia kaluar plot e plot shkrimtarëve të tjerë që e trajtuan këtë temë. I treti roman i këtij autori ishte “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”.

Ky roman, i cili qe botuar edhe një herë tjetër në shqip në vitin 1936, më vuri përpara një përgjegjësie të madhe. Ai ishte një roman kujtimesh autentike dhe tronditëse, i njohur në të gjithë botën, ishte, siç shkruan Kadare në hyrjen e tij – një libër i qetë e modest, por edhe një kambanë alarmi kundër histerisë së luftërave; brenda një kohe të shkurtër ai u bë thesar i tërë njerëzimit…Por pikërisht thjeshtësia e këtij libri ishte aq e vështirë për t’u ridhënë. Dhe përsëri u futa në lëkurën e atij maturanti 18-vjeçar, e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që e rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve të tij, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogoret e një lufte të çmendur e të kotë. Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar.

Këto ishin pak a shumë kujtimet e mia për këtë shkrimtar kaq njerëzor dhe të dashur për lexuesin, i cili me atë gjerdan vezullues të librave që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit tonë. /KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” feston 75-vjetorin me koncert në Kroaci

Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e “Novinarski Dom” në Zagreb të Kroacisë, është mbajtur një koncert me rastin e 75-vjetorit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nga Prishtina.

“Ky përvjetor i rëndësishëm u shënua me një ngjarje kulturore të nivelit të lartë, duke sjellë pranë publikut shqipëtar në Kroaci artin dhe përkushtimin që kjo shkollë ka kultivuar ndër vite”, thuhet në njoftimin e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci.

Në koncert kanë performuar kori dhe orkestra e shkollës, me një repertor të përzgjedhur mjeshtërisht, duke përfshirë vepra të kompozitorëve klasikë si Bach, Mozart, Elgar, Bruckner, Saint-Saëns, Rudi dhe Abreu.

“Emocionin dhe hijeshinë e mbrëmjes e shtuan edhe solistët Princ Fanaj, Elton Syla, Vesa Berisha, Bleta Martinaj dhe Eris Laçi, nën dirigjimin plot pasion të Lirjona Sylejmanit. Ky koncert është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit kulturor, me mbështetjen e institucioneve nga Prishtina dhe Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, që mundësuan prezantimin e talenteve më të mirë të muzikës klasike shqiptare në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Kroaci”, thuhet tutje në njoftim.

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” është një institucion që, për më shumë se shtatë dekada, ka qenë shtyllë e fortë e edukimit muzikor dhe ka nxjerrë gjenerata të tëra artistësh të talentuar./KultPlus.com

Eni Vasili zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH-së

Eni Vasili, moderatorja e emisionit qëndror në News24, një ndër emrat më të njohur te ekranit shqiptar, është zgjedhur drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar me mandat 5 vjeçar. Vendimi është marrë me shumice votash gjatë votimit të dytë të bordit drejtues të RTSH-së, ku në garë ishin tre figura të njohura, Eni Vasili, Xhoi Jakaj dhe Engjëll Musai. Eni Vasili siguroi 3/5 e votave të nevojshme, duke u bërë kështu gruaja e parë që votohet në këtë detyrë në historinë e transmetuesit publik shqiptar.

Eni Vasili ka një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në gazetari, e njohur për stilin e saj serioz, profesional dhe të paanshëm në intervista dhe debate politike. Ajo ka drejtuar për vite emisionin politik “Open” në News24, i cili është kthyer në një nga platformat më të rëndësishme të debatit politik dhe shoqëror në vend.

Përgjatë punës së saj, Vasili ka intervistuar figura të rëndësishme të politikës shqiptare dhe ndërkombëtare, dhe ka fituar respektin e publikut. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e shumë projekteve që lidhen me lirinë e medias dhe etikën profesionale. Eni Vasili do të përcjellë profesionalizmin dhe përvojën e saj nga një media private si News24 në drejtimin e një institucioni me ndikim kombëtar./ KultPlus.com

Filmi që Robert De Niro është penduar që ka bërë me Al Pacinon

Al Pacino dhe Robert De Niro kanë krijuar magji sa herë që kanë punuar së bashku, veçanërisht në filma të tillë si “Heat” i Michael Mann, ku ata dhanë disa nga performancat më të paharrueshme të karrierës së tyre të shquar. Megjithatë, De Niro beson se ekziston një përjashtim që ‘njollos’ trashëgiminë e tyre të përbashkët, transmeton KultPlus.

Krahas karrierës së tyre të aktrimit, të dy kanë një miqësi prej gati 50 vitesh tashmë. Ndërsa kujtonte takimin e tyre të parë, Al Pacino pohoi se ishte mahnitur nga prania magnetike e De Niros që në fillim, edhe pse ky i fundit nuk kishte luajtur në ndonjë produksion të madh në kohën e takimit të tyre të parë.

Duke folur për atë rast të paharrueshëm në një intervistë, Pacino shtjelloi: “Më kujtohet shumë qartë takimi. E pabesueshme, e pashë këtë djalë, mendova, Uau, ai ka një karizëm të tillë. Ai nuk po bënte asgjë. Ai thjesht po ecte. E mbani mend? E dini, ai ishte Bob. Por ti ndjeve diçka prej tij.”

Ekziston një projekt i veçantë që asnjëri prej tyre nuk dëshiron që ju ta shikoni pasi De Niro më vonë pretendoi se ishte penduar vërtet që ishte pjesë e atij filmi.

I titulluar Righteous Kill, prodhimi amerikan i vitit 2008 është një thriller aksioni që paraqet De Niro dhe Pacino si detektivë të NYPD-së të cilët nisin një kërkim të rrezikshëm për të gjurmuar një vrasës serial të rrezikshëm. Ndërsa nuk ishte një dështim komercial për shkak të fuqisë së yjeve të kastit, ai mori vlerësime të gjera negative për shkak të filmave të dobët dhe skenarit të paaftë.

Në një intervistë, De Niro kujtoi se sa fajtor u ndje gjatë premierës në Romë të Righteous Kill kur të dy yjet takuan fansat që prisnin me padurim filmin e tyre të ri. Aktori kujtoi premtimin që u dha atyre: “Unë thashë: ‘Ky është një reagim i mrekullueshëm, por do të ishte mirë sikur të ishin këtu për një film për të cilin ne vërtet ndihemi krenarë. Herën tjetër do të bëjmë një që na pëlqen.” /KultPlus.com

Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës, Osmani: Lidhjet tona po forcohen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj autoriteteve të Malajzisë për vendimin e tyre për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, për qëndrime deri në 30 ditë.

Në prag të vizitës së saj zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, Presidentja Osmani theksoi se ky hap i rëndësishëm tregon qartë rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime javën e ardhshme, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë”, është shprehur Osmani në X.

Ajo shtoi se pret me padurim takimet me liderët shtetërorë të Malajzisë, për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të qytetarëve të të dy vendeve.

“I shpreh mirënjohjen time të sinqertë institucioneve të Malajzisë për këtë vendim kuptimplotë. Mezi pres të angazhohem me liderët shtetërorë javën e ardhshme ndërsa punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të popullit tonë”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

39 vite nga katastrofa nukleare e Çernobilit

Sot bëhen 39 vite nga katastrofa më e madhe nukleare në histori, nga katastrofa e Çernobilit.

Çernobili është një qytet pjesërisht i braktisur në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit, i vendosur Rajonin Vvshhorod të oblastit verior të Kievit, Ukrainë.

Çernobili është rreth 90 kilometra (60 mi) në veri të Kievit dhe 160 kilometra (100 mi) në jugperëndim të qytetit bjellorus të Gomel. Para evakuimit të tij, qyteti kishte rreth 14,000 banorë.

Të jetosh sot kudo brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit është teknikisht e paligjshme, autoritetet tolerojnë vetëm ata që zgjedhin të jetojnë brenda disa prej zonave më pak të rrezatuara, dhe rreth 1000 njerëz jetojnë sot në Pripyat.

Çernobili u zgjodh si vendi i termocentralit të parë bërthamor të Ukrainës në vitin 1972, i vendosur 15 kilometra (9 mi) në veri të qytetit, i cili u hap në vitin 1977. Çernobili u evakuua më 5 maj 1986, nëntë ditë pas një fatkeqësie katastrofike bërthamore në central, e cila ishte katastrofa më e madhe bërthamore në histori. Së bashku me banorët e qytetit të afërt të Pripyat, i cili u ndërtua si shtëpi për punëtorët e uzinës, popullsia u zhvendos në qytetin e sapondërtuar të Slavutch dhe shumica nuk janë kthyer më.

Pas katastrofës, në vitin 1988, rajoni u shpërbë dhe administrimi iu transferua raionit fqinj të Ivankiv. Raion u shfuqizua më 18 korrik 2020 si pjesë e reformës administrative të Ukrainës.

Edhe pse Çernobili është kryesisht një qytet fantazmë sot, një numër i vogël njerëzish ende jetojnë atje, në shtëpitë e shënuara me tabela që lexojnë, “Pronari i kësaj shtëpie jeton këtu”,dhe një numër i vogël kafshësh jetojnë gjithashtu atje. Punonjësit e rojës dhe personeli administrativ i Zonës së Përjashtimit të Çernobilit janë gjithashtu të stacionuar në qytet. Qyteti ka dy dyqane të përgjithshme dhe një hotel.

Gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vvitin 2022, Çernobili u bë vendi i Betejës së Çernobilit dhe forcat ruse pushtuan qytetin midis 24 shkurtit dhe 2 prillit. Pas kapjes së tij, u raportua se nivelet e rrezatimit filluan të rriteshin./ KultPlus.com

32 vite nga vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri

“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.

Më 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.

Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.

Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.

Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.

Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike./KultPlus.com

Ambasadori Malaj i dorëzon çmimin “Lumo Skëndo” akademikut Rexhep Qosja

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj së bashku me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli vizituan shtëpinë e shkrimtarit dhe akademikut, Rexhep Qosja.

Ambasadori Malaj i dorëzoi intelektualit të madh shqiptar çmimin “Lumo Skëndo” për vitin 2024.

Akademiku Qosja u vlerësua me këtë çmim për veprën e tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”.

Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Çmimi “Lumo Skëndo” nxjerr në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj./atsh/KultPlus.com

22 vite pa Robert Shvarc, përkthyesi që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com

Ndërto Karrierën Tënde në Industrinë e Bukurisë me Diplomë të Fuqizuar nga Arizona State University!

Nëse ëndërron të bëhesh një ekspert i njohur në industrinë e bukurisë, tani është momenti yt! Programi Bachelor në Kozmetologji në Uni Universum International College është i vetmi program i akredituar në Kosovë, i krijuar për të të pajisur me njohuritë dhe aftësitë më të kërkuara në treg. Falë bashkëpunimit me Arizona State University, universitetin nr. #1 për inovacion në SHBA, do të mësosh teknikat më të avancuara të kujdesit për lëkurën dhe mirëqenien, duke u bërë profesionist i certifikuar dhe i kërkuar në tregun e punës.

Pse Ky Program Është Për Ty?

Diplomë Ndërkombëtare – Një diplomë e fuqizuar nga Arizona State University të jep një avantazh të jashtëzakonshëm në tregun e punës. 

Edukimi me Standarde Amerikane – Përfito nga një kurrikul inovative dhe metoda të avancuara mësimore. 

Praktikë Profesionale – Fito përvojë reale në qendra estetike, duke të siguruar punësim të shpejtë pas diplomimit. 

Mundësi për Biznes të Suksesshëm – Licencohu për të hapur qendrën tënde estetike ose për të punuar me brendet më të njohura globale të bukurisë.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./KultPlus.com

Al Pacino, gjiganti që erdhi nga rruga

Alfred James Pacino lindi më 25 prill 1940 në New York.

Al Pacino është aktor dhe regjisor, i biri i Salvatore dhe Rose Pacino, me origjinë italiane Korleone e Siçilisë. Kalon një fëmijëri të varfër, në shkollë ishte i dalluar si përsëritës, me përjashtim të literaturës angleze.

Nga fundi i viteve 60-të studion teatër me Lee Strasberg i cili dallon në të prirje të jashtëzakonshme për recitim dhe dëshirë të flaktë për tu larguar nga jeta e varfër e fëmijërisë. Me filmin Me Natalie shënon fillimin e karrierës së tij, ndjek pas dy vitesh The Panic in Needle Park në të cilin merret parasysh edhe nga regjisori Francis Ford Coppola. Ky i fundit shënon thelbin e famës së tij në vitin 1972 me filmin The Godfather në të cilin interpreton rolin e Michael Corleone.

Në vitin 1993 shpërblehet me Oscar si aktori më i mirë protagonist me filmin Scent of a Woman, në të cilin interpreton një kolonel të verbër.

Aktori i famshëm Al Pacino, i cili feston sot 85-vjetorin e lindjes, ka një jetë interesante personale dhe profesionale.

Më poshtë janë disa kuriozitete që kanë shënjuar jetën e tij:

Alfredo James Pacino nuk është martuar kurrë, por ka pasur marrëdhënie romantike me 11 aktore.

Me dy prej tyre, Jan Tuarant dhe Beverly D’Angelo ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy binjakë për të cilët u kujdes më vonë.

Marrëdhëniet e tjera janë me Jill Clayburgh, Tuesday Weld, Marthe Keller, Carol Cane, Diane Keaton, Penelope Ann-Miller, Madonna, Lucila Solà dhe Meital Dohan, izraelitja me të cilën jetoi deri shkurtin e kaluar.

Në karrierën e tij, që ka pothuajse çmim në çdo paraqitje në ekran, lista e filmave të  refuzuar fillon nga ”Taxi Driver” deri te ”Star Wars”, nga ”Apocalypse Now” te ”Kramer vs Kramer”, nga ”Once Upon a Time in America” te ”Pretty Woman”.

Al Pacino është djali i dy emigrantëve sicilianë (babai u largua nga familja kur Al ishte ende me rroba banjo).

U lind në Harlem më 25 prill 1940.

Kaloi fëmini të vështirë në Bronx dhe përjetoi ligjet e ashpra të rrugës: duhanpirës dhe konsumator i drogave të lehta që nga mosha 10 vjeç.

17 vjeç la shkollën.

20 vjeç troket më kot në dyert e ”Studio Actors”.

Lee Strasberg njohu te ai cilësi të pazakonta aktoriale.

Fillon karierën kur Jerry Shatzberg i ofron atij rolin e protagonistit, tregtarit të ri të drogës Bobby, në ”Panic in Needle Park”.

Francis Coppola vëren se ai është aktori i duhur për rolin e Michael në ”The Godfather”.

U nominua për Oscar për rolin më të mirë mbështetës në këtë film, por Al Pacino sfidon jurinë duke thënë se roli i tij nuk është inferior ndaj atij të Marlon Brando, që e fitoi çmimin Oscar. Rezultati? Të dy nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Që atëherë Al Pacino u bë aktori i preferuar i kineastëve amerikan. /KultPlus.com

Në restaurim shtëpia e lindjes së Aleksandër Moisiut

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po vijojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së lindjes së aktorit të mirënjohur Aleksandër Moisiu. Shtëpia ku Moisiu ka lindur është shpallur Monument Kulture, Kategoria I. Ndërtesa u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019.

Ministri Blendi Gonxhja tha se, ndërhyrja po realizohet nga UNOPS me fondet e BE, në kuadër të programit EU4Culture, dhe përfshin restaurimin e fasadës, ruajtjen e elementeve autentikë dhe rikonstruksionin e pjesëve të dëmtuara.

“Së shpejti, Durrësi do të fitojë një tjetër atraksion turistik që nderon trashëgiminë tonë kulturore”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.

Aleksandër Moisiu e kaloi fëmijërinë e tij mes Triestes, Durrësit dhe Gracit.

Ai u vendos në Vjenë në moshën 20-vjeçare. Në skenën gjermanishtfolëse do të mishëronte mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke, deri në bashkëkohësi. Moisiu do mund të depërtonte edhe në zhanrin e kinematografisë, ku përgjatë viteve 1910-1935, mori pjesë në 10 produksione filmash, 8 prej të cilëve ishin pa zë./atsh/KultPlus.com

Fidel Ylli rizgjidhet president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar

Fidel Ylli është rizgjedhur presidentit i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar edhe për katër vitet e ardhshme.

Në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme Zgjedhore të mbajtur në Tiranë, Fidel Ylli ka marrë besimin për të drejtuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për një tjetër mandat.

Presidenti i Federatës së Volejbollit, Erlind Pëllumbi është zgjedhur zv.president i KOKSH.

I pranishëm në punimet e Asamblesë së 31-të të KOKSH ishte dhe zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

Gjatë punimeve të Asamblesë është votuar edhe për Komitetin Ekzekutiv të KOKSH, që do të përbëhet nga Alfred Tahiraj, Enkeleda Caushi, Florend Kalivopuli, Julinda Dhame, Izmir Smajlaj, Krenar Dila, Leonard Luli, Pavlina Evro.

Siç është bërë traditë në çdo Asamble të KOKSH, janë dorëzuar Urdhrat Olimpikë, për figura që kanë dhënë kontribut ndër vite në sportin shqiptar, që përkonin me emrat e Theodhori Driza, Emin Lishi, Mustafa Fagu, Krenar Luto dhe Sytki Tafili./ KultPlus.com

“Nobeli i mjedisit” fitohet për herë të parë edhe nga dy aktivistë shqiptarë

Besjana Guri dhe Olsi Nika, aktivistë nga Shqipëria u nderuan me çmimin prestigjioz “Goldman” për përpjekjet e tyre në mbrojtjen e Lumit Vjosa nga hidrocentralet. 

Fushata e tyre çoi në shpalljen e Vjosës si “Park Kombëtar” nga qeveria shqiptare. Çmimi, i njohur si “Nobeli i Mjedisit”, u dha pas përzgjedhjes nga një juri ndërkombëtare mes mijëra aktivistëve globalë. Guri dhe Nika kishin nisur fushatën për Vjosën në vitin 2014, duke u bërë pjesë e iniciativës “Save the Blue Heart of Europe”./ KultPlus.com

Festivali i Letërsisë “Polip” me edicionin e ri

Edicioni i ri i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë ‘Polip’ i cili organizohet tash e disa vite rresht nga Qendra Multimedia dhe këtë vit do të mbahet nga 15 deri më 17 maj në Teatrin Oda, Burgun e Idealit dhe në Kino Armata.

Edicioni i vitit 2025 vjen me temën “Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër histori, gjeografi…përtej mureve”. Këtë vit Qendra Multimedia ka bashkëpunuar me një tjetër organizatë për realizimin e Festivalit, bëhet fjalë për organizatën e pavarur kulturore “Molla e Kuqe” që po menaxhon me Muzeun e Burgut të Idealit në Prishtinë.

Programi do të hapet me shfaqjen “Hija e gjatë e Alois Brunner” të Muddar Alhaggi, me regji të Omar Elerian. Në ndërkohë pjesë e programit janë shfaqje, dokumentare e diskutime të cilat do të bëhen publike ditëve në vijim./ KultPlus.com

Ndahen çmimet e Konkursit Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania 2”, promovim Shqipërisë turistike

Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizuan sot edicionin e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” rikthehet për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë dhe vjen si një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

Në këtë edicion bie në sy pjesëmarrja nga vende të largëta dhe interesante, si Mauritius, Kolumbia, Uruguaj, Indonezia dhe të tjera.

Pjesëmarrësit në konkurs kanë ngarkuar 5504 materiale në website zyrtar të konkursit
www.wanderlustinalbania.al në kategoritë: Peizazhe; Foto panoramike; Monumente dhe Site arkeologjike; Folklor; Artizanati dhe Zejtaria; Agroturizëm dhe Kulinari; Eventet e aplikacionit TEA; Ekoturizmi dhe Turizmi sportiv; Arkitekturë; Foto-reportazh; Animacion.

Risi e këtij edicioni të Konkursit “Wanderlust in Albania” është kategoria CGI  (Computer Generated Imagery), duke integruar artin dixhital dhe animacionin në promovimin e turizmit shqiptar. Kjo është një mundësi e përkryer për artistët dhe krijuesit të përdorin teknologjinë dhe kreativitetin për të krijuar imazhe dhe animacione që mund të nxjerrin në pah bukuritë e Shqipërisë për të tërhequr turistë nga e gjithë bota.

Kategoria CGI ofron mundësi pafund për të krijuar vizuale me peizazhe natyrore, monumente historike, apo edhe pjesë të kulturës dhe traditave shqiptare, duke i dhënë një dimension modern dhe tërheqës.

Juria e konkursit përbëhet nga pesë profesionistë, shqiptarë dhe të huaj. Kryetar i jurisë është Albes Fusha, i cili aktualisht mban postin e drejtuesit të Departamentit të Fotografisë në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku kontribuon në formimin e brezave të rinj të fotografëve shqiptarë.

Fituesit u nderuan për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e Shqipërisë turistike me plot 40 çmime speciale.

Në këtë edicion janë ndarë çmime për 33 fitues për 11 kategori të cilët u shpallën “Kontribues të Promovimit të Turizmit të Shqipërisë”. Po ashtu 4 fitues u nderuan me titullin “Ambasadorë të Turizmit Shqiptar” dhe nga votimi online i publikut u përzgjodhën 3 fitues.

Nga totali i materialeve të paraqitura në konkurs, 800 fotografi dhe 100 video reels të përzgjedhura do t’i shtohen fondit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe do të përdoren në materialet promocionale të Shqipërisë turistike duke përfshirë revista, albume, fletë informuese, broshura si dhe spote publicitare.

Më poshtë renditen shtetet pjesëmarrëse në këtë edicion sipas numrit të pjesëmarrësve:

1. Kosovë 74
2. Austri 4
3. Francë 7
4. Gjermani 11
5. Zvicër 1
6. Irlandë 1
7. SHBA 11
8. Britani e Madhe 7
9. Slloveni 2
10. Sllovaki 1
11. Portugali 3
12. Poloni 4
13. Republika Çeke 5
14. Marok 1
15. Suedi 1
16. Kolumbi 1
17. Spanjë 1
18. Brazil 1
19. Hungari 1
20. Mauritius 1
21. Australi 1
22. Serbi 1
23. Holandë 5
24. Indonezi 2
25. Itali 5
26. Greqi 1
27. Izrael 2
28. Uruguaj 1
29. Mali i Zi 2
30. Bjellorusi 1
31. Maqedoni e Veriut 1
32. Turqi 2
33. Finlandë 1
34. Argjentinë 1
35. Bullgari 1
36. Kanada 1

/ KultPlus.com

YouTube feston më shumë se 20 miliardë video në platformë në 20 vjet

YOUTUBE ka festuar më shumë se 20 miliardë ngarkime video që nga debutimi i klipit të parë në platformë dy dekada më parë. Platforma e shkëmbimit të videove në internet ka evoluar nga një kalim kohe në mbrëmje në një mënyrë jetese moderne dhe është gati të kapërcejë televizionin kabllor amerikan në shikueshmëri me pagesë.

Kolegët e PayPal Steve Chen, Chad Hurley dhe Jawed Karim konceptuan YouTube në 2005, thuhet se gjatë darkës. Domeni YouTube.com u lançua në ditën e Shën Valentinit po atë vit.

Shtimi i videove u aktivizua më 23 prill, kur Karim postoi videon e parë, me titull Unë në kopshtin zoologjik. Një klip prej 19 sekondash që tregon Karimin përballë elefantëve në kopshtin zoologjik të San Diegos ka mbledhur 348 milionë shikime.

Gjatë 20 viteve të ardhshme, faqja u zgjerua në nivele të paimagjinueshme në vitin 2005. YouTube thotë se rreth 20 milionë video tani postohen në platformë çdo ditë. Platforma përmban një sërë përmbajtjesh, nga klipet e koncerteve dhe podkastet deri te reklamat politike, mësimet dhe shumë më tepër.

YouTube është bërë shërbimi më i madh i videove dixhitale në botë për sa i përket kohës që shikuesit shpenzojnë në platformë dhe të ardhurave nga reklamat, sipas analistit të eMarketer Ross Benes. Platforma arriti më shumë se 2.5 miliardë shikues në mbarë botën vitin e kaluar, si dhe 100 milionë abonentë në nivelet e saj muzikore dhe premium, sipas Statista, një mjet për ndjekjen e tregut. 

Përdoruesit në mbarë botën shikojnë më shumë se një miliardë orë përmbajtje në YouTube në ditë vetëm në televizorë, njoftoi Google.

Analistët besojnë se blerja e YouTube nga Google në vitin 2006 për 1.65 miliardë dollarë ishte një moment kyç pasi kombinoi ekspertizën e Google në kërkim dhe reklamim me një platformë për ndarjen e videove me përdorues të pasionuar. /KultPlus.com

Libri mbi akustikën vlerësohet në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor

Në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, i cili po zhvillohet në Prishtinë, u nderua akademike Myzafere Limani me çmimin për “Veprën më të mirë studimore”. Limani u vlerësua maksimalisht për veprën“Akustika, të folurit dhe muzika” me motivacionin: “me një aparat matematikor relativisht të thjeshtësuar, libri paraqet burim të pasur dhe të besueshëm të informacioneve edhe për studiuesit dhe ekspertët e fushave të tjera që ndërlidhen me akustikën, sinjalet e të folurit dhe muzikën”.

“Jam vërtet shumë e lumtur që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si edhe të dyja akademitë, e kanë vlerësuar librin shkencor në përgjithësi e posaçërisht një libër të veçantë siç është ky libër për akustikën, të folurin dhe muzikën. Unë besoj që një shpërblim i tillë do të jetë motivim edhe për të tjerë që të vazhdojnë me botimin e librave shkencorë cilësorë. Kjo më bën të lumtur sepse është vlerësuar puna ime shumëvjeçare në këtë fushë”, u shpreh akademike Myzafere Limani.

Në ndarjen e çmimeve ishin të pranishëm kryetarët e dy akademive, asaj të Tiranës dhe të Prishtinës, akad. Skënder Gjinushi dhe akad. Mehmet Kraja, si edhe kreu i QKLL, Alda Bardhyli.

Edicioni i katërt i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor u hap dje, në Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe do të vijojë deri më 25 prill.
Ky panair është një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe realizohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Nisur edhe nga tri edicionet e mëparshme të panairit, panairi shërben për ta nxjerrë më në pah botën akademike, shkencore shqiptare përmes botimeve, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasur vëmendjen e duhur publike./atsh/KultPlus.com

OpenAI është gati të blejë Chrome nga Google

Google ka qenë nën vëzhgim që nga një vendim gjykate vitin e kaluar se kishte monopolin e kërkimit në internet dhe e ardhmja e shërbimeve dixhitale të kompanisë mbetet e pasigurt. Muajin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë sugjeroi që Google mund të detyrohet të shesë shfletuesin e tij Chrome, dhe nëse e bën, OpenAI është i gatshëm ta blejë atë.

Bloomberg raportoi se Nick Turley, kreu i ChatGPT, foli në një seancë për situatën e monopolit të Google dhe u pyet nëse OpenAI ishte i interesuar të blinte Chrome.

“Po, ne jemi dhe shumë të tjerë,” tha troç Turley.

Përdoruesit aktualisht mund të përdorin asistentin AI të ChatGPT në Chrome nëpërmjet një shtojce, por Turley tha se integrimi do të bëhet më i thellë nëse OpenAI zotëron shfletuesin. Në mënyrë hipotetike, një Chrome në pronësi të OpenAI mund t’u “tregojë përdoruesve se si duket një përvojë e vërtetë e AI”.

Chrome nuk është aseti i vetëm i Google mbi të cilin kompania mund të humbasë kontrollin. Një tjetër gjykatës më parë zbuloi se Google ishte përfshirë në sjellje antikonkurruese në lidhje me teknologjinë e reklamave në internet. Nuk është çudi që shumë palë të tjera do të ishin të interesuara për të blerë një nga shërbimet më të njohura të Google. Pyetja e vërtetë është se cili nuk do të krijonte një monopol të ri.

Për momentin, Departamenti i Drejtësisë po lejon Google të vazhdojë të investojë në inteligjencën artificiale, por nëse Chrome do të përfundonte në pronësi të OpenAI, kjo do të ngrinte shqetësime të reja. Rrotat e drejtësisë rrotullohen ngadalë, ndaj përfundimi i këtij rasti mund të marrë shumë kohë./KultPlus.com

Një vajzë

Poezi nga Ismail Kadare

Duke të puthur pa të dashur
në shpirt ai ty të plagoi,
buz’përgjakur nga t’kuqt e tu
si vrases tinëz shkoi.

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
gjith’ shokve emrin tënd ju tha.
Pran’ gotës birrës për ty folën
në park të dielave ata..

Dhe ti e vetme mbete
bosh mbenë sytë e tu në net bilbilash
si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi
një katastrofë automobilash…

Tani, kur shkon rrugës së Dibrës
ata me sy të ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
-e sheh filanen? e ka pas…

Dhe ti ul koken, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa me shpejt
të përsërisësh fjalët standart
Ah njëlloj jane te gjithe djemt’.

Te dyja t’ulura pranë radios
do ndizni heshtur një cigar’,
tek supi i saj nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të marr
dhe do të cojë në një rrug’ tjetër
më gjerë, më bukur, dhe me re.

Atje ne sfond fabrikash njerzit
nga këmbet s’do t’u vënë re.
Atje tek ecesh në mes turmash,
në një grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do t’i bjer shokut,
-e sheh filanen? ishim miq…/KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

Rritet shikueshmëria e “Conclave” pas vdekjes së papa Françeskut 

Filmi fitues i “Oscar” me regji të Edward Berger  “Conclave” është bërë kryefjala e bisedimeve kulturore pas vdekjes së Papa Françeskut, sipas “euronews”.

Filmi i vitit 2024 duket si parashikues duke marrë parasysh konklavën e ardhshme – diçka e pasqyruar në shifrat e shikueshmërisë. Por sa i vërtetë është filmi?

Vdekja e Papa Françeskut të hënën më 21 prill ka rikthyer interesin ndaj “Conclave” – filmit fitues të çmimit “Oscar” – dhe ka rezultuar në një rritje të numrit të shikueshmërisë.

Filmi i vitit 2024, me regji të Edward Berger që rrotullohet rreth zgjedhjes së papës së ri, është i disponueshëm në platforma të ndryshme PVOD (video premium sipas kërkesës) dhe aktualisht po transmetohet në Amazon Prime Video.

Sipas “Luminate”, e cila gjurmon shikueshmërinë, interesi ndaj “Conclave” u rrit me 283% të hënën, ndërsa fjala për vdekjen e Papa Françeskut u bë kryefjala.

“Conclave” gjeneroi rreth 1,8 milionë minuta shikueshmëri më 20 prill; deri në fund të 21 prillit, ky numër u rrit në 6,9 milionë.

Një tjetër film me temën e Vatikanit, drama e Netflix-it e vitit 2019, “The Two Popes”, gjithashtu ngjalli interes të ri, me shikueshmërinë që u rrit me 417% nga e diela.

Minutat e shikueshmërisë u rritën nga 290,000 në 1,5 milionë të hënën.

Për çfarë flet “Conclave”?

Thriller-i papal, i bazuar në librin e Robert Harris me të njëjtin emër, është një histori imagjinare e procesit – me dyer të mbyllura të emërimit të një pape të ri – i njohur si një konklavë – i cili do të fillojë në jetën reale më 5 maj.

Me pjesëmarrjen e Ralph Fiennes, Stanley Tucci, John Lithgow dhe Isabella Rossellini,  shihet se si Kolegji i Kardinalëve mblidhet për të emëruar udhëheqësin e ri të kishës. Kardinali i Fiennes Thomas Lawrence organizon konklavën pasi Papa i mëparshëm vdes nga një atak në zemër.

Katër kandidatë dalin si kryesues – secili përfaqëson vlera të ndryshme.

Joshua Adeyemi (Lucian Msamati) është një konservator; Goffredo Tedesco (Sergio Castellitto) beson se kisha është bërë shumë progresiste; Aldo Bellini (Tucci) është një përparimtar nën influencën e papës së mëparshme; dhe Joseph Tremblay (Lithgow) është një i moderuar të cilit mund t’i jetë kërkuar të japë dorëheqjen nga Papa i ndjerë.

Askush nuk merr shumicën e dy të tretave të nevojshme për të marrë pozicionin, madje edhe Lawrence merr vota – pavarësisht se deklaroi se nuk dëshironte të bëhej Papa i ri.

Me kalimin e ditëve, pazaret fillojnë, sekretet rreth kandidatëve zbulohen dhe aleanca të reja formohen ndërsa kardinalët zbulohen se janë tërësisht egoistë për të marrë pushtetin.

Lufta e kotë e fraksioneve gjithashtu bën që motra Agnes (Rossellini) të demonstrojë se Kolegji i Kardinalëve është një organizatë retrograde dhe ka – për ta thënë butë – shumë dështime kur bëhet fjalë për politikën dhe etikën gjinore.

Një sulm nga një kamikaz jashtë Vatikanit e bën tradicionalistin Tedesco të thërrasë një luftë të shenjtë, ndërsa kardinali Vincent Benitez (Carlos Diehz) bën një fjalim nxitës për tolerancën. Ai deklaron se dhuna nuk duhet të përballet me më shumë dhunë dhe se kisha duhet të fokusohet në të ardhmen.

Pas shumë ligësish, Benitez zgjidhet si udhëheqësi i ri i kishës.

Megjithatë, pyetjet mbeten për kryepeshkopin misterioz, i cili duket se ka një problem shëndetësor të pazbuluar. Lawrence zbulon se Papa i ndjerë ka paguar që Benitez të udhëtonte në Zvicër për një procedurë mjekësore – megjithëse Benitez përfundoi duke e anuluar atë.

Skenat e fundit të “Conclave” shfaqin Lawrence duke u përballur me Benitez për shkak të udhëtimit të tij të ndërprerë në Zvicër.

Momenti i së vërtetës: Benitez është interseksual dhe Papa i ndjerë lehtësoi një takim për një histerektomi laparoskopike. Benitez, i cili identifikohet si mashkull, i thotë Lawrence se ai vendosi të mos e vazhdonte procedurën.

“Unë jam ashtu siç më krijoi Zoti”, i thotë ai Lawrence, duke shtuar se ai “ekziston mes sigurive”.

Lawrence, i cili më parë deklaroi se “siguria është armiku i madh i unitetit”, dëgjon historinë e tij dhe thotë: “Besimi ynë është një gjë e gjallë pikërisht sepse ecën dorë për dore me dyshimin. Nëse do të kishte vetëm siguri dhe pa dyshim, nuk do të kishte asnjë mister, prandaj nuk do të kishte nevojë për besim”.

A bazohet “Conclave” në një histori të vërtetë dhe sa e saktë është ajo?

“Conclave” u adaptua nga një roman i vitit 2016 të Robert Harris – autori më i njohur për veprat e tij të trillimeve historike (“Fatherland”, “Archangel”, “Munich”) dhe i cili shkroi skenarët e Roman Polanski “The Ghost Writer” dhe “An Officer And A Spy”. Pra, jo, nuk bazohet në një histori të vërtetë.

Sidoqoftë, Harris zbuloi në një intervistë për “TIME” në 2024 se elementët e historisë ishin frymëzuar nga ngjarje të jetës reale.

“Ka një ditar të supozuar nga një kardinal nga konklava që zgjodhi Ratzinger si Papa Benediktin që përshkruan procesin e votimit dhe një përpjekje për të provuar të ndalojë Ratzinger”, tha ai.

Kishte gjithashtu një kardinal të madh liberal nga Milano, i cili pritej vit pas viti të bëhej papë. Ai ishte gjithmonë i preferuari, por ai doli i treti pas votimit të parë. Ky është personazhi Stanley Tucci në film dhe vendos dramën njerëzore.

Për sa i përket saktësisë, Berger theksoi gjatë turneut për promovimin e “Conclave” se vizitat në Vatikan, një konsulent që ndihmon për të siguruar saktësinë e ritualit katolik, si dhe pasurinë e kërkimit të vënë në dispozicion nga Harris, ishin të rëndësishme. Dhe shumë ekspertë fetarë e kanë vlerësuar filmin për qasjen e tij të detajuar dhe përshkrimin e tij të zgjedhjes së një Papë i ri.

Kathleen Sprows Cummings, një historiane e katolicizmit në Notre Dame, i tha “Guardian”: “Ata paraqitën shumë detaje të sakta… Filmi bëri një punë vërtet të mirë për të balancuar njerëzit – burrat që janë ambiciozë, të cilët kanë ndjenja shumë të forta për atë që i nevojitet kishës”.

Në të vërtetë, kardinalët në film shihen duke jetuar në Casa Santa Marta, një bujtinë në truallin e Pallatit Apostolik në qytetin e Vatikanit – diçka që do të ndodhë në fillim të muajit të ardhshëm.

Filmi i Berger gjithashtu përshkruan me saktësi procesin e votimit, nevojën për të fshirë Kapelën Sistine për pajisjet elektronike të dëgjimit përpara votimit dhe çfarë ndodh kur nuk arrihet shumica e dy të tretave – p.sh.: votat bashkohen dhe digjen me një aditiv për të prodhuar tym të zi, në krahasim me tymin e bardhë kur zgjidhet një kandidat.

Sipas Thomas Reese, një kolumnist në “Religion News Service” me doktoraturë në Shkenca Politike në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley – filmi ishte besnik ndaj së vërtetës.

“Procedura e votimit u bë shumë mirë”, tha Reese.

Bill Cavanaugh, një profesor i Studimeve Katolike në Universitetin DePaul, u pajtua gjithashtu me mendimin e Reese.

Megjithatë, Cavanaugh deklaroi se personazhet ishin “pak të ekzagjeruar” dhe se kardinalët “nuk paraqiten mjeshtërisht në kampet progresive dhe konservatore.

Ku gabon “Conclave”?

Ashtu si me të gjitha paraqitjet e Hollivudit, njëfarë vërtetësie sakrifikohet për efektin dramatik dhe elementë të tjerë shtohen për t’u siguruar që shikuesit të qëndrojnë të fokusuar.

Fraksionet ndërluftuese të “Conclave” janë shumë të qarta dhe ndonjëherë në kufi me karikaturat, por është e vërtetë që disa papë janë më liberalë se të tjerët. Papa Françesku, për shembull, u nda nga paraardhësit e tij kur bëhej fjalë për të drejtat e homoseksualëve dhe ndryshimet klimatike. Ai shpesh kritikoi ngrohjen globale dhe përqafoi individët LGBTQ – edhe nëse nuk pranoi plotësisht.

Pra, përshkrimi i filmit i fraksioneve biseduese brenda Vatikanit – edhe pse në dukje i ekzagjeruar – bazohet në të vërtetën.

Megjithatë, dy detaje kryesore duket se janë pengesë.

Personazhi i Fiennes, Kardinali Lawrence, ka për detyrë të mbikëqyrë konklavën dhe përshkruhet në film si përmbushës i roleve të camerlengos (personit që tradicionalisht merr përsipër Selinë e Shenjtë) dhe të dekanit të Kolegjit të Kardinalëve. Në realitet, këto janë dy role të veçanta.

Kardinali Vincent Benitez (Diehz), i cili u bë kardinal në pectore – një frazë latine që i referohet një procesi ku emërimet bëhen në fshehtësi. Ndryshe nga ajo që përshkruan filmi, kardinalët të cilët janë emëruar vetëm në fshehtësi nuk mund të marrin pjesë në një konklavë – vetëm në rast se emri i tij shpallej nga Papa para se të vdiste. Ky nuk është rasti në film.

Për sa i përket përfundimit – i konsideruar nga disa kritikë si propagandë anti-katolike – ndihet si shpresëdhënëse, duke treguar se përparimi është i mundur edhe brenda një organizate të parë nga disa si arkaike dhe retrograde. /KultPlus.com