Rubairat

10 Mars, 2018 - 3:00 pm

Marrë nga libri “Rubairat” i Omer Khajamit. I shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi (pseudonim i Fan Nolit). Edicje e dyte, e ndrequr dhe e plotësuar. Bruxelles, 1927.

-1-

Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”.

-2-

Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte.”

-3-

Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë “Portat çeli!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli.”

-4-

A di përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

-5-

U gdhi! Me Verë zemrën e zbardhëllonj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmonj:
Në Djall dërgonj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me Llaut’ e lavdëronj.

-6-

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

-7-

Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

-8-

Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Çdo majë mali, pallati e lisi.

-9-

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtir Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrvërri.

-10-

Ja, Mars’i ri dëshirat na valon,
Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhën shkon
Ku dor’ e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym’ e Krishtit tokën gjelbëron.

-11-

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor, Bilbil’ i shkretë:
Ah, Verë! Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë.

-12-

Bilbili nëpër kopshtet në Prënverë
Sheh Lilin Kup’ e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: “Puthuni e pihuni!
S’e gjeni këtë ditë tjatër herë.”

-13-

Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr prënvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhé Parajsën me Huri.

-14-

Qesh Trëndafili e thotë: “Lulëzonj
Dhe botës bukurinë po ia shtonj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtronj”.

-15-

“Jam, thotë, lulja e Josefit t’ri
T’Egiptes, xhevahir, zemërflori:
Ja edhe rrob’ e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri”.

-16-

Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot’ e Fatit shpresat m’i dërrmon,
Pështillem si burbuq’ i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.

-17-

U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer’i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Llautën
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!

-18-

Me Ver’ e Vajza, me Llaut’ e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s’u çmalle,
Jeta s’vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.

-19-

Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
“Zotit – po thon’ – i ardhtë keq për mua!”
Po as m’a fal pendimin, as ia dua.

-20-

Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver’ e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej – edhe andej Hardhi.

-21-

Në prehrin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.

-22-

Te Shpell’ e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C’pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.

-23-

“Pse s’pi më pak?” më thonë njerëzia,
“Për ç’arësye s’ka kufi Dollia?”
Një: Faq’e Vajzës; dy: Rubin’i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.

-24-

Drit’ e Kungatës vlen çdo mbretri
N’Evropë dhe n’Afrikë dhe n’Asi:
Rënkim’i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat’ e turmës në Xhami.

-25-

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

-26-

Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë
Dhe zemra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit’ e shkuar
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.

-27-

S’ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s’ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.

-28-

Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

-29-

E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S’e çmoja kur e kisha… Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

-30-

Rënkonj e psherëtij, se s’të kam pranë,
M’u çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,
Askujt s’ia qaj dot hallin, djall’ o punë:
Vrermjalt’ e flagëves’ e qiellhapsanë!

-31-

Nga hidhërim’ i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m’është grirë:
Ty natën të kujtonj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.

-32-

Kur s’dhëmp e s’shemp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s’gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr’ e ke në gji, me nat’ e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.

-33-

Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepet krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

-34-

Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

-35-

Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshertij për ty me mall.

-36-

Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m’iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

-37-

Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz’ e sy, se shpirti i thotë:
“Bëje të mirën dhe e hith në det”.

-38-

E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy tortyrë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.

-39-

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?

-40-

Në këtë Dhé pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s’kam parë,
S’të kapërcen as hëna në shkëlqim.

-41-

O ti mbi Dhé m’e zgjedhura Selvi,
M’e shtrenjtë je se shpirt’ e syt’ e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s’ka;
M’e çmuar një qind herë më je ti!

-42-

Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt’ e shkruar.

-43-

Ti, që me faqe Rrushn’ e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t’Babilonës
Dhe mbretëresh’ e kulla ia rrëmben.

-44-

Për ty bënj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.

-45-

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

-46-

Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!

-47-

Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

-48-

“Sa bukur të jesh Mbret!” disa mejtojnë;
“Sa ëmbël në Parajsë!” ca besojnë:
Ah, merr paran’ e that e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.

-49-

Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.

-50-

Shpirti për ku m’u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S’e di, po veresie
S’lë gas të saktë, Ver’ e Vajz’ e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.

-51-

Sa save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull’ e Natës Korbi u bërtet:
“Të çmëndur! S’ka as lart as poshtë çpagë!”

-52-

Me vajzën në prënver’ e në lëndinë
Me këngën, me Llautën, me Dollinë
Dëfrenj: le të më shajnë; s’më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.

-53-

Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.

-54-

Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!

-55-

Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.

-56-

Me gjithë Trëndafijt’ Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.

-57-

Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.

-58-

Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosrò harroni:
Rustemi le t’ju ftonjë në kushtrim
E Taji në zijefet, mos i dëgjoni.

-59-

Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab’ e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.

-60-

E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q’ikën, tmerr q’afron:
Po nesër? nesër nofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.

-61-

Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her’ u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!

-62-

U bëra prapë djal’ i ri: sill Verë!
Kërcej me flag’ e lumëri: sill Verë!
S’ka gjë, në qoft’ e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!

-63-

Sakinjtë derdhin Ver’ e vala rrushi,
Në zemrat shuajn’ afsh’ e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.

-64-

Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?

-65-

Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.

-66-

Ah, mbushni Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
Ç’mërziti kur e sotmja ka lezet?

-67-

Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u çkallmo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n’erë mos e çkatërro.

-68-

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

-69-

Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat’ e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, të çthurr si lule
Dhe fletët t’i përmbjell në Dhe të zi.

-70-

Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr’ i Vdekjes nukë shpëton dot.

-71-

Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s’kalon në Hiç të zi.

-72-

Sa kohë po vazhdon kjo Jet’ e ngratë
Për qafe kape Qiparisn’ e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t’të kapë
Dhe posa të pushtoi s’të lëshon prapë.

-73-

Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m’emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn’ e zbritnë një nga një në varr.

-74-

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M’i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim’ e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin’ e thanë: “Lamtumirë!”

-75-

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.

-76-

Si lot pikon nga Qiell’i mvrojtur shiu
Sis’ i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr’i tij kjo lul’e bukur mbiu.

-77-

M’i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.

-78-

Dhe kjo lëndin’ e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht’ e but’ e mos e shkel,
Se s’di nga cila buz’ e bukur del.

-79-

Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën – e kush e di ku fluturon?

-80-

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lërini!
Një gjë ësht’ e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, – dhe profkat prejini!

-81-

Çdo shpresë që me flagë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or’ a dy – dhe menjëherë shkrin.

-82-

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S’të janë veç si ves’ e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.

-83-

Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

-84-

Te ky Karvan – Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas sulltanëve u shtruan
Sa ish’ e thën’ – e iknë të pakthyer.

-85-

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

-86-

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart’ a liparak i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.

-87-

S’banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom’ e pellgpusi.

-88-

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
“Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?”

-89-

Nga mur’i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m’i ke?

-90-

C’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkonj me prrallat? Hiç!

-91-

Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!
Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!
Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!
Bahram u lavdërofsh, mbytesh e hump!

-92-

Ah, Rrot’ e Qiellit vrasëse, mizore,
Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:
Ah, Dhe i Zi, në gji sa xhevahire,
Përpin, e sa dafina prej kurore!

-93-

Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,
Sa e sa zemra copëtove e shove:
Ç’burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,
Pa lulëzuar në qivur m’i shtrove!

-94-

O Racë Njerëzore e verbuar,
O Hiç, mbi Er’ e Pluhër e ndërtuar,
O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,
Përball’ e pas prej Hiçit e rrethuar!

-95-

Apo mos e harruat Historinë
Që Botës i dha Dritën, Diturinë,
Se Zoti me ca Llom’ e Baltovinë
Sipas fytyrës s’Tij gatoi Njerinë?

-96-

Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,
E para krijatyrë del nga Dheu:
Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja kreu,
Adamn’ e shkret e korri, e rrëmbeu.

-97-

Si en’ e bën me mend e thellësi,
Kuror’ i thur me nder e me lavdi:
Pastaj Poçari Kryeveprën kap
Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.

-98-

Pse pra mërziti për mjerim’ e zinë?
Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:
Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,
Vajtojnë pak e çduken në Greminë.

-99-

Njeri, Margaritari i Krijesës,
Q’u shove nga tortyrat e Jetesës,
Pi Kupën e harrimit e të prehjes,
Çkulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.

-100-

Përunjiu Fatit tiranik e vrer,
Pi Verë, mos përfill Parajs’ e Ferr:
Linde nga Pluhuri, në Pluhrin kthehesh,
Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.

-101-

Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim
Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,
Pluhër në Pluhër, nënë Pluhrin shtrirë,
Pa Ver’ e Këng’ e Grua – pa mbarim!

-102-

Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,
Puth, puth sa ësht’ i çelur Trëndafili,
Dhe Kupën plot shafran pa drithm’ e zbras
Kur të ta japë natën Xhebraili.

-103-

Një çast nga Pus’i Jetës të ngjërojmë
Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:
Se Yjt’ u shuan dhe Karvani u gdhi
N’Agimn’ e Hiçit! – Oh, le të nxitojmë!

-104-

Pra, si Zambaku që me sy përpjetë
Pret vesën gojëhapur lart nga retë,
Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse
Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.

-105-

Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,
Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,
Se as për mjekrën tënde as për timen
S’kujdeset Zot’i Math i lavdëruar.

-106-

Rrot’ e çkujdesur po vërtit Dynjanë,
Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:
Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,
Të piu varri, krimbat do t’të hanë.

-107-

Lëviz, Khajam, se Kup’ e Vdekjes vjen,
Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:
Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s’i gjen!
Se Feja me Parajsën të gënjen.

-108-

Mos u mërzit me punë Perëndie,
As me andrralla e profka Njerëzije:
Mbyti të gjitha në duman të Verës
Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!

-109-

Munxosi Qiejt’ e shurdhër që shkelmuan
Cdo lutje që të mjerët u drejtuan
Dhe kap Dollin’ e përqafo Selvinë:
Kush na u kthye nga ata që shkuan?

-110-

Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,
Me Fe e sherr Sheri të piqemi?
Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi
Se sa me vrer për hiç të ligemi?

-111-

Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,
Parajsës i kam thënë: “Lamtumirë!
E bukur je, po nukë bën për mua!”
Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.

-112-

Për Ligjë kam për ditë të dëfrenj,
Për Besë kam çdo Fe ta kapërcenj;
Kur mora nuse Jetën, s’deshi pajë;
Më tha: “Gas patsh, atë pagesë vlenj”.

-113-

E dini, o miq, se në kasollen time
Dasmë të re kam bërë me dëfrime:
Tri her’ e ndava Fen’ e Arësyen
Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.

-114-

Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar
E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:
Po që të gjitha i hodha n’erë! S’jam
I thellë veç në Verën e Kulluar.

-115-

Kur isha i ri, kujtonja se e gjeta
Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:
Tani q’u mplaka di që s’dija gjë
E që s’di hiç nga Bota dhe nga Jeta.

-116-

Kur isha i ri, me zell, me mall po milja
Doktorë me Shenjtor’ e trobolitnja
Të thella argumente: po përherë
I marrë hyja dhe m’i marrë dilnja.

-117-

Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,
Me dorën tim’e rrita, e pështolla,
Dhe kjo ish tërë pema që m’u fal:
“Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!”

-118-

Në Botë, dhe pa ditur as përse
As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,
Dhe jashtë saj si er’ e shkretëtirës,
Pa ditur ku, po frynj te Nat’ e Re.

-119-

Si zok nga pylli sterr’ u arratisa,
Për një fole në ferr’ e driz’ u grisa:
Po prinjës që di Udhën gjëkunt s’gjeta,
Nga dera q’u vërsula jashtë krisa.

-120-

Me Ujë hiçi Balta m’u gatua,
Zemra me zjarr e vrer m’u përvëlua:
Fryra në Botë si një flag’ e marrë
Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.

-121-

Ç’fitoi me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m’i prishet Bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm’ e ikim?
Pyes më kot, – s’përgjigjet Perëndia.

-122-

Kur shoh një faqelule bukuri
Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,
Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove
Në këtë fushë plot me lot e zi?

-123-

Si flagë digjemi: Ku shuhemi?
Si tym vërtitemi: Ku turremi?
Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma
Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?

-124-

Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,
Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:
Me lot e zjarr e vrer të përvëluar
Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.

-125-

Këtu që nga padashur po kërcasim
Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?
Kupë mbi Kupë Verë sillnani
Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.

-126-

Në Botë s’ndisnja, po s’më ke pyetur!
Në varr s’kërcisnja, po s’më ke pyetur!
Zot, më zvarrise me pahir, se s’lintja
As rronja as vdisnja, po s’më ke pyetur!

-127-

Në Vijën që përshkruanj në Jetim
S’gjenj Pikënisje, s’gjenj Pikëmbarim:
Nga arthmë s’pamë dhe ku vemi s’dimë,
Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim.

-128-

Një Qark, si un’ e ti, po përvijojmë,
Që jemi lark e s’piqemi vajtojmë:
Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun
Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.

-129-

Nga qëndr’ e Dheut në Qiell të Shtat’ u ngjita
Në fronin e Saturnit u avita
Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës
Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.

-130-

Një derë ka që Çelësin s’ia gjejmë
Dhe ka një Vel, me sy s’e kapërcejmë:
Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,
Pastaj dhe un’ e ti në tym kërcejmë.

-131-

S’përgjigjet Dheu as Deti që mban zi
Me vala t’errëta për Perëndi,
As Dit’ as Nat’ as Hën’ as Yjt’ as Qielli,
S’përgjigjemi e heshtim un’ e ti.

-132-

Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita
Dhe e pyeta: “Cila është Drita
Për djemt’ e tu të humbur n’errësirë?”
“Një mendje e verbër!” tha një zë nga prita.

-133-

Ahere Poçen po rrëmbenj si burrë
Dhe Zjarr e Shenjt’ e gjenj në këtë furrë;
Ajo më pëshpëriti buzabuzës:
“Pi, puth, se posa vdiqe, s’ngrihesh kurrë!”

-134-

Dhe Poçja e skalisur dhe e larë
Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:
Dhe buz’ e saj e ftohtë dhe e njomë
Sa puthje mund të japë dhe të marrë!

-135-

Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri
Q’u doq për një Gërshet e një Selvi:
Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte
Vajzën e rrallë plot me Dashuri.

-136-

Një ditë, më të ngrysur në pazar
Një poçe po artonte një Poçar;
Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:
“Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!”

-137-

Punonte në dyqan të tij Poçari,
Një Poçe po artonte nga pazari:
Lëfyti ish një kok’ e një Qezari
Dhe dorëza nga dor’ e një lipsari!

-138-

Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,
Që garbe bën me trupin njerëzor:
Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,
Dhe gishtin Feridunit mbretëror.

-139-

Njëndizaj në qoshen jam penguar
Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;
Më tha: “Si je, kam qenë; dhe si jam,
Ashtu dhe ti je nesër i dërrmuar”.

-140-

Dhe mos kujto se Jeta rregullon
Hesapin tënt e timin dhe mbaron;
Flluska si ne ka Dete miriade,
Saki – Vigani derdh e s’nëmëron.

-141-

Kur un’ e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdonjë Bota e pavdekur,
Që ardhjen ton’ e ikjen i përfill
Si val’ e detit rërën e përpjekur.

-142-

Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,
Dhe ty dhe mua na harron një soj:
S’e vuri re që diç mungon, kur s’ishim,
Kur vdesim, s’ndrron e s’ngel, vazhdon një soj.

-143-

Mi Dhe e nënë Dhe gjum’ i paprerë,
Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;
Ah, Hiç kudo, e shkretëtir’ e Hiçit!
Si hije vijm’ e shkojmë në Skëterrë.

-144-

Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur
Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,
Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç’bën
Kur s’je më ti, po hi në Hiç përhapur?

-145-

Do t’ikim doemos! Përse pra rrojmë
Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?
Mbi Dhe pa punë kur na arratisi
Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?

-146-

Çudi, asnjë i vdekur s’dha një shenjë,
Asnjë s’u kthye Udhën të rrëfenjë
Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,
Po vet’ u dashka cilido t’a gjenjë!

-147-

I varfëri nga mendja po beson
Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:
Po Vera e përgënjeshtron e para,
Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.

-148-

Kur Shpirti muntka veten ta çlironjë
Nga Trupi dhe në Qiell të fluturonjë,
Nuk është trup e turp që Baltovina
Ta ndyj’ e ta burgos’ e ta verbojë?

-149-

Si në një çergë ku pushon një grimë
Sulltani i drejtuar në Greminë:
Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret
E thurret përsëri për më të rinë.

-150-

Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,
Për të duruar kot e kot tortyrë,
Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë
Kur prapë jashtë paske për të fryrë?

-151-

Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë
Dhe n’Errësirën posht’ e tatëpjetë:
M’u kthye pasi e zbuloi Mysterin;
Më tha kështu: “Parajs e Ferr jam vetë”.

-152-

Qiell. vizion dëshire të mbaruar,
Ferr, hij’e zez’ e Shpirtit përvëluar,
E hedhur n’Errësirën nga po dalim
Dhe ku po zbresim për të perënduar!

-153-

Kjo botë: Endrr’ e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë; Gjyrm’ e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij’ e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast’i prehjes që gëzojmë.

-154-

Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë
Më kot për të dy Botët, u vërvitnë
Në Pluhur: fjalët ua mori era,
Me Baltën e me Llomën u nemitnë.

-155-

Zbulimet, që Profetët na zbërthyen
Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,
S’janë veç ëndërra që na rrëfyen
Pas gjumit – dhe pastaj në gjum’ u kthyen.

-156-

Arrinë gjer në kulm të Diturisë,
I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:
Po n’Errësirën Udhë s’çanë dot,
U mbytnë nëpër gropa t’arratisë.

-157-

Mysterin sa e sa më kot po tarrë
Gjer sot asnjë përgjigje s’kanë marrë;
Ç’gojë memece, Evë, puthe vallë
Që na ke bërë shurdhër e të marrë?

-158-

Një Vel Mysteri kemi për kufi,
Ta çpojë syri ynë s’ka fuqi:
Në gjoks të Dheut jemi si në burg;
Ajme! Sa e gjat’ e hidhur histori!

-159-

Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,
Me Dij’e Shkencë Udha nuk iu gjet:
Se Udhë s’ka, se s’na e kap dot truri
Dhe syri ynë gjurmën e humbet.

-160-

C’e shtyri këtë Qiell të rrotullonjë
Dhe ç’dorë më në fund do ta dërrmonjë
S’gjendet në Botë kurrë kut ta masë,
S’gjendet asnjë kandar që ta peshonjë.

-161-

Natyra ësht’ e mbetet një çudi,
Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:
Askush s’del dot nga qarku i forcës s’tij,
Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.

-162-

Qarkove tërë Tokën? S’është hiç!
Gërmove tërë Botën? S’është hiç!
Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,
Ia çmove Fatit Rrotën? S’është hiç!

-163-

Në Hapësirën Dheu: koqe kumi!
Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!
Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!
Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!

-164-

Kjo Botë me shkëlqime s’është hiç!
Ky Qiell me Serafime s’është hiç!
Ky fron i Jetës plot me ëndërrime
Na varret mbi një qime, s’është hiç!

-165-

Nga Rrot’ e Fat e Zot s’kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s’fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!


-166-

Të paskan parë ca të shenjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç’mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:
S’të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!

-167-

Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi
Rrotull Mysterit – shpejt, mor djal’ i ri:
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe përmi çë, të lutem, varesh ti?

-168-

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe Çelës një Elif të vetëm gjeta:
Gjeje dhe ti, si un’ i verbëri –
Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.

-169-

Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,
Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:
Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,
Ay s’po vdes – S’ka funt e s’ka mbaresë!

-170-

Posa e devinojm’ e na shpëton
Prapa kurtinës ku dramatizon
Të vjetrën lodër të përjetëshme,
Që vet’ e vepëron, Vet’ e shikon.

-171-

Gazmorët që me Kupën po festojnë,
Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë
Në Det humbasin pa liman, pa funt;
Një rron e s’fle, të tjerët flen’ e shkojnë.

-172-

Me mall e tërë bota e kërkon,
As kamës as i varfër s’e zbulon:
Bërtet, po vesh’i shurdhër s’e dëgjon,
Shkëndrit, po syr’i verbër s’e shikon.

-173-

Qan pika: “Ah! Sa lark nga Deti jam!”
Dhe Det’i jetës qesh: “Më kot po qan;
Se tok të gjithë jemi Perëndia;
Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.

-174-

Parad’ e zbrazët, ëndërr është Bota,
Dhe s’gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:
Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen
Illuzionet, gjepurat e kota.

-175-

Nga vallë lint kjo Fantazmagori?
S’tregohet dot, e vetëm kaqë di:
Ngrihet si re nga Det’i Gjithësisë,
Kthehet si shi në Detin pa kufi.

-176-

Se lart e posht’ e rreth sa po shikojmë,
Të gjitha një fener magjik formojnë
Me Diellin si një qiri në mest
Dhe ne përqark fantazma vijm’ e shkojmë.

-177-

Jemi një lodër shah me net’ e dit’
Ku Fati njerëzit si gur’ i qit:
Andejkëtej i lot, i vret’ i ther
Dhe një nga një t’i hodhi në kutit.

-178-

Dhe topthi as për po as jo s’pyet,
Po fluturon për ku Lodrari e nget:
Ay q’e heth në lëm’ e di përse –
Ay e di – Ay e di vërtet.

-179-

E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,
Dhe fletën ktheu: dhe asnjë fjal’ e vijë
Nuk ësht’ e mundur kurrë që të shuhet
Me lotë a me lutje a me dijë.

-180-

Doktorët, fillosofët le të flasin,
Nga thonjt’ e Fatit nukë do të shkasin;
S’jemi veç hallka në Zinxhir e s’mundim
As t’ikim, as ta thyejm’, as ta ngasim.

-181-

Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë
Ku të burgosur rrojm’ e vdesim zvarrë:
Mos i kërkoni ndihm’ e sypërpjetë,
Se rop si ju vërtitet, mor të marrë!

-182-

Njeriu i funtm’ u mbrujt nga Balt’ e Parë,
Të korrët sot del nga e Para Farë:
Mëngjesi i parë i Krijesës shkroi
E funtmja ditë ç’gjë ka për të parë.

-183-

Qëkurse Gjithësia u krijua
Dhe Qielli me gjith’ Yj kur u gatua,
Një kopsht për Trupn’ e Shpirtin m’u caktua,
Ashtu sikundër u predestinua.

-184-

Çdo dell m’u tor prej Zotit me Hardhi;
Ah! le të llomotit ay Sufi:
Un’ e kam gjetur Çelësin për Derën
Ku leh ay me buj’ e patërdi!

-185-

Ç’m’u dirse e ç’m’u thave si skeleti
Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!
Në dorën tënde s’mbeti pllan i Botës;
Allahu, kur e bëri, s’na pyeti.

-186-

Ç’kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?
Gëzo të sotmen, let belat’ e kota:
C’më qahesh? Zaret s’munt t’i loç
Veç se ashtu si t’i ka hedhur Rrota.

-187-

Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti:
S’pyetesh as për gaz as për vajtim;
Durim! – Kështu i Urti tha qëmoti.

-188-

Ka vetëm për të marrët lumëri,
Për t’Urtët s’ka veç vrer e qesëndi,
Pi Verën pra, e cila të marton
Me motrat Lumëri e Çmendëri.

-189-

Shigjetat m’i pusho, o Fat, aman!
Për plagët e miplagët nem derman!
Posa të marrë mpron, Baba, tamam,
Jam fjesht Yt bir, i urt’ i mënçur s’jam.

-190-

Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!
Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!
Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,
Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!

-191-

Jetesa rregullisht pas Urtësisë
S’i ësht’ e mundur kurrë Njerëzisë:
Se Zoti Fat me një kamçik në dorë
Na prin nëpër hendeket t’arratisë.

-192-

Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,
Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:
Pa marrë frym’ i lumtur për një çast
N’ Avushën prapë më ka qerthulluar.

-193-

Me vrer për ditë Fati po na ndes,
S’jep gas që s’na e vjeth me interes:
Ta dinte i palinduri s’na lintte,
I linduri më mirë bën kur vdes.

-194-

Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma
Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:
Ta dinte ç’flamur helmi kish në bark,
S’më nxirte në mejdan askurrë mëma.

-195-

Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,
Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,
Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën
Që respironj në zjarr ma ktheve.

-196-

Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,
Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;
Ta pret gërshër’ e Vdekjes pen’ e Jetës,
Nga thonjt’ e Fatit me tërbim u shqite.

-197-

U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!
Nga Rrot e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!
Një her’ e mir’ e tok, jo copra-copra,
Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!

-198-

O Zot, më mirë shuaj nga tefteri
Shpirtin e një të ziu e të mjeri
Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan
Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.

-199-

Sikur të merrte Engjëll’ i bekuar
Librën, që Fat’ i shkretë më ka shkruar,
Për ta rishkruar, për ta mirësuar
Ose më mirë fare për ta shuar!

-200-

Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,
Ku t’arratisurit e Shkretëtirës
Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj
Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.

-201-

Të kisha ah! fuqi prej Perëndie,
I jipnja shkelmin kësaj Gjithësie
Dhe krenja Botë tjatër ku të kishte
Çdo plotësim dëshire dhe lirie.

-201-

Të mirat Botës son’ ia studiova.
Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova:
Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë
Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.

-203-

Ah! Vera shkon në derë të myftinjve
Dhe Kryevegla n’arkë t’axhaminjve:
E Bukura e Dheut flë në shtrat
T’eunukëve, në djep të çiliminjve!

-204-

Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot,
Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot:
Po rri mënjan’ i qet’ e bëj sehir
Shakatë që na bën i Madhi Zot.

-205-

Profetët le të lehin hu mi hu
Për Providenc’ e Perëndi me tru:
Eni, me Poçen shtrojani këtu,
Dhe losni me Atë që lot me ju.

-206-

U dashka që ta lë ballsamn’ e Verës
Nga frik’ e zez’ e vrerit të Skëterrës,
Ah, për shërbet’n e Qiellit që do t’pi
Kur të më thahen koskat prapa ferrës!

-207-

Kurani thotë, Qielli ka Huri
Të bukura dhe Verë me gosti:
Posa pra ësht’ ashtu, o Perëndi,
Stërvitem që këtu e që tani!

-208-

Në qoftë se Parajsa jote s’qas
Veçse ata që lodhen me namas
Dhe s’duan Ver’ e Vajza, pa dyshim
Asnjë njeri s’të hyn n’atë kafaz.

-209-

Parajsa paska Vajza syshkëndija,
Me Ver’ e mjaltë, lum’ e kronj e vija;
Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë
Në dorë njëja sot se nesër mija.

-210-

Ay që ka në zemër Urtësi
S’lë asnjë çast t’i shkonjë pa dobi;
Po adhuron një Dashuri qiellore,
Dhe Kupën kap me Ver’ e zbras Dolli.

-211-

Të Madhit Moamet i çon selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
“O Pejgamber, më thuaj, mor aman,
Pse dhallën bën hallall, Verën haram?

-212-

Përgjigjet Moameti me selam:
“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mor aman,
Verën për t’Urtët nuk e bëj haram!”

-213-

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,
Më thonë: “Vera ësht’ armik i Fesë”,
O burrani, pra, Kupat mbushini
T’ia pimë gjakun qenit të pabesë!

-214-

Posa e bëri Zoti në fillim,
Hardhinë pse m’a thurrni me ndalim?
Thomëni, kur s’e njihni për besim,
Kush e ka vën’ atje këtë mallkim?

-215-

O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi,
Se vijës s’Vreshtës bëji Dashuri;
Nga nën’ e ëmbël rrodhi bij’ e keqe,
Po Bija ka më tepër bukuri.

-216-

Vera, vërtet, më doli e pabesë,
Se më largoi prej Zotit e prej Fesë,
Po fajn’ e ka Sakiu: S’ia di vlerën;
Kur t’ia mësonjë, nukë do t’ma shesë.

-217-

Dëfrimet që kam dashur më verbuan,
Në sy të Botës krejt më turpëruan;
Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik
Dhe namin për një metalik ma shuan.

-218-

Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem;
Po a jam esëll vallë kur betohem?
Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil,
Pendohem për pendimin që zotohem.

-219-

Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera.
Faqia iu nxi, ia mori namin era:
Saki, më sill ca Verë! Cip’ e çjerrur
Më s’qepet dot, as zbardhet dot Skëterra.

-220-

Pa Verë, këtë Jetë nuk e rronj dot,
Pa kupë barrën, vrerin s’ia duronj dot;
Jam mirë vetëm n’atë çast kur shokët
“Dhe njëzë!” thon’ – e unë s’mëkatonj dot.

-221-

Kur s’pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë,
Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë;
Kërkonj pra mezin, Jetën çakërqef:
As that’ as qull, po lagur leht’ e larë.

-222-

Me Poçen n’sqetull, me Kuran në bres,
Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares;
Ajme! S’kam Din e s’kam Iman e s’jam
As i Krishter’ as Mysliman as Putperes.

-223-

As Kisha, as Xhamia nuk më nxe,
Allahu më gatoi s’di me ç’hile;
Si grua pa lezet, Dervish pa Fe,
Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe.

-224-

Besnikëve në Kisha dhe Xhamia
U çthurret zemr’ e shpirt më çqetësira;
Po sa Sekretin e natyrës studiuan
S’i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira

-225-

Shpesh shpirti sulet nga kafazi t’ikë,
Nga Lloma në Liri pa fre, pa frikë;
Po thik’ e Sheriatit ia pret krahët
Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë.

-226-

Xhami e Kish’ e Tempull: robëri!
Këmban’ e Minare: një patërdi!
Dervish e Prift e Hoxh’ e Kryq e Hënë:
Pengime që të gjitha për Liri.

-227-

Në Labyrinth të Besëve kërkova,
Me Porosi e Dogma u qarkova;
Po u gënjeva; s’gjeta lule fare
Dhe vetëm driza t’egëra zbulova.

-228-

Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,
Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë;
I hodha që të gjitha tej e tutje,
Se Perëndinë s’e përfaqësojnë.

-229-

“Allahu ësht’ i math!” çirren, këlthasin,
Nga gjëm’ e tyre tunden e kërcasin
Për ditë pesë herë Minaretë:
Ay s’dëgjon. Vajtimet kot buçasin.

-230-

Disa bërtasin Dogma dhe Besime,
Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime:
Po kujve u zbulohet e Vërteta?
Askujt! S’qas pran’ as mu’ as ty kjo Trime.

-231-

Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë
E të na japë Shpirt e të na varë
Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar
Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë?

-232-

Si, qysh! Nga krijatyra të kërkonjë
Flori për Baltën e të na gjykonjë
Për borxhe që s’ia detyrojm’ aspak
E që s’ia lajmë dot! – O Djell, o Shkronjë!

-233-

Nga tmerr’i Perëndis’ e me pahir
Padrejtësinë nuk e quanj Hir;
Sepse kur s’thom të Drejtën me çekan
S’qas dot në buzë Qelqin Xhevahir.

-234-

Adamin nga Parajsa pse, o Zot,
E dbove kur na je mëshirëplot?
Për mëkatarët është Hiri Hir;
S’ke Hir kur na e jep me djers’ e lot.

-235-

Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë,
Shpirti m’u err, o Perëndi, ndriçomë;
Jo si çpërblim për vepra që s’bënj dot,
Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë.

-236-

Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë
Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë:
Ata që flasin n’emrin tënt gënjejnë;
Nga thonjt’ e tyre, Perëndi, zbërthemë!

-237-

Vetëm fajtorët, ne, kemi besim
Që mirësia jote s’ka mbarim;
Me një pendim, kush nuk e bën të keqen
Dhe kush e bën s’të kan’ asnjë ndryshim.

-238-

Embël gjykon në Qiell Mëshir’ e gjërë,
Po s’më pëlqen kjo Drejtësi me vërë;
E mira e pabërë s’ësht’ e bërë
E keq’ e bërë nuk ësht’ e pabërë.

-239-

Që ke Mëshirë në Kuran e pashë
Dhe kurrë një mëkat pa bërë s’lashë:
Më thua se më ndih në të këqia;
“Më keq se un’ a ka?” o Zot, të thashë.

-240-

Të mirat një nga një m’i nëmëro,
Të ligat togje-togje m’i spastro:
Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,
Mëshirë pra dhe Drejtësi trego.

-241-

Khajami vark’ e fajeve e shtoi
Dhe egjërën nga shpirti s’e qëroi:
Po s’dëshpërohet sa për Hir Qiellor,
Se Njënë kurrë Dy s’e nëmëroi.

-242-

Kundër së keqes shpirti më lëfton,
Me turp e vrer mëkatet m’i kujton:
Kam shpresë se m’i fal Mëshira jote,
Po prapë turpi mbetet e s’pushon.

-243-

Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur
Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur:
Fal dorën që Gërshetet përkëdhel
Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur.

-244-

A mundin farisjanët zemërngrirë
Për ty të bisedojn’ e për Mëshirë?
Na djek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke!
Gjetkë m’i shit ato! Të njoh më mirë!

-245-

Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë,
S’dua të shoh njeri e rronj i shkretë:
Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di,
Ay e di ç’kam vojtur nga kjo Jetë.

-246-

Me bindjen Mbretërin’ un’ a ta rrit?
Me fajet Madhështin’ a ta çukit?
Mos më punit, po falm’ – o Zot – se the
Q’i fal mëkatet shpejt – von’ i punit.

-247-

Me gryk’ e zemër’ – o Zot – kur më krijove
Dhe Ver’ e Vajza ballazi më shtrove,
E dije pa dyshim që do t’u sulem:
S’kam faj! Kam bër’ ashtu si e caktove!

-248-

Fytyrën Vajzës ia stolis me gas,
Me Lule, Hën’ e Diell ma përqas.
Pastaj më porosit të mos e ngas!
Tamam: përmbys Dollin’ e mos e zbras!

-249-

Me baltë më gatove: ç’faj të kam?
Me lesh e li m’arnove: ç’faj të kam?
Mi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,
Me urtësi m’i shkrove: ç’faj të kam?

-250-

Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve
Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:
S’fëjejmë dot pa dijën tënd’e lejen;
Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve?

-251-

Kur t’erren Tok’ e Qiell nga Kijameti
Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti,
E kap për rrobe Zotin e i thom:
“S’të kemi faj! S’na dbon dot nga Xheneti!”

-252-

Vullnet përveç Vullnetit t’tij s’të ka,
Për vepërim Ay liri s’më la,
Si deshi Vetë, çdo gjë ësht’ e bëhet:
Kundër s’i vete dot, – a bën shaka.

-253-

Më la të verbër e më vuri trap
Në Labyrinth të Jetës në çdo çap:
Më shtyn të bie brenda dhe pastaj
Si mëkatar e si rebel më kap!

-254-

Rebel t’u sulkam, pse s’më shtyp për dhe?
Në sterr’ u ngulkam, Dritë pse s’më dhe?
Parajsën si një rrogë kur e çkulkam,
Mëshirën, Mirësinë ku m’i ke?

-255-

O Ti, që me pusi dhe gracka thure
Greminën e përlotur ku na prure,
Që me predestinatën na mbërtheve,
Dënime për mëkate qysh na vure?

-256-

O Ti, që njerëzit me Balt’ i tore
Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore,
Për çdo mëkat që faqen po na nxin
Epna e merrna ndjesë njerëzore!

-257-

Më dhe të mjerit mua sqojtësirë
Të mjaftë sa të mbytem n’errësirë:
Po sikur t’ishe Vet – o Zot – njeri,
A do ta deshe këtë tru të mpirë?

-258-

Në nisje dorëhapur, buzëqeshur,
Me forc’ e me shkëlqim më pate ngjeshur:
Tani më çjerr e më përmbys përdhe!
Përse? Ç’të bëra që më le të çveshur?

-259-

Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe,
E nesër do t’më shtypësh nënë Dhe:
Veprën e bukur, Zot, përse e prish?
Në qoft’ e keqe, fajin Vet’ e ke.

-260-

Për Vetëdije miriade vjet
Më le në Botë. Si ma jep, ma pret:
Kur dije q’e merr prapë, ç’ma dhurove?
Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?

-261-

Zot, pse ma theve Poçen e skalisur?
Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?
Tani më thuaj, cili ësht’ i dehur:
Un’ apo Ti, që sillesh si i krisur?

-262-

Kush rroi mbi Tok’ e s’mëkatoi? Më thuaj!
Ay që s’mëkatoi a rroi? Më thuaj!
O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj,
Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj!

-263-

Më linde pas dëshirës fuqiplote
Më le të mbytem nëpër llom’ e lote;
Tani tregomë ç’është më e fortë:
Mëkati im, apo Mëshira jote?

-264-

O Zot, barrën e Jetës lehtësoma
Nga syt’ e turmës çdo kusur mbuloma:
Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate
Kësulën, kokën nesër rrotulloma.

-265-

Ti, që sekretet na i di të gjithëve,
Që në shtrëngic’ e zi na ndih të gjithëve,
Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi,
Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve!

-266-

Vinj në Xhami, po jo të të gënjenj;
Kur jam atje dëfrim në zemër ndjenj
Dhe ikënj shpresëplot; Vend më të mirë
Të lahem e të fle ku mund të gjenj?

-267-

O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë!
Te lartësia jote Ti afromë!
Esëll, të Mirën e të Ligën njoh:
Dua t’i mbyt e dehem! – Mëshiromë!

-268-

Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim,
Që digjesh në Skëterr’ e në Vajtim,
Prej teje Zoti a kërkoi drejtim?
Cili je ti, që po m’i jep mësim?

-269-

Kur Ramazani ish më të mbaruar
Dhe natën prisnin Hënën e gëzuar
Në Furrën e Poçarit isha shtruar
Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar.

-270-

Çudi! Si njerëz, mbledhur në pazar,
Ca poçe bisedonin plot me zjarr;
Dhe befas një prej syresh pa durim:
“Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?”

-271-

Një tjatër tha: “Ah, punën e dëfteu
Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu:
Pra, duke qenë një Krijesë Dheu,
Andej na mori dhe andej na ktheu!”

-272-

Një tjatër tha: “As foshnja pa gjykim
S’e thyen enën që i dha dëfrim:
Qysh pra Ay që na krijoi me mall
Po na dërmon, na çqyen me tërbim?”

-273-

Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi
Një poçe e shëmtuar dhe pa soj:
“Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej
Ustajt të vëngër dora, kur m’artoi?”

-274-

Një tjatër tha: “Na trëmbin me kazan,
Me Ferr e furr’ e Djall e me katran,
Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka!
Se Zoti ka Mëshir’ e ka derman!”

-275-

Një tjatër Poçe tha me psherëtim:
“Mua më latë fare në harrim;
Po lagmëni, vaditmëni me Verë,
Dhe ja, e mblodha veten pa vonim”.

-276-

Edhe kështu kur Poçet bisedonin,
Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin;
Dhe thirrën pasandaj me brohori:
“Vjen një Saki!” dhe Verën lavdëronin.

-277-

O Zot, O Drit’ e Vetëm e Vërtetë,
Më lumërofsh a më dënofsh përjetë,
Me Ty kungonj më mirë në Tavernë:
Se në Xhami s’të puth – e s’rri dot qetë.

-278-

E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu
Burimn’ e Jetës q’ëndërroi njeriu
Dhe ma tregoi: tani s’i çkulem dot!
Ver’ e Pavdekësisë më përpiu!

-279-

Këtu paraja kallpe nukë shkon,
Se menjëherë fshesa e spastron;
Një Shenjt na thirri në Tavernë: “Pini!
S’ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!”

-280-

Në Jetë si mi Detin udhëtojmë
Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë:
Po kemi Zotin midis nesh sa herë
Me Verën e bekuar po kungojmë.

-281-

S’do Trëndafili? – Gjëmin prap’ e kemi;
Parajsa s’qas? – Në Ferr të lirë vemi:
Çfryn Minareja – Ja, gjëmon Këmbana,
N’Alltar Kungata pret në re prej kemi!

-282-

Më thoni që do t’digjem në Skëterrën,
Se adhurova Dashurin’ e Verën:
Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës,
Unë kam dy: Kungatën edhe Verën.

-283-

Një plak të shenjtë, t’urt’ e mjekërgjatë
Kam parë që vraponte që menatë;
I thashë: “Ku po shkon kështu, Uratë?”
Më tha: “N’Alltar për Mesh’ e për Kungatë”.

-284-

Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur,
Me Këng’ e Valle në Gërmadhen mbledhur,
Kungojm’ e puthemi me Dashuri,
Përsipër Fes’ e Qiellit jemi hedhur.

-285-

Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini!
Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini!
Se Vreshta tha: “Ky është Gjaku im,
Q’u derth për ju! Kungoni: merrni pini!”

-286-

Mystikërisht me frikë iu afruam
Me Bes’ e Shpres’ e Dashuri kunguam:
Nga Vetja ikm’ u tarm’ u transformuam,
Në Vreshtën e Vërtet’ u transplantuam.

-287-

Te Shpell’ e Shenjtë, natën, nga Alltari
Një Engjëll dolli me stoli prej ari,
Ngre lart Kungatën Vresht’ e Xhevair,
Ma zgjat – fjesht Rrush! – Puth Qiellin mëkatari!

-288-

Rrush, Ver’ e kuqe, si rubin që rrjeth,
Që qesh nga gryk’ e shishes kur të derth,
Je gjak i zemrës që kërkon Çlirim,
Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth.

-289-

Rrush, Rrush, që me Logjikë absollute
Të gjitha sektet nëpër vrima i fute,
Rrush alkemist, që pisën na e zbardhe
Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute.

-290-

Rrush, o Sulltan Mahmud, o Ngadhënuar,
Ti helmet e ti tmerret ke larguar
Nga shpirti yn’ i ngrysur e i ndryshkur,
Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar.

-291-

Na fryn në zemër gas e ngrohtësi,
Na thurr mbi krye drit’ e bukuri,
Na çkul nga dimr’i djeshm’ e brym’ e pritme,
Na thyen hekurit, na fal Liri.

-292-

Sëlargu shtaz’ e ndyrë u afrua,
Sytym, xhybekatran, as burr’ as grua,
Na tha: “Vera prej Dinit u ndalua!”
Na theu Poçen dhe u shenjtërua!”

-293-

Mor Hoxh’ i egër, ma mbaro qërtimin,
Mos m’ulëri në dasmën dhe dëfrimin:
Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin,
Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin.

-294-

Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro,
Beko pa folur, mos më prediko:
Un’ ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër,
Se je i vëngër, sytë çap shëro!

-295-

E ëmbël është Vera me Dolli,
E ëmbël Harpa, Vallja me Huri:
I ëmbël është çdo besnik që s’pi
Kur lark një mijë parasanga rri.

-296-

Me etjen Tavernarin e gëzonj
Dhe supet me mëkate i ngarkonj:
Kështu Mëshir’ e Zotit hyn në punë,
Se myshterinjtë gjithënjë ia shtonj.

-297-

Lus Verën, jam pjanik: po, ashtu jam!
Pagan e heretik: po, ashtu jam!
Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s’jam!
I Vetes jam besnik: po, ashtu jam!

-298-

Kam parë një hermit pa Ligj’ e Fe,
Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe;
E njoha dhe pyeta duke qarë:
Më trim se ky, o Zot, në Bot’ a pe?

-299-

Të vjetrit shok’ e miq më neveritnë,
Të rinjt’ ato të vjetrat përsëritnë:
Tani kam hequr dorë nga çdo mik;
Kurrë Besnikë miq mi Dhe s’u rritnë.

-300-

Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë,
Hap sytë! t’ësht’ armiku m’i pabesë:
Miq mos kërko në turmën posht’ e lart;
Të puthi kush? – Largohu pa vonesë!

-301-

Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë;
Vrerin që s’ka shërim e pi si burrë:
Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht;
Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë.

-302-

Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi,
Dhe intrigan, kur rron në vetëmi:
Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli,
Më mirë mos u njih, mos njih njeri.

-303-

Mos qas veç shokë t’Urtë në shtëpi,
Largohu nga të marrët pa kufi:
Kur t’ep i marri mjaltë hidhe tej,
Kur t’ep i Urti vrer, e merr, e pi.

-304-

Të marrët, të stolisur, syverbuar,
Që kurrë me kandilin e pashuar
S’kanë kërkuar natën Drit’ e Shkencë,
Asnjë të Madh s’na lanë pa çnderuar.

-305-

Rrëmbyen mall, memuriet e ar
Dhe t’Urtin plak e t’urët shkencëtar
E quajnë Gjaur, se s’beson prralla,
Se s’qas mi supet, si ata, samar.

-306-

Çudi, që parësi e titulluar,
Nga skllavëria kalbur, shtazëruar,
Kur shohin një të varfër po të lirë,
E quajn’ a t’marr’ a të mallkuar.

-307-

Nga Bot’ e Lartë një Myster m’u zgjith;
Me ty, Njeri, Krijes’ e tër’ u thith:
Je djall a ëngjëll, shtaz’ a lule e pisë;
Je ç’dukesh; pamja me çdo gjë të lith.

-308-

Njeriu qënka thelb’ i Gjithësisë
Dhe drit’ e syrit t’madh të Perëndisë:
Qarku i Qënies qënka si Unazë
Me vulë xhevair’ e Njerëzisë!

-309-

Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar
Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar:
Kështu në syt’ e Perëndisë jemi
Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar.

-310-

Te Bot’ e murme dhe e trubulluar
Dy farë shtazësh janë lumëzuar;
Ata që paskan çdo gjësent zbuluar
Dhe sa s’të kanë asgjësent mësuar.

-311-

Ari s’lint Mënt, po Mënt që bukë s’kanë
Në Kopsht të Dheut qajnë si n’hapsanë:
Qesh Trëndafili se ka qesen plot,
Kur Vjollc’ e vafër kokën var mënjanë.

-312-

A dini pse Zambakun dhe Selvinë
I quajmë symbole për Lirinë?
Kjo një qint duar ka, po s’vret e s’vjeth,
Ay me dhjetë gjuhë, s’e kafshon njerinë.

-313-

Më mirë bukëthat’ e rrobëçquer
Me ujë rro, i lirë, poçethyer,
Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer
A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer.

-314-

Mos e përdor për shtypje sqojtësinë,
Mbaj veten, zotëro me fre mërinë:
Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme,
Goditje prit, po mos godit njerinë.

-315-

Lakmim’ i Trupit ngjan me qen të lik,
Që leh pa funt e gjumin na e fik:
Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur,
Na çjerr, na copëton si ujk armik.

-316-

Në leqet e ambicjes mos u zir,
Nga thonjt’ e avaricjes mos u çirr;
I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt’ u prir,
Si pluhër n’erë mos u drith, u tir.

-317-

Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni
Me burrëri dhe dinjitet qëndroni:
Përballni dhe armiq si Rustem Zalli,
Nga miq si Taj dhurata mos pranoni.

-318-

Harxhova jetën kot nëpër këneta
Dhe asnjë pikë lumërie s’gjeta:
Tani kam frikë se u mplaka, shkonj,
E s’provonj dot si duhet rrojtur jeta.

-319-

Ah, nesër Botën plot shamat’ e lashë,
Nga qindra xhevahire njëz’ i dhashë:
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,
Se nuk’ i merrte vesh kjo Bot’ e trashë.

-320-

Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë
Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë;
Asnjë s’kam zgjidhur prej Enigmave;
Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë.

-321-

Ah, nesër Fati do të na gremisë
Dhe çdukemi nga Kopsht’ i Dashurisë:
O Vajzë, sillmë Ver’ e lagm’ e puthmë,
Dhe prapë nem gëzimn’ e djalërisë.

-322-

O Hën’ e shpirtit tim e pavenitur,
Ja, Hën’ e Qiellit del nga ret’ e ndritur:
Sa herë do të dal’ ajo si sot –
E kot në kopsht për ne ka për të pritur!

-323-

Tavern’ e Shenjtë na u çthur me vrima,
Veriu vërshëllen, na grin thëllima:
Ma bëni baltën tulla e m’i mbyllni
Të mos më ngrijnë Verë shokët trima.

-324-

Për Vdekjen s’dridhem as derth fare lot;
M’e mirë gjë në Botë s’gjendet dot:
Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot
Më kot ma dha – e un’ ia kthenj më kot.

-325-

Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;
Se sy e shpirt m’u tretnë me vajtim:
Më keq se sa kam vojtur në Ferr s’ka;
S’dua Parajsë! S’dua veç harrim!

-326-

Miq, shpresa, Qiell’ e Tok’ e Djaj më lanë,
Zi brënda, lart’ e posht’ e anembanë:
Veç Verës s’më ka mbetur tjatër mik,
Dhe dua dhe në Varrin ta kem pranë.

-327-

Me Verë, kur t’ap shpirt, kungomëni,
Në Verë lamëni, bekomëni,
Me fletë Pjergulle pështillmëni,
Në kopsht me Këng’ e Rrush mbulomëni.

-328-

Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi
Varrin stolismani, qëndismani:
Rreth meje buzëqeshur shtrihuni
Spërkatmëni me Ver’ e pihuni!

-329-

Që Varri im me Ver’ e Rrush të shirë
Tym, afshe të lëshojë si një Tirë
Sa kur të shkonjë Mysliman’ i mirë
Si në pusi të dehet i papirë.

-330-

Dhe kur të shkosh, moj Dor’ e këmb’ argjënde
Për të gostitur miqtë n’ato vënde,
Ku pinim bashkë, e t’arrish ku rri,
Mos psherëti! – po zbrasmë Kupën tënde.

-331-

Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi
Dhe kur të bëhem prapë Balt’ e Hi,
Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli –
Dhe shihni po s’u ngjalla përsëri!/KultPlus.com

Të ngjajshme