24 Nëntor, 2024 - 1:30 pm
Poezi nga Sibel Halimi
Babai im, hero i lirisë sime,
më bëri njësh me veten,
më mësoi të dua,
të numëroj yjet në qiell
pa frikë se një ditë do të shuhen.
ka më shumë dritë të re që lind,
në shuarjën e tyre më tha
si shpirti që s’mbyllet kurrë në hi.
Ai kurrë nuk pati pushkë.
Zëri i tij nuk u bë thirrje urrejtjeje,
mbeti melodi
që ndërtoi ura mes zemrave.
Ai rrinte, mendonte, arsyetonte,
dhe në gjykimin e heshtur
të botës
kurrë nuk u përfshi.
Të bëmën e tjetrit nuk e gjykoi,
as në të pame nuk shkoi kurrë.
“Vdekja” thoshte, “është çlirim,
jo dhembje për shpirtin që fluturon, mall që ndriçon tek ata që mbeten.”
Në mesditë, kur dielli ndalonte frymëmarrjen,
ai shkonte në shesh,
ku njeriu i tij e priste në heshtje.
Një qindarkë dashurie ia linte,
jo si dhuratë,
por si premtim të përditshëm
se dashuria nuk ka nevojë për zë,
se zemrat që duan flasin
në gjuhën e qiellit.
Ishte aktor pa dërrasat e talias
poet pa fletë,
luftëtar pa armë.
Në shikimin e tij të qetë,
pashë gjithçka që bota refuzonte të shihte:
se liria nuk fitohet vetëm me gjak,
me dhembshuri,
me mendje të hapur e duar
të hapura për përqafim
Ndërtim
Tani, kur ngre kokën lart
i vështroj yjet,
i kujtoj fjalët e tij:
“Jeta është si një qiell i pafund,
me humbje dhe fitore,
me drita dhe hije.
Por në çdo shuarje ylli,
shih një lindje të re.”
Dhe unë ndiej se babai im,
me heshtjen e tij,
kishte thyer zinxhirët e botës.
Kish kriju dritë të re./ KultPlus.com