Afati i frikës

9 Prill, 2020 - 5:30 pm

Poezi nga Sali Bashota

Ndoshta vetëm për disa ditë
Mund të shtyhet afati i frikës
Derisa të ngjallet optimizmi
Në shpirtrat tanë
Dhimbjet s’duhet të pëlcasin
Kur i vjen radha lotëve
Me ikë nga fytyrat e mërzitura
Në këtë kohë pandemie
Ndoshta vetëm për disa ditë
Mund të shtyhet afati i frikës
Derisa të zgjohet dashuria e vërtetë
Në besimin e njerëzve
Kur duart duan të çmallen me prekjen
Mbi trupat e ndaluar
Të çmallen edhe me gjysmën e përqafimit
Sa herë botën e mbulon dhimbja
Ndoshta vetëm për disa ditë
Mund të shtyhet afati i frikës
Me orën e saktë të durimit
Frymë kush merr më së shumti
Në të dy krahët e ëndrrave
Kur hapen shtigjet e fatit
Uji përdoret vetëm si ilaç i etjes
Ndoshta vetëm për disa ditë
Mund të shtyhet afati i frikës
Aty ku do të zgjohet përgjithmonë buzëqeshja
Në qiellin pa asnjë re të zezë

(9 prill 2020) /KultPlus.com

Të ngjajshme