Burhan Gashi: Vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian çdo ditë e më shumë duan ta vazhdojnë shkollimin

18 Nëntor, 2020 - 5:31 pm

Arbër Selmani
Fotografitë: Nok Selmani

Të pëlqen t’i kalosh disa çaste me një 24 vjeçar i cili e sheh botën me një sy tjetër, gjen qasje të shëndetshme edhe aty ku të tjerët shohin zi e terr dhe i cili ka mendime shumë progresive paçka se në disa raste është paragjykuar nga njerëz që janë të ngushtuar në pamjen e tyre dhe reflektimin që i bëjnë vetes dhe rrethit.

Burhan Gashi është një rast i tillë. Burhani, i cili i përket komunitetin egjiptian dhe i cili jeton në Lagjen Meshari në Fushë Kosovë, krahas dhe bashkë me 7 mijë anëtarë të tjerë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, është një aktivist për të drejtat e njeriut dhe një djalë i mbarë me një botëkuptim të mahnitshëm. Në pak minuta sa qëndron me Burhanin e sheh se ai preferon të mos viktimizohet, por e kthen në fuqi dhe në veprim tërë energjinë e tij e cila kanalizohet aty ku duhet, në ndihmën për grupe të ndryshme të shoqërisë.

‘Unë nuk e konsideroj veten vetëm pjesëtar të komunitetit egjiptian, por jam pjesë e të trija komuniteteve. Vij prej një komuniteti ku nevoja për me u gjallëru në qytetari aktive dhe feminizëm është e madhe. Kjo mua më karakterizon si aktivist, jo vetëm mua por edhe një numër të madh të aktivistëve që punojmë së bashku për me e ndryshu qasjen dhe prezantimin e të trija komuniteteve karshi dhe brenda shoqërisë në Kosovë’ më tregon Burhani.

Para disa javësh, pikërisht me Burhanin shëtitëm nëpër dy lagjet e mëdha të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Fushë Kosovë, dhe që nga ajo kohë më lindi ideja që ta intervistoj edhe Burhanin. Një 24 vjeçar si Burhani ende ka shumë punë për të bërë dhe shumë arritje për t’i radhitur, por edhe rrugëtimi deri këtu duket se ka qenë i bukur dhe premtues.

*

Shumicën e kohës, Burhani e kalon pranë organizatës Roma Versitas Kosovo, ku është kordinator i programit të bursave TERKOS. Ka kohë që Burhani e ka kuptuar se të trija komunitetet kanë nevojë për sa më shumë mbështetje dhe përkrahje dhe ai është një nga ata avokues që provojnë ta përmirësojnë jetën e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

‘Jam kordinator në programin e bursave, programin për zhvillim akademik, kjo si nevojë për me e lehtësu gjendjen e studentëve të të trija komuniteteve edhe në tregun e punës, pasi t’i përfundojnë studimet. Për me qenë përfitues të kësaj burse, është e nevojshme që personat të jenë të regjistruar si studentë dhe të jenë pjesë e njërit prej tri komuniteteve. Kuptohet më pas ka kritere përgjedhëse sikur nota mesatare, por rëndësi e veçantë i kushtohet edhe çështjes gjinore. TERKOS është një program i financuar nga BE dhe nga Roma Education Fund dhe si komponentë të veçantë e ka edhe ngritjen gjinore, pra fuqizimin që gratë dhe femrat e komuniteteve të mos e lënë shkollimin por ta vazhdojnë atë”

Bursa nënkupton edhe një shumë monetare të përmuajshme por edhe përfitime të tjera: trajnime të nevojshme por edhe tutorim për studentët të cilët kanë problem ta përvetësojnë një lëndë të caktuar mësimore. Bursa angazhohet kësisoj që studentit apo studentës t’i ndihmojë në lëndën ku çalohet dhe ku ka nevojë për përmirësim akademik.

Pos kohës profesionale, Burhani më tregon se e ndjen që mision i jetës së tij është aktivizmi, prandaj ai nuk mbaron si orar i punës, por si një pasion dhe një fisnikëri që pak a shumë zgjatë tërë ditën.

“Edhe jashtë organizatës, sa jam në shtëpi, një numër i madh i anëtarëve të komuniteteve vijnë te unë dhe kanë kërkesa të ndryshme; ndoshta ndonjë ndihmë rreth aplikacioneve, ndihmë se qysh me i adresu problemet e tyre tek institucionet, disa të tjerë edhe i raportojnë shkeljet e të drejtave të tyre. Mua aktivizmi më ndjekë edhe jashtë orarit të punës, dhe mendoj se ky është misioni jetësor i të gjithë atyre që e duan aktivizmin dhe e bëjnë atë” tregon Burhani.

Në këto dy lagje në Fushë Kosovë, jo shumë larg asaj që mund të quhet qendër e Fushë Kosovës, janë rreth 600 shtëpi të komuniteteve dhe rreth 15 shtëpi me shqiptarë.

*

Flasim për racizmin. Jo i vetmi definicion, kuptohet, por pak a shumë racizmi konsiderohet si urrejtje, paragjykim, diskriminim dhe antagonizëm ndaj një grupi njerëzish vetëm për faktin se ata i takojnë një grupi etnik dhe racial të ndryshëm. E dhimbshme të flasim rreth racizmit me një 24 vjeçar.

‘Racizmi është ndjenjë e urrejtjes dhe një injorancë. Ne jemi racist ndaj popujve dhe gjërave që nuk i kuptojmë, prandaj duhet me fitu dije që me qenë mendjehapur e me pranu koncepte. Unë personalisht nuk kam hasur në racizëm direkt ndaj meje. Po e përmendi vetëm faktin se në shkollën fillore dhe atë të mesme kam qenë nxënës i shkëlqyer. E kam përfunduar shkollën ‘Selman Riza’ në Fushë Kosovë dhe më pas Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Ali Sokoli’ si teknik dentar. Ka qenë shpesh e pa pranueshme për mësimdhënësit e shumicës shqiptare që me e kuptu faktin se si ka mundësi që një egjiptian me qenë nxënës kaq i mirë, por edhe kaq i sjellshëm dhe i edukuar. Ky mentalitet nuk ka vazhduar edhe në fakultet, sepse aty kam taku njerëz me pjekuri dhe botëkuptim që i afrohet botëkuptimit tim. Unë gjithmonë kam vepru i qetë, i përgjegjshëm, e kam pa veten si qenie njerëzore dhe jo vetëm si pjesë e komunitetit egjiptian. Qysh prej një moshe të vogël, edhe si pasojë e edukatës familjare, e kam kuptu që është shumë primitive ti diskriminosh njerëzit për shkak të dallimeve etnike, fetare, racore e gjinore” vazhdon e më rrëfen Burhani.

‘Me thonë që në Kosovë nuk ka racizëm, është paradoksale. Ka racizëm në Kosovë, është prezent. Më duhet me e theksu që jo veç shumica shqiptare i paragjykon romët, ashkalinjtë, egjiptasit. Edhe paragjykimi i komuniteteve ndaj shumicës shqiptare është real. Si student i historisë, më vonë në Fakultet, duke e pa se në çka ka kalu populli shqiptar, duke i pa vuajtjet me vite të tëra, luftën për shtetformim, luftën që kanë bërë popujt uzurpatorë, kjo ma ka kriju përgjatë vitit akademik një ndjenjë empatie ndaj shqiptarëve”

“Stigma dhe stereotipet e të dyja anëve duhet me ndryshu. Jemi shtetas, jemi në një vend, jetojmë në Kosovë, nuk ka nevojë për urrejtje të tillë, pa bazë dhe të palogjishme. Racizmi, e them prapë, është reciprok. Nuk mundemi me folë për racizmin nëse bëhen konferenca e trajnime me vetëm të rinj të komuniteteve, dhe kjo është formula e cila është ndjekë tash e 20 vjet. Duhet me pasë kontakt real dhe të prekshëm mes të rinjve nga shumica shqiptare dhe të rinjve të të trija komuniteteve” tregon Burhan Gashi.

Me Burhanin ka shumë çka të flitet, por esenca është ta eksplorojmë pak racizmin në Kosovë dhe sidomos perspektivën e tij si një djalë i ri, i cili shpesh ndoshta nuk e sheh të lehtë jetën në Kosovë por prapë nuk rri i shtangur por punon që ta përmirësojë jetën e tij dhe jetët e të tjerëve.

‘Asnjë komunitet nuk dëshiron të jetëojë në kushte të vështira. Në Kosovë, neglizhenca institucionale karshi tri komuniteteve është shekullore. Gjatë pandemisë, shteti vinte me proklamime për ti larë duart, ndërsa shumë anëtarë të komuniteteve janë ankuar se kanë probleme me ujësjellësin. Ekziston një stigmë dhe paragjykim i cili është rezultat i neglizhencës edhe prej regjimeve të kaluara, qeverisë jugosllave dhe të tjerave para e pas saj, ndaj këtyre tri komuniteteve. Gjendja aktuale e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk është e tillë sepse këto komunitete kanë dëshirë kështu, por sepse nuk janë marrë seriozisht” tregon Burhani.

Në një tekst të mëhershëm gazetaresk, kam shkruar pikërisht për pjesën ku jeton edhe Burhani. Aty mungon një qendër rinore, dhe njëjtë mungon edhe një qendër e mjekësisë familjare.

“Edhe familja ime normal që afektohet nga këto mangësi. Nuk ka një qendër mjekësore familjare të afërt, dhe kjo na e vështirëson jetën në rast të sëmundjeve. Unë jam më i madhi prej fëmijëve, kam motra dhe vëllezër më të vegjël, dhe të gjithëve na mungon edhe një sallë sportive, e kjo nënkupton që rinia në këtë pjesë nuk e bën një jetë normale sikurse të rinjtë tjerë në Kosovë. Kjo shpesh edhe bën që të mungojë edhe komunikimi mes të rinjve të komuniteteve” tregon Burhani.

*

Burhani vazhdon tani studimet bachelor në fushën e historisë.

‘Jam gati në fund të studimeve bachelor në histori. Dikur kam qenë i interesuar për mjekësi, por me kalimin e kohës u lidha shumë me aktivizmin qytetar, dhe në këtë rast, duke u lidhur me një shkencë shoqërore po i afrohem më shumë asaj çka dua të bëj në të ardhmen. Po të vazhdoja me mjekësi, do të isha një mjek i mirë apo një stomatolog i mirë, por ndikimi im në komunitet do të ishte më i vogël. Më e shumta, do të isha një model i mirë. Në studimet master dua të vazhdoj për të drejta njerëzore apo për marrëdhënie ndërkombëtare, sepse mendoj se këto janë drejtime me të cilat përshtatem dhe të cilat munden me më nxjerrë edhe nga stigma. Mënyra më e mirë me dalë jashtë stigmës, është me e ndi veten më shumë sesa veç si komunitet”

Në fund, me Burhanin flasim edhe për përparimin që po ndodhë në dy aspekte: gratë dhe vajzat rome, ashkalike dhe egjiptiane gjithmonë e më shumë po duan të vazhdojnë shkollimin, sepse duan një të ardhme më të ndritur për veten dhe për të tjerët. Elementi tjetër i bukur është edhe fakti se çdoherë e më shumë, të rinjtë e komuniteteve po kanë mundësi të shoqërohen me të rinjtë shqiptarë.

“Nëse gjendja vazhdon me këtë ritëm, do të bëhet mirë në relacionet mes të rinjve të komuniteteve dhe të rinjve shqiptarë, sepse po krijohet një mentalitet i përbashkët. Nëse të rinjtë e komuniteteve mund të vazhdojnë studimet, të zhvillohen akademikisht e profesionalisht, të bëhen pjesë e tregut të punës, kësisoj bëhet afrimi më i madh dhe kjo e lehtëson jetën për secilin. Kemi sidomos një rritje të numrit të femrave të reja të cilat dëshirojnë të vazhdojnë studimin, nga të trija komunitetet, dhe kjo për mu është shumë e rëndësishme. Edukimi i femrave është i rëndësishëm sepse nënat, motrat, gratë tona janë hallkë zingjirore e rëndësishme brenda familjeve tona, dhe një nënë e zhvilluar do të jetë shumë më e mirë për fëmijët e saj” më tregon për fund Burhani.

E lëmë Burhanin në përditshmërinë e tij dhe në aktivizmin e tij, duke shpresuar që gjeneratat e reja do ta kuptojnë rëndësinë e bashkëjetesës me të gjitha komunitetet, në Kosovë.

Deri me 20 nëntor, në Kosovë po mbahet edhe Festivali Multikulturor, me edicionin e tij të dytë, ku edhe mund të informoheni më shumë për gjendjen e të trija komuniteteve, sukseset e anëtarëve të këtyre komuniteteve por edhe vështirësitë e jetës në Kosovë.

TEKSTI NË GJUHËN ROME.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

Të ngjajshme