13 Dhjetor, 2020 - 10:09 pm
Erdona Krasniqi
“Në shoqërinë kosovare racizmi ekziston, por edhe nuk ekziston. Tek një pjesë e njerëzve ekziston, sepse nuk kanë shoqëri me komunitetet joshumicë. Të gjithë ata që kanë pasur paragjykime dhe kanë pasur mundësi të shoqërohen me një pjesëtar të komuniteteve joshumicë, i tërheqin ato paragjykime. Unë bëj thirrje që të respektohen komunitetet ashtu siç janë, pa dallime racë dhe gjuhë”, shprehet gazetari Mirsad Tahiri, i cili vjen nga komuniteti ashkali.
Mirsad Tahiri është me profesion gazetar dhe punon në Radio Kosova, si moderator në emisionin Zëri i Ashkalive, emision ky që ka startuar në vitin 2016. Tahiri po ashtu ka punuar në të kaluarën në TV Llapi, ku pritet të rikthehet përsëri me emisione të cilat do të ndihmojnë komunitetit ashkali.
Ai shprehet i lumtur që ka arritur të ushtrojë profesionin të cilin e ka dashur qysh nga fëmijëria.
“Çka kisha përmend më shumë tek fëmijëria ime është se kam qenë shumë i interesuar tek informacioni, ta marr informacionin dhe ta bartë tek qytetari. Duke falënderuar Zotin dhe familjen time kam arritur atë që kam dashur në jetë”, thotë Tahiri.
Ai ka shtuar se fëmijëria e tij nuk ka qenë e vështirë dhe nuk ka pasur sfida ashtu si të tjerët që janë nga komunitetet joshumicë. Shkollimi i tij ka qenë ashtu si i të gjithë fëmijëve të tjerë nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Tahiri falënderon të gjithë mësimdhënësit e tij që nga shkolla fillore, e deri në universitet që e kanë përkrahur shumë dhe asnjëherë nuk është ndjerë i diskriminuar.
“Ata që më mbështetën në karrierën time kanë qenë prindërit, dua të falënderoj po ashtu drejtorin e ish Radio Vizionit në Komunën e Podujevës, Fazli Veliu, të cilin sot e kam koleg. Ai ka ndihmuar komunitetin ashkalli për të nxjerr kuadro të reja në drejtimin e gazetarisë. Ai ka qenë shtyrësi kryesor në këtë aspekt, për të arritur suksesin në këtë nivel. Çka është interesante deri më tani nuk kemi parë shumë interesim edhe tek vet komuniteti ashkali për këtë drejtim, është një numër shumë i vogël. Shpresoj që në të ardhmen të ketë më shumë të interesuar në drejtimin e gazetarisë. Unë jam gjenerata e tretë në familje në këtë profesion”, shton Tahiri.
Sa i përket racizmit Mirsadi thotë se racizmi ekziston fillon prej Institucioneve të Kosovës. Është një 10% që duhet të respektohet nga këto institucione dhe aty ai sheh se nuk respektohet tek komuniteti ashkali.
“Nëse shohim statistikat e kuptoj se sa është numri i të punësuarve nga komuniteti ashkali në Kosovë. Ka shumë pak të punësuar në administratë qendrore dhe lokale dhe ky është racizmi. Në duhet të luftojmë racizmin nga brenda, jo nga jashtë. Racizmi duhet të luftohet së pari brenda institucioneve e pastaj jashtë tyre. Për shembull Zyrat për Kthim dhe Komunitete në nivelin lokal, brenda tyre nuk ka të punësuar nga këto komunitete. Unë bëj thirrje që të respektohen komunitetet ashtu siç janë, pa dallime racë dhe gjuhë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri shprehet se ai vet nuk mund të thotë se është ballafaquar me racizëm sepse Komuna e Podujevës dhe të rinjtë të Komunitetit Ashkali në këtë komunë janë model për komunat e tjera dhe se kjo Komunë është model për faktin se nuk ka diskriminim, nuk ka racizëm. Në këtë komunë ka bashkëpunim të ndërsjellët.
“Unë nuk jam ballafaquar me këtë dukuri, por e di që shumica e të rinjve të komuniteteve joshumicë ballafaqohen. Nxënësit e komunitetit ashkalli janë të ulur në bankat e para, duke falënderuar organizatat e ndryshme joqeveritare, nxënësit pajisen me bursa si mundësi për të ndjekur mësimet. Martesat e hershme po ashtu kemi arrit t’i ndalim dhe në Komunën e Podujevës, ka rënë numri i këtyre martesave. Po ashtu bëj thirrje që fëmijët e komuniteteve joshumicë të ndihmohen, veçanërisht në këtë kohë pandemie të pajisen me teknologji, si mundësi për të ndjekur mësimet. Çfarë mund të them se për përfaqësimin e komunitet ashkali në komunën e Podujevës duhet të punohet më shumë në unitet dhe të veprohet më shumë”, shton tutje Tahiri.
Mirsad Tahiri thotë se Kosova, krahasuar me vendet tjera të rajonit, iu ofron më së shumti mundësi komuniteteve joshumicë, por sa po shfrytëzohen mundësitë nga vetë komunitetet dhe përfaqësuesit e tyre. Sipas tij, Kosova është model edhe për vendet e tjera të rajonit.
Ai po ashtu ka kërkuar nga komunitet joshumicë që të bëjnë më shumë përpjekje për t’i shfrytëzuar të mirat që Kosova ofron. Ndaj Tahiri bën thirrje që këto të mira të shfrytëzohen sa më shumë.
Si përfundim gazetari Mirsad Tahiri ka një mesazh për të gjithë:
“Mesazhi im për të gjithë është që përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë të punojnë më shumë çështjen e arsimit, punësimit, integrimit të komunitetit ashkali, dhe problemet me të cilat ballafaqohet ky komunitet të eliminohen njëherë e përgjithmonë. Si dhe shoqëria civile të jetë bashkëpunuese me qytetarin në projekte të ndryshme”, ka përfunduar ai. (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)KultPlus.com