1 Shkurt, 2025 - 12:19 pm
Poezi nga Argëzon Sulejmani
Janari merr me ikë…
Dy shkëndija bredhi sa bajnë dritë…
Një filloren shqepë ujdisjet
Prej dekorit festiv nëpër shesh
Dhe niset rrugicës së tavernave
Për me ba me jetën përshesh.
E kam kuptu thotë shumë moti
Që në këtë botë luhet lojë e t’pitit:
Veç në taverna kurrë s’ia huqin ditës
Veç gjithë ia huqin vitit.
Djaloshi merr me ikë…
Sytë tash nisin me i shndritë…
Unë varë për traste mbetjen e një moti
Me athëtinë limoni mendjen e brej’
Si më tha vogëlushi kur u kusuritëm:
Ëndërroj të rritem, ëndërroj të blej.
Sikur s’shkon diçka në këtë mes tëlanash
Jetë e pa kohë që përmbytë me ngenë
“Edhe nga një” për refrenin që përsëritet
Axhami që shesin – të rritur që blenë.
Koha merr me ikë…
Vë në gjumë dritën dhe çilimitë…
Mbi banak trokëllijnë gotat si muajt
Një, dy e tre deri në dymbëdhjetë
Gjumi s’vjen në botën qaramane
Djaloshi i vë ëndrrat me fjetë.
Pas një terri të thellë, dielli vjen i rëndë
Strajca e motmoteve merr me ba pazar
Rrugicave të harruara kujtimet shënojnë
Vite sa një ditë – vite si janar. / KultPlus.com