Babai im në shi

5 Maj, 2023 - 4:30 pm

Poezi nga Arbër Selmani

Një burrë i kthehet botës nga nëntoka
i stepur, syhaptë, në rrebeshin e papritmësisë
pa ombrellë, me një pallto që e bën më klasike pamjen
duke shkelë mbi lulet që puthen me polen
sheh qiellin, i vjen era gjeth hibiskusi, pendohet
për gabimet, për të pathënat, me faqet e zhytura në ujë
që nuk ka kush t`ia shtrydhë, se ai nuk sheh kah dritarja ime.

Ky është babai im në shi.

Të lagura janë rrudhat e tij të gjeografishme
një tis i shpejtë i vetëtimës e lëkundë prej vendit statik
nëse nuk largohet, shtylla e rrymës do ta godasë
i bën dritë fytyra, i mbyllen kapilarët e syve të gjelbër
i ftohti ia dridhë këmbët, një bletë e qulltë pin prej flokëve të tij
poshtë një druri, i kërrusur, babai im dembel ka ikë prej varrezave
i peshon përmbi një kovë me jetë të zbehtë, se jeta është një rrugë e vërshuar rrëke.

Ky është babai im në shi.

Një poezi e tija, më e ndjerë se kjo, në xhepin e brendshëm të setrës
ia rëndon gjoksin, më shumë se dy stentat e vjetëruara
pikëlon Zoti i vuajtur, e babai qëndron i heshtur, i humbur
unë urrej filmat që planifikuam, po nuk i pamë kurrë bashkë
tre fëmijë i ka të gjallë, dy të vdekur, një grua që ka humbur shpresën
mund të mendojë se e kanë harruar, veç shiu s’e lan harresën
unë s’e hap dot këtë xham, ta thërras, t`i them se ka kohë që e presim.

Ky është babai im në shi.

A durohet kjo dhimbje? A është ky fati ynë, baballarët e mbetur pezull?
policët, zjarrëfikësit, vetura e emergjencës, dikush duhet të ndërhyjë
unë nuk mundem, se kjo banesë e mallkuar nuk reagon ndaj jashtësisë
mund ta sillni te unë, ose kthejeni në shtratin e tij të fundit
një frymë e shkulë me rrënjë kalldrëmi
babai qan për mua, unë qaj për të, shihet mraz furie
ky është njeriu im i paprekshëm, në një shi të madh vetmie.

(“Babai im në shi” është poezia fituese e çmimit të tretë në konkursin letrar ‘Muza e Agimit’ 2023). / KultPlus.com

Të ngjajshme