‘Anja!’ nga Ajne Iberhysaj, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

12 Dhjetor, 2023 - 3:29 pm

Ajne Iberhysaj

Anja,
kërkojmë veten tonë,
nën luhatjet e egos së besimit.
Çapitjet e hapave tuaja i preku syri,
kurrë nuk i ndkeu shpirti.
Lundroj në thellësinë e shpirtit tënd,
syri yt ma zgjon zemrën e fjalës.
Trupat përqafohen,
lëkura që puthitet, shkërmoqet…
Asgjë e re, si vetë Cikli i Krebsit.
Frymënxjerrja e rënduar,
sytë flasin më shumë se duhet
dhe fjalët heshtin në një ditë,
si vetë frymëmarrja jonë.
Përqafimet tona valviten me erën,
përdridhen, trembin qerpikun.
Fryma jote shpirtit i jep frymë,
qiellin e ngushton…
Lotët sikur i bien me grusht tokës.
Muskujt tendosen, rinia ikën,
eshtrat lëshojnë zë krisme.
Në kabare, Anja qëndron,
me vellon e reve të bardha vallëzon.
Shpirti mban aromë limoni, vetminë tënde.
Buzët ndizen, të gjitha digjen zjarr!
Eh… bota sa herët kishte rënë për t’fjetur!
Tinguj fjalësh, krim dhe ndëshkim.
Anja,
në qiellin blu vetëm lutje përpëliten.
Të guximshmit janë fitues të puthjeve hajdute,
vetëm frikacakët bëjnë luftë.
Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi.
Në sytë e tu, Anja, çdo gjë është art.
Anja,
Itaka rënkon përherë,
dashuritë bien me natën e errët.
Nesër,
me të tjera ëndrra ato zgjohen.
Në kabare muzika dëgjohet…
Shpirtin e zjarrtë vetëm unë ta njoha,
Anja,
askujt mos i beso, as hijes tënde!
Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi
Ti mbete fëmijë në udhëkryqet e jetës/ KultPlus.com

Të ngjajshme