Afrimet, largimet, mërgimet…

2 Mars, 2018 - 9:39 pm

Poezi nga Agim Morina

Si andrra t’arratisuna prej çmendinash
Kujtimet qepen me pej shumngjyrash
Qetësisht
Prej gishtash të padukshëm të kohës

Tue u ndryshkë si biçikleta të vetmueme
Buzëqeshjet e degdisuna në qiej malli
Presin
Mbështetë për murin e fëminisë së tretun
Dikur e kisha një vëlla të dhembshun
Tash vetëm dhembjen e kam vëlla

Petkat e ditëve të shkueme
Teren tue derdhë lot-gjylpana
Psherëtimash
Varë në një tel të pafund mallëngjimi

Jorgan i errët dheu na ka hy ndërmjet
Çarshaf-kobshëm dhe i qëndisun prej ngashërimesh
Tue qeshë përvajshëm me durim më pret
Tash që vetëm dhembjen e kam vëlla
E nuk e kam ma një vëlla të dhembshun

Të ngjajshme