30 Qershor, 2020 - 6:46 pm
Xhemile Hysenaj
Fotografitë: Nok Selmani
”Në kohën kur unë dhe motra ime ishim në shkollë dhe nuk kishim arritur moshën e duhur për punë, shpesh ka qenë nëna ajo e cila është detyruar të shes fasule në treg, duke na e siguruar kështu pagesën për transportin publik deri në shkollë, pasi që kemi udhëtuar me kilometra edhe në shkollë fillore por edhe në të mesmen. Më vonë kam punuar edhe unë punë të ndryshme fizikë dhe kështu siguroja vetë të hollat për transport, pas një kohë nga të hollat që kurseva në ditëlindjen time bleva një biçikletë me të cilën udhëtoja deri në shkollë, ndërkaq të hollat e kursyera i shfrytëzoja për materiale shkollore’, kështu fillon historia frymëzuese e Orhan Butic, i cili tashmë dashurinë dhe përkushtimin e tij të madh për arsimim e ka kthyer në një veprimtari të cilën e zhvillon në VORAE kryesisht në departamentin e edukimit, duke u bërë kështu figura kyqe e komunitetet rom, ashkali e egjiptian, drejt edukimit dhe arsimimit si rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të mirë.
Në një intervistë për KultPlus, Orhani ka shpalosur më detajisht rreth sfidave dhe barrierave gjatë jetës së tij si në karrierë poashtu edhe në jetën private, ka treguar se sa e vështirë dhe me çfarë i duhet të përballet çdo ditë për të nxitur e ndihmuar komunitetet pakicë në Kosovë drejt shkollimit.
Shtysën më të madhe gjatë rrugëtimit të tij jetësor, Orhani tregon t’i ketë pasur prindërit. Të cilët sakrifikuan shumë për shkollimin e dy fëmijëve të tyre, duke i nxitur vazhdimisht drejt arsimimit.
‘Njeriu gjithmonë gjatë rrugëtimit të vet ka shumë plane dhe synime, dhe sigurisht se njeriu kurrë nuk është plotësisht i kënaqur me vetveten, mirëpo duke iu falënderuar familjes sime e kryesisht prindërve të mi, jam i kënaqur dhe ndjehem krenar me atë se çfarë kam arritur deri më sot, sigurisht duke mos u ndalur me kaq, sepse sigurisht se ka qenë një rrugëtim i vështirë’, tregon Orhani.
Gjatë bisedës sonë, Orhani asnjëherë nuk harron të përmend prindërit dhe mbështetjen e madhe që ka pasur nga ata gjatë gjithë jetës, duke përçuar edhe një mesazh tek masa se sa e rëndësishme është përkrahje familjare.
Viti 2005 ka qenë viti kur Orhani ka filluar karrierën e tij drejt integrimit të edukimit në komunitet. Ai tregon sesi ai dhe organizata kanë bërë një punë të pandalshme duke vizituar secilin vend në Kosovë të banueshëm nga komunitetet, ka takuar familje e organizata të ndryshme duke lobuar vazhdimisht për shkollim të fëmijëve. Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë, pasiqë ka shumë faktorë që ndikojnë që pjesëtaret e këtyre komuniteteve të braktisin shkollën. Ndër arsyet kryesore ka qenë edhe gjendja financiare e më pas trajtimi jo i barabartë në shkollë nga mësuesit e shpesh edhe nga nxënësit e tjerë. Mirëpo, Orhani tregon se këto barriera dita ditës po thyhen.
Organizata dhe Orhani që është në krye të departamentit të edukimit, e konsideron një obligim moral dhe ligjor që prindërit të nxisin fëmijët drejt shkollimit.
Edukimi, një nismë kjo që Orhani ka vendosur t’i dedikoj krejt jetën e tij profesionale, zhvillohet si një ”luftë e ftohtë’ në mes dy komunitetesh, protagonist i së cilës është vet ai. Nga njëra anë i duhet vazhdimisht të luftojë për të bindur komunitetin pakicë të vazhdojë drejt shkollimit si rruga e vetme drejt suksesit, ndërsa në anën tjetër të luftojë për të bindur komunitetin shumicë se stereotipet dhe paragjykimet drejt komunitetit pakicë janë totalisht të gabueshme. Një sfidë që të vendosë mes dy palëve, prindërve dhe fëmijëve, pasiqë shpesh hezitojnë fëmijët e shpesh edhe prindërit, mirëpo Orhani tregon se me kalimin e kohës, shkollimi i komunitetit ka rritje të dukshme.
”Kurrë nuk është vetëm një sfidë, secila sfidë ngërthen brenda vetes të tjera”, potencon Orhani.
Pse ekziston racizmi?
Populli shumicë nuk e njeh mirë komunitetin pakicë dhe kjo puthuajse ndodhë në secilin shtet, dhe për këtë arsye komuniteti pakicë has në shumë paragjykime e stereotipe, tregon ai, i cili tregon edhe përvojat personale edhe përgjatë udhëtimeve. “Gjatë udhëtimeve të mija jashtë vendit kur kam takuar personalitete të ndryshme, reagimi i tyre pas bisedës tonë kryesisht ka qenë me atë se sapo kishin takuar dikë prej komunitetit që është ndryshe, e shpesh ka ndodhur që po këta njerëz edhe të ndryshojnë mendim për sa i përket komunitetit. ‘Tash me të vërtetë do të mendoj ndryshe për komunitetin rom’, më ka thënë njëherë dikush gjatë një takimi punë në Bruksel. Ndërsa unë i tregova se unë nuk jam i vetmi nga komuniteti i cili është shkolluar dhe vazhdon të punojë, sepse ka edhe shumë të tjerë të komunitetit rom të cilët janë po aq e ndoshta edhe më të suksesshëm se unë”, vazhdon rrëfimin Butic.
Për këtë arsye secili duhet të hulumtojë, të lexojë, të njohë historinë e secilit komunitet para se të hidhet në paragjykim, dhe pas leximit e hulumtim të vlerësoj se a ka të drejt t’i drejtohet dikujt me ‘gabel’ apo ‘magjup’, sugjeron ai, i cili thotë se vlerat e njeriut nuk dihen kurrë vetëm duke u bazuar nga pamja e tij. “E në raste të tilla më vjen ndërmend një thënie e një këngëtari të njohur botërorë i cili kishte thënë ” Nëse ju thoni se nuk jeni racist, më tregoni se sa shokë të komunitetit tjetër keni?”, merr shembull Butic, i cili tutje vazhdon me bisedën se në botë, e kryesisht në Kosovë ka shumë individë të cilët nuk kanë nivel të lartë shkollimi, nuk janë të edukuar, mirëpo kjo nuk do të thotë që meritojnë të etiketohet apo të mendohet se të tillë mund të jenë vetëm personat e komunitetit pakicë.
“Unë mendoj se për të ndaluar racizmin në Kosovë duhet shumë punë, sidomos nga ana e instituiconeve. Kjo gjë bëhet duke informuar popullatën me konceptin e ‘Antigjipsizmit’ dhe pastaj të vazhdohet të punohet në atë drejtim, mirëpo për t’u arritur kjo duhet edhe shumë kohë. Së pari nevojitet përkrahje nga institucionet e më pas edhe nga shoqëria civile…”, deklaron Orhani.
Komuniteti rom e bart pas vetes një stereotip të cilin Orhani e konsideron plotësisht të gabueshëm, të jetosh ndryshe nga të tjerët, të konsiderohesh si një nivel më i ulët i shoqërisë veçse bart një ngjyrë tjetër, ke kulturë dhe traditë tjetër nuk ka se si të mos jetë shqetësuese si për komunitetin pakicë poashtu edhe për atë shumicë.
Vlen të ceket se ndoshta paragjykimi më i madh me të cilin hasin komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ka të bëjë me të qenurit të papastër apo të paarsimuar, gjë të cilën Orhani e konsideron tejet të gabueshme dhe të pavend.
”Njeriu asnjëherë gjatë jetës së tij nuk duhet të ndalet drejt realizimit të ëndrrës së tij/saj. Sfida më e madhe me të cilën më është dashur të ballafaqohem ka qenë të bind komunitetin shumicë por edhe të tjerët se vlerat dhe aftësitë e njeriut nuk kanë të bëjnë me ngjyrën apo kulturën që ai njeri posedon. Mirëpo secili të respektohet mbi atë se çfarë vlere dhe aftësie posedon. Këtë gjë unë e kam arritur, mirëpo për komunitetin pakicë të fitohet respekti dhe pranimi tek shoqëria është një sfidë”, përfundon Orhani.
Njerëz si Orhan Butic janë të rrallë, përkushtimi, dashuria dhe mundi i madh e bëjnë atë ky që është sot: Një shembull për gjithsecilin prej nesh. Orhani gjatë intervistës asnjëherë nuk fajësonte dikë, për komunitetin e tij, ai nuk kërkonte as më pas e as më shumë sesa aq sa duhet të ketë një komunitet pakicë. Siç thoshte edhe ai se motoja e tij është “Arsimi është çelësi i edukimit”, ai nuk kërkonte më shumë se një edukim të mirëfilltë, një trajtim të barabartë dhe që ky komunitet të pranohet nga shoqëria pa paragjykime./ KultPlus.com
(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e KultPlus/YIHR dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)