1 Mars, 2018 - 4:54 pm
Poezi nga Mimoza Ahmeti.
Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron qenia zhduket)
Armik. Armiku im!
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroi lënda ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat mbërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe jo urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
Turmat,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.