10 Dhjetor, 2020 - 9:17 pm
Suada Qorraj
Ndonëse ishte vetëm gjashtë vjeçe kur në derën e familjes së saj kishte trokitur një paramilitar i ushtrisë serbe, Shpresa Karaxha e ka ende të freskët në kujtesën e saj atë ditë. Vetura e cila gjendej jo shumë larg shtëpisë u bë shkaku i shumë plumbave që ndoqën rrugën nëpër të cilën ecte babai i saj.
“Më kujtohet përderisa ishin në shtëpi, një pjesëtar i ushtrisë serbe kishte hyrë brenda duke kërkuar makinën që posedonte familja jonë. Babi e kishte fshehur makinën jo shumë larg shtëpisë, prandaj atij iu desh që të shkonte së bashku me ushtarin e ta merrte atë. Ushtari ishte i dehur dhe gjatë tërë rrugës ai gjuante me armën e tij në drejtim të babit tim. Babi kishte ecur në mes të plumbave, e përmes tyre”, ka treguar Karaxha për KultPlus, për përjetimet e saj përgjatë luftës së fundit në Kosovë.
Karaxha tregon se tmerri i kësaj dite nuk ishte kufizuar vetëm me makinën e babain e saj. Arma e paramilitarit serb nuk e kishte kursyer as nënën e Shpresës, ngase për disa minuta ajo kishte qëndruar mu në mes të fytyrës të së ëmës. Paramilitarit nuk i mjaftohej vetëm me veturën, ai kërkonte para e çdo gjë që brenda asaj shtëpie kishte vlerë.
“Babai im u kthye gjallë, makina nuk ishte më, por bashkë me makinën kishte ikur edhe ushtari, kështu kishim shpëtuar edhe ne”, tha ajo përderisa mundohej që të fshihte emocionet që i shkaktonte ky tregim.
Shpresa Karaxha rrëfimin për kohën e luftës nuk e përfundon këtu. Lagjja ku ajo jetonte në qytetin e Gjakovës kishte vetëm tre familje me këtë mbiemër, dhe që të tria ishin bërë pjesë e një liste ku shkruhej se bashkë me shtëpitë do digjeshin edhe ata që jetojnë brenda tyre.
“Ne jemi tre familje me mbiemrin Karaxha dhe më kujtohet që në atë kohë çdo herë tregonin për listat në të cilat vendoseshin se cilat janë familjet e radhës që do të digjeshin bashkë me shtëpitë e tyre. Të tre familjet tona ishin pjesë e asaj liste. Një person që emri i të cilit mua nuk më kujtohet, falë të cilit jemi gjallë, ka kërkuar që familja ime dhe e kushërinjve të mi të hiqej nga ajo listë. Ne shpëtuam falë lidhjes që ai kishte me ne”, vazhdoi tutje rrëfimin e saj Karaxha, përderisa në sytë e saj reflektohej një rizgjim shprese.
Por fatin e familjes së Shpresës nuk e kishin edhe shumë familje tjera. Një ndër to është edhe një nga shtëpitë ku banonte shoku i babait të saj, e të cilin për disa kohë familja e Shpresës e kishte ndihmuar.
“Ne ju kemi ndihmuar shumë familjeve tjera, sepse babai im në atë kohë punonte dhe më kujtohet disa shokëve të babit iu kemi dërguar miell, vaj e gjëra të tjera elementare. Shtëpia e tyre gjendej më larg tonës, në Qabrat. Një ditë pas vizitës sonë, shtëpia që ndihmuam u dogj, fatmirësisht anëtarët brenda saj shpëtuan. Por, kjo ishte shumë e rëndë për ne.”
Karaxha tregon se pas luftës filloi dhe normalizimi i jetës, mirëpo ndodhitë e këtyre muajve, ishin të dukshme në ditët e para të shkollës. Pikërisht në klasën e parë Shpresa thotë se sipas nënës së saj, vështirësitë për përshtatje kishin qenë më të theksuara, ngase ajo ishte ende e traumatizuar.
Tek Shpresa vërehej nostalgjia e madhe që kishte për ditët që ajo i kalonte në bankat shkollore. Teksa sot është një e diplomuar në fakultetin e Psikologjisë, përgjatë këtij rrugëtimi ajo kishte pasur përkrahjen jo vetëm të familjes, por edhe të shokëve e mësuesve të shumtë, me të cilët kishte pasur fatin të mësonte.
“Mësuesit çdo herë kanë qenë shumë të mirë, madje edhe shoqëria ka qenë shumë e afërt. Asnjëherë nuk jam ndjerë e diskriminuar, apo e veçuar kam qenë dhe jam e rrethuar me njerëz që më donin dhe më mbështesnin.”
Shpresa si pjesëtare e komuniteti egjiptian, ka një kohë të shkurtër që ka filluar të merret me avokimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ajo nuk u përball me diskriminime, por sot lufton që edhe të tjerët të mos përballen me to.
Ndonëse ka më pak se një vit që prej kur është bërë pjesë e organizatës Advicing Together, Karaxha ka arritur që të mësojë më tepër e tu ndihmoj edhe më shumë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas me problemet e tyre.
“Në organizatë jam që nga shkurti dhe merrem më shumë me familjet që janë të kthyera nga Mali i Zi. Unë i ndihmoj ata me problemet që mund ti kenë, si ato shëndetësore, rregullimin e dokumenteve apo edhe regjistrimin e fëmijëve në shkollë.”
Por, për Karaxhën ndihma dhe puna për krijimin e kushteve më të mira për pjesëtarët e komuniteteve nuk përfundon brenda një orari të punës. Ajo shpesh herë punon edhe me organizata, por edhe së bashku me komunën për tu siguruar pako ushqimore, higjienike apo edhe shkollore familjeve të komuniteteve që jetojnë në qytetin e Gjakovës.
Pikërisht para takimit tonë, Shpresa kishte përfunduar vetëm njërën nga ditët e shumta të cilat tash e disa kohë ia kushton dhurimit të çantave me mjete shkollore për fëmijët, pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Sigurisht që këtë punë nuk e bënë vetëm, por së bashku me donatorë e organizata të ndryshme. Por, entuziazmi dhe dëshira për të ndihmuar çdo herë e më tepër është ajo çka Shpresën e bënë të veçantë.
(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com