Akuarel

6 Qershor, 2020 - 6:22 pm

Poezi nga Bajram Mjeku

Bashkë me mallin pikonte shiu
prajshëm, gjithë ditën s’u ndal kurrë
sytë e saj më grishën kujtesën
si ngjyrat në akuarel përzier me ujë.

Në cep të dritares të prita gjatë
derisa vetmia u gdhend mbi qemer
papritur pashë se më dolën thinjat
papritur sheshi u mbështoll në terr.

Vetmia e frikshme në netët e gjata
është fantazmë e ngjizur në ferr
si ëndërr e keqe shfaqet në mesnatë
rëndë vret gjumin e dot nuk të merr.

Shiu dhe malli kur bëhen bashkë
janë si bora mbështjellë me suferinë
janë si rrëzëllim xhevahiri, janë si
lulenarcisi që n’plasë të gurit mbinë.

Prapë të prita, ti as sot nuk erdhe
pamja jote prapë u shkri në akuarel
u tretën gërshetat, pastaj buzët ranë
vetëm sytë tu mbetën në portret.

Jeta është pritje, dëgjova një zë
ktheva sytë e mbrapa s’dukej kush
nga shiu i vagullt dhe heshtja e trishtë
zemra më mbet varur mbi gëmushë.

Prishtinë, maj ’20

Të ngjajshme