‘Frytet më të ëmbla i kanë drunjtë që rriten ngadalë’

Dhjetë thënie nga dhjetë personalitete të njohura.

“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk e ekziston vërtetë, ne e krijojmë atë. Ajo që nuk ekziston është vetëm diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.”
– Franz Kafka

“Duhet vetëm një minutë për të të ngazëllyer dikush, një orë për të të pëlqyer dikush dhe një ditë për ta dashuruar dikë… por duhet një jetë për ta harruar dikë.”
– Kahlil Gibran

“Poezia është më afër të vërtetës njerëzore se sa historia.”
– Platoni

“Gratë e padashuruara nuk kanë biografi, ato kanë vetëm histori.”
-F. Scott Fitzgerald

“Për aq kohë sa i besoni vetes, ju do të dini si të jetoni.”
– Gëte

“Në qendrën më të thellë të qënies tonë, ne jemi krijesa shoqërore. Mendimi se dikush mund të fillojë diçka nga e para, i lirë nga e kaluara, ose pa qenë borxhli ndaj askujt, nuk mund të ketë imagjinim më të gabueshëm”
– Karl R. Popper

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurt.”
– Arthur Schopenhauer

“Frytet më të ëmbla i kanë drunjtë që rriten ngadalë.”
– Molière

“Nuk besoj që ekziston ndonjë kualitet më esencial për çdo lloj suksesi se sa këmbëngulja. Ajo tejkalon pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën.”
– John D. Rockfeller

“Janë tre gjëra të cilave çdo njeri i mençur u frikësohet: detit me stuhi, natës pa hënë dhe zemërimit të njeriut të butë.”
– Patrick Rothfuss. / KultPlus.com

Dita Botërore e Radios

Që prej vitit 2011, 13 shkurti njihet si Dita Botërore e Radios, e shpallur si e tillë nga UNESCO, Organizata Kombeve të Bashkura për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Radioja është një medium i fuqishëm për të kremtuar njerëzimin në të gjithë diversitetin e tij dhe përbën një platformë për diskursin demokratik. Në nivel global, radio mbetet mediumi më i konsumuar. Kjo aftësi unike për të arritur audiencën më të gjerë do të thotë se radio mund të formësojë përvojën e diversitetit të një shoqërie, të qëndrojë si një arenë ku të gjithë zërat të flasin, të përfaqësohen dhe dëgjohen. Stacionet radio duhet t’u shërbejnë komuniteteve të ndryshme, duke ofruar një shumëllojshmëri të gjerë programesh, pikëpamjesh dhe përmbajtjesh, dhe të pasqyrojnë diversitetin e audiencës në organizatat dhe operacionet e tyre.

Radioja është një medium me kosto të ulët, i përshtatshëm posaçërisht për të prekur komunitetet e largëta dhe njerëzit vulnerabël, duke ofruar një platformë për të ndërhyrë në debatin publik, pavarësisht nga niveli arsimor i njerëzve. Ai gjithashtu luan një rol vendimtar në komunikimin e urgjencës dhe lehtësimin e fatkeqësive.

Radioja është e pozicionuar në mënyrë unike për të bashkuar komunitetet dhe për të nxitur dialogun pozitiv për ndryshim. Duke dëgjuar audiencat e saj dhe duke iu përgjigjur nevojave të tyre, shërbimet e radios ofrojnë larminë e pikëpamjeve dhe zërave të nevojshëm për të adresuar sfidat me të cilat përballemi të gjithë.

Janë disa shkencëtarë të përfshirë në historinë e radios. Radioja e parë me valë u shpik në 1893 në St Louis nga Nikola Tesla. Megjithatë, merita për radion e parë i takoi Guglielmo Marconit, të cilit iu dha patenta e parë për një pajisje radio pa tela (wireless) në Angli, në 1896./atsh/KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e shkrimtarit dhe përkthyesit Petraq Kolevica

Shkrimtari, përkthyesi dhe arkitekti i njohur, Petraq Kolevica, dy vite më parë u nda nga jeta.

Petraq Kolevica, lindi nё Korçё me 11.01.1934, kreu shkollёn fillore dhe gjimnazin nё Korçё. Gjimnazi i Korçёs ishte pasardhёs i Liceut francez dhe disa nga profesorёt e mёparshёm vazhdonin tё jepnin mёsim atje.

Ndёr tё tjera ishin kёta mёsues qё ngjallёn tek Petraqi interesin dhe dashurinё pёr artin e sidomos pёr poezinё. Nё atё kohё pati kontakte edhe me piktorёt Vangjush Mio e Vangjush Tushi qё ndikuan shumё nё formimin e tij.

Studimet pёr inxhinieri ndёrtimi i kreu nё periudhёn 1952-1957 nё Universitetin politeknik tё Tiranёs. Punoi shumё vite si inxhinier dhe arkitekt. Gjatё gjithё veprimtarisё si arkitekt ai u mundua tё projektonte ndёrtesa moderne dhe funksionale. U kritikua shumё herё pёr ndikime tё huaja nga partiakёt e asaj kohe.

Mbas njё fjalёkёmbimi me Enver Hoxhёn nё ekspozitën “Shqipёria Sot” u dёrgua pёr tё punuar si teknik ndёrtimi nё Valias. Qё nga ajo kohё pothuajse nuk punoi mё si arkitekt. Jetёn e tij si inxhinier dhe arkitekt e ka pёrmbledhur nё librin “Arkitektura dhe diktatura”. Qё nё rininё e hershme interesohej pёr poezinё. Nё vitet ’60-tё, botoi pёrkthimin e poemёs “Demoni” tё Lermontovit, qё u prit shumё mirё nga lexuesi i atёhershёm. Nё vitin 1986, botoi librin me pёrkthime nga gjermanishtja “Poezi gjermane dhe austriake”.

Ështё ndër të vetmit qё ka pёrkthyer poezi klasike japoneze, ndonёse jo nga origjinali. Nё kohёn e demokratizimit tё Shqipёrisё kontribuoi si deputet nё parlamentin e parё pluralist tё Shqipёrisё dhe si pjesëtar i kёshillit botues tё gazetёs “Rilindja Demokratike”. Nё vitet e mёvonshme, pёr shkak tё njё sёmundjeje tё rёndё, ai u tёrhoq nga politika aktive, por ka shfaqur shpesh mendimin e tij nё gazeta tё ndryshme.

Nё vitin 1992, u botua vёllimi i parё me poezi “Kёngё nga koha e keqe”. Poezi tё shkruara mё parё prej tij por tё pabotuara deri atёherë. Kuptohet pёr arsye tё pёrmbajtjes. Mё vonё botoi dhe vёllime tё tjera me poezi. Sё fundi mё 2013, pёrmblodhi poezitё e tij origjinale nё dy vёllime “Tё korrat e vona”. Tё rёndёsishme nё krijimtarinё e tij janё edhe librat pёr Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, tё cilёt i pati njohur personalisht dhe e lidhte njё miqёsi e ngushtё. / KultPlus.com

Teksti i këngëtarit arbëresh në Sanremo vlerësohet nga akademikët italianë

Në Itali po zhvillohet edicioni i 75-të i Festivalit të Muzikës “Sanremo 2025”, një konkurs kënge televiziv, me shikueshmëri të lartë, që çdo vit mbahet në Teatrin “Ariston”.

Mes 29 këngëtarëve që garojnë këtë vit, për luanin e artë të Sanremos, është edhe Dario Brunori, i cili në këtë garë ka marrë gjithë mbështetjen e katundeve arbëreshe.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri të ditur se, katundet arbëreshe do të mbështesin kantautorin nga Kozenca, në Festivalin e Sanremos. Kjo mbështetje e tyre vjen pas dhuratës së bukur, që kantautori Brunori u bëri arbëreshëve të Italisë verën e kaluar, në Notte della Taranta live në RAI Uno, duke interpretuar një prej këngëve që identifikojnë arbëreshët, “Lule lule”.

Shoqatat arbëreshe thonë se, motivacioni vjen prej dëshirës dhe interesit për të dërguar në skenën e këtij festivali, një copëz nga historia dhe tradita arbëreshe e Kalabrisë.

Ndërkohë Accademia della Crusca ka vlerësuar maksimalisht tekstin e këngës së Dario Brunorit, i paraqitur në Sanremo me “L’Albero delle noci” (Pema e arrave).  Për këtë akademi e njohur si “La Crusca” teksti i Brunorit është më i miri.

“Ndërsa shumica e këngëve humbasin në struktura të përsëritura që nuk kanë origjinalitet, shumë pak artistë dalin me një gjuhë të rafinuar dhe autentike. Kantautori kalabrez dominon me tekste të rafinuara dhe poetike. Niveli i shkrimit, intensiteti i imazheve, thellësia e mesazhit: jemi përballë një kryevepre të vërtetë”, citohet Accademia della Crusca, prej shtypit italian.

Kjo akademi është një shoqëri me bazë në Firence e studiuesve të gjuhësisë dhe filologjisë italiane. Është një nga institucionet më të rëndësishme kërkimore të gjuhës italiane, si dhe akademia më e vjetër gjuhësore në botë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.

Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Përveç takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.

Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve./ KultPlus.com

“Shqiponja e modës ngrihet në Kosovë”, mediat ndërkombëtare shkruajnë për yjet e industrisë së modës kosovare

Ndërsa audienca në të gjithë rajonin e Evropës në zhvillim dhe më gjerë aktualisht janë të njohur me yjet e popit dhe artistët me origjinë nga Kosova, si Rita Ora dhe Dua Lipa, yjet në rritje të industrisë së modës kosovare janë gati të lënë gjurmët e tyre.

Kështu fillon artikulli i Glen Hotgson në “Emerging Europe”, i cili i kushtohet yjeve kosovarë të modës, lënë gjurmë në tërë botën.

“Në këngën e saj hit të vitit 2017, Blow Your Mind, këngëtarja shqiptare e Kosovës Dua Lipa nxjerr vetëbesim, ndërsa thekson se ka përsosmëri të jesh pa falje vetvetja. E njëjta ndjeshmëri mund të gjendet në skenën e sapolindur të modës në vend. Kosova është vendi më i ri në Evropë dhe si të gjithë adoleshentët, ajo po rritet, po zhvillohet dhe po gjen zërin e saj. Kjo me siguri mund të thuhet për skenën e modës të gjallë dhe emocionuese të Kosovës”, thuhet në artikull.

Kosova është shtëpia e një qendre krijuese të stilistëve dhe etiketave që përziejnë traditën me diversitetin kulturor dhe kuriozitetin për të prodhuar diçka të re, të guximshme dhe të freskët. Ngritja e sektorit të modës në Kosovë në këtë sfond, projekti për nxitjen e punësimit dhe mundësive për rritje (FEGO) u lansua në Kosovë dhe moda është një nga sektorët që synohet për mbështetje. Kjo financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe zbatohet nga Swisscontact në Kosovë.

Projekti synon të gjenerojë punësim dhe të ardhura për gratë, burrat dhe të rinjtë që përballen me margjinalizimin socio-ekonomik. Ky synim arrihet përmes rritjes së qëndrueshme të bizneseve mikro dhe të vogla, veçanërisht në sektorët e veshjeve, mobiljeve dhe turizmit rural. FEGO aplikon një qasje të Zhvillimit të Sistemeve të Tregut (MSD), duke theksuar lehtësimin e tregut dhe modelet inovative të biznesit për të siguruar rritje sektoriale sistematike, të shkallëzuar dhe të qëndrueshme.

Objektivat kryesore përfshijnë nxitjen e zhvillimit të biznesit dhe përmirësimin e lidhjeve të tregut për të mbështetur sistemet gjithëpërfshirëse të tregut dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin privat, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë.

Një shpërthim i talenteve krijuese dhe sipërmarrëse, gjerësia dhe thellësia e ekosistemit të modës në Kosovë ilustrohet nga kompanitë dhe dizajnerët që janë zgjedhur për të përfituar nga projekti FEGO. Markat ofrojnë një përzgjedhje veshjesh për femra, veshje sportive unisex dhe të brendshme, si dhe krijime të modës së nivelit të lartë.

YLLKA për shembull ofron veshje mahnitëse të bëra me dorë me një ndjenjë përgjegjësie sociale. Një përkushtim ndaj shoqërisë dhe mjedisit është thelbësor për markën së bashku me çdo veshje që krijohet me dashuri.

Ndërkohë, S//SPRINT është një brend që krijon veshje sportive dhe të brendshme për tregun kosovar dhe atë ndërkombëtar. Kompania ka ambicie globale dhe është e përkushtuar ndaj standardeve më të larta të cilësisë në sektorin e prodhimit të tekstilit.

Një tjetër firmë, BRONTE, është e fokusuar në prodhimin e veshjeve sportive unisex, duke ruajtur një frymëzim të qartë nga stili i rrugës bashkëkohore. Tepër krenare për rrënjët e saj në Prishtinë, kompania përzien pasionin ballkanik me një estetikë bashkëkohore ndërkombëtare.

Gjithashtu me bazë në Prishtinë, Labentiné është një markë e ngadaltë e modës e cila është e përkushtuar ndaj qëndrueshmërisë dhe praktikave etike. Dizajneri përzien inovacionin dhe origjinalitetin duke u fokusuar në dizajnet me zero mbeturina. Labentiné është e pajisur me një atelie të dedikuar që ndërthur mjeshtërinë tradicionale me praktikat moderne dhe të qëndrueshme, duke siguruar cilësi të jashtëzakonshme për koleksionet me porosi dhe grupe të vogla.

Së fundi, Merita Harxhi Koci (MHK) është një shtëpi e modës e themeluar në vitin 2011, me përkushtim për të ofruar fustane unike dhe ekskluzive të cilësisë së lartë. MHK dizajnon dhe krijon veshje femrash me fokus në materiale të shkëlqyera dhe ekskluzive. E nxitur nga dizajni dhe stili artistik, modern dhe luksoz, marka drejtohet nga cilësia e modës dhe një nivel i lartë shërbimi ndaj klientit. Ndërsa audienca në të gjithë rajonin e Evropës në zhvillim dhe më gjerë aktualisht janë më të njohur me yjet e popit dhe artistët me origjinë nga Kosova, si Rita Ora dhe Dua Lipa, yjet në rritje të industrisë së modës kosovare janë gati të lënë gjurmët e tyre. Një shqiponjë e re sigurisht po ngrihet në botën e modës. Mundësitë janë vërtet të pafundme./emergingeurope/KultPlus.com

Jusuf Buxhovi ndan nesër mirënjohje për lexuesit e dalluar në Gjilan

Shkrimtari Jusuf Buxhovi, ka njoftuar se të premtën, me datë 14 shkurt, do të mbajë një bashkëbisedim me lexuesit e dalluar në bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan duke filluar nga ora 13:00.

Gjatë bashkëbisedimit, Buxhovi i cili është edhe fitues i çmimit të madh letrar “Beqir Musliu” do të ndajë mirënjohjet për lexuesit e dalluar.

Komisioni përbëhet nga Fitore Ajvazi, Shqipe Latifi dhe Shaban Rexhepi./KultPlus.com

Rexhep Krasniqi, eksponenti i shquar i diasporës shqiptare në ShBA

Më 13 shkurt 2000, u shua një prej udhëheqësve më të spikatur të diaporës shqiptaro-amerikane, Rexhep Krasniqi, i njohur ndryshe edhe si “bir shpirti” i Bajram Currit.

Krasniqi sherbeu si funksionar shtetëror në poste kyçe, si edhe militues i respektimit të të drejtave të shqiptarëve në tribunën ndërkombëtare.

Lindi në Gjakovë më 24 prill 1906, në një familje me origjinë nga Margegajt. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje dhe në Shkodër. Nën influencën e Bajram Currit, arriti të fitojë një bursë studimesh në Austri, ku krahas gjimnazit përfundoi edhe edukimin akademik.

Pas kthimit në Shqipëri, ka marrë në ngarkim angazhime lidhur me zhvillimin e arsimit në vend. Duke filluar nga viti 1935, punoi si mësues i historisë dhe i gjeografisë, u emërua në krye të Drejtorisë së Arsimit në ministrinë përkatëse, ndërsa më pas iu besua posti i “Komisarit të Naltë të Shkollave Shqipe në Tokat e Lirueme”.

Në shtator të 1943-shit, u caktua si nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në kabinetin e pastajmë të Rexhep Mitrovicës, mori postin e ministrit të Arsimit. Nga fundi i vitit 1944, largohet në mërgim, periudhë që mbahet mend për riorganizimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që do ta udhëhiqte gjer më 1992-shin.

Në vitin 1994 u dekorua me titullin “Naim Frashëri” të klasit të parë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, me ç’rast Presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.

Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.

Njëkohësisht, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve. Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

Që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve./KultPlus.com

Aktivitet kushtuar folkloristit të shquar Sotir Kolea

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, organizuan promovimin e librit “Një tufë proverbash” (botim anastatik) të folkloristit, leksikografit dhe publicistit Sotir Kolea. Gjatë takimit u shfaq edhe premiera e dokumentarit kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Aktiviteti, i cili u zhvillua në kuadër të 80-vjetorit të botimit të parë të kësaj vepre dhe në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” të BKSH-së, solli në vëmendje kontributin e çmuar të Koleas në studimet folkloristike dhe trashëgiminë kulturore jomateriale.

Në panel ishte i pranishëm Niko Kotherja, drejtor i Qendrës Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, Majlinda Toçi, zv/drejtore e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë dhe Nini Haxhistasa, studiuese dhe njëkohësisht, stërmbesa e vizionarit Sotir Kolea.

Ky event bëri bashkë studiues, akademikë dhe dashamirës të gjuhësisë, folklorit e historisë, duke kujtuar një figurë të rrallë të historisë sonë, Sotir Kolean.

Në përmbyllje të kësaj veprimtarie, Zana Shuteriqi, e bija e prof. Dhimitër Shuteriqit, ndau me të ftuarit disa kujtime mbresëlënëse./atsh/KultPlus.com

Shpallen 10 autorët gjysmëfinalistë të Çmimit Kadare 2025

Dorëshkrimet e dhjetë autorëve kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes nga juria e Çmimit Letrar Kadare. Emra të njohur të botës letrare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë, janë vlerësuar mes 40 dorëshkrimeve të arritura në adresën e emaili-t të çmimit. Pjesëmarrja e këtij viti theu rekord në gjithë historikun e këtij institucioni letrar që nxit dhe promovon të shkruarit shqip.

Juria e edicionit të njëmbëdhjetë, që për herë të parë përbëhet nga fituesit ndër vite të Çmimit Kadare, me kryetare Vera Bekteshi dhe anëtarë, Loer Kume e Dionis Prifti, ka marrë në dorë sinopset dhe 15 faqet e para të dorëshkrimeve gjatë gjithë kohës që kanë ardhur aplikimet, deri më 20 janar, kur ishte afati i fundit i dorëzimeve. Prurjet e larta kanë shtuar dhe vështirësuar punën e jurisë për të arritur te 10 gjysmëfinalistët, të cilët i nënshtrohen sërish syrit profesional e kritik të saj, tashmë me dorëshkrimet e plota, për të përzgjedhur pastaj pesëshen finaliste.

Vepra fituese për 2025-ën do të shpallet në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora.

Mes autorëve gjysmëfinalistë spikasin emra që tashmë kanë zënë vendin e tyre në letërsi, por dhe të rinj që kanë kaluar me sukses sprovat e para, duke dëshmuar përmes pjesëmarrjes vlerësimin dhe dëshirën për të pasur në karrierën e vet një çmim prestigjioz. Çmimi Kadare jepet për prozën shqipe dhe kriteri fillestar është që vepra të jetë dorëshkrim, e pabotuar më parë, duke kontribuar kështu me një botim me vlerë që i shtohet fondit të letërsisë shqipe.

Vlera totale e këtij çmimi vlerësohet 10 mijë euro ku krahas pjesës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.

10 autorët gjysmëfinalistë:

1. Armand Bora- Ata që mbijetuan (Drama)
2. Binak Kelmendi- Të huajt (Roman)
3. Eduart Ymeri- Dritan Terri (Roman)
4. Enird Malile- Planeti leshtor- (Tregime)
5. Flogerta Krypi- Në aeroport nuk shesin bibla (Roman)
6. Gazmend Krasniqi- Si shkruhet një roman dashurie (Roman)
7. Klidi Apostoli- Arratisja e varreve (Roman)
8. Mimoza Ahmeti- I vogli (Roman)
9. Vlora Konushevci- Martesat, valixhet dhe ngarkesat tjera” (Tregime)
10. Stefan Çapaliku- Saga e Sarajevës (Roman)

Çmimi Kadare, i themeluar në 2004-ën me bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, kremtoi në fund të dhjetorit dekadën e parë të jetës së tij. Pjesë e këtij kompeticioni janë bërë më shumë se 400 vepra në prozë me autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Fituesit ndër vite kanë qenë gjithashtu të gjithanshëm, përtej ndasive gjeografike, gjinore apo të viteve në krijimtari, të përbashkuar nga vlerat krijuese, duke dëshmuar se letërsia është “toka” e të gjithëve. 

I pari fitues i këtij çmimi u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, më 2025-n, duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji, Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”, autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”, Loer Kume me “Amigdala Mandala, Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”, shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”, poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri” dhe së fundi prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”./liberale/KultPlus.com

Media britanike: Transformimi i Tiranës, mbresëlënës

Dikur i quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, ky vend tani është shndërruar në një destinacion mahnitës mesdhetar – i mbushur me plazhe të bukura, histori të lashtë dhe kulturë të gjallë, shkruan Schannell Kanyora në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Shqipëria, kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të huaj – si një nga destinacionet më premtuese turistike në Evropë.

Dikur i quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, sot vendi ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Sot, Shqipëria ofron një ndërthurje mahnitëse e plazheve të pacenuara, maleve dramatike dhe një trashëgimie të pasur kulturore – duke e bërë atë destinacionin ideal për këdo që kërkon aventura në një vend ende të paprekur nga turizmi masiv.

Pavarësisht nëse jeni duke eksploruar qytetet e saj të lashta, duke pushuar në plazhet e saj të pacënuara ose duke ecur nëpër malet e saj madhështore, Shqipëria ofron gjithçka për çdo lloj turisti.

Historia magjepsëse, kultura e gjallë dhe peizazhet mahnitëse të vendit e bëjnë atë një perlë të fshehur në zemër të rajonit të Ballkanit të Evropës – që ia vlen të eksplorohet.

Transformimi i Shqipërisë i ka rrënjët në historinë e saj të trazuar.

Për pjesën më të madhe të shekullit XX, vendi ishte nën sundimin tiranik të Enver Hoxhës, një diktator komunist që udhëhoqi vendin nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985.

Regjimi i Hoxhës ishte një regjim i izolimit të rreptë, duke e shkëputur Shqipërinë nga bota e jashtme për gati 40 vjet.

Gjatë kësaj kohe, Shqipëria u bë një nga kombet më represive dhe të izoluara në Evropë, duke fituar pseudonimin ‘Koreja e Veriut e Evropës’.

Politikat totalitare të Hoxhës mbytën lirinë e fjalës, ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe ndëshkuan brutalisht disidencën.

Njerëzit jetonin me frikën e mbikëqyrjes dhe represionit të qeverisë, me informatorë dhe spiunë që përgjonin në çdo cep.

Për shqiptarët, ideja e një jete “normale” jashtë kufizimeve të diktaturës ishte një koncept i paimagjinueshëm.

Redaktorja e BBC-së për Evropën, Katya Adler, udhëtoi në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri. Tridhjetë vjet pas luftërave të pavarësisë jugosllave, ajo zbuloi një rajon të bukur që po përjeton një ndryshim të shpejtë.

Një banor vendas, Rrapo, foli me redaktoren e BBC-së për Evropë, Katya Adler, duke kujtuar përvojat e tij nën sundimin e Hoxhës.

“Të gjithë kishin frikë në atë kohë”, tha ajo në episodin e parë të dokumentarit  “Ballkans: Kufiri i harruar i Evropës”.

“Ekzistonte një ndjesi sikur të gjithë po spiunonin lagjen e tyre, mikun e tyre… çfarëdo që të bënin. Disa u ndoqën penalisht. Nuk mund të kritikoje politikën e shtetit. Nuk mund të largoheshe nga vendi. Nëse e kaloje kufirin, ndëshkoheshe”, tha Adler.

Izolimi i vendit nga komuniteti global mori fund në vitin 1991, pas vdekjes së Hoxhës dhe rënies së komunizmit në Evropën Lindore.

Efektet e kësaj periudhe të gjatë izolimi janë ende të dukshme sot, por përpjekjet e fundit të Shqipërisë për të përqafuar modernitetin kanë filluar të ndryshojnë narrativën.

Sot Shqipëria është një vend me bukuri të papritura.

Nga peizazhet e saj të thyera malore deri te bregdeti i saj i mahnitshëm mesdhetar, Shqipëria ofron një gamë të gjerë përvojash për turistët që kërkojnë diçka ndryshe.

Vizitorët mund të eksplorojnë qytetin antik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ose të shijojnë diellin në plazhet e pacenuara të Rivierës Shqiptare, shpesh të krahasuara nga ekspertët e udhëtimeve me brigjet e famshme të Italisë apo Greqisë.

Afërsia e Shqipërisë me ishujt e njohur grekë si Korfuzi e bën atë një alternativë të arritshme dhe të bukur për destinacionet tradicionale të Mesdheut.

Me qytetet e saj magjepsëse, pyjet e harlisur dhe plazhet idilike, Shqipëria ofron një bukuri natyrore që rivalizon pikat më të nxehta turistike në Evropë.

Riviera Shqiptare, me ujërat e saj bruz, shkëmbinjtë e thepisur dhe limanet me rërë, është krahasuar me disa nga plazhet më të mira në Mesdhe.

Fshati bregdetar i Dhërmiut, për shembull, po bëhet shpejt një pikë e nxehtë për adhuruesit e plazhit, ndërsa qyteti i Gjirokastrës i listuar në UNESCO ofron një vështrim në të kaluarën osmane të Shqipërisë me shtëpitë e saj të lashta prej guri dhe rrugët me kalldrëm.

Përveç mrekullive të saj natyrore, Shqipëria është shtëpia e një skene kulturore të gjallë që pasqyron historinë e saj të gjatë të ndikimeve të ndryshme.

Nga rrënojat e lashta greke dhe romake te arkitektura e epokës osmane, trashëgimia kulturore e vendit është sa e larmishme aq edhe magjepsëse.

Kuzhina shqiptare është një tjetër pikë kryesore, duke ofruar një përzierje të shijeve mesdhetare dhe ballkanike, me ushqime deti të freskëta, perime të kultivuara në vend dhe pjata tradicionale si byreku dhe tava e kosit.

Kryeqyteti i vendit, Tirana, ka përjetuar një ringjallje moderne, me ndërtesa të sapo rinovuara, kafene të gjalla dhe një skenë artistike plot gjallëri.

Transformimi i Tiranës nga një qytet i epokës komuniste në një metropol të zhvilluar ka qenë mbresëlënës – dhe tani ajo shërben si një qendër kulturore dhe ekonomike për vendin.

Vitet e fundit, Shqipëria është bërë një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar për turistët që kërkojnë një alternativë të përballueshme evropiane.

Turizmi tani përbën një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë së vendit, duke zënë rreth 80% të PBB-së.

Me koston e saj relativisht të ulët të jetesës, Shqipëria u ofron vizitorëve një mundësi për të shijuar pushimet mesdhetare pa shtrënguar buxhetin e tyre.

Për më tepër, industria e turizmit në Shqipëri po rritet me shpejtësi, me hotele, restorante dhe infrastrukturë të re që shfaqen përgjatë bregdetit.

Vendi është bërë një zgjedhje popullore për turistët e aventurës, duke ofruar aktivitete si ecje, çiklizëm malor dhe madje rafting – në ujërat e thella blu.

Si rezultat, Shqipëria po shndërrohet shpejt si një nga destinacionet më emocionuese të Evropës.

Shqipëria moderne qëndron në kontrast të plotë me të kaluarën e vendit. Ai që dikur ishte një komb i mbyllur, tani është një nga vendet më dinamike të udhëtimit në Evropë.

Vitet e gjata të izolimit nën regjimin e Hoxhës i kanë lënë vendin një ndjenje të re lirie dhe mundësie, me Shqipërinë që ka përqafuar vendin e saj si një destinacion unik dhe i bukur për turistët./atsh/KultPlus.com

Mos dashuro të gjysmë dashuruar

Poezi nga Khalil Gibran – (Do not love half lovers)
Përktheu: Guri K. Buza


Mos dashuro të gjysmë dashuruar
Mos zbavit gjysmë shokë
Mos shijo vepra të të gjysmë talentuarve
Mos jeto një gjysmë jete  
dhe mos vdiq një gjysmë vdekje
Nëse zgjedh heshtjen, atëherë ji i heshtur
Kur të flasësh, vazhdo deri sa ta përfundosh
Mos e hesht veten për të thënë diçka  
Dhe mos fol për të qenë i heshtur
Nëse e pranon, atëherë shprehe troç
Mos e mbulo
Nëse e refuzon, atëherë të jesh i qartë
se një refuzim i dyshimtë
nuk është veçse një pranim i dobët  
Mos prano një gjysmë zgjidhje
Mos beso në gjysmë të vërteta
Mos ëndërro një gjysmë ëndrre
Mos fantazo për gjysmë shpresa
Gjysmë gote nuk do të ta shuaj etjen
Gjysmë vakti nuk do të të ngop
Gjysmë rruge nuk do të të shpie gjëkundi
Gjysmë ideje do të të lërë pa rezultat
Gjysma jote tjetër nuk është ajo që e dashuron
Je ti në një kohë tjetër por në të njëjtën hapësirë
Je ti, kur ti nuk je
Gjysmë jete është një jetë që s’e ke jetuar
Një fjalë që nuk e ke thënë
Një buzëqeshje që e ke vonuar
Një dashuri që nuk e ke pasur
Një shoqëri që nuk e ke njohur
Të zgjatesh dhe të mos arrish
Të punosh dhe të mos punosh
Të marrësh pjesë vetëm që të mungosh
Çfarë të bën të huaj tek më të afërtit e tu
dhe ata të huaj tek ti
Gjysma është veçse një moment paaftësie
por ti je i aftë se ti nuk je një gjysmë qenie
Je një tërësi
që ekziston ta jetosh një jetë
jo një gjysmë jete. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq baletin ‘HOPE’ në Mitrovicë për nderë të 17-të vjetorit të Pavarësisë

Në kuadër të festimeve për 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton para publikut të Mitrovicës shfaqjen “HOPE”, një vepër artistike e fuqishme me koreografi nga Sead Vuniqi.

Ky balet modern trajton temat e shpresës dhe forcës njerëzore, duke përcjellë përmes gjuhës së trupit një rrëfim të thellë dhe reflektues.

Shfaqja jepet në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, më 18 shkurt, në ora 18:00. Hyrja është e lirë./ KultPlus.com

Bertolt Brecht: Të hezitosh është gjë e mirë, nëse pastaj e bën gjënë e duhur

Bertolt (Eugen Berthold Friedrich) Brecht-i është ndër më të njohurit dramaturgë dhe poetë gjermanë të shekullit XX. Ai lindi në Augsburg, qytet në juglindje të Bavarisë.

Nga fundi i Luftës së Parë Botërore regjistrohet në Universitetin e Munihut për Mjekësi dhe Shkenca Natyrore, por duke qenë më shumë i interesuar në çështjet letrare, ai nuk e merr seriozisht studimin e këtyre disiplinave. Poezitë e para nis t’i publikojë në gazetën vendase të Augsburgut kur ishte shumë i ri. Më pas do të angazhohet me shkrime (kritike) mbi teatrin. Siç e rrëfen vetë, ai kishte shkruar katër drama dhe një opera kur nisi të lexojë për herë të parë analiza politike dhe shkrime të Marksit.

Njohja me teorinë marksiste do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm te Brecht-i, çka do të reflektohet në të gjithë krijimtarinë poetike, letrare dhe intelektuale: në fakt prej këtu e gjithë vepra e Brecht-it mund te themi se do të jetë e drejtuar vetëm në shërbim të përparimit dhe emancipimit politik të klasës punëtore. Walter Benjamin-i thotë se ai ishte i pari që u drejtoi intelektualëve kërkesën për të mos e furnizuar aparatin e prodhimit pa e ndryshuar atë në drejtim të socializmit.[1] Intelektualët e interesuar në çlirimin e punëtorisë, ose inteligjenca progresive/revolucionare siç e quan Brecht-i, nuk duhet t’i shërbejnë aparatit prodhues të kohës, por duhet që brenda mundësive ta ndryshojnë në interes të klasës punëtore.

Edhe pse nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, Brecht-i gjithsesi dakordësohej me të gjitha qëllimet revolucionare të saj. I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, një natë përpara ardhjes në pushtet të nazistëve, Brecht-i largohet nga Gjermania, një arrati që do të përfundojë vetëm me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pasi marrin pushtetin, nazistët urdhërojnë djegien e të gjitha veprave të tij. Atij i hiqet edhe shtetësia gjermane me akuzën për “tradhti të lartë”. Gjatë kësaj kohe, ai shkruan pjesët më të rëndësishme mbi teatrin, si dhe poezi e novela. Pas mbarimit të luftës kthehet dhe vendoset në Berlinin Lindor ku angazhohet ne veçanti me teatrin epik. / KultPlus.com

Flaka Goranci & Shkëlzen Baftiari pjesë e koncertit të Filharmonisë me rastin 17-të vjetorit të Pavarësisë

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se do të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, i cili organizohet në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.

“Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Gjithashtu, në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.

Numri i ulëseve është i kufizuar, prandaj institucioni i Filharmonisë ka bërë ftesë që të rezervohen vendet.

Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com

Në mbrojtje të poetëve

Poezi nga Niels Hav

Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.

Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.

Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!

Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta

Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta

Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.

Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.

Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.

Përktheu: Kujtim Morina / KultPlus.com

Nisin punimet për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Mamushë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se kanë nisur punimet për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Mamushë, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku ka thënë se projekti ka vlerë 1.7 milion euro, dhe se pas realizimit kjo qendër do të ofroj mundësi të reja dhe kushte të dinjitetshme për artistët dhe publikun artdashës.

“Projekti me vlerë prej 1.7 milion euro, është një tjetër hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës kulturore në vend”, ka thënë Ministri Çeku në “Facebook”./ KultPlus.com

Miratohen detyrat dhe organizimi i Komitetit për të Dhënat Statistikore në Turizëm, organ koordinues i MTM-së

Këshilli i Ministrave vendosi sot që Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm të jetë organi koordinues pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Në vendim lexohet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi që Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm, është organi koordinues pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i cili mundëson bashkëpunimin ndërinstitucional për koordinimin dhe integrimin efektiv të të dhënave statistikore, të lidhura me turizmin në nivel qendror dhe vendor.

Sipas këtij vendimi, Komiteti kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe ka në përbërje përfaqësues në nivel të lartë drejtues nga institucionet si: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministria e Brendshme; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Banka e Shqipërisë; Instituti i Statistikave; Bashkitë Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan; Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit; Agjencia Kombëtare e Turizmit; Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore; Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Komiteti kryen një seri detyrash nga bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse, pjesë e komitetit, të cilat merren me procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në fushën e turizmit në Republikën e Shqipërisë, me INSTAT, Bankën e Shqipërisë për prodhimin dhe përmirësimin e statistikave të turizmit, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, duke respektuar parimin e pavarësisë profesionale etj.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm./atsh/KultPlus.com

‘Koncert Festiv’ me rastin e 17-të vjetorit të Pavarësisë në Tiranë, interpretojnë Adelina Paloja, Merita Rexha dhe Ansambli Oketi Plus

Me rastin e 17- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë do të mbahet “Koncert Festiv” me sopranon Adelina Paloja dhe Ansamblin Okteti Plus, nën përcjelljen e pianistes Merita Rexha Tershana.

Sopranoja Paloja interpretimin në “Koncertin Festiv” të 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar si moment krenarie, në të cilin do të shpalosen kryevepra e repertorit kombëtar dhe botëror.

“Do të ndaj skenën me Merita Rexha Tershana pianiste e shkëlqyer dhe Profesoreshë e Universitetit të Arteve në Tiranë, një moment krenarie e me ngjyra muzikore nga repertoari botëror dhe kombëtar i pasuruar dhe me Ansambli Vokal Okteti Plus të mrekullueshëm të cilët shquhen për harmoninë kolegiale sikur edhe në interpretim.

Ky koncert po mbështetet dhe organizohet me dashuri dhe përkushim nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, në krye me Ambasadorin z. Skënder Durmishi, që gjithmonë kanë qenë një mbështetje plot dinjitet për kulturën dhe artin tonë”, ka shkruar sopranoja Paloja në rrjetin social “Facebook”.

“Koncerti Festiv” do të mbahet më 14 shkurt, në ora 19:00, në Sallën e Universitetit të Arteve-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (Tiranë)./ KultPlus.com

Bëhu gati për një verë epike! UNUM Festival zbulon fazën e parë tëlineup-in e për vitin 2025!

UNUM Festival kthehet më 5 deri më 10 qershor 2025, për 5 ditë e 5 netë me muzikë të pandalshme në plazhin e Ranës së Hedhun, Shqipëri.

Për pesë ditë, UNUM do të jetë zemra e muzikës underground, duke na ofru një përvojë të papërsëritshme si çdo vit tjetër. Mes malit e detit e nën hijen e pishave me DJ më t’medhenjë botëror.

Emra shumë të njohur dhe talente të reja që do të i ndezin 3 skenat këtë vit përfshijnë:

ARAPU, CARLITA, DAMIAN LAZARUS, DAN GHENACIA, DIXON, FRANCO CINELLI,

JOSH BAKER • MAHER DANIEL • NANDU • PRASLEA • PRIKU • QUEST,

RARESH VS RICARDO VILLALOBOS, RHADOO, SETH TROXLER, SONJA MOONEAR

Përveç artistëve të njohur, edicioni i 2025-ës do të sjellë emra të rinj që do të bëhen pjesë e

kësaj përvoje magjike.

Çfarë e bën UNUM të veçantë?

Asnjë festival në Evropë nuk përfaqëson thelbin e vërtetë underground si UNUM. Një parajsë për adhuruesit e house, techno dhe minimal, me 24 orë muzikë pa ndalesë mes detit, rërës së artë dhe maleve magjike të Shqipërisë.

Beach Stage – Ritme hipnotike nga lindja në perëndim.

Main Stage – Energji e papërmbajtshme nga perëndimi deri në agim.

Pine Stage – Legjendare, 24/7 mes pishave, e me super talentë që tash e shumë vite e kan bo PineStage shtëpinë e tyne.

UNUM nuk është thjesht një festival, por një udhëtim ku natyra, muzika dhe komuniteti krijojnë një realitet krejt tjetër.

Dhe kjo është vetëm fillimi! Emra të tjerë të mëdhenj do të zbulohen së shpejti, ndaj bohuni gati t’bëhuni pjesë e festivalit më të madh të kësaj vere në Evropë.

Një përvojë, një udhëtim që nuk do ta harrosh kurrë.

Biletat “Early Bird” tani në unumfestival.com.

Shihemi në diell, rërë dhe muzikë!/ KultPlus.com

Restaurohet Muzeu i Muzikës në Gjakovë, i gatshëm për tu funksionalizuar

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se Muzeu i Muzikës në Gjakovë tashmë është i gatshëm për tu funksionalizuar, shkruan KultPlus.

“Muzeu i Muzikës në Gjakovë, tashmë i restauruar dhe i gatshëm për tu funksionalizuar dhe prezantuar historinë e pasur muzikore të vendit për brezat e ardhshëm.

Punë, përditë. Për trashëgiminë tonë kulturore”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku në rrjetin social “Facebook”.

Muzeu i Muzikës në Gjakovë apo Objekti i Tabakhanes siç njihet nga banorët vendas ishte përfshirë nga zjarri në gusht të vitit 2023, dhe dyert e këtij institucioni kanë qenë të mbyllura që nga ajo kohë./ KultPlus.com

Rrugë dimërore

Poezi nga Aleksander Pushkin

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.
Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.
Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.
S’shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.
Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.
Dhe akrepi i sahatit
do vij’ rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s’do na ndajë përsëri.
Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç’më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.
Për mua gazi është i huaj…
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.

Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?
Ç’është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?
Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni./ KultPlus.com

Më 14 shkurt nis festivali ndërkombëtar i poezisë ‘Republika, paralajmërohen shumë aktivitete kulturore

Ky vit shënon edicionin e 7-të të festivalit ndërkombëtar të poezisë ‘Republika’, me pjesëmarrjen e 17 poetëve me origjinë nga Ballkani dhe vende të ndryshme të globit, shkruan KultPlus.

Organizimi dhe koncepti i veçantë e kanë shëndrruar festivalin ‘Republika’ në një festival me rëndësi jo vetëm për vendin por edhe për rajonin e më gjerë. Në një atmosferë intime, përgjatë 3 ditëve do të ketë:

Premierë të dokumantrit: KUFIRI I KUQ – t’huej mes t’vetve, me skenar të Admirina Peçit dhe regji të Rrezart Shehut.

Promovimi i librit NATA E QEJVE të shkrimtarit, PrimoShllaku, me panelistë, stuediuesen, Esma Dodaj dhe stuediuesin e shkrimtarin Adil Olluri, nën moderimin e shkrimtarit, AzemDeliu.

Panel diskutimi mbi përkthimet dhe letërsinë me panelistë, Elmaz Fida, Ana Kove, Vlora Konushevci, Arjan Kallço dhe Gazmend Bërlajolli, nën moderimin e shkrimtarit, Azem Deliu.

Ekspozita HOMAZH me 17 portrete të figurave shqiptare që kanë dhanë kontribut në fushën e kulturës, nga artisti i fotografisë, Fahredin Spahija.

Performancë muzikore nga solistja Ardiana Bytyqi nën përcjelljen e Urim Maliqit.

Interpretim i poezive nga aktori, Xhevdet Doda

Shoqnimi i poezive me kitarë nga instrumentisti, Urim Maliqi

Vizitë Ulpianës – qytetit ilir të jetës pararomake

Në këtë edicion të festivalit të poezisë ‘Republika’ marrin pjesë shkrimtarët dhe artistët: Rafael Newman, Christos Armandos Gezos, Dalila Hiaoui, Ilire Zajmi, Enkeleda Ristani, Vlora Konushevci, Aziz Mustafa, Emin Emini, Xhevat Latifi, Bruna Gjoni Pervathi, Ndue Ukaj, Marsela Neni Haxhimusai, Gabriela Mujaj, Adriana Shala Prishtina, Ardita Jatru dhe Shqiptar Oseku.

Në një njoftim për media thuhet se festivali ka natyrë jokonkurruese, ku nxitet fryma e miqësisë dhe kremtimi i ekselencës letrare. Ky edicion i festivalit do të moderohet nga Arlinda Rexhaj dhe do të mbahet më 14, 15 dhe 16 shkurt, në Kino Armata. / KultPlus.com