21 Nëntor, 2020 - 1:45 pm
Fjolla Hajrizaj
Qentë lehin natën
Kaq më mjafton të mendoj
Një poezie t’i jap jetë në natë
Qentë lehin natën e unë
Për kohën e pazakontë
Tek tuk për dhembjet e huqjet e mia
Për jetën e dalë binaresh
Për botën e çthurun krejt
Për vetminë e urinë e tyre mendoj
Mes vete mbase luajnë qentë
E unë përveç hallkave që më janë këputë
Për fatin e tyre në dimër mendoj
Për fatin e ndonjë njeriu që mund ta kenë gjah
Pagjumësia më lë çdo andërr në gjysmë
Por qentë lehin e veten dot nuk e ndihmoj
Mendoj, mendoj, mendoj
Pse në dramën e jetës gjithçka u prish?
Në vend të mrekullisë,
Me histori përbindëshash ngushëllohem
Ka më keq se soji njeri veten e rrej
Nuk besoj e as nuk pres, thjesht lehin qentë
Në dramën e jetës gjithçka u prish! / KultPlus.com