14 Dhjetor, 2020 - 4:52 pm
Arbnora Luta
Bukuritë e veçanta të natyrës së Kosovës paraqiten aq mjeshtërisht në pikturat e Bajram e Farija Mehmetit.
Vëlla e motër nga fshati Lepinë i Lipjanit, ka rreth dy dekada që i përkushtohen me pasion artit të pikturimit.
“Dashuria për të pikturuar nuk më është zbehur që nga koha kur kam qenë në shkollë kur edhe nisa të pikturoj”, shprehet Bajram Mehmeti tek nis rrëfimin e tij plot ngazëllim rreth pikturës.
Mehmeti bashkë me motrën, Farijen, në pikturat e tyre mundohen të paraqesin jetën reale të komunitet rom në Kosovë por edhe bukuritë që ka Kosova.
“Që nga viti 2000 kam nisur të merrem më seriozisht me pikturë. Unë pikturoj peizazhin e bukur të Kosovës. Më pëlqen ta pasqyrojë natyrën e bukur të saj në pikturë, por edhe ndjenjat e mia për jetën e botën ashtu siç e shoh rreth meje. Gjithashtu më pëlqen të pikturoj jetën rome, zakonet e kulturën tonë”, thotë Bajram Mehmeti.
Ai flet për jetën e vështirë që e kishin në fëmijëri. Një familje tetë anëtarësh, tregon ai po rritej në varfëri, por kjo sipas Bajramit i bëri më të denjë dhe më të ndershëm atë dhe motrën e tij.
“Për shkak të varfërisë nuk arritëm të studionim në Fakultetin e Arteve, nuk kishim kushte, ndonëse prindërit bënin herë pas here punë private. Por ne nuk e ndalëm punën. Pasioni ynë për pikturën vetëm sa u rrit. Filluam në letër e me punë arritëm ti zotërojmë të gjitha teknikat e pikturës”, thotë Bajrami.
Për Bajramin dhe Farija Mehmetin është shumë e rëndësishme se si atë ndihen gjatë pikturimit. Nëse përkushtohesh thonë se suksesi është i madh.
“Varfërinë e përjetojnë shumë gramë rome. Mundohem që fytyrat e tyre dhe kujdesin e tyre për familje ta portretizojë në pikturat e mija”, ka thënë Farija.
Ndërkohë për vëllaun e Farijes, Bajramin çdo pikturë është një vepër suksesi artistike e çdo imazh ka historinë dhe kuptimin ndryshe.
“Kam pasur shumë ekspozita në Kosovë dhe jashtë saj. Ndërsa në vitin 2016 më duhet ta theksoj se z.Hashim Taçi ia paraqiti pikturën time kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut. Por një nga sukseset më të mëdha është se e kam mbështetjen e plotë të familjes. Megjithatë theksoj se suksesi më i madh është që njerëzit të vlerësojnë dhe të duan për atë që bën”, shprehet Bajrami.
E Farija tregon se ka ëndërruar që fëmijëria e saj që të paraqes në piktura veshjet e grave rome. “ Unë gjej shumë frymëzim në kostumet rome”, ka thënë ajo.
Bajrami e Farija, vëlla e motër të lindur e të rritur në Kosovë, thonë se piktura mund të thyejë kufijtë e të gjitha paragjykimeve nëse ne shoqërohemi me njëri- tjetrin përmes saj.
Kur bëhet fjalët për romët, Barjami mendon se ka shumë diskriminim ndaj tyre.
“Shumë romë jetojnë në kushte të vështira shoqërore, shumë janë të papunë. Familjet në nevojë sociale duhet të ndihmohen. Të gjithë kemi të drejtat tona të barabarta për të jetuar së bashku në harmoni dhe paqe, pa marrë parasysh çfarë feje dhe kombi jemi”, është mesazhi i Bajram Mehmetit, veprat artistike të së cilit janë dritë e shpresë për komunitetin e tij.
Bajrami e Farije Mehmeti përmes punës së tyre arritën të mposhtin paragjykimet, duke dëshmuar se jeta është e barabartë për të gjithë, dhe se me punë e angazhim edhe romët në Kosovë mund të bëjnë ndryshimin për një të ardhme më të mirë dhe të barabartë për të gjithë banorët e shtetit më të ri të Evropës.
Ata thonë se shteti kosovar duhet t’i vlerësoj më shumë njerëzit e talentuar dhe t’i ndihmojë ata në zhvillimin e tyre. “Kosova ka plot vlera e plot artistë të vlefshëm”, ka theksuar Mehmeti.
Bajramit pos pikturës i pëlqen të merret edhe me bujqësi por pasion ka që t’ua përcjell artin brezave të rinj.
Pandemia u ka ndërprerë organizimin e disa ekspozitave në gjysmë dhe Fahria e Bajrami po luten që situata të ndryshojë e që arti dhe pikturat më të reja të mund t’i ekspozohen publikut. Përderisa kujtojnë se në në vitin 2012, ata kishin ekspozuar pikturat e tyre në Galerinë e Arteve në Prishtinë.
“Midis pikturave ishin punimet e Farijes, portretet e grave rome. Dhe që atëherë është përfolur në Kosovë për ne”, kujton Mehmeti, i cili bashkë me motrën e tij, natyrisht punojnë edhe për ekspozitat e radhës, në mënyrë që të paraqesin artin e tyre, por në të njëjtën kohë të shprehin lumturinë, sfidat dhe guximin e këtij komuniteti. (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)KultPlus.com