11 Tetor, 2017 - 7:59 pm
Poezi e shkruar nga Lisandri Kola.
A thue u lindëm, lule,
për shpresën e bjerrun
a për qiellin e çamë?
Për shejtën gjithfarësh
e për thika në asht.
Për peshën e fjalës,
për sytë në përçmim,
e për kryqin e dheut.
Edhe zanit në zallë,
qafa i thyhet,
dalun mundit të madh.
S’asht koha e lendinave
e e dredhëzave të fjetuna
gji lisash.
Trumcakë shkrrye asfaltit
e fry të ftohtit.
Koje buke e sqepa bosh.
Por, duert tona,
lidhun dashnie
kësaj ere kanë me ia zanë frymën.
E lendinave kemi me shkue
tue shkelë qesh e qesh.
Bjerrë asht shumëçkaja
(edhe pse këtë fjalë ti s’e don)
por në skajin ma të butë
kemi me zatetë.
Atje ku na kemi me i këndue
të lumtun njeni tjetrit.