27 Dhjetor, 2017 - 2:15 pm
Poezi nga Petro Marko.
…Marrëzi, turp turp dhe mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
ne ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jete, ç’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…
-O mëkatar,
as faliu ligjes sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s’jeton me shqetësime!…
-Mu thell’ në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
nga ligja jote e fuqiplote,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, o me kamxhik;
pa frik’ e pa mëshirë
e pa pendim,
se mu në thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd…