Andërr brenda n’andrrim

16 Maj, 2022 - 9:00 pm

Poezi nga Edgar Allan Poe

Merre këtë të puthur në ballë!
Dhe prej teje tash duke u ndarë,
Më lejo të të them kaq fjalë—
Ti nuk ke faj, që shpesh kujton
Se ditë e jetës n’andërr m’kalon;
Edhe nëse shpresa ka fluturu tej
Në ditën, o në natën andej,
Në një mirazh, o në askund,
A është kështu më pak e fund?
Krejt çka shohim ose vjen si vegim
Është veç andërr brenda n’andrrim.

Midis gjëmimit të prajshëm ndal
Në bregun e të rënkueshmes valë,
Dhe në brendi të duarve mbaj
Kokërrzat e rërës vesh në ar—
Ashtu pak! Shkojnë duke u zvarritë
Gishtave të mi ua prekin thellësitë,
Tek shkrihem në vaj—në vaj tek zbrit!
O Zot! A nuk mundem t’i afroj
Ato më fortë në duar t’i shtrëngoj?
O Zot! A nuk mundem veç një me shpëtu
Që mos ta marrë vala që është duke u afru?
Krejt çka shohim ose vjen si vegim
A është veç andërr brenda n’andrrim?

Përktheu: Leonora Hajra / KultPlus.com

Të ngjajshme