Sevasti Dako Qiriazi, nismëtarja e organizimit të arsimit shqip për femra

30 Gusht, 2021 - 2:30 pm

Si sot, 72 vjet më parë, më 30 gusht 1949, u nda nga jeta atdhetarja dhe nismëtarja e organizimit të arsimit shqip për femra, Sevasti Dako Qiriazi.

Sevasti Dako Qiriazi, ishte gruaja e parë shqiptare që studioi në “Robert College” në Stamboll.

Pas studimeve, në vitin 1891, ajo u kthye në Shqipëri dhe ndihmoi në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë. Së bashku me motrën e saj Parashqevi Qiriazin, ishin mësueset e para të shkollës së vajzave që u hap në vitin 1891 në Korçë.

Ka hartuar dhe redaktuar një sërë tekstesh shkollore bashkë me të shoqin, Kristo Dakon. Ka qenë pjesëmarrëse në të dy kongreset e rëndësishme që hodhën themelet e alfabetit dhe arsimit shqiptar, Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit.

Ka bashkëpunuar ngushtë me grupet patriotike shqiptare që gjendeshin jashtë vendit dhe më së shumti me Ismail Qemalin. Në vitin 1920, kthehet në Shqipëri dhe hap institutin femëror ‘‘Kyrias’’.

Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan , jo vetëm në fushën e arsimit , por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.

Sevasti Qiriazi mori pjesë në Kongresin e Elbasanit si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Bashkëpunoi me atdhetarë dhe me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Kur ishte kryetare e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në SHBA, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Duke iu përkushtuar përparimit kombëtar dha ndihmesë në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përkujtuar sot Sevasti Dako Qiriazi-n duke publikuar një foto-portret të saj si dhe një pjesë nga drama “Foleja Kombëtare”, e cila gjendet në Fototekën e AQSH, vepër e institutit Kyrias. Ky ishte instituti i parë femëror në Shqipëri i themeluar më 24 maj 1891, nga Sevasti Dako Qiriazi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme