30 Nëntor, 2019 - 7:55 pm
Poezi nga Andi Bejtja
ATDHEDASHURI
Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt
Ku ka fusha të gjera me vese
Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë
Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshkurtër
që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe
Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile,
po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetëPo unë s’mërzitem
As ofendohem,
Europës nuk i mbaj mëri.
Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin
Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;
Duke mallkuar malet e larta krenarë
Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…
Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.
E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,
Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse
Për të shpallur në paqe e pa bujë
Pavarësinë e Mendjes Time…