3 Prill, 2024 - 8:05 pm
Poezi nga Entela Tabaku
A e ke provu me e tundë dorën në lamtumirë
me i zgjatë gishtat në ajër ngadalë
me e mbushë pëllambën me erë
mandej me e lanë me të përshku
dhe me ia ndi zhuritjen lëkurës që flladitet
mallin mishit që bjen për thonjsh
të fikunin gjakut që ik teposhtë
me ia ndi dobësinë
kocit që mpaket deri në palcë
a e ke provu?
a dhemb?