15 Dhjetor, 2017 - 6:05 pm
Poezi nga Enkeleda Ristani.
Ai më la për Anitën
Para saj më kishte lënë për Elonën
Jonidën, Marselën, Drilonën
Hyri në dhomë
Gradoi orën time prej rëre
Dhe harroi që isha aty
Dikur u kujtua, buzëqeshi me sy dhe
U përgatit për një harrim a gradim të ri
Ai më la për Anitën
Kurse unë e lash për të parë sa gjemba frymë mund të marr pa të
Dhe u shtera netëve duke i kërkuar gjithë të metat
Si njolla alergjike sezonale
Pastaj tiparet ia shformova nji e nga nji
Ia ngjita vetullat për sysh
por sytë
sytë nuk ia zhbëra dot në ngjyrë të terrtë
nuk ia zhubrosa dot të qeshurën e kaltër në sy
as talljen nën buzë: “kot bën, e di që s’mundesh”
ai më la për Anitën
pastaj më la në një cep rruge
si rrobë të lagur nga shiu që rëndon në trup
dhe shkoi vrik
Ai më la për Anitën
Blerinën, Esmeraldën, Klotildën
Unë rrugës që më mbeti për të bërë në këmbë
Gjithë cigaren e dogja për fundin e filmit serial
Me personazhe të reja
Kauboj që shtyjnë dyert përkundëse
Shtijnë në shenjë mbi një emër të ri
Hedhin viktimën mbi kalë
Dhe nisen revan për t’u kthyer
I mbylla sytë për të mos e parë me sytë e mi hakmarrjen
Ai më la për Anitën
Matildën, Evën, Jehonën, Anisën…
Kurse unë e kisha lënë për Të
Me dhjetëra herë…