9 Dhjetor, 2020 - 3:06 pm
Arjana Berisha
Jo rrallë herë muzika ka shërbyer për të përcjell mesazhe të forta dhe frymëzuese të cilat sjellin tek publiku emocione të ndryshme. Muzika është ajo që na ndihmon të ikim nga realiteti por është pikërisht muzika ajo që ndonjëherë e shfaq realitetin më mirë se gjithçka tjetër. Artistët shpesh herë përmes tekstit e melodisë kanë shtjelluar edhe probleme të ndryshme sociale. E tillë është edhe muzika që krijon grupi “Jimmy Mustafa Band”, shkruan KultPlus.
“Jimmy Mustafa Band” përmes tekstit dhe melodisë së muzikës rome shfaqin mënyrën e jetesës që ata bëjnë dhe problemet me të cilat përballen pothuajse çdo ditë. Ata thonë se përmes këngëve përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin e të tjerëve në lidhje me rëndësinë e respektimit të të drejtave të romëve dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.
“Ne përpiqemi që përmes teksteve tona të cilat janë kryesisht të një zhanri aktivist të përcjellim mesazhin tek të gjithë (përfshirë institucionet e Kosovës) se të gjithë jemi të barabartë dhe se duhet të trajtohemi njësoj si të tjerët” thotë Jimmy, kitaristi i grupit.
Grupi është formuar në vitin 2011 në Komunën e Obiliqit dhe përbëhet nga pesë anëtarë, dy kitaristë, një vokalist, kahonist dhe një klarinetist.
“Ne jemi nga Plemetina, një vend ku jetojnë të gjithë komunitetet, shqiptarët, serbët, romët, ashkalinjtë…” shprehet Jimmy.
“Jimmy Mustafa Band” kryesisht luajnë muzikë etno rome me prurje të vogla të muzikës bashkëkohore të përzier me hip-hop dhe R&B. Ata kanë krijuar dy albume me këngë origjinale. Albumi i parë ka dhjetë këngë dhe quhet “Posvetime”(Dedikuar) ndërsa albumi i dytë quhet “Romane Bajrakja”(Flamujt Rom) dhe ka njëmbëdhjetë këngë.
Ata thonë se janë shumë krenar që persona të moshave të ndryshme e gjejnë veten në këngët e tyre.
Të jetosh në një shtet ku ligjet dhe të drejtat e njeriut ndonjëherë respektohen në mënyrë selektive dhe të jesh pjesë e një shoqërie që shpesh herë di të jetë edhe paragjykuese, kjo për komunitetet pakicë nënkupton përballje me sfida të mëdha.
Disa nga problemet e komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të jenë paragjykimi, trajtimi jo i barabartë, mungesa e shkollimit dhe punësimit.
“Nëse filloj të flas për problemet, kam frikë se kjo intervistë do të zgjasë përgjithmonë, romët në Kosovë dhe besoj se në të gjithë Evropën dhe botën janë të diskriminuar me shekuj” thotë Jimmy Mustafa.
Shkollimi i fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Plemetine dhe të gjithë vendin vazhdon të mbetet një problem mjaftë i madh. Diskriminimi, largimi nga rrethi shoqëror, mënyra e jetesës, kushtet ekonomike dhe mospërkrahja e institucioneve shtetërore janë disa nga arsyet që fëmijët e këtyre komuniteteve nuk vijojnë mësimet. Grupi “Jimmy Mustafa Band” kontribuon vazhdimisht në shkollimin dhe socializmin e fëmijëve në vendbanimin e tyre.
Jimmy, kitaristi i grupit përveç muzikës që krijon bashkë me djemtë e tjerë është edhe mësues dhe bashkëthemelues i mini shkollës së muzikës në Plemetine dhe Prizren. Ai ju jep mësime muzike fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
“Gjatë gjithë jetës sime, kam mësuar se është shumë e rëndësishme të punoj me fëmijë. Fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në komunat e Obiliqit dhe Prizrenit nuk kanë shumë mundësi. Si rezultat i turneve tona në Zvicër dhe Gjermani, dhe me mbështetjen e miqve tanë nga Zvicra, ne ja dolëm të hapim një mini shkollë të quajtur “Music 4 All School of Music” në Plemetine dhe Prizren. Fëmijët nga Plemetina kanë mundësi të mësojnë të luajnë kitarë, kahon dhe të këndojnë, ndërsa fëmijët në Prizren mësojnë të luajnë klarinetë. Qëllimi i kësaj mini shkolle është që ne të besojmë në këtë program dhe ne besojmë se fëmijët e kësaj shkolle do të jenë “trashëgimtarët tanë” në dy vitet e ardhshme” shpjegon ai.
“Jimmy Mustafa Band” përveç performancave në qytetet e Kosovës, vitin e kaluar kanë zhvilluar një turne në Zvicër dhe Gjermani. Ata kanë performuar këngët e dy albumeve të tyre në disa qytete atje.
“Ne ishim në një turne në Zvicër dhe Gjermani, atje patëm një përvojë shumë të bukur. Ne jemi falënderues për mikpritjen e mrekullueshme “ thonë ata.
Megjithatë Jimmy thotë se publiku atje dallon nga publiku në Kosovë apo vende tjera të Ballkanit.
“Ata njerëz nuk janë ballkanas, pse po e them këtë, pa marrë parasysh se këto këngë janë energjike dhe vallëzuese njerëzit atje nuk do të ngriten për të vallëzuar, ndërsa me ne, në Ballkan është ndryshe, nëse këndojmë këtu ato këngë, të gjithë do të ngrihen për të vallëzuar. Njerëzit në Zvicër dhe Gjermani janë pak më serioz se ne, por patjetër që edhe atje patëm momente të caktuara ku të gjithë kërcyen dhe u çmendën me këngët tona” thonë ai.
Grupi vitin e ardhshëm do të zhvillojnë disa turne të tjerë për të cilët janë të bindur që do të jenë shumë më të mirë se turnet që kanë zhvilluar deri më tani.
Fotografi nga turneu në Gjermani , foto: Jimmy Mustafa Band “Facebook”
Albumi i tyre i fundit “Romane Bajrakja” (Flamujt Rom) përmes njëmbëdhjetë këngëve paraqet probleme të ndryshme sociale dhe secila nga to bartë një mesazh në vete.
Njëra ndër temat e albumit të dytë janë martesat e hershme. Martesat e hershme nënkuptojnë martesën e dy personave nën moshën 18 vjeç. Në Kosovë, martesat e hershme në këtë kohë janë relativisht të rralla, por ende vazhdojnë të jenë prezentë në disa pjesë të popullit, me raste edhe të komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Ky fenomen ndodh tek vajzat dhe te djemtë. Arsyet pse ndodhin martesat e hershme janë të shumta. “Jimmy Mustafa Band” përmes këngëve trajton këtë fenomen.
Diskriminimi, jeta dhe historia e romëve janë po ashtu tematika të albumit të dytë. Por sigurisht për shumicën e artistëve tema e dashurisë vazhdon të jetë frymëzim për krijimtarinë muzikore. E padyshim në këngët e grupi “Jimmy Mustafa Band” nuk mungojnë as fenomenet pozitive, ndjenjat dhe tema e dashurisë.
“Jimmy Mustafa Band” synojnë që zëri i tyre të jetë zë i gjithë komunitetit rom, që përmes tingujve të muzikës që ata krijojnë të arrijnë të përcjellin mesazhe për ndërgjegjësimin e publikut për të drejtat e tyre.
“Ne duam barazi, duam që këngët tona të përdoren si avokat, duam të rrisim ndërgjegjësimin e të tjerëve për të na respektuar më shumë” shtuan ata.
(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com