Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.
“Një takim i frytshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka shkruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore./KultPlus.com
Vitrina e butikut në Zhanë d’Ark mjegullohet prej hukamës së fshesares që thith’ mirfilli nji gacë natore. Mbështetë në shisën rrumeqe lidhun me spagë thasësh, kapërdin’ si n’jerm tymnajën djallëzore, mandej shkundë hinin e dalldisë që i mpinë rranzat e kofshëve t’epshume marrisht nga vikama e drujtë e manekinit. Krejt përhupshëm, i ngjeshet edhe ma fort vitrinës e harrohet n’nji përqafje krahësh kallkan, ku varet nji etiketë me ulje çmimi…
Po semafori din veç me përqeshë e ajo përmendet tue shtypë me thembër bishtin e fikun të andrrës. / KultPlus.com
Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura.
Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin. Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij:
“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.
Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe ke atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë.
Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që ti ta dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.
Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim. Me gjakun tënd hyn në brendësinë time.
Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu?
Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë. Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.
Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd.
Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.
O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen.
Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm.
Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.
Më duaj, puma” (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)! / KultPlus.com
Sot janë bërë 81 vite nga lindja e një ndër figurave më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare, Faruk Begolli.
Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.
Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).
Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, ka njoftuar se është takuar për herë të parë me përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen.
“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se do të vazhdojnë të punojnë me aleatët tanë, që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić.
“Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić”, u shpreh Osmani.
Osmani u shpreh se gjatë takimit kanë diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim./KultPlus.com
Botimet REA sjell para lexuesve librin më të ri të poetes Dije Demiri – Frangu me titullin “Ama dorën”. I konceptuar në tri kaptina “Kur isha mbret”, “Dashuria është kontinent” dhe “Lagjja që s’flet”, ky libër paraqet vlera të reja letrare duke shënuar avancimin e letërsisë shqipe për fëmijë, në kuptimin e zgjerimit të gamës tematike të saj dhe krijimit të një semantike, por edhe të stilit të ri letrar.
Poetja e ka funksionalizuar dhe e ka ruajtur qasjen pedagogjiko-psikologjike, duke faktorizuar rolin e fëmijës, si dhe rolin e informacionit të lojës në jetën e tij. Gjithsesi këto janë kapërcime kualitative në një kontekst më të gjerë të letërsisë shqipe për fëmijë.
Libri me poezi për fëmijë “Ama dorën”, është një udhëtim unik i bukurisë dhe madhështisë së imagjinatës së fëmijës. Një hapësirë e pafund poetike, e shtresuar përbrenda psikologjisë dhe imagjinatës së fëmijës. Për më tepër, Dije Demiri-Frangu, përmes poezisë me motive urbane, poezisë së dashurisë, lojës, motivit të vdekjes (fare pak i trajtuar në letërsinë tonë për fëmijë), sjellë situata të rralla të jetës në ambiente të ndryshme si dhe krijon meditime mbi to. Përmes krijimtarisë së saj, e posaçërisht përmes këtij libri mjaft interesant, autorja ndihmon në ndërtimin e perceptimit të ri estetik mbi jetën dhe botën e fëmijës sonë.
Libri “Ama dorën”, është përkrahur për botim nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe Dukagjini” në Prishtinë.
Shënime për autoren:
Dije Demiri Frangu është profesoreshë në Fakultin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Ka magjistruar dhe doktoruar në shkencat filologjike. Ka botuar 14 vepra, duke përfshirë poezinë për fëmijë e të rritur, si dhe studimet letrare. Poezia e saj është vlerësuar nga kritika. Gjithashtu, është prezantuar në shumë antologji.
Ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja s’është larg” (1981), “Flurudhë” (1985), “Ta shoh botën si gotën” (1987), “Gjithësia si qershia” (1989), “Këmbët e erës” (1995), “Prekja e vdekjes” (2000), “Nar det regnar over havet“ (2002), “Shpirti i luleve” (2007), “Tallje e bukur” (2009), “Letërsia për fëmijë” (2009, 2011, 2019), “Zemra që të bie tamam” (2019), “Qumështi i poezisë” (2019), “Gabimi i shqisave” (2022), “Ama dorën” (2024)./KultPlus.com
Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë Lotët që kam derdhur, s’më janë tharë Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë? S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ? O ëngjëll I bukur mos meno në botë Kthehu të të shomë të na mbeten lotë
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve? Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve Atje tek rri janë qipariz’ e varre Kthehu të të shomë mos na lër përfare
Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë E ke lenë foshnje tani u bë burrë S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë
Për ty shumë herë çoç do të më thotë Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë
O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë Kur i more mëmën dhe më le të gjallë Të më keshe marrë do të qe më mirë Dhe të rronte mëma të rriste të birë Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë Doje dritë o qiell more dritën time dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që po qëndron në Gjermani, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC). Sot, është takuar me Presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter.
“Zvicra vazhdon të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, me mërgatën tonë që luan një rol thelbësor në forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Presidenten Keller-Sutter për ta thelluar edhe më tej partneritetin tonë në fusha të interesit të ndërsjellë, e për të mirën e të dy popujve tanë./KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëri me dije se një monument tjetër do i nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese.
Bëhet fjalë për Manastirin e Ardenicës, i cili ndodhet në kodrën e fshatit Kolonjë të rrethit të Lushnjës, mes një pylli me pisha dhe selvi. Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ky monument përbëhet nga Kisha e Shën Mërisë, Kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apolonia dhe gurë shtufi.
Punimet do të kryhen kryesisht në konakët e Manastirit ndërsa do të ketë ndërhyrje konsoliduese në strukturën murale, restaurim i dyshemesë, pastrim i fugave përgjatë perimetrit të kishës, restaurim-trajtim i strukturës drusore, pastrim i fasadës nga patina biologjike, F.V. dyer dhe dritare, etj.
Manastiri i Ardenicës “Lindja e Hyjlindjes’’ mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të Myzeqesë, ku ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë.
Manastiri i Ardenicës i përket periudhës bizantine por formën përfundimtare e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Nga momenti i themelimit të tij, manastiri ka pasur një rol kyç në zhvillimin e identitetit fetar dhe kulturor të popullatës shqiptare.
Përmes pasurisë së tij trashëgimore, ai thërret të gjithë ata që janë të interesuar të zbulojnë rrënjët dhe thellësinë e kësaj toke, ku historia dhe besimi lidhen për të formuar një peizazh të pashembullt shpirtëror./atsh/KultPlus.com
Dita e Shën Valentinit është një festë që festohet çdo vit më 14 shkurt. Origjina e saj është disi e paqartë, por përgjithësisht besohet se ka filluar si një festë e krishterë për nder të Shën Valentinit. Sipas legjendës, Shën Valentini ishte një prift romak që i bënte martesat në fshehtësi dhe përfundimisht u martirizua për veprimet e tij.
Sot, Dita e Shën Valentinit festohet në shumë vende të botës, megjithëse zakonet dhe traditat që lidhen me festën ndryshojnë në varësi të kulturës. Në Shtetet e Bashkuara, është një ditë e njohur për çiftet për të shkëmbyer dhurata dhe për të kaluar kohë së bashku, shpesh me një darkë romantike ose një dalje të veçantë. Është gjithashtu e zakonshme që njerëzit t’u japin kartat e Ditës së Shën Valentinit ose dhurata të vogla miqve, anëtarëve të familjes ose kolegëve.
Në disa vende të tjera, si Japonia dhe Koreja e Jugut, Dita e Shën Valentinit është një ditë kur gratë u bëjnë dhurata burrave, dhe jo anasjelltas. Në këto kultura, është tradicionale që gratë t’u japin çokollatë ose ushqime të tjera burrave për të cilët janë të interesuar, ose të shprehin vlerësimin e tyre për kolegët ose miqtë meshkuj.
Në vende të tjera, si Meksika dhe pjesë të Amerikës Latine, Dita e Shën Valentinit festohet si një ditë miqësie dhe dashurie, dhe jo vetëm dashuri romantike. Kjo njihet si “Dia del Amor y la Amistad”, ose Dita e Dashurisë dhe Miqësisë, dhe është një kohë që njerëzit të shprehin vlerësimin e tyre për të gjitha marrëdhëniet e rëndësishme në jetën e tyre.
Ndërsa në Kosovë dhe Shqipëri, kjo ditë festohet pak a shumë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku çiftet shkëmbejnë dhurata mes vete apo realizojnë dalje më të veçanta. Këtë ditë çifti ja dedikojnë njëri tjetrit në mënyrë ekskluzive për të shprehur dashurinë e tyre.
Në përgjithësi, Dita e Shën Valentinit është një festë që ka evoluar me kalimin e kohës dhe ka marrë shumë kuptime dhe tradita të ndryshme në mbarë botën. Pavarësisht zakoneve dhe traditave të ndryshme, ajo mbetet një ditë popullore për të festuar dashurinë dhe marrëdhëniet në shumë kultura. / KultPlus.com
Tridhjetë ish-fitues të trofeut të Topit të Artë morën pjesë në një votim për të vendosur se kush është ‘Lojtari i Shekullit’, me një yll që u rendit në vendin e parë me një diferencë të madhe.
France Football, revista që ka organizuar ndarjen e Topit të Artë që nga viti 1956, konsultoi një grup të gjerë fituesish të çmimit për të krijuar këtë vlerësim të ri.
Në total, kishte 34 fitues nga viti 1956 deri në 1999, por vetëm 30 prej tyre morën pjesë në votim, pasi Stanley Matthews, George Best dhe Omar Sivori nuk votuan, ndërsa Lev Yashin, fituesi i 1963-ës, kishte ndërruar jetë në vitin 1990.
Sipas RSSSF, të gjithë votuesit u ngarkuan me zgjedhjen e pesë lojtarëve nga lista e fituesve – të renditur nga vendi i parë deri te i pesti. Sistemi i pikëve ishte si më poshtë:
5 pikë për vendin e parë
4 pikë për vendin e dytë
3 pikë për vendin e tretë
2 pikë për vendin e katërt
1 pikë për vendin e pestë
Megjithatë, procesi i votimit kishte disa çudira. Dy herë fituesi i Topit të Artë, Alfredo Di Stefano, zgjodhi vetëm një lojtar, ndërsa Michel Platini, që ka fituar tre herë çmimin, dha vetëm dy zgjedhje.
Gjithashtu, fituesi i 1995-ës, George Weah, vendosi të votonte vetëm dy lojtarë për vendin e pestë – Bobby Charlton dhe Roger Milla – duke u dhënë secilit nga gjysmë pike.
Në fund, legjenda braziliane Pelé u shpall fituesi me 122 pikë, gati dyfishin e votave në krahasim me rivalin e tij të madh, Diego Maradona.
Asnjëri prej tyre nuk kishte fituar zyrtarisht Topin e Artë, pasi nuk ishin të pranueshëm gjatë karrierës së tyre, por më vonë u nderuan me versione përkujtimore të çmimit.
Johan Cruyff, Alfredo Di Stefano dhe Michel Platini plotësuan pesëshen më të mirë.
Rezultatet e plota të votimit për Lojtarin e Shekullit:
Pelé – 122 pikë
Diego Maradona – 65 pikë
Johan Cruyff – 62 pikë
Alfredo Di Stefano – 44 pikë
Michel Platini – 40 pikë
Franz Beckenbauer – 35 pikë
Ferenc Puskás – 12 pikë
Marco van Basten – 11 pikë
Zico – 7 pikë
Gerd Müller – 5 pikë = Lev Yashin – 5 pikë
Enzo Francescoli – 4 pikë = Garrincha – 4 pikë = George Best – 4 pikë
Rafael Gordillo – 3 pikë
Bobby Charlton – 2.5 pikë
Romário – 2 pikë
Roberto Baggio – 1 pikë = Oleg Blokhin – 1 pikë = Just Fontaine – 1 pikë = Raymond Kopa – 1 pikë = Fritz Walter – 1 pikë = Dino Zoff – 1 pikë
Roger Milla – 0.5 pikë
Pelé triumfoi si lojtari më i madh i shekullit sipas këtij votimi prestigjioz, duke lënë pas emra të mëdhenj si Maradona, Cruyff dhe Di Stefano. /Express/ KultPlus.com
Dje, mes letrash gjeta një foto të vjetër të njëzet viteve të tua. Befas kuptova menjëherë se dashuria ime për ty, u bë në kohë të shkuar, në çast dashurova buzëqeshjen tënde universitare, rininë tënde të ngazëlluar, tejdukshmërinë fatlume të vështrimit tënd, veshjen e shtendosur përmbi këmbët e tua, iluzionet që kishe akoma, ëndrrat e tua për ta ndryshuar botën dhe gjinitë, dëshirat e tua për drejtësi, kryeneçësinë tënde ndaj roleve njerëzore, ëndjen tënde të pashtershme për gjuhët e kësaj bote, fuqinë e tërbuar të vetes tënde, kryengritëse e bashkëkohore njëherësh, në 1968.
Dashuria ime për ty, u bë në kohë të shkuar, përshkoi ditët e vitet, pluskoi në kujtesë, gjer në natën e kohëve, aty ku çdo dashuri ngjizet.
Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. /KultPlus.com
Aktorja e njohur britanike, Tilda Swinton mbajti një fjalim politik, teksa pranoi sonte çmimin ”Ariu i Artë” për Karrierën të Festivalit të Filmit të Berlinit, në ceremoninë e hapjes duke thënë se “shumë akte çnjerëzoret po kryhen në kohën tonë”.
Në një fjalim poetik, fituesja e Oscar-it e vlerësoi festivalin si “një mbretëri pa kufij pa politikë përjashtimi, persekutimi apo dëbimi”.
“Shteti i madh i pavarur i kinemasë është në thelb gjithëpërfshirës dhe imun ndaj përpjekjeve për pushtim, kolonizim, marrje, pronësi ose zhvillim të pronave të rivierës”, theksoi ajo.
Ajo më pas pranoi se ”vrasjet masive të kryera nga shtetet dhe të mundësuara nga ndërkombëtarët, aktualisht po terrorizon në mënyrë aktive më shumë se një pjesë të botës sonë”.
Megjithatë, ajo nuk hyri në detaje.
”Këto janë fakte. Ato duhet të shihen. Pra, për hir të qartësisë, le ta emërtojmë atë. Aktet çnjerëzore po kryhen në kohën tonë. Unë jam këtu për ta emërtuar pa hezitim apo dyshim në mendjen time dhe për t’i dhënë solidaritetin tim të palëkundur të gjithë atyre që e njohin vetëkënaqësinë e papranueshme të qeverive tona të varura nga lakmia, të cilat sillen mirë me shkatërruesit e planetit dhe kriminelët e luftës”, theksoi ajo.
”Berlinale” e këtij viti vjen mes trazirave politike në Gjermani, duke u zhvilluar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme vendimtare të 23 shkurtit.
Zgjedhjet janë shënuar nga ngritja e partisë së djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila ka shkaktuar polemika me qëndrimin e saj kundër emigracionit.
Diku tjetër, SHBA sapo ka hyrë në një presidencë të dytë nën Donald Trump, dhe megjithëse u thirr një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, konflikti në Gaza mbetet i brishtë.
Javën e kaluar, Trump sugjeroi një plan për të larguar palestinezët nga territori dhe për ta kthyer atë në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Deri më tani, festivali nuk është shmangur nga politika, me presidentin e jurisë Todd Haynes që foli kundër Trump gjatë një konference për shtyp të së enjtes.
”Ne jemi në një gjendje krize të veçantë tani në Shtetet e Bashkuara, por edhe globalisht”, tha ai duke shtuar se ”kthimi i Trump do të ndikojë në xhirimet… mbi të gjithë kineastët amerikanë”.
Swinton ka pasur lidhje të ngushta me Berlinalen për gati katër dekada, duke luajtur në 26 filma në përzgjedhjen e festivalit, përfshirë “Caravaggio”, i cili fitoi ”Ariun e Argjendtë” në 1986; ”The Beach” (2000); “Derek” (2008); “Julia” (2008); “The Garden” (1991); dhe “Last and First Man” (2020).
Ajo gjithashtu kryesoi jurinë kryesore të Berlinales në vitin 2009./ KultPlus.com
Bashkimi Europian ka prezantuar fushatën 7-javore për arsimin, ndërsa informon mbi programet që po zbaton në këtë fushë në Shqipëri.
Përmes një njoftimi për shtyp, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë publikoi tetë mënyra se si Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë për të formësuar të ardhmen e arsimit.
Nga shkollat dhe bursat, tek inovacioni dhe gjithëpërfshirja, BE-ja po hap dyert për studentët, mësuesit dhe profesionistët e rinj.
“Nëpërmjet programeve po e bëjmë arsimin më të aksesueshëm, modern dhe gati për të ardhmen. Vetëm në vitin 2023, më shumë se 2500 studentë dhe staf akademik kanë studiuar në BE përmes Erasmus+; 63 shkolla të rindërtuara pas tërmetit me EU4Schools; mbi 15000 mësues janë trajnuar për arsimin gjithëpërfshirës, ndërsa krijuesit e rinj po investojnë në të ardhmen e tyre përmes Horizon Europe”, thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së.
Më poshtë janë programet kryesore të zbatuara nga BE në Shqipëri në mbështetje të arsimit:
Erasmus+
Është nisma kryesore e Bashkimit Europian themeluar në vitin 1987 për të mbështetur arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në gjithë Europën dhe më gjerë. Vetëm në vitin 2023, ky program u ka mundësuar më shumë se 2500 studentëve dhe stafit nga Shqipëria të studiojnë apo trajnohen në BE, si dhe ka mirëpritur më shumë se 1600 pjesëmarrës në Shqipëri. I fokusuar te lëvizshmëria bashkëpunimi dhe inovacioni, Erasmus+ promovon zhvillimin e aftësive dhe shkëmbimin ndërkulturor.
Horizon Europe
Programi i BE-së për kërkimin dhe inovacionin, ku Shqipëria merr pjesë që prej vitit 2022. Në kuadër të shtyllës së tij “Evropa Novatore” në muajin shkurt 2025 u çel në Tiranë Qendra Komunitare e Institutit Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë. Ajo do të shërbejë si një qendër e vetme për talentet dhe sipërmarrësit vendas për të përfituar nga mundësitë e Komunitetit EIT në arsim, zhvillimin e biznesit dhe inovacion.
EU4InclusiveEduJobs
Programi u rrit mundësitë e arsimit dhe punësimit për komunitetet rome dhe egjiptiane në Shqipëri. Me 2,35 milionë euro financime, ku 2 milionë janë financim i BE-së projekti mbështet bursat, shkollimin digjital dhe vetëpunësimin duke nxitur përfshirjen afatgjatë dhe fuqizimin ekonomik.
EU4InclusiveTeaching
Një tjetër nismë e financuar nga BE-ja është ajo për modernizimin e arsimit parauniversitar në Shqipëri me metoda mësimdhënieje gjithëpërfshirëse të bazuara në kompetenca. Me një vlerë prej 2,35 milionë eurosh projekti ofron trajnim profesional për 15 mijë mësues, ngre kabinete të shërbimit psiko-social në shkolla dhe transformon shkollat speciale në qendra burimore për qasje dhe mbështetje të barabartë për çdo nxënës.
EU4LaborMarketInclusion
Është projekti që mbështet grupet vulnerabël në 19 bashki duke rritur gjithpërfshirjen në punësim dhe zhvillimin e aftësive. Financuar me 3 milionë euro projekti ofron trajnime profesionale mbështetje nga komuniteti dhe programe pune për të rinjtë që nuk janë të përfshirë në arsim, punësim apo trajnim, personal me aftësi të kufizuar dhe nënat e reja.
Nga projekti përfitojnë drejtpërdrejtë 1400 individë duke promovuar pjesëmarrjen dhe përfshirjen e fuqisë punëtore.
Eu4Schools
Është një nismë e financuar nga BE-ja që mbështet procesin e rimëkëmbjes pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Me vlerë totale 75,7 milionë euro programi riparon dhe rindërton objekte arsimore në 11 bashki të prekura sipas standardeve të BE-së duke siguruar mjedise të përmirësuara mësimore për mbi 25 500 nxënës dhe mësues. Synimi është rindërtimi i 63 objekteve arsimore.
Superschools
Është një nismë e financuar nga BE-ja që promovon paqen, pajtimin dhe dialogun ndërkulturor në Ballkanin Perëndimor. Ai fuqizon shkollat për të zbatuar projekte novatore arsimore dhe promovon arsim gjithëpërfshirës. Me fonde prej 5,5 milionë eurosh programi mbështet shkëmbimet rinore dhe bashkëpunimin mes shkollave, studentëve dhe komuniteteve. Nga viti 2022 deri në 2025 më shumë se 300 nxënës, 88 mësues dhe 43 shkolla kanë përfituar nga shkëmbimet e programit deri tani.
EU4Youth
Është një nismë e financuar nga BE-ja që mbështet të rinjtë që nuk janë të përfshirë në punësim, arsim apo trajnim. Frymëzuar nga korniza e Garancisë Rinore të BE-së projekti ofron punësim cilësor, arsim, praktika pune apo trajnime brenda katër muajve nga humbja e punës ose largimi nga arsimi duke ulur papunësinë e të rinjve dhe duke krijuar fuqi punëtore të kualifikuar./ KultPlus.com
Ndërsa fuqitë botërore përpiqen të marrin rolin udhëheqës në teknologjinë e inteligjencës artificiale, ekspertët nxjerrin në pah koston që kjo teknologji shkakton ndaj mjedisit.
Një raport i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë thotë se përhapja e inteligjencës artificiale mund të nxisë në të ardhmen një konkurrencë për burime ujore dhe energjetike. Ndërsa shtohen kërkesat për energji, shtrohet pyetja nëse kjo teknologji mund të bëhet më miqësore me mjedisin?
Inteligjenca artificiale është në ballë të shumë prej novacioneve të reja në botë. Një nga ndryshimet më madhore në shoqëri që nga revolucioni industrial.
Pothuajse çdo veprim në pajisjet me AI është i lidhur me qendrat e të dhënave. Me ndërtesa të mëdha dhe super kompjutera, kjo qendër në Londër konsumon sasi masive energjie. Shtrohet pyetja nëse zgjerimi i teknologjisë së rinovueshme mund t’i përballojë kërkesat energjetike të inteligjencës artificiale?
Po ashtu kërkohet një sasi e madhe uji për ftohjen e qendrave të të dhënave.
“Pothuajse çdo veprim në telefona apo kompjutera është i lidhur me qendrat e të dhënave. Kemi patur probleme në përmbushjen e këtyre kërkesave. E ardhmja duket më e vështirë me shtimin e kërkesave si rezultat i përhapjes së inteligjencës artificiale”, thotë Spencer Lamb i cili drejton operacionet në qendrën “KAO Data”.
Një raport i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë sugjeron që qeveria britanike t’u kërkojë kompanive teknologjike raporte zyrtare mbi përdorimin e energjisë dhe ujit.
Raporti thotë se përhapja e inteligjencës artificiale po shkakton rreziqe të mëdha mjedisore që mund të çojnë në konkurrencë për ujin dhe energjinë në të ardhmen.
Pavarësisht vlerave që ofron AI, biologët shprehin shqetësimin për dëmet që mund të shkaktojë infrastruktura e inteligjencës artificiale. Kjo teknologji po i ndihmon biologët që të analizojnë fotot e planktonit.
Saskia Khl është biologe në Laboratorin Detar të Plymouth-it.
“Nuk mund të mbrojmë atë që nuk e kuptojmë. Për të kuptuar më mirë planktonin, (inteligjenca artificiale) do të na ndihmojë në matjet dhe mbledhjen e të dhënave me një cilësi shumë të lartë”.
Puna njëditore e një individi për vëzhgimin dhe matjet mund të realizohet nga inteligjenca artificiale brenda disa sekondash. Hulumtuesit thonë se përfitimet nga përdorimi i inteligjencës artificiale e justifikojnë përdorimin e më shumë se gjysmës së energjisë elektrike të laboratorit.
Gopal Ramchurn, profesor i inteligjencës artificiale në Universitetin e Southampton-it, thotë se vëzhgimi i detajuar i konsumit të energjisë dhe ujit është i nevojshëm për të menaxhuar rreziqet mjedisore.
“Në rastin më të keq, nëse nuk menaxhohet përdorimi i burimeve natyrore nga këto qendra, do të duhet të zgjedhim se kush do të ketë përparësi në furnizimin me energji elektrike në Britani, qendrat e të dhënave apo banorët”.
Në takimin e nivelit të lartë për inteligjencën artificiale në Paris, ekspertët u thanë udhëheqësve botërorë se energjia e rinovueshme do ta ketë të vështirë të përmbushë nevojat që kërkon infrastruktura e kësaj teknologjie.
“E dimë që AI mund të ndihmojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, por gjithashtu e dimë se trajektorja e saj është e paqëndrueshme”, tha për të pranishmit Anne Bouverot, e dërguara speciale për Francën dhe hulumtuese në fushën e inteligjencës artificiale.
Udhëheqësit botërorë dhe kompanitë e teknologjisë po diskutojnë në takimin e nivelit të lartë në Paris mbi përparimet e inteligjencës artificiale në sektorë si shëndetësia, arsimi, mjedisi dhe fusha të tjera. /VOA/ KultPlus.com
Nuk është se mendimet më janë mbyllur, Nuk është se nuk dua te shoh dritë përsëri… Është e thjeshtë, më mungon kjo, Kjo që adhuroj – Më mungon ti!
Nuk është se fëmijët, nuk me pëlqejnë, Por vdes morali, para syve të mi… Edhe iluzionet e mia vdesin, Përpara trishtimit – Më mungon ti!
Nuk është se kam harruar, qe për burrat, Te mos tregosh qe dashuron, quhet trimëri… Nuk është asnjë nga këto, Por nuk me përgjigjesh, Kur te thërras – Më mungon ti! /KultPlus.com
Shtatë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqe të tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024.
Sipas raportit të publikuar së fundmi nga INSTAT-i, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 799 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 211 vdekje më shumë sesa lindje.
Popullsia banuese në Shqipëri, sipas numërimit në momentin e censit – mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023, rezulton 2.402.113, prej të cilëve, 49,6% janë meshkuj dhe 50,4% femra.
Sipas censit 2023, popullsia banuese në Shqipëri shënoi rënie prej 420 mijë banorë, krahasuar me Censin 2011, kur u numëruan 2.821.977 persona./ KultPlus.com
I bukuri im, Kur të dua unë, kur na ngroh i njëjti diell që Dritë hedh mbi ne Pas çdo nate me e pa hënë Me yje pa dritë, Le të të dojë krejt bota! Kjo është jeta 13 gram frymë e zemra po ashtu ka një sy Ndërsa bie Breshër A fryn stuhi Ndërsa shpërthen vullkani Magma Fjetur Nën tokës Se toka Është Zjarr Ujë Ajër Dhe Është disa elemente Janë dy trekëndësh Në shkencë mjaftojnë për të ndërtuar Nëse bëhen gjashtë- cepa Është ylli Rruga e dritës! Është përsosmëri Si darka e fundit Si yll i Davidit! Andej nga ne vijmë jemi Për të qenë Dy Në përmbajtje plot dritë! Lum kush e di!/ KultPlus.com
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha se ata synojnë të nisin një investim prej 200 miliardë eurosh në fushën e inteligjencës artificiale në Evropë.
Von der Leyen foli në Samitin e Veprimit të Inteligjencës Artificiale që po mbahet në Paris.
Ajo tha se duan ta bëjnë Evropën një nga kontinentet lider në fushën e inteligjencës artificiale dhe se do të përshpejtojnë punimet e tyre në këtë fushë.
Von der Leyen kujtoi se disa nga superkompjuterët publikë më të shpejtë në botë ndodhen në Evropë.
Ajo theksoi se ata do t’i vënë këto sisteme të disponueshme edhe për punimet e inteligjencës artificiale të kompanive dhe hulumtuesve.
Presidentja e KE-së theksoi se fabrikat e inteligjencës artificiale që kanë krijuar do t’i çojnë në një nivel tjetër me gigafabrikat e inteligjencës artificiale.
“Këto do të jenë në gjendje të trajnojnë modele me të dhëna shumë të mëdha dhe infrastrukturë të përpunimit të informacionit”, shtoi Von der Leyen.
Pasi vuri në dukje se fusha e inteligjencës artificiale në Evropë ka nevojë për financime të konsiderueshme si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat, Von der Leyen tha se e mirëpret nismën e inteligjencës artificiale, për të cilën sektori privat ka premtuar 150 miliardë euro.
Sipas saj, BE-ja do të sigurojë 50 miliardë euro shtesë burime në fushën e inteligjencës artificiale me nismën “InvestAI”.
“Ne synojmë të mobilizojmë një total prej 200 miliardë eurosh për investime në inteligjencën artificiale në Evropë”, tha Von der Leyen.
Në deklaratën e KE-së lidhur me temën, u vu në dukje se do të krijohet një fond i ri evropian prej 20 miliardë eurosh për giga-fabrikat e inteligjencës artificiale.
Kohën e fundit BE-ja është përpjekur të arrijë rivalët e saj si SHBA-në dhe Kinën duke bërë investime të reja në fushën e inteligjencës artificiale./ KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, që filloi sot deri më 23 shkurt, do të përfshijë filma nga regjisorët Richard Linklater, Michel Franco dhe Hong Sang Soo në garën për çmimin kryesor të festivalit ”Ariu i Artë”.
Në festival do të shfaqen filma me yje të Hollivudit si Timothée Chalamet, Jessica Chastain, Marion Cotillard dhe Margaret Qualley.
Këtë herë, 19 filma që përfaqësojnë 26 vende të ndryshme do të shfaqen në seksionin e konkurrencës në Berlinale.
Ndër të pranishmit janë “Blue Moon” i Linklater, i cili tregon historinë e kantautorit Lorenz Hart, i cili e gjen veten në një krizë jete. Marrin pjesë Ethan Hawke, Margaret Qualley, Bobby Cannavale dhe Andrew Scott.
Drejtoresha e Berlinales, Tricia Tuttle, tha se ky festival ka të bëjë më shumë se me politikë dhe shprehu shpresën se vizitorët do të fokusohen në gjallërinë e formës së artit dhe filmave që shfaqen.
”Shumë kineastë nga vendet arabe i janë afruar Berlinales në javët e fundit për të siguruar që festivali të jetë një hapësirë për dialog”, tha Tuttle.
Ajo theksoi se organizatorët shpresojnë të kenë biseda individuale me kineastët për këtë çështje.
Berlinale kohët e fundit njoftoi filmat e parë që do të përfshihen në program, duke përfshirë “Mickey 17”, një film i ri fantastiko-shkencor nga regjisori fitues i çmimeve të “Parasite”, Bong Joon Ho, me protagonist Robert Pattinson.
Filmi nuk do të jetë pjesë e konkursit të Berlinales, por do të shfaqet si pjesë e një galaje speciale.
Filmi biografik “A Complete Unknown” për legjendën e muzikës Bob Dylan, me aktorin hollivudian Timothée Chalamet, do të shfaqet gjithashtu.
Chalamet pritet të vijë në Berlin për shfaqjen.
Shfaqja në kinematë gjermane është planifikuar për 27 shkurt, menjëherë pas përfundimit të festivalit.
Filmi tashmë është shfaqur ndërkombëtarisht në shumë vende.
Me regji të James Mangold, “A Complete Unknown” ka të bëjë me karrierën e hershme të kantautorit amerikan Dylan, duke mbuluar ardhjen e tij në Nju Jork dhe vendimin për të përdorur instrumente elektrike që tronditën skenën popullore të viteve 1960./ KultPlus.com
Skiatorja që garon për Shqipërinë, Lara Colturi u rendit e 7-ta në Kupën e Botës.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar bëri të ditur sot se, Colturi bëri një garë të jashtëzakonshme në Slalomin Gjigand në Saalbach të Austrisë, me dy zbritje shumë impresionuese.
Në këtë debutim e saj në Kupën e Botës të Skive Apline, Lara Colturi ka arritur të renditet mes 10 më të mirave të botës.
Gara e Slalomit Gjigand në Saalbach u dominua nga italiania Brignone, që fitoi edhe medaljen e Artit.
Lara Colturi do të garojë të shtunën në Slalom, ku synon të arrijë zonën e medaljeve.
Kualifikimin për në finalen e Slalomit Gjigand e ka arritur edhe Denni Xhepa, që do të garojë të premten. / KultPlus.com
ARE, SWEDEN – MARCH 9: Lara Colturi of Team Albania reacts during the Audi FIS Alpine Ski World Cup Women’s Giant Slalom on March 9, 2024 in Are, Sweden. (Photo by Jonas Ericsson/Agence Zoom/Getty Images)
Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?
Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua.