19 Janar, 2022 - 6:45 pm
Poezi nga Li-Young Lee
“Baba i vogël”
E varrosa tim atë në qiell.
Qysh atëherë, zogjtë
e lajnë dhe e krehin çdo mëngjes
dhe ia ngrenë batanijen gjer në mjekër çdo natë.
E varrosa tim atë nën tokë.
Qysh atëherë, shkallët e mia
ngjisin vetëm poshtë,
dhe krejt toka është shndërruar në shtëpi,
dhomat e të cilës janë orët, dyert që
rrinë hapur çdo mbrëmje,
e presin mik pas miku.
Nganjëherë, shoh pas tyre
tek tryezat që shtrohen për një festë dasme.
E varrosa tim atë në zemër.
Tash ai rritet në mua, biri im i çuditshëm,
rrënja ime e vogël, që s’do të pijë qumësht,
këmbë e vogël e zbehtë
zhytur në padëgjimin e natës,
orë e vogël që kërcen sërish e tharë
në zjarr, hardhi e vogël, i afërm i verës
së ardhshme, bir i frutit të vetë birit të tij,
baba i vogël që e shpërblej me jetën time.
Përktheu nga origjinali anglisht: Elvana Zaimi / KultPlus.com