21 Dhjetor, 2017 - 8:46 pm
Poezia fituese e çmimit të dytë të edicionit të parë të KultStrofa. Poezi e shkruar nga Halil Matoshi.
Për marsin dhe Jasharajt
Nëse liria e ka dimensionin e vet etik. Duhet me e mbrojtë me jetë.
Dhe nëse liria e ka edhe dimensionin e vet estetik. Duhet me e mbrojtë me vdekje!
“Shihni sa thmitë i kemi ktu. S’kemi ku i qojmë as kah shkojmë s’kemi
e s’luejm veni…”
Thotë Hamzë Jashar shqiptari
Atij i kërkohej ta lë shtëpinë e katandinë
E të humbet nga sytë e botës
Sepse kështu donte një tiran ballkanas…
Dhe ushtarët e tiranit demonët e shekullit 20
Nji ditë shkuen n’Prekaz dhe i mbuluen me terr arën, livadhet, shtëpitë
Dhe jetët e fëmijëve morren një nga një
Dhe Hamzës e Ademit ua vranë kangën
Në Europë u shue nji familje
Që kishte msue nder breza në tokë t’veten me jetue
Tuj lypë liri e truell me e bâ deken…
Me i përflakë andrrat në ‘i rreze mali
Kur njaj diell qe rrezon e nuk nxe nxjerr synin permi’ Kosovë
Ni dasmë me e bâ, tokën me trashigue
N’mars ata shikuen qiellin e vrant’ e i buzëqeshen vdekjes
“vdekjen këtu kemi me e bâ!”
po liria thanë erdhi dhe sërish dikush tha:
“shihni sa thmitë i kemi këtu…”
Shqiptarët nder breza jetën e qojnë posht, n’zore e skamje
E vdekjen e bâjnë si ni valle me ngé!
E bâjnë!
E masanej presin me ardhë si brumi n’magje
Kjo mjeshtri asht e ngjajshme si nji vepër arti me e bâ!