Aromë kafeje

19 Nëntor, 2023 - 11:30 pm

Poezi nga Çlirim Hoxha

Në bregun e shekullit të ri,
Në horizontet enigmatik pa fund,
Bota gëlon nga krizat,
Nga luftërat gjithashtu.

Motet verore janë tani larg,
Nuk ka më serenata që kohën e shtynë,
Një teneqe çirret bën zë,
Dixheit kanë heshtur,
vetëm era frynë.

Plazhet janë bosh kanë ikur turistët,
Era mbi gjethet e verdha po qan,
Deti ngre dallgë mbi bregun përplaset,
Një hesap të vjetër me njeri-tjetrin kanë.

Dallëndyshet lënë telat dhe shkojnë,
Vjeshta i ndoqi përsëri,
Një saks i vetmuar vajton,
Një këngë të vjetër një melodi.

Me vjeshtën ike dhe ti e dashur,
Në auditorë shkove përsëri,
Unë i vetëm ri në dritare,
Ndoshta mendueshëm në dritare ri dhe ti.

Na duhet një vit të vij vera prapë,
Dhe plazhet, bulevardet, diskot të mbushen,
Me minifundet dhe takat e larta,
Të kërcejnë sërish dallëndyshet.

Do ri i strukur poshtë çadrës time në plazh,
Do pres të vish të thekesh pranë meje,
Në lëkurën tënde të qëndroj kripa e thatë,
Dhe në buzët e mia aromë kafeje.

Kjo poezi e përkthyer në frëngjisht nga Elvira Beshaj në Luksenburg, u përzgjodh dhe u përfshi në Antologjinë e 50 poetëve botëror nga Shtëpia Botuese L”Artmatan në Paris. / KultPlus.com

Të ngjajshme