16 Mars, 2022 - 9:43 am
Poezi nga Erina Çoku
Ti nuk din gjâ, po unë nuk të du.
E ngase unë nuk të du,
dhe ktë s’e lun as guri
toka asht shqetësu
e po rrotullohet kadalë e mjera,
prandej diçka për botën unë duhet me bâ:
Se nuk të du duhet me t’njoftu.
Uh, duhet me marrë ‘i copë udhë t’gjatë
e me mbrritë n’cakun tand
me ta thanë qartë ballë për ballë
se nuk të du, as ‘i fije.
E ngase unë nuk të du,
dhe kësaj nuk i lëviz as presja
filli i hânës â bjerrë
e gjysë ka mbetë e shkreta,
kshu që unë diçka për hânën duhet me bâ:
Se nuk të du duhet me t’tregu.
Uh, duhet me t’u avitë fort
ngjitë me ty qerpik m’qerpik
me ta rrëfy n’dritë t’synit
se nuk të du, as ‘i grimë.
E ngase unë nuk të du
dhe kjo asht krejt e dukshme
dielli n’mendime krejt ka râ
e brenda reve mshihet shpesh i vorfni.
A kam si diçka për të unë mos me bâ?
Se nuk të du aspak, duhet me t’ sqaru.
Uh, duhet me t’folë njat mu n’vesh
që n’kryt tand këto fjalë mosdashnie
bashkë me zanin tim t’hyjnë sak
e ti fije dyshimi mos me pasë:
Nuk të du, nuk të du, pra.
E ngase unë nuk të du
ajri, uji e dheu janë bâ lâmsh
sa kurrkush drejtim s’po di m’u dhanë,
si mundem unë për kyt rruzull mos me bâ gjâ?
Prandej, se nuk të du, ty vrik duhet me t’kallëzu.
Uh, duhet buzë n’buzë me tu avitë
frymën bashkë me ndërru pa frikë
që sa pa u tretë avulli i fjalëve ti t’kesh ditë
se unë ty me t’dashtë nuk kam sesi.
A merr vesh se nuk të du apo ta them prapë? / KultPlus.com